Kosova
Çka premtojnë partitë politike në Kosovë?

Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të rregullta.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 28 parti me 1280 kandidatë për deputetë.
Të drejtë vote kanë 2 milionë e 75 mijë 868 qytetarë.
Por, çka premtojnë këto parti për qytetarët e Kosovës?
Nga 28 parti të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhjet e rregullta parlamentare, vetëm 13 prej tyre kanë publikuar programet zgjedhore.
Në këto programe, partitë politike u kushtojnë vëmendje arsimit, shëndetësisë ekonomisë, punësimit, infrastrukturës, investimeve kapitale, sigurisë e mbrojtjes dhe fushave të tjera.
Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje që ka udhëhequr katër vjetët e fundit me qeverinë në Kosovë zotohet të vazhdojë me “punët e mirë” që kanë filluar kur e morën mandatin në vitin 2021.
Krahas kësaj zotohen për ide e projekte të reja, që përbëjnë gjithsej 25 zotime për të cilat LVV me në krye Albin Kurtin kërkon votën e qytetarëve të Kosovës.
“Do të përshpejtojmë rritjen ekonomike me mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese dhe inovacionit. Do të rrisim pagat, pensionet, e mbështetjen sociale, krahas rritjes së përshpejtuar të ekonomisë. Do të shënojmë rekorde të reja në investime kapitale me projekte strategjike që rrisin aktivitetin ekonomik. Do të sigurojmë edhe shumë vende të reja pune, si për vajzat dhe djemtë ,ashtu edhe për gratë, për të arritur shifrën prej mbi gjysmë milioni të punësuar deri në fund të mandatit”, thuhet në zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje.
Si prioritet kjo parti ka edhe sigurinë dhe shëndetësinë në Kosovë, teksa zotohet edhe për ndihmë ndaj bizneseve vendore me qëllim rritjen e eksportit.
“Do të kujdesemi për më shumë siguri, drejtësi e barazi, dhe për më pak krim, korrupsion e varfëri. Do të vazhdojmë punën për arsim e shëndetësi më cilësore. Do të punojmë e angazhohemi për me shumë prodhim e eksport, mbështetje të ekonomisë qarkore nga prodhimi deri tek ripërpunimi i mbetjeve, me shumë siguri energjetike e më pak ndotje të ambientit. E do të përkushtohemi për më shumë kualitet të jetës e rritje të mëtejme të jetëgjatësisë”, thuhet tutje.
Partia Demokratike e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës që doli e dyta në zgjedhjet e fundit në 2021 garon me pesë qëllime kyçe që zotohen se do të sjellin ndryshimin.
Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, jetë më e mirë për secilin, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë e sigurt dhe e integruar janë pjesë e vizionit të PDK-së për një Kosovë që “mundet ma mirë”.
Për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, plani i PDK-së është transformimi përmes investimeve strategjike.
“Transformimi i vendit përmes investimeve strategjike në infrastrukturë, nxitja e kapitalit privat, krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik. Synimi ynë është një zhvillim gjithëpërfshirës që fuqizon çdo rajon dhe rrit cilësinë e jetesës për qytetarët, duke krijuar një ekonomi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Përmes këtij angazhimi të fuqishëm synojmë t’i rrisim mundësitë ekonomike për të gjithë qytetarët, duke ofruar shanse reale për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt në vendin e tyre”, thuhet në programin e PDK-së.
Fokus i PDK-së është edhe rinia e Kosovës dhe kësisoj rritja e të ardhurave për familjen. Partia Demokratike e Kosovës synon edhe një transformim të sistemit arsimor në Kosovë.
“Ne synojmë t’i ofrojmë çdo nxënësi dhe studenti në Kosovë dijen, shkathtësitë dhe mundësitë që u nevojiten për të pasur sukses në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Duke e pajisur sistemin arsimor me burimet dhe mbështetjen e nevojshme, si për mësimdhënësit, ashtu edhe për nxënësit e studentët, Kosova do të pozicionohet si shembull i transformimit arsimor në rajon”, thuhet në zotimet e PDK-së.
Tutje, në qendër të shëndetësisë në Kosovë PDK-ja premton se do të jetë pacienti, për cka zotohen se do të lehtësohet qasja në shërbime shëndetësore.
“Krijimi i një sistemi shëndetësor që ofron kujdes të qasshëm dhe modern për të gjithë qytetarët është thelbësor për përmirësimin e cilësisë së jetesës. Ky sistem do të sigurojë shërbime mjekësore të lehta për t’u arritur, të fokusuara në nevojat e pacientëve, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të shëndetshme”, thotë PDK-ja.
Duke u nisur nga situata e sigurisë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, PDK premton rimëkëmbje të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Partia më e vjetër në Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të hartojë një program zgjedhor të detajuar me të cilin synon ndryshimin në vend.
LDK-ja fokusohet në tri kriza me të cilat, sipas saj po përballet Kosova e premton se do i adresojë ato. Sipas Lidhjes Demokratike, vendi po përballet me polarizim të shfrenuar të shoqërisë që sipas tyre, “jo vetëm që ka thyer kohezionin thelbësor për rritjen e vet shtetit, por gjithashtu ka mbytur frymën kolektive të vet shoqërisë, siç dhe ka mbytur aspiratat individuale të secilit”. “Shërimi i shoqërisë nga populizmi është misioni parësor i ‘Rrugës së Re’.”, premton LDK-ja.
Partia e cila ka për kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhikun konsideron se “shtyllat themelore të lirisë, demokracisë dhe identitetit pro perëndimor të shtetit janë nën sulm”.
“Mbrojtja e shtyllave të demokracisë nuk ruan thjesht një sistem qeverisjeje, siguron që të drejtat, liritë dhe aspiratat e qytetarëve të saj të mbahen dhe të ushqehen”, premton Lidhja Demokratike e Kosovës.
Po ashtu, LDK konstaton se ka një mungesë të politikave publike proaktive dhe që do të adresonin problemet me të cilat përballet qytetari i Kosovës. Si zotim i tyre është kthimi i Kosovës në këto politika publike zhvillimore që “janë zgjidhje konkrete për shumicën e sfidave në vend, me investime kapitale shtesë prej 5 miliardë eurove për katër vite mandat, me mbi 120 projekte të mëdha në vend”.
Në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës paraqitet si vizion për vlerat promovimi i dinjitetit të çdo qenie humane për kreativitet të lirë të qytetarëve në të gjithë sektorët dhe jetën sociale; rolin e familjes, edukimit dhe jetën në komunitet; mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve minoritare, solidaritetin me grupet e cenueshme dhe të moshuarit; respektin për jetën në të gjitha format dhe moshat; respektimin e dinjitetit human në mjekësi dhe rregullave etike gjatë aplikimit të rezultateve shkencore.
LDK zotohet edhe për mbështetje të familjes, të rinjve dhe të gruas, ku synohet barazia gjinore për të siguruar qasje të gruas në jetën publike, në punë dhe në pozitat dhe përgjegjësitë më të larta.
Zhvillimi ekonomik do të zë vend qendror në politikat e qeverisjes së LDK-së thuhet në program. Politikat ekonomike të LDK-së zotohen se synojnë krijimin e kushteve të barabarta për investime, përmes infrastrukturës rrugore, teknologjisë informative, energjisë dhe ujit, edukimit a aftësimit, shtetit ligjor e të drejtë, në mënyrë që të krijohen kushtet për një zhvillim harmonik dhe që të tejkalohen diferencat regjionale të Kosovës.
“LDK-ja angazhohet për eliminimin e barrierave ligjore dhe burokratike, që e pengojnë zhvillimin e hovshëm të biznesit, duke promovuar lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve”, zotohet kjo parti që mes tjerash premton se tatimet duhet të jenë aq sa nevojitet për të mbuluar funksionet thelbësore të shtetit. “Aplikimi i një sistemi të thjeshtë tatimor mbetet prioritet i LDK-së, duke respektuar parimet e drejtësisë dhe trajtimit të barabartë të tatimpaguesve nëpërmjet shpërndarjes së barrës tatimore proporcionalisht”, premton LDK.
LDK-ja premton se do të angazhohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare mbi baza të interesave ekonomike dhe shtetërore. “Interesat tona kombëtare përputhen me integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në NATO dhe BE”, thuhet në programin e kësaj partie.
LDK-ja premton se do të angazhohet për reformimin e vazhdueshëm të sistemit gjyqësor drejt një sistemi të pavarur, efikas dhe kredibil, që është garant i sundimit të ligjit dhe i mbrojtjes i së të drejtave dhe të lirive qytetare, të garantuara me ligjin vendor dhe ndërkombëtar.
Pavarësia energjetike e Kosovës, sikurse dhe orientimi energjetik drejt aleatëve strategjik, mbetet premtim i LDK-së që premton se do të angazhohet “për një shfrytëzim optimal të burimeve energjetike që ka Kosova”.
Për një shoqëri të dijës dhe teknologjisë, LDK-ja zotohet për zgjidhjen e drejtë dhe avancimin e statusit të punonjësit të arsimit në të gjitha nivelet dhe të bëjë përmirësim rrënjësor të kushteve të punës.
LDK-ja vlerëson se Kosova ka nevojë për një reformë thelbësore në shëndetësi; reformë që do të sigurojë shpërndarje adekuate të infrastrukturës mjekësore dhe të kuadrit mjekësor në gjithë territorin e vendit.
Për sportin LDK-ja premton se do të angazhohet në zhvillimin e sistemit të sportit në përputhje me Kartën Evropiane të Sportit dhe Kodit të Etikës në Sport dhe promovon pjesëmarrjen në sporte dhe në gara ndërkombëtare.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA garon me një program që synon një Kosovë ndryshme.
Programi i Koalicionit për Kosovën Fituese është i mbështetur në katër shtylla: anëtarësimin dirket të Kosovës në NATO; zhvillimin e hovshëm ekonomik; përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE; dhe Kosovën si shtet të jetueshëm e jo i braktisur.
Koalicioni ka hartuar një plan që synon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e që sipas tij ka tri aspekte. I pari është aspekti politik që ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve me institucionet euroatlantike, përmbushjen e obligimeve në dialog, konsolidimin e demokracisë në Kosovë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët. Aspekti i dytë është ushtarak ku synohet nritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës, zhvillimi i industrisë mbrojtëse, prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile dhe rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. E aspekti i tretë është ai ekonomik që AAK synon ta bëjë me aktivizimin e resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.
Koalicioni AAK-NISMA premton zhvillim të hovshëm ekonomik që sipas programit të tyre nënkupton rritje minimum 7% e GDP-së në vit. “Kjo realizohet duke rritur investimet publike në 1 miliard e 100 milionë në vitin 2025, për të arritur në 1.5 miliard për vit në vitin e fundit të mandatit”, thuhet në program.
AAK-NISMA synon rritjen e investimeve të huaja direkte në lartësinë deri në 2 miliardë që bashkë me investimet e sektorit privat do të arrinin në 5 miliardë për vit. Krahas kësaj premtohen edhe lehtësirat në politikën fiskale për investime.
“Kjo siguron edhe një situatë ku Kosova do të përfitonte shuma të mëdha nga projektet rajonale të financuara nga BE, por edhe donacione nga fonde ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, FMN, BERZH etj”, premtohen në programin e koalicionit.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, AAK thotë se zhvillimi nënkupton që të mos vidhet në emër të luftës kundër korrupsionit.
“Ku biznesi privat apo sindikatat nuk do të trajtohen si armiq, por si partnerë; Ku nuk do të ketë pagë nën 500 euro; Ku paga mesatare do të jetë jo më pak se një mijë euro; Ku nuk do të ketë familje të përjashtuara nga skema sociale; Ku qeveria nuk do t’i bllokojë paratë në “bunker”, duke mos rritur pagat e duke bllokuar investimet kapitale”, thuhet në premtimin e AAK-së dhe NISMA.
Koalicioni AAK-NISMA premtojnë edhe përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE.
“Kosova do ta përmbyllë dialogun dhe t’i rikthehet marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe obligative me njohje reciproke. Një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke do të vendoste paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj në bashkëpunim me aleatët, posaçërisht SHBA”, thuhet në programin e koalicionit.
Për Kosovën vend të jetueshëm, AAK-NISMA premton “mbështetjen e bizneseve që të krijohen mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës”. Krahas kësaj premton shëndetësi jo të kushtueshme e jashtë vendit. “Arsimi duhet të ngrihet në nivel të konkurrueshëm me vendet perëndimore, duke e larguar nga fundi i listës ku ndodhet aktualisht”, premton AAK-NISMA për arsimin.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Poloni: Ansambli ‘Shota’ përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të folklorit Ky festival prestigjioz, i cili zhvillohet rregullisht që nga viti 1996, do të mbledhë mbi 300...
-
Dea Kamberi shpallet ‘Massachusetts’, e para studente nga Worcester që merr këtë titull prestigjioz
-
Nëna dhe motrat e Krushës së Vogël, të paharruara edhe në prag të Bajramit
-
Gruaja e moshuar fut kosovarin në kurth duke e joshur me shufra ari fallco
-
Hapet edhe një klasë e re për mësimin e Gjuhës Shqipe në Birr të kantonit Argaut
Jeta në Zvicër
-
Çfarë rezerva ushqimore duhet të kenë banorët e Zvicrës në rast krize? Shumë njerëz kanë rezerva ushqimore në shtëpi, por shpesh ato nuk janë të mjaftueshme për të...
-
Rekord tragjik: 28 viktima në aksidentet e skiatorëve në Zvicër dimrin e kaluar
-
Gjykata anulon kufirin e kufizimit 30 km/h në Gjenevë, triumfon ankesa e një polici
-
Zvicra do të shoh eklipsin e pjesshëm të diellit të shtunën
-
Pse gjithnjë e më shumë amerikanë të pasur po i vendosin paratë e tyre në bankat zvicerane?