Lajme

Çmimet e ushqimeve në botë do të mbeten të larta

Pandemia COVID-19 ka pasur një efekt negativ në çmimet e ushqimeve. Në fillim të vitit 2020, kur pjesa më e madhe e botës hyri në izolim, u rrit frika se grumbullimi i rezervave dhe kufijtë e mbyllur do të shkaktonin rritjen e çmimeve.

Por në fakt, çmimet pothuajse nuk ndryshuan. Vetëm disa muaj më vonë, kur në vendet e pasura, pandemia dukej se po zbutej dhe ekonomitë u rihapën, çmimet filluan të rriteshin me shpejtësi alarmante. Deri në maj 2021, ato arritën nivelin më të lartë që nga viti 2011, pasi u rritën me 40 për qind në 12 muaj, sipas një indeksi nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2022, të njëjtat forca që krijuan këtë rritje do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe, gjë që do të thotë se ka pak mundësi që çmimet të ulen. Një faktor kyç që shpjegon këtë dukuri, është shpërthimi i gripit të derrit në Kinë në vitin 2018, i cili përgjysmoi tufën e derrave.

Kjo e detyroi vendin të importonte më shumë mish derri dhe të kërkonte burime alternative të proteinave (kryesisht shpendë dhe peshk), së bashku me drithërat për t’i ushqyer ato, gjatë viteve 2019 dhe 2020, duke shkaktuar reduktimin e rezervave globale. Ndërkohë, provat se sëmundja është përhapur sërish, po rrisin edhe një herë frikën se do të ketë mungesa. Këto dyshime do të vazhdojnë në vitin 2022, duke çuar në zgjatjen e gjendjes së paqëndrueshme në tregjet ushqimore.

Një faktor tjetër ka qenë problemi i pengesave logjistike të shkaktuara nga rihapja e shpejtë e tregtisë ndërkombëtare, në një kohë kur Covid-19 ende po ngadalëson dhe pengon aktivitetin në fusha të rëndësishme. Mungesa e kontejnerëve dhe numri më i ulët i avionëve të pasagjerëve në fluturim, të cilët shpesh transportojnë ushqimet më delikate, kanë bërë që transportimi i frutave dhe perimeve të freskëta, të mbetet një proces i ndërlikuar.

Produktet kryesore si gruri dhe sheqeri udhëtojnë me shumicë në anije të mëdha, por kapaciteti atje është gjithashtu i kufizuar. Këtë e ndërlikon edhe më tepër fakti se çmimet e naftës janë rimëkëmbur, duke nxitur inflacionin në thuajse gjithçka, që nga plehrat kimike dhe kimikatet, deri te kostoja e transportit nëpër fusha dhe oqeane. Në vitin 2022, këto forca mund të pakësohen, por kjo do të ndodhë vetëm në mënyrë graduale.

Ndoshta burimi më i madh i pasigurisë, sidomos në lidhje me bujqësinë, do të jetë moti. Në fillim të vitit 2021, çmimet u rritën pjesërisht si rezultat i thatësirave në rajonet prodhuese të drithërave në Amerikën e Veriut dhe të Jugut.

Kushtet e mbjelljes dhe korrjes u përmirësuan gjatë gjithë vitit, por shkencëtarët tani mendojnë se ka probabilitet të lartë për një tjetër La Niña – një dukuri atmosferike që çorientoi modelet klimatike gjatë dimrit të kaluar. Ndërkohë, fatkeqësitë më të shpeshta natyrore nga ndryshimet klimatike, si përmbytjet dhe zjarret (të cilat qenë të shumta në vitin 2021), mund të dëmtojnë edhe më rëndë prodhimin në të gjithë globin.