Zinxhiri i hamburgerëve Carl’s Jr. mbyllet në Zvicër

I hapur saktësisht dy vjet më parë, në tetor 2023, zinxhiri amerikan operonte në tre qytete zvicerane – Bazel, Winterthur dhe Schaffhausen.

Por ishte jetëshkurtër.

Nuk janë dhënë detaje rreth arsyes së mbylljes, por sipas platformës së lajmeve 20Minuten, “kushdo që kërkon praninë online të Carl’s Jr. në Zvicër do të hasë vetëm faqe interneti jofunksionale. Faqja e internetit e Spycher Burger Gang, kompania pas lokaleve të hamburgerëve, gjithashtu aktualisht nuk është më e arritshme.”

Ky lajm vjen menjëherë pasi një zinxhir tjetër amerikan, Starbucks, njoftoi se po mbyll disa nga degët e tij zvicerane si pjesë e masave globale për uljen e kostove. /Albinfo.ch

Shumica e kantoneve parashikojnë një deficit në vitin 2026

“Pjesët më të mëdha të shpenzimeve kantonale janë në fushat e arsimit, çështjeve sociale dhe shëndetësisë”, tha Ernst Stocker, president i Konferencës së Drejtorëve të Financave Kantonale, kur njoftoi deficitin e afërt.

Këto shpenzime janë rritur më shpejt se të ardhurat në disa kantone, shtoi ai.

Kantoni i Zug ka tepricën më të lartë të të ardhurave me 370 milionë franga.

Në anën tjetër të shkallës është Gjeneva, me një deficit prej 409.4 milionë frangash.

Ky nuk është një lajm i mirë për banorët, pasi deficitet buxhetore zakonisht çojnë në shkurtime të shpenzimeve publike.

Lozana mund të fillojë të punësojë shtetas të huaj për forcën e saj policore

Deri më tani, vetëm shtetasit zviceranë mund të bëheshin oficerë policie në Lozanë – si në shumicën e qyteteve dhe kantoneve të tjera – por kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Komuna po shqyrton rekrutimin e mbajtësve të lejes C sepse, sipas gazetës lokale, 24 Heures, “përqindja e të huajve në popullsinë e Lozanës arrin në 42 përqind, por forca policore në këtë rajon mbetet relativisht e padiversifikuar”.

Ky veprim vjen menjëherë pasi disa nga policët e Lozanës u akuzuan për racizëm pas trazirave të dhunshme që shpërthyen në kryeqytetin e Vaud në gusht. /Albinfo.ch

Vjosa Osmani dekoron presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, ia dedikon medaljen legjendës Fadil Vokrri

Gianni Infantino është dekoruar me Medaljen e Nderit nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar me Medaljen e Nderit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të organizuar të mërkurën në Prishtinë.

Infantino foli pasi mori medaljen, duke thënë se për të është nder i madh që nderohet nga një vend i mrekullueshëm si Kosova.

“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë. Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova”.

“Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”, tha Infantino.

I pari i futbollit botërorë këtë medalje ia dedikoi ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrrit.

“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj,” tha Infantino, duke treguar emocionet e tij për këtë nder dhe për takimet që ka pasur me legjendën kosovare të futbollit.

I dërguari i posaçëm amerikan, dhëndri i Trumpit do t’i bashkohen bisedimeve për paqe në Gazë

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, do t’i bashkohen të mërkurën në Egjipt negociatave mes Izraelit dhe Hamasit për planin e paqes në Gazë, përcjell albinfo.ch.

Sipas BBC-së, bisedimet e së martës përfunduan pa përparim konkret, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tërheqjen izraelite dhe garancitë që Hamasi kërkon kundër rifillimit të luftës. Një zyrtar palestinez i përfshirë në negociata i quajti bisedimet “të vështira, por të përqendruara”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ndodhet në “ditë vendimtare” dhe përsëriti objektivat e tij: kthimin e pengjeve, shkatërrimin e Hamasit dhe eliminimin e kërcënimit nga Gazë.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, dhe kreu i inteligjencës turke pritet gjithashtu të marrin pjesë për të ndihmuar ndërmjetësimin.

Trump, duke e quajtur mundësinë e një marrëveshjeje “një hap drejt paqes në Lindjen e Mesme”, premtoi se SHBA-ja do të sigurohej që palët “t’i përmbahen marrëveshjes”.

Negociatat përqendrohen në pesë pika kryesore: armëpushim të përhershëm, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen izraelite nga Gaza, ndihmat humanitare, dhe qeverisjen pasluftës.

Sipas OKB-së, mbi 67.000 palestinezë janë vrarë në Gazë që nga tetori 2023, përfshirë mbi 20,000 fëmijë, ndërsa gjysmë milioni njerëz përballen me kushte urie ekstreme. Izraeli i ka mohuar akuzat për shkaktim urie apo gjenocid.

Sondazhet tregojnë se rreth 70% e izraelitëve mbështesin përfundimin e luftës në këmbim të lirimit të pengjeve.

Kurti takohet me Ulutash: Bashkëpunimi me KFOR-in, thelbësor

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Özkan Ulutash, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti dhe Ulutash diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë.

“Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim.

Shqiptarit në Itali i kapen 10 kg heroinë në karrige fëmijësh

Një 40-vjeçar shqiptar mund të kishte menduar se ideja e tij për të fshehur lëndë narkotike në karrige të fëmijëve, do të kishte qenë perfekte, por plani ka dështuar kur ka hasur në një kontroll nga policia italiane, përcjell albinfo.ch.

Trafikanti shqiptar u arrestua në Melegnano, ndërsa në makinën e tij u gjetën 10 kilogramë heroinë, fshehur nën sediljen e destinuar për uljen e fëmijës së tij.

40-vjeçari shqiptar me banim në provincën e Torinos po udhëtonte me gruan dhe fëmijët me një makinë SUV, kur u ndalua në pikën e pagesës së autostradës A1 nga oficerët e Gdf së Milanos.

Hetimet pasuese çuan në kontrolle në shtëpinë e tij, në provincën e Torinos, ku u gjetën edhe tre kilogramë të tjera heroinë, duke konfirmuar se shqiptari ishte pjesë e zinxhirit të furnizimit të të dyshuarit.
40-vjeçari u arrestua menjëherë dhe gjykata e Lodit urdhëroi paraburgimin për të, ndërsa hetimet po vijojnë për të identifikuar rrjetin e kontakteve dhe destinacionin e lëndës narkotike.

11 tetor përfundon afati për votimin me postë për votuesit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 11 tetor përfundon afati për votimin përmes postës për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ky proces është pjesë e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, përcjell albinfo.ch.

Periudha e votimit përmes postës kishte filluar më 17 shtator dhe vlen ekskluzivisht për 43,933 shtetas të Kosovës që janë regjistruar suksesshëm për të votuar jashtë vendit.

Sipas KQZ-së, të gjithë votuesit e regjistruar duhet të sigurohen që pakot e tyre me fletëvotime të dorëzohen në kutitë postare të KQZ-së deri më 11 tetor 2025. Çdo pako e pranuar pas kësaj date nuk do të merret në konsideratë.

Kutitë postare të KQZ-së janë të vendosura dhe funksionale në 24 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

KQZ u bën thirrje të gjithë votuesve jashtë vendit që të përfitojnë nga e drejta e tyre për të votuar dhe të dërgojnë fletëvotimet në kohë, për të siguruar që zëri i tyre të jetë pjesë e procesit zgjedhor.

Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje mbështetëse me 198 biznese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me ndërmarrjet përfituese të programeve mbështetëse.

Në këtë ngjarje mori pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, përcjell albinfo.ch.

Kjo marrëveshje do te zgjasë 1 vitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha së kjo është një hap shume i rëndësishëm per ekonomin e Kosovës.

“Ne po bëjmë mbështetje direkte për bizneset për të kontribuar më shumë ne vendin tonë, 198 biznese kanë përfituar nga kjo marrëveshje, do të këtë ndikim në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave kombëtare, kjo marrëveshje është shtyllë kryesore për zhvillimin kryesor te vendit tonë, kemi stabilitet ne rritje te vazhdueshme, me politikat e tona po mbështesim si asnjëherë më parë qytetarët, nënshkrimi i këtyre marrëveshje është shembull konkurrues ne Kosovë” , u shpreh Kurti.

Tutje ai tha se zgjerimi i bizneseve neve na leverdisë si shtet.

“ Sa më shumë të rriten bizneset e Kosovës, aq me shumë rriten të ardhurat e Kosovës”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se më parë nuk është investuar në këtë sektor.

“Me punë dhe përkushtim, pra më punën tuaj dhe përkushtimin tonë, do të kemi mundësi më të mira për një zhvillim të duhur për ecurinë e bizneseve të Kosovës, kemi rritur besueshmërinë e përkrahjeve ndërkombëtare, kemi rritur dhe transparencën e aplikimit, tha Hajdari.

Po ashtu ajo shtoj se jo të gjitha komunat kanë bashkëpunuar më Qeverinë tonë.

“Bashkë me ju do të ndryshojmë dhe më shume ecurinë e industrisë prodhuese, nesër do të lansojm thirrjen për aplikim për energji të pastruar për mbështetjen e bizneseve, ne synojmë rritjen ekonomike të barabartë ne ekosistem” , tha në fund Hajdari.

Kjo ngjarje ka për qëllim fuqizimin e bizneseve vendore përmes projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe konkurrueshmërinë në treg

Zhegrova me postim të veçantë për Kosovën

Ylli i ri i Juventusit, Edon Zhegrova ka publikuar një foto në rrjetin social “Instagram”, ku ‘paralajmëron’ për ndeshjet me Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Anësori i kombëtares dardane ka postuar një foto të tij me fanellën e Juventusit, me flamurin e Kosovës në sfond.

“Është koha për kombëtaren”, ka shkruar Zhegrova.

Gjermani: Zgjatet përjashtimi i taksës për makinat elektrike

Qeveria gjermane planifikon të shtyjë deri në vitin 2035 taksën që favorizon automjetet elektrike, duke synuar zhvillimin e ekonomisë, përcjell albinfo.ch.

Ministri gjerman i Financave Lars Klingbeil i tha agjencisë së lajmeve dpa se qeveria gjermane planifikon të zgjasë taksën përjashtuese për automjetet elektrike. Sipas projektligjit, përjashtimi do të mbulonte automjetet elektrike të regjistruara deri në fund të vitit 2030. Sipas ligjit në fuqi, përjashtimi nga taksat për automjetet elektrike skadon më 1 janar 2026. “Megjithatë, përjashtimi maksimal 10-vjeçar nga taksat do të vlejë vetëm deri më 31 dhjetor 2035, me qëllim nxitjen e blerjeve të hershme” – tha ministria e Financave. 

Klingbeil tha se përjashtimi nga taksa e makinave ishte një nga detajet e një pakete më të gjerë masash për të nxitur sektorin e automobilëve në Gjermani, të cilat do të diskutohen në Berlin të enjten gjatë samitit të industrisë automobilistike me Kancelarin Friedrich Merz.

“Tani na duhet një paketë e fortë për të udhëhequr industrinë automobilistike të Gjermanisë drejt së ardhmes dhe për të siguruar vende pune” – tha Klingbeil. “Ne duam që në Gjermani të vazhdojnë të prodhohen makinat më të mira.” 

“Të gjithë e dinë që e ardhmja është elektrike” – deklaroi ministri gjerman i Financave. /DW

Osmani takoi komandantin e ri të KFOR-it, Ulutaş

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, përcjell albinfo.ch.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it dhe për rikthimin e tij në Kosovë duke shprehur besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“Në këtë frymë, ajo ritheksoi mirënjohjen e saj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë.”, thuhet në njoftim.

Shaqiri: Nuk pendohem që jam tërheque nga Zvicra, nuk më mungon

Fitues i Ligës së Kampionëve, legjendë e kombëtares zvicerane dhe hero i Baselit – megjithatë, mbi të gjitha, Xherdan Shaqiri mbetet një njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me rrënjët dhe familjen e tij. Pas 12 vitesh jashtë vendit, ai është rikthyer në qytetin e lindjes, Basel, ku karriera e tij mori jetë dhe ku, siç thotë vetë, “zemra rreh më fort”, transmeton albinfo.ch.

Kthimi në qytetin e ëndrrave

Në gusht të vitit 2024, Shaqiri nënshkroi me klubin e fëmijërisë FC Basel, duke e rikthyer entuziazmin në qytet. Euforia ishte e jashtëzakonshme – dhe me të drejtë: në sezonin e parë pas rikthimit, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë pas tetë vjetësh dhe më pas drejt Kupës së Zvicrës.

“Ishte një ëndërr e madhe për mua të fitoja përsëri trofe me FCB,” thotë ai. “Fakti që ndodhi që në vitin e parë e bën gjithçka edhe më të bukur.”

Shaqiri e pranoi se refuzoi oferta të majme nga klubet e Lindjes së Mesme. “Nuk doja të shkoja në Arabinë Saudite dhe ta shijoj jetën thjesht si luks. Desha të bëja një kthim të sinqertë, aty ku filloi gjithçka,” thekson ai.

Një yll me shpirt modest

Në Basel, Shaqiri është më shumë se një futbollist. Një figurë publike që nuk kalon pa u vënë re, por që mbetet i afrueshëm me të gjithë.

Në Munsterplatz, një djalë i vogël me fanellën e Baselit i afrohet me hezitim. “A mund të bëjmë një foto?”, pyet ai. Shaqiri buzëqesh dhe përgjigjet: “Po, por shpejt, të lutem.”

Më pas ngrihet, i vë dorën në shpatull dhe bën fotografinë – një skenë e zakonshme për kapitenin 169 centimetra të gjatë, i njohur për modestinë dhe energjinë e tij të pashtershme.

“Në fakt, nuk them kurrë ‘jo’ kur dikush kërkon një foto,” rrëfen ai me të qeshur. “Vetëm ndonjëherë është e papërshtatshme – si kur je në darkë ose, më keq akoma, në tualet,” shton me humor.

Një jetë mes lavdisë dhe thjeshtësisë

Nga Liverpool te Bayern Munich, Shaqiri ka prekur majat e futbollit europian, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve – një arritje që pak futbollistë zviceranë mund ta pretendojnë.

Megjithatë, në shtëpi në Kaiseraugst, ai nuk është ylli i fushave, por “Xherdi” – djali i prindërve Fatime dhe Isen Shaqiri, me të cilët jeton në të njëjtin pallat.

“I shoh pothuajse çdo ditë,” thotë ai. “Që nga kontrata ime e parë, dëshira ime më e madhe ka qenë që ata të mos kenë më nevojë të punojnë. Çdo gjë pas asaj, ishte thjesht ëmbëlsirë.”

Në shtëpinë e prindërve, trofetë, fanellat dhe medaljet janë të ekspozuara si në një muze personal. “Sa herë që vijnë miq, nuk e besojnë sa shumë kujtime janë aty,” tregon Shaqiri me krenari.

Nga fëmijëria në varfëri te mësimet e jetës

I lindur në vitin 1991 në Kosovë, Shaqiri erdhi në Zvicër me familjen si fëmijë. U rrit në kushte modeste në një fermë të vjetër në Augst, ku mësoi vlerat që e kanë udhëhequr deri sot: respektin, mirënjohjen dhe punën e ndershme.

“Mendoj se është e rëndësishme të njohësh të dyja anët e jetës – kur ke pak dhe kur ke shumë,” thotë ai me sinqeritet.

Pas karrierës: përkushtim ndaj familjes dhe të ardhmes

Në korrik 2024, Shaqiri vendosi të tërhiqet nga ekipi kombëtar i Zvicrës, pas më shumë se një dekade në majat e futbollit ndërkombëtar.

“Nuk më mungon për momentin,” pranon ai. “Mendoj se u ndala në kohën e duhur. Kisha nevojë për më shumë qetësi, larg vëmendjes së tepruar të mediave.”

Megjithatë, ai nuk përjashton një rikthim: “Kurrë mos thuaj kurrë,” thotë duke buzëqeshur.

Sot, përveç futbollit, Shaqiri është aksionar në FC Rapperswil-Jona, po ndjek licencën e trajnerit dhe planifikon ndërtimin e shtëpisë së tij në Rheinfelden.

Në plan personal, dëshiron të krijojë një familje. “Është një qëllim i madh për mua,” pranon ai. “Por çdo gjë ka kohën e vet.”

Ndërsa trageti i Munsterit e çon drejt bregut tjetër të Rajnit, fëmijët e thërrasin emrin e tij dhe turistët i kërkojnë fotografi. Ai buzëqesh, përshëndet dhe vazhdon rrugën.

Në Basel, ai nuk është më thjesht futbollist. Ai është Xherdan Shaqiri – legjenda që kthehet në shtëpi si biri i qytetit.

10-vjeçari nga Zvicra humb jetën në një aksident në Kosovë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunën e Kamenicës, ku një 10-vjeçar shqiptar nga Zvicra ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku, raporton albinfo.ch.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës, viktima, me inicialet R.B., ndodhej në një veturë së bashku me dy kushërinj të tij, të dy të mitur. Aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosadaptimit të shpejtësisë me kushtet e rrugës, të cilat ishin të lagështa për shkak të reshjeve të shiut.

Në raportin policor thuhet se vetura ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një lis, duke rezultuar në humbjen e menjëhershme të jetës së 10-vjeçarit që ndodhej në sediljen e pasme.

Ndërkohë, shoferi 16-vjeçar dhe pasagjeri tjetër kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetë.

Autoritetet policore kanë konfirmuar se ndaj shoferit të mitur është iniciuar procedurë e veçantë, për shkak të moshës dhe faktit se ai nuk posedonte leje për vozitje.

Ngjarja ka ndodhur gjatë qëndrimit të familjes në Kosovë, të cilët kishin ardhur nga Zvicra për pushime dhe për të marrë pjesë në një dasmë familjare, festë që fatkeqësisht u kthye në mort.

Lamtumira e fundit për vogëlushin R.B. iu dha të hënën në varrezat e fshatit Novosellë të Kamenicës, mes dhimbjes së familjarëve, miqve dhe banorëve të komunitetit lokal. /Albinfo.ch

Edona Bilali nis një etapë të re akademike si lektore në Vjenë

Ish-deputetja dhe akademikja shqiptare Edona Bilali ka ndarë një lajm të veçantë për karrierën e saj profesionale. Duke filluar nga ky vit, ajo do të jetë lektore në FH-Wien në Vjenë, Austri, një prej institucioneve prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë, shkruan albinfo.at.

Bilali, e cila ka përfunduar dy doktorata, përfshirë një në Austri, thekson se ky angazhim është një vazhdim i natyrshëm i pasionit të saj shumëvjeçar për arsimin dhe inovacionin.

“Ky angazhim që do të kërkojë disa fundjava në vit për mua nuk është thjesht një etapë profesionale pas 15 vitesh mësimdhënie në Shqipëri, por një kujtesë e bukur se puna që bëhet me pasion është si drita – sado larg të jesh, ajo gjen gjithmonë mënyrën të ndriçojë,” shkruan Bilali.

Ajo kujton me krenari vlerësimin “Summa Cum Laude” që mori gjatë studimeve të doktoraturës, një nder që e lidh ngushtë me Austrinë – vendin ku tani rikthehet si pedagoge.

“Si shqiptare, jam me zemrën plot dhe ky moment është dëshmi se rrënjët tona nuk na pengojnë të fluturojmë, përkundrazi, na japin forcë të tregojmë se puna nuk njeh kufij,” shton ajo.

Në ditën e saj të parë në universitetin austriak, Bilali ligjëroi për studentët e masterit në “Inovacion Dixhital” dhe “Inovacion Teknologjik Dixhital”, duke ndarë përvoja dhe ide mbi zhvillimin e teknologjive të reja.

“Është mbresëlënëse sesi pas orësh mësimdhënie energjia është më e madhe se në nisje, falë përvojave të ndryshme por tejet impresionuese që bashkëndajmë me studentët,” theksoi ajo, duke shtuar se përvoja nga jashtë e ndihmon të kthehet në vend me motivim edhe më të madh për detyrën e saj parësore.

Në fund, Edona Bilali ndau një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke i inkurajuar të ecin me durim dhe pasion:

“Puna e bërë me zemër nuk ka nevojë për zhurmë – ajo vetë gjen rrugën për t’u dëgjuar. Prandaj durim, sepse mundi nuk shkon kurrë dëm.” /Albinfo.at.

Përdorimi i parave të gatshme në Evropë: Në cilat vende janë më të popullarizuara?

Edhe pse pagesat me kartë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Evropë, mbi gjysma e transaksioneve vazhdojnë të kryhen me para të gatshme. Megjithatë, kur merret parasysh vlera e pagesave, pjesa e tyre bie ndjeshëm.

Një anketë e Bankës Qendrore Evropiane e vitit 2024, ku morën pjesë 40,000 qytetarë, tregon se 52% e transaksioneve në zonën e euros kryhen me para të gatshme, por vetëm 39% e vlerës totale të pagesave bëhen në këtë mënyrë.

Në 14 nga 20 vendet e eurozonës, paratë e gatshme janë metoda kryesore e pagesës, me përdorim mes 45% dhe 55%. Sipas të dhënave, përdorimi varion nga 22% në Holandë deri në 67% në Maltë. Evropa Jugore dhe Lindore kanë nivelet më të larta të përdorimit: Italia (61%), Spanja (57%), Sllovenia (64%).

Në pjesën veriore dhe perëndimore të kontinentit, vendet janë më të orientuara drejt pagesave dixhitale: Holanda (22%), Finlanda (27%), Luksemburgu (37%), Belgjika (39%) dhe Franca (43%). Nga katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Franca ka përdorim më të ulët se mesatarja e eurozonës, ndërsa Gjermania është pak mbi të (53%).

Në Holandë, konsumatorët preferojnë pagesat pa kontakt përmes kartës ose telefonit, ndërsa tregtarët ofrojnë mundësi të kombinuara për shkak të tarifave më të ulëta dhe nxitjeve për pagesat dixhitale.

Paratë e gatshme sipas vlerës

Në nivel vlerësor, 39% e transaksioneve në eurozonë kryhen me para të gatshme, por kjo ndryshon shumë nga vendi në vend: nga 17% në Holandë deri në 59% në Lituani. Vendet me më shumë se 50% të shpenzimeve totale në para të gatshme janë: Lituania (59%), Sllovakia (56%), Sllovenia (56%), Austria (56%), Malta (54%) dhe Kroacia (51%). Në mesatare gjenden Italia (49%), Portugalia (47%), Spanja (45%) dhe Greqia (42%). Vetëm gjashtë vende kanë përdorim 35% ose më pak: Holanda, Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Franca dhe Belgjika.

Përdorimi sipas shumës së pagesës

Paratë e gatshme përdoren më shumë për shuma të vogla, ndërsa kartat dominojnë për pagesa mbi 50 euro. Në Austri ato mbeten të zakonshme, ndërsa Gjermania po kalon gradualisht në pagesa dixhitale.

Arsyet pse njerëzit përdorin para të gatshme

Sipas anketës:

41% e përdorin për privatësi dhe anonimitet;

35% për të menaxhuar më mirë shpenzimet;

30% sepse transaksionet kryhen menjëherë.

Për 28%, paraja e gatshme pranohet gjerësisht, ndërsa rreth 20% e konsiderojnë më të lehtë ose më të shpejtë. Vetëm 18% e shohin si më të sigurt.

Dallimet midis brezave

Të rinjtë nën 40 vjeç përdorin para të gatshme për më pak se gjysmën e transaksioneve, ndërsa personat mbi 65 vjeç bëjnë 57% të pagesave me para në dorë.

Zbulohen detaje të reja të vrasjes së gjyqtarit në Shqipëri

Janë bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi këtë të hënë, ku brenda gjykatës u vra gjyqtari Astrit Kalaja, nga autori Elvis Shkambi.

Sipas raportimeve të Euronews Albania, Shkambi ka tentuar gjithashtu të qëllojë sekretaren, por nuk ia doli pasi arma e tij ishte bosh.

“Autori tentoi të vriste sekretaren, por plumbat nuk e kapën. Më pas nuk kishte më fishekë dhe u largua. E habitshme ishte qetësia e tij gjatë gjithë ngjarjes. Komisariati nr. 1 ndodhet shumë pranë gjykatës dhe ai e ftoi policinë, duke deklaruar se ishte vetë autori. Ishte një vetëdorëzim i organizuar mirë. Gjyqtari u qëllua tre herë në gjoks,” tha një gazetare e Euronews.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për rrethanat dhe motivet pas sulmit.

 

Çmimet e naftës rriten pas vendimit të OPEC+ për prodhimin

Çmimet e naftës u rritën sot rreth 1%, pasi rritja e planifikuar e prodhimit nga OPEC+ për nëntor ishte më e vogël se sa pritej. Kjo ul shqetësimet për furnizim të tepërt, sipas “Reuters”.

Megjithatë, pritshmëritë e dobëta për kërkesën pritet të kufizojnë fitimet afatshkurtra.

Nafta “Brent” u rrit me 94 cent (1,46%) në 65,47 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate (WTI)” u rrit me 81 cent (1,33%) në 61,69 dollarë për fuçi.

Andrew Lipow, president i “Lipow Oil Associates”, tha: “Tregu ndien se sasia reale e naftës që do të hyjë në treg është më e vogël se ajo që u njoftua, pasi disa anëtarë të OPEC+ po prodhojnë tashmë në kapacitet të plotë.”

OPEC, së bashku me Rusinë dhe disa prodhues të tjerë, njoftuan të dielën se do të rrisin prodhimin nga nëntori me 137,000 fuçi në ditë, duke e mbajtur të njëjtin nivel si tetori, për shkak të shqetësimeve për një tepricë të mundshme furnizimi.

Burimet treguan se, edhe pse Rusia mbështeti një rritje prej 137,000 fuçi në ditë për të shmangur presionin mbi çmimet, Arabia Saudite do të preferonte një rritje dyfish, trefish ose katërfish për të rimarrë pjesën e saj të tregut më shpejt.

Shtesa e kufizuar e prodhimit ndodh në kohën kur:

Eksportet venezuelane po rriten,

Rrjedhat e naftës kurde përmes Turqisë janë rifilluar,

Ka fuçi të pashitura nga Lindja e Mesme për ngarkesat e nëntorit, tha analisti Tamas Varga nga “PVM Oil Associates”.

Arabia Saudite e la të pandryshuar çmimin zyrtar për naftën “Arab Light” që shet në Azi. Rafineritë aziatike kishin pritur një rritje të lehtë të çmimeve, por kjo nuk ndodhi pasi çmimet e naftës së Lindjes së Mesme ranë në nivelin më të ulët në 22 muaj.

Në afat të shkurtër, disa analistë presin që sezoni i mirëmbajtjes së rafinerive në Lindjen e Mesme të ndihmojë në kufizimin e çmimeve.

Ndërkohë, rafineria Kirishi në Rusi, një nga më të mëdhatë, ndaloi njësinë më prodhuese pas një sulmi me dron dhe zjarri më 4 tetor. Rikuperimi pritet të zgjasë rreth një muaj, sipas burimeve industriale.

Pritshmëritë për kërkesë të dobët në tremujorin e katërt kufizojnë gjithashtu rritjen e tregut. Javën e kaluar, Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) raportoi se rezervat e naftës, benzinës dhe distilateve në SHBA u rritën më shumë se sa pritej, për shkak të aktivitetit të dobët të rafinerive dhe kërkesës së ulët.

Chris Beauchamp, analist kryesor i tregut në “IG Group”, tha: “Nëse prodhimi rritet në mënyrë të qëndrueshme, rënia e çmimeve mund të ndalet. Tani gjithçka varet nga zhvillimi i ekonomisë amerikane në pjesën tjetër të 2025 dhe 2026, që do të ndihmonte kërkesën.”

 

Shqipëria merr pjesë në kampionatin botëror të degustimit të verërave në Francë

Për të tretin vit radhazi, Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Degustimit të Verërave, që u zhvillua më 3 dhe 4 tetor në kështjellën historike “Fort des Rousses”, në rajonin francez të Jurës, i njohur për traditën e tij të hershme të verës.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e verës shqiptare, turizmit dhe kulturës sonë mikpritëse në arenën ndërkombëtare.

“Nën drejtimin e somelierit franko-shqiptar, Serxhio Prelashi, ekipi ‘Team Albania’ përfaqësoi me dinjitet trashëgiminë e verës shqiptare dhe potencialin turistik të vendit. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, u sollën në vëmendje kantinat dhe destinacionet më të njohura të verës në Shqipëri,” deklaroi ministri Gonxhja.

Gjatë eventit, u prezantuan verëra autentike shqiptare që kanë fituar emër në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Produktet u vlerësuan si shembuj të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit të verës, një sektor që po njeh rritje të vazhdueshme dhe tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Në fjalën e tij, ministri Gonxhja theksoi se turizmi i verës mbetet një ndër prioritetet strategjike të qeverisë për të zgjeruar ofertën turistike dhe për të zgjatur sezonin, në përputhje me vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të produkteve vendase me vlerë të shtuar.

 

Gjenevë: Protestë pro-Palestine dhe përleshje me policinë

Rreth 1,200 persona, sipas policisë, morën pjesë në një demonstratë të autorizuar pro-Palestine, nga Bel-Air deri te La Treille. Marshimi më pas vazhdoi pa autorizim drejt stacionit të trenit.

Pas mbërritjes te La Treille, demonstrata vazhdoi pa autorizim drejt Place Neuve dhe më pas Place du Cirque, ku u mbajt një protestë ulëse. Pasi ecur drejt stacionit të trenit Cornavin, policia bllokoi hyrjen në Rue Basses dhe Rue du Rhône, transmeton albinfo.ch.

Demonstrata u zhvillua në përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Tension në stacion

Disa dhjetëra persona përpoqën të hynin në stacion, sipas një gazetari të RTS të pranishëm në vendngjarje. Policia përdori bomba tymuese, ndërsa protestuesit ndezën fishekzjarre.

Javën e kaluar, mbi 3,000 persona u mblodhën pranë stacionit të trenit në Gjenevë për të shprehur solidaritetin me Palestinën dhe flotiljen e Gazës, e ndaluar nga Izraeli. Ndodhën përleshje midis protestuesve, disa prej të cilëve bllokuan shinat e SBB-së, dhe policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa drite.

Juso propozon tatimin mbi trashëgiminë, kundërshtarët paralajmërojnë rreziqet

Iniciativa e Juso për një tatim mbi trashëgiminë mbi 50 milion franga nxiti reagime të forta. Një komitet “jo” paralajmëron se tatimi mund të largojë tatimpagues të pasur dhe të rrezikojë bizneset familjare.

Sipas Thierry Burkart (FDP), iniciativa është një “eksproprim i fshehtë” që mund të detyrojë kompanitë të shesin asetet, madje edhe jashtë vendit. Sidney Kamerzin (Centër/VS) paralajmëron se kjo mund të shkaktojë humbje vendesh pune dhe të dobësojë sipërmarrjen.

Aleanca “Jo” vlerëson se humbjet tatimore mund të arrijnë deri në 3.7 miliardë franga në vit, duke shtuar rrezikun që pasanikët të largohen jashtë vendit.

Juso propozon tatimin 50% mbi çdo trashëgimi mbi 50 milion franga dhe përdorimin e fondeve për klimën. Kritikat vijnë nga përfaqësues të GLP dhe SVP, të cilët thonë se tatimi nuk do të ulë emetimet dhe mund të pengojë investimet dhe teknologjitë e reja, transmeton albinfo.ch.

Sistemi tatimor zviceran është tashmë progresiv, dhe pasiguria mbi zbatimin e iniciativës ka krijuar shqetësim mes bizneseve dhe investitorëve.

Qeveria e Kosovës vazhdon subvencionimin e faturave të energjisë për dimër 2025-2026

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se edhe këtë vit do të ofrojë subvencione për faturat e energjisë elektrike për familjet më të cenueshme. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur gjatë një konference për media pas mbledhjes së kabinetit qeveritar se programi do të nisë në tetor dhe do të zgjasë deri në mars 2026.

“Programi është i fokusuar në muajt dimëror, kur shpenzimet për energji rriten, dhe synon të lehtësojë familjet përballë kostove të larta,” tha Murati. Ai kujtoi se vitin e kaluar programi ka përfshirë mbi 80 mijë familje dhe këtë vit do të vazhdojë me të njëjtin model, transmeton albinfo.ch.

Subvencionimi i faturave për stinën e dimrit ka për qëllim të sigurojë mbulueshmëri financiare për qytetarët dhe të zvogëlojë barrën ekonomike gjatë muajve më të ftohtë.