Zhvillimi ekonomik në Kosovë po ngadalësohet, sipas Bankës Botërore

Banka Botërore ka bërë të ditur që zhvillimi ekonomik në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor sivjet ka pasur ngadalësim dhe se ritmi parashikohet të vazhdojë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të vjeshtës 2025, nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind.

Në këtë matje për sivjet rënien më të madhe do ta ketë Serbia nga 3.9 për qind në 2.8.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë zhvillim më pozitiv në krahasim me 2024-n.

Ndërsa në nivel të përgjithshëm, Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike në shkallë prej 3.0 për qind sivjet, në krahasim me 3.6 sa ishte një vit më herët.

Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027 tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.

Në raport për inflacionin në Kosovë është përmendur edhe vendosja e tarifave energjetike.

Këto qafa malore tani janë të mbyllura për trafikun për shkak të reshjeve të borës.

Me pushimet shkollore të tetorit që tashmë kanë nisur në disa kantone dhe pritet të fillojnë së shpejti në të tjera, udhëtimet përmes kalimeve alpine në Zvicër mund të jenë të kufizuara për shumë udhëtarë, përcjell albinfo.ch.

Katër kalime malore janë tashmë të mbyllura për dimër për shkak të reshjeve të borës:

Kalimi Furka (2,429 metra)

Kalimi Grimsel (2,164 metra)

Kalimi Nufenen (2,478 metra)

Kalimi Susten (2,234 metra)

Megjithëse Kalimi Ächerli (1,457 metra) dhe Kalimi Pragel (1,558 metra) mbeten të hapura, në varësi të kushteve atmosferike mund të jenë të nevojshme devijime.

Ndërkohë, Kalimi Gotthard vazhdon të qëndrojë i hapur për qarkullim.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të kontrollojnë gjendjen e rrugëve para se të udhëtojnë dhe të jenë të përgatitur për ndryshime të papritura të motit në zonat malore.

Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë më rëndë se Rusia në Evropë

Në një deklaratë të fundit, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë janë më të rënda sesa të Rusisë në Evropë, përcjell albinfo.ch.

Kështu u shpreh ai në mbledhjen e së martës të kabinetit qeveritar, derisa foli për ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. 

“Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte evidentuar ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Me gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë”, ka thënë ai. 

Kurti ka bërë thirrje për Bashkimin Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për veprimet që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Brukselit.

Ai ka shtuar se premtimet për vende pune që u bënë së fundmi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi dhe deklarimet se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. 

Orari i ri në shkollat e mesme të Cyrihut: Mësimet nuk fillojnë para orës 08:00

Këshilli Komunal i Cyrihut ka miratuar një nismë parlamentare që ndalon fillimin e mësimeve në shkollat e mesme para orës 08:00 të mëngjesit, duke i dhënë fund praktikës aktuale ku disa shkolla fillonin që në orën 07:30, transmeton albinfo.ch.

Vendimi bazohet në studime të ndryshme që tregojnë se nxënësit e shkollave të mesme mësojnë më pak në orët e para të mëngjesit. Sipas hulumtimeve, efikasiteti i të nxënit rritet kur nxënësit fillojnë mësimet pak më vonë.

Megjithatë, nxënësit nuk do të mund të flenë më gjatë menjëherë: shkollat kanë deri në katër vjet kohë për të zbatuar këtë ndryshim në orar. Shtyrja e fillimit të mësimeve me 30 minuta kërkon përshtatje të shumta organizative, përfshirë ndryshime në transportin publik, oraret e mësuesve dhe aktivitetet jashtëshkollore.

Ky ndryshim synon të përmirësojë përqendrimin dhe mirëqenien e të rinjve gjatë ditës shkollore.

Presidentja Osmani: Kosova e Belgjika do të avancojnë bashkëpunimin në drejtësi e siguri

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, përcjell albinfo.ch.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Sipas një njoftimi të zyrës për media të Osmanit, ajo shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.

Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-së duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media të Presidencës, në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.

Poashtu bëhet e ditur se në takim, “Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas presidentes, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.

Në prag të zgjedhjeve, Qeveria ndan 26 milionë euro për studentët

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 26 milionë euro për studentët. Ajo ka miratuar ndarjen e  nga 100 eurove për të gjithë studentët, gjithashtu edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

Ky vendim është marrë kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.

Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.

Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.

Ndërkohë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për këtë masë janë ndarë 26 milionë euro.

“Nga 100 euro mbështetje e njëhershme me rastin e fillimit të vitit akademik. Lansimi i programit Bursa e Mobilitetit për Studentët”, ka shkruar ai në Facebook.

Është miratuar shpronësimi i pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik “Ndërtimi  i Urës mbi Lumin Ibër” që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Qeveria ka ndarë një milion euro për  zbatimin e masës 3.4 të pakos së ringjalljes ekonomike – kuponë ushqimi për familjet në nevojë.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se synimi është që të arrijnë edhe te këto familje “ngjashëm siç kemi bërë në ditët e kaluara.. e sidomos tash që është stina e dimrit e mund të ketë nevojë”.

Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se programi siguron që konsumatorët e cenueshëm të kenë qasje barabartë.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuan Murati ka thënë se me kthimin e stinës së dimrit rikthehet edhe masa e mbështetjes.

“Është programi që subvencionon faturën të gjitha ato familje që të ardhurat mesatare për anëtar të familjes i ka 150 euro në muaj. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 80 mijë familje përfituese. Të njëjtat nuk kanë nevojë të aplikojnë”, ka thënë ai.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për ndarjen e buxhetit shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve ushqimore.

Kurti ka thënë se 2 milionë e 500 mijë euro është buxheti shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore.

“Është tejet e nevojshme që të përmbyllet ky proces për këtë vit akademik. Si qeveri jemi munduar që në vazhdimësi të arrijmë te secila familje. Megjithatë mekanizmat shtetëror janë të kufizuar se sa familje mund t’i prekim. Kësisoj kemi bërë edhe ndarjen e shumës prej 1 milionë eurove. Edhe këtë vit do të vazhdoj programi i njëjtën programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Kësisoj nga tetori deri në mars. Edhe kjo masë është tejet e nevojshme dhe mbështet një numër të madh të familjeve në mënyrë që sadopak të lehtësohet barra., ka thënë Murati.

Kryeministri prorus ndihmon Ukrainën

Ukraina do të marrë disa pajisje deminuese dhe pajisje shtesë joushtarake nga Sllovakia, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Denys Shmyhal, përcjell albinfo.ch.

Është hera e parë që Kievi do të marrë pako ndihmëse të tillë nga Sllovakia, qëkur Robert Fico, i njohur për lidhjet me Moskën, erdhi në pushtet si kryeministër më 2023. Pakoja përfshin pajisje inxhinerike dhe ndërtimi, automjete transporti dhe mjekësore dhe sisteme çminimi, sipas “Kyiv Independent”.

Ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak, njoftoi për pakon në forumin DFNC3 në Kiev, ku ai dhe Shmyhali nënshkruan memorandumin për pakon e 14-të ndihmëse nga Sllovakia për Ukrainën. Shmyhali falënderoi Sllovakinë për ringjalljen e bashkëpunimit dhe shtoi se po punohet për pakon e 15-të ndihmëse.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022 e deri në rikthimin e Ficos në pushtet, Sllovakia pati çuar 13 pako ndihmëse në Kiev, në vlerë 800 milionë dollarëshe. Pas kësaj, Qeveria e Ficos anuloi pakon e 14-të në vlerë 45 milionëshe. Në të përfshiheni 140 raketa për sistemet Kub, 5000 predha e katër milionë plumba.

Edhe pse e pati ndaluar dhurimin e pajisjeve ushtarake, Fico nuk e pati ndalur shitjen komerciale të pajisjeve nga kompanitë sllovake drejt Ukrainës. Ai në fushatë pati premtuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Kievin, duke vënë në pikëpyetje edhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe duke njoftuar se do të bllokonte anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Për shkak të politikave që nuk kundërshtonin Vladimir Putinin dhe Rusinë, Sllovakia e Ficos dhe Hungaria e Viktor Orbanit po përballen me kritika të shtuara te partnerët evropianë.

Flamingot dhurojnë spektakël në liqenin e Pogradecit

Flamingot janë rikthyer në liqenin e Pogradecit, duke krijuar pamje mbresëlënëse në këtë pjesë të Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Viteve të fundit fllamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin në liqenin e Pogradecit.

Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur.

Në Shqipëri habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavasta.

Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror.

Kurti mbledh qeverinë në detyrë

Qeveria e Kosovës në detyrë do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, përcjell albinfo.ch.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Mbledhja nis në ora 12:00, derisa nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës.

Kosova tash e tetë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, nuk ka Kuvend të konstituuar e rrjedhimisht as qeveri të re.

Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara, arrestohen dy persona

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në orët e mbrëmjes të së hënës janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i Parasë”, përcjell albinfo.ch.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas hetimeve disa mujore, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë zhvilluar një operacion policor në Prishtinë.

“Në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, është ndaluar një veturë në të cilën gjendeshin dy personat e dyshuar, S.T dhe A.Th. Pas kontrollit të ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar para të falsifikuara në valutën euro, në shumën totale prej 40,000.00 (katër dhjetë mijë), të cilat gjatë testimit fillestar kanë rezultuar se janë të falsifikuara”, thuhet në njoftim

Hetuesit kanë kryer kontrolle edhe në dy lokacione: në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të personave të dyshuar.

Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Osmani pret në takim dy ministret e qeverisë belge

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe Ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt, përcjell albinfo.ch.

Takimi është zhvilluar në objektin e Presidencës, kurse mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

Osmani mbrëmë ka pritur në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren Shtetërore për Çështjet Evropiane, të Drejtën Ndërkombëtare, Mbrojtjen e Interesave dhe Diplomacinë Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Neva Grashiq.

“Tri Net Film Fest” kthehet për herë të katërt në Freienstein

Pasionantët e filmit të shkurtër do të kenë një mundësi të veçantë për të përjetuar artin e kinemasë, pasi “Tri Net Film Fest” po kthehet për herë të katërt, kësaj radhe në Freienstein, transmeton albinfo.ch.

Ky festival i njohur nën moton “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë”, do të zhvillohet më 4, 5 dhe 6 dhjetor 2025 në sallën e Neues Kino, në adresën Striekgasse 1, 8427 Freienstein.

Festivali ofron një mundësi unike për të njohur krijime të reja të regjisores dhe regjisorëve të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe më gjerë, duke prezantuar një gamë të gjerë zhanresh, nga dramat intensive te komeditë që ngrohin zemrën. Organizatorët premtojnë një atmosferë magjike, ku çdo shikues do të mund të zhytet në botën e filmit të shkurtër dhe të largohet me përjetime që mbeten gjatë në kujtesë.

Pjesëmarrësit e interesuar mund të rezervojnë datat dhe të sigurojnë vendet e tyre përmes faqes zyrtare të festivalit, duke mos humbur kështu mundësinë për të qenë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të filmit të shkurtër në rajon./Albinfo.ch

Kinematë suedeze mirëpresin edicionin e gjashtë të Ditëve të Filmit Shqiptar

Kinemat suedeze do të mirëpresin këtë tetor edicioni e gjashtë të “Ditëve të Filmit Shqiptar”, një ngjarje që bashkon krijuesit dhe adhuruesit e filmit nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare në Suedi, shkruan albinfo.ch.

Festivali synon të krijojë një urat kulturore mes botës së filmit shqiptar dhe publikut ndërkombëtar, duke ofruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe njohjeje me kinemanë shqiptare në zhvillim e sipër.

Publiku do të ketë rastin të shijojë filma të përzgjedhur me kujdes, që përfshijnë një gama të gjerë zhanresh  nga dramat e thella që trajtojnë realitete njerëzore, te komeditë që ngrohin zemrën dhe aventurat që mbushin ekranin me emocion.

Nëpërmjet tregimeve dhe personazheve të tyre, filmat do të shërbejnë si një dritare e gjallë e kulturës, historisë dhe artit shqiptar, duke e kthyer kinemanë në një portal të pasurisë kulturore dhe larmisë artistike.

Programi i Festivalit

E shtunë, 18 tetor

 15:30 – Të gjithë thërrasin Redjo

 18:00 – Lejleku

E diel, 19 tetor

 16:15 – Luna Park

 18:15 – Koshere / Në tokën e pushimit të qymyrit

“Ditët e Filmit Shqiptar” sjellin një përvojë që tejkalon ekranin  një takim mes kulturave, historive dhe emocioneve që lidhin krijuesit dhe publikun në një përbashkim artistik të veçantë.

Tetë kompani nga Kosova promovojnë produktet në panairin “Anuga 2025” në Këln të Gjermanisë

Me mbështetjen e MINT/KIESA, tetë kompani nga Kosova nga data 4 tetor po marrin pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë ushqimore dhe të pijeve “Anuga 2025”, që po mbahet në Këln të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Kompanitë pjesëmarrëse kosovare janë: “Vitafood” SH.P.K., “Camel” SH.P.K., “Agro Florentina” SH.P.K., “BBF Company” SH.P.K., “Frutti” SH.P.K., “Extra Fruit Fillings” SH.P.K., “Royal Beverage” L.L.C. dhe “Ananas Impex” SH.P.K.

Gjatë ditëve të panairit, kompanitë kosovare po prezantojnë produktet e tyre dhe po zhvillojnë takime me kompani të ndryshme ndërkombëtare, me qëllim krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe gjetjen e tregjeve të reja për eksport.

Në stendën e Kosovës po ekspozohen produkte të ndryshme nga sektori i ushqimit dhe pijeve, përfshirë: lëngje frutash, pije freskuese dhe të gazuara, pije energjike, produkte konditorie (keksa, smoki, biskota, flips, wafers), erëza, supa, salca, krem pistachio, karamel për trileqe, fruit fillings, fruta të thata, protein bars, bimë mjekësore-aromatike, kërpudha të thata, si dhe produkte organike dhe EKO.

Panairi “Anuga 2025” shtrihet në një sipërfaqe prej 284,000 m² dhe vizitohet nga mbi 140,000 vizitorë profesionalë nga 200 shtete, të cilët njihen me produktet më të fundit nga 7,900 ekspozues nga mbi 118 vende të botës. Kosova këtë vit prezantohet krahas shteteve si SHBA, Britania e Madhe, Italia, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika e shumë të tjera.

MINT/KIESA ka siguruar për kompanitë nga Kosova një hapësirë ekspozuese prej 84 m², e vendosur në korridorin kryesor, salla 2.1, stenda nr. D008g.

Panairi do të jetë i hapur deri më 8 tetor 2025.

Zëri i Anila Aliut jehon në Gotham Hall, performancë në Gala-në e AARC 2025

Një tjetër emër i artit shqiptar po shkëlqen në arenën ndërkombëtare. Anila Aliu, këngëtare me zë të veçantë dhe prezencë skenike mbresëlënëse, ka përfaqësuar me dinjitet dhe klas ShqipërinëGala-në e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), mbajtur në Nju-Jork, shkruan albinfo.ch.

Gjatë mbrëmjes gala të vitit 2025, e cila u zhvillua në ambientet prestigjioze të Gotham Hall, Anila Aliu emocionoi të pranishmit me interpretimin e himnit shqiptar dhe atij amerikan, në një performancë që simbolizoi miqësinë dhe bashkimin e kulturave.

Në këtë aktivitet morën pjesë presidentë, ambasadorë, përfaqësues diplomatikë, si dhe kryetari i Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, bashkë me personalitete të njohura të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Pata nderin të performoja në Gala Mbrëmjen AARC në Gotham Hall, New York — një ngjarje që mblodhi presidentë, ambasadorë, kryetarin e Bashkisë së New York-ut Eric Adams, dhe shqiptarë e liderë që kanë arritur majat në Shtetet e Bashkuara. Hapja e mbrëmjes me himnin kombëtar të SHBA, e më pas interpretimi i veprave shqiptare dhe ndërkombëtare, ishte një përgjegjësi dhe nder i jashtëzakonshëm për mua si soliste. Thellësisht mirënjohëse për këtë mundësi dhe gati për performancën e radhës në Nju Jork, më pas vijon koncerti me orkestër në Çikago,” është shprehur Anila Aliu.

Sipas Ambasadës Shqiptare në SHBA, Anila Aliu është “një talent që bashkon kulturat përmes muzikës”, duke dëshmuar se arti shqiptar vazhdon të zërë vend të denjë në skenat më të mëdha botërore. /Albinfo.ch

Rona Jaiji, e reja që e kthen dijen në pasaportë suksesi përtej Zvicrës

Një lajm i veçantë vjen nga kantoni i Glarusit në Zvicër. Rona Jaiji, me prejardhje nga Bujanoci, është përzgjedhur në Grupin e Talenteve të Informatikës të Zvicrës, për një projekt në San Francisko në bashkëpunim me Universitetin e Harvardit, shkruan albinfo.ch.

Ky përzgjedhim përbën një arritje të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për një program prestigjioz që mbledh nxënësit më të talentuar nga e gjithë Zvicra, të njohur për kreativitet, mendim inovativ dhe pasion për teknologjinë.

Suksesi i Ronës e çon atë përtej kufijve të Zvicrës dhe dëshmon se puna dhe përkushtimi ndaj dijes mund të shpërblehen me mundësi të mëdha ndërkombëtare.

Në këtë rrugëtim, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe mbështetja e sponsorëve, të cilët besuan në talentin e saj: Gibgl Matura Ziegelbrücke GL, Kunststoff Schwanden, dhe Spitex Vitalum, nën kujdesin e Lumnije Jaiji.

Rona Jaiji përfaqëson një shembull të qartë të potencialit që mbartin të rinjtë shqiptarë në diasporë dhe rëndësinë e mbështetjes që i ndihmon të zhvillohen në fushat e tyre të pasionit./Albinfo.ch

NASA planifikon të ndërtojë një vendbanim të përhershëm për njerëz

NASA ka bërë publike planet për një ndërmarrje të jashtëzakonshme në hapësirë: krijimin e një “fshati” të qëndrueshëm në Hënë, që shkon përtej koncepteve të zakonshme të stacioneve hapësinore – një vend ku njerëzit do të mund të jetojnë dhe punojnë për periudha të gjata kohe, raportoi thesun.co.uk.

Ky projekt është pjesë e programit “Artemis”, iniciativë që synon rikthimin e astronautëve në Hënë, për herë të parë që nga epoka e misioneve Apollo (1969–1972).

Gjatë Kongresit Ndërkombëtar të Aeronautikës në Sydney, administratori i NASA-s, Sean Duffy, deklaroi se objektivi afatgjatë është vendosja e një “komuniteti hënor” që do të lejojë jetesë të qëndrueshme mbi sipërfaqen e satelitit tonë natyror.

Programi nisi me sukses në vitin 2022 përmes misionit Artemis I, një fluturim pa ekuipazh drejt Hënës. Artemis II, që pritet të realizohet në vitin 2026, do të testojë me ekuipazh anijen “Orion” dhe raketën SLS. Kjo do të përgatitë terrenin për Artemis III, misioni i parë pas më shumë se 50 vjetësh që do të ulë astronautë në Hënë.

Në këtë mision, dy astronautë do të përdorin sistemin e uljes “Starship” të zhvilluar nga SpaceX, për të zbritur dhe qëndruar rreth gjashtë ditë e gjysmë në sipërfaqe, duke kryer eksperimente shkencore.

Misionet Artemis IV (2028) dhe Artemis V (2030) do të thellojnë prezencën njerëzore në Hënë përmes ndërtimit të strukturave të përhershme për banim dhe punë shkencore.

Plani për fshatin hënor përfshin ndërtimin e serave për prodhimin e ushqimit, njësi banimi me teknologji të avancuar dhe burime energjie të rinovueshme si panelet diellore. Disa struktura pritet të ndërtohen me teknologji 3D duke përdorur material nga vetë sipërfaqja e Hënës, për të ulur varësinë nga furnizimet nga Toka.

Sipas Duffy, ky projekt është edhe pjesë e një gare të re hapësinore, veçanërisht me Kinën, e cila ka ambicie të ngjashme për Hënën.

“Këtë herë nuk do të jetë vetëm një vizitë. Kur të vendosim flamurin tonë, do të qëndrojmë aty”, theksoi ai, duke nënvizuar synimin e SHBA-së për dominim të qëndrueshëm në hapësirë.

Eksperienca që do të fitohet nga ky vendbanim në Hënë pritet të shërbejë si bazë për misione më të avancuara drejt Marsit, duke e kthyer Hënën në një portë të re për eksplorimin e thellë të hapësirës.

Ky projekt përfaqëson një kapitull të ri në historinë e eksplorimit njerëzor përtej Tokës, duke vendosur themelet për praninë afatgjatë të njeriut në hapësirë.

 

Specat nga Maqedonia tërhiqen nga tregu në Kroaci për shkak të pesticideve të rrezikshme

Nivele të larta të pesticidit metomil, i cili është i dëmshëm për njerëzit, janë gjetur në specat e kuq të prodhuar në Maqedoninë e Veriut, njoftoi Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF), raportuan mediat rajonale.

Sipas njoftimit zyrtar të kësaj organizate, në specat e importuar në Kroaci nga Maqedonia, pas kontrollit të tregut, është konstatuar përqindje prej 0.049 mg metomil për kilogram.

Përqindja e lejuar e metomilit është 0.01 mg/kg, dhe meqenëse niveli i gjetur ishte pesë herë më i lartë, u urdhërua tërheqja e produkteve nga tregu i Bashkimit Evropian.

Inspektimi i tregut u krye më 23 shtator, ndërsa njoftimi zyrtar u publikua më 3 tetor.

Metomili është një insekticid karbamati i prezantuar në vitin 1966 dhe është i njohur për toksicitet të lartë ndaj njerëzve dhe kafshëve.

Ari shënon nivel tjetër rekord në tregjet botërore, mbi 3,940 dollarë për ons

Çmimi i arit ka arritur nivele historike në tregjet globale, duke kapërcyer shifrën prej 3,940 dollarësh për ons, mes frikës për mbylljen e qeverisë amerikane dhe pritshmërive për ulje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA.

Rreth mesditës së sotme, një ons ari në tregun fizik kushtonte 3,943.01 dollarë, ndërsa në bursat amerikane, kontratat e së ardhmes u tregtuan me 3,966.37 dollarë për ons – një rritje prej 1.5% krahasuar me fundjavën e kaluar.

Pasiguria politike rrit kërkesën për asete të sigurta

Kriza politike në SHBA, me mbylljen e pjesshme të qeverisë që hyn në javën e dytë, ka krijuar pasiguri të thellë mes investitorëve. Debatet për financimin e kujdesit shëndetësor dhe kërcënimet për shkurtime drastike në administratë nga Presidenti Trump po e shtyjnë kapitalin drejt investimeve më të sigurta, si ari.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se, nëse bisedimet me demokratët dështojnë, administrata është gati të nisë largime masive të punonjësve federalë.

Pritet ulje tjetër e normave të interesit

Rritja e çmimit të arit, që prej fillimit të vitit është mbi 50%, lidhet gjithashtu me pritjet që Rezerva Federale do të vazhdojë me ulje të normave të interesit për të stimuluar punësimin dhe ekonominë.

Në shtator, FED uli normat me 0.25 pikë përqindjeje dhe sinjalizoi mundësinë e uljeve të tjera, nëse tregu i punës nuk përmirësohet. Sipas parashikimeve aktuale, normat mund të zbresin deri në 3.6% deri në fund të vitit, nga 3.9% që parashikohej më herët.

Analistët presin një tjetër ulje në tetor dhe ndoshta një tjetër në dhjetor, sipas mjetit të analizës FedWatch Tool.

 

Oslo: Pezullime të përkohshme të fluturimeve pas raportimeve për dronë pranë aeroportit

Aeroporti ndërkombëtar Gardermoen në Oslo ka pezulluar përkohësisht mbërritjet, pasi është raportuar prania e disa dronëve në afërsi të pistës, njofton agjencia norvegjeze e lajmeve NTB, sipas RTS.

Sipas policisë, një pilot i kompanisë ajrore Norwegian Air ka raportuar se gjatë afrimit në pistë ka vërejtur midis tre dhe pesë dronë. Si pasojë, disa fluturime hyrëse janë devijuar ose janë vonuar përkohësisht, deri në sqarimin e situatës.

A mund të më ndihmojë një agjenci rekrutimi të gjej një punë në Zvicër?

Pavarësisht nëse jeni shtetas zviceran apo shtetas i BE/EFTA-s që kërkoni punë, mund të pyesni veten nëse një agjenci punësimi mund t’i rrisë shanset tuaja për të gjetur një punë të mirë në Zvicër.

Nëse keni provuar të aplikoni drejtpërdrejt në kompani për pozicione të lira, por deri më tani nuk keni pasur sukses, mund të dëshironi të provoni rrugë të tjera – si të kaloni nëpër një nga agjencitë e rekrutimit të Zvicrës.

A do t’i rrisë kjo shanset tuaja për të gjetur punë?

Mund të jetë kështu, sepse ato kanë interesa të caktuara për t’ju siguruar pikërisht punën që dëshironi.

Por së pari… si funksionojnë këto agjenci?

Në përgjithësi, këto kompani i ndihmojnë punëdhënësit të gjejnë kandidatët më të mirë për rolet e tyre – dhe anasjelltas.

Ndërsa portalet online të punës zakonisht rendisin vende të lira pune të azhurnuara në rajone dhe sektorë të caktuar, agjencitë mund të kenë disa lista “ekskluzive” që nuk janë reklamuar diku tjetër.

Në një farë mënyre, agjencitë e rekrutimit janë si ndërmjetësues, por në vend që të kërkojnë një bashkëshort ose partner për ju, ato përpiqen të përputhin aftësitë dhe përvojën tuaj profesionale me një punëdhënës që kërkon pikërisht atë që keni për të ofruar.

Kjo nuk do të thotë që përputhja do të jetë gjithmonë e suksesshme, sepse këtu luajnë rol shumë faktorë.

Për shembull, konkurrenca – me fjalë të tjera, kandidatë të tjerë me aftësi dhe përvojë të ngjashme mund të jenë atje duke kërkuar të njëjtat lloje pune.

Ose, nëse nuk keni përgatitjen profesionale që punëdhënësit kërkojnë në çdo kohë të caktuar, atëherë edhe agjencia më e mirë e rekrutimit nuk do të jetë në gjendje t’ju përputhë me një kompani.

Megjithatë, ata mund t’ju gjejnë një punë tjetër – jo domosdoshmërisht atë që dëshironit, por një që përputhet më mirë me kualifikimet tuaja.

E gjithë kjo për të thënë se këto agjenci kanë një qasje më të personalizuar ndaj kërkimit tuaj të punës sesa portalet publike, por ato nuk mund të bëjnë mrekulli, prandaj mbajini pritjet tuaja realiste.

Rekrutues të specializuar

Një agjenci është një zgjedhje e mirë nëse jeni duke kërkuar punë në një fushë ose sektor të caktuar.

Ka një numër firmash të tilla në Zvicër, të tilla si ato që specializohen në rekrutimin e personelit menaxherial, kujdesit shëndetësor, IT, financave, arsimit dhe profesionistëve të tjerë, transmeton albinfo.ch.

Shumica e agjencive të mëdha zvicerane të punësimit kanë ndarje të specializuara në industri të ndryshme.

Këto janë disa prej tyre:

Michael Page
Adecco
Manpower
Randstadt
SwissLinx
RM Group

Mbani mend se këta, dhe rekrutues të tjerë, do të punojnë vetëm me shtetas të huaj nga BE-ja ose EFTA-ja (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), të cilët kanë të drejtë punësimi në Zvicër, shkruan thelocal. Megjithatë, nëse jeni shtetas i një vendi të tretë, por keni një leje C, ata do të kërkojnë punësim edhe për ju.

A duhet ta paguani firmën e rekrutimit për t’ju gjetur një punë?

Kjo është pjesa më e mirë.

Firmat e rekrutimit punojnë në emër të kompanive dhe shërbimet e tyre janë falas për kërkuesit e punës.

Dhe pikërisht për shkak se paguhen nga kompanitë për çdo kandidat të suksesshëm që gjejnë, ato kanë një interes të drejtpërdrejtë për të bërë verifikimin e tyre të duhur në emrin tuaj.

Si përfundim, të kërkosh ndihmë nga një agjenci punësimi për të gjetur një punë sigurisht që mund të rrisë shanset tuaja – megjithëse pa asnjë garanci.

Megjithatë, nuk duhet të hiqni dorë nga kërkimi vetë përmes portaleve publike të punësimit ose direkt në faqet e internetit të kompanive.

Në këtë mënyrë i keni të gjitha bazat të mbuluara mirë.

Merz mbështet ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat fillore në Gjermani

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi mbrëmë se mbështet ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat fillore.

Në një intervistë për kanalin publik ARD, Merz shprehu dakordësinë e tij për kufizimin e përdorimit të telefonave në ambientet shkollore.

Megjithatë, ai vuri në dukje se ndalimi i aksesit në rrjetet sociale për të rinjtë deri në moshën 16 vjeç është një sfidë më e madhe për t’u zbatuar.

Kancelari theksoi se ka shumë simpati për vendet që kanë miratuar tashmë masa të ngjashme.

“Fëmijët duhet të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të ushtrojnë matematikën, jo të përdorin telefonat celularë gjatë orëve të mësimit,” tha Merz.

Një studim i fundit i “Institutit ifo” në Gjermani tregon se 85% e të rriturve gjermanë mbështesin kufizimin e aksesit në rrjetet sociale për nxënësit mbi 16 vjeç.