Kumbulla për Bajramin: Secili bën zgjedhjet e veta, ne mendojmë për grupin

Mbrojtësi kuqezi, Marash Kumbulla tha se skuadra ka analizuar gabimet që janë bërë në ndeshjet e mëparshme. Ndër të tjera, Kumbulla tha se është gjithmonë gati nëse trajneri vendos t’i japë minuta.

Largimi i Adrian Bajramit nga Shqipëria – Ekipi është mirë. Secili bën zgjedhjet e veta. Ne mendojmë për grupin që jemi këtu dhe lojtarët që luajnë me Shqipërinë.

A janë marrë masa të përmirësojmë gabimet që kemi bërë në mbrojtje më parë? – I kemi parë videot, kemi analizuar gabimet që kemi bërë në ndeshjen me Letoninë dhe Serbinë. Do t’i përmirësojmë. Kemi pasur kohë të punojmë këto ditë në Malaga.

A e mendon ndeshjen me Gjibraltarin si një mundësi për të fituar vendin e titullarit? – Jam gjithmonë gati për Shqipërinë. Kombëtarja është e të gjithëve. Të gjithë duan të luajnë për kombëtaren. Unë jam në dispozicion të trajnerit, ekipit.

Më 9 shtator në ora 20:45, Shqipëria do të luajë në “Air Albania” ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

Aksident me teleferik në Lisbonë – 15 të vdekur

Pesëmbëdhjetë persona u vranë pas daljes nga shinat të funikularit (lloj teleferiku) historik “Elevador da Gloria” në Lisbonë.

Këtë lajm ua ka dhënë gazetarëve një zëdhënës i ekipit të shpëtimit, në kryeqytetin portugez, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i ekipit të shpëtimit nuk dha informacion mbi kombësitë e viktimave. Ai deklaroi se 18 veta janë plagosur, shkruajnë mediat botërore.

Imazhet tregojnë se makina u përplas me një mur ndërtese me ç`rast u shkatërrua plotësisht.

Funikulari “Gloria” kalon nëpër një rrugicë të ngushtë dhe të pjerrët. Ai lidh qendrën e qytetit me lagjen popullore Bairro Alto, ku ndodhen shumë restorante. Lagjja dhe funikulli janë gjithashtu atraksione të mëdha turistike.

“Elevador da Gloria” u hap në vitin 1885 dhe është një nga tre teleferikët historikë të qytetit të Lisbonës. Ai lidh sheshin qendror Praça dos Restauradores me lagjen më të lartë Bairro Alto, duke mbuluar një distancë prej afërsisht 200 metrash, transmeton albinfo.ch. Sot, teleferiku është kryesisht një atraksion turistik, por përdoret edhe nga shumë vendas për të cilët rruga është shumë e pjerrët për të ecur në këmbë.

Aksident i rëndë në autostradën A14: Një i vdekur, tetë të plagosur

Një aksident i rëndë trafiku ndodhi në autostradën A14 pranë Lucernës të mërkurën pasdite. Policia e Lucernit raporton se një person është plagosur për vdekje. Tetë persona të tjerë kanë pësuar plagë, transmeton albinfo.ch.

Një kamion po udhëtonte në autostradën A14 drejt Lucernit rreth orës 13:40 të së mërkurës. Midis hyrjes së Buchrain-it dhe tunelit Rathausen, automjeti u kthye djathtas për arsye ende të panjohura dhe goditi kangjellën mbrojtëse në anën e djathtë të rrugës.

Kamioni u detyrua më pas të dilte nga rruga dhe u përplas ballë për ballë me barrierën qendrore, duke e thyer atë dhe duke u përmbysur, shkruan 20minuten.ch. Kamioni pastaj është përplasur me disa automjete që vinin përballë. Gjithsej tri makina dhe një rimorkio janë përfshirë në aksident. Një person është plagosur për vdekje. Tetë persona të tjerë pësuan lëndime dhe u transportuan në spital nga shërbimi i ambulancës 144.

(Foto: Luzerner Polizei)

Aspektet më të mira dhe më të këqija të jetës në Zvicër për të huajt

Dhjetëra mijëra shtetas të huaj vijnë për të punuar në Zvicër çdo vit, por realiteti i të jetuarit në këtë vend të shtrenjtë dhe pamundësia e tyre për të bërë miq i dekurajon shumë prej tyre.

Ky është një nga gjetjet e Sondazhit të fundit të Expat Insider të publikuar nga InterNations, i cili e vendos Zvicrën në vendin e 29-të nga 46 vendet e përfshira, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Renditja e këtij viti u bazua në përgjigjet e 10,000 banorëve të huaj që jetojnë dhe punojnë në 46 vende. Sondazhi rendit gjithçka, nga cilësia e jetës deri te lehtësia e vendosjes dhe sa e lehtë është të bësh miq në vend. Ai gjithashtu shqyrton perspektivat e punës për banorët e huaj.

Panama (vendi i parë), Kolumbia (i dyti) dhe Meksika (i treti) morën vendet e para në renditjen e këtij viti.

Raporti vëren se “cilësia e jetës mund të jetë e lartë në Zvicër, por emigrantët vazhdojnë të përballen me strehim të papërballueshëm dhe me krijimin e miqve vendas”.

Por edhe pse Zvicra është në gjysmën e poshtme të renditjes këtë vit, ajo shënoi më mirë se në vitin 2024, kur ishte në vendin e 34-t.

Çfarë tregon anketa për Zvicrën?

Nga ana pozitive, Indeksi i Cilësisë së Jetës e rendit Zvicrën në vendin e 11-të në përgjithësi dhe të 1-rin për stabilitetin politik, mundësinë për të udhëtuar dhe mjedisin natyror.

Gjithashtu vlerësohen nga banorët e huaj cilësia e ajrit (e 4-ta), siguria personale (e 9-ta), mundësitë për sporte rekreative (e 10-ta), disponueshmëria e transportit publik (e 8-ta) dhe cilësia e kujdesit shëndetësor (e 11-ta).

Sa i përket aspekteve negative, dominojnë dy tema: vështirësia për të bërë miq vendas (gjuha është një nga arsyet e cituara – lexoni më shumë rreth saj më poshtë) dhe kostoja e lartë e jetesës.

Rezultatet për kategorinë e fundit janë, megjithatë, të përziera.

Ndërsa emigrantët u ankuan për koston e strehimit dhe sigurimit shëndetësor, shumë thanë se e vlerësojnë gjendjen e ekonomisë zvicerane (e 3-ta); pajtohen se zhvendosja në Zvicër ka përmirësuar disi perspektivat e tyre të karrierës (e 16-ta); dhe gjejnë se paguhen drejt për punën e tyre (e 18-ta).

‘Dialekt i vështirë’

Duke komentuar mbi sfidat e vendosjes së kontaktit me popullsinë vendase, një shtetase irlandeze që jetonte në Bazel zbuloi se “dialekti vendas është i vështirë për t’u kuptuar edhe me një njohuri relativisht të mirë të gjermanishtes. Mendoj se kjo e bën më të vështirë për emigrantët të përzihen me komunitetin vendas. Kjo, e kombinuar me qëndrimin e përgjithshëm ndaj të huajve në vend, mund ta bëjë të vështirë krijimin e miqësive.”

Një tjetër i anketuar, një emigrante amerikane në Cyrih, kishte një pikëpamje më pozitive për jetën në Zvicër.

“Më pëlqen natyra e Zvicrës dhe aktivitetet në natyrë, siguria, transporti publik, pastërtia, drama e ulët politike, lehtësia e udhëtimit brenda Evropës dhe fakti që nuk ka nevojë për makinë.”

Nga ana tjetër, “kostoja e jetesës është e lartë, veçanërisht ngrënia/pija jashtë dhe kujdesi shëndetësor”, tha ajo.

Dhe ka më shumë…

Pavarësisht renditjes relativisht të ulët të përgjithshme të vendit, gati një e treta (28 përqind) e pjesëmarrësve në anketë “dëshirojnë të qëndrojnë në Zvicër përgjithmonë” dhe 13 përqind nuk planifikojnë të lëvizin për një kohë të gjatë.

Shumica (40 përqind) nuk janë ende të sigurt për planet e tyre të ardhshme.

Simpoziumi Ndërkombëtar në Bazel: Kosova, pjesë e dialogut global për kujdesin shëndetësor të integruar

Kosova ishte pjesë e diskutimeve ndërkombëtare mbi sfidat e sëmundjeve kronike dhe qasjet inovative për organizimin e kujdesit shëndetësor, në kuadër të Simpoziumit “Integrated People-Centred Care” (Kujdesi i Integruar me në Fokus Personin), i mbajtur më 2 shtator në Basel të Zvicrës.

Ngjarja, e organizuar nga Instituti Zviceran për Sëmundje Tropikale dhe Shëndet Publik (Swiss TPH), mblodhi rreth 130 ekspertë nga Zvicra, Evropa dhe vende të tjera të botës: studiues, profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të administratës publike dhe sektorit privat, si dhe organizata të pacientëve. Përmes ligjëratave, sesioneve plenare dhe punëtorive interaktive, u shkëmbyen përvoja mbi modele të reja të kujdesit shëndetësor, duke vendosur pacientin në qendër të sistemit.

Sfida globale dhe qasje të reja

Sëmundjet kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet mendore, sëmundjet muskulare e skeletore apo gjendjet gjenetike janë sot shkaktari kryesor i paaftësisë dhe i vdekjeve në botë. Me rritjen e jetëgjatësisë së popullatave dhe thellimin e pabarazive shëndetësore, këto sëmundje paraqesin një barrë të madhe për shoqëritë dhe ekonomitë.

“Kujdesi i integruar me në fokus personin synon të ofrojë qasje gjithëpërfshirëse, të përshtatur sipas nevojave, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm të sistemit. Kjo është rruga për të siguruar kujdes më të drejtë dhe më efektiv për të gjithë”, tha Jana Gerold, udhëheqëse projekti në Swiss TPH dhe anëtare e komitetit organizues.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja nga iniciativa kantonale në Zvicër deri te projekte inovative në vende si Brazili, Kosova, Moldavia, Tanzania dhe Ukraina. “Një nga sfidat kryesore është mungesa e të dhënave për kujdesin e orientuar te personi. Megjithatë, ky parim është themelor për t’iu përgjigjur nevojave dhe vlerave reale të njerëzve, duke kontribuar në mbulimin shëndetësor universal,” theksoi João Breda nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Përfaqësimi i Kosovës

Kosova u prezantua përmes dy projekteve të zbatuara nga Swiss TPH në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC): projekti “Shërbimet Shëndetësore të Integruara” (IHS) dhe projekti “Kujdesi i Qasshëm dhe Cilësor Shëndetësor” (AQH).

Projekti IHS prezantoi një aplikacion digjital për vetë-menaxhimin e diabetit, që u ofron pacientëve dhe familjeve mjete praktike për monitorim shëndetësor dhe komunikim më efikas me profesionistët. Linda Baleta, eksperte e lartë për avokim dhe komunikim në projektin IHS, theksoi:
“Pacienti nuk duhet të shihet vetëm si përfitues, por si bashkëkrijues i zgjidhjeve shëndetësore. Kjo qasje e fuqizon individin dhe e bën sistemin më të përgjegjshëm. Përvojat e shkëmbyera këtu do të përkthehen në hapa konkretë në Kosovë.”

Ndërkohë, projekti AQH prezantoi rezultatet e hulumtimit KOSCO (Kosovo Non Communicable Disease Cohort), i cili monitoron që nga viti 2019 ndikimin e stilit të jetesës mbi shëndetin në 12 komuna të Kosovës. Ariana Bytyqi-Katanolli, nga ekipi i projektit AQH, u shpreh:
“Ky studim afatgjatë është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe ka rëndësi të veçantë për politikëbërjen shëndetësore. Të dhënat na ndihmojnë të kuptojmë më mirë faktorët e rrezikut dhe të zhvillojmë politika të bazuara në evidencë.”

Inovacionet digjitale dhe politika shëndetësore

Disa folës e konsideruan inovacionin digjital si një element kyç për përmirësimin e koordinimit dhe kujdesit, ndërsa të tjerë kërkuan reforma në politikat shëndetësore për të thyer izolimin institucional dhe për të vendosur udhëzime klinike më të qarta. Erika Placella, nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, theksoi:
“Në kohë me buxhete të kufizuara, duhet të riprioritetizojmë dhe të investojmë aty ku është më efektive dhe më me kosto të arsyeshme. Mbështetja e sistemeve të integruara shëndetësore dhe forcimi i kujdesit parësor është thelbësore – por duhet të adresojmë edhe determinantët më të gjerë të shëndetit, si migracioni apo ushqyerja.”

Dimensioni njerëzor dhe perspektiva e pacientëve

Në kuadër të simpoziumit u hap edhe ekspozita “Objekte të përditshmërisë: Jeta me sëmundje kronike”, ku përmes objekteve të thjeshta si stilolapsa, orë apo fotografi familjare, u sollën histori nga Kosova, Moldavia, Zvicra dhe Ukraina. Ekspozita, e kuruar nga Linda Baleta, dëshmoi dimensionin njerëzor të sfidave shëndetësore dhe ofroi një qasje artistike ndaj përvojave shpesh të padukshme.

Një nga rezultatet kryesore të simpoziumit do të jetë publikimi i një dokument udhëzues (white paper), që do të përmbledhë rekomandimet dhe përvojat e ndara. Ky dokument pritet të shërbejë si burim për politikëbërësit dhe profesionistët, duke udhëhequr zhvillimin e strategjive që vendosin pacientin në qendër të kujdesit.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë simpozium ndërkombëtar jo vetëm që forcon bashkëpunimin me Zvicrën, por gjithashtu e vendos vendin në një dialog global për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të integruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Më shumë rreth programit të simpoziumit: swisstph.ch – IPCC Symposium 2025

Për Albinfo.ch, Luljeta Ademi

 

Kufiri i shpejtësisë prej 30 km/orë: Këshilli Federal propozon rregulla të reja

Këshilli Federal po propozon rregulla të reja për një kufizim shpejtësie prej 30 km/orë në rrugët kryesore brenda qyteteve.

Një bashki ose qytet do të duhet të paraqesë një mendim eksperti që vërteton se një kufizim shpejtësie prej 30 km/orë është e vetmja mënyrë për të ulur zhurmën, transmeton albinfo.ch. Masat strukturore, veçanërisht sipërfaqet rrugore që thithin zhurmën, duhet të kenë përparësi.

Propozimi i Këshillit Federal është përgjigje ndaj një iniciative parlamentare. Klubi Turistik i Zvicrës, i cili e inicioi iniciativën, mirëpret qasjen.

Kritikohen rregullat e reja

Por, ka edhe kundërshtime. Kufiri i ri i shpejtësisë prej 30 km/orë i Këshillit Federal do të kufizonte rëndë qytetet dhe bashkitë, thotë Claudia Kratochvil-Hametner e Shoqatës Zvicerane të Bashkive, shkruan srf.ch.

Rregullativa e propozuar tani nga Këshilli Federal do të shtrëngojë ndjeshëm rregulloret dhe do ta bëjë zbatimin më të vështirë në nivel lokal, thotë ajo. “Bashkitë do ta kenë më pas shumë më të vështirë të vendosin vetë se ku të zbatojnë uljet e shpejtësisë.”

Klubi Zviceran i Transportit kritikon rregullat e propozuara, duke argumentuar se ndryshimi i urdhëresës do të favorizonte kantonet dhe komunat.

Shoqata Zvicerane e tregtisë bën thirrje për rritje të pagave deri në 2 për qind

Shoqata Zvicerane e punonjësve të tregtisë bën thirrje për rritje të përgjithshme të pagave deri në 2 për qind për vitin 2026 për punonjësit që nuk kanë marrë kompensim të plotë të kostos së jetesës në vitet e fundit. Kjo është e nevojshme për të forcuar fuqinë blerëse, shkruan shoqata e përmendur, transmeton albinfo.ch.

Shkalla e ulët e inflacionit e parashikuar për vitin 2025 është një mundësi për të “pastruar më në fund kërkesën e bllokuar të viteve të fundit”, sipas një njoftimi për shtyp të mërkurën. Që nga pandemia e koronavirusit, fuqia blerëse e punonjësve ka rënë me 2.4 për qind në përgjithësi.

Për shumë njerëz, veçanërisht ata që punojnë në sektorë me paga të ulëta, kjo përfaqëson një barrë të dukshme në jetën e përditshme, shkruan sda.ch. Lidhur me punonjësit e kompanive që kanë dhënë kompensim të kostos së jetesës në vitet e fundit, Shoqata Zvicerane e Biznesit po avokon për një rritje reale të pagave, e cila, ndër të tjera, duhet të kompensojë rritjen e primeve të sigurimit shëndetësor.

Sipas njoftimit për shtyp, kërkesat zbatohen “brenda fushëveprimit të aftësive operacionale”, përcjell albinfo.ch. Në veçanti, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), të cilat preken nga tarifat amerikane mbi importet zvicerane, kuptohet që nuk janë domosdoshmërisht në gjendje t’i kompensojnë plotësisht punonjësit e tyre për punët e prapambetura.

Organizata ombrellë e punonjësve Travailsuisse po kërkon gjithashtu një rritje mesatare të pagave prej dy për qind për vitin e ardhshëm për të gjithë punonjësit në Zvicër.

Pse shoferët nga Kosova paguajnë më shumë se zviceranët për sigurimin e veturave

Këto janë faktet: të huajt e rinj, veçanërisht shtetasit e disa vendeve, paguajnë dukshëm më shumë për sigurimin e tyre të automjeteve në Zvicër.

Shoferët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, për shembull, paguajnë deri në 74 përqind më shumë se zviceranët, sipas mjetit të krahasimit online Comparis, i cili shqyrtoi hendekun e primeve midis shoferëve zviceranë dhe atyre nga tetë popullatat më të mëdha të huaja në vend, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Kompanitë e sigurimeve e justifikojnë këtë sistem duke theksuar se bazohet në statistika: në përcaktimin e primeve, ato marrin parasysh kritere të tilla si mosha, historiku i drejtimit, lloji i makinës dhe, po, edhe kombësia.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë në probabilitetin e një aksidenti dhe të dhënat tregojnë se disa të huaj janë të përfshirë në më shumë aksidente sesa të tjerët, thonë ofruesit e sigurimeve.

Po, por a është kjo e ligjshme?

Rezulton se është.

Ndërsa duket diskriminuese, sipas një eksperti ligjor nga organizata e automobilave TCS e cituar në media, kjo praktikë është plotësisht e ligjshme.

Bashkojeni këtë me parimin e ‘lirisë ekonomike’ i cili është i sanksionuar në Kushtetutën Zvicerane dhe i cili lejon kompanitë private (por padyshim jo publike) – duke përfshirë transportuesit e sigurimeve – të përcaktojnë lirisht primet e tyre të sigurimit privat.

“Në sigurimin e makinave, përveç gjinisë, moshës dhe vendbanimit, kombësia merret gjithashtu parasysh në llogaritjen e primeve”, thekson eksperti. “Kjo lejohet nëse siguruesi mund të justifikojë objektivisht kriteret dalluese.”

Për shembull, kompania mund të citojë statistikat e aksidenteve për të shpjeguar pse shoferët e një kombësie të caktuar paguajnë prime më të larta se homologët e tyre zviceranë (ose të huaj të tjerë).

Çfarë do të thotë kjo në terma parash?

Krahasuar me një prim mesatar për një shofer zviceran (1,912 franga në vit), shoferët nga Kosova paguajnë 3,178 franga, ata nga Maqedonia e Veriut 3,169 franga dhe njerëzit nga Turqia 3,127.

Kjo është shumë më e lartë se normat e sigurimit për shoferët nga BE-ja – duke filluar nga 2,304 për portugezët në 1,910 për gjermanët.

Megjithatë, ligjshmëria e kësaj praktike nuk u jep siguruesve dritën jeshile për diskriminim të pajustifikuar, abuziv ose arbitrar bazuar në kombësinë e klientit (ose faktorë të tjerë si mosha ose gjinia, për këtë çështje).

Cilat rregulla duhet të marrin në konsideratë ofruesit e sigurimeve?

Zyra Federale e Drejtësisë ka përcaktuar rregulla për kriterin e çmimit të kombësisë, duke përfshirë këto:

Siguruesit nuk mund të përjashtojnë individët vetëm bazuar në kombësinë e tyre. Nëse ata përdorin ‘kombësinë’ si kriter vlerësimi, duhet ta zbatojnë atë për të gjithë mbajtësit e policave, dhe jo vetëm për të huajt.

Ata duhet të mbajnë statistika të qarta mbi kriteret e tyre të vlerësimit.

Faktori ‘kombësi’ duhet të përdoret vetëm bazuar në konsiderata faktike të lidhura me rrezikun.

Monitoroni dhe përshtatni rregullisht kriteret e kombësisë ndërsa dalin të dhëna të reja për rrezikun.

Erërat e ndryshimit

Siguruesit e makinave i kanë përdorur këto modele çmimesh për një kohë të gjatë, por sipas një propozimi të ri që tani është para parlamentit, primet nuk do të bazohen më në shtetësinë, moshën ose gjininë e shoferëve.

Ky ndryshim do ta sillte Zvicrën në përputhje me rregulloret që tashmë janë në fuqi në Bashkimin Evropian.

A u jepet e njëjta liri veprimi edhe siguruesve të tjerë?

Për sa kohë që janë privatë, atëherë po.

Ofruesit e sigurimeve shëndetësore falas, si dhe të politikave familjare, të përgjegjësisë dhe policave të tjera opsionale, janë të lirë të zbatojnë kriteret e kombësisë në të njëjtën bazë (të justifikuar) si siguruesit e automjeteve, megjithëse nuk ka asnjë tregues se ata e bëjnë këtë.

I vetmi përjashtim i dukshëm është sigurimi shëndetësor i detyrueshëm (KVG/LaMal) i cili, ndërsa shitet nga siguruesit privatë, rregullohet rreptësisht nga qeveria.

Faktorët e vetëm që përcaktojnë primet e KVG/LaMal janë grupmosha juaj, vendi juaj i banimit, zbritja vjetore e zgjedhur dhe modeli specifik i sigurimit shëndetësor që zgjidhni.

Hapet Libri i Ngushëllimeve për Dhimitër Anagnostin

Ambasada e Shqipërisë në Bernë, hapi sot Librin e Ngushëllimeve në nderim të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Me nderim kujtojmë figurën dhe veprën e tij, që mbetet pasuri e përjetshme e kulturës sonë kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.

Prej dekadash, krijimtaria e tij ka pasur ndikim të thellë në formësimin e identitetit artistik të vendit, duke e bërë atë një nga figurat më të respektuara në jetën kulturore shqiptare.

Disa prej filmave të tij më të njohur janë:

Gjoleka, djali i Abazit (2006) Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989) Përrallë nga e kaluara (1987) Gurët e shtëpisë sime (1985) Kujtime nga Gjirokastra (1983) Vëllezër dhe shokë (1982) Në shtëpinë tonë (1979) Monumenti (1977) Lulëkuqet mbi mure (1976) Kur hiqen maskat (1975) Cuca e maleve (1974) Përjetësi (1974) Motive nga dita e diel (1973) Malet me blerim mbuluar (1971) Parafabrikatet (1970) Plagë të vjetra (1968) Duel i heshtur (1967) Komisari i dritës (1966) Njeriu kurrë nuk vdes (1961).

FFK bën thirrje për mbështetje në ndeshjen ndaj Zvicrës

Po vazhdon shitja online e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026: Zvicër – Kosovë, që zhvillohet më 5 shtator në Bazel.

Ende ke mundësi ta sigurosh vendin tënd në stadiumin “St.Jakob Park”.

Mos e humb rastin, eja dhe mbështete Kombëtaren dardane nga afër, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton albinfo.ch.

Ndeshja Zvicër-Kosovë zhvillohet në Bazel më 5 shtator në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2025.

Biletat mund t’i blini në këtë link:

https://www.ticketmaster.ch/event/1761027560?CL_ORIGIN=ORIGIN25&language=en-us&fbclid=IwY2xjawMlS_VleHRuA2FlbQIxMABicmlkETE5ZlpRVGdPNFdxY3FEUE1sAR4OBFRaSGzTM7iBkKYYfP2zw62RM7L0fW6I32kMSU7gtCo273MDiieW65hnJw_aem_XpBVY5Z0TFmN4PsXmdoReA

Caktohen gjyqtarët e ndeshjes Zvicra-Kosova

UEFA i ka caktuar gjyqtarët që do ta drejtojnë ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës, e cila do të luhet të premten mbrëma në Bazel, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.

Szymon Marciniak do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes, ndërsa gjyqtari i njohur polak do të asistohet nga bashkëvendësit Tomasz Listkeiewicz e Adam Kupsik.

Gjyqtari i katërt do të jetë Pawel Raczkowski, kurse video-asistent do të jetë Tomasz Kwiatkoëski dhe asistent i video-asistent, Woijciech Myc, po ashtu të gjithë nga Polonia.

Marciniak ka përvojë të madhe ndërkombëtare, duke qenë gjyqtar edhe në finalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës, si dhe finalen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchester Cityt dhe Interit.

Më pak makina rreth stacionit kryesor të trenit, në Cyrih

Në të ardhmen, do të ketë dukshëm më pak makina rreth stacionit kryesor të trenit të Cyrihut, dhe zona do të bëhet gjithashtu më e gjelbër. Ky është një propozim nga qeveria e qytetit të Cyrihut, e cila ka paraqitur planet përkatëse në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch.

Për shembull, në planin e saj, qeveria propozon hapësira të gjelbra dhe më shumë hapësirë ​​për këmbësorët dhe çiklistët, shkruan srf.ch. Dhe kushdo që dëshiron të ngasë makinën nga njëra anë e Cyrihut në tjetrën nuk do të duhet më të kalojë me makinën e tij pranë stacionit kryesor të trenit.

Pse janë të nevojshme këto masa? Sipas autoriteteve, zona përreth Stacionit Kryesor të Cyrihut ka mangësi të konsiderueshme. Çiklistët dhe këmbësorët kanë pak hapësirë ​​për të arritur në mënyrë të sigurt në tren ose në lagjen fqinje. Gjithashtu, ka mungesë vendesh për të pushuar. Prandaj, zona duhet të “përshtatet” urgjentisht.

Propozimet e paraqitura të mërkurën nuk janë ende ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, ato synojnë të shërbejnë si bazë për planifikim të mëtejshëm.

Shkrimtari shqiptar nga Austria prezanton në Kosovë romanin “Shpirti i plagosur”

Ky roman është një trilog që vazhdon udhëtimin e nisur me romanin „Rrënjët e Kujtesës“ për të vazhduar pastaj me romanin: „Dëshirë e djegur“.

Safet Gërxhaliu, që ishte edhe panelist i ngjarjes, foli për biografinë e autorit, duke e vendosur në kontekst jetën brenda dhe veprimtarinë e tij në mërgim, transmeton albinfo.ch.

Ai nënvizoi se përvoja personale e Ramiz Selimit dhe përpjekjet e tij për të ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare janë elemente thelbësore që japin ngjyra dhe thellësi rrëfimit të Dardanit në roman.

“Sikur të ishim në nivelin e duhur, me këto romane duhej të merrej kinematografia, sepse skenarin e kanë të gatshëm. Ramiz Selimi ka ditur të sjellë në letër jo vetëm një histori, por edhe emocionin e përjetuar nga një brez i tërë shqiptarësh”, tha Gërxhaliu.

Për romanin folën recensentët Salih Bashota, gazetari, publicisti dhe shkrimtari, Prend Buzhala, si dhe shkrimtari dhe Vilson Culaj, të cilët ishin panelistët e ngjarjes dhe recensentë të librit.

Bashota theksoi: “Ky roman nuk është vetëm rrëfim personal, por edhe një reflektim mbi gjendjen e atëhershme në shoqërisë shqiptare dhe sfidat e saj historike. Romani “Shpirt i plagosur” e fut lexuesin menjëherë në një situatë dramatike, shpirtërore dhe psikologjike të thellë, ku protagonistët, Dardani dhe nëna e tij, Rina, janë të preokupuar me përballimin e pasojave të një viti të tmerrshëm. Ai tha se romani lexohet me një frymë.

Ndërsa Prend Buzhala shtoi: “Shpirti i plagosur na ofron një udhëtim emocional, ku dhimbja dhe shpresa ndërthuren në mënyrë të jashtëzakonshme. Rrëfimi është një përzierje e realizmit të hidhur dhe elementëve epikë, ku ngjarjet dhe veprimet zhvillohen në një kontekst të gjerë historik dhe politik. Edhe pse ngjarjet janë të shtrira dhe të lidhura me realitetin e dhunshëm dhe të pasigurt, elementi epik bëhet i dukshëm përmes qëllimeve të mëdha, ideve të larta dhe sakrificës që kërkohet për t’i arritur ato.

Vilson Culaj e përfundoi analizën duke thënë: “ Dikur Rolan Rolan thoshte :,,Romani është një ankth i përjetshëm deri në vdekje nëse nuk e ke përfunduar‘’.

Lidhur me këtë kontest që në fillim mund të themi se emri dhe përkushtimi i Ramiz Selimit në këtë zeje letrare është i madh dhe me sfida, por edhe i suksesshëm. Emri i tij në letërsinë shqiptare po zë vend krejt natyrshëm, triumfalisht dhe pa imponime e ekspozime patetike. Përmasa e rrëfimit në këtë roman ka tri dimensione personale, familjare dhe nacionale. Ky roman është çlirimi nga vuajtja e individit i cili është peng i robërisë nacionale, varfërisë, dhe mungesës së prestigjit në rrethin se ku jeton.

Një dimension të veçantë i promovimit ishte leximi i fragmenteve nga romani nga gazetarja nga Shqipëria, Mimoza Abrazhda, e cila i dha zë dhe emocione rrëfimit të autorit, duke e bërë përvojën letrare edhe më të prekshme për audiencën.

Ngjarja u pasurua me pikat muzikore të këngëtarit me zë të mrekullueshëm Shaban Krasniqi, i shoqëruar nga pianoja e Nashid Drejtës, duke krijuar momente të ndjeshme që lidhnin fjalën e shkruar me emocionin e tingullit.

Në fund, fjala iu dha autorit Ramiz Selimi, i cili falënderoi panelistët dhe të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë veprës së tij. Ramiz Selimi theksoi se rrëfimi i Dardanit nuk ka marrë fund, Shpirti i plagosur ishte vetëm një stacion i rëndësishëm, por jo i fundit, sepse historia e Dardanit do të vazhdojë edhe më tej në romanin e ardhshëm, që tashmë është në përgatitje dhe mban titullin “Hijet e Shpresës”.

Ai tha: „Romani „Hijet e shpresës“ tani më është redaktuar dhe gjendet në përpunim, sipas redaktores, libri i radhës do të jetë kryevepra e romaneve të mia.

” Libri pritet të dalë në dritë në fillim të vitit të ardhshëm. Vlen të theksohet se një grup i dashamirëve të librit nga Vushtrria në krye me Selim Izmakun e zbukuruan ngjarjen, prezent ishin edhe shkrimtarë të njohur si Xhemë Karadaku, Sherife Thaqi, Syhejl Havolli, Bekim Kelmendi, Shaqir Foniqi, Izet Avdyli, ish Ministri Ibrahim Makolli, nga Gjermania, Imer Llladrovci, pastaj gazetari Idriz Zeqiraj, dhe shumë tjerë.

Promovimi u përmbyll me një koktej rasti, të përgatitur nga familja e autorit, duke lënë të pranishmit një kujtim të veçantë të kësaj ngjarjeje letrare dhe artistike.

Sylvinho: Nuk ndihem me faj për Bajramin, kjo gjë ndodh kudo në botë

Shqipëria do të zhvillojë një miqësore përballë Gjibraltarit në Europa Point të enjten e 4 shtatorit, pesë ditë përpara duelit me Letoninë në Tiranë, e vlefshme për Kualifikueset e Botërorit 2026.

Tekniku i Kombëtares kuqezi, Sylvinho, ka folur në një konferencë për mediat përpara këtij dueli, nga i cili kërkohet fitorja, transmeton albinfo.ch.

“Sa i përket ndeshjes, është shumë e rëndësishme. Luajmë me Letoninë në Tiranë. Një kundërshtar i vështirë, skuadër fizike dhe shumë e organizuar. U konstatua që kemi vuajtur në ndeshjen ndaj Letonisë në mbrojtje. Unë mendoj se kemi vuajtur si skuadër. Kur ke lojtarë që të mungojnë. Është më e vështirë. Unë kam punuar me Brazilin dhe ka qenë e vështirë dhe për Brazilin. Na ka ndodhur edhe ne më përpara. Duhet të përgatitesh dhe të kalojmë te lista e dytë e Kombëtares. Duhet të bëjmë më të mirën me lojtarët që kemi dhe ne besojmë te ata.

Sa i përket situatës me Adrian Bajrami, ne e kemi plotësuar listën e pritjes dhe nuk kemi pasur ndonjë reagim. Pas reagimit për shtyp, kur nxorëm listën e plotë të 23 lojtarëve, prapë nuk kishte ndonjë ndryshim. Dy ditë më pas dikush na telefoni nga Federata dhe na tha që Adrian Bajrami zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën. Fola 30 minuta me të. Kjo gjë ndodh kudo në botë. Edhe me Brazilin, kishte lojtarë që zgjidhnin Italinë dhe jo Brazilin.

Kur punon në një ekip Kombëtar, ndodh që disa lojtarë të dëmtohen. Jam i kënaqur me lojtarët që kanë ardhur, Kacurri, Shpendi, Çokaj. Kanë ardhur ta shijojnë Kombëtaren dhe ndihen krenar për këtë. Janë dy ndeshje të ndryshme. Një miqësore dhe një e rëndësishme për rezultat. Unë nuk besoj në miqësore, sepse duhet të përgatitemi mirë për fitore. Është një ndeshje e rëndësishme. Pas ndeshjes së nesërme, do të mendojmë për 11-shen që do të hedhim në fushë me Letoninë”, deklaroi braziliani, duke shtuar:

“Kemi të bashkuar me ekipin dhe portierin Simon Simoni, i cili zëvendëson Elhan Kastratin. Ai erdhi dhe u bë pjesë e grumbullimit, bëri një stërvitje dhe nuk ishte në 100% të tij. Prandaj thirrëm Simon Simonin dhe ne besojmë shumë te ai.

Broja është mirë. Nuk ka probleme. Broja e di që është e rëndësishme për të që duhet të vijojë të luajë. Është një lojtar i ri dhe është e rëndësishme që të futet në fushë, të ndihmojë skuadrën, të fitojë eksperiencë. Ka ndryshuar në 15 ditët e fundit. Akoma jeton në Angli, por ka ndryshuar mentalitet. Po bëhet shumë mirë. Nuk ka asnjë problem fizik, momentalisht është shumë mirë.

Është ndeshje e rëndësishme, ju a thashë më parë. Jemi mësuar me presionin, madje dhe lojtarët. Është një ndeshje e rëndësishme për ne. Në ndeshje të tilla duhet të përballesh. Duhet të luash mirë. E dimë që nuk kemi asnjë shans tjetër nëse marrim një rezultat të ndryshëm nga fitorja.

Fajtor për Bajramin? Pyetje shumë e mirë. Nuk ndihem fajtor. Mundohem të bëj më të mirën për grupin dhe ekipin. Përpara dy vitesh kemi folur në gjuhën portugeze. Bajrami ka pasur probleme te Benfica atë kohë. Jemi munduar ta ndihmojmë. I është bashkuar Kombëtares në qershor. Kemi folur. Pas vendimit të tij kam folur më përpara në telefon. Është një bisedë private që kemi bërë mes nesh. E kam përjetuar dhe në Brazil. E di si histori. Suksese lojtarit, por nuk ndihem në faj.

Siç thashë më përpara, ne punojmë të gjithë në Federatë. Kemi 3-4 muaj që diskutojmë për këtë miqësore. Nuk mund të ankohem, sepse çdo gjë ka qenë e rregullt. E vështirë të përgatitesh për miqësoren, kur pas pesë ditësh ke një ndeshje zyrtare. Futbolli duhet shijuar. Nuk besoj te miqësoret, në çdo ndeshje ka rëndësi rezultati dhe duhet të futesh në fushë dhe të japësh më të mirën.

Unë nuk besoj në miqësore, sepse kur futesh 90 minuta në fushë, duhet të japësh më të mirën. Rëndësi ka performanca dhe rezultati. Nuk besoj se një problematikë mund të ndikojë në ndeshjen tjetër. Ka lojtarë të rinj që nuk kanë luajtur shumë minuta me ne dhe unë dua t’i shoh si performojnë. Dua që ata ta shijojnë dhe të japin më të mirën e mundshme. Të shohim kush do të jetë titullar me Letoninë, edhe pse 11-shen për këtë ndeshje nuk e kemi ende. Por lojtarët duhet ta shijojnë në maksimum”, tha Sylvinho.

Kuqezinjtë e rinj duan rezultate pozitive ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës

Shqipëria U-21 do të zhvillojë të premten e 5 shtatorit sfidën e parë miqësore të programuar ndaj Gjermanisë në “Elbasan Arena” në ora 18:00. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi kanë nisur përgatitjet zyrtare prej të hënës në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në kuadër të takimit të parë miqësor, por edhe ndeshjes së dytë ndaj Zvicrës, që do të luhet më 8 shtator në Aarau kanë folur për fshf.org sulmuesi Erald Maksuti dhe mesfushori Feta Fetai, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Erald Maksuti, sulmuesi shqiptar i cili aktivizohet me ekipin e Flamurtarit foli për fshf.org për dy sfidat e rëndësishme të Shpresave. Djaloshi shqiptar vlerësoi Gjermaninë dhe Zvicrën si dy kundërshtarë mjaft të fortë, por theksoi se kuqezinjtë do të futen në fushë për të marrë rezultate pozitive.

Maksuti nënvizoi se objektivi i tij është të shënojë sa më shumë gola, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë.

Ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Zvicrës – E dimë që janë dy miqësore shumë të forta. Luajmë me nënkampionët e Evropës dhe me një ekip të fortë si Zvicra. Janë ndeshje shumë të vështira në letër dhe si kundërshtarë, por ne do futemi të japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive. Objektivi im është që të bëj gola sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin që të ecim.

Atmosfera në prag të ndeshjeve – Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Jemi një grup njihemi, pasi kemi bërë disa ndeshje së bashku. Janë shtuar disa lojtarë që janë shumë të mirë. Do futemi në fushë për rezultate pozitive.

Thirrje për tifozët – I bëj thirrje tifozëve të jenë sa më të shumtë në numër, të na mbështesin dhe ne do japim maksimumin për çdo tifoz që do vijë në stadium” – tha Erald Maksuti për fshf.org.

Mesfushori i talentuar, Feta Fetai, tha se dy ndeshjet miqësore ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës janë shumë të forta, por nga ana tjetër një test i mirë në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027. Fetai foli gjithashtu edhe për gjendjen e skuadrës dhe ftoi tifozët në stadiumin “Elbasan Arena” për të mbështetur kuqezinjtë.

Dy ndeshjet miqësore ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës? – Kemi dy ndeshje shumë të mira dhe të forta për të treguar veten edhe për Evropianin U-21 2027. Janë teste shumë të mira për ne, për ekipin dhe për të gjithë lojtarët.

Gjendja e ekipit? – Kanë ardhur të gjithë. Kanë pasur ndeshje, po rikuperohemi dhe po përgatitemi për ndeshjen me Gjermaninë, pastaj për Zvicrën. Lojtarët janë të gjithë në formë. Janë përgatitur, kanë edhe minuta në këmbë. Shpresoj që të japim më të mirën në këto dy ndeshje.

Thirrje për tifozët? – Shpresoj që të ketë sa më shumë tifozë që të na përkrahin në “Elbasan Arena” dhe t’i gëzojmë me një fitore.

Gjendja e përfaqësueses shqiptare paraqitet mjaft e mirë, teksa ditën e sotme është programuar një tjetër seancë stërvitore nga stafi kuqezi. Skuadra do të mbyllë përgatitjet nesër dhe të premten do të luajë takimin e parë ndaj nënkampionëve të Evropës. Hyrja në stadium do të jetë falas.

Berna shpërndan 700 kupona në vlerë prej 400 frangash për kurse të gjermanishtës

Qyteti i Bernës po ofron 600 kupona për banorët e qytetit dhe 100 kupona  shtesë për banorët e komunës Ostermundigen për të ndjekur kurse të  gjermanishtës.

Secili bonus ka vlerë prej 400 frangash dhe mund të përdoret në 13 shkolla gjuhe në Bernë. Iniciativa synon të ndihmojë integrimin e të huajve dhe të lehtësojë qasjen në mësimin e gjuhës gjermane.

Kush mund të përfitojë?

Të gjithë personat mbi 18 vjeç

Gjermanishtja duhet të jetë gjuhë e huaj për ta

Duhet të jenë të regjistruar në qytetin e Bernës ose në Ostermundigen

Aplikimi për programin DeutschBon është i hapur deri më 31 tetor 2025.

Përveç kësaj, më 9 shtator 2025, nga ora 18:30 deri 20:30, organizohet një aktivitet informues e rrjetëzimi me temën «Bern bietet», në adresën Träffer, Schosshaldenstrasse 43, Bern.

Në këtë ngjarje, pjesëmarrësit do të mund të marrin më shumë informacione nga profesionistë dhe persona që kanë përfituar nga ky program.

Dardanët udhëtojnë për 3 pikë ndaj Zvicrës

Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para nisjes për në Bazel, ku të premten do të luajë kundër Zvicrës, në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë pozitive, ndërsa të gjithë futbollistët po punojnë me përkushtim maksimal.

Në seancën e sotme stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar në detaje taktike, duke u fokusuar në organizimin ofensiv dhe mbrojtës, në ndërprerje dhe në reagimin e ekipit gjatë tranzicioneve të lojës, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Vojvoda, ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së bashkatdhetarëve në ndeshjen e parë në Bazel.

“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira. E dimë sa e vështirë është të luash në Zvicër, por e dimë po ashtu se do të kemi shumë përkrahje nga tifozët. Djemtë janë të gjithë të përgatitur dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe po bëhemi gati të shkojmë atje të marrim 3 pikë. Qëllimi ynë është të marrim 6 pikë, por sigurisht se do të jetë e vështirë pasi të dyja ekipet janë favorite, por ndonjëherë më mirë është kështu, sepse nuk është presioni tek ne por te ata. Ne po bëhemi gati për të fituar tri pikë si në Zvicër, ashtu edhe në shtëpi kundër Suedisë dhe shpresoj se ashtu do të jetë”, tha Vojvoda.

Edhe mesfushori Muharrem Jashari është optimist se ekipi do të ketë paraqitje të mirë dhe do të arrijë rezultat pozitiv.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Zvicrën. Atmosfera është e mirë dhe presim një rezultat pozitiv, pasi e kemi analizuar kundërshtarin në pikat e forta dhe të dobëta. Normalisht se në Zvicër na pret një përkrahje shumë e madhe dhe shpresoj të bëjmë më të mirën, të nxjerrim rezultat pozitiv dhe tifozët të jenë të kënaqur me paraqitjen tonë”, theksoi ai.

Ekspedita e Dardanëve do të udhëtojë nesër paradite drejt Bazelit, aty ku do të zhvillojë edhe një stërvitje dhe më pas më 5 shtator do të përballet me Zvicrën në stadiumin “St. Jakob-Park”.

Thirrjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, thirrje për dinjitet njerëzor

Më 30 dhe 31 gusht në Gjenevë është shënuar me një sërë aktivitetesh Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Dhunë, 30 Gushti. Organizatorët: Shoqata Kulturore “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë, për përmbyllje dhe kurorëzim të këtyre zhvillimeve kishte caktuar një tryezë të rrumbullakët, e cila u mbajt pasditen e të dielës, më 31 gusht në Shtëpinë e Arteve “Grütli” të Gjenevës, shkruan albinfo.ch.

Ekspertë, zyrtarë dhe drejtues organizatash të të zhdukurve me dhunë bënin pjesë në panelin e gjerë, të drejtuar nga moderatori, Nazmi Jakurti dhe organizatorja e aktivitetit, Mirishahe Limani Hiler.

Andin Hoti dhe Kushtrim Gara përfaqësonin Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, nga Kosova, Silvia Hodgers, përfaqësuese e organizatave argjentinase të të zhdukurve, viktima të diktaturës së atjeshme në vitet `70 të shekullit të kaluar, Claudio Bolzman, sociolog dhe profesor në Shkollën e Lartë për Punë Sociale të Gjenevës, specialist i çështjeve të migrimit dhe marrëdhënieve ndërkulturore, Butrint Ajredini, avokat në Dhomën e Avokatëve të Gjenevës dhe përfaqësuesi i familjeve te te zhdukurve  të Kosovës, Salih Muhaxheri, nga Ferizaj.

Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishme edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, zonja Shukrije Ramadani dhe ajo e Shqipërisë, Monika Zguro.

Udhëheqësja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, zonja Floreta Kabashi i është drejtuar auditorit me një fjalë përshëndetëse, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të punuar drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve. “Ne u bashkohemi thirrjeve të familjarëve, organizatave përkatëse të shoqërisë civile në këtë drejtim. Këto janë thirrje për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet njerëzor. Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbardhjen e fatit të secilit të zhdukur, pa dallim etnie. Ky është një detyrim ligjor dhe institucional dhe mbi të gjitha, moral. Fatkeqësisht Serbia refuzon të pranojë ushtriumin e krimeve të luftës në Kosovë dhe nuk ofron informacionet e nevojshme. Kjo nuk është thjesht mungesë bashkëpunimi por është vazhdim i krimit”, ka thënë veç tjerash zonja Kabashi.

“Detyrim moral e njerëzor që të vazhdojmë këtë rrugëtim derisa çdo familje të marrë përgjigjen që meriton”

“Jemi mbledhur këtu në Gjenevë, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, për të kujtuar, për të reflektuar dhe për të kërkuar drejtësi. Kjo ditë nuk është vetëm një datë në kalendar, por është një thirrje për ndërgjegje dhe për veprim”, është shprehur moderatori, Jakurti, në hapjen e punimeve të tryezës. Ai më tutje ka kujtuar vitin 2001, kur këtu në Gjenevë, bashkë me një grup aktivistësh dhe familjarësh, ishte organizuar një protestë para selisë së OKB-së, duke kërkuar gjetjen e të zhdukurve nga Kosova. “Ne besuam se zëri ynë do të dëgjohej dhe se e vërteta do të vihej në vend. Sot, 24 vite më pas, shumë familje ende nuk e dinë fatin e më të dashurve të tyre. Ky është një realitet i dhimbshëm që na shoqëron çdo ditë. Ne kemi detyrimin moral e njerëzor që të vazhdojmë këtë rrugëtim derisa çdo familje të marrë përgjigjen që meriton, ka thënë veç tjerash Jakurti.

Pjesëmarrësit në panel kanë paraqitur përvojat dhe njohuritë për problematikën e të zhdukurve me dhunë, secili nga këndvështrimi i tij.

Obstruksioni i Serbisë kundër zbardhjes së fatit të të zhdukurve, është përsëritje e krimit

 

Andin Hoti, në emër të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ka shpalosur preokupimet, arritjet e deritashme dhe planet në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, në Kosovë. Ai ka shprehur mirëkuptim për frustrimin e familjarëve të të zhdukurve lidhur me mungesën e informacioneve për më të dashurit e tyre. Ai ka thënë se puna e komisionit konsiston në hulumtimin e varrezave masive në Kosovë dhe në Serbi si dhe në pjesëmarrjen në dialog me Serbinë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Për aspektin e parë ai ka thënë se është bërë shumë, gjegjësisht “nuk ka mbetur pëllëmbë toke e Kosovës pa u hulumtuar për të gjetur viktimat e luftës”. Por në vazhdimësi ballafaqohemi me destruktivitetin e palës serbe, e cila merr detyrime dhe nuk i zbaton, duke bërë kështu krimin e dytë mbi viktimat e luftës dhe të zhdukurit. Ajo refuzon të hapë arkivat e veta, ku mund të gjendeshin të dhëna për të gjitha krimet e kryera mbi shqiptarët, gjatë luftës, ka thënë veç tjerash z. Hoti, duke apeluar për presion më të vendosur të palës ndërkombëtare mbi Serbinë.

Përvojat e të tjerëve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve 

Silvia Hodgers, përfaqësuese e organizatave argjentinase të të zhdukurve, ka folur për përvojat e saj në gjetjen e viktimave të diktaturës së atjeshme në vitet `70 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për rreth 35.000 të zhdukur në kohën e sundimit të juntës ushtarake dhe, së këtejmi, për një punë kolosale që është dashur të bëhet dhe që vazhdon të bëhet për zbulimin e tyre.

Claudio Bolzman, sociolog dhe profesor në Shkollën e Lartë për Punë Sociale të Gjenevës, ka trajtuar aspektet sociologjike të temës së të zhdukurve me dhunë dhe trajtimin që i është bërë kësaj teme nga shkenca e sociologjisë.

Salih Muhaxheri, përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve të luftës nga Kosova ka folur për shqetësimet që kanë këta familjarë dhe për dhimbjen për të afërmit  e pagjetur që i shoqëron që nga përfundimi i luftës deri më sot. Ata i shqetëson sigurisht mungesa e përparimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Avokati shqiptar nga Gjeneva Butrint Ajredini ka shpjeguar për publikun me terma konkretë problematikën e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar Serbia lidhur me të zhdukurit dhe nuk i ka zbatuar si dhe për refuzimin nga ana e saj për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Si shembull, me njërën nga këto konventa parashihet që të zgjatet koha e parashkrimit (vjetërsimit) të disa krimeve të luftës, por Serbia nuk e ka vendosur fare në kodin e saj penal një zgjatje të tillë.

Me këtë tryezë ka marrë fund edhe i gjithë manifestimi kushtuar Ditës së të Zhdukurve me Dhunë, i cili ka zgjatur dy ditë, organizuar nga Shoqata “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë, me albinfo.ch si sponsor medial. Në këtë kuadër janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, si Marshi për Drejtësi, rrugëve të Gjenevës, defilimi, me moton “Derisa i kujtojmë, ata jetojnë”, me fjalime dhe program artistik në sheshin para Pallatit të OKB-së, vënia e luleve në Kopshtin e të Zhdukurve, ekspozita e arteve pamore kushtuar të zhdukurve etj.

 

 

 

 

 

 

“Siparantum” i artë në Tajlandë, fiton edhe Çmim Special për rrëfim mbresëlënës

Kori “Siparantum” nga Kosova ka shkëlqyer në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë, duke fituar medaljen e artë në kategorinë “Mixed Adult Choir” dhe Çmimin Special për rrëfim mbresëlënës, përcjell albinfo.ch.

Me 86,15 pikë, “Siparantum” u rendit në vendin e dytë në kategorinë e saj, duke u kualifikuar për garën finale për Çmimin e Madh (Grand Prix), së bashku me korin fitues “Medan Community” nga Indonezia. Çmimi kryesor iu dha korit indonezian “PSM-ITB”.

Veç suksesit teknik, juria ndërkombëtare vlerësoi veçanërisht aftësinë e “Siparantum” për të shpalosur rrëfime artistike me thellësi emocionale, duke e nderuar ansamblin me një çmim të veçantë.

Në këtë garë prestigjioze, kori nga Kosova interpretoi veprat “Amor io fallo” nga Jan van der Roost dhe “Pakëz në ëndërr dhe pakës në zhgjëndërr” të kompozitorit kosovar Baki Jashari.

Ky është edhe një sukses i rëndësishëm ndërkombëtar për muzikën korale nga Kosova.

Austria planifikon ndalimin e shamisë për vajzat nën 14 vjeç, gjoba mbi 1,000 euro për shkelësit

Qeveria austriake është në fazat e fundit të përgatitjes së një ligji që do të ndalojë mbajtjen e shamisë së kokës nga vajzat nën moshën 14 vjeç në të gjitha institucionet arsimore, përfshirë shkollat private dhe ato islame. Ky veprim vjen si pjesë e një përpjekjeje për të forcuar integrimin dhe për të kufizuar atë që autoritetet e quajnë “mbulim i hershëm” i vajzave myslimane, transmeton albinfo.at.

Sipas Ministrisë së Familjes dhe Integrimit, fenomeni nuk është më margjinal. Vetëm në Vjenë vlerësohet se deri në 12,000 fëmijë mbajnë shamia, dhe autoritetet besojnë se prania e tyre është gjithnjë e më e dukshme në rrugë dhe shkolla.

Nëse ligji miratohet, mësuesit do të kenë detyrim të raportojnë shkeljet, ndërsa gjobat për prindërit mund të kalojnë shumën prej 1,000 euro për rastet e përsëritura. Policia do të jetë e ngarkuar me zbatimin e masave ndëshkuese.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Këshilli i Ministrave gjatë muajit shtator. /Albinfo.at

https://www.krone.at/3885959

Akanji para ndeshjes me Kosovën dhe Slloveninë: Duam gjashtë pikë të plota

Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, është paraqitur në konferencë para ndeshjes me Kosovën, transmeton albinfo.ch.

Akanji tha se duan gjashtë pikë në dy takimet e muajit shtator dhe nisje të mbarë në ndeshjen ndaj ‘Dardanëve’.

“Është periudha më e shkurtër kualifikuese që kam pasur me ekipin kombëtar deri më tani. Kështu që duhet të jemi plotësisht të përqendruar. Gjëja e mirë është se kemi dy ndeshje në shtëpi për të filluar. Presim gjashtë pikë nga ato ndeshje. Nuk do të jetë e lehtë, por ky është qëllimi ynë”, tha Akanji.

Kujtojmë që ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, do të zhvillohet të premten, me fillim nga ora 20:45.

Nga ana tjetër edhe futbollisti , Fabian Rieder ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së të premtes kundër Kosovës.

Lojtari i ri i Augsburgut e ka vlerësuar lart ekipin Dardan, por ndërkohë ka insistuar se Helvetikët duhet ta nisin me këmbë të mbarë kampanjën kualifikuese të Botërorit 2026.

“Po luajmë kundër Rexhbeçajt, një shoku të ri të skuadrës për mua. Por, ata (Kosova) janë të pozicionuar mirë në të gjithë skuadrën dhe do të na duhet ta shtyjmë veten deri në limit kundër këtij kundërshtari të fortë”, deklaroi fillimisht ai, teksa foli për duelin me shokun e tij të ri të ekipit, Elvis Rexhbeçaj.

“Nuk do të jetë një shëtitje në park për ne në këto kualifikime. Të tri skuadrat (Kosova, Suedia e Sllovenia) kanë cilësi të jashtëzakonshme. Por, ne duam ta kalojmë grupin dhe, nëse është e mundur, t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Këto janë qëllimet tona. Mezi presim të fillojmë”, përfundoi Rieder.

Zvicra dhe Kosova do të përballen mes vete këtë të premte në Basel në ndeshjen që do të nisë prej orës 20:45.

Këshilli Federal propozon kufizime më të rrepta për shpejtësinë 30 km/orë në rrugët kryesore

Këshilli Federal po synon të vendosë rregulla më të qarta për zbatimin e kufirit të shpejtësisë prej 30 km/orë në rrugët kryesore që kalojnë nëpër qytete dhe fshatra. Qëllimi është ulja e ndotjes akustike dhe parandalimi i trafikut devijues drejt lagjeve të banuara, përcjell albinfo.ch.

Sipas propozimit, ndalimi i kufirit prej 30 km/orë nuk është në plan, por në rast se zbatohet, autoritetet do të duhet të dëshmojnë se masa nuk shkakton trafik të padëshirueshëm në zona të tjera. Edhe në zonat me zhurmë të lartë, kufizimi mbetet i mundshëm përmes përdorimit të sipërfaqeve rrugore “të qeta”.

Ky veprim vjen pas miratimit të një mocioni nga Parlamenti, i cili kërkonte masa për të kontrolluar shpejtësinë në rrugët e banimit. Megjithatë, Këshilli Federal nuk parashikon ndryshime për këto rrugë, pasi ato tashmë përmbushin funksione specifike për komunitetin lokal.

Ndryshimet e propozuara në Urdhëresën e Sinjalizimit dhe atë të Mbrojtjes nga Zhurma janë hapur për konsultim publik deri më 5 dhjetor.

https://www.blick.ch/politik/aber-kein-verbot-bundesrat-will-hoehere-huerden-fuer-tempo-30-id21195631.html