Begaj për fitoren e Kosovës ndaj Suedisë: Krenarë për djemtë tanë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, iu bashkua gëzimit të madh pas fitores historike të Kosovës ndaj Suedisë, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Begaj përgëzoi ekipin “dardan”, duke theksuar se lojtarët e Kosovës i bënë të gjithë krenarë:

“Urime ekipit të Kosovës për fitoren ndaj Suedisë! Djemtë tanë na bëjnë krenarë. Përpara shqipe!”

Kosova triumfoi të hënën mbrëma në Goteborg me rezultat 1:0, falë golit të shënuar nga Fisnik Asllani, duke bërë një hap të rëndësishëm në garën për Kupën e Botës 2026.

11 vjet nga droni shqiptar në Beograd

Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.

Ndërprerja ishte paralajmëruar pothuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.

Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.

Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.

Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.

Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.

Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.

Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë në fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë.

Zhvillimi i ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.

Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë se tri javë, pasi vëllai i tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.

E kur shkoi Edi Rama në Serbi, në konferencën e shtypit me Aleksandar Vuçiqin, natyrisht se nuk u harruan droni, ndeshja e as Kosova.

Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.

Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:

Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, derisa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshje t’i luante pa tifozë.

Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.

Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili ishte në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.

Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në Elbasan Arena ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.

Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0:2 dhe la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje u përzie politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Erevan.

Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, e shikoi nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ishte për herë të parë.

Së fundmi, më 11 tetor 2025, Shqipëria mundi Serbinë në Leskovc.

Kombëtarja shqiptare po avancoi pas 45 minutave të parë me golin e bukur të Rej Manajt në finish të kësaj pjesë loje.

45 minutat e para u karakterizuan me tensione në shkallët e stadiumit në Leskovc.

Tifozët vendas kanë bërë thirrje antishqiptare dhe asnjëherë spikeri në stadium nuk ka kërkuar prej tyre që të ndalojnë, për çka edhe Serbia duhet të dënohet nga FIFA.

Bardhi me supergol e shpëton nga disfata Maqedoninë e Veriut

Enis Bardhi shënoi një supergol nga goditja e dënimit në minutën e 74-të, duke i siguruar Maqedonisë së Veriut një pikë të çmuar kundër Kazakistanit. Ndeshja u zhvillua të hënën mbrëma në Shkup dhe ishte pjesë e Grupit J të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Kazakistani kaloi i pari në avantazh me golin e Dinmukhamed Karman në minutën e 54-të, por Bardhi barazoi rezultatin dhe shpëtoi skuadrën nga disfata.

Me këtë barazim 1:1, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e dytë me 13 pikë nga shtatë ndeshje. Belgjika kryeson tabelën me 14 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Uellsi është i treti me 10 pikë. Kazakistani ndodhet në vendin e katërt me 7 pikë, ndërsa Lihtenshtajni mbetet pa pikë.

Edi Rama reagon pas fitores së Kosovës: “Dy krena, dy fitore, një shqipe”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur fitoren e madhe të Kosovës ndaj Suedisë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Në një postim të shkurtër, por domethënës në Facebook, Rama ka shkruar:

“Dy krena, dy fitore, një shqipe.”

Kosova shënoi një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj futbollistike, duke mposhtur Suedinë me rezultat 1:0 në Goteborg.

Kjo fitore e rëndësishme e dërgon “Dardanët” një hap më afër ëndrrës për pjesëmarrje në Botërorin e ardhshëm, duke sjellë emocione dhe krenari për të gjithë shqiptarët.

Kosovë: Vazhdon numërimi i votave për asambletë komunale

Ka vazhduar numërimi i votave të kandidatëve për asamble në Qendrat Komunale të Numërimit, përcjell albinfo.ch.

Në bazë dhënave të fundit të KQZ-së, në disa komuna është duke vazhduar procesimi i votave nga vendvotimet, e në disa të tjera ka përfunduar.

Në Prishtinë janë procesuar votat nga 254 vendvotime, prej 268 sa janë gjithsej.

Lidhja Demokratike e Kosovës po qëndron është e para me 27 mijë e 102 vota, Partia Demokratike e dyta me 21 mijë e 116 vota, pasuar nga VV-ja me 20 mijë e 169 vota. 

Presidentja Osmani: Djemtë e Kosovës treguan zemër dhe karakter

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar Kombëtaren pas fitores ndaj Suedisë, duke e cilësuar paraqitjen e futbollistëve si shembull të zemrës dhe karakterit, përcjell albinfo.ch.

“Djemtë e Kosovës treguan zemër, karakter dhe lojë fantastike sonte ndaj Suedisë, duke na kujtuar se kur luajmë me shpirt, asnjë sfidë nuk është e pamundur,” ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo shtoi se rruga e Dardanëve drejt fitoreve vazhdon, duke uruar ekipin për suksesin historik në Goteborg.

Ursula von der Leyen nesër vjen në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë sot Bosnjën dhe Hercegovinën, përcjell albinfo.ch.

Vizita në vendin tonë është planifikuar si pjesë e një vizite në Ballkanin Perëndimor për të nënvizuar mbështetjen e BE-së për rrugën e rajonit drejt anëtarësimit në BE dhe anëtarësimit gradual në tregun e vetëm, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Presidentja von der Leyen do të vizitojë Qendrën Memoriale të Srebrenicës. Më pas ajo do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.

Më pas ajo do të takohet me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, njoftoi Delegacioni i BE-së në BeH.

Ajo do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, më 15 tetor.

Sipas agjendës së publikuar në faqen e institucionit të cilin ajo e drejton, Von der Leyen gjatë qëndrimit në vendin tonë të mërkurën do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Foda: Jam krenar me këtë ekip

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur i krenar me paraqitjen e lojtarëve pas fitores ndaj Suedisë në Goteborg, përcjell albinfo.ch.

“Jam shumë krenar me këtë skuadër, me këta futbollistë, me mënyrën se si ata kanë luajtur dhe me luftën që kanë bërë për të marrë tri pikët me vete në Prishtinë,” tha Foda në konferencën për media.

Trajneri gjerman vlerësoi disiplinën dhe përkushtimin e ekipit, duke theksuar se Kosova po tregon ritëm dhe karakter në garën për kualifikim në Kupën e Botës.

Kurti e quan historike fitoren e Kosovës ndaj Suedisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës pas fitores ndaj Suedisë, duke e cilësuar rezultatin si historik, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në Facebook, ai vlerësoi disiplinën dhe përkushtimin e futbollistëve kosovarë:

“Kosova e jashtëzakonshme! Lojë e disiplinuar, fitore e merituar dhe tjetër rezultat historik ndaj Suedisë për të forcuar vendin e dytë në grup dhe për të mbajtur të gjallë ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës.”

Kurti uroi lojtarët dhe të gjithë qytetarët për këtë arritje, duke e quajtur fitoren një moment krenarie kombëtare.

Von der Leyen në Tiranë: 100 milionë euro për Shqipërinë dhe heqja e roaming-ut me BE-në

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi të hënën Shqipërinë dhe theksoi progresin “jashtëzakonisht të shpejtë” të vendit në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Ajo njoftoi disbursimin e 100 milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar këtë si një shpërblim për reformat e ndërmarra nga vendi.

“Ju keni bërë përparim të fortë në reformat kyçe. Tani fokusi është tek zbatimi i tyre, dhe kjo rrugë do të sigurojë që Shqipëria të ketë akses në të gjitha fondet sipas Planit të Rritjes, që arrin afërsisht një miliard euro,” deklaroi von der Leyen në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

Ajo shtoi se Plani i Rritjes do të sjellë investime të reja dhe do të hapë tregun e vetëm të BE-së për Shqipërinë. Gjithashtu, vitin e ardhshëm do të hiqet roaming-u midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një hap që do të përfitojnë qytetarët, bizneset dhe turizmi.

Duke komentuar mbi SEPA-n, von der Leyen vuri në dukje se transfertat e parave midis Shqipërisë dhe BE-së janë bërë më të sigurta dhe më të lira, duke përmirësuar ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Mesazhi është i qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Tre katër vitet e fundit treguan një përparim të jashtëzakonshëm në shpejtësi dhe cilësi,” tha von der Leyen, duke shtuar se hapja e një klasteri me Shqipërinë këtë vjeshtë do të forcojë më tej bashkëpunimin.

Ajo përmendi gjithashtu sfidat gjeopolitike: “Agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar hartën e Evropës. Çdo vend duhet të zgjedhë qartë vendin e tij, dhe Shqipëria e ka bërë këtë zgjedhje.”

 

Polemikat për Izraelin, Austria në dyshim për organizimin e Eurovizionit

Një numër në rritje zërash brenda Partisë Popullore Austriake, partisë në pushtet, po përpiqen të bindin organizatorët e Festivalit të Këngës Eurovision 2026 që mbahet në Vjenë në maj, që të mos e presin konkursin nëse Izraeli përjashtohet nga gara.

Sipas mediave vendase, disa politikanë mbështesin idenë që Austria të tërhiqet nga organizimi në rast se Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ndalon pjesëmarrjen e Izraelit ose e detyron atë të garojë nën flamur neutral, një praktikë e ngjashme me atë që u përdor për sportistët rusë në Lojërat Olimpike pas sanksioneve ndërkombëtare.

EBU pritet të marrë një vendim zyrtar për pjesëmarrjen e Izraelit në nëntor, gjatë Asamblesë së Përgjithshme. Deri atëherë, presioni ndërkombëtar ndaj Austrisë ka qenë i dukshëm. Disa vende, si Spanja, Holanda, Islanda, Irlanda dhe Sllovenia, kanë paralajmëruar se mund të tërhiqen nga gara nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë.

Austria fitoi të drejtën për të organizuar Eurovisionin 2026 pas fitores së këngëtarit austriak JJ në edicionin e kaluar. Megjithatë, nëse transmetuesi publik austriak refuzon të realizojë organizimin, ai mund të përballet me një gjobë deri në 40 milionë euro. Në raste të tilla, zakonisht organizimi i konkursit i kalon një prej vendeve “sponsore të mëdha”.

Vendimi përfundimtar i EBU-së pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në fatin e organizimit të edicionit të vitit 2026 dhe mund të shkaktojë një krizë të pazakontë për Eurovisionin.

Roche merr miratimin në SHBA për testin inovativ të Alzheimer-it

Firma farmaceutike zvicerane Roche ka marrë miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) për testin e saj Elecsys pTau181, i cili mund të diagnostikojë Alzheimer-in dhe çrregullime të tjera njohëse përmes mostrave të gjakut.

Testi i zhvilluar nga Roche në bashkëpunim me grupin farmaceutik amerikan Eli Lilly – është i dizajnuar për pacientët mbi 55 vjeç me çrregullime njohëse ose simptoma të tilla.

Si funksionon testi
Elecsys pTau181 mat koncentrimin në gjak të proteinës tau të fosforiluar (pTau181), e cila shpesh rritet në praninë e sëmundjes së Alzheimer-it. Në rast se vlerat janë jo të rëndësishme, sëmundja mund të përjashtohet me një probabilitet të lartë.

Ky test mund të kryhet në ordinancat e mjekëve të familjes, duke thjeshtuar diagnozën dhe duke ndihmuar për të përcaktuar nëse rënia njohëse e pacientit lidhet me Alzheimer-in apo jo.

Ai gjithashtu kursen shpenzime që lidhen me ekzaminime më invazive. Aktualisht, për një diagnozë të qartë nevojitet një skanim CT ose analiza e lëngut cerebrospinal përmes një pikjeje në shtyllën kurrizore.

Roche kishte marrë më parë treguesin CE të përputhshmërisë në korrik të vitit të kaluar për të shpërndarë produktin në tregun e Bashkimit Evropian.

Edi Rama feston dy fitoret historike të kombëtareve shqiptare: Dy krena, dy fitore, një shqipe

Pas fitores së Shqipërisë në Beograd dhe triumfit të Kosovës ndaj Suedisë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka shpërndarë mesazh ubiteti e krenarie kombëtare, shkruan albinfo.ch.

Rama, ka reaguar menjëherë pas fitores historike të Kosovës ndaj Suedisë, duke e cilësuar një tjetër moment krenarie për kombin shqiptar. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Dy krena, dy fitore, një shqipe 🇦🇱🇽🇰 #ForcaKosovë ❤️🦅”

Ky reagim vjen vetëm disa ditë pas triumfit të Shqipërisë ndaj Serbisë në Beograd, një fitore që shkaktoi emocion dhe krenari tek shqiptarët anembanë botës.

Marrëveshja historike e paqes në Gazë u nënshkrua sot në Egjipt, ja çfarë përmban

Presidenti Donald Trump dhe udhëheqës të Lindjes së Mesme nënshkruan të hënën një marrëveshje armëpushimi, të cilën e kanë përshkruar si historike. Një fotografi nga ceremonia tregon atmosferën dhe pjesëmarrësit.

Në pjesën hyrëse të dokumentit, shtetet pjesëmarrëse theksojnë angazhimin e tyre për tolerancë, respekt për dinjitetin dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë individët. Marrëveshja nënvizon rëndësinë e krijimit të një rajoni ku të gjithë mund të ndjekin aspiratat e tyre për paqe, siguri dhe prosperitet ekonomik, pavarësisht racës, besimit apo etnisë.

Në fund të dokumentit, janë vendosur nënshkrimet e udhëheqësve rajonalë dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia, duke vulosur zyrtarisht marrëveshjen.

Kosova me fitore historike në Göteborg, mposht Suedinë për herë të dytë brenda një muaji

Kosova shënoi një fitore historike sonte në Göteborg, duke mundur Suedinë 1-0 në një ndeshje të jashtëzakonshme. Me këtë rezultat, Kosova ngjitet në vendin e dytë të grupit, me 7 pikë të mbledhura, shkruan albinfo.ch.

Goli vendimtar u shënua në minutën e 32-të nga Besnik Asllani, duke siguruar tri pikët e arta për skuadrën. Kjo është hera e dytë brenda një muaji që Kosova e mposht Suedinë, pasi ndeshja e parë u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbi 7,000 tifozë nga Kosova në Suedi ishin prezentë në Göteborg dhe festuan me entuziazëm fitoren historike të ekipit të tyre. Performanca e skuadrës u cilësua si e jashtëzakonshme, duke dhënë shpresë dhe optimizëm për ndeshjet e ardhshme.

Lexoni po ashtu:

Formacioni i Kosovës për ndeshjen ndaj Suedisë: Tre ndryshime nga takimi me Slloveninë

 

Rey Manaj nuk mori karton të verdhë për shqiponjën ndaj Serbisë, Armand Duka sqaron arsyen

Rey Manaj ishte protagonist i ndeshjes së së shtunës, duke shënuar golin vendimtar që i dha fitoren Shqipërisë ndaj Serbisë. Pas golit, ai festoi duke bërë shqiponjën, një veprim që në fillim u mendua se mund të kishte sjellë një karton të verdhë.

Megjithatë, kryetari i FSHF-së, Armand Duka, ka sqaruar se Manaj nuk u ndëshkua për simbolin e shqiponjës. “Kartoni nuk ishte për festimin me shqiponjë, i cili nuk është i ndaluar, por për shkak të festimit pranë bankës rezervë të Serbisë,” u shpreh Duka në një video të shpërndarë nga Blendi Fevziu në Facebook.

Kjo fitore e çoi Shqipërinë më pranë ëndrrës për të arritur play-off-in e Botërorit 2026.

 

Inovacion premtues mund të ndihmojë në zbulimin më të mirë të kancerit të gjirit

Tetor Rozë, kampanja vjetore globale e komunikimit që synon të rrisë ndërgjegjësimin tek gratë për kontrollet e gjirit, rikthehet çdo vit. Por pas shirinqeve rozë dhe fushatave ndërgjegjësuese, lufta kundër kancerit të gjirit përballet ende me sfida teknike. Një nga to është shqetësuese për gratë me ind të dendur të gjirit, një problem real për mamografitë.

Në këto raste, imazhi shpesh është i paqartë, duke e bërë të vështirë dallimin e tumorit nga indet e gjirit. MRI, më i saktë, mbetet i shtrenjtë dhe jo gjithmonë i aksesueshëm; ndërsa ultratingulli rrit numrin e rezultateve false pozitive.

Një alternativë nga Calgary

Duke u përballur me këtë sfidë, Jérémie Bourqui, një inxhinier nga Friburgu që jeton në Kanada, vendosi të eksplorojë një rrugë tjetër. Në Universitetin e Calgary, ai zhvilloi një pajisje të portabel, pa përdorim të rrezeve X, e cila aktualisht po zhvillohet brenda startup-it të tij.

Provimet e para klinike, kryer te pacientët me kimioterapi, kanë dhënë rezultate premtuese. “Së pari, shikuam nëse mund të shihnim tumorin,” shpjegon studiuesi në La Matinale. “Pastaj, shikuam nëse mund të shihnim ndryshimin e vetive dhe madhësisë së tij. Dhe pamë se kishim kontraste shumë të rëndësishme në gjirin e dendur (…). Arritëm të identifikonim këto tumore në të gjitha rastet e grave me gjinj të dendur,” shton ai.

Një sfidë për shumë gra

Ky tip indesh të dendura prek “rreth gjysmën e popullsisë femërore mbi 45 vjeç, dhe shumë më tepër nën këtë moshë,” thekson Jérémie Bourqui.

Teknologjia e zhvilluar nga inxhinieri është aktualisht në proces miratimi në Kanada. Provime të tjera klinike do të konfirmojnë efektivitetin dhe do të vlerësojnë rrezikun e rezultateve false pozitive ose negative.

Por Jérémie Bourqui tashmë po mendon më larg. Ai parashikon që pajisja e tij të instalohet direkt në kabinetet e mjekëve, e thjeshtë për t’u përdorur, si matja e presionit të gjakut. Një hap tjetër drejt kontrolleve më të hershme, më të sigurta dhe më të aksesueshme.

Ignazio Cassis: Zvicra do të kontribuojë në rindërtimin e Palestinës

Këshilltari Federal për Çështjet e Jashtme, Ignazio Cassis, përshëndeti marrëveshjen e paqes të nënshkruar mes Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si një “lehtësim të madh”. Zvicra është shumë e kënaqur, tha Cassis për RSI, në margjinat e një takimi të FDP-së së Ticinos. “Rruga do të jetë e gjatë, dhe pa Shtetet e Bashkuara, kjo marrëveshje kurrë nuk do të kishte ndodhur,” shtoi ai.

“Si pjesë e Europës, Zvicra do të kontribuojë në rindërtimin e Palestinës. Ne do të angazhohemi për krijimin e një Autoriteti Palestinez me qëllim krijimin e një shteti palestinez,” përfundoi Cassis.

Kosova shënon kundër Suedisë

Kosova ka kaluar në epërsi në minutën e 32-të në ndeshjen kundër Suedisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 20026.

Ishte Fisnik Asllani ai që shënoi gol pas asistimit nga Veldin Hoxha, duke bërë që Kosova të bëjë një hap para drejt kualifkimit, raporton Albinfo.ch.

Në ndeshjen që po zhvillohet në Goteburg të Suedisë, kombëtarja e Kosovës po dominon në pjesën e parë./Albinfo.ch/

KQZ: 33,258 vota nga diaspora për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë pranuar gjithsej 33,258 vota nga diaspora për zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i institucionit, Valmir Elezi, në një konferencë për media.

Sipas tij, KQZ do të angazhohet maksimalisht që numërimi i këtyre votave të nisë sa më shpejt. Aktualisht është duke u zhvilluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për asamble komunale, paralelisht me verifikimin e rezultateve nga formularët e vendvotimeve.

“Nga votimi jashtë Kosovës, përmes 22 prej gjithsej 23 kutive postare, janë pranuar 33,258 zarfe të supozuara me fletëvotime,” tha Elezi. Ai shtoi se së shpejti do të publikohen edhe të dhënat për votimin e personave me nevoja të veçanta, ku numri i votuesve të regjistruar ka qenë 3,467.

Këshilli Federal kundër tatimit mbi trashëgiminë të propozuar nga Juso

Këshilli Federal zviceran rekomandon refuzimin e iniciativës për një tatim kombëtar mbi trashëgiminë dhe dhuratat me vlerë mbi 50 milionë franga, të propozuar nga Juso. Ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, paralajmëroi se taksa mund të ulte të ardhurat totale nga tatimet, pasi shumë individë të pasur mund të largoheshin nga Zvicra.

Sipas saj, administrata parashikon që rreth 2,500 tatimpagues do të preken dhe të ardhurat e mundshme nga taksa e re mund të tejkalojnë katër miliardë franga, por eksodi i të pasurve do të reduktonte efektin financiar. Këshilli Federal dhe kantonet theksojnë gjithashtu se iniciativa nuk ofron stimuj për sjellje më miqësore ndaj mjedisit dhe mund të kufizojë fleksibilitetin financiar të qeverisë.

Votimi për këtë iniciativë do të zhvillohet më 30 nëntor 2025.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon numërimin e votave për Kuvendet Komunale

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtina ka nisur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për Kuvendet Komunale, pas përfundimit të zgjedhjeve të së dielës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi për kryetarë komunash dhe subjekte politike, ndërsa materialet zgjedhore nga 948 qendra të votimit janë dërguar në 38 Qendra Komunale të Numërimit.

Sipas ligjit, votat për kandidatët e Kuvendeve Komunale numërohen në këto qendra, ndërsa votat për kryetarë komunash në vendvotime. Procesi ka filluar në mesditë në tre komuna dhe është zgjeruar në të gjitha komunat tjera në orët në vijim.

KQZ ka angazhuar mbi 520 ekipe numërimi me mbi 2,000 anëtarë, ndërsa numërimi po zhvillohet nën vëzhgimin e monitoruesve për të garantuar transparencë të plotë.

Përveç votimit të rregullt, është organizuar edhe:

Votimi me kusht në 54 vendvotime

Votimi për 3,467 persona me nevoja të veçanta përmes ekipeve mobile

Votimi nga jashtë vendit nga 43,933 qytetarë përmes postës.

Zarfe të votimit me kusht dhe të votimit jashtë vendit do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas përfundimit të procesit në nivel komunal. Deri më tani janë pranuar 2,119 zarfe nga votimi me kusht dhe 33,258 zarfe nga jashtë Kosovës.

Elezi theksoi se çdo hap po zhvillohet në mënyrë të hapur dhe të monitoruar, duke siguruar integritetin e procesit zgjedhor.