Abdixhiku: Zgjedhjet janë zgjidhja përfundimtare, askush nuk e ka shumicën

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit konsultativ që kanë pasur liderët e partive politike me presidenten Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Ai para mediave tha se nuk ka asnjë risi nga takimi.

“Patëm takim konsultativ, ne qëndruam në pozicionet aktuale që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik. Kjo është për keqardhje, nuk ka as brengë e as urgjencë nga partia LVV për këtë situatë. Kishte reflektim pozitiv nga partitë tjera për propozimin për qeveri të tranzicionit”, theksoi ai.

Abdixhiku tha se u mblodhën për të diskutuar gjëra e njëjta.

Ai po ashtu theksoi se është mirë që presidentja ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Zgjedhjet janë zgjidhja përfundimtare”, pohoi ai derisa tha se askush nuk e ka shumicën.

Përfundon pa zgjidhje takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të enjten me liderët e partive, kryetarët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Partisë Demokratike Memli Krasniqi, Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka sjellë ndonjë zgjidhje për ta tejkaluar ngërçin politik. Osmani tani do të ketë takime edhe me komunitetet pakicë.

Abdixhiku: S’jemi të interesuar ta vazhdojmë cirkun e 48-orëshit, presidentja t’i drejtohet Kushtetueses

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për të dalë me një zgjidhje për ngërçin politik. Pas takimit me presidenten dhe liderët e partive të tjera, ai ka thënë se gjendja mbetet e njëjtë, por ka theksuar se LDK-ja s’është e interesuar të vazhdojë me mbledhjet në Kuvend çdo 48 orë.

“Partitë qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik, nuk as iniciativë që do ta zhbllokojë këtë gjendje të tanishme. Kjo është për keqardhje dhe më së paku iniciativë nga partia e parë nënkupton se nuk ka as brengë e siç e pash në takim as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka theksuar se partitë e tjera, përveç LVV-së, e kanë pritur mirë idenë për qeveri tranzitore.

“Propozova dhe elaboruar idenë për qeverinë e unitetit për një periudhë të shkurt, kalimtare, me pika të qarta. Kishte reflektim pozitiv nga partitë tjera, përjashto partinë  e parë që nuk dha pozicion të qartë por as ide të tjera si të dilet nga kjo gjendje”, u shpreh ai.

“Kryesia e LDK-së do të mblidhet sot. Nuk jemi të interesuar të vazhdojmë me cirkun e çdo 48 orëve të mbledhjes. Është mirë që sa më parë presidentja të shqyrtoj dërgimin e kësaj çështjeje në Kushtetuese”.

Ai ka shtuar se si bllokada në Kuvend po ndodh sepse asnjëra parti nuk e ka shumicën.

“Partia e parë ka bllokuar kuvendin, nuk ec tutje për shkak të krizës procedurale, por në thelb kriza është politike. Asnjëra nuk ka shumicë politike në Kuvend, po të kishte shumicë do të zgjidheshin të gjitha çështjet”.

Dalin në shitje biletat për ndeshjen e 7 qershorit, Shqipëri – Serbi

Tanimë kanë dalë biletat në shitje për ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që zhvillohet më 7 qershor në “Air Albania”, përcjell albinfo.ch.

Për dallim nga herët e kaluara, tani për të blerë një biletë tifozët duhet të kenë fat, pasi do të jetë me përzgjedhje duke u regjistruar dhe duke plotësuar një formular. FSHF ka bërë me dije se afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.

Njoftimi i plotë nga FSHF:

Federata e Futbollit njofton të gjithë tifozët se është hapur procesi i aplikimit për rezervimin e biletave për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, e menaxhuar nga kompania t-ticket, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online.

Si të aplikoni:

Regjistrohuni në platformën ebileta.al duke përdorur adresën tuaj të e-mailit.

Zgjidhni tribunën e stadiumit.

Plotësoni të dhënat personale (emër, mbiemër, e-mail) në formularin përkatës.

Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.

Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit.

Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:

Afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.

Pas mbylljes së aplikimeve, do të zhvillohet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike, përmes shortit elektronik.

Blerja dhe marrja e biletave:

Të përzgjedhurit do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, gjatë periudhës 30 maj – 2 qershor 2025.

Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e regjistruar të e-mailit.

FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.

Raportime për rritje të vjedhjeve të biletave nga llogaritë SwissPass

Sipas SwissPass Alliance, hakerat arritën të hynin në disa llogari klientësh për të blerë bileta pa dijeninë e tyre, përcjell albinfo.ch.

Si rezultat i këtyre veprimeve, kompania ka thënë se siguria së shpejti do të përmirësohet për të parandaluar hakerimin e mëtejshëm: duke filluar nga mesi i majit (domethënë, tani), llogaritë e reja në pajisjet e reja do të duhet të përdorin autentifikimin me dy faktorë për të blerë një biletë.

Një kod sigurie i dërguar me email do të kërkohet gjithashtu për t’u kyçur në llogari.

Zvicra do të hapë infrastrukturën e saj hekurudhore për trenat e huaj

Si pjesë e paketës së re Zvicër-BE, Këshilli Federal ka negociuar me Bashkimin Evropian hapjen e transportit hekurudhor ndërkombëtar të pasagjerëve, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, hekurudhat evropiane që dëshirojnë të ofrojnë shërbime në Zvicër duhet të zbatojnë legjislacionin zviceran për orarin e punës, pushimet, si dhe përfitimet sociale; ato gjithashtu duhet të paguajnë paga standarde të industrisë në pjesët zvicerane të itinerarit.

Për më tepër, sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë të mërkurën, ato do të jenë të detyruara të zbatojnë sistemin zviceran të tarifave, për shembull duke njohur biletën e përgjithshme sezonale dhe gjysmën e tarifës.

Direktiva përcakton gjithashtu procedurat për monitorimin e dispozitave dhe ndëshkimin e shkeljeve.

Mërgimtari arrestohet në SHBA pasi hipi në aeroplan me armë

Së fundmi në raportin policor të Chicagos ka arrestuar Besnik Ismajlajn, 53 vjeç, shqiptar që banon në St. Charles, Illinois, pasi u fut i armatosur në aeroplan, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se mërgimtari arriti ta kalojë sigurinë e Aeroportit O’Hare më 15 prill, duke futur një armë të tipit Glock 9mm në çantën e dorës. Sipas autoriteteve, ai ka kaluar pikën e kontrollit gjatë turnit të ndërrimit të policëve, çka ka bërë të mundur shmangien e verifikimit të plotë.

Në videon e siguruar nga CBS News, Ismajlaj shfaqet duke qëndruar në klasën e parë kur oficerët e policisë hipin në aeroplan dhe e shoqërojnë jashtë. I pyetur nëse e dinte arsyen e ndërhyrjes, ai përgjigjet: “Po, është në çantën time”, ndërsa shton “E kam harruar”, sapo del nga aeroplani dhe i vendosen prangat.

Ismajlaj shihej i qetë dhe bashkëpunues gjatë gjithë ndërhyrjes, ndërsa policët i kontrollojnë çantën dhe gjejnë armën e ngarkuar brenda saj.

https://youtu.be/fRi2frGPieg

 

 

Britania e Madhe dhe Gjermania do të zhvillojnë së bashku armë me rreze veprimi mbi 2,000 kilometra

Bëhet e ditur se Britania e Madhe dhe Gjermania do të zhvillojnë së bashku një armë të re “me precizion të thellë” me një rreze veprimi që tejkalon 2,000 kilometra, tha qeveria britanike të enjten, ndërsa dy ekonomitë më të mëdha të Evropës rrisin bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, përcjell albinfo.ch.

lg.php.gif

Thuhet se projekti mbështetet në një angazhim të bërë vitin e kaluar për të zhvilluar armë të reja, kur të dy vendet nënshkruan një pakt dypalësh mbrojtjeje dhe theksuan nevojën që Evropa të jetë në gjendje të mbrohet nga çdo përshkallëzim i luftës në Ukrainë.

lg.php.gif

Që nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje, Donald Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe e bëri të qartë se pret që Evropa të marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet, duke shkaktuar një përleshje në kontinent për të gjetur mënyra për të nxitur industritë vendase të mbrojtjes.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey dhe homologu i tij gjerman Boris Pistorius do të njoftojnë projektin e ri të armëve me rreze të gjatë veprimi në një takim në Berlin.

“Në një botë më të rrezikshme, NATO dhe aleatët evropianë qëndrojnë të bashkuar”, tha Healey në një deklaratë.

“Ky partneritet po na ndihmon ta bëjmë mbrojtjen një motor për rritje  duke krijuar vende pune, duke rritur aftësitë dhe duke nxitur investimet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë”, shtoi Healey.

Ministrat pritet gjithashtu të diskutojnë prokurimin e përbashkët të torpedove për aeroplanët e patrullimit detar dhe zbulimit, dhe të njoftojnë një marrëveshje për blerjen e urave ushtarake të prodhuara në Britani nga Gjermania, thuhet në deklaratë.

Takimi Rama-Starmer, nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është mikpritës sot i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, e cila zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Kryeministri britanik Starmer u mirëprit në një ceremoni zyrtare, e cila vijoi me takimin kokë më kokë mes dy homologëve e më pas mes delegacioneve përkatëse, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Në kuadër të kësaj vizite dhe forcimit të bashkëpunimit mes vendeve u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta”  nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme te Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar  Nicholas Robert John Abbott.

U nënshkrua gjithashtu “Deklarata e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial”, nga Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Robert John Abbott.

Eurovisioni rikthehet sonte me gjysmëfinalen e dytë

Sonte mbahet gjysmëfinalja e dytë e Eurovisionit, ku 16 shtete do të garojnë për të siguruar 10 vendet e fundit në finalen e madhe, e cila zhvillohet të shtunën, më 17 maj, përcjell albinfo.ch.

Pas një hapjeje spektakolare të martën, festivali rikthehet me natën e dytë garuese, duke sjellë në skenë emocione, energji dhe performanca të nivelit të lartë. Artistë të talentuar nga mbarë Evropa do të ngjiten sonte në skenën e Bazelit, mes dinamikash të forta dhe tensioni konkurrues.

Shqipëria, e përfaqësuar këtë vit nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, është tashmë e kualifikuar për në finalen e madhe, pasi arriti të fitojë votat e publikut në gjysmëfinalen e parë, më 13 maj.

Tashmë, gjithë vëmendja e përfaqësuesve shqiptarë është përqendruar tek nata e finales, ku do të vendoset fituesi i këtij edicioni të Eurovisionit.

Më poshtë gjendet lista e shteteve që do të performojnë në gjysmëfinalen e dytë të mbrëmjes së sotme:

1 Australia: Go-Jo – Milkshake Man

2 Mali i Zi: Nina Žižić – Dobrodošli

3 Irlanda: EMMY – Laika Party

4 Letonia: Tautumeitas – Bur Man Laimi

5 Armenia: PARG – SURVIVOR

6 Austria: JJ – Wasted Love

Mbretëria e Bashkuar: Remember Monday  What The Hell Just Happened? (E kualifikuar automatikisht në finale)

7 Greqia: Klavdia – Asteromáta

8 Lituania: Katarsis – Tavo Akys

9 Malta: Miriana Conte – SERVING

10 Gjeorgjia: Mariam Shengelia – Freedom

France: Louane – maman (E kualifikuar automatikisht në finale)

11 Danimarka: Sissal – Hallucination

12 Çekia: ADONXS – Kiss Kiss Goodbye

13 Luksemburgu: Laura Thorn – La Poupée Monte Le Son

14 Izraeli: Yuval Raphael – New Day Will Rise

Gjermania: Abor & Tynna – Baller (E kualifikuar automatikisht në finale)

15 Serbia: Princ – Mila

16 Finlanda: Erika Vikman – ICH KOMME

Kompania me mbi 100 milionë përdorues kërcënon të largohet nga Zvicra

Shërbimi i koduar i postës elektronike të Gjenevës, Proton Mail, po kërcënon të largohet nga Zvicra nëse qeveria zbaton një ligj të ri të propozuar për mbikëqyrjen.

Themeluesi i kompanisë, Andy Yen, thotë se ligji tashmë është konsideruar i paligjshëm në BE dhe SHBA.

Kjo do të detyronte shërbimet e mesazheve, duke përfshirë WhatsApp, të ruajnë të dhënat e identifikueshme të përdoruesit, transmeton albinfo.ch.

Proton Mail ka mbi 100 milionë përdorues.

Yen i tha RTS se nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të largohej nga Zvicra dhe thotë se qeveria duhet të tregojë më shumë sens të përbashkët.

Ai shtoi se ligji është pothuajse saktësisht si ai në Rusi.

Gjenevë: Vazhdon debati i nxehtë për kufirin e shpejtësisë në 30 km/h

Në Gjenevë, beteja ligjore mbi kufijtë e shpejtësisë urbane po nxehet.

Tre grupe të lëvizshmërisë dhe mjedisit: Pro Vélo Genève, ATE dhe Actif-trafiC, kanë apeluar një vendim gjykate që anuloi kufirin e përgjithësuar të shpejtësisë 30 km/orë të qytetit, transmeton albinfo.ch.

Ata argumentojnë se shëndeti publik duhet të mbizotërojë mbi kundërshtimin e një oficeri të vetëm policie, sfida e të cilit çoi në rrëzimin e kufirit të shpejtësisë.

Shumë politikanë në qytet thonë se kufiri është i nevojshëm për të luftuar ndotjen akustike, e cila njihet si një problem serioz, në masën që autoritetet federale po kërkojnë akte të qytetit të Gjenevës.

Kancelari gjerman uron shqip Edi Ramën për mandatin e katërt

Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, përcjell albinfo.ch.

Nëpërmjet një statusi në platformën “X”, Merz shkruan për bashkëpunim të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Gjermanisë. Merz nuk ka nguruar të përdorë edhe gjuhën shqipe, teksa shkruan “Shumë urime” në postimin e tij.

“Urime, @ediramaal, për rizgjedhjen tuaj në Shqipëri. Shumë urime! Pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm dhe takimin tonë të parë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan Merz.

Numërohen rreth 62% e zarfeve të diasporës, kryeson PS me 65 mijë vota

Partia Socialiste vazhdon të kryesojë me një diferencë të thellë edhe me votat e diasporës. Sipas të dhënave të fundit nga KQZ, janë numëruar deri më tani 121,985 zarfe nga gjithsej 194,889, përcjell albinfo.ch.

PS ka marrë 65,327 vota, që përbëjnë 54.07% të totalit, duke ruajtur avantazhin edhe jashtë vendit.

Në vend të dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Madhe me 34,093 vota, që përkthehet në 28.22%.

Nga vota e diasporës Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, ka pësuar rritje të ndjeshme, por deri më tnai nuk ka arritur të sigurojë një mandat të dytë. Kjo forcë politike ka marrë 10,078 vota ose 8.34% të numrit total.

Partia Mundësia ka siguruar 4,489 vota (3.72%), ndërsa Lëvizja Bashkë ka arritur të marrë 3,223 vota (2.67%). Partia Socialdemokrate ka siguruar 1,455 vota, që përbëjnë 1.20%.

Rezultate më të ulëta kanë marrë subjektet e tjera, përfshirë Partinë Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës me 874 vota, Aleancën Kombëtare Shqiptare me 669 vota, Djathtas për Zhvillim me 359 vota, Lëvizjen Atdheu me 189 vota dhe Aleancën Demokracia e Re me vetëm 67 vota.

Një shqiptar zgjidhet nënkryetar i komunës Wylie, në Texas të SHBA-së

Bëhet e ditur se politikani shqiptar, Gino Mulliqi është zgjedhur nga anëtarët e këshillit për të shërbyer si zëvendëskryetar komune në qytetin e Wyliet në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Mulliqi, falënderoi kolegët e tij për besimin dhe mundësinë e dhënë për ta marrë përsipër rolin e nënkryetarit të komunës e cila ka rreth 60 mijë banorë.

“Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për ish-nënkryetarin e komunës, Tem Jeff Forrester, për shërbimin e tij dhe udhëheqjen e qëndrueshme. Jeff ka dhënë një shembull të fortë dhe jam mirënjohës për themelet që ka hedhur”, shkroi Mulliqi.

Ai është shprehur se është privilegj që t’i shërbejë komunitetit të qytetit të Wylie, teksa shtoi se është i përkushtuar që detyrën ta kryej me integritet, transparencë dhe bashkëpunim./Albinfo.ch

Dështon tentimi i 16-të për konstituimin e Kuvendit

Edhe një dështim, Kosova mbetet pa Kuvend të konsituuar, përcjell albinfo.ch.

Deputetët as për të 16-ën herë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Prapë nuk u votua formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
55 vota ishin për, një kundër dhe nuk pati abstenime.

Seanca u shty për 17 maj në orën 10:30.

Liderët evropianë mbërrijnë sot në Tiranë

Sytë e gjithë Europës drejtohen sot dhe nesër drejt Tiranës.

Këtë 15 maj, 47 liderë të Bashkimit Evropian dhe vendet partnere do të mbërrijnë në Tiranë, ku do të priten në një darkë nga Kryeministri Edi Rama një ditë para Samitit të Komunitetit Politik që do të mbahet më 16 maj, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, kryeministri britanik Keir Starmer, do të nisë një vizitë zyrtare bilaterale, ku pritet të zhvillojë dhe një takim “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama për të vijuar më pas me bisedimet mes dy delegacioneve.

Për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” (dhe pikat e tjera të kalimit kufitare PKK Hani i Hotit dhe PKK Morinë) në drejtim të Tiranës, Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash të cilat përfshijnë bllokime të akseve rrugore për automjetet e qytetarët.

Më datë 15.05.2025, nga ora 08:00 – 24:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në intervalin kohor të lëvizjes së  delegacioneve në aksin rrugor: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas, Hyrja te autostrada e re “Thumanë-Kashar”,  Autostrada “Durrës-Tiranë”, Mbikalimi i Kasharit , Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja”, Unaza e Re krahu i Astirit,  Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta”, Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër , Rruga e Elbasanit,  Hotel “Plaza”, Rruga “George W. Bush”, Rruga “28 Nëntori”, Rruga e Dibrës, Rruga “Urani Pano”, Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Presidentja Osmani nis konsultimet me liderët e partive

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot do të nisë takimet me liderët e partive, me të cilat synohet t’i jepet zgjidhje ngërçit politik, përcjell albinfo.ch.

Në ditën kur deputetët do të mblidhen për vazhdimin e 16-të me radhë të seancës konstituive, Osmani do t’i presë liderët në Presidencë. 

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike që janë ftuar nga presidentja kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen ftesës.

Vlen të theksohet se takimet nisin në orën 13:00. 

Kjo nuk është nisma e parë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, parti kjo që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, ftoi në takim liderët e dy subjekteve kryesore politike, Memli Krasniqin që e drejton Partinë Demokratike, si dhe Lumir Abdixhikun, i cili është në krye të Lidhjes Demokratike. Ftesës iu përgjigj pozitivisht vetëm Krasniqi, por takimi nuk ka prodhuar rezultat.

Kurti i ka dërguar dy herë letër Abdixhikut, për negociata koalicioni. Ato janë refuzuar.

Por, në përgjigje të letrës së dytë, Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzicioni me mandat deri në zgjedhjen e presidentit që bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Ideja është hedhur poshtë nga të gjitha subjektet politike.

Hera e 16-të, Kuvendi edhe sot përpiqet të konstituohet

Vazhdimi i gjashtëmbëdhjetë për konstituimin e seancës së legjislaturës së nëntë mbahet sot nga ora 10:30, përcjell albinfo.ch.

Pesëmbëdhjetë përpjekjet e deritanishme kanë dështuar për shkak se koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për kryetarin e ri të Kuvendit.

Maratona e seancës konstitutive, e cila assesi nuk po arrin të merr “dritën e gjelbër” vazhdon, ndërsa presidentja Vjosa Osmani do të takojë pasdite partitë politike për dalje nga ngërçi politik.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa po insistojnë që votimi për zgjedhjen e ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të re të legjislativit, të mbahet në mënyrë të fshehtë. Kjo çështje të hënën u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese.

Albulena Haxhiu, e propozuara e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa, ka dështuar gjashtë herë të merr votat e nevojshme, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA kanë shprehur kundërshtinë e tyre.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt, ndërsa rezultatet janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor më 27 mars.

Dy nxënës nga Kosova fitojnë nga 5 medalje në Paris

Nxënësit nga Kosova, Lijana Bejta dhe Amar Abdullahu kanë fituar nga 5 medalje në Paris në garën ndërkombëtare “Hi Lingua”, transmeton albinfo.ch.

Të dy nxënësit kanë treguar performancë të lartë në raport me shumë fëmijë të shteteve të botës.

Lijana Bejta fitoi 5 medalje në: Spelling Bee, Debate, Quiz Show, Ese, Provimi Final.

Ndërkohë edhe Amar Abdullahu gjithashtu fitoi 5 medalje: Debate, Quiz Show, Spelling Bee, Essay Writing, Final Exam

“ Dy nxënës të shkëlqyer të shkollës sonë, Lijana Bejta dhe Amar Abdullahu, përfaqësuan me krenari Kosovën në garën ndërkombëtare “Hi Lingua” të mbajtur në Paris  dhe u kthyen me plot medalje suksesi”, ka shkruar faqja e shkollës “Naim Frashëri” në Podujevë.

Suedia bashkë me Kosovare Asllanin drejt një suksesi historik

Kosovare Asllani, futbollistja me prejardhje nga Kosova dhe një nga emrat më të njohur të futbollit suedez, ka udhëhequr ekipin e saj, London City Lionesses, drejt një suksesi historik, përcjell albinfo.ch.

Me një barazim dramatik 2–2 ndaj Birmingham, ekipi siguroi ngjitjen në Super League, ligën më të lartë të futbollit për femra në Angli.

“Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin,” tha Asllani pas ndeshjes. Ky sukses vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku Asllani, së bashku me bashkëlojtarët e saj, përfshirë edhe bashkëkombëset suedeze Sofia Jakobsson dhe Julia Roddar, arritën të transformojnë ekipin në vetëm një vit.

Ky është një moment krenarie për Suedinë, për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e përkushtimit dhe bashkëpunimit.

Lexoni më shumë rreth këtij suksesi në artikullin e plotë nga Vimmerby Tidning:

https://www.vimmerbytidning.se/sport/fotboll/artikel/vimmerbytjejen-efter-dramatiken-sa-jadra-stolt/rx72mwgl?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR7cadpL7WtPM_WpNrBPHavUFPyYoxe9fZ0flzDWDkt4RoP8zl82YsEA7rVL1w_aem_xpQL7ftz_VRcsm7zb4w3rA

A do të ribashkohen Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka në Basel?

Xherdan Shaqiri e ka hapur derën. Por shtrohet pyetja se kush tjetër do të rikthehet te Baseli?

A do të ribashkohen Yann Sommer, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka në Basel?

Këto pyetje e bën gazeta zvicerane “Luzerner Zeitung”, përcjell albinfo.ch.

Gazeta e njohur zvicerane ka bërë një analizë se në çfarë rrethanash mund të bëhen bashkë Sommer, Shaqiri dhe Xhaka si dhe disa lojtarë tjerë që në të kaluarën kanë luajtur për Baselin.

“Ata luajtën së bashku për vite me radhë në ekipin kombëtar të Zvicrës. Bashkë ishin edhe te Baseli”, shkruan gazeta zvicerane.

Xhaka 32-vjeçar luajti nga viti 2009 deri në vitin 2012 për Baselin.

Sommer 36-vjeçar luajti nga dy periudha te Baseli. Fillimisht nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe 2010 deri në vitin 2014.

Xhaka më herët ka shprehur dëshirën në një të ardhme të kthehet te Baseli. Por aktualisht Galatasaray synon transferimin e mesfushorit të Leverkusenit.

Sommer është portier i parë i Interit.

Kthimi i Shaqirit te Baseli ishte i qëlluar. Ai udhëhoqi Baselin drejt titullit të 21-të në histori të klubit. Ndikimi i Shaqirit në suksesin e Baselit ishte i madh. Ai mund të ketë ndikim edhe në kthimin e shumë yjeve tjerë të futbollit, që në të kaluarën kanë luajtur për Baselin dhe skuadrat tjera zvicerane.

Shaqiri për Baselin kishte luajtur nga viti 2010 deri në vitin 2012. U rikthye në gusht të vitit të kaluar.

Një në katër makina të shitura në botë këtë vit pritet të jetë elektrike

Bota po lëviz drejt një epoke të re në industrinë automobilistike: automjetet elektrike janë gjithnjë e më të pranishme në rrugët e botës dhe këtë vit pritet të shënohet një rekord i ri. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), më shumë se 25% e të gjitha automjeteve të shitura në rang global gjatë vitit 2025 do të jenë elektrike,  një shifër që përfaqëson më shumë se 20 milionë njësi.

Ky zhvillim ndodh në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, ndërsa sektori i automobilave përjeton presione të ndryshme. Megjithatë, sipas raportit vjetor “Global EV Outlook”, kërkesa për automjete elektrike po vazhdon të rritet me ritme mbresëlënëse, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2024, shitjet globale të EV-ve tejkaluan 17 milionë, duke përfaqësuar për herë të parë mbi një të pestën e tregut. Kina ruan pozicionin udhëheqës në këtë transformim, me mbi 11 milionë makina elektrike të shitura vitin e kaluar  aq sa ishte i gjithë tregu global vetëm dy vite më parë.

Ndërkohë, tregjet në zhvillim si Azia dhe Amerika Latine kanë parë një rritje të shitjeve deri në 60%, duke treguar se vala e elektrifikimit po përhapet përtej vendeve të zhvilluara. Në SHBA, rritja ishte më e moderuar, rreth 10%, ndërsa në Evropë shitjet stagnuan, ndikuar nga dobësimi i stimujve financiarë.

Një fenomen interesant po ndodh në Kinë: dy të tretat e EV-ve të shitura aty janë më të lira se makinat me motorë tradicionalë, edhe pa subvencione shtetërore. Në vende të tjera, ky hendek në çmim vazhdon të jetë një pengesë për përhapjen masive të automjeteve elektrike.

Në tre muajt e parë të këtij viti, rritja vjetore e shitjeve arriti 35%, duke e bërë të qartë se tregu është në ngritje të qëndrueshme. Çmimet e përballueshme dhe kostot më të ulëta të mirëmbajtjes i bëjnë EV-të një alternativë gjithnjë e më tërheqëse  edhe nëse çmimet e naftës bien ndjeshëm, drejtimi i një makine elektrike mbetet më i lirë në shumë tregje.

“Automjetet elektrike po bëhen pjesë e realitetit tonë të përditshëm, dhe ritmi i rritjes së tyre flet qartë për të ardhmen e industrisë,” tha Fatih Birol, Drejtor Ekzekutiv i IEA. “Ne presim që këtë vit, një në katër makina të shitura në botë të jetë elektrike. Deri në fund të dekadës, ky raport mund të shkojë në dy nga çdo pesë.”

Ky ndryshim nuk është thjesht teknologjik  ai është transformues për mënyrën se si e përfytyrojmë transportin dhe ndikimin e tij në mjedis, ekonomi dhe jetën tonë të përditshme.