Gratë dhe trashëgimia: Ligji thotë po, por tradita vazhdon të thotë jo edhe për të rinjtë

Hana është 35 vjeçe – jeton e punon në Prishtinë, ka ndërtuar një jetë të qëndrueshme, por nuk ka asnjë pronë në emrin e saj. As nga prindërit. As nga familja e burrit me të cilin jeton. Jo se nuk i takon, por se nuk e ka kërkuar kurrë.

“Jo, nuk e kam kërkuar dhe as që e kërkoj”, thotë ajo e qetë. “Pasuria i takon vëllait. Unë dhe motrat jemi të martuara, kemi shtëpi. Kjo mjafton”.

Hana – identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – ka tri motra dhe një vëlla.

Prona e prindërve të tyre përfshin një shtëpi me rreth 20 ar tokë në periferi të Prishtinës dhe katër hektarë tokë bujqësore në një fshat të rajonit.

Ligjërisht, ajo ka të drejtë në një pjesë të barabartë, por, në realitet, as që e mendon hisen.

Teka flet për REL-in, madje, heziton edhe të identifikohet, jo për shkak të ligjit, por të familjes.

“Nëse vëllai e kupton se po flas për këtë çështje, ndihet keq”, thotë Hana.

Ajo e pranon se prona është siguri – por një siguri që ka mësuar ta shohë si diçka që nuk i përket.

“Nëse vëllai do të ma jepte vullnetarisht pjesën që më takon, do ta pranoja, sepse prona është siguri financiare, por ndryshe jo”, thotë ajo.

Rasti i Hanës nuk është përjashtim, por gati se rregull, madje edhe te brezi më i ri.

Kur trashëgimia është tabu

Në Kosovë, shumë gra nuk i gëzojnë të drejtat pronësore, jo për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të mentalitetit.

Tradita ende e sheh pronën familjare si trashëgimi të djemve.

Gjatë raportimit, Radio Evropa e Lirë ka hasur shpesh në refuzimin e grave për të folur për këtë temë.

Arsyeja është e njëjtë: trashëgimia nuk diskutohet në familje.

Sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në Prishtinë, të publikuar në shtator të vitit të kaluar, rreth 45 për qind e grave që përfshihen në procese gjyqësore, heqin dorë nga trashëgimia.

Tërheqja shpesh paraqitet si “vullnetare”, por në realitet është rezultat i presionit shoqëror, frikës nga prishja e marrëdhënieve familjare dhe normave tradicionale që nuk i trajtojnë gratë dhe burrat si të barabartë.

Raporti bazohet në monitorimin e 60 kontesteve pronësore në gjashtë gjykata themelore të Kosovës, që përfshijnë gra dhe komunitete joshumicë.

E, më shumë se gjysma e rasteve lidhen me trashëgiminë ose ndarjen e pasurisë pas divorcit.

Kur burrat vendosin sa “mjafton” për gratë

Autorja e këtij raporti, Dea Fetiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë shpesh heqin dorë nga trashëgimia edhe përmes marrëveshjeve joformale, ose për shkak të premtimeve që nuk realizohen kurrë.

Por, sipas saj, më shqetësuese është ideja e rrënjosur se burrat kanë të drejtë të vendosin vetë se sa duhet të trashëgojë një grua.

“Gjatë monitorimit kemi hasur raste kur vëllezërit i kanë dhënë motrës një banesë dhe kanë deklaruar se ajo nuk ka më të drejtë të përfshihet në ndarjen e pasurisë së prindërve. Arsyetimi ishte se ajo është ‘rehatuar’ me pjesën që ata kanë vendosur t’ia japin”, shpjegon Fetiu.

Sipas saj, pavarësisht narrativëve të ndryshëm, emëruesi i përbashkët mbetet i njëjtë: dominimi i vlerave patriarkale.

“Mentaliteti patriarkal vazhdon të mos i trajtojë gratë dhe burrat si titullarë të barabartë të pronës, e sidomos të pronës së trashëguar”, thotë Fetiu.

“E pangopshme” nëse kërkon të drejtën

Sociologu Besim Gollopeni nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë të Jugut thotë se gratë që kërkojnë pjesën e tyre të trashëgimisë, shpesh stigmatizohen.

“Nëse një motër kërkon pjesën që i takon, ajo etiketohet si ‘e pamëshirshme’ ose ‘e pangopshme’”, thotë ai.

“Kjo qasje ka bërë që gratë të heshtin dhe trashëgimia të mbetet temë tabu, ndonëse është e drejtë ligjore”.

Sipas Gollopenit, edhe roli i institucioneve të drejtësisë ka ndikim dekurajues.

“Procedurat janë të gjata, zvarriten, dhe në disa raste gratë heqin dorë, sepse procesi bëhet i padurueshëm”, thotë ai.

Drejtësia që vonon, gratë që dorëzohen

Raporti i GLPS-së konstaton se sistemi gjyqësor në Kosovë përballet me sfida strukturore, teknike dhe njerëzore, të cilat e kufizojnë qasjen e grave në drejtësi.

Nga 24 raste të monitoruara, mesatarisht duhen rreth katër vjet – ose 1.454 ditë – që një çështje të nisë të shqyrtohet.

Edhe pas seancës së parë, proceset zvarriten për shkak të shtyrjeve të shpeshta.

“Nga 170 seanca të monitoruara, 55 janë shtyrë dhe disa janë anuluar krejtësisht”, thotë Fetiu. “Këto vonesa i dekurajojnë gratë të kërkojnë ndarjen e trashëgimisë”, sipas saj.

Çka thuhet në Kushtetutë?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën e pronës për të gjithë qytetarët dhe ndalon çdo privim arbitrar të saj.

Ajo e vendos barazinë dhe mosdiskriminimin në themel të rendit kushtetues, duke e bërë të qartë se gratë dhe burrat janë të barabartë edhe në të drejtat pronësore.

Për më tepër, Kushtetuta inkorporon drejtpërdrejt instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kanë përparësi ndaj ligjeve në rast mospërputhjeje, duke e bërë barazinë gjinore jo vetëm parim moral, por detyrim juridik.

A po ndryshon brezi i ri?

Sociologu Gollopeni beson se ndryshimi duhet të nisë nga brezi i ri dhe nga familja.

“Të rinjtë duhet të jenë shembull në zbatimin e ligjit. Kjo temë duhet të diskutohet edhe në shkolla, por ndryshimi real nis nga prindërit”, thotë ai.

Megjithatë, jo të gjitha të rejat shprehen të sigurta se do ta kërkojnë trashëgiminë familjare.

Dea Gashi, Laura dhe Aurela – që të gjitha studente nga Prishtina – thonë për Radion Evropa e Lirë se hezitojnë kur bëhet fjalë për pasurinë e prindërve, por janë më të vendosura për pasurinë e krijuar në martesë.

“Nëse kontribuojmë të dy, pasuria duhet të jetë e përbashkët”, thotë Dea. “Nëse e blej vetë pronën me paratë e mia, ajo do të jetë vetëm në emrin tim. Ose nëse ai e blen vetë, nuk do të insistoj të jem bashkëpronare”, shton ajo.

E, Argjend Azizi, 22 vjeç, shprehet i bindur se motra e tij e vetme nuk do të përjashtohet nga trashëgimia familjare, ndërsa në martesë thotë se pasuria duhet të jetë e përbashkët.

“Vetëm kështu rritemi si çift dhe kontribuojmë në mënyrë të barabartë. Kontributi i asnjërit nuk mund të tjetërsohet”, shprehet ai.

Si është gjendja në botë?

Në një raport të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thuhet se kufizimet ligjore që pengojnë të drejtat e grave për trashëgimi, mbeten të përhapura.

Në 36 vende të Afrikës dhe Azisë, vajzat nuk trashëgojnë të njëjtat të drejta si djemtë, ndërsa në 37 vende të tjera, gratë e veja nuk gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat.

Për më tepër, në më shumë se gjysmën e vendeve të analizuara, ligjet joformale dhe zakonet krijojnë dallime të qarta midis gjinisë në trashëgimi.

Shifra që tregojnë ndryshim të ngadaltë

Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në vend janë të regjistruara 656.430 prona.

Rreth 77 për qind janë në emër të meshkujve, ndërsa vetëm 21 për qind figurojnë në emër të grave, ose në emër të përbashkët të bashkëshortëve.

Regjistrimi i pronave në emër të përbashkët ka filluar të rritet pas vitit 2016, pas hyrjes në fuqi të një udhëzimi administrativ që e stimulon këtë praktikë. Ky udhëzim do të zbatohet deri në mars të vitit 2028.

Leonora Selmani, nga Agjencia për Barazi Gjinore, thotë se ky mekanizëm ka dhënë rezultate pozitive.

“Në vitin 2016 kishte vetëm 105 prona të regjistruara në emër të përbashkët. Sot, ky numër është rritur ndjeshëm”, thotë ajo, pa specifikuar më shumë.

Por Hana, që nuk ka përfituar asnjëherë nga pasuria e familjes dhe nuk ka pronë në emër të saj, e sheh jetën ndryshe.

“Shtëpia është në emër të burrit dhe kjo nuk më pengon”.

“Asnjëherë nuk kam kërkuar që të regjistrohet në emër të përbashkët. Ndoshta… sepse jam mësuar të mos kërkoj pronë”, përfundon 35-vjeçarja./REL

Ndalimi i burkinit në Gjenevë u bllokua pasi qeveria e shpalli propozimin të paligjshëm

Një propozim për të ndaluar në mënyrë efektive burkinin në pishinat publike të Gjenevës u bllokua pasi qeveria kantonale e shpalli atë të paligjshëm.

Në Gjenevë, shumica e krahut të djathtë në parlamentin kantonal ishte gati të miratonte një projektligj që rregullonte rrobat e banjës në pishinat publike, një veprim që do ta kishte ndaluar në mënyrë efektive burkinin. Por qeveria kantonale ndërhyri, duke e shpallur propozimin të paligjshëm dhe duke ndaluar procesin duke anuluar debatin përfundimtar.

Çështja pritet të kthehet në parlamentin kantonal në një seancë të ardhshme, pasi ekzekutivi tani duhet të paraqesë alternativa në përputhje me ligjin. Carole-Anne Kast, anëtare e qeverisë kantonale dhe drejtuese e Departamentit të Institucioneve, e kritikoi projektligjin, duke e quajtur atë “plotësisht joproporcional dhe një shkelje të hapur të të drejtave dhe lirive të grave”.

Parlamenti kantonal fillimisht kishte debatuar një propozim të paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane për të futur dënime për veshjen e burkinit në pishinat publike. Anëtarja e Partisë së Gjelbër, Dilara Bayrak, e dënoi atë si “një projektligj seksist dhe ksenofob”. Duke e quajtur debatin të padenjë për kantonin, ajo kërkoi që gratë të jenë të lira të vishen sipas dëshirës, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Qeveria paralajmëron për kufizime joproporcionale

Yves Nidegger, nga Partia Popullore Zvicerane, argumentoi se “ne jetojmë në një shoqëri ku gratë nuk kanë nevojë të mbulohen për të shmangur sulmet”. Me këtë, toni i debatit, jo i pari i këtij lloji në parlamentin e Gjenevës, u vendos. Por procedurat shpejt u zhvendosën në një territor më teknik.

Shumica, e përbërë nga Partia Popullore Zvicerane, Partia Radikale-Liberale, Partia e Qendrës dhe pothuajse të gjithë anëtarët e Lëvizjes Qytetare të Gjenevës, mbështetën një amendament nga Qendra. Propozimi, i paraqitur nga Alia Chaker Mangeat, riformuloi tekstin origjinal si një projektligj të ri për pishinat dhe banjot publike, duke anashkaluar çështjen e ndalimit të burkinit përmes ligjit penal. Shumica e ligjvënësve e konsideruan të tepërt një rrugë të ligjit penal.

Amendamenti specifikon se “veshja e vetme e lejuar në pishina është rroba banje me një ose dy pjesë që nuk shtrihen nën gju dhe i lënë krahët të zbuluar”. Në praktikë, kjo përjashton burkinin. “Hapësirat publike duhet të jenë vende emancipimi, jo presioni”, tha Mangeat, e cila shprehu shqetësim për një ringjallje të qëndrimeve konservatore.

Kur u shty për të mbajtur një debat të tretë, hapi i nevojshëm për një votim përfundimtar, Kast shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, ajo vuri në dukje një sërë ndërlikimesh praktike dhe ligjore që, tha ajo, e bënin projektligjin të pazbatueshëm, duke përfshirë autonominë e komunave dhe kostot e lidhura me zbatimin e rregullave.

Spiropali viziton katedrën e Albanologjisë në Munih

Gjatë qëndrimit të saj në Munih, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut.

“Në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut u riafirmua një lidhje e fortë midis Shqipërisë dhe Evropës përmes dijes dhe diplomacisë.”, shkruan ministrja, transmeton albinfo.ch.

Spiropali u prit nga zv.presidentja e LMU-së për Humanitetet, Carola Metzner-Nebelsick, dhe drejtuesja e katedrës, Enkeleida Kapia, anëtarë të dekanatit, profesorë, studentë e alumni.

Ata diskutuan për rëndësinë historike, akademike dhe politike të kësaj katedre qysh prej themelimit të saj, pothuajse 60 vite më parë, nën drejtimin e Martin Camaj, me mbështetjen e shtetit bavarez ndër dekada, tanimë edhe me mbështetjen e kryeministrit Rama dhe shtetit shqiptar.

“Ka qenë edhe roli i padiskutueshëm i kësaj katedre në marrëdhëniet që Shqipëria ka pasur historikisht me Evropën, botën politike dhe kulturore, puna e rëndësishme kërkimore-shkencore në të kaluarën deri sot, që e kanë shndërruar Albanologjinë në Munih në një urë të qëndrueshme dijeje, dialogu dhe bashkëpunimi”, shprehet ministrja.

Sipas saj, kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën evropiane, si dhe “një dëshmi se rrugëtimi ynë evropian është ndërtuar jo vetëm përmes politikës, por mbi themele të forta identitare, akademike e kulturore.”

Trump nuk ka hequr dorë nga Groenlanda

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të ketë interesim shumë serioz për ta marrë Groenlandën.

Megjithatë, ajo ka përsëritur thirrjet se sovraniteti kombëtar duhet të respektohet, duke shtuar se populli i Groenlandës tashmë e ka bërë të qartë se nuk duan të bëhen amerikanë.

“Mendoj se dëshira nga presidenti amerikan është ende e njëjtë”, ka thënë ajo në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Frederiksen është shprehur e hapur për të diskutuar për rritjen e sigurisë në Arktik, por ajo ka thënë se ka kufi edhe në këtë çështje, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

E pyetur nëse ajo është e gatshme ta caktojë një çmim për ishullin, nëse Trumpi vazhdon të bëjë presion, kryeministra daneze ka mohuar mundësitë.

“Sigurisht që jo. A mund t’ia caktoni ju çmimin një pjese të Spanjës, ose të SHBA-së, ose të cilësdo pjesë të botës?” është përgjigjur ajo.

Trump ka shkundur aleancat me partnerët e SHBA-së pas kërkesës për të marrë ishullin nën administrimin e Danimarkës. Megjithatë, ai i ka zbutur qëndrimet që nga fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, kur njoftoi për dakordësinë me sekretarin e NATO-s, Mark Rutte mbi “një kornizë për një marrëveshje për Groenlandën”.

Skitatorja nga Shqipëria kualifikohet në finale, ajo e Kosovës del nga shtegu

Lara Colturi debuton në Lojërat Olimpike Dimërore me një paraqitje të shkëlqyer në lëshimin e parë, duke shënuar kohën 1:03.97 në sllallomin gjigant.

Skiatorja kuqezi ka bërë një garë shumë të mirë dhe ka siguruar kualifikimin për në lëshimin e dytë.

Lara Colturi ka mbyllur në vendin e katërt lëshimin e parë dhe shanset për një medalje historike janë me të vërtetë të mëdha, transmeton albinfo.ch.

Pas Lara Colturit në garën e sotme në slalomin gjigant në Lojërat Olimpike, Milano Cortina 2026, ka debutuar edhe skiatiorja tjetër kuqezi, Semire Dauti.

18-vjeçarja ka kaluar me sukses lëshimin e parë, duke zënë vendin e 52-të në renditjen e përgjithshme dhe ka siguruar një vend në lëshimin e dytë, që do të nisë në orën 13:30.

E pafat skiatorja kosovare Kiana Kryeziu gabon në lëshimin e parë në sllallomin gjigant dhe për pasojë nuk arrin që të kualifikohet në finale.

Cilat janë sfidat e Qeverisë Kurti 3?

Albin Kurti e fitoi besimin e votuesve me një diskurs të fortë për sovranitetin e Kosovës dhe barazinë si shtet.

Por, mandatin e ri si kryeministër e nis në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike janë të brishta dhe sfidat gjeopolitike të reja. Ata që e vëzhgojnë, thonë se është thelbësore për Kurtin që ta rikthejë besimin e aleatëve dhe t’i shmangë hapat surprizë – në të kundërtën, rreziqet janë serioze.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke marrë mbi 51% të votave dhe duke thyer rekordin e saj. Pas muajsh bllokade politike, për shkak se zgjedhjet e shkurtit 2025 nuk i dhanë të njëjtin sukses, Kurti u rizgjodh kryeministër më 11 shkurt dhe u zotua se mandati i tij i ri do të fokusohet në rezultate konkrete dhe qeverisje efektive për qytetarët, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

“Mandati të cilin po e kërkojmë, është mandat pune, drejtësie dhe dinjiteti për secilin. Mandat sigurie dhe begatie për të gjithë”, tha Kurti natën kur u votua Qeveria e tij.

Gjatë prezantimit të kabinetit të ri, Kurti bëri një bilanc të mandatit të kaluar, duke theksuar arritjet në ekonomi, siguri dhe demokraci, dhe paraqiti prioritetet e ardhshme në arsim, mirëqenie sociale dhe energji.

Në politikën e jashtme, ai nënvizoi se do të punojë me këdo mbi bazën e respektit të ndërsjellë, se aleancat me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n mbeten të palëkundura, dhe se normalizimin me Serbinë do ta ndjekë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ.

“Siç kemi vepruar në katër vjetët e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme”, tha Kurti.

Kurti shërbeu për disa javë si kryeministër edhe në vitin 2020, por ajo qeveri u rrëzua pas mospajtimeve mes partnerëve të koalicionit rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.

E, mandati i tij i plotë, që pasoi më vonë, u karakterizua thellësisht nga vendosmëria për të shtrirë autoritetin e institucioneve të Kosovës në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – ku për vite me radhë nuk janë zbatuar vendimet e Prishtinës zyrtare.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave, Qeveria e tij arriti t’i zëvendësojë targat serbe të makinave me targa të Kosovës, të heqë nga përdorimi dinarin serb dhe të mbyllë shumicën e institucioneve paralele të Serbisë, të cilat funksiononin që nga paslufta dhe punësonin mijëra persona.

Këto vendime – thelbësore për vizionin e tij për një Kosovë sovrane – tensionuan ndjeshëm raportet me aleatët. BE-ja dhe SHBA-ja i cilësuan si hapa të pakoordinuar, me pasoja për komunitetin serb.

Përplasjet mes tyre u shoqëruan edhe me paralajmërime nga Uashingtoni për përkeqësim të partneritetit dhe me masa ndëshkuese ndaj Kosovës – edhe pse, sipas Kurtit, ato ishin thjesht mospajtime mes miqsh.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha se shpreson se do të punojë me Qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë: paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se është krijuar një momentum i ri për të çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Disa vëzhgues vlerësojnë se dialogu me Serbinë duhet të jetë prioritet kryesor i agjendës së jashtme të Kurtit, pasi prej tij varet hapja e Kosovës dhe përparimi i saj drejt integrimeve evropiane.

Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin Agder në Norvegji, thotë se sovraniteti nuk nënkupton vetëm aftësinë për të ruajtur kufijtë, por edhe aftësinë për të marrë vendime në interesin më të mirë të vendit. Sipas tij, dialogu nuk duhet parë si proces që favorizon Serbinë, por si mjet strategjik për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Implementimi i njëanshëm i marrëveshjeve do ta vendoste Kosovën në një pozitë avantazhi, edhe në raport me BE-në, por edhe me Serbinë. Kosova, deri më tash, ka ndjekur atë që ka bërë Serbia: moszbatimin e marrëveshjeve”, thotë Hoxha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Dy vendet nuk zhvilluan ndonjë takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Vazhdimi i dialogut u bllokua pas sulmit në Banjskë, pasi Kurti e lidhi atë me dorëzimin e autorit të dyshuar, Millan Radoiçiq – veprim të cilin Serbia nuk e bëri.

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, thotë se zbatimi i obligimeve të Kosovës në dialog, nuk është për Serbinë, por për të fituar besimin e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm kështu, sipas tij, Kosova mund të hapë rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe më pas drejt kandidaturës për në BE – çështje për të cilat vendosin vetë vendet e BE-së, e jo Beogradi. “Ne duhet ta dimë se me Serbinë, përvoja tregon se mund të arrish marrëveshje dhe të fillosh t’i zbatosh, por nuk duhet pritur prej saj se do t’i zbatojë të gjitha pikat ashtu siç merresh vesh, sepse Serbia e ka stilin negociues të Rusisë në raport me Kosovën. Pra, ti mendon që ke arritur një marrëveshje dhe papritmas e sheh veten në mes të oqeanit”, thotë Peci për Exposenë.

Peci nënvizon se, në këtë kontekst, hapat e parë duhet të jenë dërgimi i draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe – çështje që janë të brendshme, por me ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas tij.

“Kosovës i duhet tani të mos ndërmarrë veprime prapa shpinës së aleatëve, veçanërisht për çështjet e veriut dhe komunitetit serb. Rindërtimi i besimit me Perëndimin do të kërkojë kohë, pasi qëndrimi i tij pas humbjes së besimit në Qeverinë e Kosovës, do të testohet në muajt në vijim”, thotë Peci.

Raportet transatlantike janë në një pikë të ulët, të tensionuara nga një varg çështjesh – nga pasiguria mbi mbështetjen për Ukrainën dhe situata në Gazë, tek interesat amerikane për Grenlandën.

Ndaj, Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, sugjeron që Kosova t’i menaxhojë me kujdes marrëdhëniet me SHBA-në dhe të forcojë pozicionin e saj në Evropë, duke synuar njohjen nga pesë vendet që nuk e kanë njohur ende dhe duke u paraqitur si një aset për një BE më të unifikuar dhe të qëndrueshme.

“Duhet t’i shohë Kosova interesat e saj afatgjata, në funksion të garantimit të pavarësisë së saj dhe aftësisë për të qenë shtet demokratik dhe vetëqeverisës. Dhe tani… do të thosha se kjo është më e mundshme përmes Evropës – edhe pse është e dhimbshme ta pranojmë – sesa përmes Shteteve të Bashkuara, nën menaxhimin aktual”, thotë Bassuener për Exposenë.

Ai shton se Kosova duhet të jetë e hapur ndaj partnerëve të rinj që mund të forcojnë pavarësinë dhe sigurinë e saj, por duke ruajtur gjithmonë përputhshmërinë me aspiratat evropiane.

Hoxha, në anën tjetër, insiston që Kosova të jetë më proaktive me SHBA-në, duke iniciuar vetë çështje në interes të saj. “Nuk duhet Kosova të refuzojë qëndrime që vijnë nga Shtëpia e Bardhë në interesin e Kosovës. Ajo duhet të shohë më përtej. Kemi pasur një seri ndërhyrjesh nga Departamenti amerikan i Shtetit gjatë mandatit të kaluar, të cilat janë refuzuar në mënyrë kategorike dhe kanë shkaktuar përçarje mes dy vendeve”, thotë Hoxha.

E, derisa politikanët diskutojnë për strategji dhe marrëdhënie ndërkombëtare, për prioritete e vendime, qytetarët e zakonshëm e ndjekin jetën me shqetësime krejt tjera: nga pensionet dhe sigurimet shëndetësore deri te shërbimet e përditshme që ndikojnë në xhepin e tyre. Ata duan që politika e Qeverisë së re Kurti të përkthehet në përmirësime konkrete, por shpresa, për fat të keq, është më e hollë se dëshira.

“Kemi shumë gjëra që duhen rregulluar, por mendoj se një prej prioriteteve do të duhej të ishte sigurimi shëndetësor, çështja e pensioneve, të aktivizohet edhe Trepça, t’u jepen mundësi të rinjve të qëndrojnë këtu, e jo ta shohin largimin si rrugëdalje”, thotë Albulena Billalli nga Prishtina.

“Punësimi më së pari, të krijohen më shumë vende pune për kuadro të reja, sepse kemi ngecje në aspektin e punësimit”, thotë Shqipe Klinaku.

Jeremije Aksentijeviq nga Mitrovica e Veriut thotë se Qeveria e re duhet të kujdeset më shumë për popullsinë e moshuar, e cila “mezi ia del deri në fund të muajit”.

“Ne të gjithë i kemi dokumentet e Kosovës, letërnjoftimet, pasaportat, te gjitha…”, shprehet ai.

Në skenarin më optimist, mandati i Qeverisë Kurti 3 zgjat deri në vitin 2030, kur disa vende fqinje mund të jenë anëtarësuar në BE – së paku sipas sinjaleve të Brukselit për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Kosova mbetet e vetmja në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për BE, edhe pse Kurti e përshkruan vendin si “më demokratikun në rajon”, me pasaportën “më të fortë se kurrë”.

Për ekspertë si Lulzim Peci, kjo nuk mjafton – ata paralajmërojnë se pa koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Kosova rrezikon të mbetet e izoluar – një pasojë e rrezikshme kjo në një skenë ndërkombëtare të paqëndrueshme.

Asllani i lumtur për golin dhe formën në skuadrën e Hoffenheimit

Fisnik Asllani është i lumtur që është kthyer te goli dhe formën që po kalon në skuadrën gjermane.

“Është fitore e merituar, edhe me këtë diferencë golash. Ishim pak të pafat në pjesën e parë, por kemi shpërblyer veten në të dytën. ‘Ne’ është parësore në ekipin tonë. Kemi përvetësuar rutinat tona”, ka thënë Asllani, shkruan faqja zyrtare e Hoffenheimit.

Asllani ka lënë të kuptohet se është përshtatur shumë mirë në skuadër, transmeton albinfo.ch.

“Ndonjëherë e pasoj topin me sy mbyllur, pasi e di saktësisht se ku është dikush. Kur punët shkojnë mirë, natyrisht shumë gjëra janë më të lehta. Por duhet të punosh për këtë”, ka theksuar ylli shqiptar.

Albian Hajdari në mbrojtje dhe Leon Avdullahu në mesfushë janë pjesë e pandashme e formacionit startues te Hoffenheimi, njëjtë si te Kosova.

Goli i tij është lajm i mirë për tifozët e Kosovës, pak më shumë se një muaj para ndeshjes me Sllovakinë.

Xhoxhaj triumfon në Gjermani

Boksieri shqiptar Labinot Xhoxhaj e ka mbrojtur titullin e kampionit evropian në EBU, në kategorinë e rëndë.

Ai fitoi me nokaut ndaj suedezit Pezhman Seifkhani në një meç të zhvilluar në Gjermani.

Tani Xhoxhajt i hapet rruga drejt një lufte për titull të kampionit të botës.

32-vjeçari ka 22 fitore në karrierën e tij. Ka edhe një humbje, transmeton albinfo.ch.

Xhoxhaj është kampion nga nëntori i vitit 2024.

Ylli Rita Ora, pjesë e himnit zyrtar të “Open Masters Games Abu Dhabi

“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” prezantoi himnin zyrtar “Rise Up (The Anthem)”, një version i ri global i këngës ikonike “Rise Up” të Andra Day, me pjesëmarrjen e yllit ndërkombëtar Rita Ora, e cila ishte ndër figurat qendrore të këtij projekti muzikor që mishëron vlerat e unitetit, këmbënguljes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Krahas Rita Orës, në këtë interpretim të veçantë marrin pjesë edhe Leona Lewis, Carole Samaha dhe këngëtari emiratian Rashed AlNuaimi, duke krijuar një bashkëpunim artistik që pasqyron diversitetin kulturor të sportistëve pjesëmarrës në eventin më të madh multisportiv të këtij lloji në rajon.

Himni është prodhuar nga producenti amerikan Harvey Mason Jr., CEO i The Recording Academy, në bashkëpunim me kompozitorin emiratian Ihab Darwish, transmeton albinfo.ch.

Projekti ndërthur orkestrimin perëndimor me elemente autentike të muzikës emiratiane, duke bashkuar tekstet në anglisht dhe arabisht në një aranzhim që ruan frymën e këngës origjinale dhe thekson identitetin global të Lojërave.

“Rise Up (The Anthem)” u interpretua për herë të parë live gjatë Ceremonisë së Hapjes më 6 shkurt, në një moment që simbolizoi reziliencën dhe arritjet kolektive të sportistëve nga mbarë bota.

Duke folur për përfshirjen e saj në projekt, Rita Ora theksoi se disiplina dhe qëndrueshmëria janë thelbësore si për sportistët ashtu edhe për artistët, duke e cilësuar eksperiencën në Abu Dhabi si të jashtëzakonshme dhe frymëzuese.

Edhe Leona Lewis vlerësoi mesazhin e këngës, duke theksuar se sporti dhe arti nuk njohin moshë apo kufij, ndërsa Carole Samaha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në një event me përmasa globale.

Rashed AlNuaimi, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për një jetë aktive dhe të shëndetshme si themel i zhvillimit shoqëror.

Projekti u realizua nën drejtimin e Taymoor Marmarchi, Drejtor Global Menaxhues i The Recording Academy, i cili më parë ka drejtuar produksione muzikore për evente madhore në Abu Dhabi, përfshirë Special Olympics World Games dhe COP28.

Videoklipi zyrtar është publikuar në kanalin YouTube të “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” dhe kënga është e disponueshme në platformat kryesore globale të transmetimit muzikor, duke i dhënë publikut në mbarë botën mundësinë të përjetojë mesazhin frymëzues të “Rise Up (The Anthem)”.

Kur është koha më e mirë për ta vizituar Shqipërinë

Revista prestigjioze e udhëtimeve Lonely Planet ka publikuar një analizë të re për kohën më të mirë për të vizituar Shqipërinë, duke theksuar se vendi ofron eksperienca turistike gjatë gjithë vitit, por periudhat më të favorshme mbeten pranvera dhe vjeshta.

Shqipëria ka qenë një nga destinacionet më të nxehta vitet e fundit. Vendi ballkanik ka plazhe të bukura me ujë kristalor, qytete të trashëgimisë së UNESCO-s të kryqëzuara me rrugica magjepsëse dhe ecje të mrekullueshme, si ato në Bjeshkët e Nemuna dhe shumë më tepër.

Shumica e udhëtarëve vizitojnë Shqipërinë në sezonin e lartë të verës (qershor deri në gusht) kur plazhet janë më të ngrohta dhe malet janë të pastra nga bora. Kjo është një kohë e shkëlqyer për ta vizituar, por përgatituni për turma dhe “çmime të fryra”, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Idealisht, udhëtoni në Shqipëri gjatë sezonit të mesëm – maj ose tetor – me më pak turma dhe temperatura më të buta. Megjithatë, vini re se maji mund të mos jetë ideal për të notuar në det pasi është ende mjaft i ftohtë.

Shumica e objekteve turistike jashtë qyteteve të mëdha dhe përgjatë bregdetit në Shqipëri mbyllen në dimër (dhjetor deri në mars). Industria e turizmit fillon të rihapet pas festës pranverore të bektashinjve, Ditës së Nevruzit, më 22 mars. Nëse shkoni gjatë dimrit, qëndroni në kryeqytet, Tiranë, ose në qytetin verior të Shkodrës, i cili pret një karnaval dimëror.

Riviera Shqiptare në jug të vendit është quajtur Maldivet e Evropës – një reputacion që, ndonëse pak i ekzagjeruar, ka kuptim kur mendon për ujin e kaltër pranë bregdetit në dhe përreth qytetit të Ksamilit.

Bujaria për Shqipërinë kohët e fundit ka bërë që plazhet të mbushen me karrige plazhi dhe çadra.

Për t’i shpëtuar turmave më të dendura, merrni me qira një makinë dhe shkoni duke kërcyer përgjatë bregdetit deri në plazhin e Borshit dhe Gjipesë.

Gjithashtu mund të bëni një turne me varkë nga Himara në plazhe të izoluara ku mund të jeni vetëm ju dhe deti i hapur.

Ose ndiqni muzikën deri në Dhërmi për festivalin e muzikës Kala në qershor. Nëse mund të prisni deri në shtator, do të përjetoni disa nga temperaturat më të mira në bregdet me më pak turma.

Në përgjithësi ka më pak vizitorë në Shqipërinë e brendshme gjatë gjithë vitit, megjithëse mungesa e çdo flladi deti mund të shkaktojë nxehtësi ekstreme në korrik dhe gusht, me temperatura që shpesh rriten mbi 30°C (86°F).

Gjërat janë më të freskëta në Malet e Mallkuara, ku temperaturat mesatare luhaten midis 17°C dhe 22°C (63°F dhe 72°F) në verë.

Maj dhe tetor – periudhat më të mira

Sipas artikullit, muajt maj dhe tetor konsiderohen ideale për turistët, pasi ofrojnë klimë të butë, më pak turistë dhe çmime më të arsyeshme për akomodim e shërbime.

Në këta muaj, vizitorët mund të eksplorojnë qytetet historike si Berat dhe Gjirokastër pa vapën e verës dhe pa fluksin e madh turistik.

Vera – sezoni i plazheve

Muajt qershor–gusht janë kulmi i turizmit, veçanërisht në Rivierën Shqiptare. Plazhet si Ksamil dhe Dhërmi mbushen me turistë nga Evropa, ndërsa temperaturat rriten mbi 30 gradë Celsius.

Kjo periudhë është ideale për pushime në det, por shoqërohet me çmime më të larta dhe më shumë trafik.

Shtatori – tetori, sekret i turistëve

Artikulli thekson se fillimi i vjeshtës është ndër periudhat më të mira për Shqipërinë: deti mbetet i ngrohtë nga vera, ndërsa turistët pakësohen dhe moti është më i freskët.

Kjo periudhë është e përshtatshme për vizita në male si Parku Kombëtar i Thethit dhe për shëtitje në qytete kulturore.

Dimri – për turizëm kulturor

Nga dhjetori në mars, turizmi bie në bregdet, por qytetet si Tiranë dhe Shkodra ofrojnë aktivitete kulturore dhe gastronomike, me çmime më të ulëta për turistët.

Shqipëria në rritje si destinacion

“Lonely Planet” thekson se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare për kombinimin e plazheve të bukura, qyteteve historike dhe çmimeve konkurruese, duke e bërë një nga destinacionet më tërheqëse në Ballkan.

Përmbledhje

Më e mira për udhëtim: Maj, Shtator, Tetor

Për plazh: Qershor–Gusht

Më lirë: Pranverë dhe vjeshtë

Dimër: për kulturë dhe qytete

Cilat janë vendet me normat më të larta të tatimit mbi të ardhurat personale në Evropë

Në shumicën e vendeve evropiane, personat me të ardhura më të larta paguajnë proporcionalisht më shumë taksa. Megjithatë, normat maksimale të tatimit mbi të ardhurat personale për kategoritë me të ardhurat më të larta ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin, duke reflektuar një ndarje të qartë midis Evropës Veriperëndimore dhe asaj Lindore, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.

Drejtësia fiskale është thelbësore për çdo shoqëri, pasi pasqyron nëse qytetarët kontribuojnë në përpjesëtim me të ardhurat dhe pasurinë e tyre. Në shumicën e vendeve evropiane zbatohet një sistem progresiv, ku barra tatimore rritet me rritjen e të ardhurave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Tax Foundation, normat më të larta të tatimit mbi të ardhurat personale në vitin 2026 variojnë nga 10% në Bullgari dhe Rumani, deri në 60.5% në Danimarkë.

Përveç Danimarkës, normat maksimale tejkalojnë 50% edhe në gjashtë vende të tjera: Francë, Austri, Spanjë, Belgjikë, Portugali dhe Suedi.

Tatimpaguesit me të ardhura shumë të larta përballen me norma të afërta me këtë nivel edhe në Slloveni dhe Holandë.

Mesatarja evropiane

Mesatarja e normës maksimale të tatimit mbi të ardhurat personale në 35 vende evropiane është 38.5%. Kjo shifër rritet në 43.4% për vendet evropiane anëtare të OECD-së. Në 18 vende, norma maksimale tejkalon 40%.

Në nëntë vende, norma më e lartë luhatet midis 40% dhe 48%: Irlandë, Gjermani, Itali, Islandë, Luksemburg, Finlandë, Mbretëria e Bashkuar, Greqi dhe Turqi.

Ndër pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, norma maksimale varion nga 45% në Mbretërinë e Bashkuar deri në 55.4% në Francë, duke shënuar një diferencë prej rreth 10 pikë përqindjeje.

Në të kundërt, përveç Bullgarisë dhe Rumanisë, norma maksimale është nën 25% në Moldavi, Hungari, Ukrainë, Gjeorgji, Çeki dhe Estoni.

Ndarje e theksuar rajonale: Veriperëndimi kundrejt Lindjes

Normat më të larta të tatimit mbi të ardhurat personale tregojnë modele të qarta rajonale. Vendet nordike dhe ato të Evropës Perëndimore priren të kenë norma më të larta marxhinale, zakonisht midis 45% dhe 60%. Ka edhe përjashtime, si Norvegjia, e cila qëndron pak nën 40%.

Shumica e ekonomive joanëtare të BE-së në Evropën Lindore ruajnë norma më të ulëta maksimale, megjithëse Turqia përbën një përjashtim me rreth 41%, duke u afruar me regjimet tatimore të nivelit të mesëm në BE. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin, gjithashtu priren të aplikojnë norma më të ulëta. Në disa prej tyre, sistemet me taksë të sheshtë kontribuojnë në mbajtjen e normave maksimale në nivele relativisht të ulëta.

Normat tatimore ndryshojnë me politikat fiskale

Normat tatimore nuk janë statike, pasi qeveritë i rishikojnë ato në përputhje me ndryshimet në politikat fiskale. Sipas Tax Foundation, disa vende kanë përditësuar normat e tyre maksimale gjatë vitit të fundit.

Alex Mengden, analist i politikave globale në Tax Foundation, thekson se qeveritë zakonisht mund të gjenerojnë të ardhura më me efikasitet duke shfrytëzuar normat marxhinale në nivelet më të ulëta të shpërndarjes së të ardhurave, sesa duke rritur normat më të larta.

“Shtimi i një norme më të lartë për një kategori të caktuar të ardhurash ndikon negativisht në nxitjen për të fituar më shumë ose më pak të ardhura vetëm për individët në atë kategori, ndërkohë që rrit të ardhurat nga të gjithë tatimpaguesit në kategoritë më të larta,” shpjegon ai.

Danimarka ka prezantuar një kategori të re tatimore për të ardhura mbi 2.8 milionë korona daneze (rreth 375,000 euro), duke rritur normën maksimale nga 55.6% në 60.5%.

Estonia ka rritur normën e saj të sheshtë nga 22% në 24%, ndërsa Sllovakia ka shtuar dy kategori të reja tatimore, duke e çuar normën maksimale nga 25% në 35%.

Në të kundërt, Finlanda ka ulur normën maksimale të tatimit mbi të ardhurat personale nga 51.5% në 45%.

Sipas një studimi të Eurobarometer, në vitin 2025 vetëm një në pesë qytetarë në BE besonte se taksat paguhen në përpjesëtim me të ardhurat dhe pasurinë “në masë të madhe”. Rreth gjysma (51%) mendonin se kjo ndodh “deri diku”.

Shqipëria po plaket me ritme ndër më të shpejtat në Evropë

Shqipëria po plaket me ritme ndër më të shpejtat në Evropë, edhe pse mosha mesatare na rendit mes vendeve me popullsinë më të re.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se raporti i varësisë së të moshuarve, pra numri i personave 65 vjeç e lart në raport me popullsinë 15-64 vjeç, është rritur nga 18.2% në vitin 2015, në 33.3% në vitin 2025. Brenda një dekade, ky tregues është rritur me 15.1 pikë përqindje, rritja më e lartë mes të gjitha vendeve të përfshira në tabelë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është rritur nga 29.0% në 34.5% (+5.5 pikë përqindje), Shqipëria jo vetëm që ka pasur një rritje gati trefish më të shpejtë, por në vitin 2025 i afrohet ndjeshëm nivelit mesatar të BE-së. Me 33.3%,

Shqipëria tashmë është vetëm 1.2 pikë përqindje poshtë mesatares evropiane.

Në rajon, situata paraqitet po ashtu dinamike. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje prej 10.7 pikësh (nga 18.0% në 28.7%), Serbia 8.7 pikë (deri në 36.2%), ndërsa Mali i Zi 6.4 pikë (deri në 26.6%). Edhe pse Serbia mbetet me nivel më të lartë se Shqipëria, ritmi i plakjes në vendin tonë është dukshëm më i shpejtë.

Në Evropë, pas Shqipërisë, rritjen më të fortë e ka shënuar Moldavia me +14.1 pikë përqindje, e ndjekur nga Polonia me +10.5 dhe Maqedonia e Veriut me +10.7. Në anën tjetër, vende si Luksemburgu me +1.5, Suedia me +2.3 apo Austria me +3.5 kanë pasur rritje shumë më të moderuara.

Në vitin 2025, vendet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë Italia me 39.0%, Bullgaria me 38.7%, Portugalia me 38.6% dhe Finlanda me 38.1%. Shqipëria me 33.3% ndodhet në një nivel të ndërmjetëm, por me një trajektore shumë më të pjerrët se shumica e vendeve të BE-së.

Ky ndryshim i shpejtë tregon një transformim të thellë demografik. Rritja e fortë e raportit të varësisë lidhet me emigracionin e lartë të popullsisë në moshë pune dhe rënien e lindshmërisë siç raportuan pak ditë më parë edhe shifrat e INSTAT. Praktikisht, çdo 100 persona në moshë pune në Shqipëri, sot mbajnë mbi 33 të moshuar, ndërsa një dekadë më parë mbanin vetëm 18.

Janë gjetur grimca metali në këto çokollata: COOP i tërheq nga tregu

Çokollatat duhet të jenë krokante. Në fund të fundit, copat e lajthisë janë të domosdoshme për një çokollatë të mirëfilltë.

Çfarë nuk i përket çokollatës është metali. Por në rastin aktual me çokollatat Halba Maxi Branche Classic kemi pikërisht pjesë metali. Ky lloj i çokollatave është në dispozicion në dyqanet e Coop-it, transmeton albinfo.ch. Prandaj, shitësi me pakicë po i tërheq ato.

“Ekziston një rrezik potencial për shëndetin dhe produktet nuk duhet të konsumohen,” shkruan Coop në një deklaratë, raporton 20minuten.ch. Coop nuk ka zbuluar se si metali ka hyrë në çokollata.

Nga tregu do të tërhiqen si çokollatat e shitura individualisht ashtu edhe ato në pako me pesë copë. Ato janë shitur midis 9 dhe 13 shkurtit.

Çokollatat e kontaminuara me metal mund të kthehen në çdo dyqan të Coop-it dhe do të rimbursohen me çmimin e blerjes.

Orteku mbyt tre skiatorë në Alpet Franceze

Val d’Isère (Francë) – Një ortek ka mbytur tre skiatorë në Alpet Franceze. Viktimat ishin pjesë e një grupi prej gjashtë skiatorësh që po bënin ski jashtë pistës me një instruktor skijimi dhe u kapën nga dëbora, raportohet nga vendpushimi i skijimit Val d’Isère.

Identitetet dhe kombësitë e viktimave nuk u bënë të ditura menjëherë, transmeton albinfo.ch. Grupi kishte pajisjet e nevojshme të sigurisë, por u nis pavarësisht një paralajmërimi për rritje të rrezikut të ortekut, u raportua nga mediat franceze.

Si rezultat i Stuhisë Nils, niveli i paralajmërimit për mot të ashpër mbeti portokalli ose i kuq në fuqi për 25 departamente në Francën jugperëndimore. Autoritetet në male paralajmëruan në mënyrë të qartë për një rrezik të lartë të ortekut.

Prefektura e Savojës, ku ndodhi aksidenti, i kishte kërkuar popullsisë një ditë më parë të tregonte kujdes të madh dhe t’i përmbahej rekomandimeve të sigurisë.

Gjashtë persona të përfshirë në një përleshje në Bernë, dy të lënduar

Një përleshje që përfshinte gjashtë persona ndodhi në Bernë herët në mëngjes të shtunën. Sipas policisë, një grup sulmoi dy individë, duke i plagosur ata. Autoritetet tani po kërkojnë dëshmitarë, transmeton albinfo.ch

Pak para orës 2:40 të mëngjesit, një përleshje që përfshinte gjashtë persona u raportua pranë stacionit të vjetër të tramvajit në Grossen Muristalden, njoftoi policia kantonale e Bernës të shtunë, raporton srf.ch.

Sipas gjetjeve fillestare, dy persona po ecnin në Muristalden. Ndërsa arritën në stacionin e vjetër të tramvajit, ata dëgjuan një bori automjeti ndërsa kalonte pranë tyre. Automjeti më pas u ndal.

Një grup prej katër personash dolën nga automjeti dhe i sulmuan fizikisht të dy. Gjatë përleshjes, grupi i goditi me grusht dy individët, sipas deklaratës. Njëri prej tyre ra në tokë dhe mbeti për pak kohë pa ndjenja. Grupi më pas iku me automjet në një drejtim të panjohur.

Të dy individët arritën të shkonin vetë në spital pas përleshjes, tha policia. Policia siguroi prova të ndryshme në vendngjarje.

Policia Kantonale e Bernës, nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik Rajonal Bern-Mittelland, ka nisur një hetim. Policia po kërkon dëshmitarë.

Kundërshtarët e vaksinimit demonstruan në St. Gallen bashkë me ekstremistët e djathtë

Afërsisht 1,000 persona kanë demonstruar sot kundër vaksinimit të detyrueshëm në St. Gallen. Bëhet fjalë për dy grupe që shprehen kundër një ligji të ri kantonal që detyron vaksinimin.

Edhe para se demonstrata “Mass-Voll” (një protestë kundër vaksinimit të detyrueshëm) të fillonte në stacionin hekurudhor pas mesditës, ajo u ndërpre, transmeton albinfo.ch. Kjo u raportua nga një zëdhënës i policisë së qytetit të St. Gallen për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA. Grupi “Ostschweiz Nazifrei” (Zvicra Lindore pa Nazistë) kishte bërë thirrje për një kundër-demonstratë të paautorizuar.

Sipas vlerësimeve fillestare nga policia e qytetit, morën pjesë rreth 600 persona. Disa prej tyre mbanin halberda (shqyta lufte, mesjetare). Për shkak të shqetësimeve për sigurinë, policia përfundimisht revokoi lejen për demonstratën “Mass-Voll”.

Demonstruesit më pas thyen një kordon policie dhe, duke mbajtur pankarta dhe duke bërtitur “Liberté”, filluan një marshim nëpër qytetin e vjetër. Pas kësaj kanë pasuar përleshje. Policia përdori gaz lotsjellës për të parandaluar përplasjet midis grupeve të ndryshme. Trafiku u ndërpre në disa zona.

Sipas zëdhënësit të policisë së qytetit, shumë njerëz u kontrolluan. Pjesëmarrësit në demonstratën e organiztës “Mas-Voll” u konsideruan se kishin kryer një vepër penale, püercjell albinfo.ch. Policia aktualisht po përcakton hapat e saj të mëtejshëm.

Një demonstratë e dytë, e autorizuar, vazhdoi më pas nëpër qytetin e vjetër të St. Gallenit. Kjo demonstratë, e organizuar nga një lëvizje qytetare e quajtur “Vendimi Im”, tërhoqi afërsisht 400 pjesëmarrës dhe u drejtua nga rreth 40 adhurues të kambanave të lopëve. Demonstruesit brohoritën “Paqe, Liri, Sovranitet!”

Njëmbëdhjetë të plagosur pas shpërthimit në paradën e karnavaleve në Valis

Një shpërthim ndodhi në një karvan gjatë paradës së karnavaleve në Bagnes, Valis, të shtunën pasdite. Njëmbëdhjetë persona u plagosën, njëri prej tyre, rëndë, transmeton albinfo.ch.

Personi i plagosur rëndë u desh të transportohej me helikopter në Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV), sipas policisë kantonale. Një dëshmitar okular raportoi se shpërthimi çau anën e karvanit dhe mund të ketë goditur spektatorët pranë supermarketit Migros.

Policia kantonale e Valisit konfirmoi një raport për Keystone-SDA në faqen e internetit të “Le Nouvelliste” dhe në “Rhône FM”.
Sipas raporteve, kishte një problem teknik që lidhej me një instalim në njërën nga karvanet.
(Foto: KAPO Valis)

Magazina albinfo.ch pranë lexuesit – edhe mbi re, me Chair Airlines

Në bashkëpunim me kompaninë zvicerane të fluturimeve Chair Airlines, magazina albinfo.ch po hap një kapitull të ri në mënyrën se si i shërben lexuesve të saj.

Sot, albinfo.ch mund të lexohet online falas edhe gjatë fluturimeve nga Zvicra për Prishtinë dhe Shkup, duke u bërë shoqëruesi informativ i udhëtimit, madje edhe mbi re.

Ky hap drejt digjitales nuk nënkupton largim nga tradita. Përkundrazi. Magazina albinfo.ch do të vazhdojë të botohet edhe në versionin e shtypur (print), e shpërndarë në lokacione të ndryshme ku frekuenton komuniteti shqiptar në Zvicër: ambasada dhe konsullata, hotele, restorante, si dhe për abonuesit tanë të rregullt. Printi mbetet një pjesë e pandashme e identitetit tonë editorial.

Prej vitesh, versioni print i albinfo.ch ka sjellë reportazhe, analiza dhe histori nga diaspora shqiptare, duke ndërtuar besim dhe vazhdimësi me lexuesit tanë. Sot, kjo përvojë zgjerohet edhe më tej përmes aksesit digjital në fluturimet me Chair Airlines.

Falë platformës moderne CHAIRtainment, pasagjerët kanë mundësinë ta shfletojnë magazinën albinfo.ch kudo dhe në çdo kohë gjatë fluturimit, drejtpërdrejt nga smartphone-i apo tableti i tyre, pa pasur nevojë për internet personal apo pajisje shtesë. Leximi i albinfo-s bëhet kështu pjesë e një përvoje më fleksibile dhe në përputhje me stilin modern të jetesës.

Evoluimi drejt versionit online ishte një hap i domosdoshëm. Ne duam që përmbajtja jonë të jetë gjithmonë pranë lexuesit – pa kufij gjeografikë dhe pa barriera kohe. Nga printi në online, albinfo.ch mbetet i njëjti zë i besueshëm për diasporën shqiptare, tani edhe në fluturimet me Chair Airlines.

Ky tranzicion nuk është një zëvendësim, por një pasurim i përvojës sonë mediale, duke ruajtur identitetin editorial dhe duke iu përshtatur nevojave të lexuesve të sotëm.

Sevdail Tahiri
CEO, albinfo.ch

 

Rutte: Rusia ka humbur 65 mijë ushtarë në dy muaj

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Rusia ka pësuar humbje të rënda gjatë muajve të fundit, duke theksuar se Moska “nuk po e fiton këtë luftë”.

Sipas tij, forcat ruse kanë humbur rreth 65 mijë ushtarë vetëm gjatë muajve dhjetor dhe janar teksa u shpreh se përparimet territoriale në rajonin e Donetsk dhe në zona të tjera janë minimale dhe pothuajse të parëndësishme krahasuar me koston e lartë njerëzore.

“Nëse ka një diktator në Moskë i gatshëm të bëjë këtë, atëherë kemi të bëjmë me dikë që është i gatshëm të sakrifikojë kaq shumë nga njerëzit e tij në këtë luftë. Duhet ta marrim këtë seriozisht, sepse kjo është sjellje e çmendur”, ka deklaruar ai, transmeton albinfo.ch.

Ai kritikoi gjithashtu vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të dërguar sërish një historian si përfaqësues në bisedimet e ardhshme në Gjenevë, duke thënë se ai pritet “t’u mbajë leksione ukrainasve për Suedinë apo çfarëdo tjetër”, në vend që të fokusohet në përparim konkret drejt zgjidhjes së konfliktit.

Bundesliga e zgjedh Fisnik Asllanin më të mirin e ndeshjes

Bundesliga gjermane e ka zgjedhur Fisnik Asllanin, futbollistin më të mirë të ndeshjes Hoffenheim – Freiburg.

Hoffenheimi ka triumfuar me rezultat 3:0, ndërsa Fisnik Asllani e shënoi golin e parë.

“Pas pjesës së parë ku vendësit nuk arritën që dominimin ta kthejnë me gola, Asllanit iu deshën 30 sekonda pas pushimit për ta zhbllokuar ndeshjen kur për mrekulli realizoi me kokë pas harkimit të Coufalit. Goli i parë e hapi ndeshjen e ndërlikuar, duke bërë që Hoffeheimi të marrë fitore të lehtë në fund. Përveç golit, sulmuesi ishte rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Freiburgut, ku përfshiheshin tentimet nga distanca si dhe ajo e minutës së 66-të kur pritje të mrekullueshme bëri portieri Atubolu. Lëvizjet e tij, lidhja me të tjerët dhe pozicionimi, e justifikojnë çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes”, thuhet në njoftimin nga Bundesliga, transmeton albinfo.ch.

Washington DC e shpall datë zyrtare 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Kosovës në Washington DC ka njoftuar se kryetarja e kryeqendrës së SHBA-së, Muriel Bowser, ka vendosur që 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, të shpallet datë zyrtare në Washington DC.

Sipas vendimit, ky është si rezultat i përparimit të madh që Kosova ka shënuar për mbrojtjen e ligjit, të drejtave të njeriut e forcimit të saj ndërkombëtar që nga viti 2008.

“Duke pasur parasysh se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka shënuar përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare; dhe duke pasur parasysh se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është unike dhe e qëndrueshme, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet afatgjatë dhe respekt të thellë të ndërsjellë; dhe duke pasur parasysh se qytetarët shqiptaro-amerikanë japin kontribute të rëndësishme në pasurimin kulturor dhe qytetar të Uashingtonit, DC; dhe duke pasur parasysh se ne i bashkohemi komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës; TANI, PRANDAJ, UNË, KRYETARJA E BASHKISË SË WASHINGTON, DC, shpall 17 shkurtin 2026 si “DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS” në Washington, DC”, thuhet në vendim, transmeton albinfo.ch.

Foto sc “X”: @KosovoinUS