Kosova ngjitet në renditjen e FIFA-s, kulmon me pozitën më të mirë historike

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar ngritje në ranglistën më të re të FIFA-s, e publikuar të hënën pasdite, vetëm një ditë pas përfundimit të Kupës së Afrikës. Nga pozita e 80-të që mbante në muajin dhjetor, Kosova është ngjitur në vendin e 79-të, duke regjistruar kështu renditjen më të mirë historike që nga pranimi i saj në FIFA dhe UEFA, transmeton albinfo.ch.

Kjo rritje në klasifikim është ndikuar edhe nga rënia e disa përfaqësueseve, në veçanti e Gabonit, e cila pas tri humbjeve në Kupën e Afrikës ka pësuar rënie për tetë pozita, duke u renditur në vendin e 86-të. Si pasojë, disa kombëtare, përfshirë edhe Kosovën, kanë përfituar një ose dy pozita në renditje.

Progresi vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Dardanët, të cilët në muajin mars i pret një sfidë historike në kuadër të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Më 26 mars, Kosova do të përballet me Sllovakinë në Bratislavë, në ndeshjen gjysmëfinale të play-off-it. Fituesi i këtij dueli do të avancojë në finale, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Turqisë dhe Rumanisë, për një hap të mëtejshëm drejt ëndrrës botërore.

Ngritja në ranglistën e FIFA-s dhe sfidat vendimtare që e presin në muajt në vijim po e pozicionojnë Kombëtaren e Kosovës në një moment historik për futbollin e vendit, duke rritur pritshmëritë dhe besimin për arritje të mëdha në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

“House of Switzerland”, vitrina e Zvicrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

Për një kohë të gjatë, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) në Davos konsiderohej një ngjarje private, ku Zvicra zyrtare nuk paraqitej si nikoqire, por e shfrytëzonte vetëm për zhvillimin e takimeve dypalëshe me krerë shtetesh dhe ministra nga e gjithë bota, transmeton albinfo.ch.

Kjo qasje ndryshoi në vitin 2019, kur Zvicra nisi të paraqitet më dukshëm përmes “House of Switzerland”, një hapësirë e vendosur në lozhat e stadiumit të Hockey Club Davos, të rezervuara zakonisht për mysafirë VIP. Qëllimi i kësaj nisme është rritja e dukshmërisë ndërkombëtare të vendit, duke shfrytëzuar jehonën globale dhe mediatike të WEF-it.

Organizimi i “House of Switzerland” bëhet nga Präsenz Schweiz, institucioni i Konfederatës zvicerane përgjegjës për promovimin e imazhit të Zvicrës jashtë vendit. Kjo paraqitje, megjithatë, ka edhe kosto të konsiderueshme. Sipas të dhënave më të fundit mbi prokurimet federale, vetëm vitin e kaluar Konfederata i ka paguar Hockey Club Davos rreth 130 mijë franga zvicerane.

Edhe këtë vit, anëtarë të Këshillit Federal dhe përfaqësues të tjerë zyrtarë e përdorin “House of Switzerland” për aktivitete të ndryshme. Në këtë hapësirë zhvillohen takime mes këshilltarëve federalë dhe homologëve të tyre të huaj, mbahen konferenca për media, si dhe organizohen panele diskutimi mbi tema aktuale globale.

Ndër aktivitetet e këtij viti, sekretarja e shtetit për Ekonomi, Helene Budliger Artieda, ka zhvilluar një diskutim mbi industrinë farmaceutike me Severin Schwan, kryetar i bordit të kompanisë Roche. Në ambientet e “House of Switzerland”, mysafirëve u shërbehen edhe specialitete tradicionale zvicerane, si raclette.

“House of Switzerland është vitrina e Zvicrës në WEF”, ka deklaruar më herët Alexandre Edelmann, drejtor i Präsenz Schweiz. Sipas tij, kjo hapësirë u mundëson kompanive dhe organizatave të prezantojnë angazhimin e tyre në fushat e qëndrueshmërisë dhe inovacionit, duke forcuar imazhin e Zvicrës si një aktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Shtëpi të ngjashme mikpritjeje organizohen edhe gjatë Lojërave Olimpike, ku mblidhen sportistë, sponsorë, politikanë dhe përfaqësues të ekonomisë. Zvicra ka qenë e pranishme gjithashtu edhe në Expo 2025 në Osaka.

Përveç këtyre aktiviteteve, Präsenz Schweiz është përgjegjëse edhe për dhuratat zyrtare të Konfederatës. Për periudhën 2025–2028, janë blerë, ndër të tjera, thika Victorinox në vlerë prej 500 mijë frangash zvicerane, të destinuara për aktivitete dhe takime zyrtare./Albinfo.ch

Trump poston mesazhin e Macron: Nuk po kuptoj çfarë po bën me Groenlandën

Donald Trump postoi në rrjetin e tij social, Truth, një foto të asaj që ai tha se ishte një mesazh nga presidenti francez Emmanuel Macron, transmeton albinfo.ch.

“Miku im, jemi plotësisht dakord për Sirinë. Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin. Nuk e kuptoj çfarë po bën me Groenlandën”, shkruhej në mesazh. “Mund të organizoj një takim të G7 pas Davosit, në Paris, të enjten pasdite. E në këtë kuadër mund të ftoj ukrainas, danezë, sirianë dhe rusë”,vazhdonte postimi i atribuar kreut të Pallatit Elize. “Eja të darkojmë së bashku në Paris të enjten para se të kthehesh në Shtetet e Bashkuara”, përfundon mesazhi i nënshkruar “Emmanuel”.

Burime pranë presidentit francez konfirmuan se përmbajtja e mesazhit të publikuar nga Trump ishte “shumë reale”. Edhe ‘Le Figaro’, shkruajti se presidenti Macron kishte konfirmuar se i kishte propozuar në një “mesazh privat” presidentit të SHBA-ve, Donald Trump të organizonte një samit të G7 në Paris të enjten, më 22 janar, duke përfshirë mundësinë e ftesës për Rusinë përgjatë takimit, një mundësi që do të ishte e para pas gati katër vitesh lufte në Ukrainë.

Kryeministri Kurti pjesë e diskutimeve në Shtëpinë e SHBA-së në Davos

Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, agjenda e ditës së sotme ka nisur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një panel diskutimi me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, shkruan albinfo.ch.

Gjatë diskutimit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e besimit si një nga shtyllat kryesore të shërbimit publik dhe kohezionit shoqëror, duke vënë në pah rolin e tij në faza të ndryshme të zhvillimit shoqëror dhe ndërtimit të shtetit.

Ai nënvizoi se besimi nuk krijohet spontanisht, por ndërtohet përmes angazhimit të vazhdueshëm, transparencës dhe veprimeve konkrete, duke shtuar se optimizmi për të ardhmen buron nga përpjekjet e pandërprera dhe aktivizmi i shoqërive demokratike.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrisë, paneli ku mori pjesë Kurti është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë dialog dhe reflektim mbi rolin e lidershipit në ndërtimin e partneriteteve inovative.

Kjo iniciativë mbledh liderë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mënyrat e përshpejtimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, me synim adresimin e sfidave aktuale globale, veçanërisht në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, duke theksuar rëndësinë e një lidershipi të bazuar në vlera dhe besim të ndërsjellë./Albinfo.ch

Trump: Çështja e Groenlandës do të diskutohet në Davos

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se do të marrë pjesë në një takim shumëpalësh në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku pritet të diskutohet edhe çështja e Groenlandës, transmeton albinfo.ch.

Trump bëri të ditur se ishte dakorduar për këtë takim gjatë një telefonate që e cilësoi si “shumë të mirë” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Lajmin ai e ka ndarë të hënën përmes platformës së tij online, Truth Social.

Po ashtu, Trump deklaroi se nuk pret rezistencë të madhe nga vendet evropiane lidhur me marrjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. “Nuk besoj se ata do të rezistojnë shumë”, u shpreh ai para gazetarëve në Florida, duke shtuar për territorin arktik: “Ne kemi nevojë për të. Ata duhet ta bëjnë.”

Groenlanda është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Javët e fundit, Trump ka intensifikuar pretendimet ndaj Groenlandës, duke i arsyetuar ato me interesa të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Arktik.

Ai ka folur kryesisht për blerjen e territorit, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake. Të shtunën, Trump e përshkallëzoi më tej retorikën, duke kërcënuar me tarifa ndëshkuese ndaj Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të NATO-s, nëse nuk pajtohen që SHBA-të të marrin Groenlandën./Albinfo.ch

Nis “Swissbau 2026” në Zvicër, prezantohen produktet “Made in Kosova”

Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë KIESA, 27 kompani nga Kosova kanë nisur sot pjesëmarrjen në panairin ndërkombëtar “Swissbau 2026”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës nga 20 deri më 23 janar, shkruan albinfo.ch.

Kompanitë kosovare po prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre, me fokus të veçantë në industrinë e drurit, në një nga panairet më të mëdha evropiane të ndërtimit dhe përpunimit të drurit.

Ndërkohë, 9 kompani nga Kosova po marrin pjesë edhe në panairin “IF Wedding Fashion Izmir Fair” në Turqi, që po mbahet nga 20 deri më 22 janar, duke promovuar industrinë e tekstilit dhe modës.

Pjesëmarrja në këto panaire synon rritjen e dukshmërisë së produkteve “Made in Kosovo”, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimin e tregjeve eksportuese./Albinfo.ch

 

Angli, hapen klasa të reja për mësimin e gjuhës shqipe

Me kërkesë të komunitetit shqiptar në Sheffield, Rotherham, Chesterfield dhe Doncaster, Shkolla Shqipe “Pavarësia” ka hapur dy orare të reja mësimi, nga ora 09:50–11:50 dhe 11:55–13:55, duke zgjeruar ofertën arsimore për fëmijët e diasporës në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton albinfo.ch.

Mësimi zhvillohet sipas grupmoshave 3–5, 6–8 dhe 9–12 vjeç, bazuar në kurrikulën e Ministrisë së Arsimit dhe tekstet zyrtare për diasporën.

Përveç gjuhës shqipe, nxënësit mësojnë edhe për historinë, gjeografinë, kulturën dhe traditat shqiptare, me synim forcimin e identitetit kulturor të brezit të ri në diasporë./Albinfo.ch

Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje mërgimtarit nga Kosova që shpëtoi katër persona nga mbytja

Media gjermane Westdeutsche Allgemeine Zeitung (WAZ) i ka kushtuar vëmendje mërgimtarit nga Kosova, Burim Doberlluka, për aktin e tij heroik, kur shpëtoi katër persona nga mbytja në Liqenin Phoenix (Phoenix-See) në Dortmund, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi në gusht, rreth orës 20:00, kur një varkë pedalesh me katër shtetas amerikanë u përmbys. Para mbërritjes së ekipeve të shpëtimit, Doberlluka ndërhyri me guxim, duke i nxjerrë të gjithë nga uji dhe duke i sjellë të sigurt në breg.

Për këtë veprim, ai ishte nderuar më herët edhe nga Policia e Gjermanisë, ndërsa zyrtarët e policisë dhe zjarrfikësve e cilësuan ndërhyrjen si “jashtëzakonisht të guximshme”.

Media WAZ i ka kushtuar edhe një video-rrëfim ekskluziv këtij rasti, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. /Albinfo.ch 

9-vjeçari shqiptar fiton dy medalje në Olimpiadën e Amerikës

9-vjeçari Nil Kelmendi, nxënës i klasës së tretë në International School of Prishtina, ka fituar medaljen e artë në Matematikë dhe medaljen e bronztë në Shkencë në Olimpiadën Ndërkombëtare “Neo Science”, e mbajtur nga 10 deri më 15 janar 2026 në Orlando, Florida, shkruan alninfo.ch.

Ai u kualifikua pasi doli i pari në provimet përzgjedhëse të mbajtura në Kosovë nga Kosova Global Talent Center dhe përfaqësoi Kosovën në finalen ndërkombëtare, ku gara përfshinte testime të avancuara në matematikë dhe shkencë me pjesëmarrës nga shumë vende të botës.

Përveç Nil Kelmendit, edhe 12 nxënës të tjerë nga Kosova fituan medalje në fusha të ndryshme shkencore në këtë olimpiadë./Albinfo.ch

“Nga talenti në ndikim: fuqia ekonomike e diasporës”

Në kuadër të aktiviteteve që do të zhvillohen në House of Kosova në Davos, më 21 janar, do të mbahet paneli me titull “Nga talenti në ndikim: fuqia ekonomike e diasporës”, i cili do t’i kushtohet rolit dhe potencialit ekonomik të diasporës në krijimin e ndikimit të qëndrueshëm.

Në panel do të marrin pjesë Nik Gugger (Niklaus Samuel Gugger), anëtar i Këshillit Kombëtar të Asamblesë Federale të Zvicrës, Dr. Martin Russell, bashkëthemelues i The Diaspora Institute, si dhe Dr. Vigan Disha, Chief Business Officer në SPEEEX. Fjalimin kryesor (keynote) do ta mbajë Gerd Oser, themelues dhe Managing Partner i Experience Factory.

Paneli do të moderohet nga Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

House of Kosova, Davos
21 janar | 19:00–20:00

Faturat në letër do të jenë falas? Parlamentarët kërkojnë heqjen e tarifave

Politikanët në Zvicër po kërkojnë ndalimin e tarifave që kompanitë e mëdha vendosin për faturat në letër. Për vite me radhë, klientët e Swisscom, Sunrise dhe Salt kanë paguar 2.90–3.95 franga për çdo faturë të dërguar në postë.

Këshilltari kombëtar i SP-së, Emmanuel Amoos, argumenton se këto tarifa janë diskriminuese, pasi pengojnë ata që nuk kanë qasje ose preferojnë mënyra tradicionale të pagesës. Ai propozon ndalimin ligjor të tarifave për faturat në letër, një ide që mbështetet edhe nga disa anëtarë të qendrës së djathtë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanive dhe politikë të qendrës së djathtë paralajmërojnë se ndalimi mund të kufizojë lirinë ekonomike, duke theksuar se klientët kanë alternativa dixhitale falas, si email, e-banking apo Twint.

Aktualisht, iniciativa po shqyrtohet në parlament dhe mund të vendosë nëse faturat në letër do të jenë falas për të gjithë klientët.

Krimi me AI në Schwyz: Miliona zhduken nga kompanitë

Një kompani nga kantoni Schwyz është viktimë e mashtrimit të njohur si “CEO fraud” gjatë dy javëve të fundit. Kriminelët përdorën një zë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të mashtruar kompaninë dhe për të përvetësuar disa miliona franga zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Policia kantonale e Schwyz dhe zyra e prokurorit kantonal kanë nisur një hetim. Sipas autoriteteve, autorët kontaktuan pronarin e kompanisë përmes telefonit, duke u prezantuar si një partner i njohur biznesi, ndërsa përdorën një zë të manipuluar nga inteligjenca artificiale.

Përmes këtij mashtrimi, kriminelët fituan besimin e pronarit dhe nën pretekstin e një transaksioni konfidencial ndërkombëtar, e bindën atë të kryente disa transferta parash që arritën disa miliona franga zvicerane. Transfertat u kryen në një llogari bankare në Azi, dhe mashtrimi u zbulua vetëm pasi pagesat ishin përfunduar. Identiteti i autorëve mbetet i panjohur.

Udhëzimet e policisë kantonale për kompanitë:

Bëni kujdes të veçantë ndaj kërkesave për pagesa përmes telefonit ose mesazheve zanore, edhe nëse zëri tingëllon i njohur.

Zërat mund të imitohet bindshëm me inteligjencë artificiale.

Verifikoni gjithmonë urdhrat e jashtëzakonshëm ose urgjentë për pagesa përmes një kanali komunikimi të dytë dhe të pavarur.

Zbatoni gjithmonë parimin “katër sysh” dhe procese të qarta miratimi për shuma të mëdha parash.

Mos kryeni transferta ndërkombëtare pa autorizim të verifikuar dhe dokumentuar.

Raportoni menjëherë çdo incident të dyshimtë tek banka dhe policia.

Hetimi i autorëve vazhdon, ndërsa autoritetet paralajmërojnë kompani të tjera për rreziqet e përdorimit të zërit të gjeneruar nga AI në mashtrime financiare.

Skandal në Kosovë: Një individ u jep fëmijëve me autizëm barna për kafshë si ‘trajtim’, nxiten reagime

Një rast alarmues ka dalë në dritë në Kosovë, ku një individ, i njohur për pretendime konspirative që nga koha e pandemisë së Covid-19, është raportuar se ka rekomanduar barna të destinuara për kafshë te fëmijët me autizëm, duke i paraqitur ato si trajtim për çrregullimin.

Sipas raportimeve, individi pretendon se autizmi shkaktohet nga parazitët në trup dhe se largimi i tyre mund të shërojë fëmijët. Ai po ashtu lidh autizmin me vaksinimin, duke e përshkruar atë si “shkaktar kryesor”.

Analiza e barnave që ky individ ka rekomanduar tregon se ato janë të destinuara për përdorim tek kafshët: Fenbendazole, Ivermectin, DMSO, kapsula bimore dhe dheu vullkanik, të cilat nuk kanë provuar efekt shërues për fëmijët.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet dhe ka bërë thirrje që qytetarët t’u besojnë vetëm “metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”. Ministria po ashtu ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, duke theksuar se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”.

Reagimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF)

KOMF ka shprehur shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me rastin. Në një deklaratë për media, organizata tha:

“Ne ngremë alarmin dhe i bëjmë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.”

KOMF gjithashtu ka kritikuar përhapjen e pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”:

“Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.”

Organizata ka theksuar se promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt, duke krijuar pritshmëri joreale dhe shtuar stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre. KOMF përfundon:

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.”

Ky rast shërben si paralajmërim për prindërit dhe publikun që të jenë të kujdesshëm ndaj pretendimeve që ofrojnë “trajtime” pa bazë shkencore, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët dhe çrregullime komplekse si autizmi.

Demonstratë kundër Forumit Ekonomik Botëror shkakton trazira në Cyrih, digjet flamuri amerikan

Një demonstratë kundër Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Cyrih ka shkaktuar përleshje dhe ndërhyrje policore. Rreth 2000 protestues marshuan në rrugët kryesore, duke bllokuar transportin publik dhe përdorur petarda dhe tym të kuq. Bloku i Zi, pjesë e tubimit, dëmtoi dritare dyqanesh dhe sulmoi kompaninë Nestlé, transmeton albinfo.ch.

Policia përdori ujë dhe rrethoi demonstruesit; disa u lënduan, përfshirë një person që u bë i pavetëdijshëm. Demonstruesit hodhën parulla kundër WEF, SHBA-së dhe McDonald’s, dhe digjën një flamur amerikan.

Pas përfundimit të marshit, rrugët u liruan dhe transporti publik gradualisht rifilloi funksionimin normal.

(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)

Në Zvicër, faturat mjekësore në 2026 vijnë me QR Code për rimbursime më të shpejta

Nga viti 2026, faturat mjekësore në Zvicër kanë një ndryshim të rëndësishëm: çdo faturë shoqërohet me një faqe shtesë që përmban kode QR. Kjo faqe është pjesë e formularit të kërkesës për rimbursim nga sigurimi shëndetësor.

Përveç faturës së mjekut, pacientët do të marrin një përmbledhje të thjeshtuar të shërbimeve të kryera, që përmbledh trajtimet në disa pika kryesore. Megjithatë, sipas Shoqatës Zvicerane të Mjekëve (FMH), do të duhet pak kohë deri sa të gjitha klinikat të ofrojnë këtë përmbledhje. Gjithashtu, për shkak të tarifave të reja Tardoc, disa shërbime mjekësore do të kenë emra të ndryshëm.

Çfarë përmbajnë këto kode QR?

Dirk Meisel, zëdhënës për media i asociacionit të sigurimeve shëndetësore Prio Swiss, thotë: “Këto kode përmbajnë faturën e plotë në formë elektronike, duke e bërë më të lehtë për siguruesit regjistrimin, kontrollin dhe përpunimin e faturave.” Kështu, janë siguruesit, jo pacientët, që duhet t’i skanojnë këto kode.

Çfarë duhet të bëjë pacienti me faqen me kod QR?

Faqja me kod QR është pjesë e formularit për rimbursim. Pacientët kanë nevojë ta përdorin vetëm nëse duhet të paguajnë fillimisht faturën dhe më pas të dërgojnë kërkesën për rimbursim te sigurimi shëndetësor. Sipas Dirk Meisel, kjo faqe tani duhet gjithmonë të përfshihet, sepse disa kërkesa për rimbursim nuk mund të përpunohen pa të.

Sa fatura preken?

Vetëm rreth një në dhjetë. Nëntë nga dhjetë faturat për shërbime ambulatore shkojnë direkt te siguruesi, dhe pacientët marrin vetëm njoftimin e përfitimeve dhe kuponin e pagesës për pjesën e tyre. Ata gjithashtu marrin një kopje të faturës për informacion dhe verifikim, që shpesh përfshin përmbledhjen e thjeshtuar.

Pikat kryesore për të kontrolluar faturën e mjekut

Qëllimi i përmbledhjes së re është ta bëjë kontrollin më të lehtë dhe më të qartë. Pacientët që duan detaje të plota mund të shikojnë faturën ose kopjen e saj nga mjeku. Megjithatë, sipas FMH-së, tarifa e hollësishme mbetet komplekse për jo-profesionistët. Për të ndihmuar, fondi i sigurimeve shëndetësore i Shoqatës Mjekësore dërgon edhe një udhëzues – një lloj fjalori i shpjeguar i termave mjekësorë.

Si të raportoni gabimet?

Nëse diçka duket e çuditshme, kontaktoni mjekun ose spitalin. Gjithashtu, mund të raportoni mospërputhjet te siguruesi shëndetësor, i cili është i detyruar të kontrollojë çdo faturë. Prio Swiss thotë: “Falë këtyre kontrolleve, mund të kursejmë rreth tre miliardë e gjysmë franga zvicerane çdo vit nga shpenzimet e padrejta.”

Xherdan Shaqiri dhe FC Basel 1893: Dy çmime, një festë historike

Të hënën, më 19 janar 2026, në “St. Jakobshalle” u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve “Basel Sport Champions 2025”. FC Basel 1893 pati arsye të festojë dy herë.

Si kapiten dhe figurë qendrore e ekipit kampion, si dhe lojtar nga rajoni, Xherdan Shaqiri u nderua me titullin “Sportisti i Vitit 2025 në Basel”. Po ashtu, ekipi kampion u shpall dhe u nderua si “Ekipi i Baselit 2025”.

Kurti zhvillon takimin e parë në Davos me ministrin kanadez për promovimin e eksportit 

Në takimin e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë me Maninder Sidhu, ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë.

Gjatë takimit, u diskutua mënyra për të forcuar marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, duke përfshirë sektorët e teknologjisë dhe industrinë e minierave, transmeton albinfo.ch.

Kurti vlerësoi rolin e Kanadasë si një aleat i hershëm i Kosovës, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e çmuar ndaj vendit.

Takimi shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

VIDEO:                     

Lexoni po ashtu:

Hap dyert Forumi Ekonomik Botëror WEF dhe «Shtëpia e Kosovës» në Davos

A po synon Donald Trump të krijojë një alternativë ndaj OKB-së me “Këshillin e Paqes”?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar krijimin e një “Këshilli të Paqes”, fillimisht i menduar për zgjidhjen e konfliktit në Gaza, por që tashmë synon të shndërrohet në një organizatë ndërkombëtare me mandat të gjerë për promovimin e stabilitetit global. Sipas një projekti-statuti të siguruar nga media ndërkombëtare, kjo nismë po shihet nga disa qarqe si një përpjekje për të krijuar një alternativë ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dokumenti parashikon që këshilli të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga vetëm tre shtete dhe u jep anëtarëve mandate trevjeçare, të rinovueshme nga presidenti i organizatës. Një nga pikat më të diskutueshme është mundësia për të siguruar anëtarësim të përhershëm përmes pagesës prej një miliard dollarësh.

Donald Trump parashikohet të jetë presidenti i parë i Këshillit të Paqes, me kompetenca shumë të gjera, përfshirë të drejtën për të ftuar ose përjashtuar shtete anëtare dhe për të miratuar të gjitha vendimet e marra nga këshilli. Mandati i tij mund të përfundojë vetëm në rast dorëheqjeje ose paaftësie të konfirmuar unanimisht nga një organ ekzekutiv i zgjedhur prej tij.

Nisma përmban kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve ekzistuese ndërkombëtare, duke nënkuptuar dështimin e tyre, veçanërisht të OKB-së, të cilën Trump e ka kritikuar vazhdimisht edhe në fjalimet e tij publike.

Franca dhe Gjermania kanë konfirmuar se janë ftuar të marrin pjesë në këtë strukturë, por kanë shprehur nevojën për konsultime dhe kanë theksuar përkushtimin e tyre ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara. Edhe disa vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Turqinë dhe Indinë, kanë marrë ftesa, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.

Nisma mbetet në fazë shqyrtimi dhe ka ngjallur debate të forta mbi të ardhmen e multilateralizmit dhe rolin e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare.

Albin Kurti mbërrin në Davos për Forumin Ekonomik Botëror (WEF)

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), ku do të takojë liderë nga e gjithë bota.

Kosova do të ketë sërish shtëpinë e saj në kuadër të WEF, për të dytin vit me radhë. Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në ngjarjet dhe panelet e diskutimit të organizuara në Shtëpinë e Kosovës, si dhe do të zhvillojë takime zyrtare bilaterale me udhëheqës të lartë dhe investitorë.

Pamje nga mbërritja e Kryeministrit Albin Kurti në House of Kosova dhe takimi i tij me të nderuarin Maninder Sidhu, Ministër i Promovimit të Eksporteve, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

VIDEO:                       

Kosovë: Pas rinumërimit të votave, Prokuroria nis grumbullimin e provave në nivel vendi

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, priti sot në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Takimi u fokusua në angazhimin e Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor. U diskutua për hetimet paraprake që kanë nisur pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në disa rajone të vendit.

Prokurorja Pula informoi se ekziston koordinim i vazhdueshëm ndërmjet Koordinatores Nacionale për Zgjedhje dhe prokurorive në nivel vendi, si dhe bashkëpunim ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor. Ky bashkëpunim synon trajtimin efikas të rasteve të dyshuara për cenim të zgjedhjeve.

Ajo bëri të ditur se, pas përfundimit të rinumërimit të votave në komuna të ndryshme, janë udhëzuar kryeprokurorët e prokurorive themelore që të grumbullojnë informata dhe të sigurojnë prova relevante për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor. Po ashtu, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit ka nisur grumbullimin e provave në nivel vendi.

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën e sistemit prokurorial në mbrojtje të votës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit gjatë proceseve zgjedhore.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit rithekson përkushtimin për hetim të plotë dhe të paanshëm të çdo rasti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Mungesa e banesave do të rritet vitin e ardhshëm

Martin Tschirren, drejtor i Zyrës Federale për Strehim (FOH), parashikon një rritje të mungesës së strehimit në vitin e ardhshëm. “Shkaqet e mungesës së strehimit nuk mund të ndryshohen shpejt”, shpjegoi ai në një intervistë me Blick, transmeton albinfo.ch.

Shkaqet përfshijnë numrin në rritje të familjeve, rritjen e popullsisë, imigracionin dhe zhvillimin ekonomik – ky i fundit është çelësi, argumentoi 55-vjeçari. Është e vërtetë që pasiguria e shkaktuar nga tarifat amerikane shkaktoi një ngadalësim të lehtë ekonomik vitin e kaluar dhe kompanitë janë bërë më të kujdesshme. “Por kur rritja ekonomike të përshpejtohet pak, kërkesa për punë, dhe kështu për strehim, do të tentojë të rritet përsëri”, paralajmëron eksperti. Megjithatë, kërkesa e lartë nuk është i vetmi faktor në lojë: furnizimi i pamjaftueshëm dhe aktiviteti i ulët i ndërtimit po çojnë gjithashtu në mungesa.

Në fillim të vitit 2024, qeveria federale zhvilloi një plan veprimi së bashku me kantonet, qytetet, bashkitë, sektorin e pasurive të paluajtshme dhe shoqërinë civile. Plani përfshin mbi 30 masa që synojnë rritjen e furnizimit me strehim, veçanërisht apartamente të përballueshme. Sipas drejtorit të FOH, megjithatë, masat e formuluara synojnë të arrijnë efekte afatmesme dhe afatgjata. “Për momentin, nuk shoh ndonjë përmirësim të shpejtë”, përfundoi ai.

Pasuria e miliarderëve po rritet me shpejtësi

Numri i miliarderëve në botë është vazhdimisht në rritje dhe pasuria e tyre po rritet me shpejtësi. Kjo rezulton sipas një raporti të publikuar nga organizata e ndihmës dhe zhvillimit Oxfam në prag të Forumit Ekonomik Botëror që fillon sot, në Davos, Zvicër.

Sipas raportit, afërsisht 3,000 miliarderë në të gjithë botën zotëronin një pasuri të kombinuar prej 18.3 trilionë dollarësh amerikanë vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Që nga viti 2020, pasuria e tyre është rritur me më shumë se 80 për qind në terma realë. Në të njëjtën kohë, pothuajse gjysma e njerëzimit jeton në varfëri, thekson Oxfam, shkruan srf.ch.

Dymbëdhjetë njerëzit më të pasur tani kanë më shumë para se gjysma më e varfër e popullsisë së botës, që është më shumë se katër miliardë njerëz, shpjegon Oxfam.