Sa shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë e në vendet e BE-së

Emigrantët që kanë ikur nga Shqipëria, tashmë po bëhen qytetarët të vendeve të BE-së me të drejta të plota.

Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Eurostat.

Marrja e shtetësisë është procesi përmes të cilit një person bëhet ligjërisht qytetar i një shteti, duke fituar të drejta dhe detyrime ndaj tij, që më pas mundëson dhe marrjen e pasaportës së vendit përkatës, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në krahasim me 2023-n, shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga një vend i BE-së janë rritur me 8.1%. në tre vitet e fundit, BE ka dhënë mesatarisht 44-45 mijë shtetësi në vit për shqiptarët, ritmet më të larta që nga 2018-a, duke treguar për një valë të re emigracioni në vend.

Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi. (shiko grafikun: Shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga BE). Niveli më i lartë ishte në 2016 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit.

Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon pak a shumë dhe me tkurrjen e popullsisë në vend që në periudhën gjatë dy censeve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, e ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por dhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Kryeson Italia, Greqia më dorështrënguar

Italia është shteti kryesor që u mundëson shqiptarëve që të marrin një pasaportë italiane. Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat e para, ky shtet ka dhënë 375 mijë shtetësi për shqiptarët.

Greqia, ndonëse ka një numër të ngjashëm emigrantësh me Italinë, të paktën rreth 500 mijë secili, a është më dorështrënguar për shtetësitë, duke dhënë 264 mijë të tilla, që nga viti 2007.

Edhe Gjermania po e lëshon dorën

Në Gjermani, për të marrë pasaportë duhet fillimisht të marrësh shtetësinë, zakonisht pas rreth 5 vitesh qëndrimi, me gjuhë gjermane (B1), të ardhura të mjaftueshme, pa probleme ligjore dhe me njohuri bazë për vendin. Edhe pse rregullat janë lehtësuar (nga 8 në rreth 5 vite), ajo mbetet më strikte se shumë vende të tjera të BE-së me kërkesa të qarta për gjuhën, të ardhurat dhe integrimin.

Ky shtet ka qenë i preferuar në valën e fundit të emigracionit dhe duket se shumë shqiptarë po i plotësojnë kushtet, teksa në vitin 2024 Gjermania lëshoi numrin më të lartë të shtetësive të dhënave ndonjëherë për shqiptarët, me 310 të tilla. Për krahasim, që nga 2002-shi deri në 2023-n, pra në 21 vjet, ky shtet kishte dhënë vetëm rreth 8100 shtetësi.

Në vend të katërt është Belgjika, që ka dhënë gjithsej rreth 8.7 mijë shtetësi për shqiptarët nga viti 2022, e ndjekur nga Franca (6480), Suedia (4,219), Irlanda (1,197), Spanja (1,157), Holanda (1,137).

Kriza me banesat në Evropë

Miliona njerëz në të gjithë Evropën nuk mund të përballojnë më banesa të sigurta dhe të qëndrueshme. Kriza e strehimit është tashmë në qendër të vëmendjes. Ajo po ndryshon jetët, po shtyn pas etapa të rëndësishme të jetës dhe po ushtron presion mbi buxhetet publike. Barra bie më rëndë mbi ata që kanë më pak burime, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

Kush po e mban barrën?

Personat midis 18 dhe 34 vjeç po përballen më shumë me vështirësi. Mbi një e katërta e tyre shpenzojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave të disponueshme për strehim, një nivel që ekonomistët e konsiderojnë mbingarkesë të madhe. Pothuajse një në katër jeton në kushte të mbipopulluara dhe përjeton stres në një shkallë dy deri në tre herë më të lartë se personat mbi 65 vjeç.

Të rinjtë po vonojnë pavarësinë, krijimin e familjes dhe stabilitetin financiar. Edhe shëndeti mendor po ndikohet negativisht.

Komisioneri Europian për Strehimin, Dan Jørgensen, thekson pasojat e mëdha për individët dhe demokracinë evropiane. “Një çati mbi kokë të jep një bazë në jetë dhe nëse nuk e ke, shumë gjëra të tjera nuk janë të mundshme. Është një problem për individët që preken nga kriza, por edhe për shoqëritë tona. Dëmton ekonomitë tona. Nuk është mirë për tregun e punës, nuk është mirë për lëvizshmërinë, nuk është mirë për arsimin e njerëzve tanë”, tha ai në një intervistë.

Ai paralajmëron gjithashtu se mosveprimi ka një kosto politike: “Nëse ne, si politikëbërës, nuk e marrim këtë seriozisht, ekziston rreziku që popullizmi të rritet edhe më shumë në Evropë. Populistët do ta shfrytëzojnë një krizë sociale si kjo”.

Në Greqi, 30 për qind e familjeve të reja shpenzojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave për strehim, norma më e lartë në BE. Danimarka dhe Luksemburgu raportojnë gjithashtu nivele të larta. Edhe të rinjtë me të ardhura mesatare janë të prekur, pasi normat e pronësisë së banesave për grupmoshën 45–54 vjeç kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Evropën.

Pagat kundrejt qirave: një hendek në zgjerim

Të dhënat tregojnë një trend shqetësues. Kostot e strehimit janë rritur shumë më shpejt se pagat në Evropë, veçanërisht pas pandemisë. Eurodeputeti Borja Giménez Larraz shpjegon përmasat e problemit. “Gjatë 15 viteve të fundit, çmimet e banesave janë rritur me 60 për qind dhe qiratë me 30 për qind. Na duhen 10 milionë banesa për të përmbushur kërkesën aktuale. Dhe ajo që po vërejmë është se numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me 20 për qind”, tha ai.

Qiramarrësit privatë e ndjejnë më shumë këtë hendek. Rreth 20 për qind e tyre shpenzojnë një pjesë të tepërt të të ardhurave për strehim, ndërsa vetëm 5 për qind e atyre që kanë kredi hipotekare përballen me këtë problem. Për familjet me të ardhura të ulëta, rreth një në tre shpenzon mbi 40 për qind të të ardhurave për strehim, duke lënë shumë pak për nevoja të tjera. Aktualisht, BE ka mungesë prej rreth 2.25 milionë banesash dhe ndërtimet e reja nuk po e mbulojnë këtë hendek.

Larraz thekson se një pjesë e problemit lidhet me shpërndarjen e gabuar të banesave ekzistuese. Punonjësit e domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë (mjekë, policë, mësues, zjarrfikës, punonjës transporti, etj.) po mbeten pas. “Sot ka shumë policë, zjarrfikës dhe mësues që nuk mund të përballojnë qiranë në vendin ku punojnë. Ndoshta duhet të gjejmë zgjidhje edhe për këta njerëz”, tha ai.

Kur familjet shpenzojnë kaq shumë për strehim, u mbetet më pak për shpenzime të tjera. Njerëzit janë më pak të prirur të lëvizin për punë më të mira dhe ekonomia ngadalësohet. Çdo vit, hendeku midis atyre që zotërojnë prona dhe atyre që jetojnë me qira zgjerohet.

Jo të gjithë preken njësoj

Kriza godet më fort grupet më të cenueshme. Shtetasit jo të BE-së kanë më shumë se dyfishin e gjasave për të shpenzuar një pjesë të tepërt të të ardhurave për strehim dhe mbi një e treta jeton në kushte të mbipopulluara. Minoritetet etnike dhe personat me aftësi të kufizuara kanë më shumë gjasa të jetojnë në kushte të dobëta. Prindërit e vetëm përballen gjithashtu me disa nga kostot më të larta të strehimit në BE. Eurodeputetja Irene Tinagli argumenton se kriza nuk është rastësi, por rezultat i dekadave të trajtimit të strehimit si aset financiar dhe jo si nevojë sociale.

“Nëse qëllimi është të garantohet akses në strehim të denjë dhe të përballueshëm për të gjithë, atëherë ky qëllim ka dështuar. Ne kemi ndalur së menduari dhe vepruari për strehimin përmes politikave publike”, tha ajo. Familjet me të ardhura mesatare përballen gjithnjë e më shumë me dilemën e “brezit të qirasë”. Ato fitojnë shumë për të përfituar nga strehimi social, por nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie. Buxhetet publike përthithin kostot në rritje përmes subvencioneve të strehimit, të cilat përfitojnë kryesisht pronarët privatë. Kështu, taksapaguesit mbajnë barrë shtesë pa përmirësim strukturor të përballueshmërisë.

Çfarë po bëhet?

Qeveritë në Evropë po përpiqen të reagojnë, por progresi është i pabarabartë. Plani i BE-së për Strehim të Përballueshëm për vitin 2025 tregon një hendek investimesh prej 275 miliardë eurosh çdo vit. Plani kërkon më shumë financim publik dhe privat, ndryshime në rregullat e planifikimit dhe mjete më të mira për autoritetet vendore për të menaxhuar qiratë afatshkurtra.

Komisioneri Jørgensen kërkon që vendet të trajtojnë problemin e banesave bosh dhe spekulative. Ai përmend Danimarkën si një model të mundshëm, ku banesat duhet të jenë të banuara. Sfida kryesore tani është zbatimi i këtyre ideve. Me një buxhet të ri të BE-së në horizont, qeveritë kombëtare duhet të sigurojnë që planet nga Brukseli të përkthehen realisht në më shumë banesa.

Gjermania prezanton skemë të re pensionale, Bundestagu miraton reformën

Parlamenti gjerman (Bundestagu) ka votuar për një reformë të rëndësishme të sistemit të pensioneve, duke synuar zëvendësimin e modelit aktual “Riester” me një skemë të re kursimi të mbështetur nga shteti.

Sipas reformës së re, qytetarët do të përfitojnë subvencione direkte nga shteti për kursimet e tyre pensionale.

Modeli i ri parashikon që shteti të mbulojë një pjesë të kontributeve, duke i bërë kursimet më të lehta dhe më tërheqëse për qytetarët, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Kontributet deri në një nivel të caktuar do të subvencionohen me përqindje të ndryshme, ndërsa mbështetje më e madhe do t’u jepet familjeve me fëmijë dhe personave me të ardhura më të ulëta.

Një element i rëndësishëm i reformës është krijimi i një produkti standard pensioni, i cili do të jetë më i thjeshtë, transparent dhe më i kuptueshëm për qytetarët. Po ashtu, parashikohet edhe investimi përmes fondeve të mbështetura nga shteti.

Qeveria gjermane synon që përmes kësaj reforme të inkurajojë më shumë njerëz të investojnë në pensione private, për të siguruar një standard jetese më të qëndrueshëm në pleqëri.

Megjithatë, reforma ka shkaktuar edhe debate politike, pasi kritikët paralajmërojnë se ajo mund të ndikojë në vlerën reale të pensioneve dhe të rrisë barrën për brezat e rinj në të ardhmen.

1.2 milion persona fituan shtetësinë e BE-së në 2024, Gjermania dhe Spanja në krye të listës

Në vitin 2024, rreth 1.2 milion njerëz fituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian ku jetojnë, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023, njoftoi Eurostat.

Krahasuar me vitin 2014, numri i shtetësive të fituara është rritur me 54.5%, nga 762,100 në 1.2 milion. Gjermania kryeson me numrin më të madh të qytetarëve të rinj – 288,700, e ndjekur nga Spanja me 252,500 dhe Italia me 217,400.

Nga personat që morën shtetësi, 88% vinin nga vende jashtë BE-së, ndërsa 10.6% ishin qytetarë të tjerë të BE-së. Vende si Siria (110,000), Maroku (97,100) dhe Shqipëria (48,000) janë burimet kryesore të natyralizimeve.

Sa i përket shkallës së natyralizimit, Suedia udhëheq me 7.5% të shtetasve të huaj që fituan shtetësinë, e ndjekur nga Italia me 4.1%, Spanja dhe Holanda me 3.9%. Në anën tjetër, Lituania ka normën më të ulët me vetëm 0.1%, ndërsa Bullgaria dhe Estonia regjistrojnë 0.3%.

Hakerët rekrutohen për të zhvilluar luftë kibernetike në emër të Iranit

Lufta në Iran po zhvillohet gjithashtu në internet. Hakerë të lidhur me regjimin iranian po ofrojnë shpërblime për ata që ndihmojnë në vjedhjen e të dhënave të ndjeshme nga kundërshtarët e tyre, raporton RTS. Sipas një komunikimi të kapur nga Shtetet e Bashkuara, këta hakerë gjithashtu kërcënojnë me vrasje të synuara, me ndihmën e një karteli të fuqishëm meksikan. FBI po përpiqet të bllokojë rrjetet e tyre të komunikimit, deri tani pa sukses.

Për Departamentin Amerikan të Drejtësisë, lidhjet e tyre me shërbimet inteligjente iraniane janë të pamohueshme. Më 11 mars, grupi i hakerëve Handala Hack, aktiv në internet dhe dark web për të paktën tre vjet, mori përgjegjësinë për fshirjen e 12,000 terabyte të dhënash të kompanisë amerikane të teknologjisë mjekësore Stryker, e cila furnizon disa spitale në Zvicër.

Një javë më vonë, FBI mbylli platformat që shërbenin si shfaqje online për grupin. Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë u mburr se kishte ndërprerë operacionet psikologjike të një grupi që vepronte në emër të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit (MOIS).

Sulmi ndaj drejtorit të FBI-së

Disa ditë më pas, Handala Hack publikoi faqet e tjera online dhe shpërndau foto personale të Kash Patel, drejtorit të FBI, të marra pas hakerimit të emailit të tij privat. FBI konfirmoi sulmin: “FBI është i vetëdijshëm për aktivitetin e dëmshëm që synon email-et personale të Drejtorit Patel dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbutur rreziqet.” Sipas FBI-së, asnjë informacion qeveritar nuk u vodh.

Ekspertët e kontaktuar nga RTS theksojnë se Irani po kërkon të demonstrojë fuqinë e tij në hapësirën kibernetike përmes sulmeve spektakolare. “Lufta kibernetike është shumë asimetrike. Mbrojtja kërkon përsosmëri të vazhdueshme, ndërsa sulmet kërkojnë vetëm një sukses për të treguar praninë dhe fuqinë,” shpjegon Gérôme Billois, ekspert i sigurisë kibernetike.

Rekrutohen hakerë mercenarë

RTS ka arritur të hyjë në kanalet e komunikimit të Handala Hack, ku grupi ofron mbështetje teknike dhe shpërblime financiare për hakerët e interesuar, pa specifikuar shumat. Hakerët janë të rrezikshëm dhe pretendojnë se mund të rrisin fuqinë e sulmeve të tyre. Së fundmi, ata publikuan të dhëna që pretendonin se vinin nga rrjetet elektrike dhe ujësjellësit në Izrael, duke paralajmëruar se mund t’i synonin nëse konflikti do të eskalonte.

Zvicra e prekura në mënyrë indirekte

Më 11 mars, Handala Hack mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Stryker, gjigantit amerikan të teknologjisë mjekësore, duke shkatërruar 12,000 terabyte të dhënash. Stryker konfirmon sulmin, por jo shkallën e dëmit. Kompania po rikthen sistemet e saj, dhe asnjë produkt nuk është prekur. Shumë spitale zvicerane, përfshirë Rrjetin Spitalor të Neuchâtel, janë klientë të Stryker.

Stefano Bufano, drejtues i blerjeve dhe logjistikës në Stryker, shprehet: “Sulmi ka detyruar kompaninë të funksionojë në një mënyrë të kufizuar. Porosi të klientëve u përpunuan manualisht dhe periudha e rikuperimit mund të shkaktojë vonesa në shpërndarje.”

Një luftë perceptimi

Ekspertët paralajmërojnë se këto sulme nuk janë vetëm teknike, por edhe strategjike, për të krijuar frikë dhe ndikim politik. Pierre Pahlavi, profesor dhe anëtar i familjes së Shahut të Iranit, thotë: “Është krejt e besueshme që iranianët mund të rekrutojnë grupe kriminale për të shtuar presionin. Kjo është një luftë perceptimi, dhe iranianët janë shumë të aftë në këtë fushë.”

Futbollistja nga Kosova fiton Kupën e Zvicrës

Futbollistja nga Kosova, Lumbardha Misini ka fituar Kupën e Zvicrës te femrat me skuadrën e Servette FC Chenois Feminin.

Në finale, Servette fitoi ndaj Young Boys me rezultat minimal 1:0, shkruan albinfo.ch.

Lumbardha bëhet lojtarja e parë nga Kosova që fiton Kupën e Zvicrës në futbollin e femrave. Ajo hyri në lojë në minutën e 80-të.

Gjithashtu Servette FC Chenois Feminin është lidere në renditje të kampionatit të Zvicrës për futbollin e femrave.

(KEYSTONE/Salvatore Di Nolfi)

Zvicër: Kërkohet rritja e taksave për alkoolin dhe duhanin

Qeveria federale e Zvicrës po përballet me një sfidë të madhe financiare: nga njëra anë duhet të kursejë, ndërsa nga ana tjetër planifikon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen. Për të mbushur buxhetin shtetëror, politikania e Partisë Liberale të Gjelbër (GLP), Corina Gredig, propozon rritjen e taksave për pijet alkoolike të forta dhe produktet e duhanit.

Pse kërkohet rritja e taksave?

Sipas Gredig, rritja e këtyre taksave do të ndihmonte në lehtësimin e buxhetit federal dhe njëkohësisht do të kishte efekt pozitiv në shëndetin publik, duke ulur konsumin e duhanit dhe alkoolit.

Qeveria federale synon të kursejë deri në 9 miliardë franga deri në vitin 2029 për të shmangur një deficit strukturor. Në të njëjtën kohë, planifikohet që deri në vitet 2030 të sigurohen edhe 30 miliardë franga shtesë për ushtrinë dhe sigurinë, transmeton albinfo.ch.

Propozimi: taksa më të larta për duhanin dhe alkoolin

Gredig thekson se është më e drejtë të rriten taksat për duhanin dhe pijet me përmbajtje të lartë alkooli sesa të rriten taksat mbi pagat e larta.

Ajo argumenton se:

Taksa mbi pijet e forta nuk është rritur prej më shumë se 25 vitesh.

Ndërkohë, shumë taksa të tjera janë rritur.

Një rritje e moderuar do të ishte e arsyeshme dhe e lehtë për t’u zbatuar.

Sa i përket duhanit, ajo shton se rritja e taksave do të kishte edhe efekt parandalues për shëndetin publik.

Sa mund të rriten çmimet?

Sipas një raporti federal:

Një rritje prej 10% e taksës së duhanit mund të rrisë çmimin e një pakete cigare nga 9.20 në 12.20 franga (rritje prej 3 frangash).

Konsumi i duhanit pritet të bjerë me rreth 13%.

Të ardhurat shtesë për shtetin mund të arrijnë në rreth 500 milionë franga.

Kritikat ndaj propozimit

Jo të gjithë janë dakord me këtë ide.

Deputeti i Partisë së Qendrës, Andreas Meier, e cilëson këtë masë si “një pikë në oqean” përballë sfidave financiare më të mëdha. Sipas tij:

Konsumi i alkoolit në Zvicër është në rënie.

Nuk ka nevojë për masa shtesë që mund të dëmtojnë prodhuesit vendas.

Ndërkohë, bashkëkryetari i FDP-së, Benjamin Mühlemann, kritikon qasjen e rritjes së taksave:

Sipas tij, problemi nuk është mungesa e të ardhurave, por shpenzimet e larta.

Ai kërkon që qeveria të fokusohet në kontrollin dhe uljen e shpenzimeve, në vend që të kërkojë burime të reja të ardhurash.

Edhe përfaqësues të industrisë së duhanit e kanë quajtur propozimin “populist”, duke paralajmëruar gjithashtu rritje të tregut të zi dhe importit ilegal.

Debati mbetet i hapur

Propozimi ka hapur një debat të gjerë në Zvicër: a duhet të rriten taksat për produkte që konsiderohen të dëmshme për shëndetin, apo duhet të kërkohen zgjidhje të tjera për stabilizimin e financave publike?

Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë

Këtë të diel, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me OJQ-në ABSM, organizoi prezantimin e projektit “The Guestkeepers”, një iniciativë për promovimin e turizmit kulturor të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Gjatë ngjarjes, Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti prezantuan vizionin dhe objektivat e projektit, i cili synon të transformojë mikpritjen tradicionale shqiptare në një standard profesional, transmeton albinfo.ch.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të mërgatës kosovare në Zvicër, duke forcuar lidhjet kulturore dhe duke promovuar Kosovën si një destinacion turistik.

Kurti viziton Kombëtaren para finales së play-off-it për Botërorin 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi kampin e Kombëtares së Kosovës për të përgëzuar ekipin pas arritjes në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i dhënë mbështetje para sfidës ndaj Turqisë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, falënderoi kryeministrin, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani, dhe zëvendësministren Daulina Osmani për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.

Gjatë fjalës së tij, Kurti i uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë dhe vlerësoi rrugëtimin e tyre deri në finale si plotësisht të merituar. Ai theksoi se miliona shikues në mbarë botën ndjekin këtë ngjarje dhe se Kombëtarja ofron mundësinë për të vendosur Kosovën dhe talentin e saj në arenën më të madhe.

“Përmes juve si ekip, kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës e talentit në sytë e mbarë njerëzimit. Kjo mbështetje masive është forca juaj dhe merreni me vete në fushë. Besimin për fitore e keni ndërtuar ju si ekip, me trajnerin dhe gjithë stafin udhëheqës dhe mbështetës,” tha Kurti.

Orkestra nga Kosova ‘Amadeus’ shkëlqen në Spanjë, fiton çmimin kryesor ‘Grand Prix’

Orkestra e fëmijëve dhe të rinjve nga Kosova “Amadeus” ka shkëlqyer në një festival ndërkombëtar në Spanjë, duke fituar çmimin kryesor “Grand Prix” në edicionin e festivalit prestigjioz “Spring Symphonies”.

Nën drejtimin e drejtoreshës Hana Petrovci dhe dirigjentit Vehbi Shosholli, orkestrës iu dha mundësia të përfaqësojë Kosovën përballë dhjetëra orkestrave nga mbarë bota, duke treguar nivelin e lartë të talentit muzikor kosovar.

 

Mbi 25 mijë udhëtime të anuluara në Turqi, udhëtarët bllokohen

Turqia po përballet këtë fundjavë me një seri anulimesh fluturimesh, duke shkaktuar vështirësi për qindra pasagjerë në disa nga aeroportet më të rëndësishme të vendit.

Rreth 25 fluturime janë anuluar, duke përfshirë destinacione brenda Turqisë si Stambolli (Aeroporti Sabiha Gokcen), Antalia dhe Trabzon, si dhe disa fluturime ndërkombëtare, përfshirë drejt Bahreinit.

Shkaku i anulimeve lidhet me ndërprerje operative dhe kushte të motit, sipas raporteve nga linjat ajrore.

Pegasus Airlines ka anuluar disa nisje gjatë ditës së diel drejt Sabiha Gokcen, me orare që shtrihen nga paraditja deri në mbrëmje.
Autoritetet e aeroportit dhe linjat ajrore u bëjnë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara nisjes drejt aeroportit dhe të kërkojnë rimbursime ose riorientime në rast anulimi.

Kjo situatë pasqyron tensionin e vazhdueshëm në trafikun ajror turk, ku linjat ajrore përballen me sfida operative që shkaktojnë vonesa dhe anulime në itineraret e brendshme dhe ato të kufizuara ndërkombëtare.

Pas kritikave për ekspozitën, Shkëlzen Gashi kërkon falje ndaj qytetarëve dhe familjarëve të viktimave

Pas reagimeve dhe kritikave lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në Prishtinë, Shkëlzen Gashi dhe organizatorët kanë publikuar një reagim zyrtar.

Në reagim, ata kërkojnë falje të gjithë familjarëve të viktimave dhe të gjithë të prekurve nga lufta për shqetësimin e shkaktuar. Qëllimi i ekspozitës, sipas reagimit, ka qenë të nderojë viktimat dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Organizatorët theksojnë se ekspozita nuk ka pasur synim të lëndojë apo ofendojë askënd dhe bëjnë thirrje për respekt, shmangien e sulmeve personale dhe linçimeve, si dhe për diskutim të hapur dhe të matur mbi çështje kaq të ndjeshme.

Prishtinë: Rruga shembet si në filma, dyshohet për rrjedhje uji nën tokë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Prishtinë, ku një pjesë e rrugës “Don Shtjefën Kurti” është shembur papritur, duke krijuar skena që ngjajnë me ato të filmave.

Autoritetet bëjnë të ditur se shkaku ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se një rrjedhje uji nën sipërfaqe mund të ketë çuar në dëmtimin e rrugës. Ekipet emergjente dhe të ujësjellësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur rreziqe të tjera.

Si masë sigurie, është ndërprerë energjia elektrike dhe pritet të ndalet edhe furnizimi me ujë në zonë, ndërsa po punohet për sanimin e dëmeve.

Ndërkohë, pronari i ndërtesës afër vendit ku ndodhi shembja është dërguar për intervistim në polici, pasi pritet të iniciohet rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Inspektorati ndërtimor pritet të nisë hetimet dhe masat konkrete në terren.

Presidenti i KNKK-së i kërkon Zvicrës të qëndrojë fort pranë ligjit ndërkombëtar

Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Mirjana Spoljariç, i ka bërë thirrje Zvicrës të riafirmojë angazhimin e saj të plotë ndaj ligjit ndërkombëtar, duke thënë se kjo është mënyra më efektive për të mbrojtur sigurinë e popullsisë së vet.

“Nuk mjafton vetëm të ngatërrohesh në botën e sotme”, i tha ajo SonntagsZeitung, duke paralajmëruar se bota është në një pikë kthese dhe kërkon qartësi.
“Zvicra është një ekonomi e hapur me një sundim të fortë të ligjit dhe respektohet për këtë”, tha Spoljariç. Ajo shpreson që vendi të mbetet “i përkushtuar pa u penduar ndaj ligjit ndërkombëtar”.

Ajo u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të zbatojnë jashtë vendit parimet që mbështesin në vend. “Standardet e dyfishta janë të dëmshme për sigurinë e të gjithëve”, tha ajo, duke theksuar se një shkelje e ligjit është një shkelje e ligjit, pavarësisht se kush e kryen atë.

“Një jetë njerëzore ka të njëjtën vlerë kudo; një fëmijë duhet të mbrohet kudo.” Ky parim, shtoi ajo, është gjithashtu i ngulitur në Kushtetutën Zvicerane dhe duhet të vihet në praktikë, transmeton albinfo.ch.

Krime të mundshme lufte nën shqyrtim

Menjëherë pas shpërthimit të luftës në Iran më 28 shkurt, KNKK-ja u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë rregullat e luftës.

E pyetur nëse gjatë sulmit ndaj Iranit ishin kryer krime lufte, Spoljariç u përgjigj me kujdes: “Është nëpërmjet diskutimeve konfidenciale me palët – të kryera nga ekspertë ushtarakë dhe avokatë – që ne përcaktojmë nëse është kryer një krim lufte në një rast specifik.” Ajo nuk pranoi të komentonte publikisht.

Ajo që është e qartë, tha ajo, është se ka pasur zhvendosje të popullsisë dhe sulme ndaj spitaleve dhe shkollave. “Parimet themelore si mbrojtja e fëmijëve, grave dhe refugjatëve po shkelen në konfliktin aktual të Lindjes së Mesme.” Organizata me seli në Gjenevë mbetet e përqendruar në ofrimin e ndihmës humanitare dhe mbrojtjen e jetës civile.

Pas katër javësh lufte, sulmet me raketa, shkatërrimi dhe pasiguria e përhapur vazhdojnë të ndikojnë në Iran, Liban, Izrael dhe disa shtete të Gjirit. Ndërsa sinjalet e fundit nga Shtetet e Bashkuara kanë ofruar njëfarë shprese për një marrëveshje me Iranin, Spoljariç paralajmëroi se paqja mbetet e largët.

“Zhvillimi aktual i luftës po shkatërron kornizën për negociata”, tha ajo.

Ekspozita për masakrat: OVL-UÇK nesër protestë para Kuvendit

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dënuar ashpër ekspozitën mbi masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke e cilësuar atë si përpjekje për relativizim të krimeve serbe.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se një qasje e tillë është e papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës, derisa njoftoi edhe mbajtjen e një proteste të hënën para Kuvendit.

“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe, nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër, e hënë, në ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit”, deklaroi Syla.

Ai njoftoi se protesta do të mbahet te hyrja kryesore e Kuvendit dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen.

“Kuvendi i ka dy-tri hyrje, ju e dini, bëhet fjalë për hyrjen kryesore këtu ku edhe parkohen makinat e deputetëve edhe atyre që funksionojnë, operojnë e veprojnë në Kuvend. Përmes kësaj konference, i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë të na bashkohen nesër në orën 13:00. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, kjo është mbrojtje e historisë sonë. Ju presim nesër në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës. Ta ngremë zërin së bashku në mbrojtje të vlerave të luftës dhe ta nderojmë kujtimin për martirët tanë”, tha Syla.

Ja si do të jetë moti për Pashkë në Zvicër

Java e Shenjtë fillon në fusha kryesisht me re. Të hënën mund të ketë ndriçim të shkurtër në mëngjes, por retë do të dominojnë. Në rrjedhën e mëtejshme të ditës, reshjet do të jenë të shumta, të cilat do të zgjasin më shumë, veçanërisht në shpatin verior të Alpeve, si dhe në kodrat veriore dhe qendrore, dhe ndonjëherë janë të dendura.

Reshjet në fillim të javës

Limiti i reshjeve të borës është midis 400 dhe 800 metrave, gjë që mund të ndikojë edhe në lartësi më të ulëta. Në pasdite, shira lokale me shi dhe stuhi të shkurtra të rastit janë gjithashtu të mundshme. Temperaturat janë 0 gradë në mëngjes herët dhe rriten në rreth pesë deri në nëntë gradë në pasdite. Deri të martën në mëngjes, 30 deri në 50 centimetra borë e freskët bie mbi 800 metra në shpatin verior të Alpeve, 15 deri në 30 centimetra në rajonet e brendshme alpine.

Po përmirësohet çdo ditë

Të martën do të jetë nga ndryshore në shumë re me reshje të ndërprera, veçanërisht në shpatin verior të Alpeve, si dhe në tokat veriore dhe qendrore. Ndërmjet tyre, ka pjesë të shkurtra me diell në ultësira, përpara se të ngrihen përsëri re të dendura. Në gjysmën e dytë të ditës, janë të mundshme reshje lokale të shiut dhe stuhi të izoluara. Kufiri i reshjeve të borës është midis 400 dhe 700 metrave. Në male vazhdon të bjerë borë, mbi 800 metra deri në 40 centimetra borë e freskët është e mundur në nivel lokal.

Nga e mërkura moti do të përmirësohet gradualisht. Nga dita në ditë do të bëhet pak më ngrohtë. Të mërkurën rreth shtatë gradë me Bise, të enjten rreth nëntë gradë. Megjithatë, lokalisht mund të ketë edhe dhjetë deri në dymbëdhjetë gradë. Nëse dëshironi diell dhe temperatura të këndshme të enjten, rekomandohet një udhëtim në Ticino. Sipas Meteo Switzerland, duhet të ketë 17 gradë në Bellinzona dhe 16 gradë në Lugano, shkruan 20minuten.

Parashikimi i fundjavës së Pashkëve

Sipas meteorologut Peter Wick, një situatë moti ende e pasigurt, por mjaft miqësore, po shfaqet për ditët e Pashkëve. E enjtja e Madhe dhe e Premtja e Madhe pritet të jenë pjesërisht me diell dhe të thata, me temperatura rreth dhjetë deri në 13 gradë. Megjithatë, se sa diell ka në të vërtetë është ende e panjohur, transmeton albinfo.ch.

Të Shtunën e Madhe, fillimisht janë të mundshme pjesë me diell, më vonë mund të shfaqen re më të dendura. Faza me diell priten gjithashtu për të Dielën e Pashkëve dhe të Hënën e Pashkëve, por një shqetësim mund të sjellë shira të rrëmbyeshëm, veçanërisht nga pasditja e së dielës deri në mëngjesin e së hënës. Pas kësaj, e hëna do të jetë përsëri më miqësore me temperatura më të buta deri në rreth 15 gradë.

Në jug pamjet janë pak më të mira, me më shumë diell dhe temperatura mbi 15 gradë. Megjithatë, Wick thekson edhe një herë se këto parashikime kanë më shumë gjasa të shihen si një “trend i pasigurt”.

Shqipëria thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka dalë me thirrje lidhur me situatën dhe përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Nga kjo ministri u bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë udhëtimet për arsye turistike në këtë rajon.

“Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Austri: Gruaja e huaj mori paratë e dikujt tjetër në zyrën postare të AMS

Kur Klaus S. donte të merrte ndihmën e tij emergjente në një zyrë postare në Salzburg në nëntor 2024, ai përjetoi një surprizë të pakëndshme: Dikush tjetër e kishte bërë tashmë këtë, iu tha atij. Një grua M. kishte marrë paratë, u tha si nga AMS ashtu edhe nga Post AG.

Klaus S. pyeti se si ishte e mundur kjo, sepse ai ende e kishte “kartëmonedhën e verdhë”, dhe vetëm në “këmbim” të saj dhe me paraqitjen e një dokumenti identifikimi mund të ishin paguar paratë. Me sa duket, as Post AG dhe as AMS nuk bënë një përpjekje serioze për të sqaruar se ku kishin shkuar paratë.

Gjashtë muaj më vonë, Klaus S. ende nuk i kishte 885.30 eurot e tij, kështu që ai iu drejtua Avokatit të Popullit. Ekipi i Volksanwalt Bernhard Acitz pyeti: në AMS, në zyrën postare dhe gjithashtu në Ministrinë e Drejtësisë. Zyra postare u përgjigj se kishin bërë gjithçka siç duhet dhe kishin paguar shumën “në përputhje me procesin”. AMS e pastroi çështjen dhe iu referua Postës dhe BAWAG.

Acitz: “Ligjërisht është krejtësisht e qartë se AMS i detyrohet Z. S. paratë dhe duhet t’i paguajë ato. Z. S. nuk mund të bëjë asgjë për faktin se kompanitë Post ose BAWAG të porositura nga AMS nuk siguruan që paratë t’i arrinin Z. S.,” thotë Volksanwalt Acitz, “dhe gjithashtu nuk pritet që ai të dërgohet nga një vend në tjetrin në rreth.”

Ministria e Drejtësisë njoftoi se një çështje penale ishte ndërprerë sepse znj. M. nuk mund të gjendej. “Por me sa duket zyra e prokurorit publik vazhdoi të hetonte pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, dhe znj. M. u gjet,” thotë Acitz. Ndërkohë, ka filluar një gjyq penal kundër M. Sipas Klaus S., thuhet se ajo ka siguruar se kishte marrë vetëm pagesën e saj të papunësisë dhe atë të të dashurit të saj, por jo atë të Klaus S., të cilin nuk e njeh fare, dhe “kartëmonedhën e verdhë” të të cilit nuk mund ta kishte pasur kurrë, pasi ai është ende me Klaus S. sot, shkruan Heute, transmeton albinfo.at.

Vetëm më 18 mars 2026, 18 muaj me vonesë, AMS njoftoi se kishte paguar ndihmën emergjente për Klaus S. – këtë herë jo me urdhër parash, por me transferim në llogarinë bankare që Klaus S. ka tani. Volksanwalt Acitz: “Është për të ardhur keq që Klaus S. iu desh të priste 18 muaj për paratë që i nevojiteshin urgjentisht. Nuk duhet të ndodhë që AMS të mos kujdeset për klientët e saj derisa të ndërhyjë Avokati i Popullit.”

Sipas AMS, shumica dërrmuese e pagesave transferohen në llogari bankare, në Salzburg vetëm shtatë nga 1,000 euro të paguara nga AMS dërgohen me urdhër parash. Kjo vlen mbi të gjitha për njerëzit që nuk kanë një llogari bankare – për shembull për shkak të papunësisë së tyre.

Volksanwalt Bernhard Acitz bëri të ditur se në Austri të gjithë njerëzit kanë të drejtë për një llogari bazë me kosto të ulët. “Nëse dikush shkon në bankë për të hapur një llogari, por nuk e hap një të tillë, atëherë bankat janë të detyruara të informojnë në mënyrë aktive për një llogari kaq bazë. Por kjo duhet harruar në degët e bankave.”

Një bandë hajdutësh vodhi makina dhe targa me vlerë 1.7 milion CHF në Zvicrën lindore

Hajdutët vodhën makina luksoze dhe targa me vlerë mbi 1.7 milion CHF të shtunën në kantonet St Gallen dhe Thurgau, raportoi policia zvicerane të dielën. Policia arrestoi tre persona nga Franca.

Në Muolen, kantoni St Gallen, hajdutët vodhën dy makina me vlerë totale mbi 200,000 CHF të shtunën në mbrëmje, sipas policisë kantonale të St Gallen.

Rreth orës 2:30 të mëngjesit, disa persona të panjohur hynë me forcë në një shitës makinash dhe vodhën çelësat e automjeteve, sipas policisë. Ata i nxorën makinat jashtë dhe më pas ikën në një drejtim të panjohur, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sipas policisë kantonale të Thurgau, makinat e vjedhura në Muolen u sekuestruan në orën 6:30 të mëngjesit të dielën gjatë një kontrolli në Frauenfeld, kantoni Thurgau. Automjetet që ishin vjedhur në një vjedhje të ngjashme në Engwilen, kantoni Thurgau, u zbuluan gjithashtu atje.

Autoritetet e Thurgau arrestuan tre persona, sipas një deklarate. Ata përfshinin një grua 31-vjeçare dhe dy burra, të moshës 24 dhe 43 vjeç – të gjithë nga Franca.

Gjatë së njëjtës periudhë, u raportuan vjedhje të tjera në kantonin Thurgau në Matzingen, Wäldi dhe Hagenwil. Shënjestra e kriminelëve ishin çelësat e makinave dhe targat. Vlera totale e mallrave të vjedhura në Thurgau arriti në mbi 1.5 milion CHF.

FSK-ja gati për dislokim në Gazë, pret institucionet për vendimin

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë duke u bërë gati për dislokim në Gazë, dhe po e presin vetëm dritën e gjelbër nga institucionet shtetërore.

Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.

Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.

Megjithatë, në publik dihet pak se kur do të dislokohen ushtarët e FSK-së atje, dhe sa do të jetë numri i tyre.

Bordi i Paqes dhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicrës.

Themelimi i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë.

Plani është pranuar në tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Krahas Kosovës e Shqipërisë, pjesë e Bordit të Paqes janë edhe: Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bullgaria, Kamborxhia, Egjipti, El Salvadori, Hungaria, Indonezia, Izraeli, Jordania, Kazakistani, Kuvajti, Mongolia, Maroku, Pakistani, Paraguaji, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.

Hapat deri te finalizimi i procesit

Funksionalizimi i punës së Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, e ka hapur një pjesë të rrugës që duhet të ndiqet deri te nisja e ushtarëve.

Kjo pasi Ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit parasheh që vendimi në këtë drejtim merret nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, propozimvendimi për dislokimin e FSK-së në Gazë është përcjellë për miratim në Qeveri më 3 mars. Pas miratimit aty, vendimi kalon në duart e ligjvënësve dhe në fund duhet të merret edhe miratimi i presidentit të shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit. Mandati i saj presidencial skadon më 4 prill.

Mundësitë për angazhim prej muajit maj?

Transmetuesi publik i Izraelit, KAN ka raportuar më 14 mars se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS) do të nisë angazhimin në Gazë që nga muaji maj, përfshirë këtu edhe angazhimin e dhjetëra ushtarëve nga Kosova.

Me gjithë interesimin e Radios Evropa e Lirë (REL) Qeveria nuk ka konfirmuar nëse ky informacion është i saktë dhe as nuk ka treguar as kur do ta procedojë në Kuvend vendimin për këtë angazhim të FSK-së.

Njëjtë, përgjigje nuk ka kthyer as Presidenca e Kosovës, lidhur me afatet eventuale për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Maqedonci: Fillimisht planifikohen të dërgohen mbi 20 ushtarë

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes i kanë thënë REL-it se janë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët e FNS-së për përgatitjet që duhet të bëhen dhe se për këtë qëllim është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës që “ndihmon në përgatitje zbarkimin e kontigjentit të FSK-së në Gazë”.

“FNS, ashtu si dhe Bordi i Paqes, përbëjnë dy mjete që e kanë qëllimin e njëjtë e që është ruajtja e sigurisë dhe paqes në Gazë, andaj dhe për dërgimin e FSK-së në Gazë ka pasur koordinim mes Qeverisë dhe institucioneve të tjera”, është thënë në përgjigjen e ministrisë, duke rikujtuar se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese ka edhe mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë në një intervistë për mediumin lokal në Kosovë, Tëvë1, se në Gazë planifikohen të dërgohen “fillimisht mbi 20 ushtarë” të fushave të ndryshme.

“Do të dominojë EOD-ja (Njësia për Eliminimin e Mjeteve të pashpërthyera) dhe deminimi, që është një specialitet tashmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të kemi edhe oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, por gjithashtu do të kemi edhe oficerë planifikues që do të jenë të atashuar në komandën e Forcës Stabilizuese. Por, do të kemi edhe ekipe mjekësore të cilat do të jenë pjesë e këtij kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci më 24 mars.

Hollësi për kohën e dislokimit nuk ka dhënë as vetë Bordi i Paqes, duke u thirrur në “siguri operacionale”.

“Objektivi kryesor i FNS-së është të stabilizojë mjedisin e sigurisë në Gazë”, thuhet në një përgjigje të bordit drejtuar REL-it.

Për kolonelin e pensionuar të FSK-së, Afrim Veselin, numri i trupave që do të dërgohen në Gazë “nuk është aq i rëndësishëm”.

Sipas tij, FSK-ja ka oficerë e nënoficerë të përgatitur me standardet e NATO-s dhe ky operacion do t’i hapë Kosovës dhe ushtrisë së saj edhe më tej rrugën në arenën ndërkombëtare.

“Kjo do të ndikojë fuqishëm edhe në rrugën tonë drejt NATO-s”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

REL-i i është drejtuar edhe Qeverisë së Shqipërisë për të kuptuar se në çfarë faze janë përgatitjet atje, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

“Prania e FSK-së në Gazë, kthim i nderit për ndihmën e marrë më 1999”

Më 24 mars janë bërë 27 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet që zgjatën 78 ditë u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, pas së cilës forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja, KFOR.

Kosova ka shprehur hapur aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, derisa misioni i saj paqeruajtës, KFOR-i, vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, ndonëse me numër më të reduktuar sesa në periudhën e pasluftës. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, derisa sot numëron 4.767 trupa, nga 33 vende të botës.

Ish-koloneli Veseli thotë se Kosova, përmes angazhimit të saj në Gazë, është duke kthyer “nderin dhe ndihmën që e mori më 1999”.

“Nga një vend që më 1999 ishte vetë viktimë, tani Kosova dhe ushtria e saj marrin një operacion të tillë”, tha ai.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, i tha Radios Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në struktura të tilla “forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit dhe e thellon bashkëpunimin me aleatët kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, zhvillime të tilla kontribuojnë në konsolidimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe në ruajtjen e mbështetjes së vazhdueshme amerikane, e cila historikisht ka qenë vendimtare për shtetndërtimin dhe sigurinë e Kosovës”, tha ai.

Angazhimi i FSK-së jashtë vendit

Kjo nuk do të ishte hera e parë që pjesëtarë të FSK-së dislokohen jashtë vendit.

Më 2021, kjo forcë u dërgua në mision në Kuvajt në kuadër të bashkëpunimit me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falklands, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.

Pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë edhe në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme.

Në këtë drejtim, FSK-ja ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri dhe planet janë që gjithçka të përmbyllet deri më 2028./REL

Të pasurit nga Gjiri po tregojnë interes në rritje për Zvicrën

Personat shumë të pasur nga vendet e Gjirit po shfaqin një interes gjithnjë e më të madh për Zvicrën, veçanërisht në kohë pasigurie globale dhe tensioneve gjeopolitike.

Sipas raportimeve, konfliktet në Lindjen e Mesme kanë shtyrë shumë individë me pasuri të lartë të kërkojnë vende më të sigurta për kapitalin e tyre, dhe Zvicra mbetet një nga destinacionet kryesore për këtë qëllim, transmeton albinfo.ch.

Zvicra shihet si një “strehë e sigurt” për investime falë stabilitetit politik, sistemit të fortë ligjor dhe reputacionit të saj në menaxhimin e pasurisë. Këto faktorë, të njohur shpesh si “Swissness”, janë shumë të vlerësuar nga investitorët ndërkombëtarë.

Të dhënat tregojnë se interesimi nuk është vetëm teorik. Kapitalet nga rajoni i Gjirit – veçanërisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe – janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit, me një rritje rreth 40% në tre vitet e fundit.

Ekspertët presin që kjo tendencë të vazhdojë, me mundësi që në Zvicër të hyjnë miliarda dollarë nga rajoni, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme gjeopolitike. Fillimisht këto lëvizje zakonisht bëhen në formë depozitash cash, për t’u shndërruar më pas në investime më të gjera si aksione apo obligacione.

Megjithatë, edhe pse interesi është në rritje, ekspertët theksojnë se konkurrenca nga qendrat financiare në Lindjen e Mesme dhe Azi mbetet e fortë, duke e bërë këtë garë më dinamike se më parë.

Ishte nisur për Kosovë, mërgimtari humb jetën në aksident në Kroaci

Një i ri nga Kosova ka humbur jetën në një aksident në Kroaci, derisa po kthehej për në vendlindje.

R.S nga fshati Jasiq në komunën e Junikut, ishte nisur për Kosovë teksa detaje të tjera lidhur me aksidentin nuk janë bërë të ditura.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se gjatë rrugës për në vendlindje, në një aksident tragjik në Kroaci, ka ndërruar jetë bashkatdhetari ynë. Detaje për ceremoninë e varrimit, do të bëhen të ditura ndërkohë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.