Thaçi: Caktimi i kësaj seance duhej evituar, befasi jo e mirë për mua dhe çdo shqiptar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi është deklaruar para gjyqtarit se seanca e caktuar sot për 28 nëntor do të duhej evituar.

Sipas tij, është në interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk mund të ndodhin në shtetet përkatëse të palëve.

“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, dhe për këtë arsye jam edhe sot në këtë seancë sepse jam i përcaktuar për respektimin e shtetit ligjor. Është me interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk mund të ndodhin në shtete e juaja përkatëse”, u shpreh ai.

Tutje, Thaçi tha se si çdo popull, edhe shqiptarët kanë historinë e vet dhe se mbajtja e kësaj seance ishte befasi jo e mirë për të dhe shqiptarët.

“Si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare dhe shtetërore. Mendoj që caktimi i kësaj seance sot me 28 nëntor duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot për mua dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mire”, ka thënë ai.

Ish-presideti u shpreh se 28 Nëntori është festë e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare.

“Sot, çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtarë ku si çdo popull i lirë në botë kujton dhe feston”, tha ai teksa shtoi se sot, çdo familje shqiptare duke përfshirë edhe institucionet e Kosovës janë në festë.

Donald Trump uron Shqipërinë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë sot të ditur se ka marrë një urim nga presidenti amerikan, Donald Trump, për 113 vjetoirn e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, faleminderit juve president Donald Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria është e përkushtuar për të punuar me SHBA-në prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, përkrah SHBA-së”, ka shkruar Begaj, transmeton albinfo.ch.

Më herët gjatë ditës, nga SHBA-ja Shqipërinë e uroi edhe sekretari Marco Rubio në një publikim në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai rikujtoi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri, për të cilin tha se është ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për të ardhme më të sigurt dhe të begatë.

Për një muaj, mbi 1 milion pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi një rritje të ndjeshme të pasagjerëve gjatë 2025-ës, duke arritur një rekord në muajin tetor me 1 048 706 pasagjerë dhe 6168 fluturime drejt 83 destinacioneve në 25 shtete, përcjell albinfo.ch.

Kjo rritje lidhet si me fluksin turistik, ashtu edhe me zgjerimin e lidhjeve ajrore.

Sipas TIA-s, 5 destinacionet kryesore gjatë tetor ishin Milano, Londra, Roma, Vjena dhe Bolonja.

TIA mbetet porta kryesore ajrore që lidh Shqipërinë me botën, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për një numër gjithnjë në rritje pasagjerësh.

Ambasada e Zvicrës uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka përcjellë urimet më të ngrohta për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Në një mesazh urimi, Ambasada ka rikujtuar afërsinë historike e kulturore mes shqiptarëve dhe zviceranëve, duke cituar një përshkrim të veçantë për Shqipërinë:

“Ne zviceranët mund të jemi vetëm dashamirës ndaj shqiptarëve. Shqipëria është Zvicra e Lindjes. Nga aspekti fizik, nga jeta baritore e banorëve të saj, nga thjeshtësia dhe ndershmëria e tyre, nga trimëria dhe kujdesi për besën e dhënë, Shqipëria është shumë pranë nesh”.

Ky vlerësim shihet si shprehje respekti për mikpritjen dhe vlerat e popullit shqiptar, si dhe për kontributin e komunitetit shqiptar në Zvicër, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve dypalëshe.

Zvicra mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë në fusha të shumta, veçanërisht në zhvillim ekonomik, arsim dhe bashkëpunim social.

Në këtë ditë historike për shqiptarët, urimi i Ambasadës zvicerane vjen si një dëshmi e miqësisë së fortë dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve.

FSK bën homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz për 28 Nëntor, përcjell albinfo.ch.

“Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit: Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, përvjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz”.

FSK tha se me këtë rast, u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sakrifica e gjithë brezave që luftuan e u flijuan për atdhe.

Sot, 70-vjetori i lindjes së Adem Jasharit

Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë, përcjell albinfo.ch.

Por 28 Nëntori është një tjetër datë e rëndësishme, e cila përkon me lindjen e kryekomandantit legjendar, heroit të Kosovës, Adem Jashari.

Nëse sot do të ishte gjallë, heroi do të festonte 70-vjetorin e tij të lindjes.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 dhe jetoi deri më 7 mars 1998. Ai ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK-së).

Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Së bashku me vëllanë e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore ushtarake serbe, të cilat më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai njihet si Komandanti Legjendar i UÇK-së. Urdhri “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës.

113 piktura për 113-vjetorin e Pavarësisë, projekti i veçantë i artistit shqiptar në Austri

Artisti i mirënjohur shqiptar që jeton dhe vepron në Austri, Haxhi Fejzullahu, ka realizuar një projekt unik artistik kushtuar 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan albinfo.at.

Me ndjenjën e thellë të përkatësisë dhe krenarisë kombëtare, ai ka krijuar 113 piktura, secila e veçantë në përmbajtje dhe simbolikë, për të nderuar këtë ditë historike për kombin shqiptar.

Këto vepra janë realizuar me teknikë kolazhi, duke ndërthurur elemente të pasura vizuale që përfaqësojnë traditën, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Ajo që e bën projektin edhe më domethënës është përdorimi i dheut të mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, i cili shndërrohet në pjesë të vetë artit. I bashkuar me motivin e shqiponjës, dheu kthehet në simbol të përjetshëm të atdheut, rrënjëve dhe forcës së përbashkuese të shqiptarëve kudo që jetojnë.

Ky projekt përçojnë mesazhin e bashkimit kombëtar, duke e shndërruar artin në një urë që lidh historinë me të tashmen dhe shpirtin krijues me kujtesën kolektive. Fejzullahu dëshmon se arti nuk është vetëm shprehje individuale, por edhe mjet komunikimi dhe nderimi për vlerat kombëtare.

Me këtë koleksion, artisti kontribuon në ruajtjen e identitetit dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare, duke e vendosur kulturën tonë në qendër të vëmendjes edhe përtej kufijve./Albinfo.at

Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë, marrin pjesë kryeministri Rama, Presidenti Begaj dhe Vjosa Osmani

Në Vlorë ka nisur ceremonia e ngritjes së flamurit, ku mori pjesë kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Një kurorë me lule, u vendos nga Kryeministri Edi Rama në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, në nderim dhe respekt të sakrificave për idealin e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur.

Shumë shqiptarë të Kosovës janë mbledhur në qytetin ku u ngrit flamuri për të festuar ditën e Pavarësisë.

Për këtë ditë të shënuar vendi ynë ka marrë urime edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Rubio uron Shqipërinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka uruar shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Në urimin në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. 

“Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, thuhet në urimin e Rubios. 

Rubio ka thënë se e gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e ka përgëzuar Shqipërinë “për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike”. 

“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, ka shkruar Rubio.

Abdixhiku uron Ditën e Flamurit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar 28 Nëntorin, përcjell albinfo.ch.

Ai shkroi se sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, siç u shpreh, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë.

“Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi. Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë. Shqipëria u bë realitet falë vendosmërisë dhe guximit të një brezi vizionar, që sfidoi çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri mbi liri, dinjitet e demokraci”, shkroi ai.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tha se mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë, “ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”.

“Kjo datë lidhet me figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe patriotët që shpallën pavarësinë; Presidenti historik Ibrahim Rugova, ideatori i shtetit të Kosovës; komandanti legjendar Adem Jashari, shembulli i sakrificës dhe mbrojtjes së atdheut. Sot nderojmë me respekt të thellë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa veprën e tyre, sot nuk do të gëzonim lirinë që kemi. Shqipëria, pas më shumë se një shekulli pavarësi, është bërë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë: ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”, u shpreh kreu i LDK-së.

Bedri Hamza uron 28 Nëntorin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Flamurit, Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka shkruar se e kuqja dhe e zeza sot nuk janë vetëm ngjyra duke shtuar se ato janë Shqipëri.

“28 Nëntori na mbush me krenarinë e të qenit shqiptarë. Nga flamuri i Skënderbeut në Krujë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, deri te ditëlindja e komandantit Adem Jashari, kjo ditë simbolizon çdo hap të rëndësishëm në rrugën tonë drejt lirisë. E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët. Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet!”, ka shkruar Hamza.

Presidentja Osmani: Dy shtete, një komb, një zemër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin shqiptar, në kuadër të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë historike të katër ngjarjeve të shënuara për kombin shqiptar, përcjell albinfo.ch.

 Ajo ka kujtuar Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si ngjarjet që përbëjnë “boshtin e krenarisë kombëtare”.

Në mesazhin e saj në Facebook, Osmani e ka cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si të thellë dhe të pandashme, duke i quajtur të dyja shtetet “dy flamuj, por një zemër.

“Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

Gëzuar Ditën e Flamurit!

Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, shkroi e para e vendit.

Kurti: Vëllezër e motra shqiptare, e gëzofshi 28 Nëntorin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 113-vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar për siç ka thënë “Nëntor të Tretë”, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në Facebook ku ka shkruar për ngjarjet që shqiptarët i shënojnë më 28 nëntor, ka thënë, “sytë i kemi kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm”.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

Rama uron shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, në kuadër të përvjetorit të 113-të, përcjell albinfo.ch.

“MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook ndërsa e shoqëron postimin me një foto nga Monumeti i Pavarësisë në Vlorë.

Sot, më 28 Nëntor, mbarë shqiptarët festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dita e Pavarësisë (e njohur edhe si Dita e Flamurit) është një festë publike në Shqipëri që festohet më 28 Nëntor.

Ajo përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u ratifikua nga Kongresi Mbarëshqiptar më 28 Nëntor 1912, duke krijuar shtetin e Shqipërisë, shkruan rtsh.al.

Në qytete të ndryshme të vendit do zhvillohen koncerte festive, aktivitete kulturore, parakalime fëmijësh me flamuj kombëtarë dhe ekspozita historike.

28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të kombit shqiptar, një ditë reflektimi për sakrificat e së kaluarës dhe angazhimin për të ardhmen.

Një tjetër klub i njohur evropian ia vë syrin Fisnik Asllanit

Me paraqitjet e tij mbresëlënëse këtë sezon për TSG Hoffenheim dhe Kosovën, Fisnik Asllani ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, përfshirë Bayern Munich dhe FC Barcelona.

Borussia Dortmund tani ka dalë gjithashtu në skenë si një pretendente për sulmuesin 23-vjeçar, me Bildqë raporton se ai është fuqishëm nën monitorimin e verdhezinjve, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se Dortmund bëri një përpjekje serioze për të transferuar Asllanin verën e kaluar, dhe tabloidi gjerman shkruan se interesimi po rritet sërish.

Asllani mund të mbërrijë si zëvendësues i Serhou Guirassy, i cili mund të largohet nga klubi në verë.

Sulmuesi nga Guinea ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e tij, e cila vlen për një numër të kufizuar klubesh, dhe sipas raportimeve, po u ofrohet klubeve në Arabinë Saudite nga vëllai dhe agjenti i tij.

Besohet se edhe sulmuesi kosovar ka një klauzolë largimi në kontratën me Hoffenheim. Shifra e saktë nuk është bërë publike, por thuhet se është brenda një niveli të përballueshëm.

25 fakte interesante për 28 nëntorin

Data 28 nëntor jo më kot quhet edhe datë historike për shqiptarët. Në këtë ditë ndodhën shumë ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për popullin shqiptarë, përcjell albinfo.ch.

Me 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa me 28 nëntor 1955 lindi komandanti Adem Jashari.

25 fakte historike se pse 28 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme tek shqiptarët:

1. 28 nëntor 1443 – Kthimi i Gjergj (Gjon) Kastriotit- Skënderbeut në Krujë.

2. 28 nëntor 1793 – Në qytetin e Shkodrës dhe atë të Lezhës filloi kryengritja kundër Ushtrisë së Perandorisë Osmane.

3. 28 nëntor 1882 – Datëlindja e Poetit dhe Diplomatit Ali Asllanit.

4. 28 nëntor 1912 – Mbajtja e Kuvendit të Vlorës.

5. 28 nëntor 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

6. 28 nëntor 1912 – Qëndisja e Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Marigo Pisio (Marigona).

7. 28 nëntor 1912 – Ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Qytetin e Vlorës (Aulon).

8. 28 nëntor 1932 – Me vendimin e Qeverisë Mbretërore, trupi i pajetë i Ismail Qemailit u soll në qytetin e Vlorës.

9. 28 Nëntor 1932 – Vendosja e Skulpturës së Ismail Bej Qemailit në kopshtin e Kuvendit të Vlorës të punuar nga skulptorit i njohur Odhise Paskali.

10. 28 nëntor 1932 – Dhurimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në Muzeun Kombëtar të Mbretësisë së Shqipërisë nga Ethem Bej Vlora.

11. 28 nëntor 1945 – Ngritja e Flamurit Kombëtar në qytetin e Preshevës nga Xheladin Kurbaliu.

12. 28 nëntor 1955 – Lindja e Komandatit “Legjendar” Adem Jasharit.

13. 28 nëntor 1959 – Ngritja e Statujës së Parë të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në qytetin e Krujës e punuar nga Skulptori Janaq Paço.

14. 28 nëntor 1968 – Ngritja e Monumentit të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut në qytetin e Tiranës.

15. 28 nëntor 1968 – Burgosja e studentëve të Kosovës nga Forcat Policore Jugosllave.

16. 28 nëntor 1969 – Lejimi i përdorimit të simbolit kombëtar për herë të parë në Kosovë.

17. 28 nëntor 1981 – Burgosja e studentëve në Kosovë.

18. 28 nëntor 1982 – Prodhimi i Filmit “Nëntori i Dytë”, nga Viktor Gjika për hirë të 70 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

19. 28 nëntor 1989 – Burgosjet dhe maltretimet psiqike dhe fizike në Burgjet e Kosovës nga forcat policore.

20. 28 nëntor 1997 – Paraqitja publike për herë të parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

21. 28 nëntor 1997 – Paraqitja publike e Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Daut Hajradinit në Fshatin Laushë të Skënderajit.

22. 28 nëntor 1998 – Mbatja e Referedumit Mbarëpopullorë në Republikën e Shqipërisë.

23. 28 nëntor 1998 – Miratimi i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

24. 28 nëntor 2001 – Ngritja e Monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë.

25. 28 nëntor 2006 – Ngritja e Monumentit të heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Shkup.

Stokholm: Kosova promovon potencialin turistik në panairin ndërkombëtar “Travel News Market”

Në Stokholm të Suedisë po zhvillohet panairi i turizmit “Travel News Market”, ku Kosova po promovon potencialet e saj turistike para një audience të gjerë ndërkombëtare. Kjo ngjarje, e njohur si një ndër platformat kryesore të industrisë së turizmit në rajonin nordik, mbledh profesionistë, operatorë turistikë dhe partnerë globalë, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrja e kompanive të Kosovës në këtë panair është mundësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me projektin FEGO.

Kosova po përfaqësohet nga shtatë kompani të sektorit të turizmit: Outdoor Kosovo, Butterfly Outdoor Adventure, SuperXplorers, LynxFreeride, Balkan Destination, Happy Trail, 7 Arte – Visit Trepça.

Përmes prezantimeve të tyre, ato po shfaqin ofertat dhe paketat turistike para tregut skandinav, me synimin për të rritur bashkëpunimet, për të krijuar lidhje të reja kontraktuale dhe për të fuqizuar praninë e Kosovës si një destinacion i qëndrueshëm dhe atraktiv për turistët nordikë.

Ky prezantim i përbashkët i kompanive kosovare shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ofertës turistike të vendit në skenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim, marrëveshje biznesi dhe zhvillim të mëtejshëm të sektorit të turizmit.

Gjatë vizitës në Stokholm u zhvilluan edhe takime B2B në Ambasadën e Kosovës, nën mikpritjen e ambasadores Shkendije Geci Sherifi. Në këto takime, zyrtarët e MINT/KIESA prezantuan para operatorëve suedezë prioritetet strategjike dhe promovuan potencialet turistike të vendit, ndërsa operatorët nga Kosova patën mundësinë të paraqesin produktet dhe ofertat atraktive turistike, duke identifikuar partnerë të rinj për bashkëpunim.

Drita mposht Shkëndijën në “Fadil Vokrri”, Manaj heroi i sfidës

Drita shënoi një fitore të rëndësishme ndaj Shkëndijës së Tetovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pjesë e Ligës së Konferencës.

Goli vendimtar i takimit u realizua nga Arb Manaj në minutën e 21-të, duke siguruar tre pikët për skuadrën gjilanase.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme gjatë gjithë ndeshjes. Rreth 15 autobusë me tifozët e Shkëndijës, të njohur si “Ballistët”, udhëtuan nga Tetova për ta mbështetur ekipin e tyre, ndërsa “Intelektualët”, tifozët e Dritës, sollën një koreografi mahnitëse në tribunat vendase.

Të dy grupet e tifozëve nuk ndaluan së kënduari dhe së kërceuari gjatë gjithë ndeshjes, duke kthyer sfidën në një festë të vërtetë shqiptare. Para fillimit të takimit, lojtarët dhe tifozët e të dy ekipeve kënduan himnin kombëtar shqiptar, duke krijuar një moment të veçantë uniteti dhe emocioni.

Ndeshja ishte e karakterizuar nga ritëm i lartë, duele të forta dhe energji e madhe, por Drita tregoi më shumë kontroll në momentet kyçe të lojës.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e 8-të në renditjen e Ligës së Konferencës, ndërsa Shkëndija zbret në pozitën e 25-të.

Zvicra për momentin “shpëton” nga gripi i zogjve

Ndërsa gripi i zogjve po përhapet në Evropë, Zvicra ka qenë deri tani e përjashtuar nga shpërthimet masive tek pulat shtëpiake. Në fermën e Christoph Hagenbuch në Oberlunkhofen, Aargau, rreth 400 pula mbahen të mbyllura në stalla deri në mars, për të parandaluar kontaktin me zogjtë e egër.

Qindra mijëra pula janë asgjësuar javët e fundit në Gjermani, Austri dhe Francë, por në Zvicër, rregullat strikte të mbajtjes së pulave dhe numri i kufizuar i kafshëve në ferma ndihmojnë në frenimin e virusit. Veterinarja kantonale e Aargau, Barbara Thür, thotë se vendndodhja gjeografike gjithashtu ndihmon: ka më pak zogj migrues që kalojnë nëpër Zvicër, duke ofruar një lloj “mbrojtjeje alpinë”.

Fermerët zviceranë thonë se përveç masave strikte, edhe pak fat është i nevojshëm për të shmangur shpërthime të gripit të zogjve.

 

 

Pesë produkte që reklamohen si ‘zvicerane’ por nuk kanë asnjë lidhje me Zvicrën

Një copë djathi, bukë apo salcë sallate – produktet në të gjithë botën shpesh reklamohen si të origjinës zvicerane, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me vendin tonë. Ja pesë shembuj.

1. «Swiss Roll»

Në Angli mund të gjesh një produkt që thuhet se është zviceran: “Swiss Roll”. Edhe pse ky ëmbëlsirë rrotulluese ka origjinë evropiane, është shumë e dyshimtë që të vijë nga Zvicra. Megjithatë, mjeshtrja e bukurisë Freya Cox – ish-konkurrente e “The Great British Bake Off” – në një video TikTok gatuan një “Black Forest Swiss Roll”, një ëmbëlsirë që pretendon të jetë nga Zvicra dhe Gjermania.

2. «Swiss Wake-Up Call»

Në Gjermani, diçka që tingëllon si “Weggli” (një lloj bukë zvicerane) është diçka krejt tjetër. Nëse porosit një “Schweizer Wecke” aty, shpesh merr një rollet të vogël dhe të ëmbël me sheqer perlë, që nuk ka lidhje me versionin zviceran.

3. «Swiss Cheese»

“Swiss Cheese” duket qartë si djathë zviceran, por në SHBA mund të zhgënjeheni nëse prisni një copë Emmental të vërtetë. Djathi ka vrima, por nuk ka shijen e pasur të djathit tonë. Kristina, krijuese nga Panama, provoi “Swiss Cheese” të importuar nga SHBA dhe tha se nuk i pëlqeu aspak.

4. «Swiss Dressing»

Edhe salcat e sallatës përfitojnë nga marka “Swiss” dhe reklamohen jashtë vendit si “Swiss dressing”. Ato ngjajnë shumë me salcat franceze që përdorim ne, dhe mund t’i gjesh, për shembull, në Amerikën e Veriut.

5. «Swiss Steak»

Në SHBA, “Swiss steak” është një pjatë me mish të ngrohur. Ajo nuk ka asnjë lidhje me Zvicrën; termi “Swiss” i referohet teknikës së rrahjes së mishit për ta bërë më të butë – teknikë që njihet si “Swissing”.

 

Zvicra drejt 10 milion banorëve: Pa emigracion, vendi plaket

Sipas një raporti të ri të Zyrës Federale të Statistikave, popullsia e Zvicrës pritet të arrijë 10 milion banorë deri në vitin 2040, kryesisht për shkak të emigracionit. Pa ardhjen e të huajve, popullsia zvicerane do të plaket dhe mund të fillojë të tkurret pas vitit 2035.

Rritja e numrit të të moshuarve paraqet sfida për ekonominë dhe sistemin e sigurimeve sociale, por emigracioni mund të zbusë këto efekte. Emigrantët kontribuojnë në mbushjen e boshllëqeve në tregun e punës, veçanërisht në sektorin shëndetësor, dhe përmirësojnë financat publike, transmeton albinfo.ch.

Raporti nënvizon gjithashtu sfidat: nevojën për investime në banesa, shkolla, infrastrukturë dhe integrimin e emigrantëve pa kualifikime. Megjithatë, autoritetet federale e shohin një Zvicër me 10 milion banorë si të arritshme dhe teknokratisht të menaxhueshme, duke e bërë vendin më të larmishëm dhe më të vjetër në dekadat e ardhshme.

Hapet shkolla shqipe në Wittenbach të Zvicrës

Një ngjarje me rëndësi për komunitetin shqiptar në Wittenbach u shënua këtë javë me hapjen e një pike të re të “Shkollës Shqipe”, një iniciativë e pritur me padurim nga prindërit dhe fëmijët e zonës.

Hapja e shkollës ndodhi pak para 28 Nëntorit, duke i dhënë fëmijëve mundësinë të nisin mësimin e gjuhës shqipe për herë të parë, transmeton albinfo.ch.

Mësuesja Artjola Ferizi, me përvojë të gjatë në arsim, priti nxënësit duke u siguruar që gjithçka të ishte gati për ditën e parë: tekstet mësimore, materialet dhe një atmosferë mikpritëse, ku fëmijët ndihen si në shtëpi. Libri dhe abetarët e përdorur u siguruan falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadën e Shqipërisë në Zvicër.

Në orën e parë morën pjesë fëmijët Dauti, Asja, Elina, Eljona, Ameli, Medini, Luani dhe Drini. Fytyrat e tyre të buzëqeshura mbushën klasën me energji dhe kuriozitet për të mësuar mbi gjuhën dhe kulturën e tyre.

Ky hap tregon vendosmërinë e komunitetit shqiptar për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kulturor dhe për t’ua transmetuar brezit të ri si vlerë të patjetërsueshme. Shkolla Shqipe në Wittenbach i fton të gjithë prindërit që të angazhojnë fëmijët e tyre në këtë rrugëtim të dijes dhe identitetit.