Sot, në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, u zhvillua një takim kushtuar çështjes çame dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë për më shumë se 82 vjet.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Nazmi Jakurti, kryetar i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë me qendër në Zvicër, diplomati dhe akademiku Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati, shkrimtari dhe publicisti Luan Rama, si dhe Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, themelues dhe kryeredaktor i parë i gazetës “Çamëria”, thuhet në një njoftim që delegacioni i ka dërguar platformës albinfo.ch.
Delegacioni u prit nga znj. Claudia De La Fuente, Sekretare e Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Degës së Traktateve të të Drejtave të Njeriut.
Gjatë takimit, z. Veliu theksoi se çështja çame nuk është thjesht një çështje historike e së kaluarës, por një problem me pasoja konkrete që vazhdojnë të prekin shqiptarët e Çamërisë edhe sot. Ai nënvizoi se të drejta themelore, si e drejta e pronës, e drejta mbi trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe e drejta për të vizituar lirisht vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre, vazhdojnë të mohohen nga shteti grek.
Në mënyrë të veçantë, z. Veliu solli në vëmendje rastet e shumta të personave të lindur në Çamëri, të cilëve u ndalohet hyrja në Greqi dhe vizita në shtëpitë ku kanë lindur, përmes pretekstesh administrative që bien ndesh me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi paraqiti një pasqyrë historike të çështjes çame, duke argumentuar se që prej vitit 1913 politika shtetërore greke ka ndjekur një linjë të qartë diskriminimi dhe spastrimi etnik ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Ai vuri në dukje gjithashtu mungesën e një angazhimi të qëndrueshëm të diplomacisë shqiptare për trajtimin e kësaj çështjeje në arenën ndërkombëtare. Prof. Xhufi theksoi se mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës përbën një paradoks të papranueshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë nënshkruar traktate miqësie dhe bashkëpunimi.
Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama solli në vëmendje mënyrën se si Europa ka trajtuar rastet e krimeve të kryera ndaj popullsive të ndryshme, duke kujtuar aktet e reflektimit dhe kërkimit të faljes të ndërmarra nga burra shteti europianë si François Mitterrand dhe Willy Brandt. Ai theksoi se një reflektim i tillë nga shteti grek mungon ende për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Z. Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për humbjen progresive të identitetit shqiptar në Çamëri. Sipas tij, shkatërrimi i shtëpive tradicionale, objekteve të kultit, monumenteve dhe trashëgimisë historike përbën jo vetëm humbje për shqiptarët, por edhe për vetë trashëgiminë kulturore europiane. Ai nënvizoi se shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim kufijsh, por vetëm respektimin e të drejtave themelore të mohuara prej dekadash.
Prof. Dr. Bashkim Kuçuku foli për përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Çamërisë, institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë për ta sjellë çështjen çame në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë paqësore dhe plotësisht në përputhje me frymën e konventave europiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Nga ana e tij, z. Nazmi Jakurti theksoi se çështja çame është një çështje kombëtare shqiptare, për të cilën janë angazhuar shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora. Ai nënvizoi se Lidhja e Shqiptarëve në Botë e ka përfshirë çështjen çame në mënyrë të vazhdueshme në agjendën e saj institucionale dhe publike.
Në përfundim të takimit, znj. Claudia De La Fuente falënderoi delegacionin për informacionin e paraqitur dhe shprehu gatishmërinë për ta përcjellë këtë çështje pranë strukturave përkatëse të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e marrjes së informacionit zyrtar nga shteti grek dhe ai shqiptar, me qëllim krijimin e një panorame të plotë mbi qëndrimet institucionale lidhur me çështjen çame.
Në fund të takimit, z. Veliu i dorëzoi znj. De La Fuente një dosje të gjerë dokumentare mbi çështjen çame, që përfshin materiale historike, juridike, politike dhe kulturore, si dhe dëshmi autentike të të mbijetuarve të dëbimit dhe persekutimit të shqiptarëve të Çamërisë.
Zvicra do të dislokojë rreth 4.000 trupa ushtarake për të forcuar sigurinë gjatë samitit të G7-ës, i cili do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në Evian-les-Bains të Francës, pranë kufirit zviceran, përcjell albinfo.ch.
Sipas autoriteteve zvicerane, afërsia e vendit ku zhvillohet samiti me territorin zviceran ka shtuar nevojën për koordinim të ngushtë mes institucioneve civile dhe ushtarake. Për këtë arsye, Këshilli Federal dhe Kuvendi kanë miratuar një operacion të posaçëm sigurie me mbështetjen e ushtrisë.
Ushtarët do të angazhohen në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë Aeroportin e Gjenevës, forcimin e kontrollit kufitar, si dhe monitorimin e rrugëve kryesore të transportit dhe zonës së Liqenit të Gjenevës.
Ndërkohë, Forcat Ajrore Zvicerane do të rrisin patrullimet në hapësirën ajrore dhe do të vendosin kufizime të përkohshme të fluturimeve nga 10 deri më 19 qershor. Në kuadër të masave të sigurisë do të përdoren edhe sisteme kundër dronëve, si dhe kapacitete mbrojtëse ndaj kërcënimeve bërthamore, biologjike dhe kimike.
Samiti i G7-ës pritet të mbledhë liderët e ekonomive më të mëdha botërore, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe delegacione të tjera të nivelit të lartë, ndërsa autoritetet presin edhe protesta gjatë zhvillimit të ngjarjes./Albinfo.ch
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar trajtim të barabartë për Kosovën në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka dëshmuar përkushtim ndaj reformave dhe vlerave të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.
Në deklarimin e saj para mediave në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat, Haxhiu tha se e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është brenda familjes evropiane.
Ajo vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit si një mundësi të rëndësishme për të diskutuar çështje kyçe që lidhen me sigurinë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian. Një Bashkim Evropian më i fortë dhe më i zgjeruar është përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve për të krijuar paqëndrueshmëri në Evropë”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e reformave demokratike dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj politikave dhe qëndrimeve të BE-së, përfshirë edhe ato në fushën e sigurisë.
Haxhiu theksoi se Kosova meriton hapa konkretë në procesin integrues, duke përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
“Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një proces teknik. Ai lidhet me prosperitetin, paqen, demokracinë dhe dinjitetin e qytetarëve tanë dhe të gjithë Evropës”, u shpreh ajo.
Samiti në Tivat ka mbledhur liderë të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivën evropiane të rajonit, sfidat e sigurisë dhe zbatimin e Planit të Rritjes për vendet kandidate./Albinfo.ch
Çmimet e pronave në rajonet alpine të Zvicrës kanë vazhduar rritjen edhe gjatë vitit 2025. Sipas indeksit të pronave alpine të publikuar nga banka UBS të enjten, banesat në zonat malore janë bërë mesatarisht gati 4 për qind më të shtrenjta, përcjell albinfo.ch.
Të dhënat tregojnë se çmimi mesatar për metër katror i pronave rezidenciale në vendpushimet zvicerane të maleve vazhdon të rritet, duke e bërë tregun gjithnjë e më të kushtueshëm.
Në krye të listës qëndron Gstaad, ku për një apartament pushimi luksoz duhet të paguhen mesatarisht 25,200 franga për metër katror, duke e bërë destinacionin më të shtrenjtë në Alpet zvicerane.
Pas tij renditen Engadin/St. Moritz me 24,000 franga për metër katror, Verbier me 23,600 franga, Andermatt me 22,200 franga dhe Zermatt me 21,000 franga.
Sipas analizës, kërkesa e lartë për prona në zonat alpine dhe oferta e kufizuar po vazhdojnë të mbajnë çmimet në rritje./Albinfo.ch
Franca dhe Gjermania kanë prezantuar një dokument joformal (non-paper) që synon t’i afrojë më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian përmes një modeli të integrimit gradual.
Nisma, e cila pritet të diskutohet në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, parashikon përfshirjen e vendeve kandidate në programe, politika dhe mekanizma të ndryshëm evropianë edhe para anëtarësimit të plotë në BE.
Dokumenti është përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët vlerësojnë se procesi i zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re politike dhe reforma më të shpejta.
Sipas propozimit, vendet kandidate do të mund të përfitojnë gradualisht qasje më të madhe në tregun e përbashkët evropian, si dhe të marrin pjesë si vëzhguese në disa procese dhe institucione të BE-së. Përfitimet do të varen nga progresi në reforma, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave evropiane.
Franca dhe Gjermania theksojnë se ky model nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë në BE, por të përshpejtojë rrugën drejt tij dhe t’u ofrojë qytetarëve të vendeve kandidate përfitime konkrete që para pranimit zyrtar në union.
Në dokument kërkohet gjithashtu që Komisioni Evropian të hartojë mekanizma të rinj që do të lehtësonin integrimin gradual dhe do të reduktonin pengesat procedurale në procesin e negociatave.
Shtetasit e dyfishtë me nënshtetësi franceze dhe zvicerane do të jenë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak në Zvicër, sipas një vendimi të miratuar nga deputetët zviceranë, përcjell albinfo.ch.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në vitin 199, të rinjtë me nënshtetësi të dyfishtë mund të shmangnin shërbimin ushtarak në Zvicër nëse kishin marrë pjesë në “Ditën e Mbrojtjes dhe Qytetarisë” në Francë.
Megjithatë, deputeti Mauro Poggia dhe mbështetës të tjerë të nismës argumentuan se kjo praktikë krijonte “pabarazi të qartë në trajtim” në raport me qytetarët zviceranë, të cilët janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak.
Të enjten, deputetët e Këshillit Kombëtar miratuan mocionin, duke e zgjeruar detyrimin e shërbimit ushtarak edhe për meshkujt me nënshtetësi të dyfishtë që jetojnë në Zvicër./Albinfo.ch
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš, në margjinat e Samitit BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, përcjell albinfo.ch.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi kryeministrin çek për mbështetjen e vazhdueshme që Çekia i ka ofruar Kosovës ndër vite, si në procesin e shtetndërtimit, ashtu edhe në rrugëtimin euroatlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy shteteve, duke theksuar se ngritja e nivelit të përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë është dëshmi e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.
Sipas Presidencës, në takim u diskutua edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Haxhiu kërkoi mbështetjen e Pragës për hapat e ardhshëm në procesin integrues, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Po ashtu, ajo theksoi se Kosova e konsideron Çekinë një partnere të rëndësishme edhe në zhvillimin ekonomik, duke përmendur mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si energjia, teknologjitë e gjelbra, inovacioni, digjitalizimi, shëndetësia, infrastruktura dhe industria e avancuar.
Takimi u zhvillua në kuadër të samitit që ka mbledhur liderë evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar të ardhmen evropiane të rajonit, Planin e Rritjes dhe sfidat e sigurisë e stabilitetit./Albinfo.ch
Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka miratuar të enjten një mocion të propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), i cili parashikon vendosjen e një “takse sigurie” për shtetasit e huaj që jetojnë në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Sipas propozimit, kjo taksë do të modelohej sipas sistemit të taksës së përjashtimit nga shërbimi ushtarak, të cilën e paguajnë të gjithë burrat që nuk shërbejnë në ushtri.
Parametrat e njëjtë do të përdoren për të llogaritur shumën që duhet paguar, si dhe kohëzgjatjen e detyrimit tatimor.
Megjithatë, kjo nismë ende nuk është përfundimtare, pasi duhet të kalojë edhe votimin në Këshillin e Shteteve para se të hyjë në fuqi.
Debati për këtë propozim vjen në një moment kur çështjet e migracionit dhe sigurisë po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në politikën zvicerane. /Albinfo.ch
Kundërshtimi ndaj projekteve të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës po zgjerohet përtej kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës kanë nisur organizimin e protestave dhe aktiviteteve sensibilizuese në mbështetje të ruajtjes së një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale, protestat janë paralajmëruar të mbahen në Londër, Bernë, Madrid, Vjenë, Stokholm dhe Hagë, në datat e përcaktuara nga organizatorët.
Aktivistët shprehen të shqetësuar për ndikimin që projektet e planifikuara mund të kenë mbi ekosistemin e Lagunës së Nartës, një zonë e njohur për biodiversitetin e pasur dhe praninë e flamingove. Ata kërkojnë më shumë transparencë nga institucionet lidhur me planet zhvillimore dhe pasojat e mundshme mjedisore.
Sipas organizatorëve, mobilizimi i diasporës synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare mbi rëndësinë e mbrojtjes së kësaj pasurie natyrore.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur protestat kundër ndërtimeve në Zvërnec po vazhdojnë në Shqipëri, me tubime të organizuara në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, duke e shndërruar çështjen në një nga debatet më të ndjekura publike të ditëve të fundit./Albinfo.ch
Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka njoftuar qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër se votimi fizik në kuadër të procesit zgjedhor do të mbahet më 6 qershor 2026 (e shtunë), në disa pika votimi të hapura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në këtë shtet, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi i votimit do të organizohet në ambientet e Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, si dhe në konsullatat në Konsullata e Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih.
Të drejtë vote do të kenë vetëm qytetarët e Republikës së Kosovës që janë regjistruar paraprakisht për votim fizik në përfaqësitë diplomatike.
Po ashtu, në kuadër të lehtësimit të procesit zgjedhor për diasporën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka miratuar vendimin që qytetarët të mund të votojnë edhe me dokumente identifikimi të skaduara. Ky vendim vlen vetëm për ata që janë regjistruar paraprakisht për votim fizik në ambasada dhe konsullata.
Dokumentet e pranueshme për identifikim janë: pasaporta, letërnjoftimi dhe leja e vozitjes e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ato me afat të skaduar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës thekson se ky lehtësim synon t’u mundësojë bashkatdhetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pengesa administrative.
Për shkak të numrit të madh të qytetarëve që pritet të marrin pjesë në votim, autoritetet rekomandojnë përdorimin e transportit publik, në mënyrë që të shmangen pritjet dhe vështirësitë në qarkullim dhe parkim.
Procesi i votimit do të zhvillohet vetëm më 6 qershor 2026 (e shtunë).
“Pjesëmarrja juaj është zëri juaj. Shfrytëzojeni të drejtën për të votuar!” – thuhet në fund të njoftimit të ambasadës. /Albinfo.ch
Zvicra vazhdon të renditet ndër vendet me normën më të ulët të papunësisë së të rinjve në Evropë, një rezultat i lidhur ngushtë me modelin e saj të avancuar të arsimit profesional dhe lidhjen e fortë me tregun e punës, transmeton albinfo.ch.
Në Zvicra, rreth dy të tretat e të rinjve zgjedhin arsimin profesional menjëherë pas përfundimit të shkollës së detyrueshme. Shumica prej tyre ndjekin sistemin dual të arsimit, i cili kombinon mësimin teorik në shkolla profesionale me punën praktike në kompani gjatë javës.
Ky model u mundëson të rinjve të fitojnë përvojë reale pune që në fillim të karrierës së tyre. Nga fusha të ndryshme si teknologjia e informacionit, kujdesi shëndetësor, tregtia apo sektorët teknikë, kursantët angazhohen drejtpërdrejt në vendet e punës dhe shpesh marrin edhe pagë gjatë trajnimit të tyre.
Një nga faktorët kryesorë të suksesit të këtij sistemi është lidhja e ngushtë mes institucioneve arsimore dhe punëdhënësve. Programet e trajnimit janë të dizajnuara sipas nevojave reale të tregut të punës, gjë që e bën më të lehtë dhe më të shpejtë kalimin e të rinjve nga shkolla në punësim.
Përveç kësaj, sistemi zviceran mbetet fleksibël, duke u lejuar të rinjve të vazhdojnë më tej studimet e larta ose të ndryshojnë drejtim karriere në faza të mëvonshme të jetës profesionale.
Shembull i qartë i këtij modeli është edhe presidenti aktual i Zvicra, Guy Parmelin, i cili vetë ka nisur rrugëtimin e tij profesional përmes formimit në arsimin profesional, duke reflektuar rëndësinë që ky sistem ka në shoqërinë zvicerane./Albinfo.ch
Një tjetër talent shqiptar po tërheq vëmendjen në futbollin evropian. Bëhet fjalë për Leonit Jashari, futbollisti 12-vjeçar me prejardhje shqiptare, ka nënshkruar kontratë me akademinë e klubit gjerman VfL Wolfsburg, duke siguruar një vend në programin zhvillimor të klubit për grupmoshat U14 deri në U17, shkruan albinfo.ch.
I njohur për shpejtësinë, teknikën dhe instinktin e tij para portës, Leoniti luan në pozitën e sulmuesit të krahut dhe gjatë paraqitjeve të tij ka spikatur me një numër të madh golash dhe asistimesh. Performancat e tij të shkëlqyera kanë bërë që ai të vlerësohet si një nga talentet premtuese të brezit të tij.
Nënshkrimi me akademinë e Wolfsburgut konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e re të futbollistit shqiptar, pasi klubi gjerman njihet për zhvillimin e talenteve dhe përkushtimin ndaj futbollistëve të rinj me potencial të lartë.
Me përkushtimin, disiplinën dhe talentin që ka treguar deri më tani, Leonit Jashari shihet si një emër me perspektivë të madhe për të ardhmen. Rrugëtimi i tij sapo ka nisur, por hapat e parë tregojnë se ai ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në futbollin profesionist.
Ky sukses përbën një tjetër arsye krenarie për komunitetin shqiptar, duke dëshmuar se talentet e reja vazhdojnë të depërtojnë në akademitë e klubeve më prestigjioze evropiane. /Albinfo.ch
Artistja shqiptare nga Kosova, Rina Januzi, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj artistike, duke fituar trofeun e konkursit “Can U Louhela Jam 2026”, pjesë e festivalit prestigjioz muzikor Louhela Jam që mbahet në qytetin Vantaa të Finlandës, shkruan albinfo.ch.
Lajmin e gëzueshëm e ka ndarë vetë artistja përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, ku ka falënderuar publikun për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë ndër vite.
“Ky trofe është rezultat i mbështetjes, dashurisë dhe besimit që kam marrë nga publiku im. Çdo përkrahje që më keni dhënë në muzikën dhe performancat e mia ka një vlerë të jashtëzakonshme për zemrën dhe shpirtin tim”, ka shkruar Januzi.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e saj ndaj organizatorëve të festivalit Louhela Jam, duke theksuar se pjesëmarrja në këtë ngjarje artistike ka qenë një ëndërr e kahershme e saj.
Sipas artistes, festivali i ka ofruar mundësinë të prezantojë muzikën, historinë dhe identitetin e saj artistik para një publiku të gjerë në Finlandë, në një skenë që dikur e kishte imagjinuar vetëm në ëndrra, shkruan tutje albinfo.ch.
“Ky ishte një nga koncertet më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë dhe një kujtim që do ta mbaj përgjithmonë në zemër”, është shprehur ajo.
Një falënderim të veçantë Rina Januzi ia ka kushtuar edhe violinistes finlandeze Krista Pulkkinen, me të cilën performoi në festival përmes një dueti piano-violinë. Artistja shqiptare vlerësoi bashkëpunimin e tyre artistik dhe suksesin e përbashkët të arritur në këtë edicion të festivalit.
Fitorja në “Can U Louhela Jam 2026” përfaqëson një tjetër dëshmi të talentit dhe përkushtimit të Rinës, e cila prej vitesh po ndërton me sukses rrugëtimin e saj artistik në Finlandë, duke promovuar njëkohësisht kulturën dhe artin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Artistja ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikojë materiale të tjera nga festivali Louhela Jam 2026, duke ndarë me ndjekësit momente të veçanta nga kjo përvojë e paharrueshme. /Albinfo.ch
Një histori frymëzuese suksesi për gratë shqiptare vjen nga Suedia, ku Mihrije Fejza nga Mitrovica ka arritur të përfundojë me sukses specializimin në fushën e stomatologjisë, transmeton albinfo.ch.
Ajo ka mbrojtur diplomën e specializimit në një nga disiplinat më kërkuese dhe sfiduese të mjekësisë, duke shënuar një arritje të rëndësishme profesionale dhe akademike.
Mihrije Fejza ka specializuar në universitetin prestigjioz suedez Tandvårds högskolan, institucion i njohur për standardet e larta në edukimin stomatologjik dhe shkencat dentare.
Ajo që e bën historinë e saj edhe më frymëzuese është fakti se këtë sukses e arriti përkundër sfidave të jetës personale, duke balancuar angazhimet akademike dhe profesionale me rolin e saj si nënë e dy fëmijëve.
Arritja e saj po konsiderohet një shembull motivues për shumë vajza dhe gra shqiptare në diasporë, duke dëshmuar se përkushtimi dhe puna mund të çojnë drejt suksesit edhe në fushat më sfiduese profesionale. /Albinfo.ch
Algjerina Ruhani, e reja shqiptare e lindur dhe e rritur në Linz të Austrisë, përfaqëson një profil me perspektivë dhe formim të thellë akademik e profesional. Ajo shquhet për një qasje të veçantë ndaj jetës, ku ambicia, disiplina dhe vlerat personale ndërthuren natyrshëm me përvojën e saj në një shoqëri multikulturore. Në thelb të rrugëtimit të saj qëndron bindja se “mjafton vullneti dhe përkushtimi për t’i kthyer ëndrrat në realitet, nëse ato drejtohen në destinacionin e duhur”.
Që në fëmijëri, ajo është rritur mes dy botëve, kulturës austriake dhe asaj shqiptare, duke ndërtuar një identitet të fortë dhe të balancuar. E angazhuar si në shkollim ashtu edhe në aktivitete sportive e artistike, ajo ka zhvilluar një personalitet aktiv dhe të hapur. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës dhe lidhjes me origjinën ka pasur edhe shkolla e gjuhës shqipe dhe aktivitetet e komunitetit shqiptar në Austri.
Rrugëtimi i saj akademik është shënuar me përkushtim dhe rezultate të larta. Pas përfundimit të gjimnazit “Khevenhüller Gymnasium Linz”, ajo ka ndjekur studimet bachelor në FH Oberösterreich në drejtimin “Prozessmanagement und Business Intelligence”, dhe më pas masterin në “Supply Chain Management”. Ky kombinim i ka dhënë një bazë të fortë në menaxhim, analiza të dhënash dhe procese biznesi, duke e përgatitur për një treg pune gjithnjë e më dinamik dhe digjital.
Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk ka qenë pa sfida. Një nga momentet më të vështira ka qenë balancimi mes studimeve dhe punës, pasi ajo ka qenë e angazhuar profesionalisht gjatë gjithë periudhës universitare. Ky ritëm i ngarkuar i ka kërkuar disiplinë, sakrificë dhe organizim të vazhdueshëm, por njëkohësisht i ka forcuar ndjenjën e përgjegjësisë dhe fokusin drejt qëllimeve afatgjata.
Sot, ajo është e punësuar në Voestalpine group-IT, në fushën e teknologjisë së informacionit, ku ka nisur të ndërtojë karrierën e saj profesionale. Për të, të jetuarit mes dy kulturave nuk është sfidë, por avantazh që i ka zgjeruar horizontet dhe i ka dhënë fleksibilitet në të menduar dhe vepruar. Në të njëjtën kohë, lidhja me Kosovën mbetet shumë e fortë, duke e konsideruar si pjesë të pandashme të identitetit të saj.
Në fund, mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë është i qartë, të jenë të hapur ndaj dijes, të zhvillojnë mendim analitik dhe të mos dorëzohen përballë sfidave. “Me vullnet, durim dhe punë të vazhdueshme, çdo ëndërr mund të realizohet,” është thelbi i rrugëtimit të saj.
Intervista e plotë –
Albinfo.ch – Algjerina, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë?
Kam lindur dhe jam rritur në Austri, në qytetin e Linzit. Që nga fëmijëria kam qenë shumë e përkushtuar ndaj shkollimit, por njëkohësisht edhe shumë aktive në aktivitete të ndryshme si futbolli, volejbolli, këndimi, kërcimi dhe recitimi. Kam marrë pjesë edhe në aktivitete të ndryshme, si në shkollë ashtu edhe në programe dhe organizime festive, veçanërisht për festa kombëtare. Gjithashtu, kam ndjekur mësimin në shkollën e gjuhës shqipe në Austri, gjë që ka ndikuar shumë në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tim.
Më pas kam vazhduar shkollimin në gjimnazin “Khevenhüller Gymnasium Linz”, një ndër gjimnazet më sfiduese në Austrinë e Epërme, për tetë vite. Pas katër viteve të para, kemi pasur mundësinë të zgjedhim nëse duam dhe nëse kemi kapacitet të vazhdojmë gjimnazin. Që në atë kohë e kam ditur që dua të vazhdoj studimet universitare.
Në kohen e maturës, kalova një proces selektimi me disa faza, përfshirë një provim pranues disaorësh dhe intervista me profesorët. Ishte sfiduese, por shumë motivuese, sidomos kur u rendita ndër më të mirët.
Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, fillova studimet. Edhe pse isha ndër më të rejat në mesin e studentëve, ku shumë prej tyre kishin tashmë përvojë pune apo edhe familje, kjo më motivoi edhe më shumë të dëshmoj veten dhe të vazhdoj rrugën time me përkushtim.
Algjerina Ruhani
Albinfo.ch- A mund të na tregosh se çfarë drejtimi keni studiuar dhe si quhet universiteti?
Kam përfunduar studimet bachelor në FH Oberösterreich, në kampusin në Steyr, në drejtimin “Prozessmanagement und Business Intelligence”.
Ky drejtim kombinon menaxhimin e proceseve në kompani me analizën e të dhënave. Gjatë studimeve mësohet si të optimizohen proceset, si të merren vendime të bazuara në të dhëna dhe si të lidhen aspektet ekonomike me teknologjinë digjitale. Është një fushë shumë e kërkuar sot, pasi kompanitë synojnë të jenë më efikase dhe më të orientuara nga të dhënat.
Pas përfundimit të bachelor-it, kam vazhduar menjëherë me studimet master në të njëjtin universitet, në drejtimin “Supply Chain Management”.
Ky program fokusohet në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, pra në organizimin dhe lidhjen e proceseve nga prodhimi, furnizimi deri te shpërndarja e produkteve. Përfshin tema si logjistika, analiza e të dhënave dhe menaxhimi i proceseve globale, me theks të fortë në praktikë dhe lidhje me industrinë.
Ky kombinim studimesh më ka dhënë një bazë shumë të fortë ekonomike dhe analitike dhe më ka përgatitur mirë për tregun e punës.
Albinfo.ch – A na përshkruani emocionet e ceremonisë së diplomimit në të dy nivelet, Bachelor dhe Master?
Diplomimi në Bachelor ka qenë një moment shumë i veçantë për mua, pasi ishte hera e parë që arrija një titull akademik. Duke qenë se studimet kanë qenë sfiduese, ndjenja ishte një përzierje krenarie, lehtësimi dhe lumturie. Ky moment u bë edhe më i veçantë nga një festë surprizë që prindërit e mi organizuan për mua, ku kishin ftuar edhe shoqet e mia.
Edhe diplomimi në Master ka qenë një arritje shumë e rëndësishme për mua. Gjatë ceremonisë prezantova shkurtimisht temën e diplomës dhe u përgjigja në disa pyetje nga profesorët. Ishte një moment krenarie dhe reflektimi për gjithë rrugëtimin tim akademik.
Këto përvoja kanë qenë shumë të veçanta për mua, sidomos duke qenë se në rrethin tim nuk ka qenë diçka e zakonshme, gjë që e bën këtë sukses edhe më domethënës.
Albinfo.ch – Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë rrugëtimit tënd drejt diplomës?
Momenti më sfidues gjatë rrugëtimit tim ka qenë balancimi mes studimeve dhe punës, si në Bachelor ashtu edhe në Master.
Gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar paralelisht, dhe kombinimi i ligjëratave, detyrave, projekteve në grup dhe provimeve me angazhimin në punë ka kërkuar shumë disiplinë dhe organizim. Kjo shpesh ka nënkuptuar edhe sakrifica në jetën private.
Në një moshë kur shumë të rinj përjetojnë më shumë liri, unë kam zgjedhur të jem e fokusuar në qëllimet e mia. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por kjo më ka ndihmuar të zhvilloj përgjegjësi dhe përkushtim.
Albinfo.ch – Si është të studiosh e të jetosh midis dy kulturave, atë austriake dhe shqiptare? A të ka ndihmuar kjo në formimin tënd personal?
Të jetosh dhe studiosh midis dy kulturave, asaj austriake dhe shqiptare, ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit tim.
Duke u rritur në Austri, jam formuar në një sistem që vlerëson disiplinën, strukturën dhe përgjegjësinë, sidomos në aspektin akademik dhe profesional. Në të njëjtën kohë, rrënjët dhe familja ime shqiptare më kanë dhënë motivim të fortë, ndjenjën e përkatësisë dhe këmbënguljen për të arritur qëllimet.
Ndonjëherë nuk ka qenë e lehtë të balancoj këto dy botë, por pikërisht kjo më ka ndihmuar të zhvilloj fleksibilitet, të kuptoj perspektiva të ndryshme dhe të përshtatem më lehtë në situata të reja.
Sot e shoh këtë si një avantazh të madh, sepse më ka dhënë një perspektivë më të gjerë dhe më ka formuar jo vetëm si studente dhe profesioniste, por edhe si person.
Algjerina Ruhani
Albinfo.ch – Cilat janë planet e tua tani pas diplomimit, a mendon të vazhdosh tutje studimet në Austri? Aktualisht, a jeni duke punuar?
Pas përfundimit të studimeve, fokusi im kryesor është të zhvillohem profesionalisht dhe të fitoj përvojë pune. Pas dy studimeve universitare në një moshë relativisht të re, e shoh këtë si momentin e duhur për t’u përqendruar në praktikë dhe në ndërtimin e karrierës. Në të ardhmen nuk e përjashtoj mundësinë për të vazhduar edhe më tej me studime, si për shembull një doktoraturë.
Aktualisht jam e punësuar në voestalpine group-IT, pjesë e një grupi industrial të njohur ndërkombëtarisht për teknologjitë dhe prodhimin e çelikut. Punoj në fushën e IT-së dhe kam rreth dy vite përvojë, gjatë të cilave kam pasur mundësi të zhvillohem dhe të marr mbështetje të vazhdueshme, gjë që më motivon të vazhdoj rrugën time dhe të avancoj më tej brenda kompanisë.
Albinfo.ch – Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë studimet në fushën tuaj?
Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë në këtë fushë është të jenë të hapur ndaj zhvillimeve të reja dhe të ndërtojnë një mënyrë të menduari analitike dhe të strukturuar.
Sot, digjitalizimi dhe qëndrueshmëria po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Si gjeneratë, kemi përgjegjësi të përdorim burimet me kujdes dhe të reduktojmë shpërdorimet. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet si funksionojnë proceset në kompani dhe si mund të përmirësohen ato.
Unë vetë kam filluar si një vajzë me ëndrra të mëdha dhe me shumë punë kam arritur t’i realizoj ato në aspektin akademik dhe të hedh hapat e parë në karrierë. Prandaj besoj që me vullnet, durim dhe punë, gjithçka është e mundur.
Albinfo.ch – Për fund sa jeni e lidhur me Kosovën dhe sa shpesh e vizitoni atë?
Jam shumë e lidhur me Kosovën dhe kjo lidhje vjen që nga fëmijëria.
Dua t’i falënderoj prindërit e mi që mua dhe vëllain tim na kanë rritur me gjuhën shqipe dhe me dashurinë për vendlindjen e tyre. Që të vegjël, pothuajse çdo verë e kemi kaluar në Kosovë, gjë që ka ndikuar shumë në ruajtjen e lidhjes sonë me kulturën dhe familjen.
Edhe sot vazhdoj ta vizitoj shpesh Kosovën dhe për mua mbetet gjithmonë një vend shumë i veçantë, ku ndihem si në shtëpi.
Për të pestën ditë radhazi, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë kanë mbajtur një marshim proteste në kryeqytet, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të parashikuar për investim në zonën e Zvërnecit në Vlorë.
Protesta e sotme nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”. Nga pika e nisjes, tubuesit marshuan përgjatë bulevardit kryesor drejt ndërtesës së Kryeministrisë, duke bërë thirrje për transparencë dhe mbrojtje të zonave të mbrojtura natyrore.
Nderim për efektivin e rënë në detyrë
Përveç kauzës kryesore mjedisore dhe ekonomike, marshimi i sotëm pati edhe një moment solemn. Përpara institucionit të Kryeministrisë, protestuesit ndaluan dhe mbajtën një minutë heshtje.
Ky gjest erdhi në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës gjatë një operacioni në Maliq.
Deri më tani, tubimet kanë vijuar të qeta dhe pa incidente, ndërsa organizatorët nga shoqëria civile kanë bërë të ditur se qëndresa dhe marshimet e tyre do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga autoritetet.
Tregjet e aksioneve në rritje të hovshme kanë zgjeruar ndjeshëm “klubin” e milionerëve të dollarit në mbarë botën. Brenda një viti, numri i tyre është rritur me gati 2 milionë.
Sipas raportit të fundit vjetor «World Wealth Report» nga kompania konsulente Capgemini, në mbarë botën numërohen 25.3 milionë njerëz që zotërojnë një pasuri të investueshme prej të paktën 1 milion dollarësh. Kjo shënon një rritje prej 8.7% krahasuar me vitin paraprak.
Pasuria totale e njerëzve më të pasur në botë ka shënuar rritjen më të madhe historike brenda një viti, duke u rritur me 8.7% dhe duke kapur shifrën rekord prej 98,300 miliardë dollarësh.
Si paraqitet situata në Zvicër dhe Evropë?
Në Zvicër, numri i individëve me pasuri të lartë arriti në gati 502,000 persona (një rritje prej 2.6%). Së bashku, ata zotërojnë një pasuri prej rreth 1,607 miliardë dollarësh (+4%).
Sipas studimit, një nga faktorët kryesorë që ka nxitur rritjen e pasurisë në Zvicër është shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Në Evropë, Gjermania dallohet me një rritje të fortë prej mbi 11% të numrit të milionerëve. Ndërsa Franca (+2.7%) dhe Britania e Madhe (+2.6%) ndjekin një trend të ngjashëm me atë të Zvicrës.
SHBA-ja mbetet e para, rritje galopante për “super-të-pasurit”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të kryesojnë listën: numri i milionerëve atje u rrit me 9.1%, duke arritur në 8.7 milionë – një rritje më e shpejtë se në çdo vend tjetër. Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe Japonia (e rreshtuar e dyta) dhe Kina (në vendin e katërt).
Katër vendet me numrin më të madh të milionerëve (SHBA, Japonia, Gjermania dhe Kina) përbëjnë pothuajse dy të tretat (65.7%) e të gjithë milionerëve në nivel global.
Në kuadër të këtij zhvillimi, grupi që u rrit më së shpejti globalisht – me një shkallë prej 9.4% – ishin “super-të-pasurit”, respektivisht individët me një pasuri të investueshme prej të paktën 30 milionë dollarësh.
Kufiri i Zvicrës është rreth 2,000 kilometra i gjatë, numëron mbi 400 pika kalimi dhe kalohet nga më shumë se 2.2 milionë njerëz çdo ditë. Kontrolli i hyrjeve të paligjshme mbetet një proces kompleks dhe i gjatë. Aktualisht, rojet kufitare kryejnë kontrolle të bazuara vetëm mbi vlerësimin e rrezikut apo dyshimet e arsyeshme.
Megjithatë, Këshilli i Shteteve (Dhoma e Lartë e Parlamentit) ka votuar së fundmi dy mocione të paraqitura nga partitë e qendrës së djathtë (SVP dhe FDP), të cilat kërkojnë vendosjen e kontrolleve të përhershme kufitare.
Kontradikta e madhe: Kërkesa rriten, buxheti shkurtohet
Edhe pse shumica parlamentare dëshiron të përcjellë një mesazh të fortë politik, ky vendim po ndesh në kundërshtime të ashpra për shkak të mungesës së fondeve. Deputetja socialdemokrate (SP), Franziska Roth, e ka kritikuar ashpër këtë lëvizje:
”Nga njëra anë pranojmë se kemi një problem me krimin ndërkufitar, por nga ana tjetër, çfarë bën Parlamenti? Shkurton fondet për autoritetet përgjegjëse. Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare do të ketë gjashtë milionë franga më pak në buxhetin e vitit 2026 krahasuar me vitin e kaluar.”
Edhe Ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, ka vënë në dukje këtë mospërputhje: “Nëse thua A, duhet të thuash edhe B”, u shpreh ajo, duke kujtuar se sipas planeve zyrtare, nevojiten të paktën 100 pozicione të reja të plota pune vetëm për të siguruar dy patrulla shtesë në rrugët kryesore të migracionit.
Pa rritje të TVSH-së, nuk ka vende të reja pune
Këto 100 pozicione të reja nuk janë ende të financuara. Ato janë pjesë e planit të Ministrit të Mbrojtjes, Martin Pfister, i cili kërkon të rrisë TVSH-në për të financuar modernizimin e ushtrisë dhe sigurisë – një plan që po përballet me kritika të ashpra nga shumica e partive politike.
Vetë autoriteti doganor (BAZG) e pranon se stafi aktual nuk mjafton:
”Me burimet që kemi tani, prania e përforcuar dhe monitorimi intensiv në pikat kritike të migracionit mund të garantohen vetëm për një kohë të kufizuar. Kontrollet intensive mund të mbahen afatgjatë vetëm nëse na ndahen mjete shtesë.”
Pakënaqësi e madhe brenda personelit
Përveç financave, një tjetër problem është programi i brendshëm i trajnimit i quajtur “Allegra”. Ky program synon që specialistët e doganave dhe rojet kufitare të mësojnë fushat e punës së njëri-tjetrit për t’u bërë të ndërsjellë.
Deri më tani, më pak se gjysma e 1,748 punonjësve të prekur e kanë përfunduar këtë trajnim. Për më tepër, 153 punonjës refuzojnë ose nuk mund ta kryejnë atë. Sindikata e punonjësve “Garanto” e ka kritikuar ashpër këtë program, pasi stafi që nuk e përfundon trajnimin rrezikon ulje të pagës.
Me mungesë mjetesh financiare dhe me një reformë të brendshme që po shkakton përçarje, mbetet krejtësisht e paqartë se si do të arrijë Zvicra të zbatojë vendimin e parlamentit për një mbrojtje më të rreptë të kufijve.
Tashmë 11-vjeçare, Moda Ademi performoi me shumë sukses në koncertin “Jazz Pop Rock – Jaboro Nights”, të organizuar nga Musikschule Biel, në sallën Aula BBZ/CFP në Biel/Bienne, shkruan albinfo.ch.
E njohur për talentin dhe dashurinë e saj për muzikën, Moda u paraqit me vetëbesim dhe energji në skenë, duke fituar duartrokitjet e publikut të pranishëm. Interpretimi i saj dëshmoi përkushtimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm artistik që ajo po tregon nga viti në vit.
Koncerti tradicional “Jaboro Nights” mbledh çdo vit nxënës dhe grupe muzikore të Musikschule Biel, të cilët prezantojnë talentin e tyre në zhanret Jazz, Pop dhe Rock. Edhe këtë herë, publiku pati mundësinë të shijojë performanca të shumta gjatë tri netëve koncertale.
Për Modën, kjo paraqitje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj muzikor, duke konfirmuar potencialin dhe pasionin e saj për artin skenik.
Në edicionin e këtij viti, në skenën e “Jaboro Nights” performuan gjithsej 27 grupe muzikore gjatë tri mbrëmjeve koncertale në Biel/Bienne.
Zëvendës shefja e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka kërkuar zyrtarisht Kosovës që të bëhet pjesë e projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm (GNL) amerikan. Përmes një opinioni mbi sigurinë energjetike, diplomatja tërhoqi vëmendjen se vendi po përballet me një varësi gjithnjë e më të madhe nga importi i rrymës.
Sipas Prattipati, Kosova duhet të veprojë pa vonesë, pasi ndërtimi i infrastrukturës kërkon kohë dhe vonesat mund të bëjnë që furnizimet amerikane të orientohen drejt tregjeve të tjera. Ajo përmendi mundësitë e lidhjes me “Korridorin Vertikal të Gazit”, terminalin në Kroaci apo gazsjellësin Aleksandrupolis-Shkup.
”Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën”, ka thënë Prattipati, duke theksuar se kjo zgjedhje strategjike do të forcojë ekonominë dhe sigurinë e vendit.
Vetëm një javë para fillimit të Kupës së Botës 2026, shtohen pikëpyetjet e mëdha rreth tregut të biletave, ndërsa situata mes premtimeve të FIFA-s dhe realitetit në terren po shpërthen në një skandal të përmasave ligjore. Edhe pse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pati deklaruar me bujë se turneu është “plotësisht i vendosur dhe i shitur”, raportimet e fundit zbulojnë mijëra bileta ende të lira dhe një skemë të paqartë çmimesh.
Sipas të dhënave të fundit nga platforma analitike TicketData, përpara nisjes së turneut ishin të disponueshme rreth 74,000 bileta për 86 nga 104 ndeshjet gjithsej. Ndërsa ndeshjet e superfuqive si Argjentina, Brazili apo Anglia nuk pritet të kenë hapësira bosht, takimet e ekipeve më pak tërheqëse—si Bosnjë-Katar apo Kongo-Uzbekistan—po hasin vështirësi serioze në shitje. E njëjta krizë po prek edhe vendet organizatore: nga nëntë ndeshjet e SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë, vetëm dy rezultojnë të shitura plotësisht. Për shembull, në ndeshjen hapëse të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut ka ende qindra vende të lira, me çmime që prekin shifrën absurde prej 2,273 dollarësh.
Kjo situatë ka alarmuar autoritetet amerikane. Prokurorët e Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit kanë nisur tashmë hetime zyrtare ndaj FIFA-s nën dyshimet për rritje artificiale të çmimeve, mashtrim të tifozëve dhe mungesë të plotë transparence. Hetimet e para tregojnë se shumë blerës që paguan për kategori të larta, përfunduan në ulëse me vlerë shumë më të ulët dhe larg fushës. Gjithashtu, kritikë e madhe po bëhet ndaj sistemit “variable pricing” (çmimet e ndryshueshme) të përdorur nga FIFA, ku strukturat e kostove u mbajtën të fshehura gjatë shortit dhe u rritën deri në 50% në fazat e fundit.
Gjithçka ndërlikohet edhe më tej me shfaqjen e mijëra biletave në tregun sekondar, në platforma si SeatGeek apo StubHub, ku shpesh çmimet janë më të ulëta se ato zyrtaret e FIFA-s. Analistët e sportit ngrenë dyshime se vetë shtëpia botërore e futbollit mund të jetë duke i zhvendosur biletat në këto kanale në mënyrë të organizuar, me qëllim që të shmangë imazhin e stadiumeve gjysmë-bosh që do të dëmtonte rëndë reputacionin e turneut.
Deri më tani, FIFA ka zgjedhur të mos u përgjigjet qartë këtyre pretendimeve, duke u mjaftuar me thirrjet për të përdorur platformën e saj zyrtare të rishitjes. Megjithatë, kur duhen edhe pak ditë nga dasma e madhe e futbollit botëror, debati nëse ky turne është vërtet “i shitur” apo thjesht një treg i manipuluar, mbetet tema më e nxehtë në planet.
Forcat e Armatosura të Zvicrës do të angazhojnë rreth 4,000 ushtarë për të mbështetur operacionet e sigurisë gjatë Samitit G7, i cili do të mbahet në Evian të Francës nga 12 deri më 17 qershor.
Sipas autoriteteve zvicerane, ushtarët do të mbështesin kantonet e Gjenevës, Vaud dhe Valais, duke lehtësuar punën e forcave policore dhe organeve civile të sigurisë. Detyra kryesore e ushtrisë do të jetë mbrojtja e infrastrukturës kritike, përfshirë Aeroportin e Gjenevës, si dhe mbështetja në kontrollin kufitar dhe monitorimin e zonave të ndjeshme.
Forcat Ajrore zvicerane do të forcojnë gjithashtu patrullimet ajrore, ndërsa kufizime të përkohshme të hapësirës ajrore do të jenë në fuqi nga 10 deri më 18 qershor. Autoritetet presin një rritje të ndjeshme të trafikut ajror në rajonin e Lozanës gjatë zhvillimit të samitit.
Përveç mbikëqyrjes së Liqenit të Gjenevës dhe rrugëve kryesore, ushtria do të ofrojë kapacitete në fushën kibernetike, mbrojtjen kundër dronëve dhe mbrojtjen nga kërcënimet bërthamore, biologjike dhe kimike. Megjithatë, autoritetet theksuan se ruajtja e rendit publik dhe sigurisë mbetet përgjegjësi ekskluzive e policisë dhe institucioneve civile kantonale.
Vendimi për angazhimin e trupave ushtarake u miratua nga Këshilli Federal në fillim të vitit, pas kërkesave të kantoneve kufitare që do të përballen drejtpërdrejt me sfidat e sigurisë gjatë samitit ndërkombëtar.
Ndërkohë, në Gjenevë do të mobilizohen të gjithë 1,500 efektivët e policisë, të mbështetur nga forca shtesë nga kantone të tjera zvicerane dhe mjete speciale, përfshirë automjete me topa uji të ardhura nga Gjermania.
Në prag të samitit, koalicioni protestues “No G7” ka kritikuar kushtet e vendosura nga autoritetet për organizimin e demonstratave në Gjenevë, duke i cilësuar ato si të tepruara dhe të vështira për t’u zbatuar. Përfaqësuesit e koalicionit kanë kërkuar rishikimin e disa masave, ndërsa bisedimet me autoritetet lokale pritet të vazhdojnë.