Osmani takohet me Costan, mirëpritet heqja e pjesshme e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani u mirëprit në Bruksel nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit po ashtu tha se vendimi i BE-së për heqjen e pjesshme të masave është mirëpritur, “përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi”.

“Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian”.

“Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani.

Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se gjuha e zbutur e akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje është pjesë e strategjisë së fushatës së tyre zgjedhore, raporton Periskopi, përcjell albinfo.ch.

Në një intervistë për mediat e Koosvës, Mustafa ka thënë se qëllimet e VV-së mbeten të njëjta dhe se kërkesa e saj për ta qeverisur vendin e vetme është shqetësuese.

“Ndryshimi është vetëm në strategjinë e fushatës. Nuk ka të bëjë fare me sjelljen pas fushatës, sepse qëllimet janë të njëjtat, ndërsa mjetet edhe më perfide. Është e frikshme kur një subjekt politik kërkon dhe synon ta qeverisë i vetëm Kosovën. Në fakt, për ta dhunuar. Dhe aq më keq është të shohësh viktimat të dashuruara me dhunuesit e shtetit dhe me dhunuesit e tyre”, ka thënë ai.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Mustafa u shpreh se gjendja në Kosovë nuk është normale, prandaj edhe rezultatet zgjedhore janë të vështira për t’u parashikuar.

“Është vështirë të parashikohet rezultati, sepse gjendja nuk është normale. Në një situatë jonormale zakonisht mungon rezultati i arsyeshëm. Mendoj se duhet të fillojë të mbizotërojë arsyeja për të shpresuar dhe besuar në rezultate”, theksoi ai.

Megjithatë, Mustafa u bëri thirrje partive të tjera politike që të mos e imitojnë VV-në dhe të hyjnë në zgjedhje me synimin për të fituar e për të qeverisur, e jo për të qëndruar në opozitë.

“Është shumë e mundshme dhe tepër e nevojshme që partitë e ish-opozitës ta formojnë qeverinë, dhe ato mund ta bëjnë këtë. Por për ta arritur këtë, duhet të ndalen së kopjuari apo imituari VV-në. Duhet të jenë të gatshme të marrin vendime me rrezik politik dhe të marrin përgjegjësi para qytetarëve. Duhet të vetëdijësohen se në zgjedhje hyhet për të fituar dhe për të qeverisur, e jo për të qëndruar në opozitë”, ka deklaruar Mustafa për Periskopin.

Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani pritet të organizojë një takim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve, më 26 dhjetor. Në ftesë theksohet se ky është një takim tradicional.

Mustafa i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i Osmanit, tha se takimet me diasporën janë të mirëseardhura, por vetëm në kohën e duhur, e jo gjatë fushatës zgjedhore.

Ai ngriti dyshime për qëllimet e këtij takimi dhe për mesazhet që Osmani mund t’u drejtojë mërgimtarëve.

“Takimet me diasporën janë të mira, por në kohë dhe rrethana të arsyeshme, jo në kohë fushate. Shtrohet pyetja: çfarë do të kërkojë dhe çfarë do t’u thotë Vjosa bashkatdhetarëve tanë një ditë para votimit? Pse të mos i ftojë një ditë pas votimit?”, ka thënë ai.

Mustafa gjithashtu ka deklaruar se Presidentja Osmani nuk po e mban anën e Kushtetutës.

“Vjosa Osmani nuk po e mban anën e Kushtetutës që e obligon të jetë institucion që promovon unitetin e popullit”, ka theksuar ai.

Në fund, Mustafa ka shtuar se performancën e Vjosa Osmanit si presidente mund ta vlerësojë më së miri Albin Kurti.

“Performancën e Vjosës mund ta vlerësojë më së miri Albin Kurti, në rolin e punëdhënësit”, ka deklaruar Mustafa.

Nisja e fushatës, KQZ del me njoftim

Sot ka filluar fushata zgjedhore për subjektet politike për zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor, përcjell albinfo.ch.

KQZ ka dalë me njoftim për këtë, ku ka njoftuar se fushata do të të zgjasë deri ditën e zgjedhjeve, në orën 06:59.

Përgjatë kësaj periudhe, partitë kanë të drejtë:

– të rganizojnë tubime, ngjarje politike, debate, konferenca për media dhe aktivitete të ngjashme.

– të ublikojnë dhe shpërndajnë afishe, reklama dhe materiale të tjera zgjedhore

-të hvillojnë fushatë përmes televizionit, radios, mediave të shkruara, rrjeteve telefonike, sistemit postar dhe mjeteve të tjera reklamuese, në përputhje me Kodin e Mirësjelljes, rregullat e KQZ-së dhe ligjet në fuqi.

Von der Leyen: Evropa duhet të jetë përgjegjëse për sigurinë e saj

Evropa duhet të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj, ka thënë të mërkurën presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, përcjell albinfo.ch.

“Kjo nuk është më një mundësi. Është një domosdoshmëri”, i ka thënë ajo Parlamentit Evropian në Strasburg.

Ajo ka shtuar se Evropa “nuk mund të lejojë që të tjerët të përcaktojnë pikëpamjen e saj botërore”, duke theksuar se, ndërsa strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së ka të drejtë të thotë se pjesa e Evropës në GPN-në globale po bie, Shtetet e Bashkuara janë në “të njëjtën rrugë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar së fundmi Evropën dhe liderët e saj, duke i quajtur ata të dobët.

Kosovë: Sot fillon fushata zgjedhore

Sot fillon fushata e subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme në  Kosovë që mbahen më 28 dhjetor. Do të jetë kjo fushata e katërt zgjedhore në Kosovë gjatë këtij viti, përcjell albinfo.ch.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit, subjektet politike kërkojnë sërish mbështetjen e votuesve në zgjedhjet e parakohshme.

Në zgjedhjet parakohshme për Kuvendin e Kosovës marrin pjesë 24 subjekte politike, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, ndërkaq numri i përgjithshëm i kandidatëve që garojnë për ulëse në Kuvend është 1,180 kandidatë. /Albinfo.ch

Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës

Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur në skenën politike dhe jo vetëm. Sllovenia pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimit profesional e etik është e madhe.

Arritjeve të shqiptarëve në Slloveni pa dyshim i shtohet edhe Ganimet Shala, e cila ka hyrë në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës.

 

 

Nga Kosova, per t’u bërë storie suksesi në Slloveni

E lindur në Pejë, por e rritur dhe e shkolluar në Lubjanë, Shala përfaqëson gjeneratën e mërgimtarëve që arritën të gërshetojnë rrënjët shqiptare me përvojën evropiane. Fillimet në Slloveni nuk ishin aspak të lehta, kujton Ganimetja.

“E nisa shkollimin në vitin e pare të gjimanazit, në moshën 14 vjeçare, një periudhë delikate për çdo të ri. Përveç moshës, gjithçka ishte e re për mua, gjuha, kultura dhe mënyra e jetesës. Megjithatë, me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ia dola ta tejkaloj çdo vështirësi”.

Vlen të theksohet se Ganimeti është magjistre në “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” dhe ka një karrierë mbi 29-vjeçare në sektorin publik slloven, ndërkohë që Telekomi i Sllovenisë ishte puna e parë e saj që i solli shumë suksese.

“Telekomi ishte për mua edhe një shkollë e re, një familje e re. Aty kam mësuar çfarë do të thotë kultura e punës. Sllovenët janë shumë seriozë, punëtorë, secili e di përgjegjësinë e vet.” rrëfen ajo revisten Albinfo.ch.

Në fakt, Ganimet Shala nisi punën në Telekomin e Sllovenisë, si praktikante në “call center”, dhe pas disa viteve përkushtim, ajo u avancua deri në pozitën e menaxheres së disa kompanive bijë. “Në dhjetor të vitit 2025 do të mbush plot 30 vjet stazh pune të rregullt në këtë kompani,” shton ajo me krenari.

 

 

Jeta profesionale në politikë

Paralelisht me karrierën profesionale, Shala ka qenë gjithmonë aktive në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Slloveni. Ajo është themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”, anëtare nderi e Shoqatës “Migjeni”, si dhe kryetare e Unionit të Shoqatave Kulturore Shqiptare në Slloveni.

Në vitin 2022, ajo kandidoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, duke hyrë në histori si kandidatja e parë shqiptare për deputete dhe njëkohësisht si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës për mandatin 2022–2026.

“Jam tejet mirënjohëse dhe krenare, ky titull bart në vete shumë përgjegjësi. Një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj qytetarëve që më kanë votuar, megjithatë jo gjithçka është në dorën time.”

 

 


Përfaqësuese e një vizioni gjithëpërfshirës

Për Ganimet Shalën, hyrja në politikë nuk ishte thjesht ambicie personale, por një nevojë për të qenë zë i komunitetit shqiptar, duke mbrojtur edhe interesat e qytetarëve të tjerë sllovenë.

“Shqiptarët janë ata që fal tyre unë sot jam këtu ku jam, por nuk përfaqësoj vetëm shqiptarët, përfaqësoj të gjithë banorët e Sllovenisë,” shprehet ajo.

Vlen të theksohet se në partinë e Tanja Fajonit (Social Demokratët), Shala është pjesë aktive e grupeve që trajtojnë politikat banesore, çështjet ndërkombëtare, si dhe trafikun dhe sektorin publik në qytet. Nga viti 2024 ajo është edhe anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, një arritje e rrallë për një shqiptare në diasporë.

 

 

Zëri i Kosovës në arenën evropiane

Një ndër temat që Shala ka ngritur shpesh është nevoja për njohjen e patentave të Kosovës në Slloveni, si dhe mundësia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të përhershme.

“Presim që procesi i njohjes së patentave të Kosovës të mbyllet deri në fund të këtij viti,” thotë ajo, duke shtuar se çështja e pasurive të paluajtshme është më e ndërlikuar dhe lidhet me statusin ndërkombëtar të Kosovës.

 

“Emri dhe problematika e Kosovës rrallë dëgjohen në Parlamentin Evropian. Prandaj i bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të jenë më aktive në anëtarësime dhe marrëveshje ndërkombëtare.”

 

 

Një zë gruaje që ndryshon perceptime

Të depërtosh në skenën politike sllovene nuk është e lehtë, veçanërisht për një grua shqiptare. Megjithatë, Ganimet Shala e sheh këtë si një sfidë të mundshme, nëse punon me përkushtim dhe profesionalizëm.

“Nuk është e lehtë, por as e pamundur. Sllovenia është një demokraci stabile, por sistemi i saj politik mbetet mjaft konkurrues dhe relativisht i mbyllur ndaj figurave të reja. Për ne shqiptarët, si një komunitet i vogël, kërkon kohë dhe punë për të fituar besimin e elektoratit vendas,” thotë ajo.

Sipas saj, njohja e mirë e gjuhës sllovene, angazhimi në komunitet dhe përvoja institucionale janë çelësi për t’u pranuar dhe respektuar.

“Duhet ndërtuar kredibilitet përmes veprimeve konkrete, për çështje sociale, integrim, barazi gjinore. Kështu krijohet një imazh publik i besueshëm. Jam e lumtur që angazhimi im politik i bën të ndihen krenarë edhe bashkëkombësit e mi,” shton Shala, për revisten Albinfo.ch.

 

 

Shoqata “Teuta”, kur bashkimi i grave bëhet forcë

Përveç politikës, Ganimet Shala ka dhënë kontribut të veçantë në fuqizimin e grave shqiptare në Slloveni, përmes Shoqatës së Gruas Shqiptare “Teuta”, të cilën e themeloi me qëllimin për të thyer stereotipet dhe për të ndërtuar një imazh të ri të gruas shqiptare në sytë e shoqërisë sllovene.

“Kjo nismë lindi nga dëshira për ndryshim. Qëllimi ishte forcimi, përfaqësimi dhe bashkëpunimi midis grave shqiptare, fuqizimi ekonomik e social, promovimi i arsimit dhe barazisë gjinore, por edhe ruajtja e kulturës dhe gjuhës sonë,” tregon ajo.

Shoqata “Teuta” bashkon gratë shqiptare më të suksesshme në Slloveni, duke krijuar hapësira për bashkëpunim, mentorim dhe ngritje personale.

“Donim t’i tregojmë shoqërisë sllovene se gruaja shqiptare nuk është thjesht ajo që shëtitet me karrocë në park, por një grua e angazhuar, profesionale dhe e përkushtuar në shumë fusha të jetës,” shton Shala me bindje.

 

 

Sfidat e grave shqiptare në diasporë

Si pjesë e diasporës, gratë shqiptare në Slloveni përballen me sfida të shumta, nga barrierat gjuhësore e deri te integrimi kulturor dhe ekonomik.

“Shumë gra punojnë në sektorë me paga të ulëta ose pa kontrata të rregullta. Kjo i bën më të pambrojtura ekonomikisht dhe më të varura nga familja. Mungesa e gjuhës, njohjes së ligjeve dhe arsimimit i pengon të marrin pjesë aktive në jetën publike,” shpjegon ajo.

Shoqata “Teuta” punon për ta ndryshuar këtë realitet, duke ofruar kurse falas të gjuhës sllovene, mentoring dhe këshillim, si dhe aktivitete kulturore e edukative.

“Organizojmë trajnime për të drejtat e grave, barazinë gjinore, të drejtat në punë dhe mbrojtjen ligjore nga diskriminimi apo dhuna. Inkurajojmë pjesëmarrjen e tyre në forume, debate dhe këshilla lokale. Por gjithçka nis nga vetë grate, nga gatishmëria për t’u përfshirë e për të besuar në veten e tyre,” shton ajo.

 

Mesazhi për vajzat shqiptare në botë

Në fund të intervistës, Ganimet Shala ndalet te forca e brendshme që çdo grua mbart në vetvete dhe dërgon një mesazh të fuqishëm për vajzat shqiptare kudo në botë:

“Mos lejoni frikën t’ju ndalojë. Është normale të ndiheni të pasigurta, por kujtoni pse nisët këtë udhëtim. Guximi nuk është mungesë frike – është zgjedhja për të ecur përpara, pavarësisht saj.”

Me një gjuhë të ngrohtë e përfshirëse, ajo vazhdon: “Të largohesh nga shtëpia kërkon më shumë se një valixhe, kërkon zemër. Mbani rrënjët në shpirt, por lërini degët të prekin qiellin e ri që keni zgjedhur. Çdo hap që bëni, edhe kur dridheni, është dëshmi e forcës që keni brenda vetes. Mos u ndalni, sepse bota ka nevojë për dritën tuaj.”

Me pak fjalë, historia e Ganimet Shalës nuk është thjesht rrëfimi i një karriere të suksesshme, por i një filozofie jetësore, të punosh me përkushtim, të ruash rrënjët e tua dhe të ndërtosh ura midis kulturave.

 

Osmani: Anëtarësimi në BE është fat i Kosovës, kemi punuar shumë për këtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor që do të mbahet sot në Bruksel, përcjell albinfo.ch.

Në këtë samit do të diskutohet partneriteti BE-Ballkan, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Osmani para nisjes së samitit tha se Kosova synon të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Në fakt, si vend, si komb ne kemi kontribuuar në vlerat për të cilat qëndron BE-ja me shekuj. Ne besojmë fuqishëm se derisa është një proces kompleks nëse merren për bazë kriteret e bazuara në meritë, Kosova do të ishte liderë. Por është më e komplikuar në rastin tonë për shkak të pesë shteteve mosnjohëse, të cilat besojmë që do ta kuptojnë që të pasurit Kosovën si vend anëtar të BE-së nuk është vetëm në të mirën e popullit të Kosovës por është nevojë strategjike dhe nevojë e sigurisë për gjithë kontinentin”, ka thënë ajo në një paraqitje në Euronews.

Osmani ka shtuar se ajo se çfarë BE-ja thotë për progresin e Kosovës është momentalisht në rreshtim 100 për qind me politikën e jashtme dhe me rregullat e sigurisë të BE-së dhe çdo vendim në këtë fushë është në linjë me  BE-në. Ajo ka përmendur sanksionet ndaj Rusisë apo edhe kundërshtarët tjerë në botën perëndimore.

Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit

Në botën e muzikës klasike, ku perfeksioni kërkon vite të tëra disipline dhe përkushtimi është i pashmangshëm, Lir Hajrizi, pavarësisht moshës se re, po shpalos një talent të rrallë. I qetë, i matur dhe i përqendruar në çdo detaj, ai e përshkruan marrëdhënien me pianon si diçka që nuk erdhi nga një vendim, por nga një ndjesi e brendshme.

“Dashuria ime për pianon ka nisur në mënyrë shumë natyrale, si diçka që më erdhi vetë pa e kërkuar,” thotë Liri, duke kujtuar momentet e para kur tingujt e instrumentit i dukeshin si botë më vete. Ai thotë se qysh i vogël e ndiente se “tastet e pianos flisnin, tregonin histori që nuk kërkonin fjalë.”

Për prindërit e tij, që e panë nga afër këtë ndjeshmëri të hershme, mbështetja ishte e natyrshme. Ndërsa për Lirin, ulja për herë të parë para një pianoje të vërtetë ishte përvojë e paharrueshme: “Nuk e di pse, por në atë moment ndjeva një lidhje të menjëhershme, si të kisha gjetur diçka që e kisha kërkuar pa e ditur.”

I pyetur nga revista Albinfo.at për arsyen se pse zgjodhi pikërisht pianon, Liri e përshkruan pianon si një univers emocional që mund të preki secilin dëgjues, kudo në botë.

“Pianoja më ka tërhequr sepse ka një gjuhë universale, nëse një melodi luhet bukur, ajo prek gjithkënd,” shpjegon ai. Për të, ky instrument nuk është thjesht një objekt muzikor, por një mënyrë komunikimi pa fjalë, një hapësirë ku emocionet gjejnë shprehjen e tyre më të sinqertë.

Vlen të theksohet se udhëtimi muzikor i Lirit sot zhvillohet në shkollën e njohur të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ai e konsideron këtë institucion si shtëpinë e tij të dytë, një ambient ku tingujt e korridoreve, energjia e nxënësve dhe përkushtimi i mësuesve i japin frymë krijimtarisë së tij.

Mësuesja e tij e pianos, Pranvera Hoxha, ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin teknik e interpretativ të tij. “Ajo më ka mësuar se muzika nuk është vetëm teknikë, është ndjenjë, interpretim dhe shpirt,” thotë Liri, duke theksuar se çdo vepër kërkon kujdes, kuptim dhe respekt.

 

Piano, një rrugëtim me plot suksese

Deri tani, Liri ka marrë pjesë në gara dhe festivale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Slloveni dhe Austri, duke fituar çmime të para, të dyta dhe mirënjohje të veçanta. Por për Lirin, vlerat e garave shkojnë përtej certifikatave.

“Unë i shoh garat jo si sfida kundër të tjerëve, por si sfida kundër vetes,” shpjegon ai. Skena, emocionet e para performancës, dridhja e duarve dhe momenti kur muzika nis, për të gjitha këto, ai thotë se ia vlen çdo përgatitje.

Edhe pse “International Music Competition” në Salzburg ishte në format online, për Lir Hajrizin ajo garë mbetet një nga përvojat më të fuqishme të karrierës së tij të re. Ai e kujton atë moment si të ishte duke u ngjitur në një skenë të vërtetë, përballë një publiku të gjallë.

“Edhe pse nuk isha fizikisht në Salzburg, emocionet ishin të jashtëzakonshme, sikur të isha në një nga skenat më të njohura të Evropës,” tregon ai. Përpjekjet për përgatitje kanë qenë të gjata dhe intensive, me përsëritje të vazhdueshme të çdo detaji që mund të bënte diferencë. “E dija që çdo detaj kishte rëndësi, nga dinamika më e butë deri te kulmet emocionale.”

Dita e xhirimit të performancës në dhomën e tij u shndërrua në një moment të paharrueshëm. Kamera i dukej e frikshme, por për Lirin ajo ishte publiku. “Sapo fillova të luaja, harrova çdo gjë. Ishte sikur po performoja drejtpërdrejt për ta,” thotë ai. Kur lajmi për vendin e dytë mbërriti, emocionet shpërthyen. “Nuk e besoja se një pianist i ri nga Kosova mund të merrte një vlerësim të tillë ndërkombëtar pa qenë as në skenë fizikisht.”

Ai moment, thotë Liri, e përforcoi bindjen se arti nuk njeh kufij. “Nëse luan me shpirt, muzika arrin kudo. Kjo është fuqia e saj më e madhe.”

Ndërkohë, vetëm pak muaj pas Salzburgut, Liri arriti edhe një sukses të jashtëzakonshëm, çmimin e parë në konkursin “The Young Pianist”, ku juria e vlerësoi me 100 pikë të plota, një rrallësi në garat e muzikës së kultivuar. “Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë,” tregon ai.

 

Shtyllat e suksesit: familja, mësuesit, miqtë

Për një të ri që rritet mes kërkesave të artit dhe jetës së përditshme, Liri e di mirë se askush nuk arrin vetëm. Ai flet me një mirënjohje të veçantë për familjen e tij, të cilën e quan “motori i rrugëtimit”.

“Prindërit e mi kanë besuar tek unë edhe kur unë vetë dyshoja,” thotë ai. Ata kanë qenë pranë çdo konkursi, çdo prove, çdo mbrëmjeje të vonë ushtrimesh. Sakrificat e tyre, thotë ai, janë arsyeja kryesore që ai vazhdon të ecë përpara.

Mësuesit janë shtylla e dytë e rëndësishme. “Nuk më mësojnë vetëm notat. Më mësojnë si të jap shpirt, si të besoj në veten time në skenë.”

Shokët, të cilët e përkrahin edhe pa qenë pjesë e muzikës, i japin energjinë e moshës. “Ata e bëjnë udhëtimin më të bukur. Përveç muzikës, kam edhe fëmijëri,” thotë duke buzëqeshur.

 

Frymëzimet e një pianist të ri

I pyetur se cilat janë veprat, kompozitorët që pëlqen të luaj, ai shprehet se “Beethoven-i ka forcë, karakter dhe një lloj guximi që më sfidon si pianist,” thotë ai, duke pranuar se pikërisht muzika energjike e gjeniut gjerman e ka bërë të dashurohet edhe më shumë me pianon. Për të, Beethoven është frymëzim i fuqisë dhe vendosmërisë, ndërsa Chopin është një botë krejt tjetër. “Kur luaj Chopin-in, më duket sikur po tregoj historinë time, jo të tij,” rrëfen ai, duke e cilësuar muzikën e kompozitorit polak si një ditar të brendshëm ndjenjash.

Mes këtyre dy poleve, Mozart-i i qëndron si elegancë e pastër. “Ka një thjeshtësi që në të vërtetë është shumë e vështirë për t’u arritur. Mozart-i të mëson disiplinë dhe balancë.”

Në mesin e interpretueseve të mëdhenj që Liri i studion me kujdes, është Evgeny Kissin. Ai e përshkruan me admirim të sinqertë dhe e vlerëson jo vetëm për teknikën brilante, por për qëndrimin e tij artistik.

“Kissin nuk e kërkon vëmendjen, ai kërkon muzikën. Çdo notë e tij është e pastër, e menduar, e përjetuar.”

 

Një ëndërr që nis në Kosovë dhe synon skenat ndërkombëtare

Ambiciet e Lirit nuk ndalen brenda kufijve të vendit. Ai e sheh të ardhmen e tij në akademitë prestigjioze të Evropës, siç janë Austria, Gjermania, Italia, vendet ku lindi dhe u zhvillua vetë muzika klasike. “Vetë ideja që mund të jem në të njëjtat ambiente ku ka studiuar Mozart-i apo Beethoven-i më emocionon,” tregon ai.

Studimet jashtë vendit nuk i sheh vetëm si ëndërr personale, por edhe si një mision të rëndësishëm. Ai dëshiron që talenti i tij të jetë një histori suksesi që e vendos Kosovën në hartën kulturore. “Dua t’i tregoj botës që edhe fëmijët nga vendet tona mund të arrijnë shumë, nëse u jepet mundësia,” thotë ai.

 

Mesazhi i Lirit për fëmijët që ëndërrojnë muzikën dhe për festat e fundvitit

“Të nisësh diçka të re gjithmonë sjell pak pasiguri, por përgjigjet vijnë vetëm kur merr guximin të fillosh”. Liri muzikën e përshkruan si një mik që të rrit ngadalë, të mëson durimin dhe bukurinë e përparimit të vogël, të përditshëm. Ai e di mirë se tingujt e parë shpesh janë të pasigurt, por kjo nuk e ka ndalur kurrë të vazhdojë.

Andaj, ai u sugjeron fëmijëve të mos frikësohen nga pengesat që i shohin përpara: “Mos e shihni pengesën si mur, por si sfidë që ju bën më të fortë.” Për të, muzika shpërblen çdo përpjekje me një emocion ose gëzim të ri. Dhe, mbi të gjitha, ai u rikujton se çdo rrugëtim i madh fillon me një hap të vogël.

“Mos prisni momentin ideal. Filloni sot, sepse çdo koncert, çdo ëndërr, nis nga një notë,” thekson ai.

Po ashtu, Liri e sheh fundvitin si kohën ideale për reflektim, falënderim dhe lidhje me ata që duam. “Familja është dhurata më e madhe që mund të kemi. Një buzëqeshje, një fjalë e butë, një përqafim, të gjitha këto, e ndryshojnë botën”, përfundon Liri duke buzëqeshur./Albinfo.at

 

BE-ja nis heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Bëhet e ditur se Bashkimi Evropian ka filluar heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, duke liruar fondet për disa projekte, por shumë të tilla mbesin akoma të bllokuara. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, pas një letre zyrtare që ka pranuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman. Sipas letrës së publikuar nga Bislimi, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh. “Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”, thuhet në letrën e Koopmanit.

Kosova kërkon heqjen e plotë të masave ndëshkuese
Kosova mirëpret hapin e radhës nga ana e BE-së dhe heqjen e plotë të masave, u shpreh Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi. “Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, theksoi Bislimi.

Por Bashkimi Evropian, siç shkruajnë mediet në Prishtinë, nuk do t’i heqë këtë vit të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova t’i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve të IPA-s, pra të para-anëtarësimit për periudhën 2026–2027, të cilat gjithsesi duhet të miratohen edhe nga Komisioni Evropian e të mbështeten nga vendet anëtare. Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutuan të martën në Bruksel për procesin e zgjerimit, duke miratuar konkluzionet për këtë proces. Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, në pjesën për Kosovën bën thirrje që vendi të përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave. Ndër kërkesat e tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës dhe të ndërpresë kundërshtimin ndaj anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kosova ende pas në procesin e integrimit në BE

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse për këtë ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022. Për të kërkuar më shumë nga Brukseli për Kosovën, në kryeqendrën evropiane ka udhëtuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor. Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, “në këtë Samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit”.

“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, thuhet në njoftimin e presidences. Në agjendën e diskutimeve të Samitit thuhet më tej se “përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat”. Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane. Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor është bërë formalitet vitet e fundit. Draft-deklarata e Samitit, një pjesë të së cilës e kanë publikuar mediet në Prishtinë, dokument që duhet të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.

Presidentja Osmani në Bruksel, përfaqëson Kosovën në Samitin BE–Ballkani Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, përkrah krerëve të shteteve anëtare të BE-së dhe liderëve të rajonit, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të këtij samiti do të diskutohen marrëdhëniet dhe partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendeve të rajonit. Gjatë qëndrimit në Bruksel, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve evropiane, si dhe do të ketë bisedime me përfaqësues të tjerë të lartë pjesëmarrës në samit për çështje me interes për Kosovën.

Heqja e masave ndaj Kosovës dhe përshpejtimi i hapave drejt integrimit evropian pritet të jenë ndër temat prioritare që Presidentja do të adresojë gjatë diskutimeve.

Në agjendën e samitit përfshihen gjithashtu temat që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimin e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje të zhvillimit ekonomik, investimeve dhe reformave strukturore.

Po ashtu, liderët do të diskutojnë edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, menaxhimin e migracionit, si dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.

Shpikja e celofanit u bë nga kimisti zviceran

Në vitin 1908, kimisti zviceran Jacques Edwin Brandenberger realizoi një nga shpikjet më të rëndësishme në historinë e ambalazhimit, celofanin, një material transparent që vazhdon të përdoret gjerësisht edhe sot. Ideja për këtë shpikje lindi krejt rastësisht, pasi Brandenberger vuri re se një mbulesë tavoline ishte njollosur nga vera dhe nuk kishte mbrojtje nga lëngjet. Kjo e shtyu atë të kërkonte një zgjidhje inovative, krijimin e një shtrese mbrojtëse të papërshkueshme nga uji, transmeton albinfo.ch.

Pas disa vitesh eksperimentimesh intensive, ai arriti të zhvillojë një film shumë të hollë dhe plotësisht transparent, të cilin e quajti “celofan”. Emri vjen nga bashkimi i fjalëve “celulozë” dhe “diaphane”, që në frëngjisht do të thotë “i tejdukshëm”. Në vitin 1912, Brandenberger ndërtoi makinën e parë për prodhimin industrial të këtij materiali dhe themeloi kompaninë La Cellophane S.A. në Francë, duke hapur rrugën për përdorimin masiv të celofanit.

Falë transparencës së lartë, vetive mbrojtëse dhe faktit që është biodegradues, celofani u bë shpejt një material kyç në paketimin e produkteve ushqimore dhe industriale. Edhe pas më shumë se një shekulli, kjo shpikje mbetet një shembull i qartë se si një ide e thjeshtë mund të ketë ndikim afatgjatë në jetën e përditshme./Albinfo.ch

Shërbimet hekurudhore në Lucern janë të kufizuara ndjeshëm për shkak të një linje të dëmtuar

Shërbimet e trenave në stacionin e Lucernit po përballen me vonesa dhe anulime në transportin rajonal.

Sipas SBB-së, ndërprerja do të zgjasë deri në orën 01:45 të mëngjesit të së mërkurës. Shkak është një linjë e dëmtuar mbi tokë në zonën e një kthese në stacion, dhe për këtë arsye mund të përdoren vetëm shinat 2 deri 7, deklaron SBB për Keystone-SDA, transmeton albinfo.ch.

Për më tepër, trenat midis Gütsch dhe Lucern mund të operojnë vetëm në një shinat të vetme. Linjat RE24, S1, S3, S9, S77, S99 dhe Voralpen-Express janë të prekur, përfshirë lidhjet drejt Olten, Sursee dhe Willisau.

Zyra e mediave e SBB-së njofton se riparimi i linjës mbi tokë është “kohë-zgjatës” dhe mund të përfundojë vetëm pas përfundimit të operacioneve.

Problemi i kokainës në Evropë dhe roli i Zvicrës:  Sasi rekord dhe rrugë të reja tregtie

Gati 40 kilogramë kokainë u gjetën në një makinë në autostradën A2 pranë Capolago në Ticino të shtunën e kaluar. Trizetë kilogramë të tjerë u zbuluan disa ditë më parë në një makinë tjetër në Novazzano. Në fund të nëntorit, gjithashtu u arrestuan gjashtë anëtarë të një bande ndërkombëtare në Zvicër; besohet se ata ishin pjesë e një rrjeti që kontrabandonte mbi një ton kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Këto incidente vendosin përsëri Zvicrën në qendër të tregtisë ndërkombëtare të kokainës – një biznes kriminal që lulëzon në një Evropë që është bërë tregu kryesor për këtë drogë. E gjithë kontinenti, duke përfshirë Zvicrën, po përmbytet nga një “valë e bardhë”, transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertës për krimin e organizuar Anna Sergi, është e vështirë të përcaktohet madhësia reale e tregut të kokainës. Ajo është profesoreshë në disa institute dhe ekspert për trafikimin e kokainës në portet kryesore evropiane. “Ekzistojnë vlerësime nga Agjencia Evropiane e Droge (EUDA) dhe Europol që flasin për rreth 400 deri 430 tonë kokainë të sekuestruar, një rekord. Por këto të dhëna përfshijnë vetëm sasinë e kapur, pra vetëm pjesën që është zbuluar.”

Vlerësimi i ekspertës Sergi mbi trafikimin e drogës në Evropë

Sipas Sergi, tregu është jashtëzakonisht fitimprurës, por askush nuk e di saktësisht se sa para janë të përfshira. “Pasi gjithmonë flitet për substanca të sekuestruara, vlerësimi mbetet i pjesshëm; një pjesë e konsiderueshme e tregut të kokainës shpesh mbetet e padukshme,” thotë ajo.

Evropa shihet si tregu kryesor referues sepse këtu ka gjithnjë më shumë përdorues. Për pasojë, vendet e Amerikës së Jugut kanë rritur prodhimin. Sergi thekson se kapacitetet logjistike janë përmirësuar, gjë që ka nxitur furnizimin në Evropë.

Roli i Zvicrës

Zvicra është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës, me grupe kriminale të përbërjes etnike të ndryshme. “Vetëm disa prej tyre organizojnë tregtinë dhe kanë paratë e nevojshme për të bërë porosi në Amerikën Latine dhe për të financuar sasitë e mëdha,” shpjegon Sergi.

Tregtimi brenda Evropës organizohet kryesisht nga grupe lokale, ndonjëherë transnacionale, që veprojnë si shpërndarës të mëdhenj. ‘Ndrangheta mbetet lider, si në tregti ashtu edhe në shpërndarje në nivel evropian. Pastaj ka grupe më të vogla me lidhje me Camorra-n, grupe me origjinë turke ose banda lokale të origjinës nigeriane ose zvicerane.

Zvicra ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm logjistik. Meqenëse ndodhet në mes të Evropës, ajo shtrihet përgjatë korridorit midis porteve të mëdha veriore dhe atyre jugore.

 

Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se më 27 dhjetor qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përfaqësitë diplomatike.

Sipas KQZ-së, për të votuar në këto përfaqësi, është e nevojshme që qytetari të ketë përfunduar me sukses regjistrimin për votim jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

“KY proces kërkon që votuesi të identifikohet me një dokument të vlefshëm identifikimi të lëshuar nga Republika e Kosovës, siç janë: letërnjoftimi, pasaporta ose leja e vozitjes,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Gjithashtu, autoriteti zgjedhor ka sqaruar se mënyra e plotësimit të fletëvotimit do të ndjekë të njëjtat procedura si në zgjedhjet e kaluara.

Rutte: Rusia ka NATO-n në shënjestër

Europa është nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga Rusia, paralajmëron raporti 64-faqësh i shërbimit danez të inteligjencës. Raporti, i titulluar “Outlook 2025”, parashikon se Rusia mund të nisë një luftë lokale kundër një vendi të NATO-s që në 2027, një luftë rajonale deri në 2028 dhe një fushatë të madhe kundër NATO-s deri në 2031, transmeton albinfo.ch.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi para samitit të kryetarëve të shteteve të BE-së: “Objektivi i ardhshëm i Rusisë jemi ne, NATO. Duhet të bëjmë më shumë.”

Raporti vë në dukje se rajoni i Detit Baltik është më i rrezikuari, duke qenë i rëndësishëm për eksportet e naftës së Rusisë. Lufta hibride atje ka filluar tashmë, me sulme dronësh, shkelje të hapësirës ajrore, ndërhyrje GPS dhe akte sabotimi.

Analiza daneze paralajmëron gjithashtu se agresioni rus është një problem afatgjatë dhe se Rusia është thellësisht e militarizuar, duke ndikuar në brezat e ardhshëm. Për herë të parë, raporti përmend si kërcënim edhe SHBA-të, duke theksuar përdorimin e fuqisë ekonomike dhe teknologjike si instrument pushteti, madje edhe ndaj aleatëve.

Presidenti finlandez, Alexander Stubb, nënvizon: “Në politikën e jashtme duhet të jetojmë me botën ashtu siç është, jo siç do të donim ne.”

Analistët danezë bëjnë publike analizën e tyre të detajuar, duke nxjerrë në pah një kërcënim serioz dhe të menjëhershëm për Evropën.

FIFA shpall 11 futbollistët më të mirë të vitit 2025

FIFA, organizata më e madhe e futbollit botëror, po zhvillon sonte ceremoninë prestigjioze “The Best”, ku vlerësohen lojtarët më të spikatur të vitit.

Një nga momentet kryesore të ceremonisë është përzgjedhja e 11 futbollistëve më të mirë të vitit 2025. Formacioni i zgjedhur është 4-4-2 dhe përbëhet nga:

Portieri: Gianluigi Donnarumma

Mbrojtësit: Achraf Hakimi, Willian Pacho, Virgil van Dijk dhe Nuno Mendes

Mesfushorët: Pedri, Jude Bellingham, Vitinha dhe Cole Palmer

Sulmuesit: Lamine Yamal dhe Ousmane Dembele

Ky formacion reflekton performancat më të shkëlqyera të lojtarëve në vitin 2025 dhe është shpallur nga FIFA përmes profilit zyrtar të saj në Twitter.

Ousmane Dembélé shpallet lojtari më i mirë i botës për vitin 2025 nga FIFA

Ousmane Dembélé është shpallur lojtari më i mirë i vitit 2025 nga FIFA, duke fituar çmimin prestigjioz “The Best” pas një gare të fortë me talentin spanjoll Lamine Yamal dhe yllin francez Kylian Mbappé.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain po kurorëzon një vit të jashtëzakonshëm, pasi më herët kishte fituar edhe Topin e Artë, falë paraqitjeve brilante si në nivel klubi ashtu edhe me përfaqësuesen franceze.

Sezoni i kaluar ishte historik për PSG-në, e cila arriti tripletën, duke përfshirë edhe triumfin e parë ndonjëherë në Ligën e Kampionëve. Dembélé ishte një nga figurat kyçe të këtij suksesi, duke dhënë kontribut vendimtar në rrugëtimin evropian të skuadrës parisiene.

Përveç kësaj, PSG u shpall fituese e Superkupës së UEFA-s, ndërsa në Kupën e Botës për Klube u rendit në vendin e dytë. Me kombëtaren franceze, Dembélé e mbylli vitin duke zënë vendin e tretë në Ligën e Kombeve.

Gjatë fjalimit në ceremoninë “The Best”, futbollisti francez u shpreh i emocionuar:

“Dua të falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi. Çdo sukses vjen nga puna e madhe dhe përkushtimi. Faleminderit familjes sime dhe klubit për një vit të paharrueshëm. Faleminderit edhe Gianni Infantinos për urimin në ditëlindje. Shpresoj të jem sërish këtu vitin e ardhshëm.”

Me fitimin e Topit të Artë 2025 dhe çmimit “The Best”, Ousmane Dembélé e mbyll vitin si një nga futbollistët më të suksesshëm dhe më dominues në skenën botërore.

 

Qirinjtë ‘made in Switzerland’ mjeshtëria sfidon importet

Njëherë të përdorura vetëm për dritë, lutje ose festime ditëlindjeje, qirinjtë janë shndërruar në aksesor modern dhe simbol rehatie. Në një treg zviceran të mbushur me produkte të importuara, disa sipërmarrës nga pjesa frankofone e vendit po krijojnë qirinj cilësorë që po bëhen gjithnjë më të kërkuar.

Fokus tek produktet lokale

Qirinjtë e prodhuar në Zvicër përdorin dyll soje nga kultura evropiane pa OMGJ, parfume natyrale dhe fitila nga mbeturina druri. Të gjitha paketimet dhe etiketat vijnë nga furnizues zviceranë ose evropianë, duke mbajtur fokusin tek cilësia dhe produktet vendore.

Një treg i dominuar nga importet

Shumica e qirinjve të shitur në Zvicër vijnë nga jashtë. Në vitin 2024, vendi importoi 15,000 ton qirinj, fitilë dhe qirinj votivë, me një vlerë totale prej 67 milion frangash. Polonia, Kina dhe Gjermania janë furnizuesit kryesorë.

Çmimet ndryshojnë shumë: në disa dyqane qirinjtë kushtojnë nën 40 franga, ndërsa modelet më luksoze arrijnë deri në mbi 1,600 franga. Segmenti i qirinjve po rritet vazhdimisht, kryesisht për shkak të trendit të rehatisë në shtëpi dhe dëshirës për momente qetësie pas pandemisë.

Një ritual i vogël për qetësi

“Ndriçimi i një qiri nuk është vetëm një veprim i thjeshtë. Ai ndihmon në uljen e kortizolit dhe rritjen e oksitocinës, hormoni i mirëqenies,” thotë Julien Intartaglia, profesor i marketingut eksperimental në HEG Arc, Neuchâtel, transmeton albinfo.ch.

Ai shton: “Qiriri sot është diçka shumë qetësuese, sidomos në një periudhë të shpejtësisë teknologjike. Njerëzit kanë nevojë të përqendrohen në momente të veçanta, sikur koha të rrjedhë më ngadalë.”

Tregu zviceran dhe global i qirinjve

Edhe pse pjesa më e madhe e qirinjve shitet nga importet, produktet zvicerane po fitojnë terren. Tregu global i qirinjve po rritet me rreth 6.5% në vit, dhe pritet të arrijë 21 miliard dollarë deri në vitin 2030.

Feride Rushiti vlerësohet me Çmimin “European of the Year 2025″

Për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ceremonia e ndarjes së Çmimit “European of the Year” u shënua nga dhënia e dy vlerësimeve, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kontributeve që mishërojnë vlerat themelore evropiane të të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe solidaritetit.

Njëri nga këto çmime iu nda Feride Rushiti, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims, si dhe kandidate për Çmimin Nobel për Paqen 2025, shkruan albinfo.ch. Vlerësimi u dha si njohje e angazhimit të saj shumëvjeçar profesional dhe etik në rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, viktimave të luftës, refugjatëve, të riatdhesuarve dhe azilkërkuesve në Kosovë.

Në fjalën e saj të mirënjohjes, Rushiti e vendosi theksin te dimensioni kolektiv i këtij vlerësimi, duke nënvizuar se çmimi tejkalon aspektin individual dhe përfaqëson një rrugëtim të përbashkët institucional dhe njerëzor.

“Ky çmim është një vlerësim për mua, por mbi të gjitha është një dëshmi e rrugës sonë të përbashkët, e përkushtimit dhe e punës së palodhur të kolegeve dhe kolegëve tanë pranë të mbijetuarve,” u shpreh ajo. Rushiti ia dedikoi këtë mirënjohje grave, vajzave dhe burrave që i mbijetuan dhunës së luftës, duke theksuar se zëri dhe dinjiteti i tyre përbëjnë kujtesën kolektive dhe ndërgjegjen morale të shoqërisë kosovare.

Ajo falënderoi gjithashtu European Union in Kosovo për besimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm, duke e cilësuar mbështetjen evropiane si thelbësore për forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe për proceset afatgjata të shërimit shoqëror.

Çmimi i dytë “European of the Year 2025” iu nda Perspektivës Rinore, studentëve të Fakultetit Juridik të Universiteti i Prishtinës, të cilët përmes pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare të gjyqeve simuluese kontribuojnë në promovimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe barazisë, duke përfaqësuar Kosovën në forume akademike ndërkombëtare.

Të dy vlerësimet u përcaktuan përmes votimit publik dhe synojnë të theksojnë rolin e individëve dhe institucioneve që, përmes punës së qëndrueshme dhe profesionale, avancojnë vlerat evropiane dhe forcojnë besimin në drejtësi, solidaritet dhe dinjitet njerëzor. Ceremonia u perceptua si një moment institucional reflektimi, që lidh kujtesën historike me përgjegjësinë e së tashmes dhe vizionin evropian të së ardhmes së Kosovës.

 

 

Donald Trump e klasifikon fentanylin si “armë shkatërrimi në masë”

Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e klasifikon fentanylin, një opioid sintetik i fuqishëm përgjegjës për shumë mbidoza në Shtetet e Bashkuara, si “armë shkatërrimi në masë”.

“Tani me urdhrin ekzekutiv që do të nënshkruaj sot, ne formalizojmë klasifikimin e fentanylit si armë shkatërrimi në masë, sepse e tillë është,” tha presidenti amerikan nga Zyra Ovale.

“Asnjë bombë nuk bën atë që bën ky drogë: 200,000 deri në 300,000 njerëz vdesin çdo vit,” shtoi ai, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), numri total i vdekjeve nga mbidozat në SHBA gjatë vitit 2024 ishte rreth 80,000, prej të cilëve rreth 48,000 për shkak të opioideve sintetike.

“Armë kimike”

Dekreti specifikon se fentanyli “është më shumë një armë kimike sesa një narkotik”, duke justifikuar kështu klasifikimin.

“Prodhimi dhe shpërndarja e fentanylit, kryesisht përmes rrjeteve kriminale të organizuara, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe ushqen anarki në kontinentin amerikan dhe në kufijtë tanë,” theksohet në dokument.

Trump gjithashtu deklaroi se administrata e tij po “merr në konsideratë” lehtësimin e kufizimeve federale mbi marihuanën duke e riformësuar si drogë më pak të rrezikshme. “Shumë njerëz e duan këtë riformatim sepse do të mundësonte kryerjen e një sasie të madhe kërkimesh që nuk mund të bëhen pa riformatimin,” tha ai.

Presion ndaj Meksikës dhe Venezuelës

Në shkurt, SHBA-ja klasifikoi disa kartele droge si “organizata terroriste të huaja” dhe shtoi presionin mbi Meksikën dhe, veçanërisht, Venezuelën nën udhëheqësin socialist Nicolás Maduro, të akuzuar për trafikun e drogës, edhe pse ekspertët thonë se kjo vend nuk është burimi kryesor i drogës që hyn në SHBA dhe nuk prodhon fentanyl.

Qeveria amerikane ka vendosur një forcë të madhe detare dhe ajrore në Karaibe dhe po kryen sulme kundër anijeve të dyshuara për transport droge, veçanërisht kokainë, si dhe në Pacifik.

Trump po modelon luftën kundër trafikut të drogës sipas terminologjisë dhe metodave të përdorura në luftën kundër terrorizmit.

Venezuela mohon akuzat për trafik droge dhe akuzon Uashingtonin se synon të rrëzojë Nicolás Maduron dhe të marrë rezervat e mëdha të naftës të vendit, të cilat janë nën embargo që nga viti 2019. Agjencia amerikane kundër drogës (DEA) thekson se kartelat meksikane janë “në zemër” të krizës së drogës sintetike në SHBA.

 

 

Produktet vegane dhe vegjetariane në Zvicër po ofrohen më pak, por kërkesa mbetet e lartë

Rritja fillestare e disponueshmërisë së produkteve vegane dhe vegjetariane në supermarketet zvicerane po qetësohet. Migros ka reduktuar gamën e markës së saj vegane “V-Love”, nga 145 produkte vitin e kaluar në rreth 110 sot për shitjet online, por ka zgjeruar ofertën e markave të jashtme, duke arritur afërsisht 1,200 produkte me etiketë vegane.

Coop ofron po aq produkte sa më parë, rreth 2,000, ndërsa zinxhiri gjerman Alnatura po mbyll degët në Zvicër, por produktet e saj mbeten në rafte.

Qumështi dhe zëvendësuesit e mishit bazuar në bimë janë produktet më të kërkuara, ndërsa djathërat vegane janë më pak popullorë. Sipas Swissveg, numri i vegetarianëve dhe veganëve në Zvicër stabilizohet rreth 5% të popullsisë, ndërsa shumë blerës janë konsumatorë rastësorë.

 

 

Punëtori i ndërtimit bie në kafazin e ashensorit, plagoset rëndë

Të martën në mëngjes, një punëtor ndërtimi në Zumikon u plagos rëndë në një aksident në vendin e punës. Ai ra nga një lartësi e madhe në një kafaz ashensori. Ai u dërgua në spital me lëndime të rënda, transmeton albinfo.ch.

Pak pas orës 8:15 të mëngjesit, burri 50-vjeçar ra nga kati i sipërm i ndërtesës shumëkatëshe në një bosht ashensori, siç deklaroi policia kantonale në një njoftim për shtyp të martën, shkruan blick.ch

Për arsye ende të panjohura, ai ra përmes një hapjeje në dysheme. I përmenduri u zhyt më shumë se 20 metra dhe ra në fund të kafazit të ashensorit. Ai u transportua në spital me lëndime të rënda.

Rrethanat e aksidentit në vendin e punës, nën hetime
Rrethanat e sakta të aksidentit në vendin e punës po hetohen nga policia kantonale e Cyrihut dhe zyra e prokurorit publik Winterthur/Unterland, përcjell albinfo.ch. Specialistë nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Instituti Mjeko-Ligjor i Cyrihut (FOR) u dërguan për të siguruar prova dhe për të dokumentuar vendin e aksidentit.