Presidentja Osmani ngushëllon familjen e mërgimtarit që humbi jetën në liqenin e Ujmanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta për familjen Latifi, pas ndarjes tragjike nga jeta të Rrahim Latifit, përcjell albinfo.ch.

“Në këto çaste të dhimbshme, më lejoni të shpreh pikëllimin tim të thellë për humbjen e të dashurit tuaj, Rrahim Latifi. Ai u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas një boshllëk të madh për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Humbja e jetës së një të riu është gjithmonë e rëndë, por kur ndodh në rrethana të tilla tragjike, dhimbja bëhet edhe më e thellë,” thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Ajo u ka shprehur familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta, duke u uruar forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme.

Premierliga i uron mirëseardhje Xhakës

Sunderland ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Granit Xhaka, i cili i bashkohet klubit anglez nga Bayer Leverkusen. Mesfushori do të firmosë kontratë trevjeçare me klubin nga “Stadium of Light”, përcjell albinfo.ch.

Xhaka mbërrin në Sunderland pas një dekade ku ka qenë pjesë e pandashme e elitës së futbollit europian.

Ai ka zhvilluar 225 ndeshje në Premier League me Arsenalin, ku fitoi dy herë FA Cup dhe mbajti shiritin e kapitenit të “Topçinjve”.

E ishte faqja zyrtare e Premierligës që i uroi mirëseardhje Xhakës.

“Mirë se u ktheve në Premierligë, Granit Xhaka”, shkruhej në postimin e ligës elitare angleze.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1377560133728940&set=a.847019066783052&type=3&ref=embed_post

Pse është më mirë të punosh në Cyrih, por të mos jetosh atje

Jetesa në qytetin e Cyrihut është ndër më të shtrenjtat në Zvicër, me qira që shpesh i kalojnë 3,000 franga për apartamente familjare dhe hapësirë të kufizuar jetese. Për fat të mirë, rrjeti i zhvilluar i transportit publik dhe infrastruktura rrugore e bëjnë të lehtë udhëtimin për në qytet nga rajonet përreth, përcjell albinfo.ch.

Qytete si Winterthur (20 minuta me tren), Zug (30 minuta), Schaffhausen, Frauenfeld, Olten, madje edhe Konstanz në Gjermani ofrojnë qira më të ulëta, më shumë hapësirë dhe një cilësi të mirë jetese  duke mbetur brenda një ore udhëtim në Cyrih.

Disa, si Zug, ofrojnë edhe avantazhe tatimore, ndërsa qytete si Olten dhe Frauenfeld janë veçanërisht tërheqëse për familje për shkak të kostove të ulëta dhe shkollimit cilësor.

Nëse punoni në Cyrih, por dëshironi të kurseni, të jetuarit pak më larg mund të jetë zgjidhja më e mençur.

Për më shumë detaje – https://www.thelocal.ch/20210811/maps-the-best-commuter-towns-when-working-in-zurich

Mashtrime me gjoba të rreme në Gjenevë, policia paralajmëron qytetarët

Policia e Gjenevës ka paralajmëruar banorët të jenë të kujdesshëm ndaj një vale mashtrimesh me email dhe letra të rreme që pretendojnë se janë përkujtues për gjoba parkimi të papaguara. Këto mesazhe, që ngjajnë zyrtare, përmbajnë kode QR që i çojnë përdoruesit në faqe mashtruese dhe kërkojnë informacione personale, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, mashtrimet karakterizohen nga mungesa e adresës së marrësit dhe përdorimi i formateve të rreme zyrtare. Disa nga adresat mashtruese të emailit përfshijnë: [email protected], [email protected] dhe [email protected].

Policia këshillon të mos skanohet kodi QR, të mos klikohet asnjë lidhje dhe të fshihet menjëherë mesazhi. Për të verifikuar vërtetësinë e komunikimeve, qytetarët mund të kontaktojnë në:

📧 [email protected]
📞 +41 22 427 51 70

Ansambli ‘Pavarësia’ përfaqëson kulturën shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Shtutgartit

Për tri ditë me radhë, në sheshin qendror të Shtutgartit, Shkolla e Vallëzimit Ansambli “Pavarësia” Stuttgart prezantoi me krenari kulturën dhe traditën e pasur shqiptare nga Kosova, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar Veror, të organizuar nga Forum der Kulturen, transmeton albinfo.ch.

Valltarët e Ansamblit “Pavarësia” sollën në skenë një program të larmishëm artistik, përmes të cilit promovuan me përkushtim vlerat tona kulturore përballë një publiku të gjerë dhe ndërkombëtar. Krahas programit skenik, për tre ditë me radhë, shtandi “Kosova” ofroi ushqime tradicionale dhe mikpritje shqiptare, duke afruar vizitorët me shijen dhe shpirtin e kulturës sonë.

https://www.facebook.com/share/p/1G6amye6CE/

Mund të jetë një imazh i 15 persona, persona duke vallëzuar, dirndl dhe teksti

Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

Nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të kontrollit kufitar për qytetarët që nuk janë nga vendet anëtare. Ky sistem, i quajtur “Sistemi i Hyrje/Daljes” (EES), do të zëvendësojë praktikën tradicionale të vendosjes së vulave në pasaporta, duke shënuar një hap drejt digjitalizimit dhe sigurisë së shtuar në kufijtë evropianë, përcjell albinfo.ch.

Zbatimi i EES-së ka qenë në planet e BE-së që nga viti 2017, por është shtyrë disa herë për shkak të vonesave në përgatitjet teknike nga disa shtete. Tani, Komisioni Evropian ka caktuar datën 12 tetor 2025 për fillimin zyrtar, me një periudhë tranzicioni gjashtëmujore ku sistemi do të aplikohet gradualisht në të gjitha 29 shtetet që marrin pjesë në zonën Schengen  përfshirë edhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Si do të funksionojë EES?
Sistemi do të regjistrojë automatikisht datën e hyrjes dhe daljes së çdo vizitori nga një vend i tretë (që nuk është pjesë e BE-së), si dhe të dhënat për qëndrime të tejzgjatura apo raste kur hyrja është refuzuar. Në vend të vulave fizike, udhëtarëve do t’u merren të dhëna personale dhe biometrike,  përfshirë fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

Pasaportat biometrike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë përmbajnë këto të dhëna, janë të harmonizuara me standardet e BE-së. Kjo do të thotë se qytetarët e rajonit do të jenë të përgatitur nga ana teknike për t’iu nënshtruar këtij sistemi të ri.

Pse po zbatohet ky sistem?
Sipas Komisionit Evropian, EES do të ndihmojë në:

Parandalimin e qëndrimeve të paligjshme përtej afatit të lejuar;

Identifikimin e udhëtarëve që përpiqen të hyjnë në mënyrë të parregullt;

Zvogëlimin e mashtrimeve me dokumente dhe identitete;

Rritjen e sigurisë së përgjithshme në hapësirën Schengen.

“Ky sistem do të na ndihmojë të kemi kontroll më të mirë të kufijve dhe të parandalojmë abuzimet me sistemin e vizave”, deklaroi Magnus Brunner, komisionar për Migrim në BE.

A do të ketë vonesa në kufij?
Zbatimi i teknologjisë së re mund të shkaktojë pritje më të gjata në pikat kufitare, sidomos në fillim. Udhëtarët që udhëtojnë me aeroplanë, tragete apo trena drejt Evropës duhet të jenë të përgatitur për kontrolle më të detajuara dhe disa minuta shtesë për regjistrimin biometrik.

Ministria e Jashtme e Britanisë paralajmëroi se “udhëtarët duhet të presin më gjatë në kufi sapo sistemi të hyjë në fuqi.”

Për të zbutur efektet e fillimit të sistemit, BE-ja do të zhvillojë fushata informuese nëpër aeroporte dhe pika kufitare, duke informuar udhëtarët mbi procedurat e reja dhe mënyrën e funksionimit të EES.

Fjalët e para të Granit Xhakës si lojtar i ri i Sunderlandit

E prisnin në Milano, por Granit Xhaka është prezantuar zyrtarisht si futbollisti i ri i Sunderland. Prishtinaliu pasi kaloi me sukses testet mjekësore, firmosi një kontratë me shenjtorët deri në 2028. Sipas Sky Sport, ekipi anglez i ka kushtuar 17 milionë euro kartoni i Xhakës, 13 kesh, plus 4 të tjera në formë bonusesh, përcjell albinfo.ch.

Pas vetëm dy vitesh, Xhaka rikthehet në këtë mënyrë në Premier League: “Jam shumë krenar që ndodhem këtu. Kur fol me klubin ndjeva menjëherë energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë personat këtu, edhe lojtarët”, u shpreh Xhaka gjatë prezantimit. Te Sunderland, Xhaka do të mbajë të veshur fanellën me numrin 34-ët.

Mesfushori vjen nga Bayer 04 Leverkusen për një tarifë të pazbuluar dhe nënshkruan një kontratë trevjeçare në Stadium of Light.

Mesfushori 32-vjeçar do të veshë fanellën me numrin 34.

Alpinistja Laura Dahlmeier nuk i mbijetoi plagëve pas rrëzimit në mal, ndërron jetë

Albinfo.ch dje ka shkruar për plagët e rënda që kishte marrë Laura Dahlmeier gjatë alpinizmit, ndërkohë sot menaxhmenti i saj konfirmoi vdekjen e saj.

Biatlonistja gjermane Laura Dahlmeier, dy herë kampione olimpike, humbi jetën tragjikisht gjatë një aksidenti në majën Laila në malet Karakoram të Pakistanit. Aksidenti ndodhi gjatë një ekspedite alpine, ku 31-vjeçarja pësoi plagë të rënda nga të cilat nuk mundi të mbijetojë.

Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi menaxhmenti i kampiones së dyfishtë olimpike, duke shprehur trishtimin e thellë për humbjen e një prej sportisteve më të shquara të biatlonit. Laura Dahlmeier do të mbahet mend jo vetëm për arritjet e saj sportive, por edhe për pasionin dhe guximin që tregoi në sportet e sfidës në natyrë.

Kampionja ishte e njohur për sukseset e saj në biatlon, duke fituar medalje të arta në Lojërat Olimpike, dhe përkushtimin e saj ndaj sporteve malore. Vdekja e saj është një humbje e madhe për komunitetin sportiv ndërkombëtar. /20minute

 

Sot i jepet lamtumira e fundit mërgimtarit që u mbyt në Liqenin e Ujmanit

Mërgimtari 35-vjeçar, Rrahim Latifi, që u mbyt në Liqenin e Ujmanit, do të varroset sot, përcjell albinfo.ch.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën në Liqenin e Ujmanit, ku Rrahim Latifi ka humbur jetën.

Latifi ishte me origjinë nga fshati Cerajë, ndërsa jetonte në qytetin Kristianstad të Suedisë.

Trupin e tij, në ditën e tretë të kërkimeve, e kanë gjetur njësitë e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 16:44, në varrezat e qytetit të Mitrovicës, në Shipol.

Mbante niqab në vend publik: Gjobitet kosovarja në Bernë

Një grua 40-vjeçare nga Kosova është gjobitur në Bernë për mbajtjen e nikabit gjatë blerjeve. Me këtë akt ajo kishte shkelur ndalimin me ligj të mbulimit të fytyrës. Kosovarja ndodhej në një supermarket në Bernë më 6 janar 2025, transmeton albinfo.ch. Ajo mbante nikab, nga i cili dukeshin vetëm sytë.

Duke bërë këtë veprim ajo ka shkelur ndalimin aktual të mbulimit të fytyrës, të cilin e dinte, ose të paktën mund dhe duhej ta dinte, siç deklaron zyra e prokurorit publik të Kantonit të Bernës në urdhrin e saj penal.

Gruaja në fjalë tani është shpallur fajtore për shkelje të ligjit federal që ndalon mbulimin e fytyrës. Ajo do të gjobitet me 100 franga, shkruan 20minuten.ch. Nëse nuk e paguan gjobën, ajo përballet me një dënim me burgim njëditor. Gjoba nuk do të rezultojë në një precedent penal.

Përveç gjobës, gruaja kosovare duhet të paguajë edhe tarifa procedurale prej 100 frangash.

Ndalimi i mbulimit të fytyrës është në fuqi në Zvicër që nga janari i vitit 2025

Që nga 1 janari i këtij viti, në Zvicër ka hyrë në fuqi ndalimi i mbulimit të fytyrës, me pak përjashtime. Kushdo që mbulon fytyrën në hapësira publike, për shembull me burka ose niqab, mund të gjobitet deri në 1,000 franga, përcjell albinfo.ch. Komiteti Egerkingen (që kishte iniciuar ligjin) ka njoftuar së fundmi se kishte marrë 21 raporte në lidhje me niqabët dhe burkat.

Përjashtimet nga ndalimi i mbulimit të fytyrës lejohen vetëm për arsye shëndetësore ose sigurie, për t’u mbrojtur nga kushtet ekstreme të motit ose për të ruajtur zakonet tradicionale: për shembull, maska për fytyrën ose helmeta motorçikletash,  por edhe maska në Karnaval ose maska skijimi në shpatet me dëborë.

Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.

Sunny Hill Festival këtë vit me edicionin më të madh ndonjëherë

Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun, përcjell albinfo.ch.

Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.

Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.

Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.

Por Sunny Hill nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e Festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendor të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendase dhe ndërkombëtare.

E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se Festivali Sunny Hill, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër. Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendore dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.

Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/

Një shtetas i huaj rrëmbehet dhe rrihet në Prishtinë

Raportohet se një shtetas i huaj ka lajmëruar në polici se është rrëmbyer nga persona të panjohur në orët e hershme të mëngjesit të së martës, më 29 korrik, rreth orës 03:30 në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Referuar dëshmisë së tij, disa persona e kanë futur me forcë në një veturë nën kërcënimin e armës, ku më pas është rrahur dhe kërcënuar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e marra.

Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ka iniciuar rastin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rasti është cilësuar si “rrëmbim” dhe hetimet janë në vazhdim.

Të paktën dy të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në Gjermani

Të paktën dy anëtarë të forcës ajrore gjermane u vranë kur një helikopter në të cilin po udhëtonin u rrëzua gjatë një misioni stërvitor në lindje të vendit, tha të martën Ministria e Mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Një zëdhënëse e forcës ajrore gjermane i tha AFP-së se dy nga anëtarët e ekuipazhit që vdiqën ishin “me përvojë”, duke shtuar se po zhvillohej një kërkim për anëtarin e tretë.

Helikopteri, i cili ishte marrë me qira për qëllime stërvitjeje, u rrëzua për arsye ende të panjohura në Mulde, një lumë pranë Grimma, Saksoni.

https://x.com/geotechwar/status/1950207290197286913?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1950207290197286913%7Ctwgr%5E3e8a7d26122ea0d450e17740f47c96f1426f30dd%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F07%2F30%2Fte-pakten-dy-te-vdekur-pas-rrezimit-te-nje-helikopteri-ushtarak-ne-gjermani%2F

ZRRE: Vendimi për liberalizim të tregut të energjisë nuk shtyhet

Së fundmi, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka deklaruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk mund të shtyhet, përcjell albinfo.ch.

Përmes një përgjigje, ZRRE-ja ka thënë se zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit, shkruan Koha.

“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jo-diskriminues. ZRRE është duke monitoruar me kujdes zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimet në treg. Ky vendim nuk mund të shtyhet, pasi zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit,” thuhet në përgjigje.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.

Ndërkaq, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda. Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë,” thuhet në njoftim.

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë godet Rusinë

Një alarm për cunami u lëshua nga autoritetet amerikane pasi një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi bregdetin rus të Gadishullit Kamchatka rreth orës 23:25 të martën e 29 korrikut, sipas Institutit Amerikan të Gjeofizikës.

Një fuqi që e rendit menjëherë atë midis gjashtë tërmeteve më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë, përcjell albinfo.ch.

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 136 kilometra nga qyteti i Petropavlovsk -Kamchatsky, kryeqyteti i rajonit Kamchatka.

Ai shkaktoi të paktën disa të lënduar, sipas autoriteteve.  Autoritetet në rajonin Sakhalin në lindje të largët të Rusisë shpallën gjendje të jashtëzakonshme në Ishujt Kuril veriorë, ku valët e cunamit kanë dëmtuar ndërtesat dhe kanë shkaktuar përmbytje.

“BALFIN Group” i Samir Manes blen godinën ikonike në “zemër” të Vjenës

Biznesmeni i njohur shqiptar, Samir Mane, ka realizuar një nga blerjet më të spikatura jashtë kufijve të Shqipërisë. Një ndërtesë ikonike në zemër të Vjenës, që daton nga viti 1872 dhe që dikur shërbente si një nga hotelet e para luksoze të qytetit, ka kaluar zyrtarisht në pronësi të plotë të BALFIN Group, korporatës së madhe investuese të themeluar nga Mane, transmeton albinfo.at.

Objekti, i njohur për arkitekturën e tij elegante dhe historinë e pasur, do t’i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi dhe transformimi. Samir Mane, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka vënë në pah rëndësinë e këtij projekti për grupin që ai drejton.

“Ky objekt nuk është vetëm një ndërtim arkitektonik, është një dëshmi e kohës, një simbol i qëndrueshmërisë dhe i transformimit,” ka shkruar ai, duke shtuar se vizioni i BALFIN-it është që ndërtesës t’i rikthehet lavdia e dikurshme, duke ruajtur autenticitetin artistik dhe kulturor, por pa e penguar atë të funksionojë si një hapësirë bashkëkohore në ritmin e nevojave moderne të Vjenës.

Mane thekson se çdo element do të restaurohet me përkushtim, në funksion të një ideje më të madhe që e lidh të kaluarën me të ardhmen.

Ky investim shënon një tjetër hap strategjik në misionin e BALFIN Group për të krijuar vlera afatgjata, duke ndërtuar ura mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit ekonomik, jo vetëm në rajon, por në një skenë gjithnjë e më globale. /Albinfo.at

https://www.instagram.com/p/DMqIbw-s_mr/?igsh=aXhqY3UzcTIxNXFz

 

Sa kushton një kafe në Aeroportin e Cyrihut?

Kafeja në Aeroportin e Cyrihut është mes 2.50 deri në 12.80 CHF për një filxhan, varësisht nga vendi ku jeni ulur, transmeton albinfo.ch.

Sipas një krahasimi të bërë së fundmi, çmimet për një kafe variojnë nga vetëm 2.50 CHF në zinxhirë si McDonald’s dhe KFC, deri në 12.80 CHF në Sprüngli, nëse zgjidhni versionin luksoz me Cointreau dhe krem shtesë, transmeton albinfo.ch.

Në zonën tregtare Foodland, çmimet standarde luhaten mes 3.50 dhe 5.50 CHF në vende si Brezelkönig, Coop to go, Roots dhe Züri Kafi. Në Starbucks, një kafe e thjeshtë fillon nga 5.50 CHF, por për një porcion të madh me shtesa mund të paguani deri në 9.70 CHF.

Caffè Spettacolo, Edelweiss Café dhe Bye Bye Bar ofrojnë çmime rreth 4.60–5.50 CHF. Ndërsa më të përballshmet gjenden pranë kioskut në dalje të autobusëve (3.20 CHF) ose në makinat shitëse Selecta (3 CHF), te kompanitë e qirasë së makinave.

Sipas Shoqatës Cafetiersuisse, çmimet e kafesë pritet të rriten edhe më shumë për shkak të kostove në rritje të punës dhe lëndëve të para.

Presidentja Osmani priti në takim tenorin Ramë Lahaj

Mësohet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me të ftuarit specialë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, në kuadër të edicionit të 5-të të këtij festivali prestigjioz që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor evropian, përcjell albinfo.ch.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe: Ramón Vargas, një nga tenorët më të mëdhenj të operës botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja gjeorgjiane me famë ndërkombëtare, si dhe dirigjenti Besmir Vokopola.

Presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin e Ramë Lahajt në promovimin e artit dhe të kulturës së Kosovës në skenat botërore, si dhe përkushtimin e tij për t’i sjellë artistët më të mëdhenj të operës ndërkombëtare në Prishtinë, duke ngritur nivelin e skenës kulturore në vendin tonë.

“20 Minuten” i kushton një artikull TikToker-it shqiptar për suksesin e tij në Zvicër

Nga një i ri me humor të spikatur në TikTok, në një artist që po kërkon vendin e tij në skenën muzikore shqiptare, Artani është një emër që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Me origjinë shqiptare dhe vetëm 22 vjeç, ai ka arritur të krijojë një komunitet të ngrohtë prej mbi 20 000 ndjekësish që ndjekin me entuziazëm përmbajtjen e tij, transmeton albinfo.ch.

Artani u bë i njohur fillimisht në TikTok me videot e tij komike dhe spontane, ku formati i njohur “Nöd Mis Business” u kthye shpejt në një hit. “Më duhen vetëm disa minuta për video. Thjesht flas lirshëm në kamera dhe e postoj menjëherë,” thotë ai. Falë këtij stili të natyrshëm dhe autentik, ai është bërë një figurë e njohur në rrugët e qytetit, shpesh i ndalur nga fansa që kërkojnë të bëjnë një foto me të.

Por përtej humorit, Artani është një artist i ndjeshëm, i cili përmes muzikës përpunon emocionet që nuk mund t’i shprehë gjithmonë me fjalë. “Kisha nevojë për një rrugëdalje për të çliruar emocionet e mia të ndrydhura,” kujton ai, duke përmendur se këngën e tij të parë e regjistroi tre vite më parë. Këngët e tij janë në gjuhën shqipe dhe përshkruajnë përjetime të thella emocionale, siç është edhe rasti me publikimin e fundit “Nu ke pas faj”, një baladë për një dashuri të humbur dhe betejën mes krenarisë dhe dëshirës për pajtim, shkruan 20 minute.

Artani e përdor TikTok-un edhe si platformë promovuese për muzikën e tij, megjithëse ai vetë e pranon se shumica e ndjekësve nuk janë të vetëdijshëm për këtë anë të tij. Ai beson se barrierat gjuhësore mund të jenë një faktor, por nuk përjashton mundësinë për të publikuar në të ardhmen edhe këngë në gjuhën zvicerano-gjermane. “Dua të publikoj EP-në time të parë më së voni vitin tjetër. Producenti im, Nasty Music, i cili është edhe mentori im muzikor, po më ndihmon me këtë.”

Artani është rritur me dashurinë për skenën. Që në fëmijëri, ai ishte i njohur si “kllouni i klasës”, gjithmonë në kërkim të buzëqeshjes së të tjerëve, edhe nëse kjo e fuste shpesh në telashe me mësuesit. “Për mua ishte më e rëndësishme t’i bëja të tjerët të qeshnin sesa të qëndroja ulur në vend,” thotë ai me sinqeritet. Ai pranon se shpesh ndjehej i keqkuptuar, një ndjenjë që lidhet, sipas tij, edhe me kulturën shqiptare ku “është shumë e rëndësishme të paraqesësh një imazh të përsosur për botën e jashtme”.

Për fat, Artani gjithmonë ka pasur mbështetjen e familjes. “Nëna ime flet po aq sa unë dhe sensin e humorit e kam marrë nga babai,” shprehet ai me dashuri. Ndërsa interneti nuk është gjithmonë një vend i lehtë, ai nuk lejon që komentet negative ta lëndojnë. “Unë vazhdimisht bllokoj komentet me përmbajtje urrejtjeje. Në fund të fundit, rregullat e shtëpisë sime zbatohen në profilin tim.”

I vendosur të mos etiketohet as si influencues, as si muzikant apo vetëm si TikToker, Artani e sheh veten si një artist të plotë – dikë që kërkon të shprehë veten në të gjitha format që i flasin shpirtit të tij. /Albinfo.ch

Tesla po zhvillon makina elektrike me çmim të përballueshëm

Kompania Tesla njoftoi se ka krijuar prototipet e para të një makine elektrike me çmim më të ulët, një strategji kjo për të ndalur rënien e ndjeshme të shitjeve në tregjet ndërkombëtare, raporton Reuters, përcjell albinfo.ch.

Sipas Elon Musk dhe stafit të tij, Tesla përjetoi rënien më të madhe tremujore të shitjeve në më shumë se dhjetë vjet, si dhe një fitim që nuk arriti pritshmëritë e analistëve në Wall Street. Megjithatë, fitimi nga prodhimi i makinave ishte më i mirë se sa pritej.

Tesla pret të nisë prodhimin masiv të modelit të lirë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, duke shpresuar që kjo do të rrisë kërkesën, përballë konkurrencës së makinave elektrike me çmime më të ulëta, sidomos nga Kina. Po ashtu, kompania po përballet edhe me reagime negative për qëndrimet politike të Elon Musk.

Shefi i Financave të Tesla-s, Vaibhav Taneja, tha në një telefonatë me investitorët se prodhimi i modelit më të lirë do të përshpejtohet në tremujorin e ardhshëm, megjithëse më ngadalë se parashikimet fillestare. Kompania nuk dha informacion të ri për pritshmëritë vjetore të shitjeve.

Analisti Jacob Bourne nga Emarketer tha se rezultatet e dobëta nuk janë surprizë për shkak të sfidave të fundit, por modeli i përballueshëm mund të jetë çelësi për rritjen e shitjeve, nëse pozicionohet siç duhet pa dëmtuar imazhin e makinave premium.

Në tremujorin prill-qershor, të ardhurat ranë në 22.5 miliardë dollarë nga 25.5 miliardë një vit më parë, ndërsa fitimi i rregulluar për aksion ishte 40 cent, më pak se pritshmëria prej 43 cent.

Tesla po përballet edhe me ulje të konsiderueshme të të ardhurave nga shitja e kredive rregullatore për ndotje, të cilat përdoren nga prodhues të tjerë për të përmbushur standardet mjedisore.

Modeli i ri, i cili fillimisht pritej të prodhohej në gjysmën e parë të vitit, është shtyrë disa muaj, dhe kompania nuk ka zbuluar ende detaje për çmimin apo numrin e njësive të planifikuara për prodhim.

Qiratë e banesave në Evropë shënojnë rekorde, vetëm pesë qytete ofrojnë banesa me tre dhoma nën 2,000 euro

Në vitin 2025, çmimet e qirasë në zonat qendrore të shumë qyteteve evropiane kanë arritur nivele shumë të larta, ku vetëm pesë prej tyre ofrojnë apartamente me tre dhoma gjumi me qira më pak se 2,000 euro në muaj, sipas një studimi të fundit nga Deutsche Bank. Londra mbetet qyteti më i shtrenjtë, me një mesatare prej 5,088 eurosh, ndërsa Athina rezulton të ketë çmimet më të ulëta, rreth 1,080 euro.

Analiza përfshiu 28 qytete dhe nxjerr në pah një ndarje të theksuar midis rajoneve më të pasura në veri dhe atyre juglindore, ku kostot e jetesës janë dukshëm më të ulëta.

Në qytetet me qira mbi 3,000 euro përfshihen Cyrihu, Gjeneva, Amsterdami, Parisi, Dublini dhe Kopenhaga – të gjitha vende me rëndësi financiare dhe politike dhe një kërkesë të madhe për banim. Në grupin e qyteteve me qira nga 2,000 deri në 3,000 euro hyjnë Milano, Berlini, Madridi dhe Vjena, që kanë një nivel më të arsyeshëm jetese krahasuar me kryeqytetet më të kushtueshme.

Në fund të listës qëndrojnë Athina, Budapesti, Stambolli, Varshava dhe Helsinkiu, ku qiratë mesatare janë nën 2,000 euro. Kjo pasqyron jo vetëm koston më të ulët të jetesës, por edhe pagat më të ulëta dhe zhvillimin ekonomik më të ngadaltë në këto rajone.

Sipas Eurostat, që nga viti 2020, çmimet e banesave janë rritur me 27.3%, ndërsa qiratë kanë pësuar një rritje prej 12.5%, me tendenca edhe më të forta në qytetet kryesore. Stambolli është shembulli me rritjen më të madhe të qirave për apartamentet me tri dhoma, ku niveli ka shkuar deri në 206% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa edhe Lisbona, Praga dhe Edinburgu kanë shënuar rritje mbi 70%.

Po ashtu, për apartamentet me një dhomë gjumi, Londra mbetet më e kushtueshmja me 2,732 euro në muaj, ndërsa Athina është më ekonomike, me 595 euro.

Studimi nënvizon se mungesa e ofertës së strehimit, niveli i ulët i të ardhurave dhe procesi i urbanizimit po ndikojnë në rritjen e çmimeve të qirasë në Evropë, duke nënvizuar nevojën për politika të qëndrueshme për përballueshmërinë e banimit. Në të njëjtën kohë, pagat mesatare në qytete si Dubai dhe Sidney janë më të larta se në shumë qytete evropiane, duke e bërë sfidën e aksesit në strehim edhe më të ndërlikuar.