Pezullohet lundrimi në Rhine për shkak të thatësirës dhe midhjeve invazive

Nga e hëna, transporti detar midis Stein am Rhein (kantoni Schaffhausen) dhe Diessenhofen (kantoni Thurgau) do të ndërpritet përkohësisht. Vendimi u mor nga kompania zvicerane e navigimit Untersee und Rhein (URh), si pasojë e niveleve të ulëta të ujit dhe depozitave të rrezikshme të midhjes pushtuese quagga, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Sipas URh, kombinimi i thatësirës së zgjatur dhe përhapjes së papritur të midhjeve quagga ka bërë të pamundur kalimin në zonën e Urës Hemishofer. Në mungesë të këtyre depozitave, lundrimi mund të kishte vazhduar edhe për një javë tjetër.

Në vend të itinerarit të zakonshëm veror, do të aplikohet një orari i reduktuar për nivele të ulëta uji. Ndërkohë, anijet që operojnë midis Stein am Rhein dhe Kreuzlingen do të vazhdojnë normalisht.

Midhja quagga, ndonëse vetëm disa centimetra e gjatë, përbën një kërcënim serioz për infrastrukturën ujore dhe ekosistemet. Ajo është përhapur me shpejtësi në Zvicër që nga viti 2014, duke prekur Liqenin e Konstancës, Liqenin e Gjenevës dhe atë të Neuchâtel.

URh njofton se do të informojë publikun për çdo ndryshim të mëtejshëm në operime, në varësi të kushteve natyrore, transmeton albinfo.ch.

Një muaj pas katastrofës në Blatten, dëmet kapin shifrën 320 milionë franga

Një muaj pas rrëshqitjes shkatërruese nga Akullnaja Birch më 28 maj, fshati Blatten në Valais të Epërm po përgatitet për rindërtim. Fatkeqësia natyrore, që ndodhi brenda më pak se një minute, mbuloi fshatin me miliona metra kub akull, dhe, dhe rrënoja. Vetëm një person humbi jetën,  një banor 64-vjeçar që ndodhej jashtë zonës së evakuuar, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Pamjet dramatike të katastrofës u transmetuan në gjithë botën, ndërsa plani i evakuimit i zbatuar dhjetë ditë më parë shpëtoi jetën e rreth 300 banorëve.

Presidenti i komunës, Matthias Bellwald, konfirmoi se Blatten do të rindërtohet. Deri në pranverën e vitit 2026 do të zbrazet liqeni i formuar nga rrënojat, do të fillojë pastrimi dhe do të rikthehet qasja në fshatrat përreth, si Weissenried dhe Eisten. Nga viti 2028 pritet zgjerimi i këtyre fshatrave për të strehuar të prekurit, ndërsa në vitin 2030 planifikohet rindërtimi i zemrës së vjetër të Blattenit.

Ndërkohë, ushtria zvicerane ka nisur operacionet e pastrimit. Anijet ushtarake po pastrojnë liqenin nga mbeturinat, përfshirë çati të shtëpive që notojnë në sipërfaqe, transmeton albinfo.ch.

Solidariteti nga e gjithë Zvicra ka qenë i madh. Janë mbledhur mbi 57.4 milionë franga në donacione. Më të mëdhatë: Solidarité Suisse (19.7 milionë), Raiffeisen (4.4 milionë), Caritas dhe Kryqi i Kuq (3.8 milionë). Shteti i Valais do të japë 10 milionë franga dhe Konfederata 5 milionë.

Dëmet materiale deri tani vlerësohen në 320 milionë franga, ndërsa një grup strategjik nga Këshilli i Shtetit të Valais do të prezantojë deri në vjeshtë një plan të detajuar për rindërtim dhe rregullime ligjore, transmeton albinfo.ch.

Vazhdon kriza, takimi i liderëve për konstituimin e Kuvendit përfundon pa marrëveshje

Takimi i liderëve të partive politike nw Kosovw, i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të dalë nga bllokada institucionale në Kuvend, ka përfunduar pa arritur një marrëveshje konkrete. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që qartësoi aspektet procedurale të konstituimit, partitë nuk po arrijnë të gjejnë konsensus, raporton albinfo.ch.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha pas takimit se situata mbetet e bllokuar, ndonëse ai ka ofruar dy propozime kompromisi për zhbllokimin e procesit. Ai tha se mungesa e konsensusit është pengesa kryesore dhe se përkundër përpjekjeve, opozita nuk ka reflektuar.

“Propozimi i parë ka qenë që nëse kandidatja për kryetare nuk merr 61 vota në votimin e fshehtë, të tërhiqet nga kandidatura. Dhe i dyti,  një marrëveshje politike për votimin në paketë të kryetarit dhe nënkryetarëve, duke i deleguar përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë, të cilin më pas mund ta rrëzojnë me marrëveshje,” sqaroi Kurti.

Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk zgjidh mosmarrëveshje politike dhe se detyra për të gjetur zgjidhje i mbetet spektrit politik. “Deputetët kanë nevojë për shtëpinë e tyre, Kuvendin. Për ta bërë këtë, duhet të zgjedhim kryetaren dhe pesë nënkryetarët”, tha ai, raporton albinfo.ch.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, takimin e quajti “aktrim politik” nga ana e Kurtit dhe tha se nuk pati asnjë përpjekje të vërtetë për kompromis. Ai paralajmëroi se votimi për komisionin për votim të fshehtë do të përbënte shkelje të Kushtetutës.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili takimin e cilësoi si “farsë publike”. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar të lëvizë nga pozicionet jokushtetuese, duke insistuar në votim të fshehtë që, sipas tij, bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi partinë në pushtet për refuzim të ofertave opozitare dhe për shtrembërim të aktgjykimit. Ajo tha se propozimi për votim në paketë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe parimet ligjore.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, theksoi se takimi më shumë u përqendrua në interpretimet e aktgjykimit sesa në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete. Ai kërkoi që VV si partia më e madhe të marrë përgjegjësinë dhe të punojë për krijimin e një shumice, raporton albinfo.ch.

Bashkëkryetari i Listës GUXO, Faton Peci, deklaroi se pati diskutime konstruktive dhe se ai mbetet optimist për një marrëveshje në javët në vijim. Edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa tha se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pabazuar.

Me një seancë të re të ftuar për të dielën dhe pa një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, vendi përballet me një krizë të thellë institucionale. Liderët opozitarë kanë sinjalizuar se mund të kërkojnë ndërhyrjen e presidentes Vjosa Osmani, ndërsa Kurti thotë se do të marrë pjesë në seancën sipas ftesës së kryesuesit, raporton albinfo.ch.

Neuchâtel ndalon telefonat celularë në shkolla

Kantonit të Neuchâtel do t’i bashkohet kantoneve të tjera frëngjishtfolëse që ndalojnë përdorimin e telefonave celularë në shkolla, ka raportuar të shtunën gazeta Arcinfo. Masa do të hyjë në fuqi në fillim të gushtit dhe do të prezantohet zyrtarisht gjatë konferencës vjetore për shtyp për nisjen e vitit të ri shkollor, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas direktivës së re, nxënësve në arsimin e detyrueshëm do t’u ndalohet përdorimi i telefonave në klasë, në oborrin e shkollës dhe madje edhe në mensa gjatë pushimeve të drekës. Përjashtimisht, telefonat do të lejohen vetëm për qëllime edukative dhe në varësi të moshës së fëmijëve.

Kjo masë është në përputhje me rekomandimet e lëshuara nga Konferenca Ndërkantonale për Arsimin Publik në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe në Ticino. Jérôme Amez-Droz, Sekretar i Përgjithshëm i Departamentit të Arsimit dhe Financave në Neuchâtel, tha për Arcinfo se ndalimi synon të harmonizojë rregullat mes shkollave, të cilat deri tani kanë ndjekur praktika të ndryshme.

Kantonet e Gjenevës dhe Valais njoftuan masa të ngjashme këtë javë, ndërsa Vaud dhe Jura i kanë ndaluar telefonat celularë në shkolla që prej disa vitesh. Vendimi i Neuchâtel pritet të ndikojë pozitivisht në përqendrimin, komunikimin dhe mirëqenien e nxënësve gjatë kohës së shkollës, transmeton albinfo.ch.

Mbyllet për dy muaj linja hekurudhore Fribourg–Bernë

Linja hekurudhore ndërmjet Fribourg-ut dhe Bernës është mbyllur që nga mbrëmja e së premtes dhe do të qëndrojë jashtë funksionit për dy muaj. Kompania SBB ka nisur punime të mëdha për mirëmbajtjen e kësaj rruge hekurudhore që shërben çdo ditë për rreth 33,000 pasagjerë, transmeton albinfo.ch.

Sipas zëdhënësit të SBB, Frédéric Revaz, punimet janë përqendruar gjatë verës për të minimizuar ndikimin te udhëtarët. “Nëse do t’i kryenim natën ose gjatë fundjavave, puna do të zgjaste tre vjet, me më shumë ndërprerje për klientët. Ndërsa përqendrimi i punimeve në tetë javë gjatë pushimeve verore do të ndikojë më pak te pasagjerët,” tha ai për RTS.

Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët do të duhet të përdorin autobusë zëvendësues ose linjën alternative Pied du Jura. Autobusët do të qarkullojnë çdo 10 minuta gjatë ditës, e më pas çdo 15 minuta nga ora 20:00. Koha e udhëtimit do të zgjatet mesatarisht me 30 minuta, ndërsa për udhëtimin Fribourg–Bernë, koha pritet të dyfishohet.

Vendimi ka nxitur reagime nga disa zyrtarë lokalë të Partisë Socialiste dhe Partisë Liberale-Radikale (PLR), të cilët kanë kritikuar ndikimin e madh te përdoruesit, veçanërisht duke pasur parasysh se Fribourgu është kantoni me numrin më të lartë të udhëtarëve në Zvicër.

Përjashtimisht, gjatë ndërprerjes, transporti i biçikletave do të lejohet në autobusët rajonalë, por jo në ata zëvendësues. SBB u bën thirrje çiklistëve që të udhëtojnë jashtë orarit të pikut për të shmangur mbingarkesat.

Shoqata për Transport dhe Mjedis (ATE) e ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se çiklistët janë “humbësit e mëdhenj” të kësaj mbylljeje. Megjithatë, SBB këmbëngul se masa është e përkohshme dhe e domosdoshme për përmirësimin afatgjatë të linjës, transmeton albinfo.ch.

Kufizimi 30 km/h: Qeveria kërkon ta ndalë me urdhëresë, qytetet kundërshtojnë

Këshilltari Federal për Transportin, Albert Rösti, dëshiron të kufizojë zgjerimin e kufizimit të shpejtësisë në 30 km/orë në lokalitete përmes një urdhërese federale. Sipas mediave gjermane, kjo nismë do ta bënte të pamundur organizimin e një referendumi kundër vendimit, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Shumë qytete, si Fribourg, tashmë kanë vendosur kufizimin prej 30 km/orë në pjesën më të madhe të rrugëve të tyre dhe raportojnë rezultate pozitive,  më pak zhurmë dhe aksidente. Autoritetet lokale janë të shqetësuara se urdhëresa do të kufizojë të drejtën e tyre për të marrë vendime sipas nevojave të komuniteteve.

“Është një gabim i madh politik,” deklaroi Pierre-Olivier Nobs, këshilltar në Fribourg. “80% e popullsisë jeton në qytete apo qyteza dhe ka nevojë për më shumë siguri e qetësi në rrugë.”

Nga ana tjetër, mbështetësit e vendimit, përfshirë përfaqësues të lobit të automobilave, thonë se masa është në përputhje me një vendim të mëparshëm të parlamentit dhe nuk ndalon kufizimin e shpejtësisë në rrugët e lagjeve apo pranë shkollave.

Këshilli Federal pritet të paraqesë projektin për diskutim në fillim të vitit shkollor, ndërsa debati tashmë ka nisur në të gjitha nivelet e pushtetit, transmeton albinfo.ch.

Euro 2025 në Zvicër: Në këto stadiume do të zhvillohen ndeshjet

Kampionati Evropian i Futbollit do të zhvillohet në Zvicër nga data 2 deri më 27 korrik 2025, duke sjellë emocion, atmosferë festive dhe mijëra tifozë në tetë qytete zvicerane. Përveç ndeshjeve emocionuese, vizitorët mund të shijojnë edhe bukuritë natyrore, atraksionet kulturore dhe relaksin veror që ofrojnë këto qytete, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Më poshtë ju sjellim një përmbledhje të stadiumeve dhe një këshillë udhëtimi për secilin destinacion:

Bazel: Parku St. Jakob

Hapja: 2001

Kapaciteti: 34,250

Ndeshje të Euro 2025: 5

Ekskursion i rekomanduar: Për t’u freskuar, vendasit nuk shkojnë vetëm në lumin Rajn, por edhe në shatërvanë! Favoriti i redaktores Nadine Isay është shatërvani në Münsterplatz – një “xhakuzi” në mes të qytetit. Pas një ecjeje deri në Münster, zhyteni veten në freski dhe lumturi verore.

Bernë: Stadiumi Wankdorf

Hapja: 2005

Kapaciteti: 29,800

Ndeshje të Euro 2025: 4

Ekskursion i rekomanduar: Shtegu i Aventurës Maggli është për ata që duan të kombinojnë sportin, historinë dhe natyrën. Me stacione interaktive dhe frymëzim nga legjendat zvicerane të sportit, është një mënyrë dinamike për të kaluar ditën në pritje të ndeshjeve.

Gjenevë: Stade de Genève

Hapja: 2003

Kapaciteti: 26,750

Ndeshje të Euro 2025: 5

Ekskursion i rekomanduar: Shëtisni në Promenade de la Treille, mbi Qytetin e Vjetër, dhe shijoni pamjet e Parc des Bastions dhe maleve Jura. Stoli më i gjatë prej druri në botë është aty për t’ju ofruar relaks dhe diell para një ndeshjeje, transmeton albinfo.ch.

Cyrih: Stadiumi Letzigrund

Hapja: 2007

Kapaciteti: 22,700

Ndeshje të Euro 2025: 5

Ekskursion i rekomanduar: Para ndeshjes, notoni në Limmat në pishinat Unterer dhe Oberer Letten. Pas lojës, një koktej në Barin Rimini – i vendosur mbi një tarracë druri mbi kanalin Schanzengraben – është mënyra më e mirë për të përmbyllur mbrëmjen.

Lucern: Stadiumi Allmend

Hapja: 2011

Kapaciteti: 14,350

Ndeshje të Euro 2025: 3

Ekskursion i rekomanduar: Vizitoni Murin historik Musegg, një mbetje mahnitëse e fortifikimeve mesjetare. Katër nga kullat janë të hapura për vizitorë gjatë verës – një thesar kulturor në qendër të qytetit.

St. Gallen – Arena St. Gallen

Hapja: 2008

Kapaciteti: 16,300

Ndeshje të Euro 2025: 3

Ekskursion i rekomanduar: Përpara ndeshjeve, pushoni në pishinën natyrore Drei Weieren me pamje fantastike. Më pas, një pije në Süd Bar ose O’Five Pub. Në rast shiu – Biblioteka e Abbey apo Parku Säntis ofrojnë kulturë dhe aventura, transmeton albinfo.ch.

Sion: Stadiumi Tourbillon

Hapja: 1966

Kapaciteti: 7,750

Ndeshje të Euro 2025: 3

Ekskursion i rekomanduar: Ecni në shtegun 6 km të verës nga Sierre në Salgesch, mes vreshtave dhe fshatrave piktoreske. Do të mësoni për historinë e verës Valais nëpërmjet 80 paneleve informuese – një përzierje ideale e natyrës dhe kulturës.

Thun: Arena Thun

Hapja: 2011

Kapaciteti: 8,100

Ndeshje të Euro 2025: 3

Ekskursion i rekomanduar: Shijoni atmosferën në Mühleplatz me kafe të këndshme buzë lumit Aare. Më pas, një udhëtim me varkë në liqenin Thun ofron pamje të mrekullueshme të maleve. Për ata që preferojnë freskinë – Lido është vendi ideal për not.

Euro 2025 në Zvicër nuk është vetëm një festival futbolli – është një mundësi për të eksploruar, për të përjetuar kulturën vendase dhe për të ndjerë ritmin e verës në zemër të Alpeve. Përgatituni për një muaj të paharrueshëm, transmeton albinfo.ch.

Rrëzohet një helikopter në Oberaletsch, një i vdekur

Një aksident ajror ka ndodhur të shtunën pasdite në rajonin e akullnajës Oberaletsch në kantonin Valais të Zvicrës, ku një helikopter është rrëzuar rreth orës 12:15, duke shkaktuar vdekjen e një personi, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Kantonale e Valais, e cila po udhëheq hetimet në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve të para, një helikopter është përfshirë në incidentin fatal, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe hetimet janë ende në zhvillim.

Një dëshmitar okular, i cili ndodhej në zonë në momentin e aksidentit, ka deklaruar për mediat lokale se “Helikopteri ishte mjaft ulët, ndoshta duke u afruar. Pastaj u anua anash,” ka thënë ai, duke përshkruar momentet para përplasjes.

Sipas gazetës lokale Walliser Bote, një person ka ndërruar jetë si pasojë e rrëzimit. Identiteti i viktimës dhe shkaqet e mundshme të aksidentit ende nuk janë bërë të ditura nga autoritetet, transmeton albinfo.ch.

Manifestimet e “Vidovdan-it”: Policia shoqëron 17 persona për provokim

Manifestimet e “Vidovdan-it” nga serbwt janë zhvilluar pa ndonjë incident madhor, nën mbikëqyrjen dhe masat e koordinuara të Policisë së Kosovës, e cila ka qenë e angazhuar në të gjitha nivelet operacionale për menaxhimin e sigurisë dhe rendit publik, raporton albinfo.ch.

Nga raportimet e njësive në terren, ngjarja ka kaluar pa ndonjë incident serioz që do të rrezikonte sigurinë publike. Megjithatë, policia ka shoqëruar në stacion 17 persona, të cilët dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit me veprime që nxisin urrejtje dhe me veshje me përmbajtje provokuese e kundërligjore.

Në koordinim me organet e drejtësisë, një person është ndaluar me dyshimin për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ndërsa një tjetër është sanksionuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër prej të shoqëruarve janë liruar, ndërsa 11 persona të tjerë po vazhdojnë të intervistohen, raporton albinfo.ch.

Gjermania U21 prek finalen, dy shqiptarë shënojnë gola

Bëhet e ditur se futbollisti me preardhje shqiptare, Brajan Gruda ka lënë gjurmë në Kampioantin Evropian U21, i cili po zhvillohet në Sllovaki. 21-vjeçari i cili luan për kombëtaren e Gjermanisë, arriti të shënoj gol në ndeshjen gjysëmfinale ndaj Francës, e cila përfundoi me fitoren 3-0 të ”pancerave”, fitore kjo që i dërgon në finalen e madhe.

Bruda u aktivizua në 19 minutat e fundit, derisa shënoi golin e tretë për Gjermaninë, në 90+3. Një tjetët futbollist i cilli ka gjak shqiptari, Nelson Veiper i cili e ka nënën shqiptare, arriti të shënoj gol ndaj Francës. Ai shënoi golin e parë për kombëtaren e Gjermanisë, në minutën e 8-të. Veiper ditë më parë e ka konfirmuar se është kontaktuar nga FSHF-ja, që të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë.

20-vjeçari është aktualisht lojtar i skuadrës gjermane Mainz, ku sezonin e fundit shënoi tre gola në Bundesligë.

Nga gushti i vitit të ardhshëm, Italia heq kartën e identitetit fizikë, preken edhe shqiptarët

Raportohet se nga 3 gushti 2026, kartat e identitetit fizike (në letër) të lëshuara në Itali nuk do të jenë më të vlefshme për udhëtim jashtë vendit, pavarësisht datës së skadencës që kanë të shënuar, përcjell albinfo.ch.

Ky ndryshim vjen si pasojë e Rregullores Evropiane 1157/2019, e cila vendos standarde të reja sigurie për dokumentet e identitetit brenda Bashkimit Evropian.

Arsyeja kryesore është mungesa e zonës së lexueshme nga makineritë (MRZ) , një element i domosdoshëm për identifikimin elektronik dhe sigurinë kufitare, e cila ndodhet vetëm në kartat elektronike të identitetit (CIE). Për këtë arsye, dokumentet në letër do të dalin jashtë përdorimit pesë vjet përpara afatit përfundimtar të vendosur për vitin 2031.

 Pse ky ndryshim është i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Itali?

Ky ndryshim prek drejtpërdrejt edhe qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali, shumë prej të cilëve ende përdorin kartën e vjetër në letër. Sipas të dhënave të fundit nga ISTAT dhe Eurostat, në Itali jetojnë rreth 441 mijë shtetas shqiptarë me leje qëndrimi, pa llogaritur ata me shtetësi italiane apo brezin e dytë. Një përqindje e konsiderueshme e tyre, veçanërisht në komunat e vogla, mund të jenë ende përdorues të dokumentit të vjetër, pasi shumë nga këto bashki kanë nisur të lëshojnë CIE-në me vonesë pas vitit 2016.

Sa dokumente në letër janë ende në qarkullim?

Edhe pse nuk ekziston një regjistër i centralizuar për të dhënat e sakta, sipas një vlerësimi të portalit Dday.it, deri më 3 gusht 2026 pritet të jenë ende në qarkullim rreth 5 milionë karta në letër, që përbëjnë afërsisht 8% të popullsisë italiane. Shumica janë banorë të komunave të vogla apo persona që nuk kanë pasur urgjencë për të rinovuar dokumentin.

Si mund të zëvendësohet karta e identitetit në letër me CIE?

Këtu janë hapat që duhet ndjekur për të marrë kartën e re elektronike (CIE):

Fotografi personale e re, në përputhje me standardet ndërkombëtare (ICAO)

Karta e vjetër e identitetit

Në rast humbjeje ose vjedhjeje, kërkohet denoncim pranë forcave të rendit dhe një dokument tjetër identifikimi

Kodi fiskal (codice fiscale)

Për fëmijët nën moshën madhore, kërkohet prania e të dy prindërve me dokument identiteti, nëse kërkohet karta e vlefshme për udhëtim

Caktimi i një takimi me zyrën e gjendjes civile të komunës së banimit

Karta e re dërgohet brenda 6 ditëve punë në shtëpi ose tërhiqet në bashki me takim

Kostoja: 22 euro, preferohet pagesa me kartë bankare.

Thirrje për veprim të shpejtë

Disa komuna italiane kanë filluar të publikojnë njoftime zyrtare në uebfaqet dhe rrjetet sociale, duke ftuar qytetarët që të bëjnë aplikimin për CIE sa më herët, për të shmangur fluksin në zyrat e gjendjes civile gjatë muajit gusht 2026, periudhë që përkon me pushimet verore.

Këshillë për komunitetin shqiptar: Mos e lini për në momentin e fundit. Kalimi nga karta në letër në atë elektronike është jo vetëm një detyrim ligjor për të udhëtuar, por edhe një hap drejt pajisjes me një dokument modern dhe të sigurt, të njohur në të gjithë Bashkimin Evropian.

“The Telegraph” rendit bregdetin shqiptar në 10-shen më të mirë në Evropë

Gazeta e përditshme britanike “Telegraph” e ka renditur bregdetin shqiptar në listën e 10 vendeve më të mira në Europë për pushime në plazh, përcjell albinfo.ch.

Për këtë shkrim të “Telegraph”, ka shkruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili tregon se si gazetar prestigjioze rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për të kaluar pushimet.

Postimi i Ramës:

Prestigjiozja “The Telegraph” në një artikull të saj rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për të kaluar pushimet.

Nga plazhet mahnitëse të Dhërmiut e Ksamilit, te kishat bizantine, Liqeni i Shkodrës dhe vargmalet në veri, vendi është plot me destinacione që kombinojnë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore.

4 milionë euro për policen e sigurimeve për mërgimtarët, vlerësohet vendim i padrejt

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka ndarë katër milionë euro për policen e sigurimeve në kufij për mërgimtarët, transmeton albinfo.ch.

E lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Odës së Mjekëvë të Kosovës Pleurat Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se 4 milion euro për pagesat e kartonave të gjëlbërt për sigurimet e veturave të mërgimtarëve të punësuar,  është e barabartë me pagesen e rrogës vjetore për 384 mjekë të papunë.

“Mbase kam një kredit moral të bëjë këtë postin, kjo duke patur parasyshë se dola jasht Kosovës që në moshën 18 vjeqare dhe u ktheva si 36 vjeqar! Pra, e njoh mallin e mërgimtarit për nënën , babën , vllaun dhe motrën! Njoh mallin për gurët e drunjët e këtij vendi! Prandaj, mendoj se mërgimtari ynë nuk ka nevojë për 6 kg qershia sa do hargjonte për karton të gjelbërt! Por Kosova dhe çdo cep i Sajë ka nevojë për një mjek më shumë ! Mjerim dhe poshtërim njëkohësisht” ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Nga ana tjetër edhe Enis Veliu është shprehur se vendimi i Qeverisë është një absurditet i papranueshëm.

“Pse duhet t’i paguaj unë sigurimet, e shteti t’i paguajë për të tjerët? Unë, si qytetar i rregullt i Kosovës, e paguaj vetë sigurimin e veturës sime, pra asnjë cent nuk e mbulon shteti. Dhe kjo sipas meje është shumë e drejtë. Por, të shohësh që Qeveria del me vendim që t’u paguajë nga buxheti i shtetit, pra nga paratë tona policat e sigurimit për veturat e bashkatdhetarëve, është një absurditet i papranueshëm. Ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe i palogjikshëm dhe i padrejtë.  Është edhe i paligjshëm, nëse shihet nga perspektiva e barazisë para ligjit dhe trajtimit të njëjtë të qytetarëve. Shteti nuk mund të luajë me standarde të dyfishta.  Ose ndihmon të gjithë, ose nuk ndërhyn fare në treg. Bashkatdhetarët tanë janë gjithmonë të mirëpritur në vendlindje, por trajtimi i privilegjuar në kurriz të qytetarëve rezidentë është i papranueshëm” është shprehur ai. /Albinfo.ch

Gjermania në prag të rritjes pagës minimale në 14.60 euro për orë

Shteti gjerman pritet të rrisë gradualisht pagën minimale në 14.60 euro deri në vitin 2027, nga niveli aktual prej 12.82 eurosh, sipas një propozimi të një komisioni qeveritar të publikuar të shtunën, përcjell albinfo.ch.

Referuar planit, paga minimale do të rritet fillimisht në 13.90 euro në fillim të vitit 2026.

Që nga viti i kaluar, Gjermania ka pasur pagën minimale të dytë më të lartë në Bashkimin Evropian, pas Luksemburgut, ku paga minimale mujore është 2,638 euro.

Sipas agjencisë Reuters, tre vende të tjera të BE-së kanë paga minimale mbi 2,000 euro në muaj,  Belgjika, Holanda dhe Irlanda.

Propozimi është hartuar nga një komision i përbërë nga përfaqësues të punëdhënësve dhe sindikatave, dhe tani duhet të zbatohet nga Ministria gjermane e Punës.

Nga 1 korriku, Aeroporti i Prishtinës nis fluturime të rregullta drejt Lionit

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po zgjerohet me një destinacion të ri drejt Francës, përcjell albinfo.ch.

Më 3 korrik do të realizohet fluturimi i parë drejt qytetit të Lionit, duke shënuar kështu fillimin e një lidhjeje të re ajrore për udhëtarët nga Kosova.

“Me datën 3 korrik kemi fluturimin e parë për qytetin Lion të Francës, do të operojë edhe për operimet në Paris, destinacion i ri siç është Franca,” ka deklaruar për zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Aeroporti i Prishtinës po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve.

“Ne kemi shënuar rritje të numrit të udhëtarëve prej 15%. Sa i përket fluksit, nuk kemi ndonjë dallim në sezon sikurse vitet paraprake,” shtoi Gara.

Ajo tha se nga liberalizimi i vizave e deri më tani është vërejtur një trend i qartë rritjeje në udhëtime, pa dallim të theksuar midis muajve.

“Prej liberalizimit kemi pas një trend të rritjes së numrit të udhëtarëve pa dallim prej muajve,” theksoi ajo.

Muajt korrik dhe gusht mbeten më të ngarkuarit për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, me fluks më të theksuar nga vendet evropiane.

“Kemi muajin korrik dhe gusht numrin më të madh të udhëtarëve nga bashkatdhetarët, fluksi është më në dukje,” tha Gara, duke shtuar se shumica e udhëtarëve vijnë nga Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria e vende të tjera.

“Pjesën më të madhe e kemi nga Zvicra, Gjermania, Turqi, Austri e kështu me radhë,” u shpreh ajo.

Zvicra vazhdon të jetë tregu më i frekuentuar për udhëtimet nga dhe drejt Kosovës.

“Destinacionet më të frekuentuara në tregun zviceran,” përfundoi Gara.

Bënin thirrje nacionaliste, Policia e Kosovës shoqëron disa huliganë serbë

Ka përfunduar festa e Vidovdanit e cila u mbajtë në në periferi të Prishtinës, ku tradicionalisht zhvillohen tubime dhe aktivitete përkujtimore, përcjell albinfo.ch.

Sipas komunikatës, gjithsej 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Pas përfundimit të kremtimit ka pasur thirrje nacionaliste, Kosova është Serbi.

Pas këtyre thirrjeve, Policia ka shoqëruar shtetas serb për shkak të thirrjeve nacionaliste.

Përveç Policisë së Kosovës, në terren janë edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, si dhe përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët kanë monituruar këtë ngjarje.

Çmimet e apartamenteve a janë më të larta në Prishtinë apo Tiranë?

Çmimi i apartamente, a do të ulet apo do të ngrihet? Gjatë diskutimeve mes ekspertëve në studio të “Opinion” lindi edhe një pyetje tjetër.

Prishtina apo Tirana, kush është më e shtrenjtë sa i përket çmimeve të apartamenteve?

“Nëse marrim metrin katror maksimal në Prishtinë të një apartamenti shkon diku te 2800 euro për metër katror”, tha Valon Batusha, nga Pro Real Estate, Prishtinë.

Sipas tij, rritja e çmimeve ka ndodhur kudo, edhe në Prishtinë.

Dallimi sipas Batushës është fakti që “Tirana është zhvilluar dukshëm më mirë edhe nga pjesa e kualitetit edhe nga zhvillimi shumë më kualitativ”.

“Nëse ju quani çmim maksimal 2800 euro i bie që çmimi maksimal në Shqipëri është të paktën dyfishi se në Prishtinë”, u shpreh gazetari Blendi Fevziu.

Batusha u shpreh se në qendër të Prishtinës çmimet variojnë nga 1 mijë e 800 euro deri në 1 mijë e 900 euro metri katror.

Nga ana tjetër, ⁠Erion Harizi, nga Shoqata e Ndërtuesve në Shqipëri, tha se në Tiranë shkon trefishi i çmimit të Kosovës.

“Ne e kemi trefishin e Kosovës për metër katror”, u shpreh ai.

Batusha tha edhe se në Kosovë flitet se në Shqipëri ka prona edhe me 10 mijë euro metri katror. Por kjo u hodh poshtë nga Dritan Shakohoxha.

BE do t’i japë Kievit 30.6 miliardë euro mbështetje në vitin 2025

Një deklaratë e lëshuar këtë javë nga Komisioni Evropian (KE), pas takimeve të BE-së me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përshkroi qëllimet e tij për të mbështetur Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës ruse dhe për të ofruar ndihmë financiare “të rregullt dhe të parashikueshme”, përcjell albinfo.ch.

Deklarata vlerësoi se angazhimi fiskal evropian do të ishte 30.6 miliardë euro (35.3 miliardë dollarë) në vitin 2025.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar, përfshirë si pjesë të rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, për të mbështetur riparimin, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e saj, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, tha KE-ja.

Si pjesë e këtij angazhimi, “BE-ja do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje financiare të rregullt dhe të parashikueshme në planin afatgjatë”, thuhet në deklaratë.

“Në vitin 2025, Bashkimi Evropian do t’i ndajë Ukrainës 30.6 miliardë euro, nga të cilat 3.5 miliardë euro (4.1 miliardë dollarë) janë shpërndarë tashmë në kuadër të Instrumentit për Ukrainën, dhe 7 miliardë euro (8.2 miliardë dollarë) në kuadër të iniciativës së G7-ës për Rezistencë dhe Ndihmë të Përmirësuar (ERA), të financuara nga të ardhura të jashtëzakonshme të gjeneruara nga asetet e ngrira ruse.”

Detaje të reja rreth vrasjes së 25-vjeçarit shqiptar në Itali

Detaje të reja dalin lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit në Itali. Viktima Rivaldo Rusi 25-vjeç u vra me armë zjarri në zonën Cilentos në Itali nga pronari i një banese gjatë tentativës për grabitje, disa ditë më parë, përcjell albinfo.ch.

Krimin e rrëfeu vetë biznesmeni italian, Aurelio Valiante, i cili pranoi edhe autorësinë. 58-vjeçari plagosi gjithashtu një person tjetër, i cili ndodhet në spital në Napoli në gjendje të rendë.

58-vjeçari rrëfeu para drejtësisë italiane se ai qëlloi disa herë me armë zjarri, kundrejt hajdutëve. Nga të shtënat mbeti i vrarë vetëm njëri prej tyre, Rivaldo Rusi. Më pas biznesmeni tha se fshehu trupin e pajetë të riut shqiptar vetëm.

Ai zbuloi se e transportoi trupin e shqiptarit në një fuçi vere , të cilën më pas e ngarkoi në makinë, për ta çuar në një zonë disa kilometra larg banesës për ta varrosur.

Mediat italiane raportojnë se biznesmeni nga Foria di Centola po hetohet për vrasje dhe fshehje të trupit të viktimës.

Për momentin, nuk është urdhëruar asnjë masë paraprake kundër tij. Sakaq biznesmeni së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, janë transferuar në një vend të mbrojtur për arsye sigurie.

Në orët në vijim, me vendim të autoriteteve, ai mund të shoqërohet jashtë rajonit. Sipërmarrësi, u mor në pyetje për më shumë se njëmbëdhjetë orë nga prokurori publik i Vallos, Francesco Rotondo .

I shoqëruar nga avokati i tij, Antonello Natale, ai zgjodhi të bashkëpunonte me hetuesit dhe të tregonte se çfarë ndodhi natën midis të dielës dhe të hënës, kur një tentativë vjedhjeje në vilën e tij u shndërrua në një masakër.

 

Nju-Jork edhe këtë vit shpallet qyteti më i mirë në botë

Për të dytin vit radhazi, New York City është shpallur qyteti numër 1 në botë në Indeksin Global të Qyteteve 2025 të përgatitur nga Oxford Economics, duke marrë një vlerësim maksimal prej 100 pikësh, përcjell albinfo.ch.

Fitorja e qytetit u mbështet nga një ekonomi me vlerë mbi 2 trilionë dollarë, të ardhura të larta të familjeve dhe prania e fuqishme e koorporatave, pavarësisht vlerësimeve më të ulëta në fushat e qeverisjes dhe mjedisit.

Pas Nju Jorkut renditen Londra, Parisi, San Jose dhe Seattle, duke plotësuar pesëshen e parë. Tetë metropole amerikane u renditën në 20 qytetet më të mira në botë, një tregues i qartë i tërheqjes së vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë për kapitalin dhe talentin.

KQZ-ja hap mundësinë për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 28 qershor ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet Lokale dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.

Gjatë kësaj periudhe 63 ditore (28 qershor – 29 gusht 2025), qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:

përmes platformës elektronike të KQZ-së:

https://qv.kqz-ks.org

ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.

Festimet për Vidovdanin: Raportohet se Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Graçanicë

Policia e Kosovës ka arrestuar V.P., organizatorin e një udhëtimi pelegrinazhi nga Beogradi, përcjell albinfo.ch.

Grupi që ishte i udhëhequr prej tij, kishte të veshur bluza me mesazhe politike “Serbia e Bashkuar”, dhe me ngjyrat kuq, kaltër dhe bardhë.

Ndalimi i V.P. u bë në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Inspektoratit Policor, raporton Kossev.

Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, nuk deshi të japë sqarime për mediat lidhur me arsyet e ndalimit të V.P.-së. Ai i referoi të gjithë gazetarët tek zyra për media e Policisë së Kosovës.

Sipas raportimeve nga gazetarët e Radio Kim që ndodhen në vendngjarje, në terren janë të pranishme forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarë të KFOR-it të shpërndarë me disa automjete në pika të ndryshme të Graçanicës