Liderët evropianë dënojnë sulmin në Graz

Një valë solidariteti dhe ngushëllimesh ka ardhur nga mbarë Evropa pas sulmit të rëndë që ndodhi në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë, ku raportohet se kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të menjëhershme nga liderët evropianë, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se është i “tmerruar nga lajmi për të shtënat në shkollën në Graz”, duke e quajtur këtë akt “të pakuptimtë” në një vend ku fëmijët duhet të ndihen të sigurt. “Mendimet e mia në këtë moment të vështirë janë me familjet dhe miqtë e viktimave,” shtoi ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz shkroi: “Lajme të tmerrshme nga Grazi. Mendimet tona janë me miqtë dhe fqinjët tanë austriakë.” Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes zëdhënësit të tij, u shpreh: “Mendimet tona janë me secilin të prekur dhe me popullin e Austrisë.”

Ngushëllime të ngjashme erdhën edhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili tha: “Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave”, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e cilësoi ngjarjen si “tragjike dhe jashtëzakonisht të dhimbshme”. “Është tronditëse kur ndodh diçka e tillë  veçanërisht në një vend që synon të simbolizojë sigurinë”, tha ai, duke shtuar se ngushëllimet e tij të sinqerta shkojnë për të gjithë të dashurit e viktimave.

Edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u bashkua me mesazhet e solidaritetit: “Shkollat duhet të jenë fenerë të të mësuarit dhe shpresës, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt. I shpreh ngushëllimet tona të përzemërta popullit të Austrisë.”

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij sulmi vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet austriake kanë shtuar masat e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin, transmeton albinfo.ch.

Los Anxhelos në flakë për të katërtën ditë

Prej katër ditësh, Los Anxhelosi është përfshirë nga përleshje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit, në kuadër të protestave kundër dëbimeve të emigrantëve, përcjell albinfo.ch.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa trazirat janë përhapur edhe në qytete të tjera si San Francisko, Nju Jork, Atlanta, Sietëll dhe Dallas.

Si reagim ndaj konfliktit në rritje me autoritetet lokale në Los Angeles, qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump ka vendosur dërgimin e trupave shtesë. Pasi një komandë rajonale përgjegjëse njoftoi për vendosjen e rreth 700 marinsave nga forcat e armatosura të rregullta në mbrëmje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi vetëm disa orë më vonë: “se me udhëzim të presidentit Ministria e Mbrojtjes mobilizon rreth 2000 pjesëtarë shtesë të Gardës Kombëtarekaliforniane.

Trump justifikon dërgimin e Gardës Kombëtare

Trupat shtesë të Gardës Kombëtare do të dislokohen për të mbështetur Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe për t’u mundësuar oficerëve federalë të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të sigurt, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes. Marinsat do të dislokohen për të mbështetur forcat e Gardës Kombëtare tashmë të mobilizuara dhe për të mbrojtur personelin dhe pronën federale.

Të hënën (09.06.) Trump bëri përgjegjës “agjitatorë profesionistë dhe kryengritës” për përplasjet në kuadër të demonstratave. Trump tha se “janë njerëz të këqinj, ata duhet të jenë në burg.” Më tej shtoi, se demonstruesit pështynë para ushtarëve. Nëse do të vazhdonin kështu, do të “goditeshin më fort se kurrë më parë”. Një mungesë respekti e tillë nuk do të tolerohet, tha Trump. Më vonë presidenti amerikan u tërhoq dhe tha vetëm, se nuk do ta quante “kryengritje, por mund të kishte çuar në një kryengritje.” Lidhur me pyetjen e një gazetari, Trump u përgjigj se “nuk dua luftë qytetare”. Aktualisht po zien edhe pak, po jo më aq shumë, u shpreh presidenti amerikan.

Pse u mobilizuan ushtarët?

Gjatë fundjavës, Presidenti i SHBA-së Trump kishte mobilizuar të paktën 2,000 trupa të Gardës Kombëtare  kundër dëshirave të Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom. Vendosja e Marinës si një ushtri e rregullt brenda vendit përfaqëson një përshkallëzim serioz të protestave kundër veprimeve të autoritetit amerikan të imigracionit ICE në zonën e Los Angeles.

Greta Thunberg deportohet nga Izraeli

Sot. aktivistja Greta Thunberg është dëbuar nga Izraeli të martën, një ditë pasi ushtria izraelite e konfiskoi anijen me të cilën ajo dhe disa aktivistë të tjerë po udhëtonin për në Rripin e Gazës, njoftoi Ministria e Jashtme e Izraelit, përcjell albinfo.ch.

Thunberg u nis me avion drejt Francës, nga ku më pas do të kthehet në vendin e saj, Suedi, tha Ministria e Jashtme e Izraelit në X.

Thunberg ishte në mesin e 12 udhëtarëve në anijen Madleen, e cila po dërgonte ndihma për Gazën, në shenjë proteste kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit dhe me qëllim për ta tërhequr vëmendjen mbi krizën humanitare në territorin palestinez, sipas Koalicionit të Flotës së Lirisë, i cili e organizoi udhëtimin.

Forcat detare izraelite e konfiskuan anijen pa ndonjë incident mëngjesin e së hënës, rreth 200 kilometra larg bregut të Gazës, sipas koalicionit, i cili bashkë me grupe për të drejtat e njeriut, thanë se Izraeli e shkeli ligjin ndërkombëtar me këtë veprim.

Izraeli i mohon akuzat, duke thënë se anijet e tilla synojnë ta thyejnë një bllokadë detare ndaj Gazës, të cilën ai e cilëson si të ligjshme.

Anija, e shoqëruar nga marina izraelite, mbërriti në portin izraelit të Ashdodit të hënën në mbrëmje, sipas Ministrisë së Jashtme izraelite.

Adalah, një organizatë për të drejtat ligjore në Izrael që përfaqëson aktivistët, tha se Thunberg, dy aktivistë të tjerë dhe një gazetar ishin pajtuar të dëboheshin dhe të largoheshin nga Izraeli.

Tetë aktivistët nuk pranuan të dëboheshin, dhe po mbahen në paraburgim, prandaj rastet e tyre do të shqyrtohen nga autoritetet izraelite, sipas Adalah.

Grupi shtoi se aktivistët pritet të dalin para gjykatës më vonë të martën.

Sabine Haddad, zëdhënëse në Ministrinë e Brendshme të Izraelit, tha se aktivistët që po dëboheshin të martën kishin hequr dorë nga e drejta për të dalë para gjykatësit. Ata që nuk pranuan, do të dalin para gjykatës dhe do të mbahen në paraburgim për 96 orë, para se të dëbohen.

10 të vrarë e 30 të plagosur nga sulmi në Austri

Mediat austriake kanë raportuar se 30 persona kanë mbetur të plagosur në të shtënat, mëngjesin e së martës në Graz të Austrisë, përcjell albinfo.at.

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur kur një person ka shtënë me armë zjarri në një shkollë në Graz, ka konfirmuar policia austriake.

Policia ka thënë se në mesin e të vdekurve është edhe dorasi, i cili besohet se pas aktit ka kryer vetëvrasje.

Sipas mediave austriake, i dyshuari për sulmin ishte ish-nxënës i shkollës.

Kryetarja e Bashkisë së Grazit, Elke Kahr, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve austriake (APA) se dhjetë persona janë vrarë nga të shtënat e së martës në gjimnazin Dreierschützengasse.

Sipas APA-së, shtatë nga të vdekurit janë nxënës të shkollës.

Zvicër: Shumë kompani u gjetën duke i paguar pak punonjësit e tyre

Shumë kompani zvicerane u gjetën duke i paguar pak punonjësit e tyre, transmeton albinfo.ch.

“Kudo që kryhen kontrolle, zbulohen shkelje”, tha Federata e Sindikatave Zvicerane (SGB) në një njoftim për shtyp të premten, duke shtuar se pagat janë gjetur të jenë “të pamjaftueshme në shumë kantone”.

Ky vlerësim bazohet në inspektimet e gati 140,000 pagave të kryera në vitin 2024, vuri në dukje SGB.

Edhe në sektorët me marrëveshje kolektive pune (CLA), “31 përqind e kompanive të inspektuara” u gjetën të paguanin paga të pamjaftueshme; dhe në sektorët pa një CLA, disa kantone kanë vendosur kritere që ishin shumë të ulëta për pagat e zakonshme në vendndodhje ose sektor, tha SGB.

Megjithatë, Gjeneva dhe Ticino janë përjashtime të dukshme sepse “këto dy kantone kanë zbatuar me përpikëri” rregulloret e pagave.

Presidentja Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare

Sot janë bërë 147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona, përcjell albinfo.ch.

“Më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

Nxënësi sulmon për vdekje asistenten në Francë

Një tjetër ngjarje e rëndë në shkollë ka tronditur një tjetër vend europian këtë të martë, përcjell albinfo.ch.

Një nxënës ka vrarë me thikë një asistente 31-vjeçare në një shkollë të mesme në Hauts-de-Marne. Sulmi ka ndodhur, kur po bëhej kontroll në çantat e nxënësve, përpara se ata të hynin në ambientet shkollore.

Gruaja u plagos rëndë, u transportua në urgjencë, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Autori i ngjarjes, nxënës gjimnazi u dërgua në paraburgim. Ngjarja ka tronditur autoritetet franceze.

Sipas medias “La Stampa”, në oborrin e shkollës po zhvillohej një kontroll në çantat e nxënësve. Në ato momente, 15-vjeçari u hodh sipër punonjëses së pastrimit të shkollës dhe e sulmoi me thikë, në motive të panjohura. 31-vjeçarja u dërgua në spital, por nuk arriti dot t’i mbijetonte plagëve të marra.

I mituri është shoqëruar në komisariat.

Kujtojmë se të paktën nëntë persona dhe autori kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë. Autori thuhet se u gjet i vetëvrarë në një nga banjot e shkollës.

Presidenti Begaj: 10 qershori 1878 ishte, është dhe mbetet themeli i bashkimit kombëtar

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ndodhet në Prizren ku së bashkë me kryetarin e Prizrenit Shaqir Totaj kanë bërë homazhe pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjell albinfo.ch.

Homazhet u bënë për nder të 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit e cila nisi më 10 qershor 1878 dhe cilësohet si ngjarje historike kombëtare.

Ai tha se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi,  ata ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian.

“10 qershor 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik dhe shpirtëror i bashkimit kombëtar. Është dita kur filloi lëvizja për pavarësia kombëtare. Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një thirrje për bashkim, për mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi,  ata ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian. Të jemi pjesë e Europës së bashkuar është vazhdimi i aspiratës që shqiptarët shprehën në Lidhjen e Prizrenit”, tha ai.

Kurti: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nyja që bashkoi çështjet kyçe të historisë sonë moderne

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për identitetin dhe orientimin politik të shqiptarëve, përcjell albinfo.ch.

“Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarjeje të përvitshme e cila thërret: lidhja është gjallë. Organizata Lidhja Shqiptare me seli në Prizren është pika më kulmore e lëvizjes dhe rilindjes kombëtare shqiptare. Lidhja Shqiptare e cila u themelua në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut, paraqet një lloj nyje ku përbashkohen të gjitha çështjet kyçe dhe temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve. Dhe kjo si në kontekstin e brendshëm shqiptar ashtu edhe në fije dhe në shoqërinë botërore të asaj kohe. Lidhja po themelonte një kahe të re, atë të idesë së bashkimit me ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve. Ajo po përbashkonte rreth një projekti të vetëm kombëtar përtej dallimeve fetare e krahinore e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në të katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Qëllimi ishte një vilajet shqiptar”, tha ai.

Shkon në 10 numri i viktimave në Graz të Austrisë, mes tyre edhe autori i sulmit

Në një deklaratë për media, kryetarja e Grazit të Austrisë ka konfirmuar për agjencinë shtetërore austriake të lajmeve, APA, se numri i viktimave nga sulmi në shkollë, ka shkuar në dhjetë, përfshirë autorin e sulmit, përcjell albinfo.at.

Ndërkohë shërbimet e emergjencës, përfshirë një njësi taktike policore dhe një helikopter, janë dërguar në shkollën BORG Dreierschützengasse pasi dëgjimit të të shtënave me armë rreth orës 10 të mëngjesit. Policia ka bërë të ditur se shkolla është evakuuar dhe njerëzit janë çuar në një pikë takimi në një stadium aty pranë.

Lidhur me ngjarjen tragjike, kancelari austriak Christian Stocker ka thënë se “nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe pikëllimin që të gjithë ne në Austri po ndiejmë tani”, ndërsa foli për një “tragjedi kombëtare”. Ai pritet të shkojë në vendin e sulmit më vonë sot.

Policia ka konfirmuar se vendi është siguruar pa rrezik të mëtejshëm për publikun, duke konfirmuar poashtu se autori i dyshuari ishte i vdekur.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Austri, ndërsa kancelari dhe zyrtarë të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre. Forcat e sigurisë janë duke vazhduar hetimet dhe pritet që gjatë orëve në vijim të ketë më shumë detaje mbi identitetin e viktimave dhe rrethanat e ngjarjes.

Tjetër vend atraktiv turistik në Shqipëri

Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e preferuar të turistëve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga “Funari i Elbasanit, i cili po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion turistik të preferuar”.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore, transmeton albinfo.ch.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.

Cilat vende evropiane japin më shumë nënshtetësi

Italianët kanë votuar gjatë dy ditëve të fundit nëse do të ulin kërkesat e qëndrimit për shtetësi për emigrantët jo-BE nga 10 vjet në pesë, por dezinformata ka qarkulluar rreth votimit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i vendit, Matteo Salvini, dhe të tjerë kanë pohuar se Italia është vendi evropian që jep më shumë aplikime për shtetësi, për shembull.

“(Referendumi) më i rrezikshëm është ai që do t’ua zgjeronte shtetësinë qindra mijëra njerëzve pa dallim, me Italinë që është vendi numër një evropian për sa i përket dhënies së shtetësisë çdo vit”, tha ai në maj.

Megjithatë, nuk është e vërtetë që Italia miraton më shumë kërkesa për shtetësi vit pas viti, dhe ne mund ta verifikojmë këtë duke parë shifrat më të fundit nga Eurostat.

Ato tregojnë se në vitin 2023, Spanja dha më shumë shtetësi, duke arritur në më shumë se 240,000. Kjo përbën 22.9% të numrit të përgjithshëm të shtetësive të dhëna në BE. Italia u rendit në vendin e dytë me 214,000, pastaj Gjermania me 200,000, Franca me 97,000 dhe Suedia me 68,000. Mbretëria e Bashkuar dha 202,000 shtetësi në vitin 2023, sipas shifrave të qeverisë britanike, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Lista e renditjes ndryshon kur numri i shtetësive të dhëna analizohet në lidhje me popullsinë e një vendi. Në këtë rast, Luksemburgu u rendit i pari në BE në vitin 2023, me 8.8 shtetësi për një mijë banorë, i ndjekur nga Suedia (6.4), Spanja (5), Belgjika (4.7) dhe Italia (3.6), të cilat u futën në pesë vendet e para. Sllovakia, Bullgaria dhe Lituania japin shtetësitë më të pakta për 1,000 banorë, sipas Eurostat, të gjitha nën 0.5.

Eurostat gjithashtu llogarit shkallën e natyralizimit për secilin vend. Ai krahason numrin e shtetësive të dhëna popullsisë rezidente jo-kombëtare. Sipas kësaj metrike, shkalla më e lartë e natyralizimit ishte në Suedi (7.9), pastaj në Rumani (5.9) dhe Itali (4.1).

“Në vitin 2023, në BE në tërësi, 2.6 banorë të zakonshëm për 100 qytetarë jo-kombëtarë rezidentë morën shtetësi”, tha Eurostat.

Është e vërtetë, pra, që Italia renditet vazhdimisht ndër më të lartat për nga numri i përgjithshëm i shtetësive të dhëna dhe ka dhënë më shumë në disa vite, si në vitin 2022 dhe 2020. Në të parën, Italia përsëri natyralizoi rreth 214,000 persona, dhe në të dytën, u dha shtetësi rreth 132,000 personave.

Megjithatë, siç qëndrojnë gjërat dhe ndërsa dalin rezultatet e referendumit, Italia ka disa nga kërkesat më të rrepta për shtetësi në Evropë, me emigrantët që duhet të jetojnë atje për 10 vjet para se të bëhen zyrtarisht italianë.

Të tjerë, si Zvicra, Lituania dhe Sllovenia, kanë kushte të ngjashme, ndërsa një numër i konsiderueshëm vendesh evropiane kërkojnë që emigrantët të jetojnë atje vetëm për pesë vjet. Për shembull, Finlanda, Franca, Irlanda dhe Portugalia. Ndërsa Italia ka qenë duke shqyrtuar uljen e kërkesave të saj për natyralizim, disa vende po shqyrtojnë ose tashmë kanë ndjekur rrugën tjetër.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se synon të sjellë rregulla të reja që rrisin kohën që një emigrant duhet të jetojë në vend para se të aplikojë për shtetësi nga pesë në 10 vjet, përveç nëse mund të tregojë “një kontribut të vërtetë dhe të qëndrueshëm në ekonomi dhe shoqëri”. Ndërkohë, Belgjika kohët e fundit rriti koston e aplikimit për shtetësi nga 150 € në 1,000 €.

Shqipëria synon organizimin e Globe Soccer Awards

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregon diskutimet për organizimin e Globe Soccer Awards – Europe Edition në Tiranë.

“Jemi në një diskutim për të sjellë në Shqipëri edicionin evropian Globe, është një eveniment i jashtëzakonshëm, i cili mbahet në mënyrë të përvitshme.

Për edicionin evropian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne. Kemi shumë arsye të besojmë që zgjedhja do të jetë mbi ne. Do të ishte shumë mirë që çmimin futbollistit më të mirë të vitit, t’ia japim këtu në Tiranë”, është shprehur Rama.

Kujtojmë se Shqipëria ka qenë organizatore e një sërë ngjarjesh ndërkombëtare të sportit si finalja e Konferencë Ligës, Kampionati Evropian për U17, Giro d’Italia në çiklizëm dhe do të organizojë edhe Evropianin U21 në futboll.

Der Standard: 9 te vdekur në një shkollë në Graz

Një operacion policor në shkallë të gjerë ka qenë duke u zhvilluar në ndërtesën Borg në Dreierschützengasse në Graz që nga mëngjesi i së martës. Operacioni u nxit nga të shtënat me armë zjarri brenda ndërtesës. Ministria e Brendshme konfirmoi disa vdekje, transmeton albinfo.at.

Pak para mesditës, policia njoftoi se situata ishte siguruar dhe se nuk kishte më rrezik.

Deri më tani, janë konfirmuar nëntë vdekje dhe raportohet gjithashtu një numër dyshifror i lëndimeve, shrkuan Der Standard.

Besohet se edhe autori i krimit është midis të vdekurve. Sipas policisë, ai është student.

Grazi është një qytet me rreth 300,000 banorë dhe është kryeqyteti i provincës jugore austriake të Styria-s.

Piktori shqiptar nga Austria hap ekspozitën e tij personale me titullin “Në shtëpi – Dahome”

Piktori i talentuar shqiptar, Haxhi Fejzullahi, i cili jeton qytetin austriak Voitsberg, ka hapur ekspozitën e tij personale me titullin “Në shtëpi  Dahome” në galerinë e komunës së Maria Lankowitz, përcjell albinfo.at.

Vlen të thekdohet se kjo ekspozitë përfshin 24 punime origjinale, të cilat pasqyrojnë thellësisht lidhjen e tij shpirtërore me vendin e origjinës dhe jetën në mërgim.

Ndërkohë në to shfaqen motive të jetës në vendlindje, përditshmëria në diasporë dhe elementë kulturorë që ndërthurin të kaluarën me të tashmen, duke krijuar një harmoni artistike me ngjyra dhe ndjeshmëri të veçantë.

Në hapje të ekspozitës, fotografi austriak Franz Taucher mbajti një fjalim për rëndësinë e veprës së Fejzullahut, duke theksuar mesazhin e fuqishëm që përcjell krijimtaria e tij dhe duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen e gjerë të publikut. Ai vlerësoi lart artin e Fejzullahut si një urë lidhëse kulturore mes Austrisë dhe shqiptarëve të diasporës.

Po ashtu, kryetari i komunës së Maria Lankowitz, Kurt Rimer, falënderoi përzemërsisht artistin për prezantimin e këtyre vlerave të çmuara artistike shqiptaro-austriake, duke e cilësuar ekspozitën si një ngjarje të rëndësishme kulturore për komunitetin lokal.

Ekspozita “Në shtëpi  Dahome” u mirëprit me vlerësime të larta nga publiku dhe artdashësit, duke dëshmuar edhe një herë potencialin dhe ndikimin e artit shqiptar në skenën ndërkombëtare.

Të shtëna armësh në një shkollë në Graz të Austrisë, raportohet për të vdekur

Raportohet se të paktën pesë persona u vranë nga të shtënat me armë në një shkollë në qytetin austriak të Graz të martën, sipas raportimeve të mediave lokale dhe botërore, përcjell albinfo.at.

Disa të tjerë janë plagosur, përfshirë nxënës dhe mësues, raportoi transmetuesi shtetëror ORF dhe Heute. https://www.heute.at/s/mindestens-ein-toter-amoklauf-an-grazer-schule-120113053

Autori i dyshuar, i konsideruar si nxënës në këtë fazë, ka kryer vetëvrasje, pohojnë raportimet.

Një operacion policor ishte duke u zhvilluar në rrugën Dreierschuetzengasse, ku ndodhet një shkollë e mesme.

Megjithatë, autoritetet kanë refuzuar të bëjnë komente të mëtejshme.

Grazi është një qytet me rreth 300,000 banorë dhe është kryeqyteti i provincës jugore austriake të Styria-s.

Festa e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nisi me zërin magjik të Ermonela Jahos

Ermonela Jaho frymën e operave botërore e solli në skenën e improvizuar të Prishtinës, transmeton albinfo.ch.

Sopranoja me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho është rikthyer pas 12 vitesh në Kosovë me një koncert gala mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli, shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, kjo mbrëmje e jashtëzakonshme arti, ishte dëshmi edhe e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës.

Sopranoja Jaho ka çelur edhe festimet për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës duke sjell emocione për qytetarët dhe artëdashësit në Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Koosvës, Albin Kurti shprehet se “sopranoja Ermonela Jaho nga Sheshi “Skënderbeu” na çoi drejt Italisë së Puccinit e Verdit, pa lëvizur asnjë hap  vetëm me zërin e saj të bukur. Me një mjeshtëri të rrallë, ajo solli dramën dhe emocionin e një opere botërore, duke ruajtur qetësinë dhe kontrollin me përplot hir e që lind vetëm nga përvoja dhe pjekuria artistike”.

“Emri i saj, që për ne tingëllon si “dëshirë”, u bë realitet i paharrueshëm për mijëra zemra që e dëgjuan. Në një bashkëpunim të rrallë mes Orkestrës së Operës së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli, mbrëmja solli një përzgjedhje nga veprat e mëdha të Puccinit dhe Verdit, duke shndërruar sheshin e kryeqytetit në skenë operistike. Kjo është fuqia e artit të vërtetë  të të çojë diku tjetër pa u larguar nga vendi yt. Dhe ky është niveli që ne si qeveri mbështesim me përkushtim, duke besuar se përmes këtyre përvojave e përjetimeve estetike kolektive të ndërtojmë institucionet kulturore që e meritojnë një vend të denjë në hartën artistike ndërkombëtare”, theksoi Kurti.

Para mbajtjes së koncertit, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një konferencë për mediet, ku ndër të tjera theksoi se ndërtimi i shtëpisë së Operës në Kosovës është një domosdoshmëri për të kanalizuar kapacitetin e artistëve të rinj të Kosovës si dhe për të pasuruar shpirtin e popullit.

Artistja Jaho u shpreh se në Kosovë ka ardhur me një detyrim shpirtëror, moral dhe patriotik për t’i dhënë një shtysë ndërtimi të kësaj shtëpie operistike, e cila konsiderohet jetike për artistët dhe brezat e rinj. /Albinfo.ch

Presidenti Begaj vizitë në Kosovë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Policia e Kosovës, me këtë rast, bën të ditur se gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Andaj, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Vdes Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil

Bëhet e ditur se sot është ndarë nga jeta dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të rëndësishme politike të Kosovës gjatë viteve ’90-të dhe ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, përcjell albinfo.ch.

Dr. Bukoshi vdiq  pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore.

Ai ka jetuar dhe është trajtuar për vite me radhë në Gjermani, ku edhe ka ndërruar jetë.

Dua Lipa mund të jetë zgjedhja e radhës për Super Bowl 2026

Prej disa ditësh, rrjetet sociale po ‘ziejnë’ me thashetheme se Dua Lipa mund të jetë zgjedhja e radhës për Super Bowl 2026, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga NFL apo vetë artistja, fansat dhe mediat online janë futur tashmë në ‘modin e pritjes’, me plot emocion dhe diskutime.

Zërat nisën të përhapen nga disa faqe të njohura të shoubiz-it si Pop Tingz në X (ish-Twitter) dhe menjëherë pasuan me komente, teori dhe meme nga fansa në mbarë botën.

Kjo nuk është hera e parë që qarkullojnë thashetheme të tilla  zakonisht, emrat e mëdhenj të muzikës përfliten shumë kohë para se të bëhet ndonjë shpallje zyrtare nga NFL, e cila zakonisht ndodh pak muaj para finales.

Pse Dua Lipa është një zgjedhje ideale për Super Bowl-in?

Dua Lipa nuk është thjesht një yll popi  ajo është një ikonë globale me hite të mëdha si “Levitating”, “Don’t Start Now” e “One Kiss”.

Me performanca energjike dhe një stil unik që përzien elegancën me freskinë, ajo ka dëshmuar se mund të mbajë skenat më të mëdha të botës. Super Bowl-i është një nga ngjarjet më të ndjekura në planet, dhe për një artist si Dua Lipa, kjo do të ishte një platformë perfekte për të treguar gjithë potencialin që ka.

Spektakli do të zhvillohet më 8 shkurt 2026 në Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni  një ambient modern dhe i denjë për një super shou.

Komentet në rrjet janë të ndryshme, por në përgjithësi, shumica janë entuziastë.

Shumë fansa mendojnë se nëse Dua Lipa merr këtë rol, do të sjellë një atmosferë elektrizuese dhe një performancë që do të mbahet mend gjatë. Të tjerë, më skeptikë, e shohin atë si një zgjedhje më “e sigurt” ose nuk e konsiderojnë mjaftueshëm “epike” për një skenë si ajo e Super Bowl-it.

Për pak ditë, katër kosovarë diplomuan në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për katër kosovarë që kanë diplomuar në akademitë dhe kolegjet më prestigjioze ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Kadetët Arlind Shefiku dhe Enderon Vuthaj, majori Gëzim Osmani e nënkolonel Gëzim Sada, kanë diplomuar në akademitë e kolegjet prestigjioze në SHBA. Osmani ka postuar foto të tyre. 

“Suksesi i tyre është arritje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Republikën tonë dhe një dëshmi e qartë e profesionalizmit në rritje të ushtarakëve tanë, gjë që e bënë edhe më të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë euroatlantik. Mirënjohje të përhershme për SHBA-në  aleatin tonë të pazëvendësueshëm, për shkollimin e vazhdueshëm të kuadrove tona”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

Në Suedi mblidhet komuniteti akademik shqiptar

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Suedi u zhvillua një takim i ngrohtë me pjesëtarë të komunitetit akademik shqiptar, studentë, studiues dhe ekspertë nga fusha të ndryshme, transmeton albinfo.ch.

Takimi u hap me një interpretim të bukur të këngës shqiptare “Moj e bukura Arbëri”, të kënduar nga e reja e talentuar Marina Lleshi, duke sjellë emocione dhe ndjesi të veçanta për të gjithë të pranishmit.

Më pas, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Ambasadorja e Shqipërisë në Suedi, Albana Dautllari, e cila falënderoi të ftuarit për praninë dhe për rolin e rëndësishëm që luajnë në përfaqësimin dhe afirmimin e dijes dhe identitetit shqiptar në vendet nordike. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të rrjeteve akademike dhe krijimit të urave të bashkëpunimit mes profesionistëve shqiptarë në rajon.

Ky aktivitet u shndërrua në një platformë të vlefshme për bashkëbisedim, rrjetëzim dhe shkëmbim idesh mbi sfidat dhe mundësitë në fushën akademike.

Gjatë takimit u prezantuan gjithashtu mundësitë për zhvillimin e praktikave profesionale pranë Ambasadës, duke i inkurajuar të rinjtë të angazhohen më afër me diplomacinë dhe përfaqësimin e Shqipërisë jashtë vendit.

Ky ishte vetëm një hap drejt një rrjeti më të fortë dhe më aktiv të komunitetit tonë akademik në vendet nordike.

I pranishëm ishte edhe deputeti suedez me origjinë shqiptare, Arber Gashi. /albinfo.ch