Gjermani: Festimi i 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës

Më 12 qershor, Ditës së Çlirimit të Kosovës, një ndër datat më domethënëse në historinë e shtetndërtimit,  do të organizohet një sërë aktivitetesh kulturore dhe festive në disa qytete të Gjermanisë dhe Danimarkës: Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart, transmeton albinfo.ch.

Këto ngjarje do të sjellin një mozaik të madh aktivitetesh: nga koncerte dhe shfaqje filmike, tek ekspozita fotografike, prezantime letrare, ngjarje sportive dhe biseda frymëzuese me artistë, regjisorë, sportistë dhe përfaqësues të shquar të diasporës sonë.

 


Postimi i plotë:

Festimi i 12 Qershorit ✌️ Ditës së Çlirimit të Kosovës në Gjermani dhe Danimarkë

Të nderuar bashkatdhetarë,

Me kënaqësi të veçantë ju njoftojmë se, me rastin e 12 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Kosovës, një ndër datat më domethënëse në historinë e shtetndërtimit tonë  do të organizojmë një sërë aktivitetesh kulturore dhe festive në disa qytete të Gjermanisë dhe Danimarkës: Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart.

Këto ngjarje do të sjellin një mozaik të madh aktivitetesh: nga koncerte dhe shfaqje filmike, tek ekspozita fotografike, prezantime letrare, ngjarje sportive dhe biseda frymëzuese me artistë, regjisorë, sportistë dhe përfaqësues të shquar të diasporës sonë.

Ju ftojmë që, kudo që ndodheni, të bëheni pjesë e kësaj feste të përbashkët  duke i dhënë kuptim, jehonë dhe madhështi Ditës së Çlirimit, me krenari për të kaluarën dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani/Botschaft der Republik Kosovo Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart Consulate General of the Republic of Kosova in Frankfurt am Main @Highlight #Ditaeçlirimit #Kosova17 #javaekultures #diplmaciakulturore #MosHarro

463 turistë gjermanë mbërrijnë në Portin e Durrësit

Porti i Durrësit mirëpriti mëngjesin e sotëm kroçerën turistike “MV Deutschland”, me 463 pasagjerë në bord, shumica prej të cilëve janë shtetas gjermanë. Anija turistike po zhvillon një itinerar nëpër Mesdhe dhe ndalesa në portin më të madh detar të vendit është pjesë e turit të saj turistiko-kulturor.

Gjatë qëndrimit njëditor në Shqipëri, turistët do të kenë mundësi të vizitojnë disa nga atraksionet historike dhe arkeologjike më të rëndësishme të vendit, përfshirë qytetin antik të Durrësit, Kalanë e Krujës dhe qendrën muzeale të Beratit, të mbrojtura nga UNESCO.

Kroçera ka mbërritur në Durrës pas një lundrimi nga Porti i Vathit në Greqi dhe do të vijojë më tej itinerarin e saj drejt Kotorrit në Malin e Zi.

Lëvizjet e tilla janë tregues i interesit në rritje të linjave turistike për Shqipërinë si destinacion mesdhetar, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në vend.

Fundjava shënon fluksin më të madh të kalimeve në Morinë

Rritje e fluksit të kalimeve është shënuar në pikën kufitare të Morinës, ku dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës janë futur në Shqipëri.

Ky fluks kalimesh ka dy arsye, kryesorja është kalimi i fundjavës në bregdetin shqiptar dhe ndjekja e sfidës së futbollit që luhet sonte mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Për shkak të numrit të madh të kalimeve të automjeteve, kryesisht nga Kosova, raportohet se dogana e Morinës ka hapur kufirin për të shmangur radhët e gjata. Kjo është bërë në zbatim të marrëveshjes për qarkullim të lirë pa kontrolle kufitare.

Shqipëri: Vizitorët do të deklarojnë vendin ku qëndrojnë në Shqipëri

Bëhet fjalë për një projektligj i ri i propozuar nga qeveria shqiptare synon krijimin e një strukture të posaçme për përpunimin e informacionit të udhëtimit, të quajtur Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit, që do të funksionojë pranë Policisë së Shtetit dhe do të operojë 24 orë në ditë, përcjell albinfo.ch.

Referuar projektligjit, ky sektor do të mbledhë dhe ruajë të gjitha të dhënat e pasagjerëve dhe ngarkesave që hyjnë, dalin ose kalojnë tranzit në territorin shqiptar. Informacioni do të përfshijë të dhëna paraprake dhe të dhëna rezervimi, si emra, dokumente udhëtimi, itinerarë, mënyrat e pagesës, vendet e nisjes dhe destinacionit, numrat e ndenjëseve dhe, në rastin e të miturve që udhëtojnë vetëm, edhe të dhënat e kujdestarëve.

Të gjithë transportuesit  ajrorë, detarë dhe tokësorë  do të kenë detyrimin të transmetojnë këto të dhëna në mënyrë elektronike dhe të sigurt drejt strukturës së re. Qëllimi i kësaj nisme është identifikimi i rreziqeve të mundshme për sigurinë kombëtare.

Projektligji është hartuar në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian dhe me vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, duke parashikuar që të dhënat të ruhen për një periudhë jo më shumë se pesë vjet.

Në relacionin shpjegues të projektligjit thuhet se aktualisht sistemi i regjistrimit të pasagjerëve është i paplotë dhe përballet me boshllëqe ligjore. Kjo ka detyruar autoritetet shqiptare të mendojnë një rregullim të ri ligjor për të garantuar sigurinë dhe kontrollin e plotë të lëvizjeve.

Financimi i përpunimit të të dhënave, që deri më tani mbulohet nga qeveria amerikane në bazë të një memorandumi të nënshkruar në vitin 2020, do të përballohet nga buxheti shqiptar pas vitit 2025. Kostoja vjetore e këtij sistemi është vlerësuar në rreth 250 mijë dollarë.

Deputetët mblidhen për të 28-n herë sot

Deputetët do të mblidhen të shtunën edhe një herë në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo do të jetë seanca e 28-të e tentimit për konstituim.

Seanca ka ngecur te formimi i komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që po kundërshtohet nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të marrë votat e nevojshme për gjashtë herë radhazi.

Zvicër: Shkurtime drastike në programet e parandalimit të obezitetit dhe sëmundjeve infektive

Ndërkohë që kostot e kujdesit shëndetësor në Zvicër vazhdojnë të rriten, Konfederata ka vendosur të shkurtojë ndjeshëm fondet për programet e parandalimit të obezitetit dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, një vendim që ka ngjallur shqetësim të thellë te ekspertët dhe të prekurit, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Cindy Cauzo, një grua 32-vjeçare nga kantoni i Vaudit, tregon për betejën e saj të gjatë me mbipeshën. E stigmatizuar nga mjekët në të kaluarën, ajo ka arritur të humbë 30 kilogramë në dy vjet falë një qasjeje gjithëpërfshirëse mjekësore që përfshin mjekë specialistë, psikologë, dietologë dhe fizioterapistë. Ajo është shembulli i qartë i suksesit që vjen kur obeziteti trajtohet si një sëmundje serioze, jo si mungesë vullneti personal.

Megjithatë, një numër i madh iniciativash si ajo që e ndihmoi Cindy-n janë në rrezik. Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) ka konfirmuar se, si pjesë e masave të kursimit të miratuara nga Parlamenti, ajo do të ndalojë financimin për programe kyçe të parandalimit. Kjo përfshin edhe ndërprerjen e mbështetjes për Aleancën Zvicerane të Obezitetit nga viti 2026, përkundër premtimit të mëparshëm për 600 000 franga zvicerane në periudhën 2025 – 2028, transmeton albinfo.ch.

“Obeziteti do të rritet, ashtu si edhe sëmundjet e lidhura me të. Në vend që të kursejmë, do të përballemi me shpërthim të kostove shëndetësore në të ardhmen,” paralajmëron Dr. Dominique Durrer nga Vevey, një nga zërat kryesorë në trajtimin multidisiplinar të obezitetit.

Paralelisht, janë prekur edhe fushata të tjera parandaluese, përfshirë ato kundër HIV/AIDS-it dhe sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme. Sipas Florian Vock nga Swiss AIDS Aid, “numri i rasteve të reja me HIV nuk po bie më, ndërsa sëmundje si sifilizi dhe gonorreja po rriten çdo vit. Ne duhet të investojmë më shumë në parandalim, jo ta dobësojmë atë.”

FOPH ka shprehur keqardhje për këto masa, por thekson se do të vazhdojë të punojë në fusha të tjera të parandalimit, si pirja e duhanit dhe konsumi i alkoolit.

Ekspertët paralajmërojnë se kursimet afatshkurtra mund të kenë pasoja afatgjata shëndetësore dhe financiare. Me 43 për qind të popullsisë që aktualisht klasifikohet si mbipeshë, sfida për sistemin shëndetësor zviceran sa vjen e bëhet më serioze, transmeton albinfo.ch.

Austria me qira gjithnjë e më të shtrenjta

Qiratë në Austri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në një mesatare prej 9.80 euro për metër katror në vitin 2023, krahasuar me vetëm 6 euro në vitin 2010. Vetëm gjatë vitit 2024, çmimet e qirasë janë rritur me 4.8 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me vetëm 2.9 për qind, ka bërë të ditur Regina Fuchs nga Drejtoria e Statistikave të Popullsisë në Austri, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit “Wohnen 2024”, rritja e ndjeshme e qirave po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës, veçanërisht në qytetet e mëdha. Në zonat urbane me mbi 100.000 banorë, jo vetëm që qiratë janë më të larta, por edhe kënaqësia banesore bie ndjeshëm kur shfaqen probleme si ndotja akustike apo cilësia e dobët e ajrit dhe ujit. Përqindja e banorëve që përballen me probleme të tilla është dyfish më e lartë në qytetet e mëdha krahasuar me zonat rurale.

Austria mban normën e dytë më të lartë të banesave me qira në Evropë,  46 për qind  menjëherë pas Gjermanisë me 53 për qind, ndërsa mesatarja e BE-së është 32 për qind. Vjena dallon veçanërisht me 78 për qind të banesave me qira, ndërsa Burgenland (22 për qind) dhe Austria e Poshtme (28 për qind) kanë përqindjet më të ulëta.

Nga gjithsej 4.16 milion banesa kryesore në vend, vetëm 48 për qind janë në pronësi të banorëve. Në apartamente me qira, hapësira mesatare e banimit është dukshëm më e vogël: 61 m² në banesat komunale dhe deri në 71 m² në ato me qira private, krahasuar me 147 m² për shtëpitë në pronësi, transmeton albinfo.ch.

Kohëzgjatja e kontratave të qirasë ndryshon ndjeshëm: 13.2 vjet në banesat komunale, 8.3 vjet në ato kooperative dhe vetëm 2.4 vjet në qiratë private  ku afro gjysma e kontratave janë me afat të caktuar.

Pavarësisht nga rritja e kostove, qiratë mbahen më të ulëta përmes strehimit social. Çmimet mesatare mujore të strehimit janë rreth 614 euro për familje. Në banesat komunale dhe kooperative, qiraja mesatare është rreth 8 euro për m², ndërsa në tregun privat arrin deri në 11 euro për m². Qiratë e reja, megjithatë, janë dukshëm më të larta, veçanërisht në Salzburg.

Raporti thekson gjithashtu një përkeqësim të ndjeshëm në shpërndarjen e qirave, me një rritje të qartë të pabarazisë. “Familjet individuale përballen gjithnjë e më shumë me kosto të larta qiraje,” thuhet në analizë.

Një faktor kyç në këtë situatë është rënia e lejeve për ndërtim. Në vitin 2024, janë dhënë vetëm 31.867 leje ndërtimi  një rënie drastike krahasuar me kulmin prej 71.805 lejesh në vitin 2017. Sipas statistikave zyrtare, nëse ky trend vazhdon, presioni mbi tregun e banesave pritet të rritet edhe më tej, duke çuar në çmime edhe më të larta për qiramarrësit, transmeton albinfo.ch.

Prishtinë, në Sheshin “Zahir Pajaziti” transmetohet ndeshja Shqipëri-Serbi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nesër në zemër të kryeqytetit do të organizohet një ngjarje e veçantë për të gjithë qytetarët: transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, një përballje e shumëpritur që ngjall emocione të mëdha në të gjithë hapësirën shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të vendoset një ekran gjigant për të transmetuar ndeshjen, i shoqëruar me atmosferë festive dhe shumë dashuri për Shqipërinë.

“Hajde me shokë, familje, me krenari e flamur, bashkë krejt  sepse s’jemi veç tifozë  jemi zemra e shqiptarisë,” thuhet në njoftimin e kryetarit Rama, i cili ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në këtë ngjarje, të bashkuar nën ngjyrat kuqezi dhe flamurin e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Zyra Federale e Statistikave do të shkurtojë 40 vende pune deri në vitin 2028

Zyra Federale e Statistikave (BFS) në Zvicër pritet të shkurtojë rreth 40 pozita nga 700 vendet aktuale të punës deri në vitin 2028. Lajmi u konfirmua nga Këshilli Federal, i cili bëri të ditur se masat e reduktimit janë pjesë e kursimeve strukturore të miratuara nga Parlamenti, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Shkaku kryesor i kësaj mase është një deficit strukturor në vetë Zyrën, i kombinuar me presionin buxhetor në nivel federal. Për të përmbushur objektivin e kursimeve, Zyra do të reduktojë aktivitetet e saj dhe do të heqë dorë nga mbledhja e disa statistikave, megjithëse në disa raste po shqyrtohen masa alternative për të mbuluar boshllëqet.

Sipas njoftimit të autoriteteve, shkurtimet do të ndodhin në mënyrë graduale, duke filluar nga viti 2026. Deri në vitin 2028, synohet një ulje e kostove prej afërsisht 13 milionë frangash zvicerane në vit. Sa i përket vendeve të punës, qeveria synon t’i kompensojë humbjet përmes “tkurrjes natyrore” dhe rotacioneve të brendshme, duke shmangur, sa të jetë e mundur, pushimet nga puna.

Që nga shkurti, ishte bërë e ditur se Zyra Federale me seli në Neuchâtel do të përballej me reduktime të shërbimeve. Gjatë muajve të fundit, është hartuar një plan konkret për zbatimin e këtyre ndryshimeve, transmeton albinfo.ch.

Ndërrimi i hotelit nga përfaqësuesja e Serbisë ngjall debat, federata mohon ndryshimin në minutë të fundit

Përfaqësuesja e Serbisë në futboll ka zgjedhur të mos akomodohet në hotelin pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë, ku zakonisht qëndrojnë ekipet kundërshtare, por në një hotel tjetër, rreth 20 minuta larg stadiumit, duke nxitur reagime dhe spekulime në media për një ndërrim të minutës së fundit, raporton albinfo.ch.

Fillimisht ishte raportuar se serbët do të qëndronin në një nga hotelet brenda kompleksit të stadiumit, ku përfaqësueset e tjera zakonisht akomodohen për prakticitet dhe siguri. Por pas mbërritjes së tyre në Tiranë, u bë e ditur se hoteli ishte ndërruar dhe ata janë vendosur në një tjetër lokacion në zonën e bulevardit “Gjergj Fishta”.

Kjo lëvizje solli nevojën për masa shtesë të sigurisë dhe kufizime trafiku, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi për bllokime të pjesshme rrugore në oraret kur ekipi do të lëvizë për stërvitje dhe për ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Megjithatë, Federata e Futbollit të Serbisë ka mohuar zërat për ndërrim të hotelit në moment të fundit. Në një reagim për mediat serbe, ata deklaruan se hoteli aktual është rezervuar që tre muaj më parë dhe as që është konsideruar ndonjëherë qëndrimi pranë stadiumit.

“Zgjedhëm një hotel të qetë, jo afër stadiumit. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim të planifikuar apo të papritur,” citohet të ketë thënë një zyrtar i federatës për mediumin “Sportklub”, raporton albinfo.ch.

Sipas mediave sportive serbe, qëndrimi pranë stadiumit do t’u mundësonte lojtarëve të lëviznin drejt fushës edhe përmes ashensorëve, por kjo u shmang me qëllim që skuadra të ketë më shumë privatësi dhe qetësi për t’u përgatitur për sfidën e të shtunës.

Vendimi për të qëndruar larg stadiumit, në një kohë kur pritet një ndeshje me ngarkesë të lartë emocionale dhe të ndjeshme politikisht, ka sjellë vëmendje të shtuar edhe mbi masat e sigurisë që janë marrë nga autoritetet shqiptare. Lojtarët serbë, bashkë me stafin dhe kuzhinierin e tyre personal, janë shoqëruar nga forca të shumta policore që nga Aeroporti i Rinasit deri në hotel.

Ndeshja Shqipëri-Serbi do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, raporton albinfo.ch.

Nesër përpjekja e 28-të për konstituim, ironizon myftiu Tërnava për deputetët: “Le të therin nga një kurban”

Të shtunën, për të 28-n herë me radhë, deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen në një tjetër përpjekje për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës,  një proces që prej 15 prillit nuk ka mundur të finalizohet për shkak të ngërçit të thellë politik. Megjithatë, as këtë herë nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim të madh.

Përfaqësuesit e partive politike nuk kanë dhënë shenja për lëvizje në qëndrimet e tyre, ndërkohë që kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dështuar gjashtë herë të zgjidhet. Po ashtu, Komisioni për votimin e fshehtë nuk është formuar as në përpjekjen e tij të 19-të, të enjten.

Ngërçi 54-ditor po vazhdon pa ndonjë kompromis në horizont, ndërsa edhe festa e Kurban Bajramit nuk e zbuti atmosferën mes palëve politike. Në fakt, vetë kjo festë u shfrytëzua për një koment ironik nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë pritjes që i bëri kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Desha t’i ftoj të gjithë anëtarët e Parlamentit ta presin nga një kurban. Ndoshta po u shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët,” tha Tërnava me një buzëqeshje ironike.

Në përgjigje, Kurti u përpoq të distancohej nga situata duke komentuar me një goditje ndaj komoditetit të deputetëve:

“Deputetëve rrogat po iu ecin…”

Njëri nga përfaqësuesit e Bashkësisë Islame që ndodhej në takim, shtoi gjithashtu një koment me humor:

“Njëfarë mësyshi e keni…”

Seanca e fundit e Kuvendit u mbajt të enjten, vetëm 24 orë pas përpjekjes paraprake  një përjashtim nga praktika e zakonshme e 48 orëve distancë, për shkak se dita e radhës përkonte me Kurban Bajramin.

Vazhdimi i 28-të i seancës konstituive do të mbahet të shtunën në ora 11:00.

Zvicër: Blatten merr ndihmë emergjente

Pas rrëshqitjes së rëndë të dheut në komunën malore Blatten në kantonin Valais, Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të kërkojë një ndihmë emergjente prej 5 milionë frangash zvicerane për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së parë të qeverisë pas katastrofës natyrore, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe tronditi thellësisht komunitetin lokal, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Fondet e kërkuara do të shkojnë drejtpërdrejt në komunën e Blattenit si mbështetje fillestare financiare për masa urgjente që nuk mbulohen nga sigurimet ose subvencionet. Komuna do të ketë kompetencë të plotë për mënyrën se si do të shpërndajë mjetet, përfshirë ndihmën për familjet e fshatarëve të prekur.

Ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, theksoi se ndihma është simbolike dhe se nevojat janë shumë më të mëdha. “Dëmi mund të arrijë në disa qindra milionë franga, por në këtë fazë është e pamundur të japim një shifër të saktë,” tha ajo, duke shtuar se është thelbësore që ndihma të ofrohet menjëherë, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Mjedisit, Albert Rösti, ndërkohë njoftoi se deri në fund të vitit do të përgatitet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, i cili do të shërbejë si bazë për mbështetje të mëtejshme. Ai konfirmoi se në planin afatgjatë, fokusi do të jetë në rindërtimin e zonës dhe në garantimin e një të ardhmeje të sigurt për banorët e Lötschentalit.

“Ne nuk po flasim për një zhvendosje nga luginat malore, por për një rindërtim të kujdesshëm dhe të koordinuar. Siguria e banorëve dhe qëllimet e komunitetit do të jenë prioritet,” u shpreh Rösti.

Parlamenti zviceran pritet ta miratojë kërkesën për ndihmën emergjente gjatë një seance të jashtëzakonshme javën e ardhshme. Ndërkohë, Kantoni i Valais ka premtuar një shumë tjetër prej 10 milionë frangash për komunën, transmeton albinfo.ch.

Sylvinho: Ndaj Serbisë synojmë fitoren

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit do të përballet të shtunën me Serbinë në “Air Albania”, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026, dhe trajneri Sylvinho ka dhënë një deklaratë të qartë: Shqipëria hyn në fushë për fitore, raporton albinfo.ch.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Sylvinho vlerësoi kundërshtarin, por u shpreh i bindur për potencialin e skuadrës kuqezi.

“Serbia ka ekip të fortë, ka lojtarë të mirë si Mitroviq, Vlahoviq, Joviq. Por edhe ne kemi lojtarë të mirë si Broja, Manaj, Uzuni, Bajrami e të tjerët për të cilët jam krenar,” u shpreh përzgjedhësi.

Duke folur për pritshmëritë nga kjo përballje me rëndësi të madhe, Sylvinho tha se ndeshja do të jetë e vështirë, por objektivi mbetet i qartë: “Kundërshtari ka ekip të mirë fizik. Shpresojmë të bëjmë ndeshje të bukur. Të gjithë trajnerët e përgatisin ndeshjen për ta fituar. Shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur, janë 90 minuta të gjatë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët.”

Ai gjithashtu theksoi se rruga drejt kualifikimit është ende e gjatë dhe kërkon përqendrim maksimal në çdo sfidë, raporton albinfo.ch.

Gjimshiti: Mesazhi nga Lugina ishte i qartë, të mposhtim Serbinë

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka treguar për emocionet që po përjeton para përballjes ndaj Serbisë, duke zbuluar edhe një porosi të veçantë që ka marrë gjatë një vizite në Luginën e Preshevës para ndeshjes së së shtunës, raporton albinfo.ch.

Në konferencën për shtyp, Gjimshiti tha se gjatë disa ditëve pushimi kishte vizituar gjyshërit në vendlindje, ku kishte marrë një porosi të qartë: fitoren ndaj Serbisë.

“Kisha tri-katër ditë pushim dhe shkova të shihja gjyshin dhe gjyshen në vendlindje. Ishte një gjë shumë e rëndësishme ta bëja. Porosia ishte ajo që e keni dëgjuar të gjithë, gjithnjë lypim fitoren,” u shpreh ai.

Gjimshiti theksoi rëndësinë e fokusit dhe vetëpërmbajtjes në një ndeshje të tillë, që përtej karakterit sportiv ka edhe ngarkesë emocionale.

“Ka disa gjëra emocionale që mund të djegin më shumë disa lojtarë. Duhet të fokusohemi te paraqitja jonë. Kjo është gjëja më e rëndësishme nesër. Mesazhi që mund të japim është me paraqitje në fushë. Të lëmë çdo gjë në fushë. Më pas tifozët duartrokasin, ndodhi çka ndodhi,” tha ai, raporton albinfo.ch.

Kapiteni u shpreh se ekipi është përgatitur maksimalisht për sfidën, duke pasur në konsideratë edhe cilësinë e kundërshtarit.

“Kundërshtari është shumë i fortë, por edhe ne jemi përgatitur mirë. Jemi gati, besoj se mund të bëjmë një lojë të mirë,” u shpreh mbrojtësi kuqezi.

I pyetur nga gazetarët për jetën personale, konkretisht për bashkëshorten e tij me origjinë serbe, Gjimshiti refuzoi të komentojë, duke u fokusuar vetëm te ndeshja.

“Nuk kam ardhur këtu të përgjigjem për jetën time private. Kam ardhur për futboll. Këto janë çështje private dhe e lëmë në futboll,” përfundoi kapiteni, raporton albinfo.ch.

Kosova fiton bindshëm ndaj Armenisë: 5:2 në “Fadil Vokrri”

Kosova ka treguar forcë dhe karakter në miqësoren e së premtes mbrëma kundër Armenisë, duke fituar me rezultat të thellë 5:2, ndonëse ishte dy herë në disavantazh gjatë pjesës së parë. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para një numri modest shikuesish, por me shumë ngjarje në fushë, raporton albinfo.ch.

Takimi nisi keq për skuadrën e Franco Fodas. Vetëm pas pak minutash, një ndërhyrje e pasigurt në mbrojtje i lejoi Nair Tiknizyan të godasë, dhe topi, i devijuar nga portieri debutues Amir Shaipi, përfundoi në rrjetë, autogol për rezultatin 0:1.

Kosova reagoi në minutën e 23-të me një gol të bukur të shënuar nga Lumbardh Dellova, duke rikthyer baraspeshën 1:1. Por mysafirët nga Armenia kaluan sërish në epërsi gjashtë minuta më vonë, kur Eduard Spertsyan realizoi për 2:1. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë i takoi tërësisht “Dardanëve”. Në minutën e 61-të, Baton Zabërgja u pengua në zonë dhe Mërgim Vojvoda, kapiten në këtë përballje, realizoi nga pika e bardhë për 2:2, raporton albinfo.ch.

Vetëm dy minuta më pas, selektori Foda bëri katër zëvendësime, të cilat rezultuan vendimtare. Njëri nga të sapo futurit, Lindon Emërllahu, shënoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 71-të, duke i dhënë epërsinë Kosovës për herë të parë në ndeshje, 3:2.

Në minutat e fundit, Albion Rrahmani vulosi gjithçka me dy gola të shpejtë, në minutat 90 dhe 93, për të mbyllur ndeshjen me rezultatin bindës 5:2.

Kosova luajti pa disa nga emrat kryesorë si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica, Aro Muriq dhe Edon Zhegrova, por zëvendësuesit treguan potencial dhe e vazhduan serinë e fitoreve, duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen e ekipit kombëtar, raporton albinfo.ch.

Kosova përmbys rezultatin, Emërllahu shënon gol spektakolar

Përfaqësuesja e Kosovës ka kaluar në epërsi ndaj Armenisë, duke shënuar golin e tretë në minutën e 71-të të ndeshjes miqësore që po zhvillohet sot, raporton albinfo.ch.

Lindon Emërllahu ishte heroi i këtij momenti, teksa realizoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme nga distanca, që nuk i dha asnjë shans portierit kundërshtar. Ky ishte goli i përmbysjes së madhe për “Dardanët”, të cilët po tregojnë karakter dhe lojë ofensive pas pjesës së parë të vështirë.

Pas autogolit të Shaipit dhe golit të Spertsyan për Armeninë, Kosova arriti të kthehet në lojë, fillimisht me supergolin e Dellovës, më pas me penalltinë e realizuar nga kapiteni Vojvoda, dhe tani me golin vendimtar nga Emërllahu, raporton albinfo.ch.

Kosova barazon ndaj Armenisë

Përfaqësuesja e Kosovës ka rikthyer baraspeshën në ndeshjen miqësore kundër Armenisë, duke barazuar rezultatin në 2:2, raporton albinfo.ch.

Golin e dytë për “Dardanët” e realizoi kapiteni Mërgim Vojvoda në minutën e 61-të nga pika e bardhë. Penalltia u akordua pas një ndërhyrjeje të palejuar ndaj sulmuesit Baton Zabërgja, i cili fitoi duelin brenda zonës armene.

Vojvoda, i cili po mban shiritin e kapitenit në këtë sfidë, u tregua i saktë duke dërguar topin në rrjetë dhe duke ngjallur entuziazmin në radhët e Kosovës, që tashmë është në kërkim të fitores.

Ndeshja po luhet në një atmosferë dinamike, me disa gola të bukur dhe aksione të shpejta nga të dyja palët, raporton albinfo.ch.

Armenia në epërsi ndaj Kosovës pas pjesës së parë

Përfaqësuesja e Armenisë po avancon me rezultat 2:1 ndaj Kosovës pas 45 minutave të para të ndeshjes miqësore që po zhvillohet sot, raporton albinfo.ch.

Ndeshja nisi me fat për armenët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 8-të, pas një autogoli të portierit Amir Shaipi, që devijoi topin në rrjetën e vet.

Kosova arriti të rikthehet në lojë në minutën e 23-të, kur mbrojtësi Lumbardh Dellova realizoi një supergol nga distanca, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Megjithatë, entuziazmi i “Dardanëve” nuk zgjati shumë. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 29-të, Armenia riktheu epërsinë përmes Eduard Spertsyanit, i cili shënoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, raporton albinfo.ch

Bazeli pret 500,000 vizitorë në Kampionatin Evropian të Futbollit për Femra

Zonat e tifozëve në Barfüsserplatz dhe Messeplatz do të jenë të hapura nga ora 15:00 deri në orën 23:00 nga 1 deri më 27 korrik dhe nga ora 11:00 në ditët e ndeshjeve. Zonat do të mbeten të mbyllura vetëm më 14 korrik dhe 21 korrik, raporton swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ashtu si me Konkursin e Këngës në Eurovision, barrierat e automjeteve antiterroriste do të përdoren në zonat e tifozëve si një masë sigurie për të gjithë kohëzgjatjen e turneut, sipas njoftimit për shtyp.

Turneu Evropian duhet të ketë gjithashtu një efekt afatgjatë, shtuan organizatorët. Qëllimi është të dyfishohet numri i lojtareve, trajnereve dhe gjyqtareve femra të regjistruara.

Ky aktivitet i madh sportiv është një mundësi unike për Bazelin, tha Drejtori i Arsimit, Mustafa Atici, në njoftimin për shtyp. Qëllimi është t’u dërgohet një mesazh i fortë vajzave të reja se ato i përkasin fushës.

Përveç ndeshjeve hapëse dhe finale më 2 korrik dhe 27 korrik përkatësisht, dy ndeshje në grupe do të zhvillohen në Bazel më 8 korrik dhe 13 korrik, dhe një ndeshje çerekfinale më 19 korrik.

Çmimet e pronave në Zvicër vazhdojnë të rriten

Shumë zviceranë duan të jenë në gjendje të përballojnë shtëpinë e tyre. Kjo po i nxit më tej çmimet për të cilat reklamohen apartamentet dhe shtëpitë njëfamiljare, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Çmimet e kërkuara për apartamentet në Zvicër u rritën me 0.8% në maj, krahasuar me muajin e kaluar, sipas një ankete mujore të publikuar të premten nga ImmoScout24. Rritja për shtëpitë njëfamiljare ishte më e moderuar, në 0.3%.

Një krahasim vit pas viti tregon se sa shpejt po lëvizin gjërat lart: krahasuar me majin e vitit të kaluar, apartamentet u rritën me 3.8%. Për shtëpitë e veçuara, çmimet e kërkuara u rritën madje me 5.8%.

Platforma online e pronave arrin në përfundimin se shitësit mbeten optimistë për tregun zviceran të pronave. Shitësit, me sa duket, po supozojnë se gatishmëria për të paguar, pavarësisht çmimeve tashmë shumë të larta, ende nuk është shteruar.

Shtëpitë në Cyrih më të shtrenjta

Megjithatë, situata ndryshon shumë në varësi të rajonit. Ndërsa rajoni i Liqenit të Gjenevës ofron ofertën më të madhe, veçanërisht për apartamente, dhe ka gjithashtu shumë prona në treg në Pllajën Qendrore, situata rreth Cyrihut duket e zymtë, pasi furnizimi është shumë më i ngushtë atje.

Shtëpitë njëfamiljare, në veçanti, u rritën në çmim në rajonin e madh të Cyrihut me një shifër marramendëse prej 3.9%, krahasuar me muajin e kaluar. Çmimet gjithashtu u rritën ndjeshëm në Ticino (+1.2%) dhe Pllajën Qendrore (+1%) në maj. Në Zvicrën Lindore, nga ana tjetër, çmimet e kërkuara ranë me 2.1%.

Tabloja është disi e ndryshme për apartamentet: çmimet u rritën me 2.7% në Zvicrën Lindore dhe me 2.3% në Zvicrën Qendrore. Cyrihu dhe Ticino gjithashtu u rritën pak, me rreth 1% secili. Në të kundërt, çmimet ranë pak në rajonet qendrore dhe Zvicrën Veriperëndimore.

Indeksi i blerjeve ImmoScout24 është një indeks çmimesh që regjistron çmimet e kërkuara të shtëpive njëfamiljare dhe apartamenteve në baza mujore. Ai përpilohet në bashkëpunim me IAZI AG dhe ofron një tregues të hershëm të tendencave të tregut.

Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës

Me rrënjë nga Kosova dhe e lindur në Zvicër, Eriona Elezi është shembulli ideal i një vajze që ka kapërcyer paragjykime dhe sfida për të ndjekur ëndrrën e saj në futboll. Nga hapat e parë në FC Langnau am Albis deri te paraqitjet me Kombëtaren A të Kosovës, ajo ka ndërtuar një rrugëtim frymëzues për çdo vajzë që synon të arrijë majat në sportin më të dashur në botë.

albinfo.ch: Kur dhe si e zbuluat dashurinë për futbollin?
Eriona Elezi: Dashuria për futbollin nisi kur isha vetëm 6 vjeçe. Babai im ishte trajner në FC Langnau am Albis dhe një ditë më mori me vete në stërvitje  dhe që në atë moment u magjepsa. Ajo që më tërhoqi ishte fakti që futbolli është një sport ekipor, ku të gjithë duhet të japin kontribut për të arritur një qëllim të përbashkët.

albinfo.ch: Si nisi rrugëtimi juaj në futbollin e femrave në Zvicër?
Eriona Elezi: Nisa të luaj në FC Langnau am Albis kur isha 6 vjeç  fillimisht me djemtë. Në moshën 12-vjeçare u përzgjodha në ekipin rajonal të kantonit të Cyrihut (FVRZ), që përfshin lojtaret më të mira të rajonit. Më pas bëra një provë te FC Zürich dhe arrita të hyj në futbollin elitar. Kam kaluar të gjitha nivelet e moshave aty, nga U14 deri në U21.
Njëkohësisht, isha pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës nga U16 deri në U19. Si shtetase me dy nënshtetësi, gjithmonë e kam pasur Kosovën në zemër. Para një viti realizova ëndrrën time  vesha fanellën e Kosovës për herë të parë, duke luajtur në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Me atë turne shkruam histori, duke u ngjitur nga Liga B në Ligën A  suksesi i parë i një përfaqësueseje të re të Kosovës në nivel të tillë.
Gjysmë viti më vonë mora ftesën e parë për ekipin A të Kosovës, ku debutova me një ndeshje miqësore në grumbullimin e parë. Pas tetë vitesh me FC Zürich, kërkova një sfidë të re dhe kalova te FC Aarau  një hap që tashmë po jep rezultatet e para. Jam e lumtur dhe mezi pres të zhvillohem më tej me këtë klub dhe me Kombëtaren e Kosovës.

albinfo.ch: Kush ju ka mbështetur më së shumti?
Eriona Elezi: Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe  në veçanti babai im. Ata kanë qenë pranë meje që nga fillimi, më kanë besuar edhe kur unë kam dyshuar në veten time. Pavarësisht vështirësive, ata kurrë nuk hoqën dorë prej meje dhe më motivuan çdo ditë. Mbështetja e tyre më ka dhënë forcën për të vazhduar rrugën time pa u ndalur, dhe për këtë jam pafundësisht mirënjohëse.

albinfo.ch: Si e përjetuat të afirmoheni në një sport të konsideruar si “mashkullor”?
Eriona Elezi: Nuk ishte aspak e lehtë. Si vajza e vetme në një ekip djemsh, duhej të punoja dyfish për t’u respektuar dhe për t’u marrë seriozisht. Skepticizmi dhe paragjykimet ishin të pranishme, por këto sfida më motivuan edhe më shumë. Me përkushtim dhe disiplinë, arrita të fitoj respektin e të gjithëve. Futbolli kurrë nuk ishte për mua “sport për meshkuj”, por pasioni im më i madh.

 

albinfo.ch: A ekzistojnë ende paragjykime ndaj vajzave në futboll? Çfarë duhet të ndryshojë?

Eriona Elezi: Po, fatkeqësisht ende ka paragjykime. Shumë njerëz ende nuk e marrin seriozisht futbollin e vajzave dhe dyshojnë në aftësitë tona. Kjo duhet të ndryshojë. Futbolli i femrave duhet të respektohet njësoj si ai i meshkujve  duhet më shumë mbështetje, më shumë hapësirë në media dhe më shumë investime. Barazia duhet të ndodhë në të gjitha nivelet  nga trajtimi te talentet e reja deri te pagesat profesionale.

albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju si futbolliste?
Për mua sfida më e madhe ishte të balancoja shkollën, stërvitjet, ndeshjet dhe punën. Për ta arritur këtë, nevojiten shumë disiplinë, ambicie dhe sakrificë.

albinfo.ch: Çfarë duhet bërë për të përmirësuar mundësitë për vajzat me prejardhje migrante?
Eriona Elezi: Vajzat duhet të inkurajohen të jenë të guximshme, të kenë vetëbesim dhe të ndihen të pranuara. Shkollat dhe klubet duhet të krijojnë më shumë mundësi për përfshirje dhe zhvillim, duke ndërtuar mjedise të sigurta dhe përfshirëse për të gjitha.

Cili është mesazhi juaj për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë të luajnë futboll?
Kënaquni me lojën, besoni në vetvete, keni besim në aftësitë tuaja dhe dëgjoni trupin tuaj. Futbolli është për të gjitha  mos lejoni askënd t’ju ndalojë në rrugën tuaj.

Eriona, në veten e parë

Jam Eriona Elezi, e lindur në vitin 2005 dhe jam rritur në Langnau am Albis. Dashuria ime për futbollin nisi në moshën gjashtëvjeçare në FC Langnau am Albis, dhe që nga ajo ditë futbolli është bërë pjesë e pandashme e jetës sime.
Shtatë vite i kalova në FC Zürich, ku u zhvillova si lojtare dhe si person. Aktualisht luaj për FC Aaraua si mbrojtëse anësore.
Kam përjetuar momente të veçanta: fitova FIFA Youth Cup, u shpalla kampione e Zvicrës në ligën NLB dhe shënova gol në kualifikimet e Kampionatit Evropian me ekipin U19 të Kosovës. Sot, jam pjesë e Kombëtares A të Kosovës  një nder dhe një ëndërr e realizuar.
Familja ime, sidomos babai, ka qenë themeli i këtij rrugëtimi.
Futbolli për mua është gjithçka  pasion, motivim dhe një mënyrë për të qenë vetvetja.
Synimi im është të luaj jashtë vendit dhe të përfaqësoj me krenari Kosovën në shumë ndeshje të tjera. Dua të vazhdoj të rritem dhe të dëshmoj se me punë, zemër dhe besim në vetvete, gjithçka është e mundur.