Tragjedia në Chiètres: Të gjitha viktimat e zjarrit në autobus janë identifikuar

Autoritetet kanë njoftuar se të gjitha viktimat e zjarrit tragjik në një autobus postar në Chiètres janë identifikuar. Ngjarja ndodhi të martën pasdite dhe la pas 6 të vdekur dhe 5 të plagosur.

Mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar, një burrë zviceran 65-vjeçar nga kantoni i Bernës. Viktimat e tjera përfshijnë shoferin e autobusit, një burrë 63-vjeçar me origjinë portugeze, dy gra (25 dhe 39 vjeç) dhe dy burra (16 dhe 29 vjeç), të gjithë banorë të rajonit.

Pesë të plagosurit janë identifikuar gjithashtu, përfshirë dy të shtruar në spital: një grua 56-vjeçare dhe një burrë 34-vjeçar. Autoritetet kanë hapur një linjë ndihme për familjet, viktimat dhe dëshmitarët: 0800 261 700.

Hetimet për motivet e incidentit dhe rrethanat e tij vazhdojnë, ndërsa komuniteti mbetet i tronditur nga ngjarja.

Siguria nga zjarri dhe ndërtimi i qëndrueshëm në qendër të webinarit të parë të AES

Në ligjëratën e tij në webinarin e Albanian Engineering of Switzerland, Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta trajtoi sfidat e ndërtesave moderne, përdorimin e drurit në struktura të larta dhe teknologjitë bashkëkohore të analizës së zjarrit.

Siguria nga zjarri në ndërtesat moderne dhe sfidat e ndërtimit të qëndrueshëm ishin në qendër të webinarit të parë të organizuar nga Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES), një aktivitet që mblodhi profesionistë shqiptarë të inxhinierisë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Ligjërata kryesore u mbajt nga Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta, ndërsa diskutimi u moderua nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha.

Ky aktivitet shënoi hapjen e ciklit të webinareve profesionale që AES ka planifikuar gjatë vitit 2026, një nismë që synon të krijojë një platformë të strukturuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional mes inxhinierëve shqiptarë të diasporës. Përmes këtyre takimeve synohet ndarja e përvojave profesionale, diskutimi i zhvillimeve më të fundit në fushat teknike dhe forcimi i rrjetëzimit profesional mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari u zhvillua në platformën Microsoft Teams dhe mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, duke dëshmuar interesimin e madh për temat që lidhen me arkitekturën bashkëkohore, ndërtimin e qëndrueshëm dhe sigurinë teknike në ndërtesa. Pas prezantimit kryesor, aktiviteti vijoi me një diskutim të zgjeruar profesional, ku pjesëmarrësit parashtruan pyetje dhe ndanë përvoja nga projekte të ndryshme ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Florent Lushta trajtoi sfidat që lidhen me projektimin e ndërtesave moderne në një kontekst ku urbanizimi i përshpejtuar dhe ndryshimet klimatike po kërkojnë qasje të reja në arkitekturë dhe inxhinieri. Ai u ndal fillimisht te ndikimi që kanë zgjidhjet ekologjike në përmirësimin e klimës urbane, duke theksuar rolin e gjelbërimit urban dhe të materialeve natyrore në reduktimin e temperaturave në qytete.

Sipas analizave dhe ekspertizave të ndryshme, ndërhyrje të tilla mund të ulin temperaturën urbane deri në tetë gradë Celsius, duke zbutur ndjeshëm fenomenin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane”, një problem gjithnjë e më i pranishëm në qytetet moderne.

Në këtë kontekst u theksua edhe një paradoks energjetik që po vërehet në Evropën Perëndimore: gjatë verës shpenzohet më shumë energji për ftohjen e ndërtesave sesa gjatë dimrit për ngrohjen e tyre. Ky realitet e bën edhe më kompleks projektimin e ndërtesave të reja, veçanërisht në rajonet alpine si Zvicra, ku standardet e ndërtimit dhe kërkesat për efikasitet energjetik janë ndër më të lartat në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua përdorimit të drurit në ndërtim, një material që në dekadat e fundit po rikthehet në qendër të arkitekturës bashkëkohore si alternativë e qëndrueshme ndaj materialeve tradicionale. Në shumë projekte moderne, druri përdoret jo vetëm në fasada, por edhe si element strukturor në shtylla, dysheme dhe struktura mbajtëse.

Gjatë webinarit u përmendën edhe projekte të realizuara në Zvicër ku ndërtesa mbi 30 metra të larta janë ndërtuar kryesisht me konstrukcione druri, ndërsa pjesët e poshtme të strukturës realizohen me beton për të garantuar stabilitet shtesë. Kjo qasje hibride, që ndërthur materiale të ndryshme ndërtimore, konsiderohet një nga drejtimet më të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore.

Megjithatë, përdorimi i drurit në ndërtesa të larta paraqet sfida të veçanta për inxhinierinë e sigurisë nga zjarri. Rreziku nuk lidhet vetëm me djegien e materialit, por edhe me dobësimin e elementeve mbajtëse të strukturës në rast të temperaturave të larta. Për këtë arsye projekte të tilla kërkojnë koncepte të integruara të sigurisë nga zjarri, ku ndërthuren dimensionimi strukturor, sistemet aktive të mbrojtjes dhe planifikimi i kujdesshëm i rrugëve të evakuimit.

Në prezantim u shpjeguan gjithashtu fazat kryesore të zhvillimit të zjarrit nga këndvështrimi i inxhinierisë së zjarrit: faza e ndezjes, faza e përhapjes dhe fazat e avancuara të zhvillimit të flakës dhe të tymit. Nëse ndërhyrja realizohet në fazën e hershme, zjarri mund të kontrollohet përmes sistemeve automatike të shuarjes ose ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.

Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, elementet strukturore dimensionohen në mënyrë që të garantojnë një rezistencë ndaj zjarrit prej të paktën 60 minutash, duke siguruar kohën e nevojshme për evakuimin e njerëzve dhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar gjatë webinarit ishte përdorimi i metodave moderne të analizës së zjarrit. Inxhinieria bashkëkohore përdor simulime të avancuara kompjuterike për të analizuar zhvillimin e zjarrit dhe përhapjen e tymit në ndërtesa. Një nga metodat më të përdorura është Computational Fluid Dynamics (CFD), e cila mundëson modelimin tredimensional të rrjedhës së ajrit, përhapjes së tymit dhe ndryshimeve të temperaturës në hapësira të ndryshme.

Këto analiza përdoren jo vetëm në ndërtesa, por edhe në tunele, industri mekanike dhe sisteme komplekse transporti. Në këtë kontekst u përmend edhe bashkëpunimi me institucionet infrastrukturore si SBB, ku simulime të tilla përdoren për të analizuar përhapjen e zjarrit dhe të tymit në infrastrukturë hekurudhore dhe në sisteme transporti me kompleksitet të lartë teknik.

Gjatë diskutimit u përmend edhe rasti i zjarrit katastrofal në Crans-Montana, i cili kishte nxitur reflektim të gjerë në komunitetin profesional. Sipas analizave të përmendura gjatë webinarit, një nga problemet kryesore kishte qenë fakti se daljet e emergjencës nuk kishin qenë të planifikuara dhe të funksionalizuara sipas standardeve të kërkuara, ndërsa disa prej tyre kishin qenë të mbyllura ose të bllokuara, duke vështirësuar evakuimin e personave në ndërtesë. Ky rast u përdor si shembull për të theksuar rëndësinë e projektimit korrekt të rrugëve të evakuimit dhe respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri.

Pas prezantimit pasoi një diskutim i gjerë profesional i moderuar nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi praktikat bashkëkohore të projektimit dhe mbi rolin gjithnjë e më të madh që kanë analizat numerike dhe simulimet kompjuterike në inxhinierinë moderne të sigurisë nga zjarri.

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland është një organizatë jofitimprurëse që synon të bashkojë dhe të bashkërendojë aftësitë dhe përvojën profesionale të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë. Përmes aktiviteteve të saj, ajo promovon profesionistët shqiptarë në fushat inxhinierike dhe shkencore dhe kontribuon në rritjen e vizibilitetit të komunitetit shqiptar në hapësirën profesionale.

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë. Sipas organizatorëve, këto aktivitete synojnë të krijojnë një platformë të përbashkët ku profesionistët shqiptarë mund të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushat përkatëse dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari i dytë i këtij cikli pritet të mbahet më 17 qershor 2026. Të gjitha informacionet lidhur me Webinaret dhe programin i gjeni në linkun në vijim:

https://www.linkedin.com/company/albaninan-engineering-of-switzerland?originalSubdomain=ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Henniez: Uji mineral i ndotur nga pesticidet

Pas një skandali të zbuluar nga RTS, kompania Henniez nuk mund të përdorë më filtrat e karbonit aktiv për të hequr gjurmët e pesticideve nga uji i saj mineral. Dokumentet tregojnë se disa burime janë kaq të ndotura sa uji nga to duhet të hidhet dhe përzierja e ujit të mbetur rregullohet për të përmbushur kufijtë ligjorë.

Filtrimi i fshehtë i ujit “natyral” me karbon aktiv u zbuluar në 2024 dhe rezultoi i paligjshëm, pasi uji mineral duhet të jetë natyralisht i pastër. Megjithatë, kompania pohon se uji gjithmonë ka qenë i sigurt për konsum.

Për të shmangur pasoja reputacionale, Henniez ka rregulluar përzierjen e ujit nga burime të ndryshme për të qëndruar brenda limiteve ligjore për pesticide, duke hequr filtrat e karbonit.

Tri spitale të Zvicrës në listën e 20 spitaleve më të mira në botë

Një spital nga Zvicra gjendet në 10 vendet e para të listës se spitaleve më të mira në botë. Geneva University Hospitals (HUG) është në mesin e spitaleve më të mira, ndërsa në vendin e 20-të renditet Lausanne University Hospital në Lozanë.

Më shumë se 2500 spitale në 32 vende janë analizuar nga revista Newsweek dhe portali statistikor Statista në një krahasim ndërkombëtar të fundit, raporton Albinfo.ch.

Nga kjo analizë, 250 spitalet më të mira në botë janë vlerësuar dhe renditur.

Ndërkohë edhe spitale të tjera zvicerane janë renditur shumë lart. University Hospital Basel gjendet në vendin e 23-të të listës.

Vlerësimi është bazuar në katër burime kryesore të të dhënave: rekomandimet e ekspertëve mjekësorë nga 32 vende, treguesit e cilësisë së spitaleve, të dhënat publike për kënaqësinë e pacientëve, si dhe PROMs (Patient-Reported Outcome Measures), që matin gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas trajtimit./Albinfo.ch/

Volkswagen do të shkurtojë deri në 50 mijë vende pune në Gjermani deri në vitin 2030

Gjiganti i industrisë automobilistike Volkswagen ka njoftuar se planifikon të shkurtojë deri në 50 mijë vende pune në Gjermani deri në vitin 2030, në përpjekje për të ulur kostot dhe për t’u përballur me konkurrencën në rritje në tregun global.

Njoftimi vjen pasi kompania raportoi një rënie të fortë të fitimit neto për vitin 2025, i cili ra me rreth 44%, duke arritur në 6.9 miliardë euro – niveli më i ulët që nga kriza e “Dieselgate” në vitin 2016.

Sipas një deklarate të kompanisë, përveç 35 mijë vendeve të punës që tashmë janë paralajmëruar për t’u shkurtuar në fund të vitit 2024 brenda markës Volkswagen, reduktimet do të prekin edhe markat luksoze Audi dhe Porsche, si dhe degën e softuerit Cariad. Kjo u konfirmua nga drejtori ekzekutiv i grupit, Oliver Blume, në një letër drejtuar aksionarëve.

Synohen kursime prej 6 miliardë eurosh në vit

Me masat e reduktimit të stafit që tashmë kanë nisur, Volkswagen thotë se ka kursyer rreth 1 miliard euro gjatë vitit 2025 dhe synon të arrijë më shumë se 6 miliardë euro kursime vjetore deri në vitin 2030.

Kompania është përballur me kosto shtesë prej rreth 9 miliardë eurosh, ndër të cilat:

5 miliardë euro lidhen me ndryshimin e strategjisë elektrike të Porsche,

3 miliardë euro me tarifat doganore të vendosura nga SHBA,

dhe 1 miliard euro me procesin e ristrukturimit të brendshëm në Volkswagen.

Si pasojë, fitimi operativ ra me gati 53%, duke zbritur në 8.9 miliardë euro, ose 2.8% të shitjeve, krahasuar me 5.9% një vit më parë.

Të ardhurat mbeten pothuajse të pandryshuara

Të ardhurat totale të grupit mbetën pothuajse të pandryshuara në 322 miliardë euro, ndërsa kompania dorëzoi rreth 9 milionë automjete gjatë vitit 2025, një rënie e lehtë prej 0.2% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë:

Evropa dhe Amerika e Jugut shënuan rritje të shitjeve nga 5% deri në 10%,

Amerika e Veriut u godit nga tarifat doganore të vendosura nga administrata e Donald Trump, me një rënie prej 12%,

ndërsa në Kinë, për shkak të konkurrencës së fortë nga prodhuesit lokalë, shitjet ranë me 6%.

Presion edhe në vitin 2026

Për vitin 2026, grupi me seli në Wolfsburg pret që përfitueshmëria të mbetet nën presion për shkak të:

rritjes së kostove të lëndëve të para,

konkurrencës së fortë globale,

dhe tensioneve gjeopolitike.

Megjithatë, kompania synon të rrisë marzhin operativ në mes 4% dhe 5.5%.

Në tregun kinez – dikur tregu kryesor i Volkswagen – kompania shpreson të rikuperojë terren përmes “fushatës më të madhe të produkteve në historinë e saj”, duke lançuar modele të reja të dizajnuara posaçërisht për tregun lokal.

Rriten primet e sigurimit të veturave në Zvicër

Primat e sigurimit të veturave në Zvicër janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, duke prekur rreth 45% të pronarëve të automjeteve, sipas një sondazhi të realizuar nga platforma krahasuese Comparis me rreth një mijë të anketuar.

Sipas sondazhit, shumica e shoferëve paguajnë mes 500 dhe 1.599 franga zvicerane për sigurimin e veturës. Ndër ata që kanë raportuar rritje të çmimit, rreth një e treta kanë paguar mbi 100 franga më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në disa raste rritja arrin deri në 200 franga.

Analiza tregon se rritja e primeve nuk lidhet domosdoshmërisht me aksidente apo dëme, pasi 80% e të anketuarve deklaruan se nuk kanë pasur asnjë kërkesë për dëmshpërblim gjatë vitit të kaluar.

Pavarësisht kostove më të larta, vetëm 6% e shoferëve kanë ndryshuar kompaninë e sigurimit, ndërsa një pjesë e madhe vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin sigurues për shumë vite. Sipas Comparis, ndryshimi i siguruesit mund të sjellë kursime prej të paktën 200 frangash për disa klientë.

Tragjedia në Chiètres: I dyshuari për zjarrin në autobusin postar ishte raportuar i zhdukur nga spitali

Personi që dyshohet se shkaktoi zjarrin tragjik në një autobus postar në qendër të Chiètres, në kantonin e Fribourgut, ishte raportuar më herët si i zhdukur nga një spital në kantonin e Bernës.

Sipas policisë kantonale të Bernës, alarmi për zhdukjen e tij u dha të martën pak pas orës 13:00. Menjëherë u nisën hetime dhe operacione kërkimi, ndërsa patrulla të shumta dhe shërbime të tjera u angazhuan për ta gjetur personin. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, ai nuk u lokalizua dhe nuk pati të dhëna konkrete për vendndodhjen e tij.

Autoritetet bënë të ditur se bëhet fjalë për një shtetas zviceran rreth të gjashtëdhjetave, i cili ishte nën trajtim mjekësor dhe kishte probleme të njohura të shëndetit mendor. Ai ishte gjithashtu i regjistruar në sistemin kombëtar të kërkimit Ripol.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Prokurori i Përgjithshëm i Fribourgut, Raphaël Bourquin, dyshohet se burri i ka vënë zjarrin vetes brenda autobusit postar, duke shkaktuar incidentin tragjik në qendër të qytetit.

Pavarësisht kërkimeve të policisë, autoritetet theksuan se deri të martën nuk kishte indikacione konkrete që ai mund të paraqiste rrezik për të tjerët apo për veten.

Qyteti zviceran Interlaken shtrëngon rregullat, ndërsa shtëpitë e dyta rriten ndjeshëm

Qyteti zviceran i Interlakenit ka prezantuar përsëri një zonë planifikimi që synon mbrojtjen e banesave për banorët me kohë të plotë. Ky veprim vjen në përgjigje të një rritjeje të ndjeshme të numrit të shtëpive të dyta në vitet e fundit.

Zona e planifikimit mbulon zonat rezidenciale, me përdorim të përzier dhe zonat kryesore. Ajo u lejon autoriteteve të pezullojnë procedurat e lejeve të ndërtimit deri në dy vjet nëse një projekt shkon kundër qëllimit të planit, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Interlakeni prezantoi një masë të ngjashme në vitin 2018 në përgjigje të rritjes së qiradhënieve turistike në platforma të tilla si Airbnb. Turizmi u rimëkëmb fuqishëm pas pandemisë Covid-19 dhe bashkitë fqinje që atëherë kanë shtrënguar rregullat e tyre. Sipas parlamentit të qytetit, hapat e ndërmarrë në Interlaken nuk janë më të mjaftueshëm.

Presioni në tregun e banesave është rritur ndjeshëm. Midis viteve 2020 dhe 2025, numri i apartamenteve u rrit nga 3,431 në 3,724, ndërsa numri i shtëpive të dyta u rrit në mënyrë disproporcionale, duke u ngjitur nga 428 në 554.

Kjo përbën një rritje prej 29.5%. Nëse ky trend vazhdon, Interlakeni së shpejti mund të arrijë pragun prej 20% për shtëpitë e dyta dhe të hyjë nën fushëveprimin e Aktit Federal të Shtëpive të Dyta.

Parlamenti ka fjalën e fundit

Gjatë zonës së planifikimit dyvjeçar, një grup pune i përbërë nga përfaqësues të parlamentit të qytetit, komisionit të ndërtimit dhe administratës do të shqyrtojë masa të mëtejshme. Fokusi i tyre kryesor do të jetë në shtrëngimin e rregullave rreth shndërrimit të banesave kryesore në shtëpi të dyta dhe në qiratë turistike afatshkurtra. Propozimet do të publikohen për konsultim publik përpara se parlamenti i qytetit të vendosë nëse do të ndryshojë rregulloret e ndërtimit.

Cilat vende janë prekur më shumë nga kriza në Lindjen e Mesme

Shoferët në të gjithë botën tashmë po e ndiejnë ndikimin ekonomik të luftës SHBA-Izrael me Iranin, pasi çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës, i cili ishte 2.94 dollarë për galon në shkurt, është rritur në 3.58 dollarë, një rritje prej rreth 20%, sipas të dhënave nga AAA Fuel Prices, gjurmuesi i çmimeve të karburantit i Shoqatës Amerikane të Automobilave. Edhe pse çdo shtet në SHBA përcakton çmimet e veta të benzinës, disa shtete tashmë kanë tejkaluar 4 dollarë për galon, ndërsa në Kaliforni çmimi ka tejkaluar 5 dollarë, niveli më i lartë në dy vitet e fundit, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Cilat vende panë rritjet më të mëdha të çmimeve?

Sipas të dhënave nga platforma Global Petrol Prices, e cila gjurmon çmimet në rreth 150 vende dhe të përpiluara nga Al Jazeera, të paktën 85 vende kanë parë rritjen e çmimeve të benzinës që nga sulmet e para të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

Disa vende njoftojnë ndryshime çmimesh vetëm në fund të çdo muaji, që do të thotë se shumë tregje pritet të shohin rritje të mëtejshme në prill.

Vietnami pa rritjen më të madhe, pothuajse 50%, me çmimin e benzinës 95 oktane që u rrit nga 0.75 dollarë për litër më 23 shkurt në 1.13 dollarë më 9 mars. Laosi pasoi me një rritje prej 33%, Kamboxhia me 19%, Australia me 18% dhe Shtetet e Bashkuara me rreth 17%.

Vendet aziatike varen kryesisht nga ngarkesat e energjisë që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila është një kalim kyç detar për naftën dhe gazin natyror të rajonit. Që nga fillimi i luftës, kalimi nëpër ngushtica është kufizuar ndjeshëm.

Ngushtica lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe është e vetmja dalje për prodhuesit e naftës të rajonit në oqeanin e hapur.

Në përgjigje të krizës, disa vende të Azisë Lindore kanë marrë masa emergjente për të stabilizuar tregjet e energjisë. Më 8 mars, Japonia u kërkoi objekteve të magazinimit të naftës të përgatiteshin për një lirim të mundshëm të rezervave strategjike. Të nesërmen, Koreja e Jugut vendosi një kufizim çmimesh për benzinën dhe naftën për herë të parë në 30 vjet.

Në Azinë Jugore, efektet e luftës janë edhe më të theksuara, pasi vende si Pakistani dhe Bangladeshi kanë rezerva të kufizuara financiare dhe rezerva më të vogla strategjike të energjisë.

Në Bangladesh, qeveria urdhëroi mbylljen e menjëhershme të të gjitha universiteteve publike dhe private për të kursyer energji. Në Pakistan, zyrat qeveritare tani do të funksionojnë katër ditë në javë, ndërsa shkollat ​​janë mbyllur dhe është në fuqi një politikë pune prej 50% në distancë për të ulur konsumin e karburantit.

Në Evropë, ministrat e financave të G7 mbajtën një takim urgjent për të diskutuar rritjen e çmimeve të energjisë, me Presidentin Francez Emmanuel Macron që madje ngriti mundësinë e lirimit të 20% deri në 30% të rezervave strategjike të naftës për të lehtësuar presionin mbi konsumatorët.

Hekurudhat Federale Zvicerane raportojnë numër rekord pasagjerësh në vitin 2025

Pavarësisht punimeve që janë duke u zhvilluar në rreth 20,000 kantiere ndërtimi, saktësia në rrjet është përmirësuar pak dhe kompania thotë se riorganizimi i biznesit të saj të transportit të mallrave “mbetet në rrugën e duhur”, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Vitin e kaluar, 94.1% e trenave mbërritën në kohë, nga 93.2% në vitin 2024, thanë të mërkurën Hekurudhat Federale. Kompania ia atribuon përmirësimin orarit të ri të futur në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe grupimit të punës së mirëmbajtjes në mbyllje të planifikuara të rrjetit.

Ndërsa kërkesa është rritur, janë rritur edhe kostot e operimit, mirëmbajtjes dhe energjisë. Hekurudhat Federale kanë raportuar gjithashtu një rënie të të ardhurave nga biznesi i saj i transportit të mallrave.

Kompania shënoi një fitim prej 496 milionë CHF (602 milionë dollarë), pothuajse dyfishi i 275 milionë CHF të regjistruar në vitin 2024. Megjithatë, ajo thotë se rritja është për shkak të “efekteve pozitive të njëhershme” dhe për këtë arsye nuk do të ndihmojë në uljen e borxhit të saj.

Hekurudhat Federale ende përballen me disa sfida, duke përfshirë vonesat që ndikojnë në shërbimet ndërkombëtare në stacionet kufitare. Kompania thotë se siguria mbetet gjithashtu një “çështje qendrore”.

“E qeshura e saj preku shumë njerëz”: Moderatorja Lara vdiq në zjarrin e autobusit

Të martën në mbrëmje, në Ried pranë Kerzers, një grua e re hipi në autobusin postar që po udhëtonte nga Düdingen drejt Kerzers. 26-vjeçarja vdiq vetëm disa minuta më vonë në zjarrin tragjik të autobusit postar në Kerzers (FR), ku humbën jetën gjashtë persona, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Ajo kishte hipur në autobus vetëm dy ndalesa para shpërthimit të zjarrit shkatërrues. Ndalesa e radhës e autobusit do të ishte te stacioni i trenit në Kerzers, prej nga zakonisht niset treni për në Bern.

Lara Baumgartner (26) ishte moderatore në Radio Energy dhe prezantonte emisione të mesditës dhe të fundjavës nga Berna. Në faqen e saj të internetit, Radio Energy shkruan se Lara ishte një “adhuruese e njerëzve – sidomos e atyre me karakter dhe veçanti.”

Ajo e donte psikologjinë, sepse sipas saj aty nuk ka vetëm bardhë e zi. “Lara donte të tregonte histori dhe të përjetonte emocione të mëdha – pikërisht atë që mund ta shprehte përmes radios.”

Të mërkurën pasdite, Radio Energy njoftoi për vdekjen e moderatores në Instagram:

“Mes viktimave ndodhet kolegia jonë e çmuar Lara Baumgartner, moderatore në Energy Bern. Lara ishte një njeri i mrekullueshëm dhe një kolege e jashtëzakonshme. E qeshura e saj, zemërgjerësia e madhe, humori i hollë dhe mënyra e saj e mençur e dashamirëse prekën shumë njerëz. Ajo lë pas një boshllëk që vështirë të përshkruhet me fjalë.”

Baumgartner kishte një pasion të madh për skenën dhe për shumë vite kishte marrë mësime këndimi.

“Kjo bëri që ajo sot të mos bënte kurrë gjëra përgjysmë kur bëhej fjalë për shprehje artistike”, përshkruhet ajo.

Autoritetet e Kosovës nderojnë me pjesëmarrje manifestimin “Kurora e Lirisë” në Bernë

Manifestimi përkujtimor dhe kulturor “Kurora e Lirisë”, që do të mbahet këtë të shtunë, më 14 mars në Kursaal Arena në Bernë, do të nderohet me praninë e përfaqësuesve të lartë institucionalë nga Republika e Kosovës.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës, Andin Hoti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ata do të jenë pjesë e këtij manifestimi përkujtimor kushtuar sakrificës së Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Gjithashtu “Kurora e lirisë” do të nderohet edhe nga përfaqësues të tjerë të jetës politike, si Adnan Azizi, deputet ne parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Enver Dugolli nga Parlamenti i Kosovës dhe të tjerë.

Prania e autoriteteve të Kosovës në këtë manifestim përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi ndërmjet institucioneve dhe mërgatës shqiptare në Zvicër, duke nderuar kujtesën historike dhe sakrificën për liri.

Manifestimi “Kurora e Lirisë” organizohet nga Këshilli i Shoqatave Kulturore Shqiptare në Zvicër, në bashkëpunim me shoqata dhe organizata kulturore shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në program do të marrin pjesë ansamble artistike, kore, grupe kulturore dhe artistë nga Zvicra dhe Kosova, duke sjellë një program të pasur përkujtimor dhe artistik.

Në kuadër të manifestimit do të hapet gjithashtu ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” e autorit Sefer Aliçkaj, e cila për herë të parë prezantohet për publikun në Zvicër.

Për më shumë informata kontaktoni koordinatoren dhe përgjegjësen e këtij projekti, Mirishahe Limani Hiler në 079 607 46 74.

Albinfo.ch fton të gjithë mërgimtarët që të jenë pjesë e këtij manifestimi i cili nderon jo vetëm ngjarjen por vet mërgatën si pjesë kyqe e Kurores së Lirisë.

 

 

 

Zvicra dhe Gjermania mbyllin ambasadat në Iran

Qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës kanë konfirmuar se kanë mbyllur përkohësisht ambasadat e tyre në Teheran.

Ambasadori zviceran dhe pesë anëtarë të stafit u larguan nga vendi sot me rrugë tokësore dhe tani ndodhen të sigurt jashtë vendit.

Gjermania gjithashtu ka zhvendosur përkohësisht misionin e saj në Teheran, si dhe dy misionet e saj në Irak, transmeton albinfo.ch.

Ato i bashkohen një liste në rritje vendesh që thuhet se kanë evakuuar stafin ose kanë mbyllur ambasadat e tyre për shkak të shqetësimeve të sigurisë, duke përfshirë Argjentinën, Austrinë, Azerbajxhanin, Islandën, Italinë, Holandën, Zelandën e Re, Serbinë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën.

Kanë mashtruar shtetin me 3.8 milionë euro: Burg disavjeçar për dy kosovarët në Austri

Në Linz të Austrisë, të martën, u dhanë vendime ligjërisht të detyrueshme në procesin gjyqësor ndj tre kontraktorëve të ndërtimit nga Kosova, të cilët u shkaktuan sigurimeve shoqërore 3.8 milionë euro dëme përmes praktikave të paligjshme.  Dy burra u dënuan me burgim dhe gjoba.

Gjyqi ishte planifikuar për tre ditë, por përfundoi papritur shpejt, trnmseton albinfo.ch. I pandehuri kryesor, një 41-vjeçar, u dënua me tre vjet e tre muaj burg. Ai gjithashtu duhet t’i paguajë shtetit 500,000 euro, në formë të konfiskimit të fitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme, raporton trnsmetuesi publik austriak, orf.at.

I pandehuri i dytë, 39-vjeçar, mori një dënim me burg prej 24 muajsh, gjashtë muaj nga të cilët duhet t`i vuajë pa kushte, ndërsa pjesa tjetër me kusht për tre vjet. Edhe ai duhet të paguajë 100,000 në emër të konfiskimit. Së bashku, ata gjithashtu duhet t`i paguajnë më shumë se 3.8 milionë euro dëme Fondit Austriak të Sigurimeve Shëndetësore (ÖGK), i cili ishte viktima kryesore e mashtrimit.

Sipas aktakuzës, gjatë një periudhe trevjeçare, më shumë se 4,000 punëtorë të huaj u regjistruan në sigurimet shoqërore në mënyrë nominale dhe më pas u çregjistruan, transmeton albinfo.at. Përmes këtyre regjistrimeve, punëdhënësit mashtruan sistemin e sigurimeve shoqërore me kontributet e punëdhënësit që duhej të paguanin.

Punëtorë me dokumente të falsifikuara

Hetimi u iniciua nga inspektimet e kantiereve të ndërtimit në Steiermark, të cilat treguan parregullsi. Autoritetet u vunë në dijeni të treshes kur disa punëtorë paraqitën dokumente të falsifikuara.

E pandehura e tretë, një grua 37-vjeçare, u lirua nga akuzat për mungesë provash, përcjell albinfo.at.

Të gjitha vendimet janë ligjërisht të detyrueshme.

Video: Ramadani rrëfehet në Itali: Rruga nuk ishte aspak e lehtë

Nga fillimet e vështira deri te lidhja me tifozët dhe shokët e skuadrës, Ylber Ramadani rrëfen rrugëtimin e tij në një dokumentar të Serie A.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare shprehet se ndjehet si në shtëpi te skuadra e Lecces, ndërsa pranoi se fillimet ishin të vështira për të, pasi edhe babi nuk kishte shumë dëshirë që ai të bëhej futbollist, transmeton albinfo.ch.

Nga Ballkani në Salento, udhëtimi i Ylber Ramadanit e ka çuar atë nëpër vende, kultura dhe liga përpara se të gjente stabilitet te Lecce.

Një mesfushor i palodhur dhe një pikë referimi kyçe për Di Francescon, ai e ka shndërruar betejën e mbijetesës në një përvojë rritjeje dhe pjekurie.

Mes brohoritjeve nga tifozët dhe lidhjeve me shokët e ekipit si Berisha, Ramadani vazhdon të vrapojë për të ndihmuar në sigurimin e një vendi në ligën e parë.

Karrierës së tij futbollistike, faqja zyrtare e Serisë A i ka përgatitur një dokumentar, ku Ramadani rrëfen të gjithë eksperiencat.

Ramadani: “Kam udhëtuar përreth botës dhe kam mësuar shumë, rreth kulturave të ndryshme. Shumë ndryshime nga një vend në një vend tjetër. Në Danimarkë bënte ftohtë, edhe në Skoci po ashtu. Tani po luaj te Lecce, dhe është sikur jam në shtëpi, ka plazh, ka diell ka gjithçka”.

Mesfushori i Kombëtares deklaron se është mjaft i lumtur që është pjesë e Lecces.

Ramadani: “U rrita shumë si lojtar. U rrita në presion. Të luftosh për të shmangur rënien nga kategoria nuk është e lehtë. Presioni shtohet kur ndeshjet nuk shkojnë sipas dëshirës tënde, sepse tifozët duan qëndrimin në serinë a. jam shumë i lumtur këtu, pasi kam mësuar shumë”.

Ramadani rrëfen se fillimet e tij ishin të vështira, ndërsa pranoi se edhe babi i tij ishte kundër që ai të bëhej futbollist.

Ramadani: “Në fillim babai nuk me linte të luaja futboll, sepse mendonte që nuk do ia dilja. Pastaj erdhi të më shihte duke luajtur dhe kuptoi se isha destinuar të bëhesha futbollist. Por unë gjithmonë e falënderoj, sepse më pas ai u bo krahu im i djathtë”.

Lecce po e ndjen mungesën e Medon Berishës dhe këtë e konfirmoi edhe Ramadani.

Ramadani: “Berisha mund ta mbajë vetën në Serinë A. Gjuajtjet e tij, fuqinë dhe cilësinë e tij e kanë të paktë lojtarë në Serinë A. ai krijon shumë raste dhe jep asiste. Ne e ndjejmë me vërtetë shumë mungesën e tij”

Tifozë e Lecces i kanë dedikuar këngë dy shqiptarëve dhe për këtë Ramadani është shumë krenar.

Ramadani: “Më pëlqen shumë kjo gjë, sepse shoh pasionin e tifozëve. Dua tua shpërblej besimin duke shmangur rënien nga kategoria”

Gjatë këtij sezoni, Ramadani ka luajtur 27 ndeshje nga 28 të mundshme në serinë a. duke qenë një titullar i padiskutueshëm. Ai ka mundur të shënojë vetëm një gol deri më tani, por kontributi në fushë është tepër i madh.

Ramadani është pjesë e Lecces prej tre vitesh. Kontrata e tij përfundon këtë verë, por klubi pritet të aktivizojë një klauzolë që rinovon automatikisht për një vit.

Rrëfehet dëshmitari tjetër: Kishte flakë kudo

Një 67-vjeçar me origjinë shqiptare ka folur për mediat zvicerane pas tragjedisë me 6 të vdekur dhe 5 të plagosur në Zvicër, pas përfshirjes nga flakët të një autobusi të transportit publik.

Ai tregoi momentet e para kur shpërtheu flaka dhe se kishte dalë nga shtëpia pa këpucë për të ndihmuar.

“Vetëm flakë kishte kudo”, thotë 67-vjeçari Osman Ismaili, pensionist që jeton në Kerzers prej 35 vitesh, apartamenti i të cilit është ngjitur me vendin ku ndodhi zjarri.

Ismaili ishte duke darkuar me familjen kur papritmas pa zjarrin nga dritarja. “Vetëm bërtita se kishte zjarr dhe dola jashtë pa këpucë,” thotë ai, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Më tej gjithçka që u zhvillua ishte dramatike, tregoi ai. “Pashë një burrë që mori një gur dhe theu një dritare. Pak më vonë, një person arriti të lirohej nga autobusi. Familja e tij kishte të afërm në autobus. Nuk e dimë ende çfarë ndodhi me ta”, thotë Ismaili me lot. Dhe përfundon: “Është thjesht e keqe dhe e trishtueshme.”

Një autobus i transportit publik u përfshi nga flakët në qendër të Kerzers në kantonin e Fribourg, Zvicër të martën në mbrëmje, duke sjellë një bilanc tragjik me gjashtë të vdekur dhe pesë të plagosur. Sipas mediave vendase, dyshohet se një person hodhi një shishe me benzinë dhe u dogj edhe vetë madje. Megjithatë nuk ka ende një version zyrtar për ngjarjen e rëndë.

https://www.blick.ch/schweiz/freiburg/augenzeuge-osman-ismaili-67-ich-bin-sofort-ohne-schuhe-rausgerannt-id21771596.html

Çfarë dihet deri tani për autorin e dyshuar në Kerzers

Autoritetet zvicerane kanë dhënë vetëm informacione të kufizuara lidhur me autorin e dyshuar të ndjerë në Kerzers. Sipas tyre, detaje të mëtejshme do të publikohen vetëm pasi të informohen fillimisht familjet e viktimave, transmeton albinfo.ch.

Deri më tani, policia ka bërë të ditur se autori i dyshuar ishte “me sa duket zviceran” dhe banonte në Bern. Ai dyshohet të ketë qenë rreth 60 vjeç dhe, sipas autoriteteve, kishte probleme të shëndetit mendor.

Siç njoftoi Raphaël Bourquin, Prokurori i Përgjithshëm i kantonit Fribourg, i dyshuari ishte raportuar më parë edhe si person i zhdukur.

Gjatë një konference për shtyp, ai u përshkrua si një person që jetonte në margjinat e shoqërisë. Ndërkohë, policia kantonale e Fribourg-ut nuk dha menjëherë informacione për kombësinë e tij, duke theksuar se duhet pritur identifikimi zyrtar përpara publikimit të të dhënave të tjera./Albinfo.ch

“62 franga për 3 km”: Taksit në Cyrih kërkojnë rivendosjen e tarifave maksimale

Një fenomen i veçantë po ndodh në Cyrih: në vend që të kërkojnë rritjen e çmimeve, një grup që përfaqëson shoferët e taksive po propozon të vendoset një tarifë maksimale për udhëtimet brenda qytetit, përcjell albinfo.ch.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Taksi dhe Limuzinë në 2024, tarifat maksimale të mëparshme u hoqën, dhe disa shoferë filluan të ngarkojnë çmime të larta edhe për udhëtime shumë të shkurtra. Për shembull, një udhëtim 3,3 km mund të kushtojë 62 franga.

Shoqata e Taksive të Cyrihut ka dërguar një kërkesë më 19 shkurt tek Carmen Walker-Späh, drejtoreshë e Departamentit të Çështjeve Ekonomike, për rivendosjen e tarifës maksimale kantonale. Propozimi përfshin:

Tarifa bazë: 7 franga për udhëtim

Tarifa për kilometër: 4,40 franga

Tarifa për minutë: 1,30 franga

Rudolf Raemy, president i shoqatës, shpjegon se liberalizimi i tregut ka rritur numrin e shoferëve, por konkurrenca ka çuar në rritje të çmimeve, veçanërisht pranë stacionit kryesor të trenit, ku udhëtarët shpesh kanë nevojë për shpejtësi.

Departamenti i Çështjeve Ekonomike ka deklaruar se deri tani nuk ka prova konkrete të abuzimit me çmimet, por kërkesa po shqyrtohet.

Këshilla për udhëtarët: Për të shmangur tarifat e larta, prenotoni udhëtimet paraprakisht dhe kontrolloni tarifat zyrtare të kompanisë.

Tarifat zyrtare të disa qyteteve të mëdha zvicerane:

Cyrih

Gjenevë

Bazel

Bern

Losanë

Lugano

Magic Pass zgjeron destinacionet: më shumë stacione në Zvicër dhe Europë

Abonimi i udhëtimeve Magic Pass, tashmë i popullarizuar në kantonet Valais dhe Vaud, po vazhdon zgjerimin strategjik duke përfshirë rajone të tjera në Zvicër dhe Europë, përcjell albinfo.ch.

Nga ky sezon, përdoruesit e Magic Pass mund të përfitojnë nga akses në destinacione si Cyrih, Solothurn, Gjenevë, Évian (Francë) dhe Domodossola (Itali), si dhe në stacione më të vogla si Klewenalp Stockhütte (Nidwalden), Sattel Hochstuckli (Schwyz), Hohe Winde (Solothurn), Valbirse (Bern) dhe Bernex (Francë).

Ky pas ofron tashmë akses në më shumë se 100 stacione dimërore dhe 53 verore, duke u bërë një zgjidhje e gjithanshme për adhuruesit e sporteve dimërore dhe pushimeve verore.

Çmimet mbeten të pandryshuara: 419 franga për vit për të rriturit dhe 282 franga për fëmijët, duke ofruar një opsion të përballueshëm për familjet dhe udhëtarët e rregullt./Albinfo.ch

Lufta në Iran godet turizmin zviceran: Kompanitë në Cyrih planifikojnë punë me orar të shkurtuar

Eskalimi i luftës në Iran po ndikon dukshëm në sektorin zviceran të udhëtimeve dhe aviacionit. Për shkak të situatës, disa kompani po planifikojnë punë me orar të shkurtuar, që do të thotë një ulje përkohshme ose pezullim i aktivitetit pa shkarkuar punonjësit, përcjell albinfo.ch.

Elisha Nicolas Schuetz, zëdhënës i Swiss Travel Association, tha se “lufta po ndikon gjithë industrinë zvicerane të udhëtimeve.”

Sipas tij, veçanërisht të prekur janë operatorët turistikë që ofrojnë udhëtime drejt Lindjes së Mesme, si dhe linjat ajrore që fluturojnë në ato destinacione.

Kjo masë e përkohshme synon të ndihmojë kompanitë të përballojnë pasojat ekonomike të konfliktit ndërsa ruhet vendi i punës për punonjësit./Albinfo.ch

Osmani pret përfaqësuesit e NATO-s, falënderon gjeneralin Sven Lange për kontributin në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe përfaqësuesen e NATO-s Blanca Hereza Atienza, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të NATO në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovo. Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.

Presidentja theksoi se mbështetja e NATO-s ka qenë veçanërisht e rëndësishme në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Kosovës.

Me këtë rast, Osmani vlerësoi punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po përmbyll mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Në fund të takimit, presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për paqe, stabilitet dhe për vlerat euroatlantike, si dhe aspiratën për integrim në NATO./Albinfo.ch

Pse transporti publik në Zvicër po bëhet gjithnjë e më shpesh skenë krimesh?

Zjarri fatal në një autobus postar në Kerzers në kantonin Fribourg, ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë u plagosën, ka tronditur opinionin publik në Zvicër. Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se zjarri është shkaktuar qëllimisht nga një burrë, megjithëse motivi i mundshëm i këtij akti mbetet ende i panjohur, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka rikthyer debatin për sigurinë në transportin publik, pasi kjo nuk është hera e parë që autobusët apo trenat në vend bëhen skenë e krimeve të rënda.

Sulmi me thikë dhe zjarr në tren në vitin 2016

Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 13 gusht 2016 në një tren rajonal të operuar nga Südostbahn pranë Salez në kantonin St. Gallen. Një 27-vjeçar zviceran derdhi lëng të ndezshëm në vagon dhe i vuri flakën, ndërsa sulmoi pasagjerët me thikë.

Si pasojë e sulmit, një grua 34-vjeçare dhe vetë autori i krimit vdiqën nga plagët e rënda, ndërsa më vonë ndërroi jetë edhe një vajzë 17-vjeçare për shkak të djegieve. Në total u plagosën shtatë persona, përfshirë edhe një fëmijë gjashtëvjeçar. Hetimet e prokurorisë arritën në përfundimin se autori ishte një person me probleme të rënda psikologjike dhe me motive mizogjiniste.

Sulm terrorist në Morges

Një tjetër ngjarje që tronditi vendin ndodhi më 12 shtator 2020 në Morges në kantonin Vaud. Pranë stacionit të trenit, një burrë sulmoi me thikë një kalimtar në një restorant kebapi.

Viktima, një 29-vjeçar me origjinë portugeze, humbi jetën në vendngjarje. Autori, një shtetas zvicerano-turk, u arrestua menjëherë dhe më vonë u dënua nga Gjykata Supreme Federale e Zvicrës me 20 vjet burg, pasi sulmi u cilësua si i motivuar nga ideologjia islamiste.

Të shtëna në stacionin e trenit në Pratteln

Në qershor të vitit 2022, një burrë hapi zjarr drejt kalimtarëve në stacionin e trenit në Pratteln në kantonin Basel-Landschaft. Autori ishte nën ndikim të fortë të alkoolit dhe arma e tij u bllokua, gjë që sipas hetuesve mund të ketë shmangur një tragjedi edhe më të madhe.

Në vitin 2024 ai u përball me drejtësinë dhe u dënua me dy vjet e gjysmë burg, pjesërisht me kusht, ndërsa ekspertët konstatuan se gjendja e tij mendore kishte qenë rëndë e dëmtuar në momentin e incidentit.

Pengmarrja në tren në Yverdon

Një tjetër incident dramatik ndodhi më 8 shkurt 2024 pranë Yverdon-les-Bains. Një azilkërkues kurdo-iranian mori peng 13 persona në një tren dhe i mbajti për rreth katër orë nën kërcënimin e një sëpate.

Pas negociatave të gjata, policia ndërhyri dhe e qëlloi për vdekje autorin. Pengjet shpëtuan pa lëndime. Hetimet më vonë treguan se ai vuante nga probleme të rënda psikologjike dhe kishte zhvilluar një obsesion ndaj një punonjësi të një qendre azili.

Debati për sigurinë në transportin publik

Edhe pse transporti publik në Zvicër konsiderohet ndër më të sigurtit në Evropë, incidentet e viteve të fundit tregojnë se ai nuk është imun ndaj akteve të dhunës apo krizave individuale.

Tragjedia në Kerzers ka rikthyer sërish pyetjet për sigurinë e pasagjerëve dhe për mënyrat se si autoritetet mund të parandalojnë incidente të ngjashme në të ardhmen, ndërsa hetimet për motivet e zjarrit fatal në autobusin postar vazhdojnë./Albinfo.ch