Galatasaray i bën ofertë Dua Lipës për festën e titullit kampion në Stamboll

Klubi turk Galatasaray S.K. ka bërë një ofertë zyrtare ndaj këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa, për të performuar në festimet e titullit kampion që pritet të mbahen në Stamboll, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, oferta e klubit kap vlerën e rreth 2 milionë dollarëve për interpretimin e katër këngëve gjatë ceremonisë festive, e cila do të shënojë suksesin e sezonit për gjigantin turk.

Ftesa ndaj artistes shqiptare nuk shihet vetëm si një lëvizje marketingu, por edhe si një element simbolik i lidhur me historinë dhe identitetin e klubit. Galatasaray S.K. shpesh përmendet në disa media dhe qarqe tifozësh si “skuadra e shqiptarëve të Stambollit”, për shkak të lidhjeve historike të themelimit të saj.

Klubi u themelua në vitin 1905 nga Ali Sami Yen, i cili në disa burime historike përmendet si i lidhur me figurën e rilindasit shqiptar Sami Frashëri, duke i dhënë kësaj historie një dimension kulturor që shpesh theksohet nga tifozët shqiptarë dhe turq.

Nëse marrëveshja finalizohet, performanca e Dua Lipës do të ishte një nga momentet më të spikatura të festimeve të titullit kampion në Stamboll./Albinfo.ch

Partitë tjera i publikojnë listat e deputetëve, PDK-ja ende jo

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

Por Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhjet e fundit nacionale, nuk e ka bërë ende. 

Të martën ishte afati i fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve.

Albin Kurti do t’i prijë listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Top 10 janë edhe Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari Lila, Hajrulla Çeku e Shqipe Memeti Selimi. 

Në listë nuk janë emra si Besnik Bislimi e Hysen Durmishi. Durmishi në një postim në Facebook tha se vetë ka vendosur të mos jetë pjesë e listës. Në listën e Vetëvendosjes me numër 15 është Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. 

Bartëse e listës së LDK-së është ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në Top 10 në listë nuk janë emrat si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami.  Hoti do të mbajë numrin 11 e Bajrami 12. Në krye të listës është Vjosa Osmani, teksa numri dy do të jetë Lumir Abdixhiku. Dhjetëshen e parë e kompletojnë Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci e Anton Quni.

“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”, ka shkruar Hoti.

“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale. Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë.  Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka proklamuar “bashkimin e madh”. Në listë është kthyer Osmani dhe me vete ka sjellë edhe disa emra nga ish-partia e saj Guxo.  Por, “bashkimi  i madh” ka hasir në rezistencë nga brenda LDK-së. Të hënën dega e LDK-së në Podujevë e nominoi ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, si kandidat për deputet. Por, Veliu nuk e pranoi numimin ndërsa kritikoi Abdixhikun. 

E kritika të martën ka pasur edhe Melihate Tërmkolli. 

“Dmth, unë Melihate Tërmkolli, ndër të parët e LDK-s, në temele të saj e para saj, me një jetë të tërë plot sakrifica, punë e kontribute për liri e shtet, me plot rreziqe jetësore në të gjitha fazat politike, gjithherë me qëndrime të qarta politike kombëtare, me punu sot për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-n, për Lulmira, Vjosa, e krejt udhëheqjen e saj, për tuxharitë e multi milionat e tyre a?! E valla jo!” – ka shkruar Tërmkolli në Facebook.

Te AAK-ja bartës i listës është Ardian Gjini, ndërsa Ramush Haradinaj garon me numrin 11. Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave nga partitë politike.

Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se s’do të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. E Partia Socialdemokrate në këto zgjedhje do të garojë me 6 kandidatë. 

Partia Demokratike e Kosovës ende s’e ka publikuar listën. Kryesia e PDK-së të hënën mori vendim të mos e përfshijë në listë Fatmir Limaj dhe anëtarë tjerë të Nismës Socialdemokrate.

Vetëvendosje publikon listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit

Lëvizja Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, transmeton albinfo.ch.

Në krye të listës është vendosur Albin Kurti, i cili njëkohësisht është edhe kandidat për kryeministër nga ky subjekt politik.

Pas tij, në listë janë renditur edhe kandidatët e tjerë për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, të cilët pritet të garojnë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

Publikimi i listës vjen në kuadër të përgatitjeve të partisë për fushatën zgjedhore, ndërsa pritet që ditët në vijim të ketë edhe zhvillime të tjera politike lidhur me koalicionet dhe programet elektorale./Albinfo.ch

Eurovision 2026: 10 vendet e para që kaluan në finale

Në natën e parë të garës së Eurovision Song Contest 2026, janë përzgjedhur 10 finalistët e parë që kalojnë më tej në fazën përfundimtare të kompeticionit muzikor europian.

Sipas rezultateve të publikuara pas votimit të jurisë dhe publikut, vendet që siguruan kualifikimin janë:

Greqia

Finlanda

Belgjika

Suedia

Moldavia

Izraeli

Serbia

Kroacia

Polonia

Lituania

Këto shtete arritën të bindin me performancat e tyre në skenë, duke siguruar vendin në fazën tjetër të garës.

Eurovision Song Contest 2026 është një nga ngjarjet më të ndjekura muzikore në Evropë, ku artistë nga vende të ndryshme konkurrojnë me këngë origjinale, duke synuar trofeun e fituesit dhe famën ndërkombëtare.

LDK publikon listën e kandidatëve, debat për renditjen e figurave kryesore

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit, ku në krye të saj figuron Vjosa Osmani Sadriu.

Lista përfshin gjithsej 110 kandidatë, me përfaqësim nga struktura të ndryshme partiake te LDK-së dhe emra që u përfshinë përmes ish-presidentes Osmani.

Megjithatë, publikimi i listës ka shkaktuar debat të gjerë brenda partisë dhe në opinionin publik për mënyrën e renditjes së kandidatëve.

Sipas listës së publikuar, emra të caktuar të LDK-së si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami janë renditur në pozitat 11 dhe 12, gjë që ka nxitur reagime dhe diskutime për peshën e tyre në listë dhe procesin e përzgjedhjes.

Emrat që i prijnë listës:

​Vjosa Osmani Sadriu

​Lumir Abdixhiku

​Kujtim Shala

​Doarsa Kica Xhelili

​Lutfi Haziri

​Jehona Lushaku Sadriu

​Albena Reshitaj

​Ukë Rugova

​Jeta Statovci

​Anton Quni

​Avdullah Hoti

​Hykmete Bajrami

 

Italia njeh zyrtarisht tre prindër për një fëmijë: vendimi që ndezi debat të madh

Një gjykatë italiane ka marrë një vendim të rrallë dhe shumë të komentuar, duke njohur ligjërisht tre prindër për një fëmijë 4-vjeçar – dy baballarë dhe një nënë. Ky rast ka hapur debat të madh në Itali dhe ka nxitur reagime të forta nga grupet konservatore.

Fëmija ka lindur në Gjermani dhe jeton atje me një çift burrash të martuar, ku njëri prej tyre është babai biologjik. Nëna biologjike është një mike e çiftit, e cila ka pranuar të jetë pjesë e jetës së fëmijës.

Babai jobiologjik, me shtetësi italo-gjermane, e kishte adoptuar fëmijën sipas ligjit gjerman dhe më pas kërkoi që adoptimi të njihej edhe nga autoritetet italiane. Fillimisht kërkesa u refuzua për shkak të dyshimeve për surrogaci, praktikë e ndaluar në Itali.

Por Gjykata e Apelit në Bari rrëzoi këtë vendim, duke sqaruar se nuk kishte prova për surrogaci. Si rezultat, Italia tashmë e njeh zyrtarisht fëmijën me dy baballarë dhe një nënë.

Avokatja e njërit prej prindërve tha se ky nuk ishte një rast i marrëveshjeve të fshehta, por i tre personave që duan të kujdesen dhe të jenë pjesë e jetës së fëmijës.

Vendimi u publikua në kohën kur Italia po shënonte 10-vjetorin e legalizimit të bashkimeve civile për çiftet e gjinisë së njëjtë, ndërsa organizatat konservatore e kanë dënuar ashpër këtë hap të gjykatës

AAK zyrtarizon kandidatët për deputetë, Ramush Haradinaj renditet i 11-ti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit në Kosovë. Në këtë listë bie në sy fakti se ish-kryetari dhe themeluesi i AAK-së, Ramush Haradinaj, garon me numrin 11.

Lista e publikuar përfshin 110 kandidatë nga radhët e Aleancës, ndërsa në dhjetëshen e parë janë përfshirë emra të njohur të partisë.

Kandidatët e parë në listë janë:

Ardian Gjini

Besnik Tahiri

Time Kadrijaj

Bekë Berisha

Arber Tolaj

Albana Bytyqi

Burim Ramadani

Avni Arifi

Diellza Kukaj

Agim Çeku

Ndërkaq, Ramush Haradinaj renditet i 11-ti në këtë listë zgjedhore.

Kryeparlamentari i Maqedonisë në Bernë: Diskutime për etikën parlamentare dhe konsensusin politik

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara në Bern në kuadër të programit “Diskutimet Malore për Etikën Parlamentare”.

Gjatë fjalës së tij, Gashi theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe vullnetit politik për arritjen e konsensusit rreth çështjes së etikës parlamentare, duke e cilësuar atë si thelbësore për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet demokratike.

Ai shprehu optimizëm se procesi i diskutimeve do të kontribuojë në reflektimin mbi vlerat demokratike, me fokus në integritetin parlamentar dhe përgjegjësinë publike, transmeton albinfo.ch.

Diskutimet mbi Kodin Etik pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në këtë kontekst, Gashi falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Ambasadën e Zvicrës dhe NDI, për mbështetjen e këtij procesi.

Programi synon avancimin e standardeve të etikës parlamentare dhe forcimin e kulturës së përgjegjësisë institucionale në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Skadimi i patentave të barnave rrit konkurrencën, por çmimet e ilaçeve nuk pritet të bien ndjeshëm

Shumë ilaçe shumë të shitura në botë, të njohura si “bllokbaster”, po humbasin mbrojtjen e tyre me patentë. Kjo do të thotë se kompani të tjera mund t’i prodhojnë ato si barna gjenerike, që zakonisht janë më të lira.

Kjo situatë po ndikon te kompanitë e mëdha farmaceutike si Novartis dhe Roche, të cilat kanë raportuar rënie të të ardhurave. Arsyeja kryesore është pikërisht hyrja në treg e barnave gjenerike që konkurrojnë me ilaçet e tyre origjinale.

Megjithatë, ekspertët thonë se kjo është një fazë e përkohshme. Kompanitë farmaceutike po zhvillojnë vazhdimisht barna të reja për të zëvendësuar ato që humbasin patentën, prandaj ndikimi në afatgjatë pritet të balancohet.

Nga ana tjetër, barnat gjenerike mund të ndihmojnë në uljen e disa çmimeve, por nuk pritet që të ulin ndjeshëm koston totale të ilaçeve në Zvicër. Kjo për shkak se në treg po dalin edhe barna të reja shumë të shtrenjta, ndërsa konsumi i ilaçeve po rritet.

Në përgjithësi, skadimi i patentave po sjell më shumë konkurrencë në treg, por jo domosdoshmërisht ulje të madhe të çmimeve për pacientët.

“Mes Poezisë dhe Algoritmave”, mbrëmje poetike dhe tryezë tematike në Cyrih

Më 30 maj 2026, në Zurich do të organizohet mbrëmja poetike dhe tryeza tematike me titull “Mes Poezisë dhe Algoritmave”, një aktivitet kushtuar reflektimit mbi raportin ndërmjet krijimtarisë njerëzore, artit dhe epokës digjitale.

Programi do të përfshijë poezi, diskutime tematike dhe pika muzikore, duke sjellë një hapësirë dialogu mes letërsisë, mendimit kritik dhe zhvillimeve teknologjike bashkëkohore.

Aktiviteti mbahet më 30 maj 2026, duke filluar nga ora 19:00, në adresën Eugen-Huberstrasse 19a, 8048 Zürich.

Mbrëmja organizohet në bashkëpunim ndërmjet Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër.

Organizatorët kanë ftuar të interesuarit që ta konfirmojnë pjesëmarrjen deri më 23 maj 2026 në adresën elektronike: [email protected].

 

 

Eurovision 2026 nis mes tensioneve në Vjenë, 5 shtete bojkotojnë festivalin

Sonte ka nisur edhe zyrtarisht edicioni i këtij viti i Eurovision Song Contest 2026, me gjysmëfinalen e parë që po zhvillohet në Vjenë.

Ky edicion ka startuar në një atmosferë të tensionuar, pasi pesë shtete: Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda, kanë vendosur të bojkotojnë festivalin në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.

Sipas formatit të Eurovisionit, 10 shtetet më të votuara nga kjo gjysmëfinale kalojnë në finale, ndërsa 10 të tjera do të kualifikohen nga gjysmëfinalja e dytë që mbahet më 14 maj.

Finalen tashmë e kanë të siguruar “Big Five” Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia si dhe Austria si vend pritës dhe fituese e edicionit të kaluar.

Organizatorët kanë forcuar masat e sigurisë në Vjenë, për shkak të protestave të paralajmëruara dhe shqetësimeve për rendin publik, ndërsa ky edicion po konsiderohet ndër më të diskutuarit e viteve të fundit.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Shqipërisë këtë vit, Alis me këngën “Nan”, do të ngjitet në skenë në gjysmëfinalen e dytë që mbahet të enjten, duke synuar një vend në finalen e madhe të festivalit.

Po ashtu, në këtë edicion të Eurovision Song Contest 2026, Zvicrën e përfaqëson Veronica Fusaro me këngën “Alice”, ndërsa Austria garon me artistin Cosmó dhe këngën “Tanzschein”, si vend pritës i festivalit të këtij viti.

Zhduket pa gjurmë 26-vjeçarja në Alpet e Bernës, familja në ankth apelon publikisht: “Vazhdoni ta kërkoni Abrarin!”

Studentja e mjekësisë u zhduk para 10 ditësh në Alpet e Bernës. Familja e saj lutet: “Ju lutemi shpërndani fotot e saj dhe vazhdoni kërkimet!” Çdo informacion mund të raportohet në numrin e telefonit +41 78 216 81 31 ose pranë Kantonspolizei Bern. Interlaken BE: Abrar Bin Ramadan (26) wird vermisst – Blick

Prej dhjetë ditësh nuk ka asnjë gjurmë nga gjermanja Abrar Bin Ramadan (26), me prejardhje libiane. Sipas të dhënave të Kantonspolizei Bern, e reja kishte hipur më 2 maj në trenin nga Berna drejt Interlakenit. Dyshohet se ajo kishte planifikuar një ecje malore nga Harderkulm drejt Augstmatthorn në Alpet e Emmentalit.

Që nga ajo ditë, 26-vjeçarja nuk është kthyer më dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.

Familjarët dhe miqtë e saj kanë nisur një apel të gjerë në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e publikut për shpërndarjen e fotografive të saj. Sipas mediave gjermane, shumë të afërm dhe njohës të Abrarit kanë kontaktuar edhe mediat zvicerane, duke shprehur dëshpërimin dhe shpresën që ajo të gjendet gjallë.

“Ju lutemi vazhdoni t’i shpërndani fotot e saj. Vazhdoni kërkimet! Ne besojmë me gjithë zemër se Abrari është ende gjallë”, ka deklaruar motra e saj për median gjermane Bild.

Abrar Bin Ramadan studion mjekësi dhe aktualisht po kryente një praktikë njëvjeçare në Zvicër. Ajo besohet se vjen nga qyteti i Chemnitz. Për shkak se vendbanimi i saj kryesor ndodhet në landin gjerman të Saksonisë, autoritetet zvicerane dhe ato gjermane po bashkëpunojnë ngushtë për rastin.

Sipas policisë kantonale të Bernës, aktualisht nuk ka indicie të reja për vendndodhjen e saj. “Kërkimet nuk janë ndërprerë përfundimisht, por janë pezulluar përkohësisht”, ka bërë të ditur policia. Ndërkohë, hetimet dhe verifikimet po vazhdojnë në prapavijë.

Policia thekson se ditët e para pas zhdukjes janë zakonisht më vendimtaret për gjetjen e një personi të zhdukur.

“Vjen një moment kur të gjitha masat e mundshme janë shteruar dhe kërkimet duhet të ndërpriten përkohësisht, edhe pse kjo mbetet jashtëzakonisht e rëndë për familjarët”, thuhet më tej.

Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet mund të rifillojnë sapo të ketë pista të reja ose kur shkrirja e borës në zonat alpine të krijojë mundësi të tjera kontrolli, transmeton Blick.

Studimi në Zvicër: Testet e vozitjes për të moshuarit mbi 75 vjeç nuk janë të besueshme

Një studim kombëtar në Zvicër ka konstatuar se testet për vlerësimin e aftësisë së vozitjes te personat mbi 75 vjeç nuk janë mjaftueshëm të besueshme. Hulumtimi, i realizuar nga disa institucione zvicerane me kërkesë të Zyrës Federale të Rrugëve, evidenton mangësi në testet aktuale dhe dallime të mëdha në procedurat që aplikohen nga kantoni në kanton.

Sipas raportit, shumë teste neuropsikologjike nuk arrijnë të parashikojnë me saktësi sjelljen reale të shoferëve në trafik. Ekspertët rekomandojnë krijimin e një strategjie kombëtare për standardizimin e vlerësimeve dhe përmirësimin e mbështetjes ndaj shoferëve të moshuar.

Studimi propozon që në rastet e dyshimta të aplikohen teste praktike në rrugë nga profesionistë të trajnuar, si dhe të bëhet i detyrueshëm trajnimi për mjekët që kryejnë kontrollet mjekësore të shoferëve mbi 75 vjeç.

Ekspertët sugjerojnë gjithashtu një sistem më të qartë klasifikimi të aftësisë për vozitje, që do të mundësonte masa mbështetëse ose tërheqje të patentës në rastet e nevojshme.

Pse Zvicra u bë kaq e pasur

Një libër i ri i historianit zviceran Markus Somm po rikthen debatin mbi arsyet pse Zvicra u shndërrua në një nga shtetet më të pasura në botë, pavarësisht mungesës së burimeve natyrore.

Në librin “Why Switzerland Became Rich: Facts and Myths of an Economic Miracle”, autori argumenton se pasuria e Zvicrës nuk erdhi brenda natës, por u ndërtua gradualisht gjatë disa shekujve, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas Somm, një nga faktorët më të rëndësishëm ishte neutraliteti historik i vendit. Ai thotë se politika e mosndërhyrjes në konflikte i lejoi Zvicrës të krijojë marrëdhënie tregtare me fuqi të ndryshme evropiane pa u parë si kërcënim politik apo ushtarak.

Një rol kyç ka luajtur edhe pozita gjeografike. E vendosur në zemër të Evropës dhe në kryqëzimin mes botës gjermanike dhe asaj latine, Zvicra përfitoi nga rrugët kryesore tregtare që kalonin nga veriu në jug të kontinentit.

Historiani thekson gjithashtu rëndësinë e stabilitetit politik dhe sistemit zviceran të demokracisë direkte, që ka krijuar besim të lartë tek institucionet dhe një klimë të favorshme për biznesin dhe investimet.

Ekspertët përmendin edhe faktorë të tjerë që kanë ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit:

inovacionin dhe industrinë e teknologjisë së lartë

bankat dhe sektorin financiar

industrinë farmaceutike

arsimin profesional dhe produktivitetin e lartë.

Megjithatë, libri kujton se Zvicra nuk ka qenë gjithmonë e pasur. Në shekujt e kaluar, shumë zviceranë emigronin për shkak të varfërisë dhe mungesës së mundësive ekonomike, sidomos në rajonet malore dhe rurale.

Sot, Zvicra mbetet një nga ekonomitë më të forta në botë, me të ardhura shumë të larta për banor dhe me sektorë globalë si farmaceutika, financat, teknologjia dhe eksportet industriale.

Hoti reagon për listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

Në media u raportua se Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka lënë jashtë dhjetëshes së parë, Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin.

Për këtë të fundit u raportua se ai është pozicionuar me numër 11 si kandidat për deputet nga LDK-ja, ndërsa Hykmete Bajrami me numër 12, transmeton albinfo.ch.

Për këtë ka reaguar vetë Hoti në Facebook, ku ka shkruar se rëndësi ka numri i LDK-së, pasi numrat tjerë i përcaktojnë qytetarët.

“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët. I juaji, Avdullah Hoti”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Gratë mbi 50 vjeç po nënvlerësohen në tregun e punës në Zvicër

Gratë mbi moshën 50-vjeçare vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi serioze në tregun zviceran të punës, pavarësisht përvojës së tyre profesionale dhe mungesës së fuqisë punëtore në shumë sektorë.

Sipas një analize të publikuar në mediat zvicerane, shumë kompani vazhdojnë t’i konsiderojnë gratë e kësaj grupmoshe si më pak fleksibile, më pak të përshtatshme për teknologjitë e reja ose më të kushtueshme për t’u punësuar, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se ky perceptim bie ndesh me realitetin demografik të Zvicrës, ku popullsia po plaket dhe ekonomia ka gjithnjë e më shumë nevojë për punonjës me përvojë.

Sipas studimeve të tregut të punës, gratë mbi 50 vjeç shpesh hasin më shumë vështirësi për të gjetur punë të re pas humbjes së vendit të punës, krahasuar me burrat e së njëjtës moshë. Në shumë raste, ato përballen edhe me paga më të ulëta dhe më pak mundësi avancimi.

Organizatat për barazi gjinore theksojnë se kjo kategori sjell shumë avantazhe në kompani:

përvojë profesionale

stabilitet

aftësi komunikimi dhe menaxhimi

si dhe besnikëri më të madhe ndaj punëdhënësit.

Megjithatë, stereotipet për moshën vazhdojnë të ndikojnë negativisht në proceset e rekrutimit.

Ekspertët kërkojnë që kompanitë zvicerane të fokusohen më shumë tek aftësitë dhe eksperienca sesa tek mosha, sidomos në një kohë kur shumë sektorë po përballen me mungesë punonjësish.

 

 

 

Cilët sektorë preken nga iniciativa kundër emigracionit

Zvicra mund të përballet me mungesë serioze fuqie punëtore në dekadat e ardhshme nëse qytetarët miratojnë iniciativën “No to 10 million” në referendumin e 14 qershorit.

Sipas një studimi të publikuar së fundmi, vendi mund të ketë mungesë deri në 329 mijë punëtorë me orar të plotë deri në vitin 2050 nëse kufizohet emigracioni, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Studimi paralajmëron se problemet do të ndihen shumë më herët, madje në disa kantone që nga viti 2030, për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës aktuale të stafit në tregun e punës.

Sektorët më të rrezikuar janë:

shëndetësia

teknologjia dhe IT

prodhimi industrial

hoteleria dhe gastronomia

kujdesi për të moshuarit.

Në shumë prej këtyre profesioneve, punëtorët nga BE dhe EFTA zënë mes 25% dhe 45% të vendeve të punës.

Iniciativa e promovuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) synon të kufizojë popullsinë e Zvicrës në maksimum 10 milionë banorë deri në vitin 2050 dhe mund të çojë në rikthimin e kuotave për emigracionin.

Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se ekonomia zvicerane varet shumë nga fuqia punëtore e huaj dhe se kufizimet e reja mund të dëmtojnë rëndë tregun e punës dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se emigracioni i lartë po ushtron presion mbi banesat, transportin dhe infrastrukturën publike, sidomos në qytetet e mëdha.

Fshati zviceran Brienz pothuajse nuk po rrëshqet më

Pas vitesh frike nga rrëshqitjet masive të dheut dhe shkëmbinjve, situata në fshatin malor Brienz/Brinzauls është stabilizuar ndjeshëm.

Sipas ekspertëve dhe autoriteteve lokale, lëvizja e masës së madhe shkëmbore mbi fshat është ngadalësuar aq shumë sa që aktualisht fshati “pothuajse nuk po rrëshqet më”, transmeton albinfo.ch.

Fshati në kantonin Graubünden ishte bërë simbol i rrezikut natyror në Zvicër, pasi për vite të tëra banorët janë detyruar të evakuohen disa herë nga frika e një rrëshqitjeje katastrofike. Në vitin 2023, një masë gjigante shkëmbinjsh u shemb pranë fshatit, por për pak metra nuk goditi shtëpitë.

Sipas gjeologëve, stabilizimi i situatës lidhet me dy faktorë kryesorë:

rrëshqitjet dhe shembjet që kanë ndodhur tashmë në zonë

dhe ndërtimi i tunelit kullues që ndihmon në largimin e ujit nga mali, duke ulur presionin mbi shtresat shkëmbore.

Pas më shumë se një viti evakuim, banorët janë lejuar të rikthehen gradualisht në shtëpitë e tyre që nga janari 2026. Autoritetet thonë se rreziku nuk është zhdukur plotësisht, por aktualisht konsiderohet shumë më i ulët se më parë.

Megjithatë, jo të gjithë banorët janë rikthyer. Disa familje kanë zgjedhur zhvendosjen e përhershme, pasi ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe reshjet intensive mund të krijojnë sërish probleme në të ardhmen.

Disa vetura dëmtohen dhe plaçkiten në Chambésy

Policia në kantonin e Gjenevës po heton një seri thyerjesh të veturave të raportuara në zonën e Chambésy, ku disa automjete janë dëmtuar dhe plaçkitur gjatë natës.

Sipas raportimeve të para, hajdutët kanë thyer xhamat e veturave të parkuara dhe kanë marrë sende të ndryshme me vlerë nga brenda automjeteve. Incidentet kanë ndodhur në disa lokacione brenda lagjes, duke shqetësuar banorët e zonës, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që:

të mos lënë sende me vlerë në vetura

të mbyllin automjetet edhe për ndalesa të shkurtra

dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

Policia po analizon kamerat e sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorëve. Deri tani nuk janë raportuar arrestime.

Rastet e vjedhjeve nga veturat janë rritur në disa zona urbane të Zvicrës muajt e fundit, sidomos gjatë natës dhe në parkingje publike.

Botërori 2026 pritet të ketë pak ndikim në ekonominë zvicerane

Edhe pse FIFA ka selinë në Cyrih dhe Botërori 2026 do të jetë më i madhi në histori, ekonomistët nuk presin një “boom” të madh ekonomik për Zvicrën.

Sipas analizave të publikuara nga KOF Institute pranë ETH Zurich dhe BAK Economics, ndikimi ekonomik i Kampionatit Botëror 2026 pritet të jetë relativisht i kufizuar, pavarësisht zgjerimit të turneut në 48 kombëtare dhe 104 ndeshje.

Ekspertët vlerësojnë se eventi mund të rrisë GDP-në zvicerane me vetëm rreth 0.3 deri 0.4 pikë përqindjeje gjatë vitit 2026, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Arsyeja kryesore është se ndikimi ekonomik i FIFA-s nuk është më aq dominant sa dikur, pasi sot zhvillohen shumë më tepër mega-evente sportive ndërkombëtare gjatë vitit, përfshirë garat e UEFA-s, Botërorin e Klubeve dhe kompeticione të tjera globale.

Megjithatë, të ardhurat e FIFA-s pritet të rriten ndjeshëm. Vetëm nga të drejtat televizive, sponsorizimet dhe paketat hospitality parashikohen rreth 1 miliard franga më shumë krahasuar me Botërorin e Katarit 2022.

Kjo ka ndikim pozitiv në statistikat ekonomike të Zvicrës sepse FIFA regjistrohet si organizatë me bazë në Zvicër, dhe të ardhurat e saj hyjnë në llogaritë kombëtare të vendit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se efekti real në tregun e punës dhe ekonominë e përditshme mbetet i kufizuar.

Ekonomistët paralajmërojnë gjithashtu se ngjarje të tilla mund të “shtrembërojnë” përkohësisht statistikat ekonomike zvicerane, prandaj autoritetet publikojnë shpesh edhe tregues të GDP-së “pa efektin e sportit”, për të treguar më qartë zhvillimin real të ekonomisë.

15 vjeçari sulmon me çekiç një kosovar dhe një irakian: Gjykohet për racizëm

I armatosur me çekiç, helmetë dhe uniformë, një 15-vjeçar akuzohet se në oborrin e shkollës ka bërë tentativë vrasjeje të motivuar nga racizmi. Çfarë fshihet pas sulmit brutal?

Një adoleshent do të dalë në gjyq në Gjykatën e Lndit të Augsburgut duke filluar nga e marta për një sulm me çekiç të kryer ndaj dy nxënësve në oborrin e një shkolle, trsnmeton albinfo.ch. I pandehuri dyshohet se i goditi viktimat me çekiç për arsye raciste, duke i plagosur të dy.

Nxënësi atëherë 15-vjeçar akuzohet para gjykatës së të miturve për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë.

Për shkak të moshës së të pandehurit, i gjithë procesi është i mbyllur për publikun sipas Aktit të Gjykatës së të Miturve, . Një vendim mund të merret në qershor, shkruan Agjencia e Lajmeve e Gjermanisë, DPA. Prezumimi i pafajësisë vlen për adoleshentin e akuzuar derisa të arrihet një dënim ligjërisht i detyrueshëm.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte për qëllim të vriste myslimanët.

15-vjeçari dyshohet se hyri në oborrin e shkollës së mesme në Friedberg mëngjesin e 2 tetorit 2025, me qëllim vrasjen e njerëzve me besim islamik dhe origjinë të huaj, përcjell albinfo.ch. Adoleshenti thuhet se kishte veshur një kostum si uniformë dhe një helmetë ushtarake, dhe përveç një çekiçi, dyshohet se mbante edhe dy pistoleta airsoft që mund të mbahen pa leje.

Në oborrin e shkollës, thuhet se ai ka goditur me çekiç një nxënës me prejardhje irakiane dhe një nxënës me prejardhje kosovare në kokë dhe trup, përkatësisht. Nxënësit 14 dhe 13-vjeçarë pësuan lëndime të lehta deri në të mesme. 15-vjeçari, një ish-nxënës i shkollës së mesme, u arrestua nga policia pak më vonë dhe që atëherë ka qenë në paraburgim.

Gjykata për të mitur planifikon disa ditë seancash dëgjimore.

Meqenëse hetimi zbuloi indikacione për ekzistimin e motivit ekstremist, Zyra e Prokurorit Publik të Mynihut mori përsipër çështjen menjëherë pas incidentit. Autoriteti hetues në kryeqytetin e Landit është Zyra Qendrore e Bavarisë për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit.

Fillimisht janë planifikuar njëmbëdhjetë ditë gjyqi deri më 23 qershor. Megjithatë, procedurat mund të përfundojnë pak më herët. Edhe pse vendimi do të jepet me dyer të mbyllura, Gjykata e Landit synon ta njoftojë rezultatin për publikun.

Futbollisti shqiptar ftohet nga Suedia për Kampionatin Botëror

Ish-futbollisti i Kosovës U21, Besfort Zeneli, është ftuar nga Suedia për Kampionatin Botëror të futbollit që fillon më 11 qershor.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024 ai luajti për Kosovën U21, por më pas vendosi të kaloi te Suedia. Te Kosova U21 i kishte gjashtë paraqitje, ndërsa tashmë 22-vjeçari i ka gjashtë ndeshje edhe te Suedia A. Te Suedia A ka debutuar më 22 mars të vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Në Botëror, suedezët janë Grupin F, kurse do të luajnë me Tunizinë, Holandën e Japoninë.

Viktor Gyokeres e Alexander Isak janë yjet e mëdhenj të Suedisë.