Përmbyllet marshi “Drejtësi, jo politikë” në mbështetje të krerëve të UÇK-së

Marshi “Drejtësi, jo politikë” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Hagë është përmbyllur në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Mijëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit, duke shprehur mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbeu” dhe u zhvillua nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

Ambasadori britanik uron Pavarësinë e Kosovës, përmend edhe Thaçin

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përmes një video të shpërndarë në faqen e tij zyrtare, Hargreaves tha se Britania e Madhe është krenare që ka një partnere si Kosova.

“Ndërsa shohim përpara, ne mbetemi të përkushtuar për të punuar krah për krah për një Evropë të fortë, të sigurt dhe të begatë,” shtoi ai, duke përmendur edhe deklaratën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi gjatë shpalljes së Pavarësisë.

Ambasada e Gjermanisë uron Kosovën: Sot festojmë së bashku

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar partneritetin e fortë mes dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

“Nga Gjermania në Prishtinë dhe Kosova në Berlin, sot festojmë së bashku. Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga demokracia, liria dhe respekti i ndërsjellë. Si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, Gjermania është krenare për partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar shumë kohë para pavarësisë dhe të forcuar çdo ditë që atëherë,” thuhet në njoftim.

Ambasada gjithashtu përmend rolin e diasporës: “Gati 600,000 kosovarë që jetojnë në Gjermani e mbajnë lidhjen midis vendeve tona të gjallë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, Kosova është një histori e vërtetë suksesi. Le të vazhdojmë të shkruajmë kapitullin tjetër të një të ardhmeje të ndritur të përbashkët. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”

Presidentja Osmani: Pavarësia e Kosovës është realitet falë sakrificave të UÇK-së

Për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, është mbajtur ceremonia zyrtare e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë, një ngjarje që simbolizon forcën dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ceremonisë, Presidentja Vjosa Osmani kujtoi sakrificat e brezave të tërë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit. Në fjalimin e saj, ajo theksoi se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e përshkruar atë si një luftë të drejtë dhe çlirimtare, të udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet.

“Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë mbrojtjeje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së dhe pa këtë sakrificë, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që e festojmë sot,” deklaroi Presidentja Osmani, duke nënvizuar rolin vendimtar të UÇK-së në arritjen e Pavarësisë. /Albinfo.ch 

Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare

Kryeministri Albin Kurti deklaroi në paradën e pavarësisë që po mbahet në Prishtinë se nuk do t’i mbyllin sytë para padrejtësisë që po bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, përcjell albinfo.ch.

“ Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare”.

“Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë“, deklaroi ai.

Mes tjerash, shefi i Qeverisë tha se do të vazhdojnë investimin në ushtri dhe polici.

Brohoritje dhe duartrokitje për Rifat Jasharin gjatë parakalimit të FSK-së

Brohoritje dhe duartrokitje u dëgjuan teksa Rifat Jashari, përfaqësues i familjes legjendare të komandantit Adem Jashari, po kalonte rrugën ku do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policët e vendit, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë, përcjell albinfo.ch. 

Jashari, me duar lart, përshëndeti qytetarët që tradicionalisht çdo vit ndjekin nga afër parakalimin solemn të FSK-së dhe Policisë, një ngjarje që për banorët e qytetit jep ndjenjë krenarie dhe respekti për historinë e Kosovës.

Qytetarët e Kosovës nisin të mblidhen për marshin “Drejtësi, jo politikë”

Në sheshin “Skënderbeu”, me flamuj të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të Kosovës dhe kombëtarë, po mblidhen qytetarë nga i gjithë vendi, madje edhe jashtë kufijve. Ata do të kërkojnë njëzëri, në orën 14:00, drejtësi për katërshen e UÇK-së që po mbahet në Hagë, përcjell albinfo.ch. 

Ngjarjes i shoqëron mbishkrimi “Drejtësi, jo politikë”, së bashku me fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët prej më shumë se pesë vjetësh po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Flamuri i Kosovës mbi Himalaje, një ëndërr e përmbushur e Uta Ibrahimit

Në një botë ku kufijtë fizikë dhe mendorë duken gjithnjë e më të pamëshirshëm, rrallëherë shfaqen histori që i tejkalojnë ata me qetësi, dinjitet dhe kuptim të thellë njerëzor. Historia e Uta Ibrahimit nuk është vetëm një rrëfim për alpinizëm ekstrem apo për ngjitjen e majave mbi 8,000 metra. Ajo është një histori identiteti, përkatësie dhe sakrifice, e shkruar hap pas hapi mes akullit, rrezikut dhe vetmisë, por e mbajtur gjallë nga dashuria për Kosovën dhe njerëzit e saj. Për tetë vite me radhë, Uta Ibrahimi ka sfiduar jo vetëm malet më të rrezikshme të planetit, por edhe kufijtë e trupit, mendjes dhe shpirtit.

Çdo ekspeditë ka qenë një përballje me frikën, humbjen, lodhjen dhe pasigurinë, por edhe një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë njerëzore. Në çdo majë ku ka qëndruar, flamuri i Kosovës dhe ai kombëtar, ka qenë i pranishëm jo si simbol formal, por si barrë emocionale dhe përgjegjësi morale për të përfaqësuar një vend të vogël me histori të dhimbshme, por me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore.

Kjo intervistë nuk është një listë suksesesh apo rekordesh sportive. Është një rrëfim i sinqertë për dhimbjen e humbjes, për sakrificat personale që nuk shihen, për paragjykimet, për vetminë dhe për momentet kur kthimi në shtëpi ka qenë më i rëndësishëm se arritja e majës. Uta flet hapur për babain e saj, për traumën e Shishapangmës, për vitet e jetuara në pasiguri dhe për çmimin personal që ka paguar për të jetuar besnikërisht ndaj vetes.

Në të njëjtën kohë, kjo është një histori shprese. Një dëshmi se nga një vend i vogël si Kosova mund të dalin histori që prekin botën. Se gratë mund të jenë të forta pa humbur ndjeshmërinë. Dhe se ëndrrat e mëdha, edhe kur duken të pamundura, mund të realizohen kur puna, dashuria dhe guximi ecin së bashku.

Në këtë intervistë ekskluzive për Albinfo.ch, Uta Ibrahimi rrëfen gjithçka, pa filtra, pa zbukurime dhe pa kompromis, duke ndarë me lexuesin jo vetëm majat që ka ngjitur, por edhe peshën që ka mbajtur në zemër gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Albinfo.ch: Çfarë përfaqëson Kosova për ju në këtë rrugëtim?

UTA IBRAHIMI: Për mua, Kosova ka qenë dhe mbetet motivi kryesor pas çdo ngjitjeje që kam bërë. Çdo hap drejt majave më të larta të botës e kam marrë duke e pasur Kosovën me vete – në zemër, në mendje dhe në flamur. Pavarësia e Kosovës është një nga momentet më të bukura dhe më të paharrueshme të jetës sime. Ende e kam shumë të freskët kujtimin e asaj dite dhe gëzimin e madh në Sheshin Nënë Tereza, ku u ndje një energji e rrallë bashkimi, shprese dhe krenarie.

Albinfo.ch: Çfarë ndjeni në momentet kur arrini majën?

UTA IBRAHIMI: Në ato momente, më vijnë në mendje të gjithë njerëzit e Kosovës – si një i vetëm. Është sikur i mbaj të gjithë me vete, në një thes simbolik, lart në majë. Më shfaqen para syve sytë e bukur dhe të ndritshëm të fëmijëve që i takoj nëpër shkolla gjatë vizitave të mia. Energjia e tyre, ëndrrat e tyre dhe besimi i pastër që kanë në jetë janë aty me mua, në çdo frymëmarrje. Në atë çast, nuk jam vetëm – jam e mbushur me gjithë forcën, shpresën dhe dritën e tyre.

Albinfo.ch: Sa i rëndësishëm ka qenë identiteti juaj shqiptar në rrugëtimin tuaj?

UTA IBRAHIMI: Identiteti im si shqiptare ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme në gjithë rrugëtimin tim profesional dhe jetësor. Të vish nga një vend i vogël, me një histori të dhimbshme, por me njerëz jashtëzakonisht të fortë, të mëson që qëndrueshmëria, durimi dhe këmbëngulja nuk janë zgjedhje – janë mënyrë jetese. Si shqiptare, jam rritur me ndjenjën se duhet të punoj dyfish për t’u dëshmuar, por edhe me krenarinë për të përfaqësuar një popull që nuk është dorëzuar kurrë. Ky identitet më ka dhënë forcë të besoj në veten time edhe kur kushtet kanë qenë të pabarabarta, kur dyshimet kanë qenë të mëdha dhe rruga shumë e vështirë. Në çdo majë ku kam qëndruar, identiteti im shqiptar nuk ka qenë thjesht një përkatësi kombëtare, por një burim force, përgjegjësie dhe frymëzimi – për të treguar se edhe prej një vendi të vogël mund të dalin histori të mëdha.

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij projekti?

UTA IBRAHIMI: Kam pasur shumë momente jashtëzakonisht të vështira gjatë ngjitjeve në majat më të larta të botës. Ky ka qenë një projekt që ka zgjatur 8 vite – vite me punë të pandërprerë për sigurimin e fondeve, me stërvitje të vazhdueshme dhe me përballje të pafundme me ngjitje shumë të rënda, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Edhe pse jam një person që përpiqet gjithmonë ta mbajë motivin lart dhe të gjejë diçka pozitive edhe në momentet më të errëta, ka pasur çaste kur lodhja, frika dhe dyshimi kanë qenë reale. Pikërisht në ato momente, forca kryesore për të vazhduar kanë qenë njerëzit e mi – familja, shoqëria, mbështetja e tyre e pakushtëzuar – por edhe fëmijët dhe i gjithë populli i Kosovës, që i kam ndjerë gjithmonë pranë me besim dhe përkrahje. Mendimi se nuk jam vetëm aty lart, se çdo hap përpara përfaqëson shpresë, frymëzim dhe një mesazh për të tjerët, më ka dhënë forcë të vazhdoj edhe atëherë kur trupi donte të ndalej.

Albinfo.ch: Cila ka qenë maja më sfiduese për ju?

UTA IBRAHIMI: Pa asnjë dyshim, maja më sfiduese për mua, emocionalisht, ka qenë Dhaulagiri. Është një majë e mbushur me emocione të thella dhe sa herë e kujtoj, më rrjedhin lotët. Dhaulagirin e kam ngjitur në tentimin e tretë. Në tentimin e parë, gjatë kohës që isha në ekspeditë, ndërroi jetë babai im – bibi im, heroi im. Në atë moment, pa asnjë dyshim, e ndërpreva ekspeditën dhe u ktheva në shtëpi. Asnjë majë nuk kishte më rëndësi. Tentimi i dytë dështoi për shkak të kushteve të rënda – mali nuk na la të kalonim. Ishte një tjetër provë durimi dhe pranimi. Në tentimin e tretë, gjithçka mori një kuptim tjetër. E ngjita majën më 17–18 maj, pikërisht në ditëlindjen e bibit tim. Në summit ishim vetëm katër persona. Ngjitja ishte pothuajse e pamundur, por gjatë gjithë rrugës e ndjeja babain pranë meje. Sikur më udhëhiqte hap pas hapi, sikur më mbante dorën deri në fund të majës. Kjo majë më ka rritur dyfish – si njeri dhe si grua. Më ka ndryshuar thellë, më ka forcuar, por njëkohësisht më ka zbutur. Dhaulagiri nuk ishte vetëm një ngjitje; ishte një proces shërimi, një dialog i heshtur mes meje dhe dhimbjes, dhe një dëshmi se dashuria dhe lidhja shpirtërore nuk ndalen as në lartësitë më ekstreme.

Ndërsa fizikisht, majat më të vështira për mua kanë qenë K2 dhe Annapurna. Të dyja këto maja njihen botërisht si ndër më të vështirat dhe më të rrezikshmet në botë, për shkak të terrenit ekstrem, kushteve të paparashikueshme dhe rrezikut të vazhdueshëm. Çdo hap në këto male ka qenë një përballje e drejtpërdrejtë me kufijtë e trupit dhe mendjes. Për këtë arsye, jam përjetësisht mirënjohëse ndaj Nënës Natyrë që më lejoi t’i ngjis këto maja dhe, mbi të gjitha, të kthehem e plotë dhe e sigurt në shtëpi. Në fund, suksesi i vërtetë nuk është vetëm të arrish majën, por të kesh mundësinë të kthehesh dhe ta vazhdosh jetën me edhe më shumë respekt për forcën dhe madhështinë e maleve.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju fakti që sot jeni frymëzim për shumë gra?

UTA IBRAHIMI: Është një ndjenjë shumë e bukur dhe e veçantë për mua fakti që sot jam frymëzim për shumë vajza dhe gra shqiptare – dhe jo vetëm. Më gëzon thellë të di që rrugëtimi im vazhdon të frymëzojë jo domosdoshmërisht vetëm për të ngjitur maja të larta, por mbi të gjitha për të besuar tek vetja dhe tek forca e brendshme. Kur e nisa këtë rrugëtim drejt majave të botës, nuk e kisha mbështetjen e duhur nga shoqëria. Kishte shumë dyshime, paragjykime dhe mungesë besimi. Por pikërisht përmes punës së madhe, këmbënguljes dhe përkushtimit, arrita jo vetëm ta përfundoj projektin tim, por edhe të kthehem në një shembull që sot i motivon të tjerët. Me thënë të drejtën, është një ndjenjë që të mbush zemrën. Gjithmonë kam besuar se jemi në këtë jetë për të bërë diçka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Dhe sot, me bindje të plotë, mund të them se ia kam dalë ta jetoj këtë besim në praktikë.

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë sakrificat personale më të mëdha? 

UTA IBRAHIMI: Kjo është një pyetje shumë e gjerë dhe, sinqerisht, do të mund të flisja pafund për të. Por ajo që më dhemb më shumë është fakti kur ka njerëz që, nga karriget e ngrohta dhe nga një jetë e rehatshme, komentojnë lehtë dhe thonë: “Po ani, de, për vete e ke bërë.” Këto fjalë shpesh i minimizojnë vite të tëra sakrifice që nuk shihen dhe nuk kuptohen. Sfidat e mia nuk kanë qenë vetëm ngjitjet në male. Ky ka qenë një rrugëtim që ka zgjatur 8 vite dhe që, në shumë forma, vazhdon ende. Ka qenë një jetë e kaluar larg njerëzve të dashur, larg një stabiliteti financiar dhe larg një stabiliteti familjar. Sot jam 42 vjeçare dhe pothuajse gjithë jetën e kam jetuar në lëvizje, në pasiguri, duke zgjedhur një rrugë që rrallë kush është i gatshëm ta marrë. Besoj që gratë e kuptojnë këtë më mirë se kushdo tjetër – sidomos kur shoqëria shpesh pret prej teje siguri, qetësi dhe role të përcaktuara, jo rrezik, sfidë dhe pasiguri të vazhdueshme. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë këtyre sakrificave, zemra ime është e mbushur plot. Po, ka momente kur ndihem e vetmuar, dhe ato janë reale. Por në fund, e di që kjo rrugë më ka dhënë diçka shumë të çmuar: ndjenjën se kam jetuar me kuptim, me guxim dhe me besnikëri ndaj vetes sime.

Albinfo.ch: A ka pasur momente dyshimi apo frike të thellë?

UTA IBRAHIMI: Nuk kam pasur shumë momente ku kam dyshuar në veten time, sepse gjithmonë jam përpjekur të gjej diçka pozitive për të vazhduar përpara, edhe kur ka qenë shumë e vështirë. Por ka një moment që më ka tronditur thellë dhe që e mbaj ende me vete. Ai moment lidhet me Shishapangma, kur isha shumë afër vdekjes. Një ortek ra para syve të mi dhe, në atë tragjedi, humbëm katër shokë/shoqe nga ekipi ynë. Ishte një përjetim që më theu emocionalisht dhe psikologjikisht. Pas atij momenti, e pata jashtëzakonisht të vështirë të kthehesha sërish në ekspedita, e sidomos të mendoja rikthimin në të njëjtën majë. Kur u ktheva në shtëpi, trupi dhe mendja ime ishin plotësisht të shkatërruara. Kam kaluar shumë kohë në fizioterapi, duke u përpjekur të rikthehem jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Trauma ishte dhe mbetet reale – ende e mbaj me vete. Kapërcimi nuk ka ardhur shpejt dhe as lehtë. Ka ardhur përmes kohës, pranimit, punës së madhe me veten dhe respektit për frikën. Nuk e kam mohuar atë që më ndodhi; e kam pranuar si pjesë të rrugëtimit tim. Dhe ndoshta pikërisht kjo më ka ndihmuar të vazhdoj: të eci përpara jo duke harruar, por duke jetuar me atë që kam përjetuar.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë? 

UTA IBRAHIMI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është i thjeshtë, por i vërtetë: me punë arrihet gjithçka. Punë e vazhdueshme, punë me përkushtim, dhe shpeshherë shumë më tepër punë sesa mendojmë se kemi forcë të japim. Por puna vetëm nuk mjafton. Duhet edhe shumë dashuri – dashuri për atë që ëndërroni, për veten tuaj, për rrugën që zgjidhni dhe për njerëzit përreth jush. Do të ketë pasiguri, dyshime dhe momente kur askush tjetër nuk do të besojë tek ju. Në ato çaste, besimi juaj tek vetja është ajo që bën dallimin. Mos prisni të jeni gati. Filloni. Punoni. Gaboni. Mësoni. Dhe vazhdoni. Sepse ëndrrat e mëdha kërkojnë guxim të madh, por shpërblimi i tyre është të jetosh një jetë me kuptim.

Albinfo.ch: Çfarë dëshironi që historia juaj t’i tregojë botës për Kosovën?

 UTA IBRAHIMI: Historia ime tashmë u ka treguar shumë vendeve të botës se kush është Kosova dhe kush janë shqiptarët. Në secilën ekspeditë – jo vetëm në majat mbi 8,000 metra – kam vendosur flamurin e Kosovës dhe të kombit shqiptar, si një simbol krenarie, përkatësie dhe identiteti. Jam ndër të paktat atlete nga Kosova që kam arritur të marr mbështetje nga brende të mëdha ndërkombëtare, dhe kjo ka qenë një mënyrë tjetër për ta vendosur Kosovën në hartën botërore të sportit dhe aventurës. Sot, shumë njerëz e dinë ku është Kosova. Shumë e dinë se çfarë populli jemi: punëtor, i qëndrueshëm, i guximshëm dhe me ëndrra të mëdha. Ajo që dua që historia ime t’i tregojë botës është se nga një vend i vogël mund të dalin njerëz me forcë të madhe, me vlera, me vizion dhe me aftësi për të qëndruar denjësisht krah për krah me më të mirët në botë.

Kjo është Uta e Kosovës në majat e botës…

Foto: Rromir Imami/albinfo.ch

Historia e Uta Ibrahimit mbetet një nga rrëfimet më të fuqishme bashkëkohore për atë që do të thotë të jetosh me qëllim. Ajo na kujton se suksesi nuk matet vetëm me arritjen e majës, por me guximin për t’u kthyer, për të vazhduar dhe për të mbetur besnik ndaj vetes, edhe kur rruga është e vetmuar dhe e pasigurt.Përtej alpinizmit, Uta Ibrahimi përfaqëson një brez grash dhe burrash që refuzojnë të kufizohen nga rrethanat, nga pritshmëritë shoqërore apo nga frika.

Ajo është dëshmi se sakrifica, edhe kur është e dhimbshme, mund të shndërrohet në kuptim, dhe se humbja, edhe kur lë plagë të thella, mund të kthehet në forcë. Në çdo fjalë të kësaj interviste ndihet pesha e një jete të jetuar pa kompromis, por edhe qetësia e një njeriu që e di pse ka zgjedhur këtë rrugë. Rrëfimi i saj nuk kërkon duartrokitje, por mirëkuptim. Nuk kërkon heroizëm, por respekt për guximin njerëzor.

Në fund, historia e Uta Ibrahimit është një pasqyrë për të gjithë ne: një thirrje për të mos pritur momentin e duhur, për të mos u frikësuar nga rruga e vështirë dhe për të besuar se edhe nga vendet më të vogla mund të lindin histori që lëvizin botën. Kjo intervistë nuk është thjesht një rrëfim personal. Është një kapitull i gjallë i historisë moderne të Kosovës, i shkruar në lartësi ekstreme, por me këmbë të forta në tokë dhe me zemër të hapur për brezat që vijnë.

 

Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar

Me rastin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë ekskluzive sjell një rrëfim të thelluar me tenorin mirënjohur Rame Lahaj, një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar në skenat botërore të operës. Në një bisedë që tejkalon biografinë personale dhe hyn në dimensionin e përgjegjësisë kulturore, Lahaj flet për rrugëtimin e tij nga një realitet i shënuar nga lufta dhe mungesa, drejt skenave më prestigjioze ndërkombëtare, për identitetin si bosht krijues, si dhe për Fondacionin Rame Lahaj si mision afatgjatë në shërbim të artit dhe brezave të rinj shqiptarë.

albinfo.ch Si e përkufizoni rrugëtimin tuaj artistik nga një kontekst shoqëror i shënuar nga lufta dhe mungesa drejt institucioneve më elitare të operës botërore?

Rame Lahaj: Rrugëtimi im artistik është i pandashëm nga konteksti në të cilin jam rritur, edukuar dhe formuar. Duke u rritur në një provincë të vogël, në fund të viteve ’90, me mundësi minimale jetese, mungesa ka qenë forca dhe motori kryesor i gjithë asaj që ka ndodhur më pas. Në atë kohë, shumë gjëra dukeshin pothuajse të pamundura jo vetëm për t’u realizuar, por edhe për t’u ëndërruar. Pikërisht ky kontrast mes pamundësisë dhe dëshirës së madhe për të eksploruar jetën, profesionin dhe vetveten kam ndërtuar themelet e personalitetit tim artistik. Rrugëtimi im nuk ka qenë linear; ka qenë një proces i gjatë ballafaqimesh, sakrifice dhe vetëdisipline, që gradualisht më ka çuar drejt institucioneve më elitare të operës botërore.

albinfo.ch Në çfarë mase identiteti juaj kulturor shqiptar ka ndikuar në formësimin e estetikës suaj së interpretimit dhe në përqafimin ndërkombëtar të artit tuaj?

Rame Lahaj: Identiteti im kulturor shqiptar nuk ka qenë kurrë një element i shtuar artificialisht mbi artin tim. Jam rritur me këngën popullore, folkloristike, patriotike dhe të dashurisë, forma të sinqerta shprehjeje që nuk vinin nga shkolla të mëdha evropiane, por nga përvoja e jetuar. Ky autenticitet ka ndikuar thellë në estetikën time të interpretimit. Kur jam përballur me repertorin elitar operistik, ky bagazh kulturor ka funksionuar si një pasuri e brendshme, duke i dhënë interpretimit tim një sinqeritet dhe një ngjyrim emocional që publiku ndërkombëtar e percepton si origjinalitet.

albinfo.ch: A ekziston një moment paradigmatik në karrierën tuaj kur afirmimi personal u shndërrua në përfaqësim kulturor kolektiv?

Rame Lahaj: Nuk do ta veçoja një moment të vetëm. Që nga fillimi, paralelisht kanë bashkëjetuar dy kolona, zhvillimi im personal dhe përfaqësimi i identitetit kombëtar. Kudo që kam performuar rëndësia nuk ka qenë vetëm cilësia artistike, por edhe mënyra se si përfaqësohej kultura shqiptare. Kjo nuk ka qenë një strategji e menduar, por një gjendje e mishëruar thellë brenda meje.

albinfo.ch Si ruani autonominë artistike dhe integritetin estetik në një sistem global ku standardet institucionale dhe konkurrenca janë përcaktuese?

Rame Lahaj: Besoj fuqishëm se çdo artist është unik vetëm atëherë kur e jep origjinalitetin e vet pa kompromis. Në një sistem global ku rreziku i uniformizimit është i madh, ruajtja e autonomisë artistike kërkon vetëdije dhe guxim. Nuk e kam ndjerë kurrë të nevojshme të adaptohem në mënyrë të sforcuar ndaj trendeve apo rregullave të jashtme. Rrugëtimi im jetësor, pasuria ime shpirtërore dhe disiplinimi profesional kanë krijuar standardin tim dhe më kanë lejuar të ruaj integritetin estetik edhe në mjedise shumë konkurruese.

albinfo.ch Kush është Rame Lahaj jashtë skenës, në jetën e përditshme?

Rame Lahaj: Jashtë skenës jam një njeri i thjeshtë dhe reflektiv, pa nevojën për të ndërtuar një fasadë publike. Respekti për punën, për njerëzit dhe për disiplinën është pjesë e edukatës sime. Nuk kam vepruar kurrë për të krijuar një imunitet artificial apo për të dëshmuar veten përmes pozitës, gjithçka që kam ndërtuar ka ardhur nga dashuria për zhvillimin dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tim.

albinfo.ch Kur shihni pas në rrugëtimin tuaj jetësor dhe artistik, cilat kanë qenë momentet që ju kanë formuar më thellë?

Rame Lahaj: Formësimi im nuk lidhet me një kulm të vetëm, por me një vazhdimësi përvojash. Fëmijëria në fund të viteve ’90, trauma e luftës, përballja me realitete të vështira sociale dhe më pas sfidat profesionale në ambiente ndërkombëtare janë gërshetuar natyrshëm. Pikërisht këto periudha të vështira kanë ndërtuar një personalitet që sot jeton në paqe me veten dhe e sheh jetën si një proces të pandërprerë zhvillimi.

Rame Lahaj, FB

albinfo.ch Si e interpretoni sot situatën e vitit 2019 me koncertin e planifikuar në Shkup?

Rame Lahaj: Sot e shoh atë situatë me qartësi profesionale. Nuk ishte një bojkot institucional, por pasojë e joprofesionalizmit të disa individëve që tentuan të destabilizonin një nismë kulturore. Në një kontekst shoqëror të ndjeshëm, reagimi im ishte i bazuar në parim, zero tolerancë ndaj mungesës së disiplinës profesionale. Koncerti u realizua, edhe pse në një format tjetër, duke dëshmuar se arti nuk duhet të ndalet nga energji destruktive.

albinfo.ch Si e lexoni marrëdhënien mes artit tuaj dhe mërgatës shqiptare, veçanërisht në Zvicër?

Rame Lahaj: Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.

albinfo.ch A mendoni se në të ardhmen do të angazhoheni institucionalisht për mbështetjen e talenteve të reja shqiptare?

Rame Lahaj: Ky angazhim tashmë po realizohet përmes Fondacionit Rame Lahaj, i cili mbështet talentet e reja dhe krijon ura mes artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Fondacioni përveç që paraqet një projekt kulturor, gjithashtu është një mision afatgjatë për të ndërtuar një infrastrukturë më të qëndrueshme artistike dhe për të mbushur një boshllëk institucional që ende ekziston në realitetin tonë kulturor.

albinfo.ch Në përmbyllje, kush është sot Rame Lahaj dhe cili është mesazhi për brezat e rinj shqiptarë?

Rame Lahaj: Jetojmë në një kohë të mbingarkuar me zhurmë digjitale dhe frustrim, që shpesh na çon drejt heqjes dorë nga edukimi dhe sakrifica. Besoj se njeriu e gjen vetveten vetëm përmes punës, studimit dhe analizës së vazhdueshme të vetes. Ky është mesazhi im për brezat e rinj shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, të mos heqin dorë nga ky proces, sepse vetëm kështu ndërtohet një vizion i qartë për jetën, profesionin dhe kontributin në komunitet. Duke qenë se kjo intervistë botohet në albinfo.ch, platformë e mërgatës shqiptare dëshiroj t’i ftoj lexuesit, veçanërisht ata që jetojnë në Zvicër dhe në diasporë, të jenë pjesë e aktiviteteve të Fondacionit Rame Lahaj gjatë muajit korrik. Programi përfshin festivale, koncerte, masterclasse, punëtori dhe projekte edukative të dedikuara për të gjitha gjeneratat, duke krijuar hapësira ku muzika, dija dhe përvoja ndërthuren natyrshëm. Përmes këtyre aktiviteteve synojmë të ndërtojmë ura të qëndrueshme mes Kosovës, mërgatës dhe hapësirës kulturore evropiane, duke e pozicionuar kulturën si një nga format më të qëndrueshme të lidhjes dhe përfaqësimit. Ju faleminderit!

Kjo bisedë nxjerr në pah Rame Lahajn si figurë të formuar përmes një procesi të qëndrueshëm pune dhe përvoje, të ndërtuar mbi disiplinë, përkushtim dhe vetëdije të qartë për përgjegjësinë që arti mbart në hapësirën publike. Rrëfimi i tij dëshmon se veprimtaria artistike dhe prania skenike përbëjnë pjesë integrale të një procesi më të gjerë përfaqësimi kulturor dhe të një marrëdhënieje të ndërgjegjshme me shoqërinë.

Në kontekstin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë e trajton kulturën si element thelbësor të ndërtimit shoqëror dhe të përfaqësimit publik. Angazhimi i Lahajt përmes Fondacionit Rame Lahaj përfaqëson një orientim të qartë drejt krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm mbështetës për brezat e rinj, duke e zhvendosur theksin nga arritja individuale drejt përgjegjësisë institucionale. Në këtë kuadër, arti konceptohet si veprimtari me funksion afatgjatë, e lidhur ngushtë me edukimin, trashëgiminë kulturore dhe konsolidimin e një vizioni të qëndrueshëm për të ardhmen.

Mërgata, ndër audiencat më të sinqerta

Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.

Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, iu drejtua qytetarëve gjatë seancës solemne në nder të Ditës së Pavarësisë, duke rikujtuar sakrificat dhe përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar.

“Sot shënojmë 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pavarësi që u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të popullit shqiptar, përmes luftës për çlirim, gjakut të shumë heronjve që ranë ndër breza, që ne të jemi sot ku jemi këtu,” tha Haxhiu.

Kryekuvendarja përkujtoi gjithashtu popullin shqiptar përkushtuar për të nderuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për liri: “Përkulje e përjetshme për ata që dhanë jetën për lirinë e vendit, para dëshmorëve dhe martirëve, para atyre që përjetuan dhunë në forma të ndryshme, para familjeve që ende mbajnë dhimbjen e luftës, dhe të gjithë atyre që edhe sot kërkojnë drejtësi.”

Haxhiu vlerësoi rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se: “UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik, rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe.”

Seanca solemne në 18-vjetorin e Pavarësisë

Parlamenti i Kosovës është mbledhur sot në një seancë solemne në 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në këto 18 vite vendi ka arritur shumë, por ka edhe shumë rrugë përpara.

“Kosova u bë shtet për të mbrojtur të vërtetën, populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka, në mënyrë që ne sot të gëzojmë lirinë. Në këtë përvjetor me mirënjohje dua të falënderoj aleatët tanë, SHBA, çdo shtet europian që qëndruan krah Kosovë sikur liria dukej e largët dhe e pamundur. Sot pas 18 vitesh kemi arrti shumë, por kemi dhe shumë rrugë përpara.”, u shpreh Osmani.

Nder të tjera, ajo ka thënë e UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u luftuan, u burgosen por asnjëherë nuk u nënshtruan. Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, ka thënë ajo.

Rama uron Pavarësinë e Kosovës

Në një postim në Facebook kryeministri Rama ka ndarë foto nga vizita e tij e djeshme në Prishtinë ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe me homologun e tij, Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

“Keqardhje që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritet me 4 pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkruan kryeministri.

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë

Kurti: Historia do të bëjë gjykimin e drejtë për ish-krerët e UÇK-së

Gjatë seancës solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e vlerave të lirisë, demokracisë dhe barazisë, duke përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka theksuar se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por kultura dhe populli i Kosovës janë të lashtë. Ai ka theksuar se kontributi i atyre që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë është i çmuar dhe historia do të bëjë gjykimin e drejtë.

Kryeministri gjithashtu ka bërë thirrje për përkushtim të gjithë qytetarëve, duke i inkurajuar të punojnë për forcimin e shtetit dhe për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Osmani dekoron Alicia Kearns me Medaljen Presidenciale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj sovranitetit të Kosovës dhe përkushtimin për paqe e siguri në vend dhe në rajon, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljes, Osmani shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani e cilësoi Kearns si “një mike të madhe të Kosovës”, duke theksuar se populli i Kosovës është përzemërsisht mirënjohës për përkrahjen e saj të vazhdueshme dhe kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Austria uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

Në mesazhin e saj, ambasada thekson se Austria feston së bashku me popullin e Kosovës dhe përcjell urimet më të ngrohta me rastin e 17 Shkurtit, përcjell albinfo.at.

Austria vlerëson partneritetin e saj të fortë me Kosovën, të ndërtuar mbi miqësi, interesa të përbashkëta dhe lidhje të ngushta mes dy popujve. Në mesazh shprehet gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje të begatë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, përfundon urimi i Ambasadës së Austrisë.

Begaj uron Kosovën në Ditën e Pavarësisë: Le të ecim bashkë, për jetë e mot

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i Shqipërisë tha se në këtë përvjetor Kosova është më e fortë me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

“Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!  Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT”, ka shkruar ai.

Macron uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në mesazhin e tij, Macron përcjell urimet më të përzemërta në emër të Francës dhe në emrin e tij personal, duke riafirmuar përkushtimin e shtetit francez ndaj pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës së saj evropiane. Ai thekson se ribashkimi i kontinentit evropian kalon përmes integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Presidenti francez vë theks të veçantë te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si çështje të sigurisë evropiane dhe dimension qendror të procesit të afrimit me BE-në. Sipas tij, Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin Evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra përsipër”, thuhet në letrën e urimit.

Në fund të mesazhit, Macron nënvizon edhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve, si olimpizmi, frankofonia dhe avancimi i të drejtave të grave, duke shprehur shpresën për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe, përfshirë edhe shkëmbimet ekonomike.

Screenshot

5000 emblema të UÇK-së vendosen në NEWBORN në shenjë kundërshtimi ndaj Gjykatës Speciale

Monumentit të Pavarësisë NEWBORN i janë vendosur 5000 emblema të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë, transmeton albinfo.ch. 

Platforma Liria ka emër ka bërë të ditur se aksioni simbolik është realizuar si mesazh kundërshtimi ndaj Gjykata Speciale. Sipas njoftimit, pas “burgosjes” simbolike të monumentit me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes ai është mbuluar me 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

Aktivistët e platformës kishin rrethuar një natë më parë monumentin me hekura metalike, duke e shndërruar në një imazh burgu, ndërsa sot e plotësuan aksionin me vendosjen e emblemave.

Eliza Hoxha nga “Liria ka emër” deklaroi se reagimi qytetar vjen si kundërshtim ndaj asaj që e cilësojnë padrejtësi nga Gjykata Speciale, duke shtuar se e konsiderojnë këtë proces si tendencë për rishkrim të historisë dhe cenim të luftës për liri dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Liderët shtetërorë në Prekaz për përvjetorin e pavarësisë

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar homazhe në Prekaz, duke nderuar sakrificën për liri dhe shtetndërtim, përcjell albinfo.ch.

Më pas, krerët institucionalë vendosën lule edhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Homazhe u bënë gjithashtu pranë Monumentit të të Pagjeturve dhe te Pllaka Përkujtimore për Fëmijët e Vrarë, në kujtim të viktimave të luftës dhe të atyre që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.

Flamujt që fillimisht u propozuan për flamur të shtetit të Kosovës

Revista Albinfo.ch rikujton artikullin lidhur me flamujt që fillimisht u propozuan si simbol i shtetit të Kosova. Para se të zgjidhej flamuri që valon sot, në qershor të vitit 2007 u hap një konkurs ndërkombëtar për dizajnin e flamurit shtetëror, ku morën pjesë 993 konkurrentë me propozime të ndryshme. Nga ky proces u përzgjodh edhe flamuri aktual, që sot përfaqëson identitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

OKB caktoi disa rregulla se si duhet të ishte flamuri i Kosovës. Sipas OKB-së të gjitha simbolet duhet të reflektonin natyrën multi-etnike të Kosovës, dhe duhet të shmangin përdorimin e shqiponjave me dy koka shqiptare apo përdorimin e vetëm ngjyrës së kuqe dhe të zezës, ose të kuqes, të kaltrës dhe të bardhë. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e përdorura në flamurin shqiptar, ndërsa e kuqja, e kaltra dhe e bardha janë ngjyrat kryesore të flamurit serb. Përveç kësaj, të gjitha modelet duhet të ishin drejtkëndore.

Një grup politikanësh dhe ekspertësh kosovarë të njohur si “Ekipi i Unitetit” zgjodhi dizajne të cilat do të shkonin përpara për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Një sipërfaqe e kaltër me një hartë të bardhë të Kosovës e rrethuar me 5 yje. Yjet ndryshojnë në madhësi dhe përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike që banojnë në Kosovë. Ylli më i madh do të përfaqësonte shqiptarët etnikë.

Flamuri u propozua nga Joseph J. DioGuardi për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e Shqipërisë dhe SHBA-së.

Një flamur që ishte sinonim i flamurit kombëtar të Shqipërisë me gjashtë yje të shoqëruar me sfond gjysmë të kuqe dhe gjysma tjetër e kaltër.

Flamuri u propozua më 2005 për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e OKB-së dhe shqiponjës së Shqipërisë.

Një trengjyrëshe vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe me një simbol spirale në qendër të shiritit të bardhë, i cili është një simbol dardan për diellin rrotullues.

Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit. /Albinfo.ch

Ngritja solemne e flamurit shënon 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit, transmeton albinfo.ch.

Nën praninë e krerëve institucionalë, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ceremonia simbolike rikujtoi 17 shkurtin e vitit 2008 – ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Aktiviteti u zhvillua në frymën e respektit dhe mirënjohjes për kontributin e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. /Albinfo.ch.