SH.K.A. “Dardania” feston tri festa në një ditë!

Në vazhdën e aktiviteteve të saj të shumta brenda dhe jashtë Zvicrës, dhe në prag të festave të nëntorit, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” nga Winterthuri ka vendosur që këtë herë t’i bashkojë tri ngjarje të mëdha kombëtare në një festë të përbashkët.

 

Kjo mbrëmje solemne do t’i kushtohet:

Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqiptar,

28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe

31-vjetorit të themelimit të vetë Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”.

Në këtë rast, SH.K.A. “Dardania” do të paraqitet me një program të pasur artistik, me këngë dhe valle premierë, koreografi të reja, veshje të reja kombëtare dhe befasi të shumta gjatë paraqitjeve të tri grupeve të saj të vallëzimit.
Si gjithmonë, kjo shoqëri ruan me përkushtim autenticitetin e kulturës sonë kombëtare, duke ofruar një mbrëmje tërësisht shqiptare – pa ndikime të huaja apo zhanre që nuk i përkasin artit tonë popullor.

Këtu festohet vetëm shqip – me shpirt, traditë dhe krenari kombëtare!

Për ta pasuruar edhe më shumë këtë ngjarje, Këshilli Artistik i SH.K.A. “Dardania” ka ftuar miq dhe bashkëpunëtorë të nderuar, ndër ta: Shoqatën Shqiptare “Iliria” nga St. Gallen, si dhe moderatoren e njohur nga Kosova, znj. Viola Kastrati, e cila do të shoqërohet nga Lavdim Klaiqi, drejtues i “Tele Komuna” – Dardana (Kamenicë).

Në mesin e të ftuarve do të jetë edhe z. Gëzim Alimehmeti, drejtor i FIDAF-it për Shqipërinë dhe njëherazi koreograf i valleve të reja pranë kësaj qendre kulturore, si dhe përfaqësues të diplomacisë shqiptare në Zvicër.

Kjo mbrëmje do të jetë një manifestim i artit, kulturës dhe krenarisë kombëtare, ku përmes këngës, valles dhe simbolikës kuqezi, “Dardania” dëshmon edhe një herë se mbetet një ndër shtyllat më të forta të kulturës shqiptare në diasporë.

Ejani të festojmë së bashku – pa hyrje me pagesë, pa asnjë obligim – dhe ndihuni, së paku për një mbrëmje, shqiptarë!
Ju mirëpresim me zemërgjerësi!

Ngjarja do të mbahet më:
22 nëntor 2025
Aula, Kantonsschule Rychenberg
Rychenbergstrasse 110, 8400 Winterthur
Hapen dyert: 19:00 | Programi artistik: 20:00–22:00

 

Presidenti Begaj përshëndet njohjen e Kosovës nga Siria

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mirëpritur vendimin e Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, kreu i shtetit shqiptar theksoi se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, si dhe të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Falënderime të sinqerta për të gjithë ata që kontribuan në arritjen e kësaj njohjeje,” ka shkruar presidenti Begaj.

 

Kurti, i ftuar i Macronit në Pallatin Élysée

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një darkë solemne të organizuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin presidencial Élysée në Paris.

Ngjarja është zhvilluar në kuadër të Forumit të 10-të të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare që tradicionalisht mbledh liderë shtetesh, figura të njohura botërore dhe përfaqësues të organizatave globale për të diskutuar çështje që lidhen me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Darkat në Élysée shënojnë hapjen zyrtare të forumit, i cili synon të forcojë dialogun mes vendeve dhe të nxisë bashkëpunimin përballë sfidave globale.

Gjatë qëndrimit të tij në Paris, pritet që Kurti të marrë pjesë në sesionet e forumit dhe të zhvillojë takime bilaterale me liderë dhe përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse.

Dy të dyshuarit për grabitjen në Luvër kanë pranuar pjesërisht fajësinë, por stolitë mbeten të zhdukura

Dy burrat e arrestuar të shtunën për grabitjen në Muzeun e Luvrit kanë “pranuar pjesërisht krimin”, por bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi në një konferencë për shtyp se “të dy të dyshuarit po paraqiten para magjistratëve” me qëllim ngritjen e akuzave për “grabitje të organizuar”, që dënohet me deri në 15 vjet burg, si dhe për “bashkëpunim kriminal”, që parashikon deri në 10 vjet burgim. Prokuroria ka kërkuar që ata të vendosen në paraburgim.

Sipas hetuesve, këta dy burra “dyshohen se janë personat që hynë në Galerinë Apollo për të vjedhur stolitë”. Njëri është 34 vjeç, me shtetësi algjeriane, rezident në Francë, ndërsa tjetri është 39 vjeç, banues në Aubervilliers (rajoni i Parisit), ku edhe ka lindur. Të dy ishin të njohur për policinë.

Njëri prej tyre u arrestua të shtunën në aeroportin Roissy, ndërsa përpiqej të udhëtonte drejt Algjerisë pa biletë kthimi. I dyshuari i dytë u kap po atë mbrëmje pranë banesës së tij.

Bizhuteritë ende të pagjetura

“Bizhuteritë nuk janë ende në posedimin tonë,” tha Beccuau, duke shtuar: “Dua të mbetem me shpresë se do të rikuperohen.”

Ajo theksoi gjithashtu se, “në kundërshtim me ato që janë raportuar nga disa media, nuk ka asnjë provë që autorët kanë pasur bashkëpunëtorë brenda muzeut.”

Sipas prokurores, kurora e Eugenisë, e cila u “rrëzua gjatë arratisjes” së autorëve, është “gjetur” nga hetuesit. Megjithatë, drejtori i Luvrit ka vënë në dukje “sa delikate do të jetë restaurimi i saj”.

Hetuesit kanë “identifikuar me siguri përfshirjen e katër autorëve”, por nuk përjashtohet mundësia e një “rrjeti më të gjerë”, përfshirë një organizator kryesor apo persona që mund të kenë marrë stolitë e vjedhura, përfundoi Beccuau.

 

 

Shteti ku mund të gjobiteni nëse ecni më shpejt se 6 km/h

Nëse planifikoni të ecni në trotuaret e Sllovakisë, së shpejti do të duhet të bëni kujdes me shpejtësinë. Parlamenti sllovak ka miratuar një ndryshim të ligjit për trafikun, i cili vendos kufirin maksimal të ecjes në zonat urbane në 6 kilometra në orë, raporton Politico.

Ky rregull i ri do të vlejë jo vetëm për këmbësorët, por edhe për çiklistët dhe përdoruesit e skuterëve elektrikë, me qëllim parandalimin e përplasjeve të shpeshta në hapësirat e ngushta të qyteteve.

“Synimi kryesor është rritja e sigurisë në trotuare, pasi numri i aksidenteve me përdoruesit e skuterëve është rritur ndjeshëm,” shpjegoi Ľubomír Vážny, deputet i partisë së majtë-populiste Smer, pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Robert Fico.

Sipas tij, ky ndryshim do ta bëjë më të lehtë përcaktimin objektiv të shkeljeve kur dikush tejkalon shpejtësinë e lejuar në zonat për këmbësorë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Shpejtësia mesatare e ecjes është 4–5 km/h, ndërsa, sipas British Heart Foundation, ecja me ritëm 6.4 km/h konsiderohet e moderuar për persona me formë të mirë fizike.

Nga ana tjetër, opozita dhe Ministria e Brendshme sllovake kanë kritikuar ndryshimin, duke argumentuar se ndalimi i skuterëve elektrikë në trotuare do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme sesa vendosja e një kufiri të përgjithshëm të shpejtësisë.

 

Raporti i UEFA-s: Sjellja e tifozëve shqiptarë, më problematikja në Evropë

Shqipëria është renditur në fund të listës së UEFA-s për sezonin 2024/2025, sa i përket sjelljes së tifozëve në stadiume. Raporti, që konsiderohet mjaft shqetësues, vlerëson se pavarësisht pjesëmarrjes jo të lartë të tifozëve shqiptarë në kompeticionet europiane, sjellja e tyre mbetet më problematikja ndër 53 shtetet e analizuara.

Sipas të dhënave të UEFA-s, tifozët shqiptarë kanë marrë notën mesatare 6.77, që është e vetmja nën nivelin 7. Analiza bazohet në 66 ndeshje të vlerësuara, ku delegatët e UEFA-s kanë dhënë raportet e tyre për atmosferën dhe sjelljen e publikut.

Në pjesën e fundit të renditjes gjenden edhe Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por të gjitha këto vende kanë marrë vlerësime më të larta se Shqipëria.

Ndërkohë, Kosova pozicionohet në vendin e 41-të me një mesatare 7.75 për 73 ndeshje të zhvilluara, duke u renditur ndjeshëm më mirë.

Në krye të listës për sjellje pozitive të tifozëve qëndrojnë Ishujt Faroe, Moldavia dhe Kazakistani, të cilët janë vlerësuar për korrektësi dhe mbështetje sportive gjatë ndeshjeve.

 

Ndërtimi, asnjë marrëveshje as në raundin e fundit të negociatave

Raundi i pestë dhe i fundit i negociatave për një kontratë të re kombëtare ombrellë (CNM) në sektorin kryesor të ndërtimit ka dështuar gjithashtu. Kjo u tha në një deklaratë nga Unia dhe Syna, duke akuzuar punëdhënësit se u mohojnë punëtorëve përmirësimet e nevojshme. CNM-ja aktuale skadon në fund të vitit. Sipas sindikatave, pa një marrëveshje deri atëherë, për herë të parë në dekada, ekziston rreziku i një vakumi kontraktual për 80,000 punëtorët e ndërtimit, transmeton albinfo.ch.

Syna dhe Unia po kërkojnë kohë udhëtimi të paguar midis kompanisë dhe kantierit të ndërtimit, orare pune më të shkurtra dhe më miqësore për familjen, një pushim të paguar në mëngjes, paga më të larta dhe një përshtatje për inflacionin. Shoqata Zvicerane e Kontraktorëve të Ndërtimit (SSIC), nga ana tjetër, nuk dëshiron të ndryshojë javën aktuale të punës prej 40.5 orësh dhe po bën thirrje për orare më fleksibile në mënyrë që kantieret e ndërtimit të mund të përshtaten në mënyrë të pavarur, për shembull, me kushtet e motit. Në rast të motit të keq dhe ndërprerjeve të punës, punonjësve duhet t’u lejohet të punojnë në mënyrë fleksibile edhe të shtunave pa pagesë shtesë.

Sipas sindikatave, raundi i pestë i negociatave ishte i fundit i planifikuar. Në një deklaratë të lëshuar këtë mbrëmje, SSIC tregoi se delegatët e saj do të diskutojnë çështjet e negociuara tashmë në asamblenë e 6 dhe 7 nëntorit. Diskutime të mëtejshme mund të pasojnë bazuar në vendimet e marra në atë takim. Shoqata gjithashtu bën thirrje për respektimin e paqes sociale. Pasi punëtorët e ndërtimit në Ticino dolën në protestë të hënën e kaluar, një grevë është planifikuar në Bernë këtë të premte, ndërsa grevat do të zhvillohen në të gjithë Zvicrën frëngjishtfolëse më 3 dhe 4 nëntor, në Zvicrën Veriperëndimore më 7 nëntor dhe në Cyrih dhe rajone të tjera të Zvicrës gjermanishtfolëse më 14 nëntor.

Siria njeh Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Siria e ka njohur Kosovën.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona.

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, shkruan Osmani.

Kantonet janë të mbushura me para lotarie

Kantonet janë të mbushura me para lotarie dhe nuk dinë çfarë të bëjnë me to.

Ata kanë mbi një miliard franga – dhe kjo shumë po rritet.

Autoritetet e lotarisë janë të qeta për shumën, duke theksuar se nuk ka detyrim për të shpenzuar paratë në një afat të caktuar kohor, transmeton albinfo.ch.

Instituti Avenir Suisse thotë se paratë duhet t’u kthehen njerëzve.

Sipas llogaritjeve të tyre, të gjithë mund të marrin 115 CHF.

Aktualisht, paratë në përgjithësi po shpenzohen për kulturë, sport dhe mirëmbajtjen e aseteve që konsiderohen të vlefshme. Por ende ka shumë të mbetura.

Vrapimi i Nëntorit – në zemër të Kosovës, nën ngjyrat kuq e zi

Në Ditën e Flamurit, ju ftojmë të merrni pjesë në një ngjarje të veçantë sportive e simbolike – Vrapimi i Nëntorit, që zhvillohet në Skenderaj të Kosovës, aty ku historia dhe sporti bashkohen.

Ky aktivitet përfshin dy gara unike, që u përshtaten niveleve të ndryshme të vrapuesve:

  • 🟥 11 km KUQ (270 m D+)
  • 28 km ZI (870 m D+)

“Vrapimi i Nëntorit” bashkon sportistë e dashamirë të natyrës nën ngjyrat kuqezi.
Një mundësi për të festuar Ditën e Flamurit duke vrapuar, për të ndarë pasionin për sportin dhe për të ndjerë frymën e unitetit shqiptar.

📅 Data: 28 Nëntor 2025
📍 Vendi: Kosovë
🔗 Regjistrime: Klikoni këtu

 

Xhaka, futbollisti që ka vrapuar më shumë në Premier Ligë

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, po përjeton një nisje sezoni të jashtëzakonshme me Sunderland-in.

Sunderland po rezulton befasia më e madhe e këtij edicioni, duke grumbulluar 17 pikë në nëntë ndeshje dhe duke zënë vendin e katërt në tabelë.

Njëri nga meritorët kryesorë për këtë fillim të shkëlqyer është padyshim Xhaka, i cili si kapiten po udhëheq ekipin dhe ka regjistruar gjithashtu tre asistime.

Përveç kësaj, 33-vjeçari është futbollisti që ka vrapuar më shumë kilometra në kampionat gjatë nëntë javëve të para, transmeton albinfo.ch.

Sipas faqes zyrtare të Ligës Premier, Xhaka ka kaluar 100.8 kilometra në total, me një mesatare mbi 11 kilometra për ndeshje. Pas tij renditet bashkëlojtari i tij Noah Sadiki me 100.1 km, ndërsa Elliot Anderson (Nottingham) me 99.9 km, Daniel Munoz (Crystal Palace) me 99.2 km dhe Sander Berge (Fulham) me 98.5 km kompletojnë pesëshen më të vrapuar.

Elisa Spiropali takohet me komunitetin shqiptar në Bruksel

Ministrja për Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali është pritur në ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, ku është takuar edhe me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thotë se “shqiptarët e Belgjikës dhe Luksemburgut, që janë pjesë aktive dhe dinjitoze e jetës evropiane në administratë, në universitete, në kompani ndërkombëtare, në art e kulturë”.

Ministrja shpreh mirënjohje për të gjitha shqiptarët, që siç thotë ajo janë ambasadorë të vlerave tona, transmeton albinfo.ch.

“Me mirënjohje të veçantë për secilin prej tyre që di të jetë ambasador i vlerave shqiptare, në veçanti atyre që punojnë për trashëgimin ndër breza të gjuhës shqipe në qytete si Namur, Antverpen dhe Bruksel, ku fëmijët shqiptarë kanë sot mundësinë të mësojnë gjuhën mëmë, historinë dhe kulturën shqiptare”, shkruan Spiropali.

Neuenhof: Shkolla Shqipe feston Ditën e Flamurit

Shkolla Shqipe në Neuenhof të Cyrihut fton të gjithë bashkatdhetarët për të festuar së bashku 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Në emrin e organizatorit ftesën e bëjnë Shpend Limoni, kryetar i Këshillit të Prindërve të Shkollës Shqipe në Neunhof dhe Driton Kelmendi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Shkollës Shqipe në Spreitenbach

Aktiviteti zhvillohet  me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Shqipe mbahet në Neuenhof dhe Spreitenbach.

Ora: 18.30

Vendi: Saal Aula Zürcherstrasse 89, 5432 Neuenhof (ZH)

Arrin në mbi 100 numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gazë

Të paktën 104 palestinezë kanë mbetur të vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të martën në mbrëmje, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur “dhjetëra objektiva terroristësh dhe po ashtu terroristë” në përgjigje të shkeljeve nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Isral Katz, akuzoi Hamasin për një sulm në Gazë që vrau një ushtar izraelit dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura. Hamasi tha se nuk kishte “asnjë lidhje” me sulmin dhe ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar rikthimin e sulmeve duke thënë se “asgjë” nuk do të rrezikonte armëpushimin, por ka shtuar se Izraeli duhet të “kundërsulmojë” kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.

Ushtria izraelite ka thënë të mërkurën se armëpushimi është rikthyer pas sulmeve të së martës. 

Tirron Mamusha – Shqiponja që fluturoi mbi Lucern

Në Lucern, aty ku liqeni pasqyron malet dhe horizonti flet me qetësinë zvicerane, një emër shqiptar u ngrit mbi gjithë pistën: Tirron Mamusha.

Një fitore që nuk është vetëm statistikë sportive, por dëshmi e shpirtit që nuk dorëzohet. Si një kronikë nderi për Kosovën dhe gjithë mërgatën shqiptare në Zvicër, kjo fitore ngjalli emocione të thella krenarie dhe bashkimi.

Një ditë pas fitores së tij të madhe në Swiss City Marathon Lucerne 2025, më 27 tetor 2025, maratonisti kosovar Tirron Mamusha u prit me nderime në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ku u vlerësua për arritjen e tij të jashtëzakonshme: vendi i parë në kategorinë M30 (21,1km) dhe vendi i tetë në renditjen e përgjithshme, me kohën e shkëlqyer 1:11:26.

Gara, që mblodhi mbi 13 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme dhe mijëra spektatorë përgjatë rrugëve të Lucernit, u shndërrua në një festë të madhe sportive. Në këtë atmosferë, flamuri i Kosovës valëviti me krenari falë performancës së Mamushës, i cili përfaqësoi vendin me dinjitet, përkushtim dhe pasion të pashoq.

“Ju uroj shumë suksese! Jam i bindur që do t’i arrish majat, ndonëse tashmë i ke arritur majat e majave. Ju lumtë për punën, përkushtimin dhe suksesin që keni arritur në garën e Lucernit. Na keni bërë krenarë si shqiptarë e si shtet,” – u shpreh Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, duke e cilësuar Tirron Mamushan shembull të vlerave më të larta të sportit dhe përfaqësimit.

 

Konsulli theksoi se Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbetet e përkushtuar të mbështesë sportistët që përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, pavarësisht sfidave që shoqërojnë zhvillimin e sportit elitar.

“Ne mundohemi, me ato mundësi dhe kapacitete që i kemi, të mbështesim sportistët, artistët dhe të gjithë ata që nderojnë vendin tonë jashtë kufijve. Ata janë ambasadorët më të mirë të vlerave tona,” – shtoi ai, duke falënderuar edhe Albinfo.ch, “një medium serioz e i qëndrueshëm, që prej vitesh dokumenton me përkushtim historitë e suksesit të mërgatës shqiptare.”

Në këtë rast, Konsulli kosovar vlerësoi gjithashtu afaristin Astrit Nrecaj, i cili ka përkrahur pjesëmarrjen e sportistit Tirron Mamusha.

Tirron Mamusha – një histori përkushtimi dhe rikthimi

Me origjinë nga Gjakova, Tirron Mamusha është një nga atletët më të spikatur të brezit të ri që po ngre profilin e atletikës kosovare në arenën ndërkombëtare. Përmes punës së pandalshme, disiplinës dhe pasionit për garat e gjata, ai ka ndërtuar një karrierë që flet me rezultate, por edhe me karakter.
Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Pas një dëmtimi serioz shëndetësor që e mbajti gjashtë muaj larg sportit, shumëkush dyshoi në rikthimin e tij. Por Tirroni e përjetoi atë sfidë si një pikënisje të re. Me vendosmëri të hekurt dhe besim të palëkundur, ai rifilloi stërvitjet në nëntor të vitit të kaluar – dhe u rikthye më i fortë se kurrë.
“Gjatë rikuperimit, shumë mjekë më thanë se rikthimi në sport do të ishte i vështirë. Por unë nuk e pranova këtë si fund. Çdo ditë i jam kthyer pistës me qëllimin për ta tejkaluar veten. Fitorja në Lucern është dëshmia se përkushtimi shpërblehet,” – rrëfen ai me përulësi dhe emocione.
Fitorja në Lucern shënon kulmin e një sezoni të qëndrueshëm, duke e renditur Mamushën në mesin e atletëve më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm shqiptarë në garat ndërkombëtare.


“Shpresoj që më 12 prill 2026 të jem sërish në pistë. Gara është pasion, por mbi të gjitha është mënyra më e bukur për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet,” – shton Tirron Mamusha me buzëqeshjen e njeriut që e njeh vlerën e përpjekjes dhe të rrugës.

Në përmbyllje të takimit, Konsulli falënderoi sportistin për frymëzimin që përcjell tek të rinjtë dhe për faktin se përmes sportit, ai po ndërton një urë të fortë mes Kosovës dhe diasporës.

“Kur e përfaqëson shtetin, ajo nuk është vetëm ndjenjë – është përgjegjësi dhe krenari. Ju na keni bërë krenarë të gjithëve. Ne jemi të përkohshëm, por misioni i përfaqësimit është i përhershëm,” – theksoi Konsulli Vigan Berisha.

Kur Tirroni hap duart në shenjën e shqiponjës, çdo shqiptar ndien në gjoks rrahjen e një zemre të përbashkët, zemrës që fluturon me krenari, mbi re, mbi lodhje, mbi kufij.

Në shenjë simbolike, kupa dhe medalja e fituar në Lucern do të vendosen në një vend të posaçëm në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih – si kujtesë e përhershme e përkushtimit, pasionit dhe krenarisë që lidh sportin me identitetin kombëtar.

 

 

Një rast i pazakontë trafikimi njerëzor trondit Bernën

Policia kantonale e Bernës ka zbuluar një rast trafikimi të qenieve njerëzore në qytetin e Bernës. Një burrë 34-vjeçar dyshohet se që nga viti 2016 ka sjellë në Zvicër punonjës meshkuj nga vende të ndryshme dhe i ka shfrytëzuar ata për qëllime seksuale, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, viktimat ishin burra nga Spanja, Brazili, Kolumbia, Venezuela dhe Republika Çeke, të cilët ofronin shërbime ekskluzivisht për klientë meshkuj. Deri tani, policia ka hetuar 40 viktima të mundshme dhe ka identifikuar 14 prej tyre.

Kujtojm; se i dyshuari u arrestua në janar 2025 gjatë një operacioni policor në apartamentin e tij në Bernë, ku u gjetën dhe u morën në pyetje tre punonjës të tjerë meshkuj. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë. /Albinfo.ch

Për më shumë  detaje – https://www.srf.ch/news/schweiz/prostitution-in-der-stadt-bern-menschenhandel-in-bern-polizei-ermittelt-40-maennliche-opfer

Vritet me thikë e reja në Francë, në kërkim ish-partneri shqiptar

Vijojnë hetimet për vrasjen e një kameriereje në Mulhouse të Francës. Mediat franceze raportojnë se në kërkim është shpallur ish-partneri i saj, një shtetas shqiptar. Viktima e një sulmi me thikë ishte një grua 33-vjeçare, e lindur në Gjeorgji dhe banuese në Mulhouse, transmeton albinfo.ch.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, nuk ka precedentë penale dhe është i panjohur për policinë franceze, njoftoi Prokuroria e Mulhouse më 28 tetor.

Viktima punonte si banakiere në një bar lokal. Ajo u godit me thikë për vdekje më 25 tetor, në momentin që po hapte lokalin e punës. Sipas hetimeve paraprake, ajo kishte jetuar për tre vjet me autorin e dyshuar, nga i cili ishte ndarë prej pak kohësh.

Prokuroria dyshon se motivi i ngjarjes lidhet me xhelozinë dhe refuzimin e ndarjes, një faktor i përmendur shpesh në rastet e femicidit.

Shefi i saj, Farouk Tas, i cili mbërriti i pari në vendngjarje, tha për France 3 Grand Est:

Ajo ishte si vajza ime. Ishte një grua e jashtëzakonshme. Jemi në shok, pamë gjithçka me sytë tanë. Jemi të shkatërruar.”

Një autopsi e trupit të viktimës pritet të kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Strasburgut, ndërsa po rishikohen kamerat e sigurisë për të zbardhur çdo detaj të ngjarjes. /Albinfo.ch

Qeveria federale po riaktivizon këto aeroporte të vjetra ushtarake

Për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë në Evropë, Këshilli Federal ka vendosur të forcojë mbrojtjen ajrore të Zvicrës. Një nga masat kryesore është decentralizimi i Forcave Ajrore Zvicerane, në mënyrë që ato të jenë më pak të prekshme ndaj sulmeve, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kuadër, po riaktivizohen ish-aeroporte ushtarake dhe po zhvillohen stërvitje uljesh në autostrada. Aktualisht, tre bazat kryesore ajrore janë Payerne (VD), Emmen (LU) dhe Meiringen (BE), ndërsa pritet që në të ardhmen të përdoren sërish disa pista të vjetra për qëllime mbrojtëse dhe trajnimi.

https://www.blick.ch/politik/bundesrat-beschliesst-dezentralisierung-luftwaffe-braucht-ausweichmoeglichkeiten-id21371355.html

Zvicra dhe Britania e Madhe hapin rrugë të reja për bashkëpunim në sektorin e shërbimeve

Të dy vendet zgjatën Marrëveshjen e Lëvizshmërisë së Shërbimeve (SMA), e cila ishte planifikuar të skadonte në dhjetor të këtij viti; tani do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2029, njoftoi qeveria të martën.

SMA rregullon aksesin reciprok në treg dhe qëndrimin e përkohshëm të ofruesve të shërbimeve, siç janë konsulentët e menaxhimit, ekspertët e IT-së dhe inxhinierët, pasi marrëveshja e lëvizjes së lirë të personave midis dy kombeve përfundoi pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE në vitin 2021. /Albinfo.ch

Zvicra, kombi më konkurrues në botë

Ndoshta e keni dëgjuar tashmë këtë: Zvicra ishte tashmë në vendin e parë midis 69 ekonomive në Renditjen Botërore të Konkurrueshmërisë në qershor, përcjell albinfo.ch.

Tani, një studim tjetër – ‘Raporti i Konkurrueshmërisë 2025’ i grupit të ekspertëve Eight Competitiveness Lab – gjithashtu e vendosi Zvicrën në vendin e parë, përpara 57 vendeve të tjera.

Zvicra u rendit kaq lart falë “bazës së saj të fortë ekonomike, infrastrukturës së fortë, kapacitetit të fortë inovativ dhe kushteve fiskale”, zbuloi raporti.

Kufiri midis Gjenevës dhe Francës do të ndryshojë

Të martën, Zvicra dhe Franca nënshkruan tre marrëveshje në Bernë në lidhje me korrigjimin e kufirit kombëtar midis kantonit të Gjenevës dhe departamentit të Haute-Savoie, përcjell albinfo.ch.

Rregullimet kanë të bëjnë me sektorët Hermance dhe Foron, si dhe zonën kufitare të Perly-Certoux dhe Bardonnex.

Për më tepër, si pjesë e ndërtimit të një linje të re ndërkufitare tramvaji midis komunës zvicerane të Perly-Certoux dhe komunës franceze të Saint-Julien-en-Genevois, është e nevojshme edhe një përshtatje e kufirit shtetëror.

Agjencia belge e lajmeve: Belgjika dëshiron të krijojë burgje në Kosovë

Për shkak të mungesës së vendve të mjaftueshme në burgjet e vendit, autoritetet belg po shqyrtojnë mundësinë që disa të burgosur të vuajnë dënimin e tyre në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Referuar agjencisë belge të lajmeve Belga, qeveria po mendon të marrë me qira ose madje të ndërtojë një burg në Kosovë për personat e dënuar që nuk kanë status të rregullt qëndrimi. Një marrëveshje e ngjashme ekziston tashmë mes Kosovës dhe Danimarkës.

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, së bashku me ministren e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, vizituan së fundmi Kosovën për të zhvilluar bisedimet e para, raportoi mediumi gjerman n-tv, pjesë e grupit RTL.

Problemi i mungesës së vendit ka nxitur edhe miratimin e një ligji të ri. Burgjet e mbipopulluara janë një sfidë serioze në Belgjikë, ndaj gjatë verës u miratua një rregullore e re që kërkon që gjykatësit të japin një arsyetim të qartë përse një dënim me burg është i domosdoshëm. Aktualisht, vendi ka mungesë afërsisht 2.000 vendeve të burgimit.

Në vitin 2014, Belgjika u shpall fajtor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për kushtet e papërshtatshme në burgjet e saj dhe që nga ajo kohë është kritikuar disa herë, përfshirë nga Këshilli i Evropës. Sipas agjencisë belge Belga, Kosova shpreh interes për mbështetje nga Belgjika në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke qenë ende kandidat potencial për anëtarësim.