The Telegraph: Pse plani i Laburistëve britanikë me Kurtin për dërgimin e emigrantëve në Kosovë pritet të dështojë

Pse plani i Laburistëve britanik me Kurtin për dërgimin e emigrantëve në Kosovë pritet të dështojë, sipas “The Telegraph”, përcjell albinfo.ch.

Plani i Partisë Laburiste në Britani për krijimin e “qendrave të kthimit” në Kosovë, ku do të dërgohen emigrantët që kanë refuzuar kërkesat për azil në Mbretërinë e Bashkuar, përballet me shumë sfida dhe skepticizëm të gjerë.

Referuar një artikulli të “The Telegraph”, me gjithë mirëkuptimin dhe gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky plan ka shumë gjasa të dështojë për shkak të problemeve praktike, ligjore dhe politike.

lg.php.gif

Kosova, një vend i vogël ballkanik me rreth 1.5 milionë banorë, është i njohur në Britani për mbështetjen që iu dha gjatë luftës me Serbinë në vitet ’90, dhe Kurti ka treguar gatishmëri të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së emigracionit në Britani. Ai tha gjatë një samiti të liderëve ballkanas në Londër:

“Natyrisht, ne duam të përfitojmë si vend, por mbi të gjitha është detyrë jonë politike që t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë këtë.”

Megjithatë, edhe pse Kosova është e gatshme të marrë përsipër këtë përgjegjësi, plani duket se është vetëm një “version më i vogël” i skemës së mëparshme britanike për deportimet në Ruandë, të cilën kryeministri Keir Starmer e quajti “të vdekur dhe të varrosur” kur erdhi në pushtet, shkruan mediumi.

Alp Mehmeti, kryetar i Migration Watch UK, një think tank që ndjek çështjet e emigracionit, deklaroi për “The Telegraph”:

“Kjo duket si një mini-version i planit të Ruandës, dhe nëse kjo është ajo që duan, unë sugjeroj të kthehen tek plani origjinal. Kanë kaluar 15 muaj që kur Starmer tha se do të shkatërronte bandat e trafikimit, por nuk ka ndodhur pothuajse asgjë.”

Sfida kryesore: Kapacitetet dhe integrimi në Kosovë

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kapacitetin e kufizuar të Kosovës për të strehuar dhe përfshirë emigrantë nga vende si Afganistani, Siria, Somalia, Sudani dhe Irani — grupe që përbëjnë rreth gjysmën e rasteve të emigrantëve të vegjël në Britani.

Tony Smith, ish-drejtor i përgjithshëm i UK Border Force, vuri në dukje pasiguri të mëdha mbi këtë çështje:

“Gjykatat do të duhet të jenë të sigurt se personat e dërguar në Kosovë do të trajtohen në mënyrë dinjitoze, veçanërisht në qendrat e mbajtjes. Por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me ta në afat të gjatë. A do të ketë një plan për qëndrimin e tyre, me mundësi pune, banim dhe mbështetje sociale? A mund ta ofrojë Kosova këtë? Dhe nëse po, a mund të shkaktojë kjo tensione sociale në një vend që nuk ka traditë migrimi nga Afrika apo Lindja e Mesme?”

Një tjetër shqetësim i madh është rreziku që emigrantët mund të tentojnë përsëri të kalojnë ilegalisht drejt Britanisë, për shkak të lidhjeve gjeografike dhe mungesës së kontrollit të fortë.

Kostoja dhe sfidat ligjore

Plani pritet të jetë shumë i kushtueshëm, pasi Kosova do të kërkojë fonde të konsiderueshme për të mbuluar shpenzimet e strehimit, sigurisë dhe integrimit të emigrantëve, duke qenë se kjo do të jetë një përgjegjësi e re për një nga vendet më të varfra në Evropë. Për krahasim, plani italian për të dërguar emigrantë në Shqipëri ka një kosto prej rreth 550 milionë paund për pesë vjet.

Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj këtij plani, duke paralajmëruar sfida ligjore dhe duke e cilësuar atë si një mënyrë për vendet e pasura që të kalojnë përgjegjësitë e tyre ndaj emigrantëve tek vendet më të varfra. Steve Valdez Symonds, drejtori i programit për refugjatët dhe emigrantët në Amnesty UK, tha:

“Kjo do të thotë që vendet e pasura si Britania po ia kalojnë përgjegjësitë e tyre vendeve më të varfra. Presim që kjo të sfidohet ligjërisht dhe në Amnesty tashmë kemi shqetësime për kushtet në qendrat e mbajtjes në Kosovë.”

Një plan me shumë pyetje pa përgjigje

Në përgjithësi, edhe pse Kosova duket e gatshme të ndihmojë një aleat historik si Britania e Madhe, “The Telegraph” thekson se plani për qendrat e kthimit ka shumë pengesa përpara:

Nuk është e qartë nëse Kosova ka kapacitetet e nevojshme për të pritur mijëra emigrantë.

Nuk ka një marrëveshje të detajuar ligjore dhe politike siç ishte plani për Ruandën.

Sfida sociale dhe tensionet potenciale në Kosovë mund të rrisin problemet.

Rreziku i rikthimit të emigrantëve në Britani mbetet i lartë.

Kostoja financiare do të jetë e madhe dhe mund të mos sjellë përfitime reale për taksapaguesit britanikë.

Në përfundim, ish-drejtori i UK Border Force, Tony Smith, sugjeron që qeveria britanike të rishqyrtojë planin e Ruandës, duke thënë:

“Nëse Britania do të bëjë çfarëdo që duhet për të ndaluar anijet e vogla, duhet të bëjë paqe me vetveten dhe të ringjallë planin për Ruandën tani.”

Në këtë mënyrë, plani i Labour për dërgimin e emigrantëve në Kosovë, megjithë ambiciet dhe mbështetjen e kryeministrit Kurti, përballet me sfida serioze që mund ta pengojnë realizimin e tij.

Kandidati për kryebashkiak i Nju-Jorkut bën shqiponjën me duar

Quhet Zohran Mamdani, është kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak të New Yorkut, ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shqiptar pasi u shfaq duke bërë me duar shenjën e shqiponjës dykrenare, simbolin kombëtar shqiptar, gjatë një takimi me mbështetësit në lagjen Queens, përcjell albinfo.ch.

Ky gjest u prit me entuziazëm nga shqiptarët e pranishëm në aktivitet, të cilët e konsideruan një shenjë respekti ndaj komunitetit shqiptar në SHBA.

Mamdani, politikan progresiv dhe përfaqësues i brezit të ri demokrat, është i njohur për angazhimin e tij në drejtësi sociale dhe reforma ekonomike. Në vitin 2025, ai fitoi nominimin demokrat për kryebashkiak të New Yorkut, duke mundur ish-guvernatorin Andrew Cuomo në primaret e partisë.

Nëse fiton zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, Mamdani do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman dhe i pari me origjinë indiane në historinë e qytetit.

Zohran Kwame Mamdani ka lindur më 18 tetor 1991 në Kampala, Ugandë, dhe është djali i regjisores së njohur Mira Nair dhe akademikut Mahmood Mamdani. Familja e tij u shpërngul në New York kur ai ishte 7 vjeç, ku më vonë studioi në Bronx High School of Science dhe Bowdoin College. Ai u bë shtetas amerikan në vitin 2018.

https://www.instagram.com/p/DQAEvImDcum/?utm_source=ig_embed&ig_rid=da76411a-6389-44a5-9cdd-30095fbce34e

Tirana, destinacioni më i kërkuar turistik në Ballkan

Tirana po konsolidohet si një nga qytetet më të vizituara në Ballkan, duke u kthyer në një qendër të gjallë që bashkon historinë, kulturën dhe inovacionin. Sipas portalit ndërkombëtar Travel and Tour World, kryeqyteti shqiptar ofron përvoja të larmishme gjatë gjithë vitit, ga trashëgimia historike deri te jeta moderne urbane, përcjell albinfo.ch.

Traditë dhe modernitet në harmoni

Tirana mbetet magnet për turistët falë ndërthurjes mes së vjetrës dhe së resë. Monumente si Sheshi Skënderbej, Kulla e Sahatit, Bunk’Art dhe Shtëpia e Gjetheve i japin qytetit një dimension historik unik, ndërsa hapësira të reja si Piramida e Tiranës simbolizojnë transformimin e saj në një qendër kreative dhe teknologjike.

Kulturë, kuzhinë dhe eksperienca unike

Përveç trashëgimisë kulturore, Tirana ofron një skenë dinamike sociale dhe gastronomike. Pazari i Ri është destinacioni ideal për të shijuar ushqimin tradicional dhe produktet vendase, ndërsa kafenetë dhe restorantet moderne reflektojnë frymën e re të qytetit.
Në periferitë e kryeqytetit, natyra e pasur, malet dhe parqet kombëtare ofrojnë mundësi për ecje, çiklizëm dhe aventurë.

Ngjarje dhe zhvillim i qëndrueshëm

Evente si Tirana International Film Festival dhe Tirana Jazz Festival e pozicionojnë qytetin si një qendër të rëndësishme kulturore në rajon. Rritja e turizmit ka ndikuar ndjeshëm edhe në ekonominë lokale, duke gjeneruar vende pune dhe duke nxitur bizneset vendase.

Një e ardhme premtuese turistike

Me infrastrukturë moderne, transport të aksesueshëm dhe projekte urbane transformuese, Tirana po e forcon imazhin e saj si një destinacion që kombinon historinë, artin dhe inovacionin. Kryeqyteti shqiptar po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër rajonale turizmi dhe kulture, që tërheq vizitorë nga e gjithë bota./atsh

KQZ-ja sot vendosë për fushatën e raundit të dytë, votimin jashtë Kosovës dhe vëzhguesit

Sot, duke filluar nw orwn 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe pika kryesore në rend të ditës do të jetë miratimi i planit të aktiviteteve për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, përcjell albinfo.ch.

Ky lajm është konfirmuar mëngjesin e së premtes nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e këtyre aktiviteteve për të cilat do të vendosë KQZ janë edhe koha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Gjithashtu, KQZ do të vendosë për periudhën e aplikimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike garuese si dhe për konfirmimin e vëzhguesve të mediave, OJQ-ve, përfaqësive diplomatike, etj.

Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Kurti: Kosova ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, e para në rajon

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata Henley, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se sipas këtij indeksi, Kosova renditet në vendin e 26-të nga gjithsej 226 shtete të përfshira në vlerësim, duke u pozicionuar e para në rajon dhe përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se ky vlerësim vjen vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi Kosovën nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se vendi do të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

“Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta”, ka shtuar Kurti.

Mësohet data e kthimit të Jasharit të Milanit

Raportohet se mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Parmës më 8 nëntor. Kështu ka njoftuar të enjten “La Gazzetta dello Sport”, përcjell albinfo.ch.

“Gjërat deri më tani po shkojnë sipas planit. Mesfushori ka nisur vrapimet”, shkruan gazeta e madhe italiane. 

Jashari në gusht përsoi lëndim në një duel me Santiago Gimenezin në stërvitje. 

Jashari u bë një nga transferimet më të shtrenjta të Serie A gjatë afatit kalimtar të verës. Kaloi te Milani për 37 milionë euro nga Club Brugge. 

Para lëndimit ai kishte luajtur vetëm 40 minuta në dy paraqitje si zëvendësues për Kupë të Italisë dhe në Serie A.

Flona Abdullahi, inxhiniere e re nga diaspora që po ndërton karrierë në Suedi

Flona Abdullahi, e lindur në Suedi me origjinë nga Kosova, është një shembull frymëzues i gjeneratës së re të profesionistëve në diasporë. Ajo ka përfunduar studimet në Chalmers University of Technology, një ndër universitetet më prestigjioze të Suedisë, ku është diplomuar si Inxhiniere e Ekonomisë Industriale, transmeton  albinfo.ch.

Aktualisht, Flona ka nisur karrierën e saj profesionale në kompaninë “Eidra”, një ndërmarrje inovative suedeze që ndërthur teknologjinë dhe krijimtarinë për të zhvilluar zgjidhje moderne në industrinë bashkëkohore.

Sot, ajo iu bashkua Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, një iniciativë e Ambasadës së Kosovës në Suedi që ka për qëllim të lidhë, fuqizojë dhe promovojë të rinjtë me prejardhje nga Kosova që po ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit. /Albinfo.ch

Dan Ballard: Granit Xhaka ka sjellë ndryshim të madh te Sunderlandi

Mbrojtësi i Sunderlandit, Dan Ballard, ka folur për ndikimin e madh që Granit Xhaka ka pasur në skuadër, qëkur iu bashkua ekipit anglez nga Bayer Leverkusen në verë, për shumën prej 15 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ballardit, mesfushori kosovar me përvojë të gjatë në futbollin evropian ka sjellë energji dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm në grup.

“Nuk kam menduar se një lojtar mund të ketë ndikim kaq të madh në skuadër, por Xhaka është motivues i pabesueshëm dhe i ka ngritur standardet. Kur stërvitesh, e ndien se duhet ta impresionosh atë,”

– ka deklaruar Ballard për Reuters.

Xhaka, 33-vjeçar, ish-futbollist i Baselit, Borussia Mönchengladbachut dhe Arsenalit, ka qenë ndër më të mirët te Sunderlandi. Ai ka regjistruar tri asistime në tetë ndeshjet e para të Premier League-s, ndërsa nën drejtimin e tij si kapiten, skuadra ndodhet aktualisht në vendin e shtatë me 14 pikë.

Kujtojmë se Sunderlandi u rikthye në Premier League24 maj 2025, pas tetë vjetësh mungesë.

Ndeshja e radhës për skuadrën e Xhakës do të zhvillohet të shtunën në “Stamford Bridge” ndaj Chelseat.

Kjo kartmonedhë po ngjall emocion tek zviceranët

Gjashtë dizajne janë në finale për serinë e re të monedhave zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Sipas një studimi neuromarketingu nga Zutt & Partner, dizajni B është favoriti, pasi ngjall ndjenja afërsie dhe besueshmërie tek njerëzit.

Vendimi për dizajnin fitues do të merret nga Banka Kombëtare Zvicerane në fillim të vitit 2026. /Albinfo.ch

Tesla tërheq nga tregu 13 mijë automjete elektrike për shkak të defektit në bateri

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Rrugët e Shteteve të Bashkuara (NHTSA) njoftoi se kompania Tesla ka nisur tërheqjen e rreth 13 mijë automjeteve elektrike të modeleve Model 3 dhe Model Y të vitit 2026, për shkak të një defekti të mundshëm në sistemin e baterisë.

Sipas deklaratës së NHTSA-së, “një kontaktor në paketën e baterisë mund të dështojë, duke shkaktuar humbje të menjëhershme të fuqisë së ngasjes”. Ky problem, sipas agjencisë, rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve rrugore.

Autoritetet kanë konfirmuar se 13 mijë automjete janë potencialisht të prekura nga ky defekt. Tesla ka njoftuar se do të zëvendësojë komponentin e dëmtuar falas, ndërsa njoftimet zyrtare për pronarët e automjeteve do të dërgohen më 9 dhjetor.

Ky është një tjetër rast që përfshin tërheqjen e automjeteve Tesla për arsye teknike, ndërsa kompania vijon të përballet me rritjen e konkurrencës dhe vëzhgimin e shtuar të autoriteteve për sigurinë e automjeteve elektrike.

 

Çdo qytetar i BE-së prodhon mesatarisht 35 kg mbetje plastike në vit

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, gjatë vitit 2023 në Bashkimin Europian u prodhuan rreth 79.7 milionë tonë mbetje nga paketimet, që përkthehet në 177.8 kilogramë për çdo banor.

Edhe pse kjo përfaqëson një ulje prej 8.7 kg për frymë krahasuar me vitin 2022, sasia mbetet më e lartë se dhjetë vjet më parë — konkretisht me 21.2 kg më shumë se në vitin 2013.

Nga totali i mbetjeve të paketimeve të gjeneruara:

40.4% përbëheshin nga letër dhe karton,

19.8% nga plastika,

18.8% nga qelqi,

15.8% nga druri,

4.9% nga metali,

ndërsa pjesa tjetër përfshinte materiale të tjera.

Në vitin 2023, çdo qytetar i BE prodhoi mesatarisht 35.3 kilogramë mbetje plastike, nga të cilat 14.8 kilogramë u ricikluan.

Kjo përfaqëson një rënie të lehtë të mbetjeve plastike të gjeneruara (–1 kg) dhe një rritje të vogël të sasisë së ricikluar (+0.1 kg) krahasuar me vitin e mëparshëm.

Në krahasim me vitin 2013, mbetjet plastike të paketimeve janë rritur me 6.4 kg për frymë, ndërsa riciklimi ka shënuar një përmirësim prej 3.8 kg.

Në total, 42.1% e mbeturinave plastike të paketimeve u ricikluan në BE gjatë vitit 2023, duke treguar përmirësim nga 38.2% në vitin 2013.

Shtetet me shkallën më të lartë të riciklimit ishin Belgjika (59.5%), Letonia (59.2%) dhe Sllovakia (54.1%), ndërsa më të ulëtat u regjistruan në Hungari (23%), Francë (25.7%) dhe Austri (26.9%).

 

Kroacia vendos pagën minimale të re, ja sa do të jetë rritja

Qeveria e Kroacisë pritet të miratojë një pagë minimale bruto prej 1,050 eurosh deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur kryeministri Andrej Plenkoviq gjatë një vizite në Bruksel.

Plenkoviq komentoi mbi negociatat mes sindikatave dhe punëdhënësve për pagat minimale, duke theksuar se ligji e obligon qeverinë që të vendosë shumën e pagës minimale bruto për vitin e ardhshëm deri në fund të tetorit, raporton Index.hr.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të disa propozimeve nga një komision i posaçëm, ku marrin pjesë profesorë, përfaqësues sindikatash, punëdhënës dhe ekspertë, po vlerësojmë nivelin e përshtatshëm të pagës minimale. Mendimi ynë është që për vitin e ardhshëm të jetë 1,050 euro bruto,” tha Plenkoviq.

Ai shtoi se gjatë nëntë viteve të qeverisjes së tij, Kroacia ka rritur PBB-në për frymë nga 61% në 78% të mesatares evropiane, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto ka shkuar nga 11,000 në 22,000 euro, duke u rritur gjithashtu nga 47 miliardë në afërsisht 93.4 miliardë euro deri në fund të këtij viti.

Plenkoviq njoftoi se qëllimi i qeverisë është që paga minimale bruto të arrijë rreth 1,250 euro deri në fund të mandatit të tretë, ndërsa aktualisht është 970 euro.

 

Skandali i Kardiologjisë Evropiane: Mjekët nën ndikimin e industrisë farmaceutike

Një skandal i madh tronditi botën e kardiologjisë evropiane: disa mjekë të njohur thuhet se kanë marrë miliona për të promovuar ilaçin për zemrën Ivabradine, i cili në Zvicër shitet me emrin Procoralan. Hetimi i gazetarëve danezë për Temps Présent zbuloi konflikte të mëdha interesi brenda Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC), transmeton albinfo ch.

Në qendër të skandalit është ish-presidenti i ESC-së, Profesor Kim Fox, i cili raportohet se ka marrë rreth 84 milionë franga zvicerane nga laboratori francez Servier, prodhues i ilaçit. Kjo shumë ngre dyshime serioze mbi pavarësinë e udhëzimeve mjekësore të ESC-së.

Hetimi tregon se industria farmaceutike përdor metoda të ndryshme për të influencuar mjekët, përfshirë pagesa direkte, ftesa në konferenca luksoze dhe presione në spitale. Ndërsa ESC-ja ka përjashtuar Kim Fox nga organizata dhe pretendon se procesi i saj për rekomandime është i pavarur, kritikat për mungesë transparence vazhdojnë.

Rasti nënvizon nevojën për kontroll më të rreptë mbi marrëdhëniet mes mjekëve dhe industrisë farmaceutike dhe rëndësinë e një qasjeje kritike ndaj udhëzimeve mjekësore, edhe kur vijnë nga institucione të njohura.

Sipas Shoqatës Zvicerane të Kardiologjisë, Ivabradine përdoret rrallë në Zvicër dhe konsiderohet një “produkt i veçantë”.

 

Rama në BBC: Si e ndaluam emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve me gomone

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dha një intervistë për BBC Radio 4, ku foli për uljen e ndjeshme të emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë. Ai theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar pas marrëveshjes së vitit 2023 ka ulur me 95% numrin e shqiptarëve që mbërrinin me gomone.

Rama shpjegoi se suksesin e arritën përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe krijimit të ekipeve të përbashkëta mes dy vendeve. Ai gjithashtu e hodhi poshtë idenë e qendrave të kthimit për azilkërkuesit, duke thënë se kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme dhe se emigracioni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët përfitojnë.

Kryeministri gjithashtu theksoi se imigracioni mund të jetë pjesë e zgjidhjes për sfidat demografike dhe nevojën për fuqi punëtore të kualifikuar në Europë dhe Britani.

Presidentja Vjosa Osmani në Berlin: Kosova dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpresës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në forumet prestigjioze “The Humboldt Speeches on Europe” në Berlin, ku ka folur për Kosovën jo vetëm si një shtet të ri, por si një shembull i gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të sjellin dritë edhe pas plagëve të luftës.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova përfaqëson një histori suksesi të demokracisë, vlerave që bashkojnë dhe shpresës që forcon dhe bashkon Evropën. Ajo u shpreh se ky forum, i zhvilluar në një ndërtesë historike në zemër të Berlinit, ofron mundësinë për të treguar për progresin e Kosovës dhe rolin e saj në forcimin e vlerave evropiane.

Presidentja Osmani gjithashtu e cilësoi pjesëmarrjen e saj si një nder personal dhe institucional, duke nënvizuar rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në nivele të larta ndërkombëtare.

Stuhia “Benjamin” shkakton dëme dhe ndërprerje trafiku në Zvicër

Zvicër: Stuhia e fortë “Benjamin” kaloi nga perëndimi në lindje të Zvicrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ndërprerje trafiku. Era arriti deri në 150 km/orë në vende të ekspozuara si Säntis dhe Pilatus.

Dëmet kryesore:

Vaud: Dy shtylla elektrike u rrëzuan në Bière; zjarrfikësit morën 98 thirrje kryesisht për pemë të rrëzuara.

Gjenevë: Të gjitha parket dhe rrugët e shëtitjes u mbyllën; shërbimet me anije në Liqenin e Gjenevës u anuluan.

Mittelland dhe Zvicra Veriperëndimore: Pema mbi binarë shkaktoi ndërprerje në disa linja hekurudhore; vonesa në rrugë dhe trafiku publik.

Zvicra Qendrore: Rekord tetori në Luzern: era arriti 114 km/orë.

Zvicra Lindore dhe Zürich: Rimorkio u përmbys në autostradë; disa linja hekurudhore dhe teleferikë u ndërprenë.

Ndikimi në Francë: Era arriti deri në 161 km/orë në Normandi dhe shkaktoi stuhira edhe në Paris.

Autoritetet kishin lëshuar paralajmërime për zonën veriore të Alpeve dhe nivel paralajmërimi federal ishte 3 nga 5.

 

Drita e bardhë e ftohtë ul më shumë stresin sesa drita e bardhë e ngrohtë, zbulon eksperimenti në Cyrih

Një studim zviceran tregon se drita e bardhë e ftohtë ndihmon trupin të relaksohet më shumë sesa drita e bardhë e ngrohtë — megjithëse kjo e fundit perceptohet si më e këndshme për syrin.

Një eksperiment i zhvilluar në kantonin e Cyrihut ka zbuluar se trupi reagon më qetë nën ndriçimin e bardhë të ftohtë. Ky studim, i realizuar nga Instituti Federal Zviceran për Kërkime mbi Pyjet, Dëborën dhe Peizazhin (WSL) në bashkëpunim me kompaninë e energjisë elektrike të kantonit të Cyrihut (EKZ), përfshiu 77 vullnetarë në qytetin Richterswil (ZH).

Pjesëmarrësit u ekspozuan për 20 minuta ndaj tre llojeve të ndryshme ndriçimi LED:

dritë e ngrohtë (2700 Kelvin),

dritë e bardhë neutrale (4000 Kelvin),

dhe dritë e bardhë e ftohtë (6500 Kelvin).

Para dhe pas ekspozimit, ata plotësuan pyetësorë mbi gjendjen e tyre shpirtërore dhe ndjenjën e sigurisë, ndërsa niveli i kortizolit në pështymë u mat për të përcaktuar shkallën e stresit.

Diferenca midis perceptimit dhe realitetit

Rezultatet treguan një kontrast të qartë mes asaj që njerëzit ndjenë dhe reagimit të vërtetë të trupit: shumica e pjesëmarrësve e vlerësuan dritën e ngrohtë si më të këndshme dhe e konsideruan dritën e ftohtë si tepër të fortë, por stresi trupor u ul më shumë nën ndriçimin e bardhë të ftohtë.

Sipas Solène Guenat, udhëheqëse e studimit, kjo mund të shpjegohet nga fakti se “ndihemi më të sigurt gjatë ditës sesa natës, gjë që mund të shpjegojë pse niveli i stresit ra nën ndriçimin e bardhë të ftohtë.”

Një dilemë për qytetet

Komunat që po rinovojnë ndriçimin publik duhet të bëjnë një zgjedhje të vështirë:

Të ndjekin preferencat vizuale të qytetarëve apo efektet reale të spektrit të dritës mbi shëndetin?

Përveç ndikimit pozitiv në stres, drita e bardhë e ftohtë ka edhe një avantazh energjetik — harxhon rreth 30% më pak energji elektrike se drita e bardhë e ngrohtë.

“Në Zvicër, shumica e komunave kanë zgjedhur tashmë ndriçues me dritë të bardhë të ngrohtë. Kjo përbën një kompromis të mirë mes efikasitetit energjetik dhe pranueshmërisë sociale,” shpjegon Jörg Haller, përgjegjës i ndriçimit publik dhe i projekteve Smart City në EKZ.

Në Richterswil, një rrugë e tërë është ndriçuar me llamba me temperatura të ndryshme ngjyrash, nga drita e ngrohtë në të majtë, deri te drita e bardhë e ftohtë në të djathtë – për të demonstruar efektet vizuale të ndryshme të ndriçimit publik.

 

IA fajësohet për uljen e vendeve të punës në Zvicër

Zgjerimi i inteligjencës artificiale (IA) mund të shpjegojë ngadalësimin e tregut të punës në Zvicër, thotë kompania e rekrutimit Adecco.

Sipas një analize të rregullt të Adecco-s, numri i vendeve të lira ka rënë me 0.2% në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Indeksi zviceran i tregut të punës, një tregues i llogaritur nga Adecco dhe Universiteti i Cyrihut, qëndronte në vlerën 133, sipas një njoftimi të publikuar sot.

“Sipas raportit ekonomik KOF, ekonomia zvicerane pothuajse është ndalur në tremujorin e dytë, e penalizuar nga rënia e eksporteve dhe rritja e tarifave amerikane,” tha Marcel Keller nga Adecco. “Megjithatë, numri i vendeve të lira në tremujorin e tretë ka rënë vetëm në mënyrë modeste, dhe norma e papunësisë ka shënuar një rritje të vogël. Kjo mund të shpjegohet nga stabilizimi i tendencave të konsumit dhe nga futja e punës me orar të shkurtuar.”

Studimi aktual fokusohet në punët administrative dhe zyrtare, që përbëjnë grupin më të madh të profesionistëve në Zvicër dhe janë thelbësore për proceset qendrore në kompanitë private dhe sektorin publik.

Në të njëjtën kohë, këto profesione janë veçanërisht të ekspozuara ndaj zhvillimeve në fushën e AI-së: rezulton se në dy vitet e fundit (që nga 2023) numri i vendeve të lira në këtë degë ka rënë me 17.4%.

“Arsimimi i lartë nuk e mbron automatikisht individin nga ndikimi i AI-së,” paralajmërojnë ekspertët e Adecco-s. Për t’u përballur me situatën, ata rekomandojnë: përparësi në arsimin e vazhdueshëm për aftësi të lidhura me të dhënat dhe proceset, rritje të informimit mbi inteligjencën artificiale dhe rishikim të roleve profesionale.

 

Franca tërhiqet nga angazhimi për ndalimin e anijeve me emigrantë në Kanalin e La Manshit

Franca është tërhequr nga premtimi i dhënë së fundmi për të përdorur masa të forta në det me qëllim ndalimin e kalimit të anijeve të vogla me emigrantë përmes Kanalit të La Manshit, raportoi BBC., përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve, tensionet e brendshme politike në Francë kanë ndikuar në këtë vendim, i cili konsiderohet një goditje për përpjekjet e qeverisë britanike për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Ndërkohë, çdo ditë vazhdojnë të nisen anije të mbipopulluara nga brigjet pranë portit të Dunkirkut, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për t’i penguar ato.

Shefi i sigurisë kufitare në Britaninë e Madhe, Martin Hewitt, shprehu “zhgënjimin” e tij për mungesën e veprimit nga pala franceze dhe e cilësoi premtimin për një “doktrinë të re detare” si të pavlefshme. Kjo doktrinë parashikonte që anijet patrulluese franceze të ndalonin mjetet me emigrantë dhe t’i tërhiqnin ato përsëri në breg.

Një zyrtar francez e përshkroi këtë politikë si “një manovër politike”, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Bruno Retailleau ishte vlerësuar për qasjen e tij më të ashpër ndaj kalimeve të paligjshme.

Kujtojmë se në korrikun e kaluar, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer zhvilluan një samit për këtë çështje, duke theksuar bashkëpunimin në ndalimin e të ashtuquajturave “anije taksi”, të cilat përdoren nga kontrabandistët për të transportuar emigrantët përgjatë vijës bregdetare.

Megjithatë, policia franceze rrallë ndërhyn ndaj këtyre mjeteve, pasi rreziku për jetën e oficerëve dhe civilëve mbetet shumë i lartë.

 

Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara nga turizmi masiv

Të qenit destinacion shumë i frekuentuar nga turistët nuk është gjithmonë një avantazh. Ndërsa turizmi sjell fitime ekonomike, ai gjithashtu mund të shkaktojë presion mbi ambientin dhe jetën e përditshme të komuniteteve vendase.

Gjetja e një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore është një sfidë kryesore për destinacionet që përjetojnë rritje të madhe turistike.

Turizmi masiv ndodh kur një vend apo zonë nuk është në gjendje të përballojë numrin e madh të vizitorëve, duke ndikuar negativisht në jetën e banorëve dhe infrastrukturën lokale.

Këto pasoja përfshijnë mungesën e ushqimit dhe ujit me çmime të përballueshme, mbipopullim, trafikun e rënduar, ndotjen, rritjen e çmimeve të banesave dhe humbjen e autenticitetit të zonës, transmeton monitor përvjell albinfo.ch.

Ekspertët këshillojnë që turizmi të mos evitohet, por të menaxhohet me kujdes — përmes vizitave jashtë sezonit të lartë, qëndrimeve më të gjata dhe mbështetjes së biznesit lokal.

1. Shqipëria

E vendosur mes brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria po përjeton një rritje të madhe të turizmit. Ndërsa në vitin 2015 vizitorët ishin 3 milionë, ky numër u trefishua në 10 milionë në 2023. Parashikimet flasin për 30 milionë turistë deri në vitin 2030, duke e bërë Shqipërinë destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Europë.

Elton Caushi, banor i Tiranës dhe themelues i Albanian Trip, rekomandon që vizitorët të shpërndahen edhe në zona më pak të njohura përtej destinacioneve të zakonshme si Saranda, Dhërmiu dhe Ksamil.

“Zgjidhni fshatra si Zogaj pranë Shkodrës, Delvina, Lushnja apo Kukësi, për të ndihmuar komunitetet që zakonisht nuk përfitojnë shumë nga turizmi,” thotë ai.

“Bëni rezervime në bujtina lokale dhe vizitoni jashtë sezonit turistik. Shqipëria do të jetë po aq e bukur, më e qetë dhe më ekonomike, duke ndihmuar bizneset vendase të qëndrojnë aktive gjatë gjithë vitit.”

2. Raja Ampat, Indonezi

Ishujt e Raja Ampat po përballen me një rritje të fuqishme të turizmit tokësor që po dëmton mjedisin unik të zonës. Programet e turizmit me ndikim të ulët, si ekspeditat në anije kërkimore ose projektet edukative, po ndihmojnë në ruajtjen e këtij rajoni të veçantë.

3. Santiago de Compostela, Spanjë

Ky qytet i njohur si destinacion pelegrinazh, i përmendur edhe në filmin “The Way”, po përballet me rritje të çmimeve të qirave dhe mungesë banesash për banorët vendas. Një alternativë më e qetë është qyteti A Coruña, që ofron arkitekturë mesjetare, muze të shumtë dhe plazhe të bukura.

4. Belém, Brazil

Në hyrje të Amazonës, Belém po tërheq më shumë turistë, por po përjeton gjithashtu zhvendosjen e banorëve për shkak të investimeve të shpejta. Vizitorët mund të zgjedhin akomodime në pronësi të komuniteteve lokale dhe të eksplorojnë rrugë më pak të njohura brenda pyllit amazonik.

5. Kotor, Mal i Zi

Ky qytet historik me 22 mijë banorë pret rreth 500 anije turistike në vit. Problemet e trafikut dhe çmimet e larta po detyrojnë vendasit të largohen nga qendra historike. Vizitat me anije të vogla dhe jashtë sezonit turistik janë mënyra më e mirë për të shijuar këtë zonë pa shkaktuar dëme.

6. Plazhet jugore, Sri Lanka

Pas një periudhe të vështirë për turizmin, Sri Lanka po rikthehet fuqishëm, por plazhet dhe parkët në jug janë tashmë pranë kufijve të kapacitetit të tyre. Ekspertët sugjerojnë që turistët të eksplorojnë pjesët veriore dhe lindore të vendit, ku kultura lokale ruhet më mirë dhe ndikimi turistik është më i ulët.

 

Trump kërcënon se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse anekson Bregun Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse e bën këtë.

“Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”, tha Trump për TIME, transmeton albinfo.ch.

Deklarata e Trump vjen pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka thënë se një lëvizje nga parlamenti i Izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar, do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Ndryshe, ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën në favor të avancimit të dy projektligjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar. Më herët, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se qeveria nuk kishte vendosur ta çonte votimin për aneksimin përpara në këtë fazë, në mënyrë që të siguronte suksesin e planit shumëfazor të Trump për Gazën.

Taksitë elektrike të automatizuara do të testohen në Zvicër nga dhjetori

Gjigandi kinez i teknologjisë Baidu njoftoi se dega e tij Apollo Go do të nisë provat e taksive elektrike autonome në katër kantone të Zvicrës Lindore në fund të vitit 2025, në partneritet me shërbimin e transportit publik PostBus.

Shërbimi i rregullt i AmiGo është planifikuar “jo më vonë se tremujori i parë i vitit 2027”.

Kompania me seli në Pekin tha se udhëtimi në këto automjete me katër vende mund të jetë privat ose i përbashkët, me qëllim optimizimin e përdorimit të flotës.

Testet do të kryhen në kantonet e St. Gallen, Thurgau dhe dy Appenzells, transmeton albinfo.ch. Një shofer rezervë do të udhëtojë në çdo automjet të automatizuar PostBus.