Baerbock dëshiron ta mbajë selinë e OKB-së në Gjenevë

Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock, nuk sheh asnjë kërcënim për Gjenevën ndërkombëtare nga masat shtrënguese.

“Gjeneva është një qendër e diplomacisë shumëpalëshe dhe vendndodhja e saj nuk është në rrezik”, tha ish kryediplomatja gjermane për gazetën “SonntagsBlick”.

Sipas saj, vende si Gjeneva, Boni ose Nairobi mund të përfitojnë edhe nga masat shtrënguese, tranmseton albinfo.ch. “Nju Jorku është një vend shumë i shtrenjtë – prandaj po shqyrtojmë se cilat vende mund të zhvendosim. Zvicra nuk është me të vërtetë e lirë, por është ende shumë tërheqëse”, citohet më tej të ketë thënë Baerbock.

Ajo shtoi se është e kuptueshme që vende si Austria ose Italia po konkurrojnë për pozicione në OKB, por duhet të zbatohet “loja e drejtë”.

Baerbock i përshkroi shkurtimet në bashkëpunimin për zhvillim si katastrofike. “Çdo shkurtim në bashkëpunimin për zhvillim po na qëllon në këmbë. Më shumë kriza dhe konflikte rrisin presionin e migracionit”, tha ajo.

Deri në ora 09:00 votuan 2. 64 % e qytetarëve

Nga procesimi i mbi 95 për qind e vendvotimeve në gjithë territorin Republikës, del se nga ora 07:00 kur janë hapur Qendrat e Votimit në vend, deri në ora 09:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përgjatë  dy orëve të para të drejtën e tyre të votës e kanë ushtruar 52 mijë e 797 apo përkthyer në përqindje, 2. 64 për qind e qytetarëve me të drejt vote në nivel vendi.

Sipas Listës së Votuesve të certifikuar nga KQZ-ja në Kosovë të drejt vote kanë 1 milion e 999 mijë  e 204 qytetarë, transmeton albinfo.ch.

Statistikat e pjesëmarrjes në votime në këtë platformë pritet të përditësohen në orën 11:00 kur nis futja e të dhënave të reja nga vendvotimet në mbarë vendin.

Zëdhënësi i KQZ-së më herët, në konferencë për media tregoi se përditësim të dhënash në këtë platformë do të ketë çdo dy orë, deri në ora 19:00.

Në këtë platformë sqarohet se këto janë të  dhënat nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se besojnë që para orës 20:00 do të fillojnë transmetimin e të dhënave nga vendvotimet e para, që deri atëherë të kenë përfunduar numërimin e fletëvotimeve.

Abdixhiku: Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhme euroatlantike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është ditë e mirë pasi sipas tij vendimmarrja i kthehet qytetarit.

“Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar këto vite”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Ai ka thënë se shpreson që gjithçka të fitojë mirë dhe në fund të fitojë populli i Kosovës.

Zvicra si destinacion i preferuar për miliarderët me avantazhe fiskale

Një emër i madh i financës britanike, Alan Howard, është rikthyer në Zvicër, duke iu bashkuar një valë të re të miliarderëve që zgjedhin vendin për të vendosur rezidencën, kryesisht për shkak të përfitimeve fiskale, shkruan The Times, transmeton albinfo.ch.

Howard, bashkë-themelues i Brevan Howard Asset Management, është vetëm një nga investitorët e mëdhenj që zgjedhin Zvicrën për të përfituar nga taksat e ulëta dhe mjedisi financiar miqësor për kapitalin ndërkombëtar. Sipas të dhënave të industrisë, mijëra milionerë pritet të largohen nga Britania në vitin 2025 për destinacione si Zvicra, Monaco, Dubai dhe Abu Dabi.

Ky trend nënvizon ndikimin e politikave fiskale në vendimet globale të pasurive të larta dhe pozicionon Zvicrën sërish si një qendër kryesore financiare atraktive.

 

Hamza: Votoni sipas bindjeve dhe vullnetit tuaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, siç ka thënë, sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

Ai pasi ka votuar ka theksuar se pret rezultat të mirë, transmeton albinfo.ch.

Kreu i PDK-së ka thënë se pret që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë.

Hamza ka thënë së do ta bëjë maksimumin që pas zgjedhjeve të mos ketë vakum institucional dhe Kosova të ketë sa më shpejt institucione.

Kurti: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.

“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.

Sipas tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e mirë do të jetë cilësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i institucioneve që do të dalin prej tyre.

Kurti iu drejtua mediave në shqip, anglisht dhe serbisht.

“I falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në fushata, pastaj edhe për durimin dhe angazhimin që kanë treguar. Mendoj që pjesëmarrja do të jetë masive”, ka thënë ai.

Haradinaj voton me nënën e tij, kjo është thirrja e tij

Nën shoqërimin e nënës së tij, Rukës Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krahë Kosovës gjithë”, tha Haradinaj, transmeton albinfo.ch.

Në këtë qendër të votimit në Gllogjan të drejtë vote kanë 1450 votues dhe janë dy vendvotime.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 41 mijë e 138 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 14 qendra të votimit dhe 51 vendvotime. Edhe kjo komunë ka qendrën e votimit me kusht.

Vendvotimet janë hapur me kohë dhe pa probleme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës po mban të parën konferencë për shtyp ku jep detaje nga procesi i zgjedhjeve të parakohshme, kur ka kaluar vetëm një orë nga hapja e të gjitha qendrave të votimit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas planit.

Në konferencën e parë për media, Elezi tha se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet, transmeton albinfo.ch.

Ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Elezi shtoi se KQZ-ja do të nisë në mbrëmje publikimin e rezultateve preliminare, para orës 20:00.

Për shkak të motit të ligë anulohen mijëra fluturime

Mijëra fluturime janë anuluar ose kanë pësuar vonesa në Shtetet e Bashkuara, ndërsa rajoni verilindor po përgatitet për një stuhi të fortë dimërore, në kulmin e sezonit të udhëtimeve për festat.

Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightAware, deri të premten në mbrëmje janë anuluar rreth 1.600 fluturime, ndërsa 7.400 të tjera kanë pësuar vonesa, transmeton albinfo.ch.

Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy, Newark Liberty dhe LaGuardia, që shërbejnë zonën e New Yorkut.

Probleme me fluturimet janë raportuar gjithashtu në Boston, Chicago dhe Toronto në Kanada.

Nga kompanitë ajrore, JetBlue ka anuluar 229 fluturime, Delta Air Lines 241, ndërsa Republic Airways dhe Southwest Airlines kanë anuluar përkatësisht 180 dhe 151 fluturime. Edhe American Airlines dhe United Airlines kanë anuluar rreth 100 fluturime secila.

Aeroportet u kanë bërë thirrje udhëtarëve, përmes rrjeteve sociale, që të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me kompanitë ajrore përpara udhëtimit, raportoi Reuters.

Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, u ka kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme. Ajo theksoi se, në rast se udhëtimi është i domosdoshëm, qytetarët duhet të planifikojnë me kujdes, të lëvizin ngadalë dhe të lënë më shumë kohë për të mbërritur në destinacion në mënyrë të sigurt.

Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe nga guvernatorët e New Jersey dhe Connecticut.

Zvicra planifikon të dëbojë 20 kriminelë afganë dhe shqyrton dëbimet në Siri

Zvicra synon të deportojë rreth 20 shtetas afganë që janë dënuar për krime. Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) i konfirmoi gazetës “Sonntags Blick” se një kriminel afgan ishte kthyer tashmë në Kabul në mesin e dhjetorit.

Kthimi i sirianëve është gjithashtu në diskutim dhe SEM është në kontakt me autoritetet siriane në lidhje me këtë çështje, transmeton albinfo.ch.

Deri më tani, Zvicra nuk ka qenë në gjendje të kryejë asnjë kthim të detyruar në Siri – ndryshe nga Austria dhe, së fundmi, Gjermania. Megjithatë, disa anëtarë të Parlamentit Zviceran tani po kërkojnë veprime më të shpejta.

“Nëse Gjermania mund të kthejë njerëz në Siri, edhe Zvicra mundet. Pres që autoritetet më në fund të kalojnë nga fjalët në veprime”, citoi “SonntagsBlick” Damian Müller, një anëtar i Dhomës së Kantoneve nga Lucerna që përfaqëson FDP-në (Partia Liberale).

Sot voton Kosova

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit zhvillohet në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00, transmeton albinfo.ch.

Zgjedhjet monitorohen nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet e para priten para orës 20:00.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për të formuar Qeverinë e re nga zgjedhjet e shkurtit.

Asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për ekzekutivin e ri.

Për shkak të ngërçit politik dhe pamundësisë për marrëveshje, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhje të parakohshme.

Procesi synon t’i japë vendit institucione funksionale dhe një Qeveri të re me mandat të plotë.

Në 25 përfaqësi diplomatike votuan 81.29% të personave të regjistruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës, ndërkohë në orën 01:00 pas mesnatës, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, raporton rtklive.com. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada”, ka thënë Radoniqi, kryetar i KQZ-së.

Ai tregoi se gjatë gjithë ditës së sotme, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit votues u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave.

“Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së sotme”, theksoi ai.

Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, KQZ-ja thotë se nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues.

Radoniqi tha se, sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.

Kryesuesi i KQZ-së e mbylli konferencën e sotme me një apel lidhur me procesin votues të së dielës në Kosovë.

“Apel për të gjithë Këshillat e Vendvotimeve, Komisioneve Komunale që të jenë në nivel detyre, të respektojnë ligjin rregullat zgjedhore të KQZ. Na pret një ditë e gjatë nesër, ku duhet të iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë jemi në nivel detyre e të respektojmë rregullat e ligjin. U urojmë të gjithëve një ditë të mbarë”, tha Radoniqi.

 

Çmimet e larta për festat e fundvitit në Shqipëri

Teksa viti i ri po troket, e gjithë vëmendja shkon tek mbrëmja festive. Teksa disa vite më parë për shqiptarët shihej si një darkë ku familja mblidhej në shtëpi dhe festonte ndërrimin e viteve, tashmë gjithmonë e më shumë për të festuar po preferohen restorantet, të cilët ofrojnë paketa të ndryshme festive, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Çmimet varijojnë nga njëra zonë në tjetrën. Nga qytetet e mëdha te zonat turistike, çmimi zakonisht lidhet me atë që përfshihet në paketë, menu fiksë, muzikë live, pije pa limit dhe në shumë raste, edhe akomodim e SPA.

Në Tiranë, ofertat shfaqen kryesisht si menu festive me disa pjata dhe ëmbëlsirë, ku çmimet lëvizin zakonisht nga rreth 8,000- 13.000 lekë për person në lokalet e mesme, ndërsa në vendet më të sofistikuara apo me program të plotë, çmimet rriten ndjeshëm. Në disa raste çmimi ndahet qartë mes vetëm darkë dhe darkë plus paketë festive.

Në juglindje, mbrëmjet gala shfaqen shpesh si menu tradicionale e bollshme, e kombinuar me atmosferë festive.

Për Korçën e zonat përreth, çmimet e afishuara shfaqen kryesisht në intervalin 8,500–10,000 lekë për person, shpesh me formulën pije pa limit dhe me tarifa të veçanta për fëmijët. Në Voskopojë, shumë oferta jepen me rezervim dhe çmimi shpesh komunikohet drejtpërdrejt, sidomos kur paketa lidhet me akomodimin.

Në Durrës, tregu dominohet nga paketat e hoteleve dhe resorteve. Këtu dallimi kryesor është nëse merr vetëm darkën gala apo edhe akomodim. Çmimet e afishuara nisin nga rreth 80–100 euro për person për darkën, ndërsa paketat me akomodim shkojnë zakonisht në 125–170 euro për person, transmeton albinfo.ch.

Në Vlorë çmimet e publikuara varijojnë nga rreth 80-100 euro në opsionet standard, ndërsa resortet që shesin paketa me më shumë shërbime, ofrojnë çmime në nivele më të larta, rreth 159–299 euro, sipas gjatësisë së qëndrimit.

Në veri, qasja duket më e balancuar. Në Shkodër mund të gjenden paketa nga  80  euro, rreth 80–95 euro, sidomos kur lidhen me akomodim.

Në thelb, çmimi i Vitit të Ri në restorante nuk lidhet vetëm me menunë, por me paketën e plotë, duke nisur nga ushqimi, pijet e deri tek show, apo akomodimi.

Ekuilibri punë-jetë në epokën dixhitale

Në Japoni, debati mbi ekuilibrin mes punës dhe jetës personale ka marrë përmasa të reja.

Fjala e vitit lidhet me një interpretim e këngës së Rihannas “Work”, pasi kryeministrja e parë grua e vendit, Sanae Takaichi, deklaroi se do të “braktiste idenë e ekuilibrit punë-jetë” pas zgjedhjes së saj në krye të Partisë Liberale Demokratike.

Mesazhi “punë, punë, punë” ndezi polemika të forta, sidomos për brezat që sapo hyjnë në tregun e punës, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Në një ekonomi gjithnjë e më të fragmentuar nga gig economy (ekonomia e punëve “me porosi”, ku pagesa bëhet për detyrë ose projekt, jo për një vend pune të qëndrueshëm), presionet po rriten.

Në SHBA, zgjedhja e Zohran Mamdanit si kryebashkiak i Nju Jorkut u mbështet fuqishëm nga të rinjtë, të cilët pyesin: çfarë kuptimi ka të sakrifikosh për paga të ulëta dhe stres të lartë, kur inteligjenca artificiale po rrezikon vendet e punës dhe kursimi për shtëpi apo pension duket i paarritshëm?

Të dhënat e anketave e konfirmojnë këtë zhvendosje: 43% e Gen Z thonë se kanë lënë një punë sepse nuk përputhej me jetën e tyre personale, krahasuar me 28% të baby boomers.

Për të rinjtë, fleksibiliteti, kuptimi i punës dhe mirëqenia kanë peshë po aq sa paga.

Kjo ngre pyetje thelbësore: çfarë është një ekuilibër i mirë punë-jetë?

A është normale që njerëzit të mos e përkufizojnë më veten nga profesioni?

Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe pabarazish në rritje, pritshmëritë për karrierën po riformësohen.

Përfundimisht, debati nuk është thjesht për oraret apo produktivitetin, por për mënyrën si duam të jetojmë.

Ekuilibri punë-jetë në epokën dixhitale nuk ka një formulë të vetme; ai po negociohet çdo ditë mes teknologjisë, tregut të punës dhe vlerave të brezave të rinj.

Edhe Gjermania kërkon të ndjekë shembullin e Australisë

Ministri gjerman për Çështjet Digjitale, Karsten Wildberger, ka shprehur hapur miratimin e tij ndaj një ndalimi të medias sociale për fëmijët si ai në Australi.

“Mund të shoh shumë merita në këtë. E konsideroj çështjen e një kufizimi moshe më shumë se të justifikuar”, tha ai.

“Pra, tani pyetja është se si t’u mundësojmë atyre të kenë një zhvillim të shëndetshëm, siç kishin pasur brezat e mëparshëm pa median sociale?”, shton ai.

Wildberger, ish-kreu i konglomeratit të madh të dyqaneve të teknologjisë MediaMarktSaturn, është ministri i parë i çështjeve digjitale në Gjermani.

Ndalimi i medias sociale i Australisë për ata nën moshën 16 vjeç hyri në fuqi më 10 dhjetor dhe që atëherë ka nxitur diskutime në shumë vende nëse duhet ta ndjekin.

Ligji australian e bën të paligjshëm që ata nën moshën 16 vjeç të mbajnë llogaritë e tyre në shumë platforma të medias sociale, transmeton albinfo.ch.

Canberra tha se synon të mbrojë të rinjtë nga ngacmimi kibernetik, përdorimi problematik dhe përmbajtja shqetësuese.

Studimet, raportet dhe vëzhgimet tregojnë se sa thellë ndërhyjnë mediet sociale në zhvillimin e të rinjve.

Duke iu referuar një komisioni ekspertësh të emëruar nga qeveria gjermane për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Epokën Digjitale, Wildberger tha se duhet të ketë një diskutim mbi moshën e duhur që të rinjtë të angazhohen në mediet sociale.

Paneli i akademikëve dhe praktikuesve, të cilët vijnë pjesërisht nga fushat e mjekësisë dhe shërbimeve të mbrojtjes së të rinjve, filloi punën e tij disa muaj më parë dhe pritet të zhvillojë rekomandime deri në verë. Kjo përfshin, ndër të tjera, kufizimet e mundshme të moshës, si dhe çështjen shumë të debatuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

Pjesëmarrja e votuesve në Konsullatën e Kosovës në Cyrih ishte 89%

Procesi i votimit në Qendrën e Votimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih është përmbyllur me sukses, duke u shënuar një pjesëmarrje shumë e lartë e shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë në Zvicër.

Platforma mediale albinfo.ch, e pranishme drejtpërdrejt në terren gjatë gjithë ditës, e ka përcjellë nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme procesin zgjedhor.

Që në orët e para të mëngjesit u shënua fluks i madh i votuesve në Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, me radhë të gjata pritjeje dhe një atmosferë të qetë, qytetare dhe miqësore.

Deri në orën 13:00, sipas të dhënave zyrtare, kishin votuar 857 qytetarë, ose rreth 42% e votuesve të regjistruar, duke konfirmuar interesimin e lartë të diasporës. Pjesëmarrja vijoi të rritej edhe gjatë pasdites.

Deri në orën 17:00, në këtë pikë votimi kishin dalë 1.523 qytetarë, që përbëjnë mbi 70% të votuesve të regjistruar.

Votimi u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident, pavarësisht motit të ftohtë dhe temperaturave pranë zeros. Shtetasit e Kosovës treguan këmbëngulje dhe vetëdije të lartë qytetare, duke pritur me durim në radhë për të ushtruar të drejtën e votës.

Procesi u karakterizua nga rendi, korrektësia dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Në këtë kuadër, u vlerësua angazhimi i Konsullit Vigan Berisha, për gatishmërinë, profesionalizmin dhe vigjilencën institucionale gjatë gjithë ditës, si dhe për komunikimin e vazhdueshëm dhe të koordinuar me Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Diasporën, duke kontribuar në mbarëvajtjen e rregullt, transparente dhe të sigurt të procesit të votimit.

Një vlerësim i veçantë u shpreh edhe për tërë stafin e angazhuar në procesin e votimit, përfshirë komisionet zgjedhore, vëzhguesit, stafin mbështetës dhe sigurimin, të cilët me përgjegjësi, korrektësi dhe përkushtim profesional garantuan një proces të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë votuesit.

Në përfundim, shprehet mirënjohje për të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në votim, duke dëshmuar edhe një herë pjekuri demokratike dhe përkushtim ndaj së drejtës së votës.

Dalja e përgjithshme nga ora 7:00 deri në ora 19:00 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih është 89%.

 

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

Çmimet e reja për veturat e përdorura për doganim në Shqipëri

Rriten me 25% çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura për kategorinë  e autoveturave, kamionët, kamionçinat dhe furgonët

Çmimet e referencës përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin Doganat si: “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane, shkruan monitor, transmeton albinfo.ch.

Rritja parashikohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas udhëzimit për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 25%.

Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë.

Për automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, me një rritje prej 25%.

Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë, që përfaqëson një rritje prej 25%.

Ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë.

Rritja 25% është miratuar edhe për çmimet e referencës për kategorinë e mjeteve si kamionncinë, furgonë dhe kamionë.

Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, ose 25% më shumë.

Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 25%.

Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë në 1.062.500 lekë, ose rreth 25% më shumë.

Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë në 1.250.000 lekë, me një rritje prej 25%.

Për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë, duke reflektuar gjithashtu një rritje prej 25%.

Ish-krerët e UÇK-së tashmë kanë votuar nga Haga

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë në paraburgim në Hagë, tashmë kanë votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen nesër.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë

Ekspertët kosovarë vazhdojnë të shënojnë rezultate të shkëlqyera në qendrat më të njohura klinike dhe universitare të Evropës. Njëri prej tyre është implantologu kosovar Dr. MDSc. Genc Zenunaj, i angazhuar në Leiden University Medical Center (LUMC) në Holandë, ku po zhvillon edhe studimet e doktoraturës (PhD) me fokus në implantet zigomatike dhe metodën inovative të vendosjes së tyre me kirurgji të guiduar (Guided Zygoma Implant), shkruan albinfo.at

Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad Zygoma”, tek një pacient me atrofi të rëndë të nofullës së sipërme – një situatë klinike ndër më sfidueset për rehabilitim oral. Nën udhëheqjen e Dr. Bassam Hassan, ekipi vendosi katër implante zigomatike, të realizuara përmes planifikimit digjital dhe kirurgjisë së guiduar (JD Guided Surgery). Ky rast përfaqëson një hap të rëndësishëm në trajtimin e maxillave ekstremisht atrofike, duke dëshmuar se kombinimi i teknologjisë digjitale, planifikimit të saktë dhe punës ekipore mund të ofrojë zgjidhje më të sigurta dhe më të parashikueshme edhe në rastet më komplekse.

Për Dr. Zenunajn, ky zhvillim ka rëndësi të veçantë edhe në aspektin akademik, pasi lidhet drejtpërdrejt me linjën e tij të hulumtimit shkencor në kuadër të PhD në LUMC: përmirësimin e protokolleve të zygomës së guiduar, rritjen e saktësisë në vendosje, standardizimin e planifikimit digjital dhe avancimin e qasjeve klinike për pacientët me humbje të madhe kockore, ku opsionet tradicionale shpesh janë të kufizuara.

Profili profesional i Dr. Genc Zenunajt është ndërtuar mbi një formim të gjerë ndërkombëtar: ai ka përfunduar  Master në Okluzion, MDSc në Protetikë në Vjenë, EAO Master Diploma në Gjenevë, si dhe Implant Specialist Recognition në Holandë. Gjithashtu  kombinimi me përvojën klinike dhe angazhimit akademik në një qendër si LUMC, reflektohet edhe në përfitime konkrete për pacientët/klientët në Kosovë, veçanërisht në Klinikën Dentare “Dr. Genci” në Istog.

Klinika Dentare “Dr. Genci” në Istog, e themeluar nga Dr. MDSc. Genc Zenunaj, është një adresë e njohur ku ofrohen shërbime të nivelit më të lartë në fushën e implantologjisë, dhe estetikës dentare. Në këtë klinikë realizohen trajtime implantare me precizion të lartë, duke sjellë zgjidhje që deri jo shumë kohë më parë do të konsideroheshin të vështira, madje edhe “të paimagjinueshme” për tu kryer në lëminë e implantologjjsë.

Një nga procedurat për të cilat njihet Klinika Dentare ‘Dr. Genci’ është nxjerrja e dhëmbëve dhe zëvendësimi i tyre brenda të njëjtës ditë, ose më së voni brenda 48 orëve, me implante dhe dhëmbë të përkohshëm fiks – e njohur ndryshe edhe si ‘implantim i menjëhershëm’ (Immediate Implantation).

Një risi e veçantë është edhe fakti që Klinika Dentare “Dr. Genci” ka instaluar dhe aplikuar modelin holandez të bashkëpunimit ndërmjet klinikave dentare, duke funksionuar tashmë si klinikë referente për rastet më komplekse në implantologji. Sipas këtij sistemi, 26 klinika  referojnë rastet më sfiduese në Klinikën “Dr. Genci”, përfshirë edhe një klinikë nga Lugina e Preshevës, dy nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Shqipëria—duke e shndërruar Istogun në një pikë të rëndësishme referimi për trajtimet e avancuara implantare në rajon.

Albinfo.at

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Përfundon procesi i votimit nëpër përfaqësi diplomatike

Në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit nëpër përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare ne Kosovë.

Procesi i votimit në diasporë ka filluar në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kurse nga ora 07:00 votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.

Ndryshe, procesi i votimit është zhvilluar në 40 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 18 vende të botës.

Ja pse Gjeneva paguan më shumë për barazimin financiar në vitin 2026

Gjeneva është kantoni më i madh donator brenda Barazimit Financiar Kombëtar për herë të parë. Vitin tjetër ai duhet të paguajë 543 milionë franga dhe kështu është ende përpara Cyrihut dhe Zugut.

Drejtoria Financiare e Gjenevës, Nathalie Fontanet, është krenare dhe e shqetësuar në të njëjtën kohë. Krenare sepse kantoni i tyre kryeson renditjen e kantoneve më të forta ekonomikisht për herë të parë. E shqetësuar sepse 543 milionë franga janë shumë para që ajo tani duhet të kursejë në buxhetin e saj shtetëror.

Më shumë të ardhura nga taksat falë tregtisë së mallrave

Gjeneva duhet të paguajë më shumë në Barazimin Financiar Kombëtar (NFA) sesa Cyrihu dhe Zugu, thotë Freisinnige. Dhe ajo gjithashtu e di pse. Në vitin 2022, kantoni i saj mblodhi më shumë taksa se të gjithë të tjerët. Arsyeja është tregtia e mallrave, e cila derdhi shumë para në thesarin e shtetit për shkak të çmimeve të larta të mallrave gjatë krizës.

Pothuajse katër vjet më vonë, çmimet kanë rënë përsëri. Edhe drejtoresha financiare e vëren këtë. Meqenëse NFH faturohet gjithnjë e më vonë, fatura e kripur e qeverisë federale vetëm tani po vjen në parlament. Sipas Fontanet, fatura duhet të zgjidhet, kjo nuk është e lehtë. Ajo dëshiron të zvogëlojë shpenzimet qeveritare dhe tashmë ka njoftuar se do të paraqesë një program gjithëpërfshirës shtrëngimi pranverën e ardhshme.

A do të ketë Gjeneva një rol të ri në Bernë?

Ndërsa Gjeneva po kursen në shtëpi, vetëbesimi ndaj jashtë po bëhet më i fortë. Një pyetje e hapur është nëse roli i ri do t’i japë kantonit në qytetin federal të Bernës peshë shtesë politike. Jo domosdoshmërisht, thotë këshilltari shtetëror i SP-së së Gjenevës, Carlo Sommaruga.

Shumë përfaqësues të atyre kantoneve që përfitojnë nga barazimi financiar do të theksonin se ata kontribuojnë në pasurinë e Gjenevës dhe për këtë arsye me të drejtë marrin fonde NFA. Si shembull, Sommaruga përmend prodhuesit e orëve në harkun Jura. Ata prodhojnë pjesë individuale për markat e orëve të Gjenevës.

Por pastaj Sommaruga vjen të flasë për një episod që e ofendon atë dhe shumë banorë të Gjenevës deri më sot. “Weltwoche” i kishte përshkruar Zvicrën Perëndimore vite më parë si grekët e Zvicrës. Kjo ishte gjithmonë e gabuar – dhe sot Gjeneva është edhe më e mira në klasën e saj, raporton RTS, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva Ndërkombëtare është gjithashtu e rëndësishme për Zvicrën

Sommaruga dëshiron të përdorë pozicionin e lartë në NHF mbi të gjitha kur bëhet fjalë për forcimin e vendndodhjes së OKB-së në Gjenevë. Argumenti i tij: nëse Gjeneva po ecën mirë, edhe Zvicra po ecën mirë.

Shumë para po kthehen nga Gjeneva në qeverinë federale, thekson kolegu i Sommarugas, Mauro Poggia nga Mouvement Citoyen Genevois. Çdo frang për Gjenevën ndërkombëtare është një investim, jo ​​një shpenzim. Gjeneva ende ka nevojë për mbështetjen e qeverisë federale sepse diplomacia shumëpalëshe dhe kështu vendndodhja e OKB-së në Gjenevë janë nën presion ekstrem sot.

Sipas parashikimit, Gjeneva do të vazhdojë të jetë donatori më i madh në të ardhmen

Për Poggian është e qartë: Ai do të vazhdojë të performojë modestisht në Bernë. Ndryshe nga kolegët e tij të këshillit nga Cyrihu, të cilët gjithashtu shfaqen me një arrogancë të caktuar për shkak të forcës së tyre ekonomike, thotë Poggia. Si banor i Gjenevës, ai nuk mund ta përballonte një gjë të tillë.

Kantoni i Gjenevës pritet të vazhdojë të rritet në të ashtuquajturin indeks të burimeve vitin e ardhshëm dhe të mbetet paguesi më i madh i NFA-ve për katër vitet e ardhshme. Ky është parashikimi i Administratës Federale Tatimore. Për Gjenevën, ky është një lajm i mirë dhe i keq në të njëjtën kohë.

Mbi 70% e votuesve kanë dalë deri në orën 17:00 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Deri në orën 17:00, në Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih kanë votuar 1.523 qytetarë, ose mbi 70% e votuesve të regjistruar.

Kjo shifër e lartë vjen si vazhdimësi e pjesëmarrjes së madhe të raportuar edhe më herët gjatë ditës.

Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident. Edhe pse moti në Cyrih është i ftohtë, me temperatura pranë zeros, shtetasit e Republikës së Kosovës po tregojnë këmbëngulje dhe vetëdije qytetare, duke pritur me durim në radhë për të ushtruar të drejtën e votës.

Albinfo.ch, i pranishëm drejtpërdrejt në terren, po përcjell nga afër gjithë procesin zgjedhor në këtë pikë votimi dhe do të vazhdojë raportimin për zhvillimet e mëtejme deri në mbylljen e vendvotimeve.