Zvicra nis konsultimin për kartën e re të identitetit biometrik

Karta e re biometrike e identitetit zviceran pritet të hyjë në qarkullim deri në fund të vitit 2026. Këshilli Federal ka hapur konsultimin publik për rishikimin e rregulloreve përkatëse, i cili do të zgjasë deri më 28 shkurt, transmeton albinfo.ch.

Karta e re, e shpallur për herë të parë në qershor nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol), do të jetë e pajisur me një mikroçip që përmban dy gjurmë gishtash dhe një imazh të fytyrës, njësoj si pasaporta aktuale biometrike zvicerane.

Autoritetet theksojnë se marrja e kartës biometrike do të mbetet opsionale. Qytetarët do të mund të zgjedhin nëse duan ta pajisen me mikroçip apo pa të, në varësi të nevojave të tyre.

Megjithatë, për personat që udhëtojnë jashtë vendit — edhe brenda Bashkimit Evropian — Këshilli Federal rekomandon përdorimin e kartës së re biometrike, ndërsa karta aktuale pa mikroçip do të mbetet e vlefshme vetëm për përdorim brenda Zvicrës.

Këshilli Federal shton se karta e re e identitetit do t’u mundësojë qytetarëve zviceranë të vazhdojnë të udhëtojnë lirshëm brenda BE-së, ku që nga viti 2021 lëshohen vetëm karta identiteti biometrike për arsye sigurie. Kartat pa mikroçip, të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të modelit të ri, do të jenë të vlefshme deri në datën e skadencës së tyre – për një periudhë maksimale prej dhjetë vitesh për të rriturit.

Karta e ardhshme do të mund të merret vetëm në zyrat kantonale përgjegjëse për dokumentet e identitetit dhe pasaportat, ndërsa tarifa e shërbimit do të mbetet e pandryshuar, sipas Këshillit Federal.

Reforma gjithashtu përfshin ndryshime terminologjike, duke zëvendësuar shprehjen “pasaportë e përkohshme” me termin “pasaportë emergjente”, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Për më shumë informacion dhe një video shpjeguese mbi dy llojet e kartave të identitetit, mund të vizitoni faqen www.passaportosvizzero.ch.

Franca pezullon reformën e pensioneve deri në vitin 2028

Asambleja Kombëtare e Francës votoi të martën me shumicë dërrmuese për pezullimin e reformës së pensioneve, një vendim që ishte kusht i Partisë Socialiste për të shmangur rrëzimin e qeverisë së Sébastien Lecornu-t, transmeton albinfo.ch.

Masa u miratua me 255 vota pro dhe 146 kundër, me mbështetjen e socialistëve, të gjelbërve, Rassemblement National dhe grupit Liot. Deputetët e partive qeverisëse Renaissance dhe MoDem kryesisht abstenuan.

Vendimi ndalon përkohësisht rritjen e moshës së daljes në pension në 64 vjeç dhe shtimin e periudhës së kontributeve, duke e pezulluar reformën deri në janar 2028.

Reagimet ishin të ndara: opozita e djathtë e cilësoi masën “iluzore”, ndërsa sindikatat u përçanë mes atyre që e panë si “fitore” dhe të tjerëve që e konsideruan “vetëm një shtyrje”.

Ky vendim vjen dy vjet pas hyrjes në fuqi të reformës së shumëkundërshtuar, e cila pati shkaktuar protesta masive në të gjithë Francën.

Robert De Niro do të luajë në një film për luftën e Kosovës dhe masakrën e Reçakut

Robert De Niro, legjenda e Hollywood-it, do të marrë pjesë në një film ndërkombëtar që trajton luftën e Kosovës dhe ngjarjet e Masakrës së Reçakut. Lajmin e bëri të ditur producenti kosovar, Fitim Krasniqi, i cili konfirmoi se De Niro do të luajë rolin e babait të tij.

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Krasniqi tha:

“Është historia e babait tim dhe e luftës që ka ndodhur në Kosovë. Babai im u plagos dhe më pas u dogj për së gjalli. Ky film është një homazh për të dhe për të gjithë ata që u flijuan.”

Filmi do të përfshijë 71 aktorë nga Hollywood-i, ndërsa xhirimet janë planifikuar të fillojnë vitin e ardhshëm pas disa vonesave organizative. Sipas Krasniqit, projekti synon të tregojë tragjedinë dhe qëndresën e popullit të Kosovës përmes një rrëfimi personal, me jehonë universale.

 

 

Prodhimi global i verës pritet të rimëkëmbet në 2025

Prodhimi global i verës, i shqetësuar nga ndryshimet klimatike, pritet të jetë përsëri “nën mesataren e fundit” në vitin 2025, edhe pse mund të shënojë një rritje të lehtë krahasuar me 2024, parashikon Organizata Ndërkombëtare e Vreshtarisë dhe Verës (OIV).

Në krahasim me vitin e kaluar, kur u regjistrua korrja më e vogël që nga viti 1961, prodhimi i verës këtë vit pritet të rritet pak, me rreth 3%, duke arritur në 232 milionë hektolitra (mhl), sipas të dhënave nga 29 vende që përfaqësojnë 85% të prodhimit global.

Megjithatë, ky volum mbetet nën mesataren pesëvjeçare (-7%), për vitin e tretë radhazi, “duke konfirmuar një periudhë me furnizim global të reduktuar për shkak të sfidave klimatike dhe ndryshimeve në modelet e konsumit”, thekson OIV, një organizatë ndërqeveritare me një shekull histori që bashkon 51 shtete.

Prodhimi evropian nën presionin e klimës

Edhe këtë vit, “variabiliteti klimatik mbetet faktori dominues,” theksohet. Ky fenomen është veçanërisht i ndjeshëm në Europë, që ende përfaqëson rreth 60% të prodhimit total.

Kontinenti, i cili vuajti shumë vitin e kaluar, po rimëkëmbet, me pritshmëri për 140 mhl në BE (+2%), por mbetet nën mesataren 2020-2024 (-8%), duke treguar “ndikimin në rritje të fenomeneve ekstreme të motit” mbi verën në këtë rajon historikisht prodhues, shpjegon OIV.

Nëse ky parashikim konfirmohet, kjo do të ishte korrja e dytë më e vogël e regjistruar në këtë zonë që nga fillimi i shekullit.

Një Europë me prodhim të ndryshueshëm

Ekzistojnë kontraste të qarta rajonale, me zona që përfitojnë ose dëmtohen sipas kushteve klimatike, transmeton albinfo.ch.

Franca parashikon një rënie prej 16% krahasuar me mesataren pesëvjeçare, niveli më i ulët që nga 1957-a.

Spanja po përjeton gjithashtu një rënie të fortë për shkak të thatësirës së gjatë dhe valëve të nxehtësisë dhe bubullimave.

Portugalia dhe Gjermania janë prekur nga shirat e rrëmbyeshëm.

Italia, prodhuesi më i madh në botë, po rikthehet tek volumin mesatar, ndërsa Hungaria, Rumania dhe Austria po tejkalojnë mesataren e tyre.

Tregu në ekuilibër

Në Shtetet e Bashkuara prodhuesi i katërt më i madh në botë si dhe në hemisferën jugore, rimëkëmbja mbetet e kufizuar dhe volumi mbetet nën mesatare për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

Megjithatë, kjo situatë e përgjithshme mund të lejojë tregun të rigjejë një ekuilibër të përgjithshëm, thekson OIV në një ton më pozitiv: “kjo mund të kontribuojë në stabilizimin e stokut”.

“Duhet të mos harrojmë se ka individë dhe rajone që vuajnë pasojat e këtyre ndryshimeve klimatike,” thekson drejtori i përgjithshëm, John Barker. “Por nga perspektiva globale, është pozitive të shihet një ekuilibër më i mirë mes furnizimit dhe kërkesës, gjë që forcon edhe çmimet e eksporteve,” shton ai.

 

Fribourg shtron kushte më të rrepta për natyralizimin

Parlamenti i kantonit Fribourg miratoi të mërkurën një mocion për të ashpërsuar një nga kushtet për natyralizimin. Sipas ndryshimit, të huajt që duan të bëhen shtetas zviceranë në Fribourg nuk duhet të kenë përfituar ndihmë sociale për pesë vitet e fundit, krahasuar me tre vitet më parë.

Mocioni u miratua me 64 vota pro dhe 34 kundër, pa asnjë abstenim, ndërsa e majta u shpreh kundër. Periudha pesëvjeçare është një kompromis i propozuar nga Këshilli i Shtetit, pasi nismëtarët e mocionit, deputeti UDC Roland Mesot dhe deputeti PLR Sébastien Dorthe, kishin kërkuar një periudhë 10-vjeçare, që përfaqëson kufirin ligjor maksimal.

Pas këtij vendimi, Fribourg do të jetë i vetmi kanton në Zvicrën frankofone që adoptom periudhën trevjeçare të pritjes, e cila është minimumi i kërkuar nga Konfederata. Aktualisht, 16 kantone në Zvicër përdorin këtë periudhë trevjeçare, përfshirë Fribourg deri tani, 6 kantone zbatojnë periudhë pesëvjeçare dhe 4 kantone, përfshirë Bernin, aplikojnë periudhë dhjetëvjeçare.

“Integrim i suksesshëm”

Qendra-djathtas u bind nga kompromisi i qeverisë, i mbështetur nga Këshilltari i Shtetit Didier Castella, kreu i institucioneve. Rregulli për marrjen e shtetësisë zvicerane do të jetë të mos keni përfituar ndihmë sociale në pesë vitet para aplikimit ose gjatë procesit të aplikimit.

“Mocioni parashikon se kantonet mbeten të lira të vendosin rregulla më të rrepta lidhur me përfitimin e ndihmës sociale,” thuhet në dokument. Këshilli i Shtetit theksoi se një nga “kushtet materiale për fitimin e shtetësisë zvicerane është integrimi i suksesshëm.”

Refuzimi i majtës

Qeveria theksoi ligjin mbi natyralizimin, duke saktësuar se ky integrim “shfaqet veçanërisht përmes pjesëmarrjes në jetën ekonomike ose përmes ndjekjes së arsimit dhe trajnimeve.” E majta në tërësi kritikoi mocionin, duke theksuar se ndihma sociale është një të drejtë. Deputetja socialiste Pascale Michel theksoi se kjo e drejtë u jepet për të përballuar “vështirësitë e jetës.”

Ajo shtoi se mocioni krijon një ndjenjë “dyshimi” për situata që mund të “ndryshojnë jetën e dikujt.” Disa deputetë shprehën shqetësim për zhvillimet, duke iu referuar refuzimit fillestar, dhe më pas të rishikuar, nga Këshilli i Shtetit për të pranuar një fëmijë të lënduar nga Gaza.

 

Siemens fiton tenderin 2 miliardë franga të SBB-së, duke mposhtur Stadler-in zviceran

Kompania gjermane Siemens Mobility ka fituar një kontratë prej 2 miliardë frangash zvicerane nga Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) për prodhimin e 116 trenave rajonalë me dy kate, duke mposhtur ofertën e prodhuesit vendas Stadler Rail.

Vendimi ka ngjallur debat publik në Zvicër, pasi shumë zëra kërkojnë që SBB-ja të mbështesë më shumë prodhimin vendas. Megjithatë, SBB-ja thekson se, si kompani shtetërore, është e detyruar të ndjekë rregullat e prokurimit publik, të cilat ndalojnë favorizimin e një oferte vetëm për arsye kombësie.

Sindikata Unia dhe kompania Stadler kanë shprehur pakënaqësi, ndërsa kjo e fundit po shqyrton masa ligjore ndaj vendimit.

Ekspertët ligjorë kujtojnë se kriteret e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndikimi social mund të merren parasysh, por ato nuk mund të përdoren si mjet për proteksionizëm ekonomik.

Sipas SBB-së, Siemens ka dalë fituese në të gjitha kriteret e vlerësimit, përfshirë edhe ato që lidhen me qëndrueshmërinë. Trenat e rinj pritet të vendosen në qarkullim në rrjetet rajonale të Cyrihut dhe Vaudit në vitet e ardhshme.

 

 

Policia zvicerane do të ketë një uniformë të unifikuar në të gjithë vendin

Në të ardhmen, të gjithë oficerët e policisë në Zvicër do të veshin të njëjtën uniformë. Forcat policore në rajonet frankofone dhe italofone të vendit do të adoptojnë uniformën e re KEP, e cila tashmë përdoret nga shumica e policive të tjera zvicerane.

Ndryshimi do të ndodhë gradualisht, në disa faza, nga viti 2026 deri në 2028.

Sipas Konferencës Latine të Komandantëve të Policisë (CLCPC), me këtë hap “forcat latine të policisë i bashkohen policive të tjera zvicerane që e kanë pranuar këtë uniformë të përbashkët që prej vitit 2015”, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi i projektit KEP është të sigurojë “një pamje të unifikuar për oficerët e policisë në Zvicër, të ulë kostot e blerjes dhe të optimizojë menaxhimin logjistik”, thuhet në komunikatë. Ky menaxhim logjistik drejtohet nga një komitet nën kujdesin e policive kantonale të Bernës dhe Cyrihut.

Uniforma e re KEP, tashmë e miratuar nga policia kantonale e Cyrihut, do të ruajë dallime midis forcave përmes stemave dhe shenjave dalluese. Ngjyra blu do të jetë për policinë, ndërsa versioni gri do të përdoret nga oficerët e sigurisë publike dhe asistentët.

Në kuadër të qëndrueshmërisë, uniformat aktuale nuk do të zëvendësohen menjëherë. Artikujt e konsumuar do të ndërroren gradualisht, në tre faza, nga viti 2026 deri më 2028.

 

Pensionistët zviceranë do të marrin pagesën e 13-të të AHV-së në dhjetor 2026

Pensionistët në Zvicër do të marrin për herë të parë një pagesë të 13-të të pensionit AHV në dhjetor 2026, si shtesë për pensionin e muajit dhjetor. Vendimi u mor sot nga Këshilli Federal.

Pagesa e 13-të korrespondon me një të dymbëdhjetën e totalit të pensioneve vjetore dhe nuk përfshin pensionet për fëmijë, pensionet suplementare apo shtesat për gratë e brezit kalimtar AHV21, transmeton albinfo.ch.

Personat që marrin pension pleqërie në dhjetor do të përfitojnë automatikisht, ndërsa pensionet për të mbijetuarit dhe ato të sigurimeve për paaftësi do të vazhdojnë të paguhen 12 herë në vit. Kjo pagesë nuk ndikon në përfitimet shtesë.

 

 

Diamanti blu u shit për 25 milionë dollarë në Gjenevë

“Mellon Blue”, një diamant ‘i gjallë’ prej 9.51 karatësh që zbukuron një unazë, u shit në Gjenevë.

Shitja u bë për më shumë se 25 milionë dollarë, një çmim që përputhej me vlerësimet fillestare për një perlë me “qartësi të jashtëzakonshme”, tha shtëpia e ankandeve “Christie’s”.

Diamanti blu, i cili “është ndër diamantet me ngjyra më të bukura të ofruara ndonjëherë në ankand”, sipas Rahul Kandakiya, drejtor i departamentit të bizhuterive të Christie’s, ishte vlerësuar nga shtëpia e ankandeve të vlente midis 20 dhe 30 milionë dollarëve, transmeton albinfo.ch.

Ajo u shit në ankand për 17.4 milionë franga zvicerane, me çmimin përfundimtar prej 25,592,269 dollarësh pas taksave, sipas Christie’s.

I njëjti gur i çmuar, i njohur atëherë si Diamanti Zoe, u shit për 32.6 milionë dollarë në Sotheby’s në Nju Jork në vitin 2014, duke vendosur një rekord botëror për një diamant blu dhe çmimin për karat në atë kohë.

Guri i përkiste për dekada Rachel Lambert Mellon, e njohur më mirë si Bunny Lambert Mellon (1910–2014), një dizajnere kopshtesh, filantrope dhe koleksioniste arti amerikane. Në atë kohë, guri zbukuronte një varëse.

Çmimi më i lartë në një ankand të Christie’s për një diamant blu të thellë u arrit në Gjenevë në vitin 2016, kur “Oppenheimer Blue” (14.62 karat) u shit për 57.5 milionë dollarë.

Optimizëm te Kosova para ndeshjeve vendimtare

Kosova ka vazhduar edhe sot me përkushtim të madh përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Seanca e radhës stërvitore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në ambient pozitiv dhe me intensitet të lartë, teksa përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, shkruan FFK, transmeton albinfo.ch.

Në këtë stërvitje, Dardanët janë përqendruar kryesisht në aspektin taktik dhe në zbatimin e filozofisë së lojës që përzgjedhësi Foda synon ta aplikojë në ndeshjen e parë të këtij muaji, atë kundër Sllovenisë.

Loja me presion të lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe koordinimi në fazën mbrojtëse kanë qenë disa nga elementet që janë punuar me kujdes nga stafi teknik.

Atmosfera brenda grupit është mjaft e mirë dhe ndjenja e besimit për sukses është e lart, teksa futbollistët po përgatiten me motiv të madh për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe për ta mbajtur gjallë shpresën e kualifikimit historik.

Pas stërvitjes janë deklaruar mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Meriton Korenica, të cilët kanë shprehur optimizëm për paraqitjen e ekipit në këto dy ndeshje.

“Atmosfera është shumë e mirë. Ne jemi gati. Stërvitja është shumë intensive dhe kualiteti shumë i mirë dhe deri tash gjithçka ka shkuar mirë. Ne do të përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin, 3 pikët. Nuk është e lehtë të analizohet kundërshtari, sepse ndeshjen e parë e kemi luajtur këtu në ‘Fadil Vokrri’, kurse tani luajmë në Lubjanë. E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri është duke na përgatitur shumë mirë që në ditën e lojës ta japim maksimumin”, tha Hajdari.

Ndërkaq, Korenica theksoi se përgatitjet po shkojnë sipas planit dhe se ekipi është i gatshëm për sfidat e nëntorit. “Dy ndeshje shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë. Bashkëlojtarët po përgatiten maksimalisht për këto dy ndeshje dhe forma e tyre është shumë e lartë. Gjithçka po shkon shumë mirë dhe shpresoj që të marrim rezultate pozitive dhe të bëjmë historinë e Kosovës. Dalëngadalë kemi filluar të punojmë në aspektin taktik. Ne kemi treguar lojëra shumë të mira dhe shpresoj të vazhdojmë tutje me këtë formë të lartë”, tha Korenica.

Gazeta gjermane: “Shqipëria është më e bukur se Italia, në vjeshtë”

Kur ngadalë bëhet ftohtë dhe me shi në Gjermani, shumë njerëz pyesin veten: Ku mund të bësh ende not, edhe në vjeshtë? Si një alternativë për Italinë, Shqipëria tregon anën e saj më të bukur, me plazhe të zbrazëta, temperatura të buta dhe çmime të drejta, duke e bërë atë një destinacion të njohur udhëtimi në Evropë edhe gjatë sezonit të artë, transmeton albinfo.ch shkrimin e mediumit gjerman baden24.de.

Shqipëria ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm vitet e fundit: Vendi mesdhetar në detin Adriatik është zhvilluar nga një vend modest në një alternativë tërheqëse dhe, mbi të gjitha, të përballueshme për turistët – një sekret i këndshëm për pushimet në tetor dhe nëntor!

Pse Shqipëria është një alternativë e vërtetë ndaj Italisë në vjeshtë

Ku është deti më i bukur – në Shqipëri apo në Itali? Ndërsa vijat bregdetare të Italisë janë të larmishme, Shqipëria, në veçanti, bën përshtypje përgjatë Rivierës (Dhërmi, Gjipe, Ksamil) me ujërat e saj kristalore, bruz dhe gjiret si fjorde në detin Jon, shpesh me guralecë me ngjyra të çelëta që rrisin më tej dukshmërinë. Megjithatë, plazhi më i bukur në botë ndodhet në një destinacion tjetër evropian për pushime.

Por Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar në vjeshtë sesa vetëm diell dhe det: liqene të pastra, male të ashpra dhe lugina të gjelbërta karakterizojnë peizazhin nga veriu në jug, përcjell albinfo.ch. Entuziastët e ecjes në natyrë do të shijojnë veçanërisht shtigjet e izoluara të Parkut Kombëtar të Thethit, të gjitha me një raport çmim-performancë të pakrahasueshme!

Ata që kërkojnë një hotel ekskluziv me katër yje me mëngjes do të paguajnë pothuajse aq sa për një hostel në Itali. Kombinimi i akomodimit të përballueshëm, shujtave me çmime të arsyeshme dhe aktiviteteve të lira e bën vendin kaq tërheqës për shumë udhëtarë dhe një destinacion të përsosur vjeshtor.

Në këtë vend evropian, madje mund të kaloni tre muaj të dimrit me një buxhet mujor prej 1,000 €!

Kjo është arsyeja pse dixhitalizimi është i ngadaltë në Zvicër

Projektet kryesore federale të dixhitalizimit kanë ngecur. Disa kërkojnë përpjekje të shumëfishta, siç është karta elektronike e identitetit (e-ID). Ose kartela elektronike e pacientit: ka qenë vetë një pacient për gati 20 vjet.

Nën emrin e ri “Dosja e Shëndetit”, ky dokument supozohet t’u shpërndahet automatikisht qytetarëve brenda pak vitesh. Votimi elektronik, votimi dixhital, është bllokuar gjithashtu për vite me radhë, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Edhe analogu funksionon.

Nuk është mungesë njohurish, thotë Andréa Belliger. Ajo është eksperte në transformimin dixhital në Institutin për Komunikim dhe Lidership në Lucernë. “Ne jemi ende aq të suksesshëm në botën analoge sa nuk kemi nevojë të dixhitalizohemi.”

Qasja e Zvicrës ndaj dixhitalizimit është paradoksale: Nga njëra anë, ajo konsiderohet ndërkombëtarisht si një kampione botërore në kërkim dhe mendim – “por jo në zbatim”, thotë Belliger. Kjo do të ndryshojë vetëm kur standardi i lartë i jetesës së Zvicrës të fillojë të vuajë për shkak të mbështetjes së saj në teknologjinë analoge.

“Nëse prosperiteti bëhet i pamundur pa dixhitalizim, ne do të veprojmë shumë shpejt – si gjithmonë kur ka vërtet rëndësi”, është e bindur Belliger.

Profesor Belliger beson se dështimi i projekteve elektronike për të fituar terren nuk ka të bëjë fare me mungesën e besimit nga përdoruesit potencialë. Megjithatë, ajo argumenton se dixhitalizimi është themelor – po aq thelbësor sa energjia elektrike dhe uji. Megjithatë, është thelbësore të ecim me hapa të vegjël dhe të shmangim mbingarkesën e sistemit.

Kritikët: Pjesëmarrja vullnetare është e rëndësishme

Avokati Martin Steiger citon deklaratat tatimore si një shembull të projekteve të vogla dhe të dobishme dixhitale. Megjithatë, avokati i specializuar në të drejtën dixhitale dhe zëdhënësi i Shoqërisë Dixhitale nuk pajtohet në thelb me Profesor Belliger në shumë pika.

Shoqata e Steiger avokon për të drejtat themelore të njeriut në botën e ndërlidhur. Ai lufton kundër shtrëngimit dhe dixhitalizimit me çdo kusht. Ai thekson se problemi i sistemeve të vjetruara si votimi elektronik ose të dhënat elektronike të pacientëve që nuk zbatohen nuk mund të zgjidhet përmes shtrëngimit.

“Këto projekte vijnë nga një epokë krejtësisht e ndryshme – dhe nuk është e mundur të fillosh një fillim të ri bazuar në parime moderne”, thotë Steiger.

Me emrin e ri “dosja shëndetësore” dhe shpërndarjen e tij automatike për të gjithë popullsinë, rifillimi po shkon në drejtimin e gabuar. “Duhet të kemi sa më shumë pjesëmarrje vullnetare të jetë e mundur”, thekson ai. Dhe nëse shteti megjithatë duhet të përdorë shtrëngim në ndonjë fushë, kjo duhet të bëhet vetëm në bazë të demokracisë së drejtpërdrejtë.

Votimi elektronik: Edhe i rrezikshëm?

Steiger është plotësisht kundër votimit dixhital. Votimi elektronik është dhe do të mbetet i pasigurt, argumenton ai, dhe Zvicra thjesht po rrezikon demokracinë e saj të drejtpërdrejtë. Votimi elektronik gjithashtu lejon aktorët antidemokratikë të ndikojnë në referendume.

Në mënyrë specifike, Steiger ka frikë nga ndërhyrja e qeverive të huaja ose kriminelëve. Ata mund të ndikojnë në zgjedhjet dhe referendumet në Zvicër në favor të tyre.

Dhe kështu, përparimi në dixhitalizim në Zvicër ka të ngjarë të mbetet i ngadaltë. Opinionet dhe qasjet janë thjesht shumë të larmishme për një rrugë të unifikuar përpara.

Toka do të vazhdojë të ngrohet

Toka rrezikon të ngrohet me 2.8 gradë Celsius deri në fund të shekullit, nëse nuk merren masa shtesë për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, sipas Raportit Vjetor të Hendekut të Emetimeve 2025, të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP). Dokumenti analizon hendekun midis rrjedhës aktuale të emetimeve globale dhe nivelit që duhet për të arritur objektivat ndërkombëtare të klimës.

Dhjetë vjet pas miratimit të Marrëveshjes së Parisit, raporti vlerëson se pakti ka luajtur një rol kyç në uljen e projeksioneve të temperaturës globale dhe në nxitjen e energjive të rinovueshme. Megjithatë, përparimi i ngadaltë i vendeve në reduktimin e emetimeve e bën të mundshëm tejkalimin e kufirit prej 1.5 gradësh Celsius mbi nivelet paraindustriale, ndoshta brenda kësaj dekade, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas marrëveshjes, vendet duhet të dorëzojnë çdo pesë vjet kontributet e përcaktuara në nivel kombëtar, që përcaktojnë planet për reduktimin e emetimeve dhe përshtatjen me ndryshimet klimatike.

Deri më 30 shtator 2025, vetëm 64 vende nënshkruese, që përfaqësojnë 63% të emetimeve globale, kishin dorëzuar ose shpallur plane me objektiva për vitin 2035. Vetëm 13 shtete, që përbëjnë më pak se 1% të emetimeve botërore, i kishin përditësuar objektivat e tyre. Raporti thekson gjithashtu një hendek të madh në zbatim: shumica e vendeve nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur as objektivat për vitin 2030, e jo më ata për 2035.

Nëse të gjitha kontributet do të zbatoheshin plotësisht, temperatura mesatare globale do të rritej me 2.3 deri në 2.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit, një përmirësim i vogël krahasuar me parashikimin e vitit të kaluar prej 2.6–2.8 gradësh. Por nëse mbeten vetëm politikat aktuale, ngrohja do të arrijë 2.8 gradë, pak më pak se 3.1 gradë të parashikuara më parë.

Zbatimi i plotë i të gjitha masave deri në vitin 2035 do të ulte emetimet me 12%–15% krahasuar me nivelet e vitit 2019. Nëse Shtetet e Bashkuara do të qëndronin jashtë Marrëveshjes së Parisit, shifra do të tkurrej në 9%–11%. Numrat mbeten shumë larg objektivave: një ulje prej 35% do të kufizonte ngrohjen në 2 gradë Celsius, ndërsa një reduktim prej 55% do ta mbante brenda kufirit prej 1.5 gradësh Celsius.

Çifti që shiti pasurinë për të jetuar në Shqipëri

Sandra dhe Jeff Mayernik jetonin në Oregon, SHBA, ku ndiheshin të rraskapitur, ndërsa luftonin për të përballuar shpenzimet e larta të jetesës, por Sandra dhe Jeff, tashmë në pension, shitën gjithçka që zotëronin përpara se të vendosnin të emigronin në nëntor 2023, shkruan Robin Cottle për britaniken ”The Mirror”.

Ata vizituan një duzinë vendesh, përfshirë Portugalinë, Spanjën, Francën, Meksikën dhe Argjentinën, por aktualisht janë vendosur në Shqipëri.

Çifti jeton në Sarandë, të cilën “National Geographic” e ka quajtur “Maldivet e Evropës”, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Riviera Shqiptare është vlerësuar për brigjet e shumta me rërë të bardhë, qytete antike dhe vendbanime piktoreske.

Pavarësisht peizazhit mahnitës që i rrethon dhe kostove më të ulëta të jetesës, Sandra dhe Jeff kanë identifikuar dy anë “negative” të rrethanave të tyre të reja.

“Ke të bësh me një monedhë dhe një gjuhë tjetër”, tha Jeff për “Business Insider”.

“Në SHBA, mund të hyja në një supermarket, të lexoja çdo etiketë dhe të dija për çfarë po paguaja. Këtu, një herë mora diçka që dukej si një pako proshutë po nuk ishte e tillë”, shtoi ai.

Megjithatë, pavarësisht këtyre pengesave, çifti po shijon avantazhet që sjell stili i tyre i ri i jetesës. Jeff mendon se përparësia më e madhe është ritmi më i relaksuar i jetës së përditshme, me vendasit që duken më pak të nxituar dhe të shqetësuar.

Ndërkohë, Sandra zbulon se stresi u zhduk pas largimit të tyre nga Amerika.

Përparësi të tjera për çiftin përfshijnë kursime të konsiderueshme në akomodim dhe kujdes mjekësor, së bashku me një dietë më ushqyese sesa në Shtetet e Bashkuara.

Birra mund të blihet për vetëm dy funte, çmime që janë të favorshme krahasuar me destinacionet fqinje evropiane si Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia.

Përfundon verifikimi i votave në Mitrovicë

Pas një ndalimi të përkohshëm dhe rifillimit të procesit të verifikimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur me sukses numërimin dhe verifikimin e të gjitha 105 vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.44% të votave apo 17,834 vota, duke u pozicionuar përpara kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili ka marrë 46.56% apo 15,541 vota, transmeton albinfo.ch.

Procesi i verifikimit ka përfshirë shqyrtimin e të gjitha votave për të siguruar saktësinë e rezultateve përfundimtare, pas shqetësimeve të ngritura së fundmi lidhur me disa parregullsi në fletëvotime.

Kujtojmë se procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht kishte urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi.

Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë.

Gjeneva do të financojë projekte franceze të transportit

Pas muajsh tensionesh, Gjeneva dhe fqinjët e saj francezë po lëvizin drejt një bashkëpunimi më të ngushtë.

Më 27 nëntor, pritet të nënshkruhet një marrëveshje që i lejon Gjenevës të ndihmojë në financimin e projekteve të transportit në Francën fqinje për herë të parë.

Kantoni planifikon të investojë rreth 30 milionë CHF për të përmirësuar linjat ndërkufitare të autobusëve dhe vendet e parkimit dhe udhëtimit, transmeton albinfo.ch.

Mbështetësit thonë se është çelësi për lehtësimin e bllokimit të trafikut, por plani mund të përballet ende me pengesa politike dhe ndoshta me një votim publik.

Si mund t’i shpëtohet shërbimit ushtarak në Zvicër

Parlamenti duket se do të mbyllë një vakum që u lejon qindra njerëzve t’i shpëtojnë shërbimit ushtarak.

Sipas ligjit, kushdo që ka shërbyer në një ushtri të huaj nuk mund të shërbejë në ushtrinë zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Kjo u jep atyre që kanë si pasaportë zvicerane ashtu edhe franceze një rrugë shpëtimi. Ata vetëm duhet të bëjnë një ditë në forcat franceze, të quajtur Dita e Mbrojtjes dhe Shtetësisë, dhe pastaj nuk mund të shërbejnë në Zvicër.

Rreth 700 veta e shfrytëzojnë këtë çdo vit.

Por përjashtimi duket se do të marrë fund. Dhoma e sipërme e Parlamentit ka pranuar një mocion për ta përfunduar atë.

Tani do të shkojë në dhomën e poshtme për votim – ku pritet të miratohet.

Memli Krasniqi jep dorëheqje si kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i udhëheqësit të partisë.

Vendimi u zyrtarizua pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ndërsa më pas Krasniqi doli në një konferencë për media për të konfirmuar largimin e tij.

Dorëheqja e Krasniqit i hap rrugën organizimit të një konvente të re zgjedhore, ku PDK-ja pritet të zgjedhë drejtuesin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Gjatë zgjedhjeve lokale, PDK-ja arriti të fitojë gjashtë komuna – Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit – ndërsa humbi Drenasin dhe Mitrovicën.

Memli Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021, me 469 vota pro dhe vetëm 7 kundër, në një garë ku ai ishte kandidati i vetëm. Ai mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Kadri Veselit në vitin 2020, kur këtij të fundit iu konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara.

Me dorëheqjen e sotme, PDK-ja hyn në një proces të ri zgjedhor për përcaktimin e lidershipit të saj.

Zvicra synon të përfshijë më shumë gra në ushtri

Qeveria zvicerane dëshiron të motivojë gratë e reja të bashkohen me ushtrinë, përcjell albinfo.ch.

Në të ardhmen, gratë e reja në Zvicër do të duhet të marrin pjesë në një ditë orientimi për ushtrinë dhe mbrojtjen civile, njësoj si burrat.
Qëllimi është të rritet numri i grave që zgjedhin shërbimin vullnetar ushtarak.

Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, njoftoi planet gjatë një konference për media në Bernë.
Ai theksoi se ushtria zvicerane po forcohet, me mbështetje politike më të gjerë se në vitet e fundit.

Megjithatë, përveç pajisjeve, ushtrisë i duhen edhe njerëz. Ministria e Mbrojtjes paralajmëron se numri aktual i personelit mund të mos mjaftojë për të plotësuar nevojat e ardhshme.

Donald Trump: Duam ta ndihmojmë Zvicrën

Administrata amerikane po shqyrton mundësinë e uljes së tarifave mbi eksportet zvicerane, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme të mëparshme nga qeveria e Bernës për të negociuar kushte më të favorshme tregtare. Aktualisht, normat doganore ndaj produkteve zvicerane arrijnë deri në 39 për qind, duke krijuar vështirësi për sektorin e prodhimit dhe eksportit të vendit alpin, përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve diplomatike dhe mediave amerikane, ndryshimi i qëndrimit të presidentit amerikan Donald Trump erdhi pas një takimi me një grup përfaqësuesish të biznesit zviceran, i cili u zhvillua javën e kaluar në Uashington. Pas diskutimeve, presidenti konfirmoi se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë po punojnë për një marrëveshje që mund të çojë në uljen e tarifave.

“Nuk kemi përcaktuar ende një shifër të saktë, por do të punojmë për të gjetur një zgjidhje që ndihmon Zvicrën,” deklaroi Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

Burime të afërta me procesin e negociatave sugjerojnë se tarifa mbi eksportet zvicerane mund të ulet në rreth 15 për qind, duke u përafruar me nivelin që aktualisht zbatohet ndaj eksporteve të Bashkimit Evropian në SHBA.

Nëse marrëveshja do të finalizohet në ditët në vijim, kjo do të përbënte një nxitje të rëndësishme për ekonominë zvicerane, e cila ka ndjerë ndikimin e tarifave të larta në disa industri kryesore, përfshirë atë të orëve, farmacisë dhe produkteve metalike.

Osmani: Turqia partnere strategjike e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore, përcjell albinfo.ch.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Doën dhe Autizëm në Prishtinë.

Sipas njoftimit, në këtë kontekst, Presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.

“Presidentja Osmani e përgëzoi Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidncës.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.

Kosova triumfon në Kampionatin Ballkanik të Karatesë në Kroaci me 9-të medalje

Ekipi i Kosovës në karate ka shënuar një arritje të madhe në Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe U21, i zhvilluar në Rijekë, Kroaci, përcjell albinfo.ch.

Sportistët kosovarë u kthyen me nëntë medalje në total: dy të arta, dy të argjendta dhe pesë të bronzta, duke renditur vendin tonë ndër ekipet më të suksesshme të garës.

Medalistët nga Kosova:

Lanika Rexhepi – kadete kumite +61 kg

Emira Maqedonci – kadete kumite -47 kg

Ekiporja e femrave – kadete

Krenar Ismajli – kadet kumite -52 kg

Ekiporja e femrave – juniore

Behije Mustafa – U21 kumite -68 kg

Almir Pollomi – kadet kumite -57 kg

Blerand Osmani – junior kumite +76 kg

Alea Kelmendi – kadete kumite -61 kg

Ky sukses dëshmon rritjen e nivelit dhe përgatitjes së karatesë kosovare, duke treguar se sportistët tanë po konkurrojnë me standarde të larta në arenën ndërkombëtare.