Zejtarët në Gjermani detyrohen të kthejnë ndihmat e pandemisë

Shumë zejtarë dhe biznese të vogla në Gjermani po përballen me kërkesa për të kthyer ndihmat financiare që morën gjatë pandemisë së COVID-19. Një prej tyre është parukierja Marion Allemeyer, e cila në vitin 2020 mori 9,000 euro ndihmë emergjente pas mbylljes së biznesit për shkak të izolimit.

Autoritetet gjermane po kërkojnë kthimin e miliarda eurove të ndara si ndihmë, pasi një pjesë e tyre është paguar mbi bazë të parashikimeve dhe jo të dhënave reale. Vetëm në landin North Rhine-Westphalia, shumë biznese janë njoftuar për rimbursime të pjesshme ose të plota.

Situata është përkeqësuar edhe nga kaosi administrativ, pasi çdo land ka rregulla të ndryshme për procedurat e kthimit të fondeve. Sipas ekspertëve, mungesa e një strategjie të unifikuar nga qeveria federale ka sjellë pasiguri dhe falimentime në mesin e sipërmarrësve të vegjël.

Në total, nga 13 miliardë euro të shpërndara, rreth 5 miliardë janë identifikuar si pagesa të tepërta që tani duhet të kthehen.

 

Këshilli Shtetëror i Francës konfirmon ndalimin e Marin Le Pen për të kandiduar në zgjedhje

Këshilli Shtetëror i Francës, gjykata më e lartë administrative në vend, sot ka konfirmuar ndalimin për pjesëmarrjen në zgjedhje të Marine Le Pen, duke vlerësuar se masa është e justifikuar dhe në përputhje me ligjin. Me këtë vendim, u konfirmua edhe aktgjykimi i marsit, me të cilin asaj i ndalohet kandidimi në çdo nivel zgjedhor për një periudhë pesëvjeçare.

Le Pen, udhëheqëse parlamentare e partisë së djathtë Rassemblement National (RN), aktualisht nuk mund të marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor, pasi më herët gjatë këtij viti u dënua për shpërdorim të fondeve të Parlamenti Evropian, njoftoi BFMTV.

Ajo, bashkë me disa anëtarë të tjerë të partisë, u akuzua për përdorim të parave evropiane për pagesën e bashkëpunëtorëve që në fakt punonin për partinë dhe jo për deputetët evropianë një veprim që gjykata e cilësoi si mashtrim dhe keqpërdorim të fondeve të BE-së.

 

Abonimi “gjysmë çmimi” i SBB nuk do të zhduket, por mund të ndryshojë

Mëngjesin e së mërkurës, shtypi gjermanofon publikoi një lajm sipas të cilit abonimi i njohur “Gjysmë Çmimi” i SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) do të zhdukej deri në vitin 2027. Lajmi u shpërnda edhe në mediat frankofone, por pak orë më vonë, SwissPass Alliance e hodhi poshtë këtë pretendim.

Sipas artikullit të publikuar nga revista gjermanishtfolëse për konsumatorë K-Tipp, sistemi aktual i abonimit do të zëvendësohej nga një sistem i ri tarifor i quajtur “My Ride”. Ky sistem i ri do të ofronte zbritje për udhëtarët e rregullt, me çmime ndërmjet tarifës aktuale gjysmë çmimi dhe asaj të plotë. Po ashtu, parashikohej eliminimi i biletave me zbritje të mëdha (supersaver) dhe opsionit të ri “Half-Fare Plus”.

“Një ofertë gjysmë çmimi do të mbetet”, premton SwissPass

Pak orë më vonë, Aleanca SwissPass e mohoi këtë informacion, duke theksuar se ndonëse planifikohet një sistem i ri tarifor për vitin 2035, abonimi gjysmë çmimi do të vazhdojë të ekzistojë.

Helmut Eichorn, drejtori i SwissPass, deklaroi në një intervistë për RTS se “abonimi gjysmë çmimi është shumë i popullarizuar dhe kërkon reflektim për ta ruajtur ose zhvilluar më tej në mënyrë që t’i përshtatet më mirë nevojave të udhëtarëve.”

Ai shtoi: “Nuk do ta eliminojmë këtë ofertë. Më vonë mund të jetë abonim mujor apo vjetor, këtë ende nuk e dimë, por një ofertë gjysmë çmimi do të mbetet. Për këtë mund të angazhohem që sot.”

Synimi: thjeshtimi i sistemit tarifor

Sipas Eichorn, projekti “My Ride” ka për qëllim thjeshtimin e sistemit të tanishëm, i cili përmban rreth 4,000 produkte të ndryshme, si Half-Fare Plus, bileta me zbritje dhe bileta ditore me çmime të reduktuara.

“Kjo shumëllojshmëri krijon vështirësi në kuptim,” tha ai. Ideja është që sistemi të zgjedhë automatikisht opsionin më të leverdishëm për klientin, në mënyrë të ngjashme me aplikacionet FAIRTIQ dhe EasyRide të SBB, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht dixhitalizimit, SwissPass thekson se nuk do të braktisë zgjidhjet për ata që nuk duan të përdorin teknologjinë apo të ndajnë të dhëna personale. “Po kërkojmë mënyra që njerëzit të udhëtojnë edhe në mënyrë anonime,” tha Eichorn.

Konsumatorët të kujdesshëm ndaj çmimeve

Edhe pse deklaratat e SwissPass janë qetësuese, Fédération Romande des Consommateurs (FRC) mbetet vigjilente. “Çmimet e reja nuk duhet të përdoren si pretekst për rritje të fshehur të tarifave,” paralajmëroi Seven Pearson nga FRC.

Eichorn siguroi se qëllimi nuk është rritja e çmimeve, por rritja e përdorimit të transportit publik, që në mënyrë indirekte do të sjellë më shumë të ardhura për kompaninë.

 

Duka: Kosova e meriton të jetë në botëror

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Kosova e meriton të jetë në Kampionatin Botëror që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Duka ka theksuar se dy fitoret e Kosovës ndaj Suedisë ishin të merituara. Ai ka dhënë një intervistë për “Euronews Albania” që është publikuar të mërkurën nga FSHF-ja, transmeton albinfo.ch.

“Kosova ka futbollistë shumë të mirë dhe me kualitet. Nuk është fare befasoi që i fiton të dyja ndeshjet. E supermeritoi fitoren në ndeshjen e parë në Prishtinë, e meritoi dhe mbrëmë dhe e meriton të jetë pjesë e Botërorit”, ka thënë Duka.

Aktualisht si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë në vendet e dyta në grupe, që sigurojnë barazhin.

“Do të ishte fantastike nëse do arrijmë të mbështesim dy kombëtare. Por edhe nëse do jetë vetëm një, do ishim të gëzuar”, ka theksuar Duka.

Ai ka thënë se Rey Manaj nuk u ndëshkua me karton të verdhë për festën me shqiponjë. “Është një abuzim i madh që Rey Manaj mori karton për festimin me shqiponjë. Kjo nuk është një gjë e vërtetë. Manaj mori karton sepse ai shkoi të festonte në pankinën e ekipit kundërshtar që konsiderohet dhe është provokim. Shqiponjën mund ta bësh nga mëngjesi deri në darkë dhe nuk penalizohesh. Jam shumë i lumtur me rezultatin dhe me atë që ka ndodhur në fushë dhe me golin dhe festimin e Reit”.

Duka foli edhe për fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen në Leskovc. Ka thënë se Shqipëria e Serbia nuk dallojnë shumë sa i takon fyerjeve. “Thirrjet, fatkeqësisht, i kanë shoqëruar përballjet tona me Serbinë në Tiranë dhe në Serbi. Madje, edhe në ndeshjet kur nuk luajmë ndaj Serbisë, thirrjet tona nuk janë më dashamirëse se të tyret; e njëjta gjë edhe për palën serbe. Nga institucionet e futbollit, si FSHF dhe Federata Serbe, si ekipi Kombëtar shqiptar dhe ekipi Kombëtar serb, distancohen plotësisht dhe nuk është që i dëshirojnë këto gjëra. Kjo është një lojë dhe ne duhet ta përjetojmë si të tillë, si një garë që kryen misione bashkimi, ura komunikimi dhe jo përçarje të njerëzve. Shumë keq është që ekzistojnë këto thirrje, por nuk është e vërtetë ajo që thoni ju, që dikush favorizohet dhe dikush penalizohet, sepse fatkeqësisht kemi dëgjuar edhe dje, kur luante Kosova me Suedinë, të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Apo kur luan Shqipëria kundër Andorrës apo Gjeorgjisë, dëgjojmë të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Unë mendoj që kjo ndeshje e Shqipërisë me Serbinë ka dhënë një lloj kontributi pozitiv për të arritur në një lloj sheshimi dhe vështrimi perspektiv të gjërave”.

Von der Leyen shpreh mbështetjen për Maqedoninë Veriore në rrugën drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim të fundit në rrjetin social X (ish-Twitter), ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Ne mbetemi plotësisht pas Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të llogarisni tek ne”, shkruan von der Leyen.

Ajo thekson se hapi i radhës dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë: “Duhet të realizoni ndryshimin kushtetues të rënë dakord. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme”, transmeton albinfo.ch.

Në postim janë të bashkëngjitura edhe fotografi nga takimet e saj zyrtare në Shkup me liderë institucionalë dhe politikë të vendit, duke përfshirë kryeministrin teknik Hristijan Mickoski, kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësues të partive politike.

Sa pako të diaspora janë pranuar e sa janë refuzuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga diaspora dhe ka nisur vlerësimin e tyre në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

“Sot ka filluar procesi i vlerësimit të këtyre pakove. Deri në orën 16:00 janë vlerësuar më shumë se 18 mijë pako, prej të cilave 15,600 janë aprovuar, ndërsa rreth 2,400 janë refuzuar, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit,” tha Elezi.

“Mund të shkojmë në Botëror”, shprehet Sylvinho

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho pati më shumë besim për të shkuar në Kupën e Botës, tani pas fitores në miqësore ndaj një rivali që tashmë është kualifikuar për në fazën finale të turneut të madh.

Suksesi 4-2 ishte një shtysë më shumë, madje edhe sesa fitorja në Serbi, transmeton albinfo.ch.

“Po, kjo është një shenjë. Së pari i kam bërë komplimente trajnerit të tyre që u kualifikua për në botëror. Kjo mund të ndodhë edhe tek ne. Ne duhet të përgatitemi mirë për Botërorin. Ishte gjë e madhe që shkuam në Serbi dhe fituam atje, por tani na duhen edhe dy ndeshje të tjera. Serbia ishte fitore e rëndësishme, por duhet ende të fitojmë. Kemi dy ndeshje të tjera. Nuk do të jetë e lehtë, por mund t’ia dalim”.

Braziliani u shpreh shumë i kënaqur me gjithçka që pa ndaj Jordanisë, shkruan abcnews.

“Më pëlqeu shumë skuadra, edhe formacioni. Kemi bërë 10 ditë shumë të mira si ekip. Kjo është një përgatitje shumë e mirë për ndeshjet e nëntorit. Më kanë pëlqyer të gjithë. Dajsinani ka luajtur shumë mirë. Klinsman ishte mirë kur hyri në pjesën e dytë, dhe ka nisur të kuptojë sesi funksionojmë ne. Gripshi luajti mirë edhe pse është më larg sulmit. Ai luajti jashtë rolit të tij, por ai ka cilësi, ai bëri një punë të ndryshme tek ne. Bajrami, Hoxha, Broja, Daku, të gjithë luajtën mirë dhe përfitojnë nga hapësirat që u krijohen. Patën mundësi të luanin. Si trajner jam në pozicion të vështirë sepse kam shumë lojtarë nga të cilët duhet të zgjedh. Një dhimbje koke, por një dhimbje koke që ia vlen”.

Broja është gjithnjë një temë, pra a mund të luajë ai qendërsulmues?

“Po, ai mundet. Rej Manaj dhe Daku kanë karakteristika të ngjashme, janë të fortë fizikisht, por nuk krijojnë shumë hapësirë. Broja është shumë i shpejtë dhe krijon hapësira. Padyshim që ai mund të luajë si qendërsulmues, apo mund të luajnë dy prej tyre së bashku, por varet nga ndeshja”.

Zvicër: Nga janari, regjistrimi i automjeteve të reja do të bëhet dixhital

Duke filluar nga 1 janari, regjistrimi i automjeteve të reja do të bëhet dixhital. Këshilli Federal ka vendosur të zvogëlojë barrën procedurale dhe të parashikojë se çfarë do të ndodhë në Bashkimin Evropian (BE) duke filluar nga 5 korriku.

Aktualisht, automjetet e reja mund të regjistrohen në Zvicër në mënyra të ndryshme, siç është miratimi i tipit, fletës së të dhënave teknike, certifikatës së konformitetit të BE-së (CoC), provës së konformitetit ose inspektimit teknik individual të automjeteve, njoftoi qeveria sot në një deklaratë.

Me Kodin e Sjelljes elektronike, prodhuesit, importuesit, tregtarët, furnizuesit, spedicionerët e mallrave, punëtoritë dhe autoritetet do të kenë akses të drejtpërdrejtë në të dhënat përkatëse, duke rezultuar në thjeshtësi dhe efikasitet më të madh, vazhdon qeveria.

Ajo specifikon se ka përshtatur ligjin kombëtar për të marrë parasysh faktin se mbi 80% e automjeteve të regjistruara në Zvicër kanë një miratim të përgjithshëm evropian të tipit, transmeton albinfo.ch.

Çmimet e shtëpive të banuara nga pronarët do të rriten në tremujorin e tretë të vitit 2025

Çmimet për shtëpitë e banuara nga pronarët u rritën në tremujorin e tretë të vitit 2025: kostoja u rrit me 0.9% krahasuar me tre muajt e mëparshëm dhe me 2.6% nga viti në vit, sipas një indeksi të llogaritur bazuar në transaksionet nga firma konsulente IAZI me seli në Cyrih, transmeton albinfo.ch.

Shtëpitë njëfamiljare tregojnë rritje prej 1.1% dhe 2.2%, përkatësisht, ndërsa apartamentet tregojnë rritje prej 0.8% dhe 3.0%. Pronat me qira shumëfamiljare tregojnë gjithashtu rritje (prej 1.3% dhe 1.5%).

“Një rritje prej 1% për një shtëpi duket e vogël, por nëse gjërat vazhdojnë kështu, do të jetë 4% më shumë brenda një viti”, komenton Donato Scognamiglio, kryetar i bordit të drejtorëve të IAZI dhe profesor në Universitetin e Bernës, në një video në YouTube të bashkangjitur një njoftimi për shtyp. “Pra, udhëtimi vazhdon, edhe pse kemi thënë për 30 vjet tani: korrigjimi po vjen.”

Teknologjia mjekësore zvicerane ka frikë nga një goditje e madhe për shkak të tarifave amerikane

Departamenti Amerikan i Tregtisë po kryen një hetim deri më 17 tetor mbi importimin e një sërë pajisjesh sipas Seksionit 232 të Aktit të Zgjerimit të Tregtisë të vitit 1962. Seksioni autorizon qeverinë të vendosë kufizime në importet e mallrave që ka të ngjarë të ndikojnë në sigurinë kombëtare, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

“Ne tashmë kemi një disavantazh të qartë konkurrues në Zvicër kundrejt konkurrentëve tanë të huaj”, tha Anita Holler, një anëtare e bordit të organizatës ombrellë zvicerane Medtech, për agjencinë e lajmeve AWP në margjinat e një konference vjetore mbi çështjet rregullatore.

Të privuar që nga viti 2021 nga marrëveshja e njohjes së ndërsjellë që u dha atyre akses të papenguar në tregun evropian, lojtarët zviceranë në këtë sektor janë përballur gjithashtu që nga fillimi i gushtit me tarifa doganore ndëshkuese prej 39% për produktet zvicerane në kufirin e SHBA-së. Kjo krahasohet me 15% për konkurrentët e tyre me bazë në BE.

“Çdo taksë shtesë, të cilën vendet e tjera që përfitojnë nga marrëveshjet do ta shmangnin, do të kishte pasoja serioze për Zvicrën si vend biznesi”, këmbënguli përfaqësuesi.

Sipas anketës së fundit të Teknologjisë Mjekësore Zvicerane për vitin 2023, Bashkimi Evropian ishte deri tani tregu më i rëndësishëm për eksportet e teknologjisë mjekësore zvicerane, me një pjesë prej 50% dhe një vlerë prej 6.2 miliardë CHF (7.75 miliardë dollarë). Me 2.8 miliardë CHF, SHBA-të renditeshin të dytat, duke përbërë 23% të totalit. Në atë kohë, Zvicra importoi pajisje evropiane me vlerë 3.5 miliardë CHF dhe mallra të prodhuara me vlerë 1.8 miliardë CHF nga SHBA-të.

Aeroporti i Cyrihut sheh rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve

Në muajin e nëntë të vitit, më shumë se 3 milionë njerëz kaluan nëpër aeroportin e Klotenit, një rritje prej 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024, njoftoi të martën në mbrëmje Flughafen Zürich, kompania që operon aeroportin. Nga këta, 28% ishin në tranzit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Lëvizjet e avionëve u rritën me 2.6% në 24,400, ndërsa shkalla e okupimit të avionëve ra me 0.5 pikë në 83.1%. Sektori i ngarkesave gjithashtu ra: u transportuan 34,800 ton (-2.0%).

Bursa reagoi mirë ndaj lajmit: në mëngjes aksionet e Flughafen Zürich u rritën pak, kundrejt një tregu të orientuar përgjithësisht drejt një rënieje të lehtë. Që nga fillimi i vitit 2025, çmimi i aksioneve është rritur me 13% dhe performanca gjatë dymbëdhjetë muajve (+19%) dhe gjatë një periudhe prej pesë vitesh (+102%) është gjithashtu pozitive.

Konsumatorët zviceranë që zgjedhin importe më të lira

Produktet zvicerane po humbasin terren ndaj konkurrencës së huaj, madje edhe në territorin vendas.

Në supermarkete si Lidl, çokollata e importuar tani përbën gati 40% të shitjeve, krahasuar me vetëm 20% në vitin 2000.

Organizata Chocosuisse thotë se konsumatorët po zgjedhin produkte të huaja më të lira, transmeton albinfo.ch.

Djathi zviceran gjithashtu po përballet me vështirësi – pjesa e tij në treg ka rënë nga 77% në rreth dy të tretat, ndërsa importet fitojnë favor.

Dhe vera zvicerane përballet me një rënie edhe më të madhe, me konsumin që ra me 8% vitin e kaluar.

Ekspertët e shitjes me pakicë thonë se prodhuesit zviceranë duhet të jenë më inovativë – dhe tregojnë si shembull kompaninë e qumështit Emmi, e cila tani po tregton mocarelën zvicerane.

Von der Leyen: Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta dhe t’i ulë tensionet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, bëri thirrje për uljen e tensioneve në vend dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ajo gjithashtu nënvizoi se Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.

“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.

Plani i Rritjes është pako për Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo pako për shkak të moskonstituimit të institucioneve. 

Ky plan është instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.

Kosova nga Plani i Rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.

Autobusi turistik përplaset në Kunsthaus në Cyrih

Pak pas mesditës së sotme, një autobus turistik doli nga rruga dhe u përplas në fasadën e ndërtesës së vjetër të Kunsthaus Zürich. Ngjarja ndodhi në Rämistrasse, teksa autobusi po udhëtonte në drejtim të Bellevue, përcjell albinfo.ch.

Sipas Policisë së Qytetit të Cyrihut, shoferi, një burrë 68-vjeçar, është dërguar me urgjencë në spital. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që një problem shëndetësor të ketë qenë shkaku i aksidentit.

Fatmirësisht, rreth njëzet pasagjerë që ndodheshin në autobus nuk kanë pësuar lëndime.

Autobusi fillimisht goditi një semafor, përpara se të përfundonte i përplasur në ndërtesën historike të muzeut. Rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende të paqarta dhe policia ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet.

70% e zviceranëve druhen nga një luftë e re botërore

Tensionet gjeopolitike përbëjnë një shqetësim të madh për shumicën e popullsisë së Zvicrës, sipas një studimi të ri të kryer nga kompania e sigurimeve AXA, përcjell albinfo.ch.

Sipas rezultateve të anketës, gati 70 përqind e të anketuarve vlerësojnë rrezikun e shpërthimit të një lufte të re botërore si “domethënës”, madje edhe “shumë domethënës”.

Në këtë kontekst, Monika Wieneke, drejtore e Divizionit për Rreziqe dhe Siguri në AXA Zvicër, thekson se kompanitë zvicerane duhet të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit në mënyrë rajonale, në mënyrë që të ulët rreziku nga një ndërprerje e menjëhershme e tregtisë në rast të një krize ndërkombëtare.

Ky perceptim i shtuar i rrezikut reflekton pasiguritë në rritje që lidhen me zhvillimet globale, përfshirë konfliktet aktuale, tensionet mes fuqive të mëdha dhe ndikimin e tyre në sigurinë ekonomike dhe sociale të vendeve neutrale si Zvicra.

Presidentja Osmani flet pas takimit me Von der Leyen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në Prishtinë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një takim të fokusuar në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e BE-së, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e saj pas takimit, Osmani theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për reforma të thella dhe të qëndrueshme, duke e konsideruar këtë moment si një fazë të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

“Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane,” u shpreh Presidentja.

Gjatë takimit, dy lidershipet diskutuan zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë e Komisionit Evropian që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian.

Presidentja Osmani theksoi se heqja e masave të padrejta ndaj Kosovës është një hap i domosdoshëm për të krijuar një mjedis të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit në procesin integrues.

Ajo falënderoi Presidenten Von der Leyen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se mbështetja e Komisionit Evropian mbetet thelbësore për përparimin e vendit në rrugën drejt BE-së.

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë është pjesë e turneut të saj tre-ditor në Ballkanin Perëndimor, ku ajo ka zhvilluar takime me liderë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, përpara se ta përmbyllë turin në Shkup.

Ky është takimi i parë i saj në Kosovë gjatë mandatit të dytë si Presidente e Komisionit Evropian, një shenjë e qartë e vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës dhe aspiratave të saj evropiane.

Dritë jeshile për linjën e re hekurudhore Cyrih–Winterthur

Duke marrë parasysh se “lidhja aktuale ndërmjet Cyrihut dhe Winterthur është e mbingarkuar”, Zyra Federale e Transportit (FOT) ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e një linje shtesë hekurudhore në këtë rrugë të rëndësishme, njoftoi të martën në një deklaratë për shtyp, përcjell albinfo.ch.

Projekti i ri përfshin ndërtimin e tunelit Brütten, i cili do të shërbejë si komponenti qendror i infrastrukturës së re. Me këtë zgjerim, rruga hekurudhore ndërmjet dy qyteteve do të ketë katër linja hekurudhore në të gjithë gjatësinë e saj, çka do të sjellë reduktim të kohës së udhëtimit dhe rritje të numrit të lidhjeve në transportin rajonal.

Sipas planifikimit aktual, përgatitjet për ndërtimin pritet të nisin në fillim të vitit 2026.

Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore zvicerane dhe synon të përballojë rritjen e vazhdueshme të numrit të udhëtarëve në këtë segment të ngarkuar.

Qiratë mbeten të larta, ndonëse norma bazë u ul, çfarë po ndodh në Zvicër?

Pavarësisht se Administrata Federale e Banesave (BWO) uli në mars normën e interesit referencë në 1.5 përqind, shumë qiramarrës në Zvicër nuk kanë përfituar nga kjo lëvizje, përcjell albinfo.ch.

Sipas një indeksi të ri të qirasë të publikuar të martën nga Banka Kantonale e Cyrihut (ZKB), vetëm 8 përqind e qiramarrësve në Zvicër dhe 14 përqind në kantonin e Cyrihut kanë marrë ulje të qirasë. Kjo ndodh megjithëse një përqindje shumë më e lartë e banorëve do të kishin të drejtë të kërkonin një zbritje në çmimin e qirasë.

ZKB thekson se, “duket se qiramarrësit janë më pak të prirur sesa më parë për të përfituar nga mundësia e fundit për të ulur qiranë”, ndonëse rreth 40 përqind e qiramarrësve në të gjithë Zvicrën dhe pothuajse 63 përqind në kantonin e Cyrihut aktualisht kanë të drejtë për një kërkesë të tillë.

Ulja e normës bazë të interesit zakonisht ndikon në rënien e çmimeve të qirasë, por këto të dhëna tregojnë një mungesë reagimi nga ana e qiramarrësve, ndoshta për shkak të mungesës së informacionit apo pasigurisë ligjore rreth mënyrës së paraqitjes së kërkesës.

Von der Leyen nis vizitën, pritet ta takojë edhe Kurtin

Ursula von der Leyen ka takuar sot kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Pas vizitës së saj në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Von der Leyen ka arritur në Prishtinë, ku takojë krerët shtetërorë në orët e pasdites.

Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje para se të fillojë takimi.

Von der Leyen në Kosovë, pritet nga Osmani

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Pas vizitës së saj në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Von der Leyen ka arritur në Prishtinë, ku do të takojë krerët shtetërorë në orët e pasdites.

Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje para se të fillojë takimi, teksa nuk dihet nëse do të ketë adresim për media. 

Von der Leyen pas Osmanit do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilin do ta takojë në sallën e Kuvendit dhe jo në zyrën e tij pas vendimit të BE-së që takimet me të të mos mbahen në objektin qeveritar deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.

Shefja e BE-së erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ndërsa pas përfundimit të vizitës këtu do të niset drejt Shkupit.

Një në shtatë shpikje në Gjermani vjen nga emigrantët

Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW), emigrantët luajnë një rol gjithnjë e më të madh në inovacionin e Gjermanisë. Në vitin 2022, rreth 14% e aplikimeve për patentë erdhën nga njerëz me origjinë të huaj, krahasuar me vetëm 4.9% në vitin 2000. Regjistrimet e patentave nga emigrantët me origjinë indiane janë rritur dymbëdhjetëfish që nga fillimi i mijëvjeçarit, duke arritur 1.2%.

Shpikësit nga Evropa Lindore, Juglindore dhe hapësira arabe, përfshirë Turqinë, kontribuojnë gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme. IW thekson se për të tërhequr talentet më të mira, Gjermania ka nevojë për procedura të shpejta dhe jo burokratike për hyrjen dhe njohjen e kualifikimeve të ekspertëve të huaj.

Përqindja e shpikëseve femra mes emigrantëve është rreth 9%, pothuajse dyfish më e lartë se tek gjermanët, duke treguar një ndikim të rëndësishëm të migrimit në rritjen e inovacionit të grave në fushat MINT (matematikë, shkencë kompjuterike, shkenca natyrore dhe teknologji).

Gjermania mbetet vendi i dytë në botë për numrin e patentave, pas SHBA-së, me rreth 25,000 patenta të regjistruara vitin e kaluar.

Pasaportat më të fuqishme në botë: Zvicra në vendin e katërt

Sipas Indeksit të Pasaportave Henley, një nga renditjet më të njohura që matin fuqinë e pasaportave në nivel global, Zvicra renditet e katërta në botë, duke mundësuar qytetarëve të saj udhëtimin pa vizë në 188 vende, transmeton albinfo.ch. 

Renditja e katërt ndahet edhe me disa vende evropiane si Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Spanja. Në vend të pestë u rendit Austria, me pasaportën që ofron akses të lirë në 187 shtete.

Në pjesën tjetër të tabelës, Kosova zë vendin e 65-të, me mundësi udhëtimi pa vizë në 81 vende, ndërsa Shqipëria shënon një përparim, duke u renditur e 47-ta, me qasje në 122 vende.

Ekspertët vlerësojnë se renditjet e këtij lloji reflektojnë jo vetëm marrëdhëniet diplomatike të një shteti, por edhe lirinë dhe fleksibilitetin e qytetarëve për të udhëtuar globalisht. /Albinfo.ch

 

Screenshot