Shqipëria prezantohet si destinacion autentik në ITB Berlin 2026

Potenciali turistik i Shqipërisë u prezantua në ITB Berlin 2026, ku vendi u pozicionua si një destinacion autentik mesdhetar me oferta të larmishme dhe përvoja unike, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri Edi Rama ndau një video promovuese të Durrësi, duke e paraqitur atë jo vetëm si qytet bregdetar, por si një qendër që ndërthur detin, historinë dhe zhvillimin modern. Durrësi mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj, falë trashëgimisë së pasur kulturore me monumente si Torra Veneciane e Durrësit, Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit, Amfiteatri i Durrësit dhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit.

Në këtë panair, Shqipëria u paraqit me një agjendë që ndërthur inovacionin, kulturën dhe bukuritë natyrore. Nga Alpet Shqiptare për turizëm malor e aventurë, te Riviera për pushime bregdetare, qytetet historike dhe fshatrat me ofertë gastronomike, vendi synon të forcojë pozicionimin si destinacion i turizmit të qëndrueshëm.

Për Shqipërinë, ITB Berlin 2026 përfaqëson më shumë se një panair promovimi, është një dritare strategjike drejt së ardhmes së turizmit./Albinfo.ch

Nga pagat te kamerat e shpejtësisë: Për çfarë do të votojnë kantonet zvicerane këtë të diel

Në nivel federal, votuesit do të kenë fjalën e tyre për katër çështje të mëdha: taksimin individual të çifteve të martuara, mbrojtjen e parave të gatshme si monedha e vetme zyrtare e Zvicrës, tarifën vjetore për Korporatën Zvicerane të Transmetimeve dhe ndarjen e më shumë fondeve për luftën kundër ndryshimeve klimatike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Cilat çështje do të vihen në votim në kantone?

Vetëm disa kantone do të mbajnë referendume lokale më 8 mars:

Aargau: Puna duhet të shpërblehet

Iniciativa e Partisë Popullore Zvicerane (SVP) e quajtur “Puna duhet të shpërblehet” synon të ulë ndihmën sociale në kanton. Njerëzit që kanë marrë ndihmë sociale për më shumë se dy vjet do të marrin më pak mbështetje në të ardhmen. Ndihma bazë për këta individë do të ulet me të paktën 5 përqind.

Megjithatë, përjashtime do të bëhen për fëmijët, prindërit me fëmijë nën katër muajsh dhe personat e moshës 55 vjeç e lart – por vetëm nëse kanë qenë të punësuar në Zvicër për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë marrë ndihmë sociale gjatë asaj kohe.

Aargau: Ndalo mashtrimet me kamerat e shpejtësisë

Iniciativa e nisur nga Liberalët e Rinj vë në pikëpyetje nëse pajisjet e përhershme të radarit shërbejnë për të përmirësuar sigurinë rrugore apo thjesht mbushin arkën e shtetit.

Propozon që kamerat stacionare të shpejtësisë në Aargau të mund të instalohen vetëm me miratimin e qeverisë kantonale, dhe jo në mënyrë arbitrare nga policia bashkiake.

Miratimi do të jepet vetëm nëse situata e trafikut në vendndodhjen e planifikuar është e pasigurt dhe mund të demonstrohet se masat e tjera kanë qenë joefektive.

Qendra e Bazelit: Kufiri i shpejtësisë prej 30 km/orë në rrugët kryesore – vetëm me pëlqimin e popullit

Ky veprim synon ta bëjë futjen e kufizimeve të shpejtësisë prej 30 km/orë në rrugët kryesore të kushtëzuara nga miratimi i votuesve.

Propozimi kërkon një ndryshim në praktikën aktuale të zbatimit të një kufiri të përgjithshëm shpejtësie prej 30 km/orë pa referendume specifike lokale.

Bazeli: Zbritje e plotë tatimore e primeve të vetëpaguara për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm (Zbritje primi për të gjithë)

Propozimi kërkon zbritjen e plotë dhe të pakufizuar të primeve të sigurimit shëndetësor të vetëpaguar (sigurimi bazë) nga të ardhurat e tatueshme për të lehtësuar barrën mbi klasën e mesme.

Parlamenti kantonal ka hartuar një kundërpropozim që rrit ndjeshëm zbritjet për primet e sigurimit (për shembull, 3,000 në vend të 2,000 frangave për të rriturit).

Gjenevë: Paga minimale për punët verore

Propozimi është të ndryshohet seksioni i Aktit të Inspektimit dhe Marrëdhënieve të Punës (LIRT) në lidhje me pagën minimale – duke futur konkretisht një përjashtim për punët verore.

Aktualisht, një punë verore përkufizohet si punësim deri në 60 ditë, i kryer midis 15 qershorit dhe 15 shtatorit, nga një person i ri nën 25 vjeç i regjistruar në një program trajnimi që çon në një kualifikim të njohur në Zvicër. Pagat e punës verore i nënshtrohen ligjit të pagës minimale.

Çfarë është në lojë në votim: Për punët verore, nëse pranohet ndryshimi i ligjit, paga minimale do të jetë 75% e pagës minimale të përgjithshme.

Ticino: Humbje e pagave

Votuesit do të japin mendimin e tyre mbi një propozim që do t’u kërkonte kompanive me seli në Ticino të njoftojnë autoritetet kantonale për kontratat e punës në fuqi, si dhe ato të nënshkruara ose të ndërprera gjatë vitit.

Do të duhet të jepen detaje në lidhje me llojin e kontratës, kohëzgjatjen, funksionin, llojin e kualifikimit të kërkuar për pozicionin, pagën e mëparshme për këtë pozicion në rast të një zëvendësimi, vendin e punës, orët e punuara, nivelin e punësimit dhe pagën.

Arsimi, mosha, gjinia, kombësia, lloji i lejes, adresa dhe numri i fëmijëve të varur të punonjësit duhet të zbulohen gjithashtu. Nëse autoriteti që merr njoftimet gjen një shkelje të qartë të ligjit anti-dumping, ai duhet t’i dërgojë një raport autoritetit kompetent për veprim.

Ligji i ri do të kërkonte gjithashtu krijimin e një zyre përgjegjëse për zbatimin e Aktit të Barazisë Gjinore. Mosdhënia e informacionit i nënshtrohet një gjobe deri në 5,000 franga.

 

Nis monitorimi i çmimit të karburanteve në Kosovë

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut për shitjen e karburanteve, përcjell albinfo.ch.

Sipas tyre, kjo po bëhet me qëllim që të parandalohen abuzimi me çmimet, duke marrë parasysh rritjen e menjëhershme pas konflikteve në Lindjen e Mesme.

“Çdo marrëveshje, bashkërendim ose veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut ose kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje bizneseve të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë, të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.

Nga ana tjetër edhe ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor.

Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes.

Referuar vendimit, marzhi tregtar maksimal i lejuar për shitjen me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë deri në 12 centë për litër.

Ministrja e Tregtisë thekson se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi. Ndërsa, çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

Presidentja Osmani parakalon para ushtarëve të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka parakaluar para ushtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë një ceremonie të mbajtur në kazermën Kazermën “Adem Jashari”, përcjell albinfo.ch.

Pas parakalimit të presidentes, pritet të zhvillohet edhe rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në këtë kazermë.

Në këtë ceremoni po marrin pjesë edhe kryetarë komunash, përfaqësues diplomatikë, ministra dhe deputetë të institucioneve të vendit.

Pjesë e aktivitetit janë gjithashtu edhe familjet e dëshmorëve, përfshirë familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në nder të Epopesë së UÇK-së

Më 5 mars 2026, kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovë u rreshtuan në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”.

Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës ka rreshtuar kuadratet e saj, në ceremoninë zyrtare që po mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Epopeja e UÇK-së shënohet me 5,6 dhe 7 Mars në nderim të luftës së familjes Jashari.

Fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova ju sjell fotografi nga rreshtimi i kuadrateve të FSK-së.

 

Kurti: Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për të zgjedhur presidentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për të zgjedhur presidentin, përcjell albinfo.ch.

Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit pas mbledhjes solemne të Qeverisë për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se urojnë e shpresojnë që të ketë edhe një kandidatë të dytë në garën për president.

“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe për një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka thënë ai.

Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. 

Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit. 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik.

Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat. 

Biblioteka Kombëtare nderon Epopenë e UÇK-së me dy ekspozita

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e përvjetorit të 28-të të Epopesë së UÇK-së, sot me fillim nga ora 11:00, në dy atriumet e veta, do të hapë dy ekspozita në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ekspozita Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000-2020) paraqet mënyrën sesi Epopeja e UÇK-së është organizuar, kujtuar, festuar dhe interpretuar në shtypin e Kosovës përgjatë dy dekadave pas luftës.

Ekspozita trajton narrativën e përvjetorëve të epopesë më 5, 6, 7 mars, gjuhën e përdorur në titujt e gazetave për këtë epope, ndryshimin e diskursit medial ndër vite për këtë epope dhe, po ashtu, heroizimin dhe institucionalizimin e kujtesës kombëtare.

Mesazhi i kësaj ekspozite është: epopeja e UÇK-së nuk është vetëm ngjarje historike, por edhe proces i vazhdueshëm i ndërtimit të kujtesës përmes fjalës së shkruar.

Ekspozita tjetër, e cila, po ashtu, do të hapet nesër në atriumin e BKK-së, me titull “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, është vizuale dhe emocionale. Ajo përqendrohet në vendin fizik ku ka ndodhur sakrifica e familjes Jashari, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo ekspozitë përbëhet nga 36 fotografi të fotografit nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj, i cili i ka realizuar kryesisht në Prekaz.

Titulli i kësaj ekspozite, “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, simbolizon: zjarrin e luftës, zjarrin e sakrificës, zjarrin e kujtesës dhe mbijetesën. Fotografitë e realizuara në vendlindjen e familjes së Adem dhe Hamëz Jasharit nuk janë vetëm dokumentim, por dëshmi e një hapësire të shndërruar në simbol kombëtar.

Përmbajtja e kësaj ekspozite është me fotografi panoramike nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga shtëpitë e familjes Jashari, nga peizazhi i lagjes Jashari, nga shenjat e sakrificës, nga gjurmë të plumbave nëpër shtëpitë e tyre dhe gjësendet përbri shtëpive të tyre, nga muret e djegura dhe të shkatërruara, nga objektet e ruajtura nga institucionet e Kosovës, nga festimet e përvjetorëve të Epopesë në disa edicione, nga ceremonitë festive, nga flakadanët, nga qytetarët që vizitojnë kompleksin dhe nderojnë të rënët, nga Jasharët e brezit të vjetër dhe të rinj etj.

Mesazhi i përbashkët i këtyre dy ekspozitave është se Prekazi nuk është vetëm vend historik, por altar i kujtesës kombëtare.

Haxhiu: Prekazi, simbol i një populli që nuk dorëzohet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në seancën solemne për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së foli për historinë e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, e ku tha se shtëpia e zakonshme e familjes Jashari u kthye në qendrën e një përballje që ndryshoi historinë, përcjell albinfo.ch.

“Në marsin e 1998 shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë. Një oborr i zakonshëm, mure të ngritura me shumë mund. Një prag që hapej e mbyllej çdo ditë për fëmijë që hynin e dilnin, gra e burra që mbanin familjen dhe shtëpinë. Në agimin e 5 marsit, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe izoluan fshatin. Zunë pozicione me mjete të blinduara dhe artileri të rëndë. Një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes Jashari. Shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan, lëvizja u ndërpre. Komandanti Adem Jashari dhe gjithë Jasharët atë ditë e dinin se çfarë dite kishte ardhur. Shtëpia që deri dje ishte e zakonshme u kthye në qendër të një përballjeje që ndryshoi historinë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se lufta e Jasharëve ishte për një popull që kërkonte të mosdorëzohej.

“Në tri ditë luftime, e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre, përmes vendosmërisë për të mos u larguar nga toka e tyre. Ata morën mbi vete barrën më të rëndë të kohës, një detyrë të vështirë, por shumë të rëndë. Në atë shtëpi ishin Adem Jashari dhe Hamëz Jashari, prindërit Shaban e Zahide, gratë dhe fëmijët, të gjithë bashkë, krah për krah, të vetëdijshëm për atë që po vinte. Askush nuk u largua. Gra dhe burra luftuan e qëndruan. Çdo dhomë, çdo oborr u kthye në vijë mbrojtjeje. Çdo shpërthim dhe çdo krisme u bë betejë për liri. Lufta e atyre tri ditëve nuk ishte vetëm për një familje, ishte për një popull që kërkonte të mos dorëzohej, të mos nënshtrohej. Në fund të atyre tri ditëve u vranë të moshuar që kishin parë shumë, burra e gra në moshën e forcës, por edhe fëmijë që sapo kishin nisur jetën. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themeli i kujtesës dhe i qëndresës së kombit tonë”, tha ajo.

Kurti: Në Prekaz, historia u shkrua me zjarr e gjak

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti, ka folur në seancën solemne që po mbahet në Kuvend me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e familjes së Adem Jasharit dhe luftën për liri, përcjell albinfo.ch. 

Kurti para deputetëve të Kuvendit dhe të pranishmeve tjerë tha se Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe artikulim të qartë të synimit për liri e mëvetësi.

“Në ato ditë të përbllajes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes në Prekaz historia u shkrua me zjarr e gjak. Toka u bë altar i lirisë e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit Adem Jashari e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha ai

Kurti tutje theksoi se kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen e kujtesën tonë kolektive, se liria paguhet shtrenjtë dhe se është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme.

“Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe artikulim të qartë të synimit tonë për liri dhe mëvetësi”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se qëndresa e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit përbëjnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej së cilës buron liria e Kosovës.

“Krismat e pushkës në Prekaz u përhapën larg deri te ndërgjegja e diplomacisë ndërkombëtare. Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e UÇK-së, duke shndërruar rezistencën në lëvizje të pandalshme për liri”, tha Kurti.

Seanca solemne e Kuvendit për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, bashkë me mysafirë të shumtë, janë mbledhur në sallë për seancën solemne për Epopenë e UÇK-së.

Në sallë prezente është edhe Presidentja Vjosa Osmani.

Pas saj hyri edhe kryeministri Albin Kurti, por ky i fundit nuk e përshëndeti të paren e shtetit.

Për dallim nga ai, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe ministri i Jashtëm, njëherësh kandidat për president nga LVV-ja, Glauk Konjufca, ia shtrënguan dorën asaj.

Gjatë fjalimit, ajo tha se tri ditët e Epopesë janë histori, 53 shpirtra u bënë dritë për popullin.

Presidentja foli për rëndësinë historike të muajit mars 1998 dhe sakrificën e familjes Jashari në Prekaz, përcjell albinfo.ch.

“Muaji mars ishte muaji i përballjeve që vendosën drejtimin e historisë tonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe e ardhmja jonë u vunë në një vend.

Në bedena të kullave të Prekazit qëndroi komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës dhe mbi të gjitha nderin para jetës,” tha Osmani.

Presidentja theksoi se ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që ringjalli një komb të tërë.

“Në ato tri ditë, 58 shpirtëra u bënë dritë për një popull. Këtu, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drencin, Kosovën dhe gjithë kombin, dhe ndërgjegjen e gjithë botës,” shtoi ajo.

Osmani vuri në dukje se prej Prekazit nisi orteku i lirisë që nuk u ndal më.

“Epopeja është epike sepse buroi nga populli. Praku i kullave në Prekaz ishte baza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse gjithçka buroi nga populli. Lufta që e bëri UÇK-ja ishte jo vetëm e drejtë, por edhe e domosdoshme, dhe do ta mbrojmë sa të jetoj jeta,” tha Osmani.

Presidentja nënvizoi rolin dhe vendosmërinë e familjes Jashari.

“Familja Jashari vazhdon të jetojë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun. Lufta e Jasharajve nuk ishte betejë e vetëm një populli, ajo u pasqyra dhe u mbështet edhe nga miqtë tanë nga SHBA-të, aleatët tanë evropianë dhe shumë shtete tjera demokratike. Sa herë që dikush dyshon në forcën e këtij populli, mjafton të përmend një emër: Adem Jashari dhe familja Jashari,” përfundoi Osmani.

Koncert i muzikës shqiptare në Ústí nad Labem

Ambasada e Kosovës në Pragë organizoi një mbrëmje koncertale në Sallën Perandorake të Muzeut Rajonal në Ústí nad Labem, duke i prezantuar publikut çek një program me muzikë vokale shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Sopranoja Elona Sadiku, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha, krijoi një atmosferë të veçantë artistike që u prit me emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit. Ngjarja u realizua në partneritet me Universiteti Jana Evangelisty Purkyně, si dëshmi e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Programi përfshiu këngë artistike e popullore shqiptare nga kompozitorë të njohur, duke shpalosur pasurinë dhe ndjeshmërinë e muzikës shqipe. Moment i veçantë ishte interpretimi i aries “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e kompozitorit Antonín Dvořák, që i dha koncertit një dimension simbolik si urë lidhëse mes dy kulturave.

Aktivitetet e Muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe do të vazhdojnë me ligjërata akademike dhe ngjarje të tjera kulturore, ndërsa së shpejti do të shfaqet edhe filmi Hive, duke vijuar promovimin e artit kosovar në Çeki./Albinfo.ch

Shqiptarët udhëheqin Thunin drejt titullit historik

Rikthimi i FC Thun në Superligën e Zvicrës po shndërrohet në histori suksesi falë kontributit të madh të futbollistëve shqiptarë. Pas 27 xhirove, Thuni kryeson me 64 pikë dhe është shumë pranë titullit të parë kampion në histori, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të këtij rrugëtimi janë Valmir Matoshi dhe Kastriot Imeri. Matoshi, i zhvilluar te Thuni, ka katër gola dhe katër asistime këtë edicion, duke qenë titullar i padiskutueshëm. Ndërkohë, Imeri, i huazuar nga BSC Young Boys, ka rigjetur formën më të mirë, me gjashtë gola e pesë asistime në 21 paraqitje, duke u kthyer në lider të mesfushës dhe duke rritur gjasat për rikthim te Zvicra.

Për këtë sukses ka folur edhe legjenda e klubit, Milaim Rama, golashënuesi më i mirë në histori të Thunit. Ai thekson se kontributi i lojtarëve shqiptarë është vendimtar dhe se fitimi i titullit do të ishte historik për klubin me buxhet modest.

Rama, shqiptari i parë që luajti për Zvicrën, u shpreh optimist edhe për Kosovën, duke besuar se me paraqitje si ndaj Suedisë, përfaqësuesja jonë ka mundësi reale ta kalojë Sllovakinë në plejofin për Botërorin 2026. /Albinfo.ch

Kosovë: Marrëveshje apo zgjedhjet e reja, presidenca në lojë

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Kosovës po hyn në fazën vendimtare. Sot, 5 mars 2026, është dita e fundit për përfundimin e procesit brenda afatit 30-ditor para skadimit të mandatit aktual, raporton albinfo.ch.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zyrtarizuar kandidaturën e saj, duke propozuar Glauk Konjufcën për këtë post.

Dje, kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, zhvilloi takime me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, por pa arritur një marrëveshje konkrete.

Gjatë bisedimeve është diskutuar edhe mundësia e një kandidature nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari, por Murat Jashari ka bërë të ditur se familja nuk ka ambicie për këtë post.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, ndërkohë që LVV vazhdon të mbështesë kandidaturën e Glauk Konjufcës. Po ashtu, akademiku Arsim Bajrami ka shprehur gatishmëri për të kandiduar.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për nominim nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa për zgjedhje kërkohen 80 vota. Me 57 deputetë, LVV duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera për të siguruar shumicën e nevojshme.

Njohësi i çështjeve juridike nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, sqaron se moszgjedhja e presidentit brenda afatit nuk çon automatikisht në zgjedhje. Sipas tij, nëse brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe vetëm atëherë organizohen zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpallja e tyre.

Kosova gjendet kështu në një moment kritik politik, ku dialogu ndërpartiak është vendimtar për stabilitetin institucional dhe të ardhmen e presidencës./Albinfo.ch

Aksident fatal për 10-vjeçarin shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, pasi një 10-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në Foggia të Italisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, vogëlushi,  i identifikuar si Alessio, ishte duke luajtur kur u rrëzua dhe goditi kokën në murin e një shatërvani në sheshin e qytetit. Ai fillimisht humbi ndjenjat dhe më pas pësoi arrest kardiak.

Mjekët luftuan për rreth 45 minuta për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht pa sukses.

Ngjarja ka tronditur thellë edhe banorët e zonës Castelluccio dei Sauri, të cilët janë shprehur të prekur nga humbja tragjike e 10-vjeçarit./Albinfo.ch

Rita Ora ndez skenën e “The Masked Singer”

Rita Ora ka rrëmbyer vëmendjen në spektaklin The Masked Singer me një performancë energjike të hitit “Spice Up Your Life”, transmeton albinfo.ch.

Me flokë të drejtë, stil minimalist dhe një siluetë të kuruar në detaj, këngëtarja solli ndërmend menjëherë ikonën e Victoria Beckham.

Skena u shndërrua në një festë të pastër nostalgjie të viteve ’90, me drita neon, koreografi dinamike dhe atmosferë që rikujtoi epokën e Spice Girls.

Rita u dallua për vokale të kontrolluara dhe interpretim plot vetëbesim, duke i dhënë këngës energji të re pa humbur frymën e origjinalit.

Performanca u bë menjëherë virale, me rrjetin që shpërtheu në komente për stilin dhe prezencën e saj skenike./Albinfo.ch

Inteligjenca artificiale hap mundësi të reja pune

Ndërsa shpesh flitet për rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të inteligjencës artificiale (IA), pak herë diskutohet për mundësitë e reja që kjo teknologji po krijon.

Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2035, rreth 3.9 milionë vende pune do të lidhen drejtpërdrejt me aktivitetet e IA-së, ndërsa deri në 9.7 milionë njerëz mund të punojnë në pozicione që përdorin inteligjencën artificiale. Kjo tregon një ndryshim rrënjësor në tregun global të punës, sipas BBC-së.

Mark Anderson, ekspert karriere, thotë se këto vende pune nuk kërkojnë vetëm njohuri të thella në matematikë. Ato vlerësojnë gjithashtu kreativitetin, komunikimin, arsyetimin dhe mendimin etik.

Profesionet e reja që po shfaqen

Eksperti i Etikës së IA-së – Siguron që sistemet të jenë të paanshme dhe të drejta për të gjithë përdoruesit.

Inxhinier i Shpejtë – Krijon pyetje dhe udhëzime që IA të japë rezultate të sakta dhe të dobishme.

Inxhinier IA – Zhvillon dhe trajnon sisteme kompjuterike që imitojnë inteligjencën njerëzore.

Inxhinier MLOps – Mbikëqyr funksionimin e sistemeve të IA-së, duke siguruar performancë të qëndrueshme dhe pa gabime.

Shkencëtar i të Dhënave – Analizon të dhëna komplekse dhe siguron që informacioni të jetë i besueshëm dhe i dobishëm.

Menaxher Produkti i IA-së – Vendos prioritetet e zhvillimit të teknologjisë dhe përdorimin e saj në mënyrë të dobishme.

Inxhinier i Shikimit Kompjuterik – Krijon sisteme që kuptojnë imazhe dhe video, të përdorshme në automjete autonome dhe mjekësi.

Inxhinier i Përpunimit të Gjuhës Natyrore (NLP) – Përmirëson aftësitë e makinerive për të lexuar, shkruar dhe përkthyer tekstin.

IA po transformon edhe sektorë të tjerë

Inteligjenca artificiale nuk po revolucionon vetëm teknologjinë. Ajo po ndryshon edhe industritë ku bashkëveprimi njerëzor është thelbësor:

Shëndetësia – Analizë të dhënash, monitorim pacientësh, zbulim i hershëm i sëmundjeve dhe mbështetje për vendimmarrje klinike.

Shkenca dhe kërkimet – Përshpejtim i zbulimeve dhe inovacioneve në mjekësi dhe teknologji.

Arsim dhe trajnime – Rritje e kërkesës për mësues dhe trajnerë që përdorin IA për mësimdhënie.

Energjia e rinovueshme – Përdorimi i IA-së për analizë të të dhënave dhe përmirësim të qëndrueshmërisë.

Si të përgatiteni për të ardhmen

Për ata që duan të ndërtojnë një karrierë në këtë fushë, opsionet janë të shumta:

Studime universitare – Matematikë, shkenca kompjuterike, robotikë apo inteligjencë artificiale.

Praktika dhe stazhe – Përvoja në shkencën e të dhënave dhe informatikë mund t’ju japë avantazh në tregun e punës.

IA mund të automatizojë disa detyra, por vendimet, interpretimi dhe përgjegjësia mbeten akoma njerëzore. E ardhmja e punës po ndryshon shpejt, ndaj momenti për t’u përgatitur është tani: të jemi kuriozë, të informuar dhe të gatshëm për ndryshime.

Berna do të ketë klasa dygjuhëshe në të gjitha komunat

Parlamentarët e kantonit të Bernës miratuan një mocion që kërkon të mundësojë klasat dygjuhëshe në të gjitha komunat, pa u mbështetur më vetëm te iniciativa apo burimet lokale. Mocioni u miratua me 76 vota për, 49 kundër dhe një abstenim, dhe kërkon nga qeveria kantonale të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë dhe financiarë për ta realizuar këtë.

Kjo vendimmarrje vjen pas debatit mbi ndërprerjen e projektit “Classes Bilingues” në qytetin e Bernës në maj 2025, i ndaluar për arsye financiare dhe organizative. Përkrahësit e mocionit argumentojnë se promovimi i dygjuhësisë sjell përfitime të mëdha për nxënësit, ndërsa skeptikët mendojnë se tashmë ekzistojnë mjetet e nevojshme për të ofruar arsimin dygjuhësh.

Qeveria kantonale po shqyrton ndryshime në ligjin mbi gjuhët dhe dygjuhësinë për të mundësuar zbatimin e këtij vendimi në të gjithë kantonin.

OpenAI po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me NATO-n

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale, OpenAI, po vlerëson mundësinë e një kontrate për të integruar teknologjinë e saj në rrjetet “jo të klasifikuara” të NATO-s, sipas një burimi të brendshëm, raportoi “Reuters”.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi kompania, krijuese e ChatGPT, nënshkroi një marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e teknologjisë së saj në rrjetet e klasifikuara të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

Sipas raportimit të parë nga The Wall Street Journal, drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, në një mbledhje të brendshme kishte përmendur mundësinë e vendosjes së teknologjisë në të gjitha rrjetet e NATO-s, përfshirë ato të klasifikuara. Më vonë, zëdhënësja e kompanisë sqaroi se qëllimi i kontratës do të kufizohej vetëm tek rrjetet “jo të klasifikuara”.

OpenAI, e mbështetur financiarisht nga gjigantë teknologjikë si Microsoft dhe Amazon, njoftoi gjithashtu bashkëpunimin me Pentagonin pas urdhrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e marrëdhënieve me rivalin Anthropic.

Pentagoni ka theksuar se nuk ka synim të përdorë inteligjencën artificiale për mbikëqyrje masive ose armë autonome, por mbështet çdo përdorim ligjor të teknologjisë në interes të mbrojtjes.

Kosovë: Zëdhënësi i Qeverisë reagon pas demantimit të Presidencës për mbështetjen ndaj Osmanit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuku, ka komentuar pas deklaratës së Presidencës që mohoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar presidentes Vjosa Osmani mbështetje dhe nënshkrimet e nevojshme për një mandat të dytë.

Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e quajti pretendimin e LVV-së “gënjeshtër” dhe theksoi se presidentes nuk i është ofruar asnjë mbështetje për rizgjedhje. Në postimin e saj në Facebook, ajo shkroi:

“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga LVV për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër.”

Pas këtij reagimi, Manxhuku iu përgjigj në rrjetet sociale duke siguruar se LVV-ja është gati të ofrojë mbështetje.

“Nëse shefja e zyrës së Presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar Presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që të vijë në zyret e Lëvizjes, ku do të ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra gjithsej 33.”, shkroi Manxhuka.

Ndërkaq, Hollaj kritikoi LVV-në për mënyrën e trajtimit të procesit të kandidaturës së Osmanit, duke e cilësuar si një përpjekje për të fajësuar opozitën për zgjedhje të mundshme:

“Të kërkosh që dikush të bëhet formalitet vetëm për numër, për të fajësuar pastaj opozitën, është turp. Presidentes nuk i është ofruar asnjë votë për rizgjedhje, por vetëm të bëhet formalitet.”

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast përfundon më 4 prill, duke vendosur afatin e fundit për zgjedhje më 5 mars.

SWISS planifikon fluturim special për riatdhesimin nga Omani në Cyrih

Kompania ajrore Swiss International Air Lines (SWISS) po planifikon një fluturim special për riatdhesimin nga Muskat, Omani, drejt Cyrihut të enjten. Airbus A340 do të niset drejt kryeqytetit të Omanit të mërkurën për të sjellë pasagjerët në Zvicër.

Sipas një deklarate për shtyp të kompanisë të mërkurën, ky fluturim synon të ndihmojë ata që janë prekur nga situata e vështirë aktuale. Muskat nuk është një nga destinacionet e rregullta të SWISS-it.

Pasagjerët që tashmë kanë biletë të SWISS, por nuk kanë mundur të bëjnë udhëtimin e kthimit për shkak të situatës aktuale, do të udhëtojnë në këtë fluturim special.

Përveç tyre, udhëtarët që janë regjistruar në Ministrinë e Jashtme zvicerane me Omanin si destinacion do të marrin të mërkurën në mëngjes informacion mbi linjën e veçantë të rezervimeve.

Ky fluturim vjen pas shqetësimeve në rajon, ku disa qytetarë zviceranë ndodhen në një gjendje pasigurie për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Presidenca mohon t’i jenë ofruar nënshkrimet nga Vetëvendosje

Zyra e presidentes Vjosa Osmani ka mohuar deklarimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, se ia kanë ofruar nënshkrimet Osmanit për kandidaturën për presidente.

Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, në një postim në Facebook, ka thënë se kjo është gënjeshtër.

“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka thënë Hollaj.

Për reagimin e këshilltares së Osmanit, u pyet gjatë konferencës Nagavci, por tha se i garanton votat e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin./Albinfo.ch/

Qeveria zvicerane gati të ndërhyjë në sulmet ndaj stafit të trenave

Hekurudhat Federale Zvicerane thonë se sulmet ndaj stafit të trenave mbeten një realitet i përditshëm – dhe duket se qeveria është gati të ndërhyjë.

Që nga pandemia, punonjësit e trenave përballen me rreth dhjetë sulme verbale ose fizike çdo ditë, transmeton albinfo.ch.

Vetëm midis fundit të janarit dhe fundit të shkurtit, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm lëshoi ​​17 urdhra penalë për dhunë, kërcënime ose fyerje.

Hekurudhat Federale Zvicerane thonë se sulmet po bëhen më të rënda, me një rritje veçanërisht në Zvicrën frëngjishtfolëse.

Sindikatat thonë se kamerat e trupit dhe dy anëtarë të ekuipazhit ndihmojnë stafin të ndihet i sigurt. Ata gjithashtu po kërkojnë më shumë oficerë policie transporti.

Çështja po diskutohet nga Këshilli Federal.