Lajme

Daniel Nikolla fiton çmim për marketing dhe komunikim në Angli

Daniel Nikolla ka fituar çmimin  “Fytyra e së Ardhmes e Shitjeve, Marketingut dhe Komunikimit 2020” në qytetin e Birminghamit, Mbretëri e Bashkuar. 

Çmimet vjetore, të cilat organizohen nga Dhoma e Tregtisë së Birmingham-it, përzgjedhin çdo vit profesionistët e rinj të vitit, bazuar në arritjet e tyre personale dhe profesionale.

Ndër të tjera, juria e vlerësoi Danielin për prezantimin e një strategjie të re të marketingut bazuar në transformimin digjital dhe krijimin e përmbajtjes online.

“Danieli ka pasur një ndikim shumë të madh në rritjen e shitjeve për kompaninë”, thanë ata. Ai gjithashtu u vlerësua për kontributin në komunitet dhe mbështetjen e kauzave filantropike.

Danieli është vetëm 27 vjeç dhe drejton Departamentin e marketingut në kompaninë britanike, Hardy Signs. Ai ka përfunduar studimet në Marketing dhe Film në Londër dhe ka qenë President i Unionit të studentëve të City and Islington College, ku edhe është përzgjedhur si ‘International Student Officer of the Year’ nga kolegjet e Anglisë më 2016.

Publiku shqiptar e ka njohur Danielin si i riu që realizoi videon në bashkëpunim me UEFA-n për tifozët kuqezinj në kampionatin “Euro 2016”./businessmag.al