Kosova

“Deputetët nga këto shtete janë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE”

Vogel: Asociacioni është një kusht politik dhe jo ligjor

 

Në një deklaratë për media, bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, ka deklaruar se votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i paraparë të mbahet më 16 maj, mund të vonohet.

Vogel ka theksuar se vonimi lidhet me kërkesën ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, këtë e duan disa nga qeveritë kryesore anëtare të KiE-së.

“Skenari më i mundshëm duket të jetë që votimi do të vonohet, nëse njëra apo tjetra nuk dorëzohet. Por disa qeveri kryesore anëtare të Këshillit të Evropës e kanë bërë të qartë se duhet të shohin përparim të prekshëm në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ose përndryshe nuk do të mund ta mbështesin kërkesën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk mund të dërgojë non-paper në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Vogel.

Ai ka komentuar edhe votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Sipas ekspertit në Bruksel, shumica e deputetëve evropianë, me përjashtim të atyre serbë, e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mendoj se votimi e bëri shumë të qartë se shumica dërrmuese e evropianëve mbështesin sovranitetin, pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Është vetëm një numër i vogël i deputetëve serbë nga Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, plus disa të tjerë që duket se kanë problem me njohjen e këtij realiteti”, ka pohuar Toby Vogel.

Ai ka vlerësuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kusht politik dhe joligjor për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“QUINT-i i ka bërë të qartë shqetësimet e tyre dhe nuk është çudi që Asociacioni është një kusht politik dhe joligjor. Mendoj se është shumë vonë në proces që të shfaqen kushte vërtet të reja”, ka shtuar ai.