Kuriozitete

Dhjetë lajmet e rreme të 2019-ës

Prej kur shprehja “lajme të rreme” është përdorur në përditshmëri në vitin 2016, ne kemi qenë dëshmitarë të një universi me informacion jo të besueshëm dhe me metoda për shpërndarjen e tij.

Më 2019, shikuesit janë përballur me video të manipulueshme, që janë prezantuar si të vërteta apo me blogje të shkruara nga persona anonimë. Dhe, këtu nuk po përmendim disa raste të informacioneve mashtruese të shpërndara nga mediat, politikanët dhe të tjerët.

Më poshtë gjeni 10 rrëfime të dezinformimit që kanë rrjedhur në mënyrë të shfrenuar nëpër botë.

Teoria e “ndërhyrjes së Ukrainës”

Kjo teori e pabazë është prezantuar nga Shtëpia e Bardhë. Më 2019 presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina është përfshirë në sulme kibernetike me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara përmes një serveri politik që i takon Partisë Demokratike.

“Serveri ata thonë se Ukraiana e ka”, pati thënë Trump në një bisedë të zhvilluar në muajin korrik me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, bazuar në një transkprit. Në një bisedë të zhvilluar më 22 nëntor nga transmetuesi Fox, Trump ka thënë: A e dini se Byroja Federale e Hetimeve (FBI), kurrë nuk e ka pasur atë server… Pse ia kanë dhënë një kompanie ukrainase? Pse?

Trump i është referuar CrowdStrike, kompanisë për siguri kibernetike që ka analizuar serverët që janë prekur në sulmet e vitit 2016.

Kjo kompani ka bazën në Kalifoni dhe jo në Ukrainë dhe është në pronësi të një shtetasi amerikan të naturalizuar që ka emigruar nga Rusia si fëmijë. (CrowdStrike po ashtu ka ardhur në përfundim se sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve kanë ardhur nga Rusia dhe jo Ukraina).

Pra pse Trump dhe personat e rrethit të tij janë fokusuar në ndërhyrjen ukrainase? Një numër i zyrtarëve të inteligjencës thonë se versionin e Shtëpisë së Bardhë fillimisht e ka përmendur Moska.

“Ky është rrëfim imagjinar që është krijuar nga vetë shërbimet e sigurisë ruse”, ka thënë Fiona Hill, ish-zyrtare në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe specialiste për Rusinë para Kongresit që ka zhvilluar hetime për shkarkim të Trumpit.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane të intervistuar nga e përditshmja The New York Times kanë përkrahur dëshminë e Hillit.

Gazeta ka cituar ata të kenë thënë se “Rusia është përfshirë në fushatë afatgjatë për të fajësuar Ukrainën për sulmet që ka kryer Moska në zgjedhjet e vitit 2016”.

Thashethemet për “riedukim” në Ukrainë

Një television rus nuk ka përjashtuar mundësinë e përkrahjes shtetërore për krime kundër njerëzimit nëse Kievi fiton kontrollin e territoreve që tani zotërohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Prezantuesja e televizionit shtetëror rus, Rossiya-1, Olga Skabeyeva ka paralajmëruar shikuesit për një plan sekret të spastrimit etnik në këtë zonë nga Qeveria ukrainase.

“Thënë shkurt, menjëherë pasi Kievi të fitojë kontrollin e kufirit (me Rusinë), banorët e Donbasit do të dëbohen për ukrainizim të plotë”, ka thënë ajo.

“Është shume e thjeshtë: Nëse flisni gjuhën ukrainase, qëndroni. Nëse jo, atëherë përgatitni valixhet dhe shkoni në Rusi në variantin më të mirë. Në variantin më të keq, do të deportoheni me dhunë në Lviv për riedukim nga patriotët”, apo ultranacionalistët ukrainas.

Current Time, rrjeti televiziv rus i krijuar nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës, dhe faqja ukrainase e verifikimit të fakteve, StopFake.org, ka renditur disa faqe në internet, që kanë përmendur planet e supozuara për riedukim apo zhvendosje të dhunshme të rusëve nga Donbasi. (Shumica prej tyre janë media pro-separatiste).

Sekretari i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksiy Danilov, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dokumenti i cituar nga Rossiya-1 dhe të tjerët thjesht nuk ekziston.

“Rusia vazhdon të prodhojë lajme të rreme. Ato iu duhen në mënyrë që të bëjnë pretendime të tilla. Është e vështirë të mendohet diçka më absurde”.

Blogu mashtrues i ushtrisë amerikane
Një komandant i ushtrisë amerikane ka kritikuar ushtarët ukrainas gjatë trajnimeve të ofruara nga Shtetet e Bashkuara duke i konsideruar me “intelekt të ulët”. Zyrtari ka shkruar se ata kanë qenë të paedukatë, lakmitar dhe të korruptuar. Ata kanë refuzuar të mësojnë gjuhën angleze dhe kanë qenë të dehur shumicën e kohës.

Në fakt ky lajm, që ka pasur cak ushtarët ukrainas është publikuar nga një faqe e paidentifikuar. Ajo është thënë se është një blog i kolonelit, Robert Tracy, komandant i Grupit të Përbashkët Trajnues, me bazë në Yavirov të Ukrainës.

Ky tekst ka qarkulluar në mediat ukrainase dhe ato ruse para se të dënohej nga njësia ushtarake, e cila ka thënë se blogu është shkruar nga një mashtrues.

Blogu në të cilin janë parë disa postime, përveç atij me kritika, është fshirë shumë shpejt nga internet.

Një përfaqësues i ushtrisë ukrainase, Bogdan Senik, e ka quajtur blogun e rremë si “provokim”. Ndërkohë Instituti kërkimor, Jamestown Foundation me bazë në Uashington ka shkruar: Përmbajtja dhe koha e këtij operacioni dezinformues tregon qëllimin e tij kryesor: të dëmtojë marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Ukrainës para negociatave të vazhdueshme për sigurinë”.

Uragani Lajmet e Rreme përfshin aktivisten për klimën

Më 2019, aktivistja suedeze 16-vjeçare, Greta Thunberg ka krijuar një epokë të re në lëvizjen për ambient. Ajo ka folur para Kombeve të Bashkuara dhe është shpallur Personi i Vitit nga Revista Time. Në të njëjtën kohë, ajo ka qenë subjekt i sulmeve të urrejtjes online, duke shpërndarë prentendime të rreme.

Aktivistja për klimën, Greta Thunberg

Sipas një teorie, Thunberg është një karakter imagjinar, pas së cilës qëndron një “aktore që po përjeton krizë” me emër, Estella Renee. (Faqja e verifikimit të fakteve Snopes, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë). Shumë të tjerë e kanë quajtur aktivisten kukull të kompanisë për marrëdhënie me publikun të Qeverisë suedeze. Nëpër fotografi ajo është parë kinse ka qenë bashkë me një militant të grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe më pas me miliarderin, George Soros. Në një tjetër fotografi që ka qarkulluar gjithandej, Thunberg shihet duke kërkuarar më 1989, dhe se ajo mund të udhëtojë nëpër kohë.

Sulmet online ndaj aktivistes janë shpërndarë tejet shumë andaj ka qenë e vështirë të identifikohet burimi, ndonëse të paktën një organizatë joqeveritareka tentuar të rendisë lobistët që kanë pasur qëllim diskreditimin e saj. Vetë Thunberg ka shkruar në faqen e saj në rrjetin social, Facebook: Çdo ditë publikohet të paktën një teori konspirative.