E-Diaspora

Dhjetë vjet të suksesshme të KF Shqiponja

„Fillimi i mbarë është gjysma e punës“, thotë një fjalë e urtë popullore. E nëse shtojmë këtu edhe vullnetin e madh për t`i prirë punës, atëherë kemi një një klub futbollistik me emrin “Shqiponja“

Javën e kaluar, në ambientet luksoze të sponzorit kryesor SAM Group, ishin mbledhur persona të shumtë, të cilët kishin dhënë, apo vazhdojnë të japin kontributin e tyre për “KF Shqiponja” nga Langenthali. 10-vjetori i themelimit të klubit ishte arsye e madhe e takimit të të gjithë kontribuesve. Pra, ishte një ditë feste.

Festën e shpalli të hapur njëri ndër kontribuesit e parë, Veton Dizdari, i cili iu gjend klubit gjatë tërë etapave të zhvillimit, qoftë si anëtar kryesie, president i klubit, e trajner.

Për të folur rreth ecurisë së klubit në dekadën e parë të ekzistimit, fjala iu dha Berat Ajredinit, i cili së bashku me Murat Lenën kishin marrë iniciativën që në Langenthal të Kantonit të Bernës, në tetor të vitit 2009, të vinin themelet e një klubi futbollistik shqiptar në këtë rajon.

Duke dhënë fillimisht një historik të emigrimit të shqiptarëve në këtë rajon, Berati theksoi se rritja e familjeve shqiptare, me anë të bashkimeve familjare, bëri që edhe nevoja për një klub  futbollistik shqiptar të rritet. Ishte pikërisht fundi i tetorit 2009, kur me ndihmën e shumë bashkatdhetarëve u mbajt kuvendi themelues i “KF Shqiponja” në Langenthal.

Duke qenë se të pranishëm ishim shumë nga ish-lojtarët, apo edhe ata që kishin kontribuar në mbarëvajtjen e Shqiponjës, kryesia, me këtë rast, ndau Mirënjohje për shumë sportdashës, që kishin ndihmuar KF Shqiponjën.

Klubi futbollistik Shqiponja garat i filloi nga rangu më i ulët në Zvicër, pra në Ligën e 5 rajonale, ku me lojëra të mira dhe një disiplinë për lakmi, brenda dy vjetësh ia doli të ngjitet në Ligën e 3 rajonale, gjendje të cilët e ruan edhe sot, e ku zakonisht përfundon në pjesën e epërme të tabelës.

Sezoni vjeshtor klubin nga Langenthali e gjeti në vendin e dytë, duke rritur kështu ambicjet e klubit  për një ngritje në një nivel më të lartë, siç është Liga e Dytë rajonale.