Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, temë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë nisur takimin e tyre në Luksemburg, gjatë së cilit do të trajtojnë një sërë çështjesh, që nga situata në Bjellorusi, Turqia dhe deri te dialogu Kosovë-Serbi.

Në këtë takim pritet që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell të informojë ministrat e 27 vendeve anëtare me detajet e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç takim që u zhvillua javën e kaluar në Bruksel dhe pritet të vijojë më 25 korrik.

Ndërsa nesër pritet të diskutohet për procesin e zgjerimit në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, por pa ndonjë vendim të rëndësishëm. Nuk pritet që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo, për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga vetoja e saj ndaj Shkupit.