Maqedonia

Diaspora e RMV-së kërkon zgjatjen e afatit për ndërrimin e dokumenteve personale

Diaspora e Maqedonisë së Veriut ka shprehu shqetësimin për ndërrimin e dokumenteve personale që duhet të bëhet në muajin shkurt.

Ata thonë se nuk ka kohë të ndërrojë dokumentet personale në shkurt dhe nuk e dinë se si do të hyjnë në Maqedoninë e Veriut me dokumente të skaduara.

Për ta ky proces është i gjatë dhe i mundimshëm që zgjat edhe pas një viti, ndërsa në letrën e hapur drejtuar Spasovskit theksojnë se nëse dokumentet e tyre nuk janë të vlefshme, nuk do të mund të vijnë as për të votuar në zgjedhje.

“Qytetarëve të Maqedonisë në diasporë zakonisht u duhet një vit, nëse jo më shumë, për të marrë dokumente të reja udhëtimi. Organizata jonë investoi shumë kohë dhe përpjekje duke punuar me misionet konsullore për të ndihmuar mijëra qytetarë të Maqedononisë të marrin shtetësi dhe dokumente të reja udhëtimi. Vendosja e datave arbitrare, si kjo në shkurt, është një politikë shumë e dëmshme. Ka më shumë se gjasa që shumë shtetas të Maqedonisë në diasporë të mos mund të rinovojnë pasaportat e tyre brenda kësaj periudhe, gjë që do të pengojë hyrjen e tyre në Republikën e Maqedonisë”, theksojnë ata në letër.

Diaspora ka kërkuar zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve edhe pas 12 shkurtit, të futen shërbime online për rinovimin e dokumenteve me verifikim të fytyrës dhe gjurmëve të gishtave, si dhe të punësojnë staf profesional në të gjitha ambasadat dhe konsullatat e Maqedonisë.

Të shqetësuar se si do të votojnë në zgjedhje, ata kërkojnë nga Spasovski që të vendosë masa të posaçme votimi për diasporën, e cila do t’u mundësojë atyre që të marrin pjesë në zgjedhje edhe pse u skadojnë dokumentet.

Megjithatë MPB-ja thotë se si më parë, çdo qytetar i Maqedonisë mund të hyjë në vend edhe nëse i kanë skaduar dokumentet dhe t’i rinovojë ato këtu.

Ministri Osmani ka takuar ambasadoren greke, ku është biseduar edhe për pasaportat, gjegjësisht nëse mund të shtyhet afati, duke qenë se sipas Marrëveshjes së Prespës përfundon më 12 shkurt dhe epilogu i bisedës ishte një marrëveshje për më shumë koordinim.

Ndërkohë, kryeministri tha se kartat e identitetit do të jenë të vlefshme edhe pas afatit, ndërsa për pasaportat ende po diskutohet.

OBRM-PDUKM javën e ardhshme do të dorëzojë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vazhdimin e masës së përkohshme, ndërkohë që sot në RTVM dhe Beko qindra qytetarë prisnin të merrnin dokumentet e tyre personale. /Telegrafi