Kultura

Domingo nuk gaboi me Ramë Lahajn

Ramë Lahaj sot interpreton në teatrot më të mëdha operistike të botës. Po ngjitet kështu në majat e këngës lirike të botës, artisti të cilit pakkush i kishte parashikuar sukses, pasi që rrugën e artit e kishte nisur mjaft vonë

Ramë Lahaj tashmë është një këngëtar i suksesshëm i muzikës operistike. Intuita e një prej legjendave të këngës lirike, Placido Domingo, nuk gaboi. Ai besonte fuqishëm në suksesin e Lahajt. Dhe, Ramë Lahaj sot po ia del të interpretojë në teatrot më të mëdha të botës. Ky është zëri lirik shqiptar që po ngjitet në majat e këngës lirike më të mirë të botës. Tenori shqiptar nga Kosova tashmë ka interpretuar në shumë opera me nam. Ai, në vazhdimësi merr lëvdata nga kritikët e artit dhe ka marrë gjithë pëlqimin e publikut artdashës. Për çudi, Lahaj thotë: “Si fëmijë nuk e kam pasur ndonjë lidhje të jashtëzakonshme me muzikën. Dëshira për të hulumtuar në muzikë ka ndodhur krejt vonë dhe për këtë arsye profesionistët e muzikës më kanë thënë se është pak vonë të filloj të merrem me muzikë”. E, pavarësisht kësaj, ai vendosi të provonte. U pranua në Akademi. Dhe, sukseset rodhën menjëherë.

Ramë Lahaj është fitues i çmimit të tretë në konkursin “Marie Kraja”, ku merrnin pjese 16 konkurrentë nga vende të ndryshme të botës. Gjithashtu, ka fituar dy çmime në Itali. Ai thotë: “Po, të dyja kanë qenë krejt në fillim të karrierës time në 2010/11 kur unë sapo kisha filluar të bëja disa audicione dhe konkurse. Më i veçantë ishte dhe mbetet për mua çmimi special si interpretuesi më i mirë i këngës napolitane në mes të Napolit, i rrethuar nga qindra këngëtarë napolitanë. Unë fitova çmimin e parë si interpretuesi më i mirë i këngës napolitane në konkursin ‘Ritorna Vincitore” në Ercolano të Napolit’’. Kritikat pozitive për të nuk rreshtnin.

Kush e quajti “Dashnori latin”?

“Latin Lover dhe tuberkularja”. Kështu e titullon gazeta “Lübecker Nachrichten” artikullin mbi premierën e operës “La Traviata”. Dhe me epitetin “Latin Lover” (dashnor latin) ajo ka identifikuar tenorin e ri shqiptar nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili luan rolin kryesor të mashkullit në këtë operë, atë të Alfredos. “Ishte një premierë e zërave interesantë. Edhe pse jo gjithçka në këtë shfaqje eci si duhet, opera “La Traviata” e Verdit ka një aktor, i cili ofron një paraqitje të shkëlqyer në rolin e Alfredos. Fjala është për tenorin shqiptar të lindur në vitin 1983, Ramë Lahaj, i cili zërin e tij të freskët e të fuqishëm prej tenori, nganjëherë e përdor në një formë tejet të vrullshme”, shkruan veç tjerash gazeta “Lübecker Nachrichten”, e cila nuk kursen lëvdatat për zbulimin e ri të skenës së operës.

Por, çfarë thotë vetë artisti për angazhimin e tij, a ndjen lodhje? “Për një periudhë të shkurtër kanë ndodhur shumë gjëra. Krejt kjo e ka edhe një stres prapa, sepse nuk është vetëm qejf të dalësh në skenë. Edhe kjo e ka ngarkesën e vet, e nganjëherë ta bien te hunda, por gjithsesi duhet ecur përpara”.

Lahaj është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme si nga aspekti i këndimit, ashtu dhe interpretimit skenik, thonë njohësit e artit. Kosovari me zërin potent, po vazhdon punën dhe sukseset. Ai interpreton në teatrot më të njohur të Evropës, si në ato të Francës Italisë, Suedisë, Gjermanisë, Rusisë e vende të tjera në Evropë dhe botë. “Unë e kam pasur fatin që kam filluar me role të mëdha, andaj edhe kam rënë në sy dhe ka pasur mundësi për vëmendje e vlerësime”, pohon Lahaj.

Lahaj: Mos thurni ëndrra të kafeneve

Së fundi tenori Ramë Lahaj është rikthyer përsëri në Kosovë. Ai kësaj radhe ishte në vendlindje në kuadër të rrëfimeve TEDx dhe shpalosi me të pranishmit historinë e një të riu nga Kosova me ëndrra të mëdha për të cilat shpresonte që t’i bëheshin realitet. Lahaj, me këtë rast tha: “Po shpresoj që keni shumë ëndrra, mirëpo po shpresoj që nuk janë vetëm ëndrra të kafeve ku uleni bëni muhabet dhe mbas kafes gjithçka harrohet dhe ju e filloni prapë atë rutinën”.

Ndryshe, tenori shqiptar po përpiqet fuqishëm që këngën shqipe ta bëjë pjesë të repertorëve të teatrove më prestigjioze në botë. Ai, edhe zyrtarisht është Ambasador global i kulturës së Kosovës. Lahaj, ka premtuar edhe një koncert për artdashësit  në Prishtinë.

Kush është Ramë Lahaj

I lindur në vitin 1983 në Istog, Ramë Lahaj ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje. Në vitin 2001 ai u diplomua në shkencat kompjuterike. Ishte në moshën 21-vjeçare, kur Lahaj filloi trajnimin e tij profesional muzikor dhe një vit më vonë i filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Shqipëri. Në vitin 2008 u diplomua si studenti më i mirë i gjeneratës. Si këngëtar i muzikës operistike, Lahaj interpreton në teatrot më të njohura të botës.

Takimi me Papën

Në nëntor të këtij viti, në teatrin “Argentina” të Romës është mbajtur një koncert recital në kuadër të 550- vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Lorik Cana, Elhaida Dani, Eno Peçi, Ermal Meta, e Erza Muçolli janë vetëm disa nga emrat që performuan para publikut në këtë natë. Tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj ishte i emocionuar, teksa ka kënduar para publikut këngën e famshme të Vaçe Zelës, “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Përgjatë kohës sa ka qëndruar në Vatikan, ai ka pasur rastin të takohet edhe me Papën, teksa ka hedhur disa foto gjatë takimit me këtë të fundit, në llogarinë e tij zyrtare në Instagram. “Ishte privilegj që vjen rrallë në jetë. Kënaqësi të takoja Papa Françeskun me rastin e shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë të madh”, ka thënë ndër të tjera tenori.