Lajme

Dr. Agron Abrashi, një qytetar bote me dedikim jetësor, humanizmin

“Udhëtimi është shkolla e jetës. Asnjë veprimtari nuk të pasuron më tepër se udhëtimi”. Kështu thotë, veç tjerash, në intervistën për albinfo.ch dr. Agron Abrashi, mjek i njohur shqiptar në Zvicër

Si shqiptari i parë nga Kosova që ka hapur ordinancë mjekësore në Zvicër, dr. Agron Abrashi gëzon një njohje dhe respekt të gjerë nga komuniteti shqiptar këtu. Në një intervistë për albinfo.ch ai shpalos shumëçka nga jeta e tij, përfshirë këtu përvojën e gjatë prej mjeku në Zvicër dhe në veçanti, pasionin e tij të veçantë për udhëtime. Dr. Agroni ka vizituar shumicën dërmuese të vendeve të botës. Përjashtim këtu bëjnë vetëm disa shtete, të cilat me dekada ndodhen në gjendje lufte ose konflikti.

Dr. Abrashi flet po ashtu edhe për temën aktuale të këtyre ditëve: koronavirusin. Ai është optimist në këtë pikë…Lexoni në vazhdim se çfarë thotë.

Albinfo.ch: Sigurisht e doni me zemër profesionin e mjekut, kur dihet që puna në ordinancën tuaj ju ofron mundësinë që të takoni njerëz të kulturave të ndryshme, si dhe njerëz të të gjitha shtresave, sepse sëmundja nuk pyet se kush je dhe prej nga vjen.

Dr.Agron Abrashi: Që në moshën e re a kam pasur ëndërr të bëhem një ditë mjek. Ky profesion për mua është pasion numër një, punoj me shumë zell, zemër dhe dashuri me pacientë vendas dhe të kulturave të ndryshme, nga e gjithë Evropa.

Albinfo.ch: Por, në të njëjtën kohë ju takoni edhe bashkatdhetarët tuaj. A keni arritur të zbuloni kulturën tuaj të origjinës nëpërmes pacientëve shqiptarë apo nëpërmes lidhjeve që i keni me Kosovën?

Dr.Agron Abrashi: Kam mjaft pacientë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe kjo më mban gjithnjë afër atdheut.

Albinfo.ch: Keni emigruar në moshën 27-vjeçare në Zvicër. Si e kujtoni atë kohë, sa vështirë ka qenë për një të ri të huaj të integrohet dhe të rifillojë nga e para në një vend tjetër?

Dr.Agron Abrashi: Ishte viti 1983, fillim mjaft i vështirë, ngase diploma e Universitetit të Prishtinës nuk pranohej në Zvicër. Ishte pothuajse e pamundur të inkuadrohesha si mjek. Kam punuar punë të ndryshme si në hoteleri, teknik mjekësor, hulumtues etj. Vend i punës i parë si mjek reparti, ka qenë në klinikën private Paraplegjike në Nottwil, më 01.07.1995. Ndërsa hapja e ordinancës së parë private shqiptare në Zvicër është bërë më 2 gusht, 1998 ku punoj dhe veproj për 22 vjet me radhë.

Albinfo.ch:  Çfarë i ka dhënë Zvicra dhe çfarë i ka dhënë Kosova Agronit?

Dr.Agron Abrashi: Kosova më ka dhënë shkollimin dhe dashurinë dhe respektin për popullin tim, ndërsa Zvicra, mundësinë dhe hapësirën për zhvillim dhe përsosje të mëtutjeshme, lirinë e lëvizjes dhe udhëtimit si çdo qytetar tjetër i botës.

Albinfo.ch: Çfarë ndjenje është të jesh mjek me origjinë të huaj në Zvicër?

Dr. Agron Abrashi: Jam krenar si mjek me origjinë të huaj në Zvicër, ngase vetëm falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm dhe të palodhshëm, kam mundur të depërtoj të gjitha barrierat e mundshme dhe të arrij këtu ku jam.

Albinfo.ch: Për Ju që nuk jeni rritur këtu, integrimi dhe njohja e kulturës është një proces mbase jo i lehtë. Çfarë trajtimi keni nga kolegët zviceranë si mjek kosovar? Çfarë perceptimi kanë ndaj shqiptarëve nga përvoja juaj si mjek?

Dr.Agron Abrashi: Me respektimin e rregullave dhe ligjit të këtij shteti, njerëzve dhe kulturës e traditave, me sjellje të mirë dhe punë të palodhshme, kam arritur një respekt dhe vlerësim të ndërsjellë me kolegët, pacientët dhe njerëzit në përgjithësi.

Albinfo.ch: Një njeri i formuar intelektualisht nuk do ta zbehte asnjëherë dashurinë për atdheun, por nuk do të lëshonte as rastin që të njihet me kulturën dhe traditën e vendit ku jeton. Por ekziston droja që për gjeneratën e dytë dhe të tretë të mos jetë atraktiv më vendi i origjinës?

Dr. Agron Abrashi: Duhet pranuar realiteti i hidhur se gjeneratat e ardhshme mund të asimilohen kudo që jetojnë jashtë trevave shqiptare, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të gjeneratës sonë që t’i ruajmë dhe kultivojmë gjuhën, virtytet, traditën e pasur, kulturën dhe krenarinë e të parëve tanë.

Albinfo.ch: Tashmë jeni shumë gjatë në Zvicër. Sa shqiptar, po aq edhe zviceran ndjeheni, apo njëra është më shumë se tjetra?

Dr. Agron Abrashi: Në Zvicër jetoj qe 37 vjet, në Kosovë kam jetuar 26 vjet, dhe 1 vit në Kaliforni. Me integrimin tim ka ndodhur edhe tjetërsimi natyror si person, duke i përqafuar të gjitha virtytet pozitive të popullit zviceran, por pa e harruar origjinën, traditën, krenarinë dhe virtytet e tjera pozitive të popullit tim, si dhe obligimin moral të përjetshëm ndaj tij, kudo që gjendet dhe jeton.

Albinfo.ch: Mjekët shqiptarë tashmë janë organizuar edhe nëpërmjet asociacionit të tyre, a jeni pjesë e këtij organizmi?

Dr. Agron Abrashi: Po, jam i anëtarësuar në Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.

Albinfo.ch : A mund t’i ndani pasionin nga profesioni? Ju njiheni të njohur edhe për humanizëm, keni ndihmuar shumë projekte dhe organizata humanitare ?

Dr. Agron Abrashi: Gjatë këtyre 37 vjetëve, falë edhe profesionit, kam pasur nderin të bëj pjesë dhe të veproj në shumë organizata humanitare, në shumicën e rasteve si anëtar i kryesisë, në realizimin e projekteve dhe ndihmave dhe veprimtarive të ndryshme, jo vetën në fushën e mjekësisë, por edhe në art, kulturë, muzike, sport, letërsi etj.

Udhëtimi është shkolla e jetës. Asnjë veprimtari nuk të pasuron më tepër se udhëtimi.

Albinfo.ch: Keni shëtitur çdo skaj të botës, a mund te sillni për lexuesit tanë eksperiencën tuaj të udhëtimeve? A ka mbetur ndonjë vend pa vizituar dhe prej nga kjo dëshirë të shëtitni nëpër botë?

Dr. Agron Abashi: Pasioni im i dytë është udhëtimi nëpër gjithë botën. Dëshiroj të vizitoj Irakun dhe Iranin, djepin e kulturës botërore, porse situata politike me dhjeta vjet e pamundëson. Gjithashtu shtetet si Azerbajxhani, Armenia, Uzbekistani, Turkmenistani dhe Kirgizistani.

Albinfo.ch: Është një punë e pazakonshme këto ditë: kujdes dhe mbikëqyrje e pacientëve ndoshta të sëmurë edhe nga koronavirusi?

Dr. Agron Abrashi: Pandemia e korona virusit është një ngarkesë shtesë në kujdesin dhe mbikëqyrjen tonë të përditshme të pacientëve.

Albinfo.ch: A ka vend për panik, sa është e përgatitur Zvicra për këtë pandemi të shpallur zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë?

Dr. Agron Abrashi: Jemi mjaft mirë të përgatitur për diagnostikimin dhe trajtimin, i cili nuk ndryshon nga trajtimi i gripit të zakonshëm.
Deri me sot nuk ka medikament apo vaksinë kundër koronavirusit. Nuk ka asnjë vend për panik. Koronavirusi është më pak i rrezikshëm sesa gripi i zakonshëm që paraqitet për çdo vit dhe ka më shumë raste vdekjeje sesa nga Koronavirusi, i cili shpërndahet më shpejt. Zvicra është e përgatitur mjaft mirë.

Albinfo.ch: Si të mbrohemi, doktor, që të mos prekemi nga ky virus me emrin Covid-19 që ka trazuar tërë botën?

Dr. Agron Abrashi: Mbrojtja më e mirë është respektimi i normave themelore higjienike, pastrimi sa më i shpeshtë i duarve dhe dezinfektimi, evitimi i të gjitha tubimeve, manifestimeve, vizitave, festimeve, mos përshëndetje me zgjatje dore, evitimi i prekjes së sipërfaqeve të ndryshme, dorëza dyersh, elektro-shtëpiake etj. Ndërsa kollitja dhe teshtitja të bëhen në faculetë letre.

Albinfo.ch: Si përhapet virusi dhe cilat janë simptomat?

Dr. Agron Abrashi:  Virusi përhapet përmes kontaktit, kollitjes dhe teshtitjes. Simptomat janë: temperatura, kollitja, vështirësi në frymëmarrje, çrregullime tretjeje dhe infeksione syri. Ato mund të jenë të rënda sidomos te pacientët mbi 65 vjeç dhe me sëmundje diabeti, hipertensioni, të organeve të frymëmarrjes dhe te personat me imunitet të ulur.

Albinfo.ch: Kush është Dr Agron Abrashi ?

Një qytetar botëror me dedikim jetësor për humanizëm dhe filantropi.

 

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriAgron Abrashi
  • Prejardhja:Gjakovë/Kosovë
  • Vendi ku vepron:Glarus
  • Profesioni:Mjek
  • Kontakti 055 644 25 55