Tematike

Dr. Bilali: Do të kthehemi në normalitet, para zbulimit të vaksinës

Mjeku shqiptar në Spitalin Universitar të Cyrihut, dr. Mentor Bilali:  Jemi përgatitur për më të keqen, por aktualisht nuk po i shfrytëzojmë as 25 % të kapaciteteve

“Do të kthehemi në normalitet edhe para zbulimit të vaksinës. Respektoni rregullat dhe mos u frikësoni”, porosit mjeku shqiptar.

Në spitalin universitar të Cyrihut është edhe një mjek shqiptar duke luftuar bashkë me të tjerë në betejën e rëndë me armikun a padukshëm, virusin Corona.

Fjala është për doktor Mentor Bilalin, i cili ka specializuar si internist ne spitalin univeristar ne Aarau dhe aty ka punuar një vit e gjysmë si kryemjek duke vazhduar pokështu, si kryemjek edhe në repartin e emergjencës dhe intenzivës. Ndërkohë ka ndjekur specializimin për gastroenterologji dhe hepatologji në Spitalin Univeristar në Cyrih dhe që nga viti 2018 punon si krymjek në Spitalin Universitar të Cyrihut në fushën e gastroentrologjise dhe hepatologjisë, me interes specifik endoskopinë intervencionale.

Doktor Mentor Bilali është mjeku më i njohur shqiptar në Zvicër në fushën e gastroentrologjisë dhe hepatomologjisë.

Në këtë ditë të vështira pandemie, doktor Bilali qëndron për çdo ditë në vijën e dytë të frontit me virusin Covid19.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të dhe sjell për lexuesit detajet e luftës së mjekëve ndaj kësaj sëmundjeje të padukshme, e cila ka paralizuar jetën tonë si asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit.

Albinfo.ch: Si po e menaxhoni situatën me pandeminë e koronavirusit, meqë Cyrihu është njëri nga kantonet më te prekura të Zicrës gjermane?

Mentor Bilali: Ne jemi të përgatitur shumë mirë. Spitali Univeristar e ka formuar shtabin e emergjencës për trajtimin e koronavirusit. Ne kemi liruar dy reparte, jo intensive, vetëm për Covid19. Janë reparte normale që i kemi përshtatur vetëm për mjekimin e pacientëve të infektuar me koronavirus për të mos i rrezikuar pacientët e tjerë. Kurse në repartin intensiv kemi si parim 80 shtretër, dhe sipas nevojës edhe më shumë, vetëm për të mjekuar me respiratorë pacientë të infektuar me Covid19. Pra kemi dy reparte intensive që kemi mobilizuar vetëm për Covid 19 dhe sipas nevojës repartin tjetër që ka qenë i gatshëm. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur nevojë për të trajtuar me respiratorë më shumë se 18 pacientë. Kurse përmbi 80% e pacientëve të infektuar e tejkalojnë pa problem dhe nuk kanë nevojë as të hospitalizohen. Natyra e sëmundjes e bën të veten tek pacientë me sëmundje kronike që kanë imunitet të dobët dhe janë të prekur edhe nga sëmundje tjera përcjellëse si diabeti e sëmundje kardiovaskulare dhe pulmonale.

Albinfo.ch: A mund të na shpjegoni si funksionon trajtimi i pacientëve me respiratorë. Sa janë gjasat e tyre të shpetojnë?

Dr. Mentor Bilali: Sipas studimeve aktuale, mbi 50% të pacientëve që trajtohen me respiratorë mbijetojnë dhe shërohen. Në Spitalin Univeristar në Cyrih deri më tani (java e dytë e prillit) kemi pasur 6 të vdekur nga koronavirusi dhe mbi 200 të hospitalizuar.

Albinfo.ch: Ju jeni si mjek i angazhuar në Cyrih, që është në mesin e kantoneve me numër të lartë të të infektuarve, përderisa kantonet përreth kanë numër dukshëm më të ulët të të infektuarve. Si shpjegohet kjo?

Dr. Mentor Bilali: Për kantonin e Ticinos, dihet afërsia me Italinë dhe ato frankofone që kanë numër të lartë të të infektuarve por për ne në Cyrih, s’ka një shpjegim pse jemi shumë më të prekur se kantonet tjera gjermane. Por mendoj se shkaku mund të jetë në faktin Cyrihu është qendër kryesore e biznesit ku njerëzir lëvizin më shumë.

Albinfo.ch: Të infektuarit me koronavirus nuk i kanë gjithnjë simptomat e njëjta. Pse është kështu, a ka të bëjë kjo me imunitetin e personit të infektuar?

Dr. Mentor Bilali: Kjo varet në masë të madhe edhe nga imuniteti i pacientit dhe faktorë të tjerë që ne nuk i kuptojmë, sepse ka raste edhe me të rinj që përfundojnë deri  repartin intensiv pa ndonjë sëmundje tjetër të mëparshme. Studimet e bëra në Itali tregojnë se 50 deri në 75% të pacientëve nuk kanë shfaqur asnjë lloj simptome. Po ashtu edhe në Kinë ka shkuar deri në 78 % kjo shifër. Kjo është pra rreziku i kësaj sëmundjeje që ti nuk e merr seriozisht dhe nuk u përmbahesh rregullave pastaj e shpërndanë me shpejtësi tek të tjerët.

Albinfo.ch: Me çfarë pacientësh punoni apo keni të bëni tani?

Dr. Mentor Bilali: Unë për momentin trajtoj pacientët vetëm me sëmundje gastroentrologjike dhe hepatologjike që janë raste urgjente dhe pacientë të prekur me Covid19 që kanë probleme gastroentrologjike. Ne si gastroentrologji nuk e trajtojme sëmundjen Covid 19, por i trajtojmë pacientë që kanë probleme të fushës sonë.

Albinfo.ch: Pashmangshëm nuk mund t`i ikim pyetjes nëse keni pasur pacientë apo të infektuar shqiptarë me Covid 19, pasi që në Cyrih jetojnë më së shumti shqiptarë në Zvicër.

Mentor Bilali: Për arsye të ruajtjes së të dhënave personale, nuk kam të drejtë të jap informacione rreth kësaj pyetjeje.

Albinfo.ch: Personat që shërohen nga koronavirusi a ka mundësi të infektohen prapë, çfarë do të thotë kjo apo si shpjegohet nga aspekti medicinal?

Dr. Mentor Bilali: Deri më tani sa kemi ne informacione, ata që kanë pasur virusin Corona, janë imunë, nuk infektohen më. Por ne ende nuk e dimë sa gjatë qëndrojnë aktivë antitrupat që krijojnë imunitetin, a rrinë tërë jetën në trup apo humbin pas një kohe. Kështu që për këtë pyetje nuk mund të japim ende një përgjigje të saktë. Mirëpo pas një periudhe 6 -12 mujashe mund te dimë më shumë, pasi t`i kemi analizuar e testuar ata që kanë qenë të infektuar.

Albinfo.ch: A mund të themi se pa zbulimin e vaksinës, nuk do të mund të kthehemi në normalitet?

Mentor Bilali: Jo nuk mendoj kështu. Megjithëse kjo nuk është fusha ime, unë besoj se gjendja do të noramalizohet para se të kemi një vaksinë. Qëllimi i vaksinimit është siguria që jep ai që kjo gjendje të mos përsëritet prapë. Sepse frika aktuale është që pandemie të mos kthehet prapë. Sido që të jetë ne në Zvicër jemi të përgatitur për çdo rast. Vetë fakti që në kemi rezervuar në repartin intensiv 80 shtretër me respiratorë vetëm për Spitalin Universitar, e në fakt as 25% të këtyre kapaciteteve nuk i kemi shfrytëzuar, tregon që vala e madhe që ne e kemi pritur, fatmirësisht nuk erdhi. Pyetja “njëmilionëshe” është tani për Zyrën Federale të Shëndetit Publik, si ti marrin hapat e duhur lehtësues për të ruajtur ekonominë e vendit pa rrezikuar një valë infektimesh të reja.

Albinfo.ch: Zvicra njihet si vend që ka sistemin shëndetësor ndër më të mirët në botë dhe megjithëkëtë ka pasur në fillim të pandemisë një lloj frike se edhe Zvicra rrezikon të kolapsojë sikur Italia nëse nuk merr masa të ashpra parandaluese. Cila është e vërteta këtu nga këndvështrimi juaj si mjek?

Dr. Mentor Bilali: Unë mendoj se Zvicra ka qenë jashtëzakonisht mirë e përgatitur. Ne kemi paramenduar edhe skenarët më të këqij që do të mund të na ndodhnin. Frika jonë ka qenë se ne do të vinim në një situatë ku do të duhej të seleksiononim pacientët se kujt i takon dhoma intensive, cili i ka gjasat më të mëdha për shërim. Kjo është një çështje etike të cilën ne në Zvicër kurrë nuk e kemi pasur për asnjë pacient, ku do t`i thoshim: “na vjen keq, ju do të vdisni se ne s’kemi dhomë për t’ju futur nën mbikqyrje intensive” Ky do të ishte skenari më i rëndë për ne. Meritë të madhe që puna nuk ka ardhur deri këtu, ka ministria e Shëndetësisë, por gjithashtu është popullata e cila ka qenë tepër e disiplinuar. Pa bashkëpunimin e popullatës ne nuk do t`ia dilnim.

Albinfo.ch: Përveç dorës së shtetit, deri në çfarë mase e keni ndjerë ju mbështetjen qytetare?

Dr. Mentor Bilali: Kurrë në jetën time si mjek nuk e kam ndjerë më fuqishëm mbështetjen qytetare ndaj punës sime si mjek. Ka qenë një përkrahje emocionale ndaj mjekëve. Në çdo rast ka pasur mirëkuptim dhe kanë treguar një respekt të lartë për ne, duke na duartrokitur, duke na afruar strehim apo bujtina me çmime më të ulëta të mundshme për mjekët kujdestarë, biçikletat elektronike apo parking. Popullata po tregohet tejet mirënjohëse dhe po jep kontriboutin e madh për të pasur sukses në luftën tonë të përbashkët kundër koronavirusit.

Sa më i lartë standardi jetësor në një shtet, aq më të mëdha janë kërkesat e njerëzve. Pacienti është i vetëdijshëm, e ka të qartë çfarë pret prej mjekut, mirëpo tani në këtë kohë pandemie është më ndryshe dhe ne po ndjejmë përkrahjen e qytetarëve. Kemi më të vërtetë një mbështetje emocionale që na ka prekur të gjithëve.

Vetëm 18 pacientë me respiratorë

Fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur nevojë për të trajtuar me respiratorë më shumë se 18 pacientë. Kurse përmbi 80% e pacientëve të infektuar e tejkalojnë pa problem dhe nuk kanë nevojë as të hospitalizohen.

Skenari më negativ, për fat, nuk u realizua

Frika jonë ka qenë se ne do të vinim në një situatë ku do të duhej të seleksiononim pacientët se kujt i takon dhoma intensive, cili i ka gjasat më të mëdha për shërim. Kjo është një çështje etike të cilën ne në Zvicër kurrë nuk e kemi pasur për asnjë pacient, ku do t`i thoshim: “na vjen keq, ju do të vdisni se ne s’kemi dhomë për t’ju futur nën mbikqyrje intensive” Ky do të ishte skenari më i rëndë për ne.

 

Foto: Armend Berisha