Lajme

Dyfishim i numrit të incidenteve ajrore në Zvicër gjatë 2018-ës

Një pjesë e madhe e këtyre incidenteve kanë ndodhur në hapësirën e përzier ajrore, aty ku aeroplanët e linjave e ndajnë qiellin bashkë me fluturake të vogla ose balona.

Në Zvicër, gjatë vitit 2018 është rritur gati dyfish numri i “pothuaj-aksidenteve” ajrore. Autoritetet përgjegjëse e pranojnë, por nuk kanë ndonjë shpjegim për këtë zhvillim.

Bëhet fjalë për një numër rekord të rasteve kur, në momentin e fundit evitohet përplasja mes fluturakeve të ndryshme në ajër ose aksidenteve të tjera. Ekspertët e sigurisë heshtin para faktit se SUST (Qendra Zvicerane për Hulumtime të Sigurisë) ka regjistruar 68 “incidente të rënda”, të cilat për pak kanë mundur të shndërrohen në aksidente serioze, shkruan “SonntagsZeitung”.

Gazeta ka regjistruar 68 raste të tilla, ndërkohë që një vit më parë kanë qenë vetëm sa gjysma e këtij numri, transmeton albinfo.ch. Në përgjithësi, mesatarja e pesë vjetëve të fundit ka qenë 36 “pothuaj aksidente” të tilla.

Nga 68 rastet e regjistruara vitin e kaluar, 28 kanë pasur të bëjnë me afrim të rrezikshëm në mes të dy fluturakeve, në të cilat SUST konstaton se ka pasur një “rrezik të lartë ose të konsiderueshëm të përplasjes”.

Daniel Knecht, udhëheqës i sektorit të aviatikës në Sust, thotë për gazetën se një pjesë e madhe e këtyre incidenteve kanë ndodhur në hapësirën e përzier ajrore, aty ku aeroplanët e linjave e ndajnë qiellin bashkë me fluturake të vogla ose balona.

Zyra Federale për Komunikacion Ajror (Bazl) e merr këtë njoftim me shqetësim., përcjell albinfo.ch. Një zëdhënës i saj thotë: “Ne ende neuk e kemi plotësisht të qartë se nga vjen ky shtim i numrit të incidenteve”.