Lajme
„E MAJTA“ gjermane për Kosovën
Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës gjetën vend jashtëzakonisht të madh në mediet gjermane. Nuk munguan as reagimet e fraksioneve të partive politike në Bundestag. Liberalët që edhe janë pjesë e Qeverisë aktuale ftojnë të dy palët që problemet t’i zgjidhin me anë të dialogut, ndërsa opozitarët socialdemokratë sjelljet e serbëve të Kosovës i cilësojnë si të “papranueshme” dhe shtojnë më tutje se “serbët po luajnë me zjarr” (Rolf Mützenich, përfaqësues për politikë të jashtme i fraksionit të socialdemokratëve në Bundestag, cituar nga gazeta gjermane “Handelsblatt”).
© albinfo.ch: Zonja Sevim Dagdelen
Por, reagimi i parë erdhi nga partia opozitare “E MAJTA”, fraksioni parlamentar i së cilës me anë të një deklaratë për shtyp të datës 26 korrik 2011, të prezentuar nga zonja Sevim Dagdelen, fton administruesit e Kosovës “të përfundojnë provokimet”. Në këtë deklaratë thuhet se “provokimet e paarsyeshme dhe të rrezikshme ndaj Serbisë dhe pakicës serbe në veri të Kosovës duhet të përfundojnë menjëherë”. Më tutje ish-komunistët gjermanë i “shpjegojnë” opinionit gjerman se “Praktika e njohjes së deklaratës së njëanshme dhe ilegale të pavarësisë është bashkëpërgjegjëse për këtë situatë”.
Zyrtarja Dagdelen shton: “Krahina serbe, Kosova, u përkrah nga shumë shtete perëndimore të udhëhequra nga Gjermania dhe SHBA-ja që të shpallë njëanshëm pavarësinë, e cila siç pritej, vetëm se do të shkaktonte konflikte të reja ndëretnike. NATO-ja tani është e detyruar që forcat paramilitare dikur të ushtruara nga vetë ajo t’i ndalojë të ndërrmarrin sulme masive kundër pakicës serbe”. Kritika e majtistëve gjermanë iu drejtohet më tutje Qeverisë gjermane, e cila “duhet t’i pranojë pasojat e secesionit të Kosovës dhe kërkon nga ajo që si udhëheqëse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vërë në rend të ditës sulmet e administratës së Kosovës”.
Reagimet e së majtës nuk përfundojnë me kaq. Për më pak se 24 orë më vonë ata lëshojnë deklaratën tjetër për shtyp dhe me ton të njëjtë kritikojnë “përkrahjen e Qeverisë gjermane nacionalistëve kosovarë dhe në përgjithësi politikën gjermane ndaj Ballkanit, viktima të së cilës janë edhe vdekja e policit kosovar dhe lëndimi i serbëve”.
Ish-komunistët gjermanë nuk kursejnë prapë kritikat ndaj SHBA-së dhe natyrisht Gjermanisë “për presionin që bëjnë që sa më shumë shtete të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Sovranitetin të cilin e kanë pranuar 77 shtete, udhëheqësia e Kosovës veç ka filluar ta zbatojë, gjë që ishte e qartë se do të sillte të vdekur e të lënduar”.
Proletarët gjermanë pamfletin e tyre për Kosovën e përfundojnë me fjalët se “Kosova sipas së Drejtës Ndërkombetare dhe Rezolutës 1244 të OKB-së është pjesë e ish-Jugosllavisë dhe e pasardhëses së saj legjitime, Serbisë, ndërsa veprimet e udhëheqjes mafioze kosovare janë ilegale”.
Njohësit e rrethanave politike gjermane nuk i befason një reagim i tillë i kësaj partie, e cila rrënjët i ka nga Partia Komuniste e ish-Gjermanisë Lindore. Gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë majtistët gjermanë organizuan protesta në mbarë Gjermaninë, ku shumica e pjesëmarrësve ishin serbë. Edhe vizita e udhëheqësit kryesor të kësaj partie, Gregor Gysit, në Beograd gjatë këtyre bombardimeve si dhe takimi i tij me S. Millosheviqin flasin shumë për qëndrimin e kësaj partie rreth Kosovës.
Kjo parti, e cila në sondazhet aktuale do të fitonte 10% të votave në Bundestag, po përpiqet kinse të mbrojë të Drejtën Ndërkombëtare, e në të vërtetë ajo vetëm po mundohet të mbajë gjallë me çdo kusht komunizmin, duke kritikuar “imperialistët” në krye me SHBA-në, por edhe duke mos kursyer përkrahjen për vatrat e komunizmit, siç është rasti me Serbinë.
E-Diaspora
-
Humb jetën tragjikisht në Gjermani studenti shqiptar nga Tetova Shqiptari nga Tetova humb jetën tragjikisht në Gjermani ... -
Luljeta Elezi, artistja e parë shqiptare anëtare e rregullt e Shoqatës Ndërkombëtare Frédéric Chopin -
Ambasadori Ajeti: Goethe-Institut heq fusnotën nga emri i Kosovës -
Haxhiu – mërgimtarëve: Kosova ju pret me zemër të hapur, mirë se vini në shtëpi -
Isah Mustafa merr pjesë në Festivalin prestigjioz të Avignon-it në Francë
Jeta në Zvicër
-
Rrufeja vret 97 dele në një kullotë alpine në Valais Tufa ishte grumbulluar gjatë natës për t’u mbrojtur nga grabitqarët, kur një stuhi e fortë goditi... -
SVP kërkon lehtësim të rregullave për instalimin e kondicionerëve në Gjenevë -
Trafiku në Zvicër rritet me rritjen e kostove -
Gjenevë: Ndalohet shitja e cigareve elektronike, në pritje të një vendimi përfundimtar nga sistemi federal i drejtësisë -
Nëntë kilometra bllokim trafiku në Portalin Verior të Gotthardit











