Lajme

Një mori sulmesh ajrore ruse në Ukrainë sot

Në orët e para të së dielës sirenat e sulmit ajror u dëgjuan përsëri në gjithë Ukrainën si përgjigje ndaj një vale sulmesh raketore ruse. Disa nga sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën kritike, duke përfshirë aeroportin ushtarak dhe qendrën e trajnimit në Yavoriv, pranë kufirit polak, dhe aeroportin në Ivano-Frankivsk.

Sulmet e tjera duket se kanë shënjestruar zona me popullsi të dendur, me qytetin verior të Chernihiv që goditet për të tretën natë me radhë. Vyacheslav Chaus, kreu i rajonit të Chernihiv, tha në kanalin e tij Telegram herët të dielën se “pushtuesit filluan një sulm ajror në një ndërtesë të lartë gjatë natës”.

“Në vendngjarje po punojnë ekipet e shpëtimit. Sipas njoftimeve paraprake, një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë shpëtuar.”

Dhjetë zjarre u raportuan në qytet në 24 orët e fundit, me tre persona të vdekur. Një nënë dhe djali i saj u raportuan të vrarë nga granatimet pranë Brovary, raporton CNN.

Qeveria ukrainase po përpiqet të hapë rrugë evakuimi për civilët në vendbanimet përreth Brovary, i cili ndodhet përtej lumit Dnieper nga Kievi. Në rajonin lindor të Luhanskut, pjesa më e madhe e të cilit tani është e pushtuar nga forcat ruse, Serhiy Haidai, kreu i administratës rajonale të Luhanskut, tha se kishte pasur “granatime masive” të disa qyteteve, duke përfshirë Kreminën dhe Rubizhne, duke penguar autobusët që transportonin civilë.