Kosova

Eksportet e Kosovës në Zvicër, rreth 64.3 milionë euro

10 produktet më të eksportuara dhe ato të importuara nga shteti zviceran për vitin 2022

Duket se shkëmbimet tregtare Kosovë-Zvicër po i nxisin edhe investimet e diasporës në vendin tonë.

Referuar të dhënave të Doganës, Kosova shumë më tepër shiti mallra në Zvicër sesa bleu, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Kosova ka bilanc pozitiv tregtar në raport me Zvicrën, duke pasur 64 milionë euro produkte eksporte dhe 39 milionë euro importe.

Përveç aspektit tregtar, Zvicra gjatë viteve të fundit është duke dominuar edhe në investimet e jashtme direkte në Kosovë.

Bazuar në të dhënat nga Dogana e Kosovës, Kosova më së shumti në Zvicër ka eksportuar produkte të gatshme druri dhe konstruksione alumini, derisa vende të rëndësishëm zënë edhe produktet bujqësore.

Derisa nga shteti helvetik, Kosova më së shumti ka importuar cigare që zënë rreth 35% të importeve të përgjithshme.

Zvicra është partneri i pesë tregtar i Kosovës sa u përket eksporteve (7.5% të eksporteve të përgjithshme të Kosovës).

 

Eksportet e Kosovës në Zvicër, 64.3 milionë euro

 

1-Dyer e dritare – 17 milionë euro,

2-Mobilie druri – 6.8 milionë euro,

3-Konstruksione alumini dhe të tjera  – 4.2 milionë euro,

4-Komplakse kuzhine nga druri – 2.6 milionë euro,

5-Grilla, rrjeta dhe gardhe – 2.1 milionë euro,

6-Xeherore dhe koncentrate plumbi – 1.5 milionë euro,

7-Pije freskuese 1.4 milionë euro,

8-Tela prej çeliku  – 1.4 milionë euro,

9-Produkte bujqësore – 1 milionë euro,

10-Artikuj prej guri, qeramike apo porcelani – 1 milion.

 

Importet nga Zvicra – 39.2 milionë euro

1-Cigare – 13.6 milionë euro,

2 – Veshmbathje  – 1.4 milionë euro,

3- Panele të ndryshme – 708 mijë euro,

4 – Çelësa izolues dhe çelësa ndërprerës (për rrymë) – 490 mijë euro,

5 – Pije freskuese  – 466 mijë euro,

6-Televizor – 478 mijë euro,

7 –Medikamente – 409 mijë euro,

8- Kafe – 354 mijë euro,

9-Çokollata e biskota – 342 mijë euro,

10-Traktorë – 290 mijë euro.

 

Nëse merren parasysh resurset të cilat i posedon Kosova dhe potenciali që posedon Zvicra, atëherë ekzistojnë mundësi të mëdha të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, transmeton telegraf.

Sektorët më inkurajues për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe në fushën e investimeve janë sektori i shërbimeve online, sektori i teknologjisë së informacionit, energjia dhe minierat, bujqësia, turizmi etj.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se Kosova po bëhet gjithnjë e më tepër vend atraktiv për turistët nga Zvicra.

Kosova ka resurse të mëdha turistike, sidomos në turizmin malor, të cilat mund të përdoren si destinacion turistik për zviceranët.