Lajme

Fenomen: Ja pse po rrëzohen kaq shpesh aeroplanët në Indonezi

Fenomeni në Indonezi i rrëzimit të një aeroplani të shtunën menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti i vendit, Xhakarta, në bordin e së cilit ishin 62 persona, ka vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes sigurinë e industrisë së aviacionit të këtij shteti, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, autoritetet indoneziane tashmë kanë njoftuar se kanë gjetur vendin ku besojnë se u rrëzua një aeroplan pasagjerësh Boeing 737, i cili u zhduk nga radari katër minuta pas fillimit të udhëtimit të tij për në Pontianak, në provincën perëndimore Kalimantan.

Pse ka pasur Indonezia shumë aksidente me aeroplanë?

Thuhet se e gjithë kjo është për shkak të një kombinimi të faktorëve ekonomikë, socialë dhe gjeografikë.

Në vitet e para kur industria e aviacionit në Indonezi mori hov, pak kohë pas rënies nga pushteti i presidentit Suhatro në fund të viteve të 90-ta, u hap ekonomia, pas dekadash në diktaturë dhe në këtë kohë kishte pak rregullativa dhe pak mbikëqyrje të industrisë së aviacionit. Suhatro ishte presidenti i dytë i Indonezisë, i cili kishte udhëhequr vendin për 31 vjet, nga viti 1967 e deri kur dha dorëheqje më 1998.

Transportuesit ajrorë me kosto të ulët vërshuan tregun, duke bërë fluturimin një mënyrë të zakonshme të transportit nëpër këtë arkipelag, i cili ka shumë zona ku ende nuk ka infrastrukturë efikase ose të sigurt.

Sipas të dhënave nga Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit, Indonezia ka pasur 104 aksidente të avionëve civilë, me mbi 1.300 viktima që nga viti 1945, duke e renditur atë si vendin më të rrezikshëm për të fluturuar në Azi.

Shtetet e Bashkuara ndaluan transportuesit indonezianë që të operojnë në vend nga viti 2007 deri më 2016, sepse ata “kishin mangësi në një ose më shumë fusha, siç janë ekspertiza teknike, personeli i trajnuar, mbajtja e regjistrave ose procedurat e inspektimit”. Bashkimi Evropian kishte një ndalim të ngjashëm nga viti 2007 deri më 2018.

A janë përmirësuar gjërat?

Po.

“Angazhimi me industrinë është përmirësuar ndjeshëm dhe mbikëqyrja është bërë më rigoroze”, tha për AP eksperti i aviacionit dhe kryeredaktori i AirlineRatings.com, Geoffrey Thomas.

Kjo përfshin inspektime më të shpeshta, rregullativa më të forta të pajisjeve dhe procedurave të mirëmbajtjes dhe trajnim më të mirë të pilotëve, tha ai.

Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara i dha Indonezisë një vlerësim të Kategorisë 1 më 2016, që do të thotë se ky shtet ishte në përputhje me standardet e sigurisë së Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Pse ndodhi aksidenti i fundit ajror?

Është herët që të dihet se pse ndodhi rrëzimi i avionit. Ekspertët thanë se mund të jenë disa arsye, duke përfshirë gabimin njerëzor, gjendjen e avionit dhe motin e dobët në Xhakarta, nga ku u nis avioni.

Peshkatarët në afërsi të vendit ku u rrëzua ky avion me pasagjerë thanë se kanë dëgjuar një shpërthim dhe më pas kanë parë mbetje (të avionit) dhe karburant afër varkave të tyre. Por, shiu i madh iu pamundësoi të shihnin më tepër.

Sriwijaya Air ka pasur vetëm incidente të vogla në të kaluarën, megjithëse është raportuar se një fermer u vra më 2008 kur një nga avionët e kësaj kompanie doli nga pista derisa po aterronte, për shkak të një problemi hidraulik.

Drejtori i kësaj kompanie ajrore, Jefferson Irwin Jauwena, tha se aeroplani që u rrëzua, i cili ishte i prodhuar para 26 vjetësh dhe ishte përdorur më parë nga linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara, ishte i sigurt për fluturim. Ai u tha gazetarëve se avioni kishte fluturuar më parë në të njëjtën ditë.

Por, ekspertët thanë se është e nevojshme të bëhet një hetim për të përcaktuar nëse avioni ishte në të vërtetë i sigurt për të fluturuar.

Kur do të dimë më shumë?

Zyrtarët thanë se ata gjetën të dielën vendin ku u rrëzua avioni dhe kutitë e zeza. Autoritetet aktualisht po punojnë për të tërhequr nga deti regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit të kabinës së pilotit. Materialet e nxjerra nga uji, përfshirë kutitë e zeza, mund të japin një pasqyrë të asaj që ndodhi.

Por, hetimi mund të zgjasë me javë, me gjasë muaj, tha këshilltari indonezian i aviacionit, Gerry Soejatman.

Indonezia pritet të drejtojë hetimin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë janë të mirëpritur që të kontribuojnë. Brenda një muaji pritet një raport i përkohshëm nga Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Transportit të Indonezisë, tha Soejatman.

“Analiza do të fillojë me atë raport”, tha ai.