Kosova

Fillon peticioni online kundër fituesit të Nobelit, i cili ka fyer shqiptarët

Kritikët e quajtën atë mohues të genocidit, dhe vunë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin

Shpallja e austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, u prit menjëherë me reagime të ashpra. Të enjten Akademia Suedeze njoftoi se Handke fitonte për vitin 2019, ndërsa autorja polake Olga Tokarczuk për vitin 2018.

Kritikët e quajtën atë mohues të gjenocidit dhe vunë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin dhe deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Zoti Handke ka marrë pjesë në funeralin e Millosheviçit.

Shkrimtari austriak në disa incizime të vitit 2014 shihet qartë teksa ofendon të mbijetuarit nga Bosnja dhe Kosova: “Vafshi në djall, aty ku tashmë jeni”, dëgjohet Handke. Vendimi i Komitetit të Nobel-it ka ngjallur reagime të shumta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Twitter ka thënë se vendimi i Komitetit të Nobel për ndarjen e çmimit për Letërsi për shkrimtarin austriak ka ngjallur dhimbje të pafund te viktimat e panumërta.
Ai ka shkruar se i mban mend vitet e 90-ta, kur shkrimtari austriak kishte vendosur të mbështesë autorin e gjenocideve në Kosovë dhe Bosnjë.
Po ashtu, ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e ka konsideruar skandaloz veprimin e Komitetit Nobel.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe luftërave të tij gjenocidale në Ballkan.

Në letrën e ASHAK-ut thuhet se Handke është një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën.

Gjithashtu, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovë, Behgjet Pacolli, ka thënë se është i tronditur nga vendimi i Komitetit të Nobel-it.

Ai ka shkruar se është veprim i turpshëm që shkon kundër vlerave të çmimit Nobel.
Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk do të besonte kurrë se Komiteti i Nobel-it do të bënte diçka kaq të turpshme, me anë të një postimi në Twitter.

Po ashtu, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të Komitetit të Nobelit për t’i akorduar këtë çmim për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke.
Çmimi Nobel për Letërsi sivjet u nda për dy vite, pasi vitin e kaluar është anuluar për shkak të një skandali seksual.
Handke, 76-vjeç, siç është thënë është shpërblyer “për punën me ndikim në eksplorimin e specifikës së përvojës njerëzore”.
Çmimi Nobel për letërsi nuk ishte dhënë vitin e kaluar, pas akuzave për abuzim seksual dhe çështje të tjera brenda radhëve të Akademisë Suedeze, që zgjedh fituesin.
Problemet në Akademinë Suedeze shpërthyen pas një skandali lidhur me Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, që është edhe bashkëshorti i poetes Katarina Frostenson, anëtare e Akademisë.