Lajme

Fjalimi i Ditës Nacionale të Zvicrës,1 Gushtit, publikohet më 22 korrik

Fjalimi i presidentit Ueli Maurer është online, nga sot, 22 korrik në kanalin youtube të Këshillit Federal, shkruajnë mediet zvicerane

Në Zvicër është traditë që për nder të 1 Gushtit, që është festa nacionale e vendit, presidenti i konfederatës t`i drejtohet kombit me një fjalim festiv. Këtë do ta bënte edhe presidenti aktual, Ueli Maurer dhe fjalimi do të shikohej e shkarkohej pastaj nga të gjitha mediat, përfshirë edhe nga Youtube, shkruan albinfo.ch. Por, më 1 gusht, e jo dhjetë ditë para kohe, siç ka ndodhur sivjet!

Pra, fjalimi i Ueli Maurer është online nga sot, 22 korrik, në kanalin Youtube të Këshillit Federal, shkruajnë mediet zvicerane.

Por, nuk është fjala për ndonjë gabim teknik, thonë nga departamenti i Mauerit. Sipas tyre, është normale që fjalimi të publikohet pak më herët. Kjo pasi që, sipas tyre, fjala e presidentit u drejtohet të gjithë zviceranëve jashtë shtetit. Maurer, në fjalën e tij festive, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve të tij jasjtë vendit, veç tjerash thotë se “nganjëherë i lakmon ata ngapak dhe se shpreson të jenë mirë”. Për të vazhduar: “Ne na lidhin vlerat e përbashkëta si historia e përbashkët  mbi 700-vjeçare e shtetit të Zvicrës, ose vlerat zvicerane si përpikmëria, besimi dhe modestia… “

Në fund ai u thotë bashkatdhetarëve se i falënderon për faktin se “po e përfaqësojnë Zvicrën në mënyrë të mrekullueshme”.

Ndërkaq, në mediet sociale kanë nisur shakatë me këtë fjalim, shkruan albinfo.ch Duke iu referuar pjesës ku Maurer lavdëron përpikmërinë zvicerane, disa nga komentuesit bëjnë lojë fjalësh pasi që këtë përpikmëri e vejnë në lidhje me publikimin e fjalimit të 1 Gushtit, dhjetë ditë para kohe.

Më poshtë, fjalimi i presidentit Maurer