Shqipëria

Fotografi të rralla: Kur shqiptarët përqafonin Perëndimin me veshjet e ndihmave

Ishin vitet e para të Nëntëdhjetës, ku kontrasti mes asaj ç’kish mbetur nga një regjim në grahmat e fundit, që nuk mundte më as t’i vishte e ushqente shtetasit e tij

Një djalë rreth të njëzetave, i veshur me xhaketë lëkure, stil motoristësh, pantallona lëkure dhe një palë gjysmë çizme, duke e plotësuar pamjen e tij  si prej anëtari të ndonjë bande rroku me një tokëz të madhe rripi, në formën e një shqiponje me krahë të hapur, pozon i qeshur përballë fokusit të aparatit të fotografit të huaj, ndërsa pas tij, katër gra të moshuara, të veshura në të zeza me shami të bardha në krye, ulur në shkallët e Muzeut Historik Kombëtar, në qendër të Tiranës, e shohin me gjysmëdroje dhe habi.

Robert Pichler, gjatë përurimit të ekspozitës “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ‘90-të”

Ishin vitet e para të Nëntëdhjetës, ku kontrasti mes asaj ç’kish mbetur nga një regjim në grahmat e fundit, që nuk mundte më as t’i vishte e ushqente shtetasit e tij – as me tollonat e as me basmat e teritalet, me modelet uniforme – kthehej në thesar në sytë vëzhgues të reporterëve e fotografëve të huaj, që kishin mbërritur të shihnin nga afër zhvillimet e vendit më të izoluar në botë, të cilët në po atë shesh, në po ato kohë, kishin rrëzuar e tërhequr zvarrë me të gjithë zemërimin e mbledhur për gati pesëdhjetë vjet, shtatoren e ish-diktatorit Enver Hoxha, shkruan “gazetasi.al”.

Në Muzeun Historik Kombëtar, duke ngjitur po ato shkallë, thuajse tridhjetë vjet më vonë, fotografi dhe antropologu austriak, Robert Pichler, u kujton shqiptarëve edhe njëherë vitet më të rëndësishme të historisë sonë të vonë, në një ekspozitë të titulluar  “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ‘90-të”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt. Jo pa siklet, shqiptarët që sot i përqafojnë pothuaj me të njëjtën shpejtësi tendencat e fundit në modë, në teknologji apo në autoveturat më të reja – edhe pse tranzicioni pambarim e mban vendin ende larg anëtarësimit në familjen e shumë ëndërruar europiane –përballen me atë të shkuar kaotike, në kërkim të një identiteti të ri. Pichler e vizitoi për herë të parë Shqipërinë më ’89. Megjithë tronditjes së parë nga situata dhe trishtimi që kishte kapluar vendin, deshi të kthehej sërish. E bëri më 1992-shin, ku qëndroi gjashtë muaj dhe realizoi pjesën më të madhe të këtyre fotografive, përcjell albinfo.ch.

Ishte koha e ndihmave humanitare apo tregjeve me rroba të përdorura,  që vishnin shqiptarët me bluza të stampuara, e veturave Benz- Mercedez,  që mund t’i blinin ata që me shkathtësi nuhatën ekonominë e tregut – edhe pse krejt të parregulluar – e bilardove si kalim kohe, por edhe e autobusëve urbanë e ndërurbanë të vjetruar e të mbushur dëng me  turma njerëzish. Për t’ua sjellë edhe njëherë shqiptarëve historinë si pasqyrë, për t ‘u parë në ato kohë ku Shqipëria ia kishte nisur nga një vit ‘0’, ekspozita do të niste si një rrugëtim në urbanë, tetëmbëdhjetë muaj të shkuar.

E nisi nga stacioni i autobusëve drejt Veriut, në kryeqytet dhe u ndal në  Muzeun  Historik të Bajram Currit në Tropojë. Gjatë vizitës së tij, Pichler e pat peshkuar  Shqipërinë nga malësitë e Dukagjinit, deri tek ato të Kurveleshit, nga Curraj i epërm e i poshtëm, nga Shkodra drejt Gjirokastrës, nga Fterra në Tiranë. Pas një qëndrimi të gjatë në Tropojë, ekspozita udhëtoi drejt Galerisë së Arteve të qytetit të Shkodrës, për të vazhduar më tej në pallatin e Kulturës, “Labëria”, Vlorë, në Qendrën Kulturore të Këlcyrës dhe pasi qëndroi për më shumë se shtatë muaj në muzeun “Kadare” në Gjirokastër, u nis për ta përmbyllur rrugëtimin në Muzeun Historik Kombëtar.

Autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio, është veshur me disa nga fotografitë e ekspozitës, duke mbajtur në barkun e tij  e së tashmes dhe mbi kurriz, dëshmitë e Shqipërisë së atëhershme, shkruan kuratorja e ekspozitës Edit Pulaj. Në ato vite kaotike, ku pa u mësuar mirë me nocionet aq shumë të thërritura të demonstrata të e demokracisë, lirisë, Shqipërisë si e gjithë Europa, shqiptarët e kishin mendjen të mbijetonin, të siguronin bukën e përditshme, në një ekonomi tregu, ku industritë e mëdha kishin reshtur së ekzistuari, duke ia lënë vendin kryesisht tregtive të vogla. Ishte ky ankth ekzistencial, që i pengonte të kuptonin realisht se po jetonin ndoshta epokën më të rëndësishme, në shoqërinë postdiktatoriale.

“Teksa ne vetëm  i jetonin të  pavëmendshëm për t’i dokumentuar dhe në pamundësi të mjeteve fotografike, një student austriak vjen në Shqipëri dhe fotografon vazhdimësinë e jetës shqiptare, përtej ngjarjeve politike.  Ai na sheh dhe ne e lejojmë të na shohë e të shohë muzeun  dhe bukurinë e mbetur”, shkruan kuratorja. Ky dorëzim i sinqertë e i pazakontë shqiptar të krijon  përshtypjen sikur i gjithë vendi dukej i dorëzuar.

Rrugë nacionale të derdhura në baltë, lumenj pa shtretër , luanë e luanesha të paushqyera ( jo se ka ndonjë ndryshim edhe tani, ku kafshët vazhdojnë të mbahen në kushte të skajshme mizorie), vitrina dyqanesh pa mall.” Metaforikisht Shqipëria dukej në autopsi, me të gjitha organet shpalosur mbi tavolinën e kirurgut, i cili i kapur gafil  s’di ç’të kapë për të fshehur më parë nga kjo pamje shqetësuese – një zorrë a një balluke”, thotë Pulaj.

Kështu njerëzit i dorëzohen miqësisht objektivit të Pichler-it, që fotografon me syrin qëmtues të studiuesit, përtej ekzotizmit që mund të shkaktonin pamjet. Atë periudhë të ngulitur në mendjen e kujtdo të lindur para viteve ’90, e kujtojmë  me theks në aspekte të ndryshme, por siç e evidenton edhe kuratorja Pulaj, pak prej nesh mundën ta dëshmonin vizualisht atë përvojë, edhe pse pikërisht në atë varfëri pak shqiptarë kishin mjetet për ta bërë këtë. Ekspozita të fton në pjesën e djathtë të hollit qendror të Muzeut me një seri fotografish bardhezi, ku vështirë të dallohen kohët. Pas ose asgjë të ndërmend vitet ’90 në ato tablo idilike, portrete të dominuar nga pleq. Ishte vera e 1998-ës, sqaron fotografi, ku bashkë me një ekip kërkuesish e studiuesish nga Austria, Anglia dhe Gjermania dhe studentë shqiptarë, kaluan tri javë në Fterrë të Kurveleshit.

Qëllimi ishte të zbulonin shkaqet dhe pasojat e trazuara të emigracionit. Fotografitë e shkrepura nga qëndrimi dhe bisedat me banorët atje, e pasqyrojnë largimin në masë të djemve dhe burrave të zinës drejt Greqisë, “të detyruar për të fituar qasje në tregun e punës”, rrëfen Pichler, i cili dëshmoi sesi për shkak të emigrimi të vazhdueshëm, infrastruktura e fshatit u përkeqësua,  shkolla vuante nga eksodi i mësuesve dhe nxënësve, furra e fshatit u mbyll dhe rruga për në shtat u shpërbë gjithnjë e më shumë. Rezultatet e studimit u botuan në vëllimin “Fshati dhe Bota më e gjerë. Emgiracioni shqiptar në fund të shekullit të 20”, në Vjenë,  më 2002-shit.

Veç peizazheve idilike, bukurisë së natyrës, Pichler ka mbërthyer kushtet e vështira të jetesës së përditshme. “Koha kur kam qenë këtu nuk ishte shumë e mirë, por diçka është e qartë që kam marrë shumë nga shqiptarët dhe nuk do të isha këtu pa Shqipërinë”, do të shprehej gjatë përurimit Robert Pichler, duke nënvizuar mikpritjen. Në fund do të thoshte se fotografitë dhe videot janë pronë e shqiptarëve. Ku mund  të jenë sot ata njerëz? E pyes kolegun tim, me të cilin po e shoh dhe po shkrepim fotografi, duke u ndalur te dy fotografi emblematike që duket se mbështjellin të gjithë epokën. Është ajo e dy burrave që pozojnë për Pichler-in nga dyert e një Benz Mercedez “240” , ku njëri prej tyre mban veshur një bluzë të stampuar me fytyrën e yllit të muzikës pop, Michael Jackson e mbi të shkruhet “Dangerous” – titulli i një këngë të famshme të Jackson-it – ndërsa një tjetër janë një grup djemsh e burrash, të mbledhur përpara një tavoline bilardoje, vendosur në ajër të hapur, ku vështrimin ta tërheq njëri prej tyre, i veshur me bluzë të stampuar dhe pantallona xhins, model kauboj me stampa, që duket se ka dalë nga Woodstock-u i famshëm i viteve ’70. “Nëse do t’i kenë shpëtuar ’97?!”,  më thotë kolegu, duke ndërmendur trishtueshëm atë periudhë të tmerrshme,  “me shumë gjasë do kenë emigruar”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili ishte i pranishën në mbrëmjen e promovimit, do ta shihte ekspozitën si rikthim në fëmijërinë tonë të vështirë. “Një rikthim për t’u parë në pasqyrë për të kuptuar ku ishim e ku jemi sot”, do të thoshte Veliaj, si një rast i mirë për të bërë bilanc të mentalitetit kulturor, por edhe emancipimit të shoqërisë gjatë këtyre tre dekadave. Megjithëse nuk kanë kaluar as tridhjetë vjet, përse këto fotografi që antropologu austriak ua servir shqiptarëve si një moment reflektimi, na bëjnë të ndihemi sa familjarë aq edhe të largët me atë të shkuar? Nëse e harrojmë të shkuarën, ajo ose do të na përndjekë, ose do të përsëritë veten…