Shqipëria

Frankfurter Allgemeine: Nuk është vetëm tërmeti që “po e dridh” Shqipërinë

“Vendi i vogël vuan nga thatësia dhe nga ajo se gjithnjë po shtyhet për më tutje aderimi në BE. Por, është para së gjithash eksodi i të rinjve që brengos në Shqipëri"

Gazeta prestigjoze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një artikull të korrespondentit të saj për Evropën Juglindore, ka vënë në fokus Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues që e goditi para dy ditësh. Por gazetari, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, nuk është mjaftuar me përshkrimin e pasojave të drejtpërdrejta dhe të dukshme për të gjithë, të tërmetit.

Ai, përmes bashkëbisedimit me ekspertë shqiptarë, merret edhe me parametrat të tjerë, kryesisht negativë që e karakterizojnë Shqipërinë aktualisht. Albinfo.ch sjell këtë artikull të përkthyer në gjuhën shqipe.

“Vendi i vogël vuan nga thatësia dhe nga ajo se gjithnjë po shtyhet për më tutje aderimi në BE. Por është para së gjithash eksodi i të rinjve që brengos në Shqipëri.

Të martën në orën 4 të mëngjesit anëtarët e familjes Haçkaj ranë pothuaj nga shtretërit. “Muret dridheshin, gruaja dhe fëmijët hynë nën tavolina për të gjetur mbrojtje”, thotë Ardian Haçkaj, ende i tronditur nga tërmeti i fortë që trandi Shqipërinë para dy ditësh, transmeton albinfo.ch. “I veshëm palltot mbi pixhama dhe vrapuam nëpërmjet shtatë kateve drejt e në rrugë. Dhe temperatura ishte 7 gradë”, thotë ai.

Ndërkohë, familja e tij, ashtu sikurse me mijëra njerëz të tjerë nga kryeqyteti, është “arratisur” drejt jugut. Vazhdimisht ka dridhje të reja dhe mbretëron atmosferë morti.

Dhe frika nuk është e pabazë, pasi që deri tani autoritetet kanë numëruar 500 dridhje toke… Qeveria ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Haçkaj i goditur edhe vetë, sqaron se çfarë do të thotë kur shteti mbulon të gjitha dëmet. “Kjo gjë është e drejtë, por e vë në presion buxhetin, me të cilin nuk është se shkon gjithçka për së mbari…”.

Haçkaj është ekonomist dhe drejtor kërkimesh në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim CDI, një institut kërkimor i respektuar në Tiranë. Ai sigurisht që ende nuk mund të parashikojë pasojat ekonomike të katastrofës, por ajo që është e qartë për të, është se po pëson jo vetëm infrastruktura, por po bie edhe konsumi privat, që është një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në vend, transmeton albinfo.ch. Në këtë të enjte dhe të premte, shqiptarët festojnë festat e tyre kombëtare, që tradicionalisht karakterizohen me blerje të mëdha, sikur për “të premten e zezë” në SHBA”.

Kryeqyteti Tirana është vendbanimi i 30 për qind të të gjithë banorëve të vendit, ku dhe bëhet 50 për qind e konsumit privat. Sidoqoftë, për shkencëtarin Hackaj, katastrofa ka edhe aspekte pozitive. Brenda Shqipërisë, nevoja gjeneron më shumë solidaritet, dhe ndërkohë i ul tensionet e konflikteve politike duke i bërë ato si të dorës së dytë. Kjo gjendje, sipas tij, e vë nën kontroll, e frenon, “tërbimin e privatizimit”, përcjell albinfo.ch. “Në periudha të vështira, kur lypset funksionaliteti i shtetit, dëshmohet se tregu nuk mund të rregullojë gjithçka”.

Më tutje gazeta shkruan se “vendi me 2.9 milionë banorë ka qenë shtet kandidat për pranim në BE që nga viti 2014. Por deri më tani nuk është marrë vendimi nga krerët e shteteve dhe qeveritë për të filluar negociatat me Tiranën. Komisioni dhe Parlamenti Evropian janë shprehur në favor, ashtu si dhe Bundestagu gjerman, por qeveritë veç e veç po bllokojnë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë këtu Francën dhe Holandën. Kjo është arsyeja pse Këshilli Evropian në tetor shtyu hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për herë të tretë.

Ndërkohë  vazhdon eksodi i shqiptarëve të rinj dhe relativisht të arsimuar, të cilët nuk shohin asnjë perspektivë në atdheun e tyre, tërheq vëmendjen Haçkaj. Që nga vitet 1990, një e katërta e fuqisë punëtore është larguar nga Shqipëria. “Imagjinoni po të ndodhte kjo në një kompani! Ajo do të duhej të mbyllej”, thotë ai.

Instituti Vjenez për Evropën Lindore WIIW ka llogaritur ndërkaq se në dekadën e fundit ka pasur një migrim prej 165,000 njerëz, ose 6 për qind e popullsisë, transmeton albinfo.ch. Ekonomistja shqiptare në WIIW, Isilda Mara, druan se një vonesë e mëtutjeshme në negociatat e BE-së mund të rrezikojë përpjekjet për reformat. Ndër këto reforma përmendet shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

Vendi po pëson gjithashtu edhe nga ndryshimi i klimës. Shqipëria është duke luftuar me thatësira gjithnjë e më të mëdha që po dëmtojnë jo vetëm bujqësinë, por edhe hidrocentralet, një sektor kyç ekonomik për vendin. Nga ana tjetër, Mara konsideron që inkurajimi i konsumit (në kohë normale) duhet të nxitet përmes rritjes së pagave reale, huave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe rritjes së rëndësisë së turizmit në Adriatik. Shkalla e papunësisë është në rënie, por gjithsesi arrin pothuajse 12 për qind. Perspektivat e rritjes për vitin 2019 janë ulur në 2.8 për qind, ndërsa në vitin 2018 rritja kishte arritur në 4.1 për qind.