Maqedonia

Gati 80 % e të rinjve në Maqedoni duan të largohen

76.7 % e të rinjve që jetojnë në Maqedoni mendojnë të largohen nga vendi, kryesisht në vendet e BE-së.

Arsyeja kryesore që nxit të rinjtë për këtë vendim është cilësia e dobët e jetës, duke përfshirë papunësinë ose kushtet e këqija në punë, ambienti social i pasigurisë politike dhe ekonomike, sistemi jo i mirë arsimor dhe diskriminimi, raporton “Alsat”.

Këto janë të dhënat e hulumtimit të zhvilluar nga Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave e cila bazohet në anketën e të rinjve të moshës prej 15 deri në 29 vjet, përcjell albinfo.ch.

Sipas gjetjeve të hulumtimit, në Maqedoni nuk ka asnjë dokument strategjik i cili ka për qëllim reduktimin e migrimit të personave të rinj nga vendi dhe tërheqjen e të rinjve të emigruar që të kthehen përsëri në vend.

Madje 91.6 % e të rinjve mendojnë se zëri i tyre nuk është i përfaqësuar mjaftueshëm në proceset e vendim-marrjes në vend, ndërsa 87.3% prej tyre mendojnë se shteti nuk shfrytëzon potencialin e të rinjve dhe nuk ofron mundësi për zhvillim.