Shqipëria

Gati baza ajrore taktike e NATO-s në Shqipëri, përurohet më 4 mars

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar sot se përgatitjet në bazën ajrore të aleancës ushtarake të NATO-s në qytezën jugqendrore të Shqipërisë, Kuçovë, janë drejt përfundimit para se ajo të përurohet më 4 mars, transmeton albinfo.ch.

Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka thënë se trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj së shpejti do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, tashmë bazë ajrore taktike e NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se kjo bazë do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

“Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”, ka shkruar ai.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeo-strategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90 teksa Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.