Kosova

Gjatë javës pritet që në Kosovë të kthehen kosovarët e mbetur jashtë

Nuk janë konfirmuar ende fluturimet.

Ministria e Infastrukturës po planifikon të organizojë disa fluturime gjatë kësaj jave për të kthyer në vend disa prej kosovarëve që kanë mbetur në shtete të tjera. Por, se kur do të organizohen këto fluturime dhe sa do të jetë numri i qytetarëve që do të kthehen, ende nuk dihet.

Alban Zogaj, shef i Kabinetit të ministrit Lumir Abdixhiku, ka thënë se ende nuk kanë datë konkrete për këto fluturime. Sipas tij, vendimi për t’u lejuar fluturimet varet nga hapësira në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

“Po tentojmë të realizojmë fluturime këtë jave, por akoma nuk kemi datë konkrete. Kërkesa për kthim ka në vazhdimesi, por vendimi për të lejuar fluturimet varet nga hapësirat në Qendrën e Karantinës”, ka thënë Zogaj për Express. Për gjendjen në Qendrën e Karantinës, është deklaruar dje edhe ministri Lumir Abdixhiku.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kushtet mund të mos jenë nga më të mirat, por karantimi po funksion. Ai ka njoftuar se në konvikte janë vendosur mbi 500 qytetarë dhe se ditëve në vijim do të kthehen qindra të tjerë, të cilët do të vendosen në këtë qëndër.