Kosova
Gjenerali serb i dënuar për krime në Kosovë, Nebojsha Pavkoviq, lirohet nga burgu
Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi, bëri të ditur kryeministri serb, Gjuro Macut, më 28 shtator.
Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, me vendim të formës së prerë ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës më 1999.
Macut tha se është plotësuar kërkesa e Qeverisë së Serbisë që Pavkoviqit, “për shkaqe shëndetësore, t’i mundësohet lirimi i parakohshëm”.
Ai shtoi se me këtë “akt konfirmohet se shteti kujdeset për qytetarët e vet dhe se angazhohet për parime humane në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Sipas kryeministrit të Serbisë, Pavkoviq do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Serbi.
Lirimin e tij nga burgu e kishte paralajmëruar më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Pavkoviq u shpall fajtor në vitin 2009 për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.
Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq me nga 15 vjet.
I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht.
Mekanizmi në Hagë, deri më tani nuk ka njoftuar për lirimin e Pankoviqit.
Në mesin e muajit gusht, avokati Aleksandar Alleksiq, dorëzoi një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit, duke përmendur si arsye gjendjen shëndetësore.
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviqit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”. /REL
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?












