Kosova
Gjermania investon për integrimin europian të Shqipërisë dhe rajonit
“Gjermania investon jashtëzakonisht shumë për demokratizimin dhe për integrimin europian të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë ndaj vendit tonë.
Në një intervistë për Deutsche Velle, Rama foli për çeljen e ekspozitës së tij personale në Berlin, ndërsa iu përgjigj edhe interesit lidhur me politikën e Shqipërisë për çështjet rajonale.
Rama e cilësoi kancelaren Merkel, një mike të vërtetë të popujve të të gjithë rajonit tonë dhe një lider vizionar dhe jashtëzakonisht të qartë për të ardhmen. Mbi të gjitha, tha ai, “Merkel është një shembull fantastik lidershipi dhe një pishtarmbajtëse e vendosur e idesë sonë”.
Ndërkohë sipas tij, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të angazhuara dhe mbështetëse të Kosovës qysh në ditën një, dhe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova nuk do të ishte çliruar dot nga kthetrat e Beogradit dhe nuk do të ishte dot shteti i pavarur që është sot”. “Kështu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë qysh në ditën një mbështetëse të palëkundura të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe qysh në ditën një Shqipëria ka qenë qartësisht e shprehur për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, e majta dhe e djathta”, tha Rama.
Pyetjes se çfarë pret nga qeveria gjermane, Rama iu përgjigj se :”nuk pres asgjë të veçantë, sepse qeveria gjermane gjithnjë ka bërë gjërat e duhura në botë dhe në rajon”. “Është një qeveri shumë serioze e një vendi shumë serioz e një shteti realisht mik që ka qenë jashtëzakonisht shumë e pranishme në Shqipëri mes programeve të mbështetjes dhe që investon jashtëzakonisht shumë për demokratizimin e rajonit dhe për integrimin evropian të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha ai, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch
Ndërkohë lidhur me qëndrimin kundër të Gjermanisë sa i takon ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, Rama tha se “në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet dhe padyshim që duhet të finalizohet në një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës. “Përsa na takon neve, ne mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Kaq. Të tjerat pastaj janë “dokrra hini”, siç thoshte At Gjergj Fishta”, tha ai.
Lidhur me marrëveshjen e Prespës, Rama tha se “ka qenë një hap absolutisht i rëndësishëm historik”. “Është dashur një periudhë e stërgjatë kohe bllokimi, konflikti, pengesash, por edhe një lidership kurajoz për të realizuar një marrëveshje që çliron përfundimisht një ngërç të madh në rajonin dhe u hap perspektivë të gjithë popujve të përfshirë në këtë proces, qoftë maqedonasve, qoftë shqiptarëve”, shtoi ai.
Duke u rikthyer te arti, Kryeministri theksoi se “politika këtu nuk ka asnjë lidhje”. “Unë thjesht gjatë kohës së punës vizatoj, vizatoj gjatë takimeve, vizatoj gjatë telefonatave, gjatë momenteve të pauzave dhe është një proces krejt i natyrshëm, ku dora ndjek njërin sy dhe njëri sy ndjek dorën, ndërkohë që vëmendja është e gjitha e përqendruar tek diskutimet, tek puna, tek vendimet për t’u marrë, tek çështjet për t’u adresuar”, tha ai.
Rama komentoi po ashtu edhe fjalët e artistit nga Kosova Petrit Halilaj, i cili kur hyri në ekspozitë tha: “Është si të hysh në një hapësirë mendore, në kokën e Edit”. “Isha shumë i kënaqur që erdhi Petriti. Ai është një superstar, është një djalë fantastik dhe ishte vërtet kënaqësi që ishte këtu dhe shprehu konsideratat e tij pozitive për këtë ekspozitë”, tha Rama.
I pyetur se ku e shikoni veten në të ardhmen, Rama tha se “e bukura e kësaj jete asnjëherë nuk planifikohet”. “Thjesht mund të ëndërrohet. Përsa i përket mënyrës si e ëndërroj, kjo është shumë intime për ta ndarë me ju. Por them që nuk do plakem keq, si ca që nuk ikin dot nga politika dhe që lemerisin kalamajtë e këmbëngulin për të qenë pjesë, ndërkohë që mund të bënin diçka shumë më fisnike në periudhën e fundit aktive të jetës”, tha ai.
Dhoma e galerisë Carlier Gebauer ishte veshur me letër-muri, ku ishin printuar piktura të mëhershme të tij. Karakteristike për pikturat e Ramës është se ai pikturon mbi dokumente dhe letra që zakonisht i përdor në jetën e përditshme. Me një letër të ngjashme ai ka veshur edhe zyrën e tij në Tiranë. Në ekspozitën e Berlinit janë janë ekspozuar ndër të tjera edhe një letër në anglisht drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel, si edhe një letër drejtuar presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për emërimin e ministrit të brendshëm. Ekspozita e titulluar “Works” qëndron e hapur në galerinë Carlier Gebauer në Berlin deri më datën 9 mars 2019.
E-Diaspora
-
Austri
Profesori shqiptar fiton bursën prestigjioze SHER Fellowships në Austri Zahir Çerkini është përzgjedhur për bursën ndërkombëtare SHER Fellowships Post-Doc Grant, të ndarë nga OeAD në... -
Firence
Alesia, shqiptarja nga Firence që spikat në fushën e inxhinierisë biomjekësore dhe inteligjencës artificiale -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026 -
Në Lozanë hapet ekspozita “Trésors Vestimentaires”, kushtuar veshjeve tradicionale shqiptare -
Nis hulumtimi për diasporën e Maqedonisë së Veriut, hapet anketa për shqiptarët jashtë vendit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Neuchâtel bëhet kantoni i parë në Zvicër që ndalon lëshimin e balonave në ajër Masa e re ndalon si balonat tradicionale ashtu edhe “fenerët fluturues”, për arsye mjedisore dhe rreziku... -
Moutier: Afati i fundit për ndërrimin falas të targave të Bernës me ato të Jura-s -
Zvicra nga viti 2028 me platformë digjitale për AVS dhe AI -
Fund i një epoke: SWISS ndalon shitjet “duty-free” në avionë -
Zvicra synon lehtësimin e aksesit në pilulën e emergjencës













