Lajme

Gjermania, në krye të shteteve evropiane sa i përket paketës ekonomike

Duket se Gjermania kalon një hap përpara fqinjëve me paketën e re ekonomike. Masat e emergjencës pasohen nga fonde e ulje taksash për të ndihmuar ekonominë pas Covid-19.

Thuhet se paketa konjukturore u prit me duartrokitje nga shumë ekonomistë në Gjermani. Të kënaqura janë edhe partitë e koalicionit qeveritar, konservatorët e CDU/CSU dhe socialdemokratët për atë që arritën, pas 21 orë negociatash.

“Ne kemi gjendjen më të vështirë ekonomike që kur ekziston Republika Federale”, kujtoi kancelarja Angela Merkel. “Tani është një kohë kur shteti duhet të bëjë më tepër se ç’bën normalisht”, shkruan DW.

Duhet theksuar se paketa konjukturore kap shumën 130 miliardë euro. Kjo shumë është rreth katër për qind e prodhimit ekonomik të vjetshëm të Gjermanisë. Është paketa më e madhe konjukturore që ka miratuar ndonjëherë qeveria gjermane. Dhe, ajo e vë Gjermaninë në pararojë të shteteve evropiane: asnjë nga fqinjët nuk ka kaluar deri tani nga masat e emergjencës në politika për rindërtimin dhe që nxisin kërkesën e konsumatorit.

Vlen të cekët se kjo është paketa e dytë pas paketës me masa emergjente, që u miratua në mars. Ajo ishte nga paketat më të mëdha të ndihmës në botë: 353 miliardë euro masa me ndikim në buxhet dhe 819,7 miliardë euro si garanci.

Cilët sektorë të ekonomisë dhe cilat shtresa të popullatës mbështet paketa?

Paketa konjukturore përmban 57 pika. Dhe siç e theksoi edhe kryetari i CSU-së, kryeministri bavarez Markus Söder, një nga aspektet qendrore është ulja e TVSH-së, taksës mbi vlerën e shtuar (financohet me 20 miliardë euro). Ajo do të ulet për gjashtë muaj, nga 1 korriku deri në 31 dhjetor 2020. Nga 19 për qind aktualisht do të bëhet 16 për qind. Atje ku është shtatë për qind, si p.sh. te ushqimet, do të bëhet pesë për qind. Kancelarja Merkel tha se ulja e TVSH-së “në aspektin social është bërë në mënyrë shumë të drejtë”.

Industria automobilistike, pa prim për automjetet me naftë

Industria automobilistike është nga dega më e madhe e ekonomisë gjermane. 800.000 vetë punëson ajo aktualisht në Gjermani. Kështu që paralajmërimi i saj, se po nuk mori ndihma do të ketë shkurtime të vendeve të punës në fabrika, tërhoqi vëmendjen këto javë. Daimler-Benzi, BMW-ja dhe Volkswageni luftuan deri në fund për një prim, për një lehtësim financiar kur blen automjete me naftë dhe me benzinë.

Nga ana tjetër, qeveria ofron lehtësime edhe më të mëdha për blerjen e automjeteve elektrike. Ai që blen një automjet elektrik deri në fund të vitit 2021 do të lehtësohet me 9000 euro, nga 6000 euro, sa lehtësohej nga primi aktual. Këto janë hapa drejt kthesës për një mobilitet që e mbron më mirë klimën. Siç tha kancelarja Merkel, është një paketë me “aspekte të së ardhmes”.

“Paketa e së ardhmes”

Pjesë të mëdha të paketës do të derdhen në zgjerimin më të shpejtë të standardit të telefonisë celulare 5G. Me pesë miliardë euro do të mbyllen njollat e bardha, pa sinjal për celularët, në Gjermani. Synimi është që në vitin 2025 qytetarët ta përdorin kudo me shpejtësi maksimale edhe në celularë internetin. Do të ngrihen shumë pika ngarkimi për automjete elektrike. Mbështetet gjithashtu edhe kërkimi shkencor për lëvizshmërinë elektrike, për ndërtimin e baterive për automjetet dhe për inteligjencën artificiale.

Me mbi dy miliardë euro do të ndërtohen të paktën dy kompjutera kuantikë. Siç dihet, kompjuterët kuantikë janë në gjendje të zgjidhin shumë shpejt detyra, për të cilat edhe superkompjuterëve të sotëm u duhen dekada. Një kompjuter kuantik përllogarit p.sh. të gjitha alternativat si mund të drejtohet në mënyrë optimale qarkullimi në një metropol. Apo përllogarit të gjitha mundësitë e furnizimit të një anijeje kozmike në hapësirë. /Albinfo.ch